Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, gjatë fjalës së tij në Kuvend ditën e sotme, e cilësoi situatën aktuale si një model të konsoliduar korrupsioni, keqqeverisjeje dhe kapjeje totale të shtetit.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet përballë një skeme të mirëorganizuar ku buxheti publik po shndërrohet në burim fitimesh private dhe ku qytetarët po detyrohen të largohen masivisht nga vendi për mungesë shprese dhe mundësish.
Bylykbashi theksoi se korrupsioni arrin në nivele alarmante, se prindërit po “shprindërohen” duke dërguar fëmijët jashtë, dhe se qeveria ka privatizuar funksionet bazë të shtetit përmes një zinxhiri të pafund koncesionesh dhe PPP-sh.
Ai paralajmëroi se kjo qasje ka kthyer qeverisjen nga përgjegjshmëri ndaj qytetarëve në një sistem kontratash private, duke e zhveshur demokracinë nga çdo mekanizëm kontrolli dhe llogaridhënie.
Fjala e plotë:
“Nuk ka njeri që nuk bie dakord që minimumi i korrupsionit është 20 deri në 30%. Bëni llogarinë e buxhetit të shtetit, merrni vetëm investimet, aplikojeni këtë 30% dhe kuptoni se po flasim për qindra miliona euro korrupsion në vit. Vetëm sa është hapur kutia e Pandorës me emrin Balluku. Dhe kjo ka një emër, ishte Edi Rama.
E dyta është shprindërimi. Prindërit po largojnë fëmijët e tyre. I largojnë për të studiuar se këtu nuk kanë shpresë, i largojnë për të punuar se këtu nuk kanë punë. Prindërit nuk janë më prindër se i kanë larg fëmijët e tyre. Kjo nuk është histori opozitash, edhe votuesit tuaj i kanë fëmijët jashtë, larg.
E treta ishte privatizimi i shtetit dhe shtetëzimi i privatit. Urdhër 257 i nëntorit 2014, urdhëri i kryeministrit, për dhënien me koncesion të punëve dhe shërbimeve publike. Ministritë kanë detyrimin ta zbatojnë këtë urdhër. Nëntë ministri të përfshira, praktikisht gjithë shteti. Koncesion ose PPP për gjysmën apo më shumë të qeverisjes publike.
Kryeministri jep urdhër: çfarë ke në kompetencë, privatizoje. Kontrolli bazë mjekësor, shërbimi i dializës, furnizimi i instrumenteve kirurgjikale, urgjenca mjekësore, oksigjeni, laboratorët, administrimi i spitaleve, mbetjet spitalore, energjia, OSHEE-ja, siguria ushqimore, peshkimi, mbetjet, inertet, inceneratorët, lumenjtë, burimet ujore, pyjet, shërbimet sociale, punësimi, shkollat profesionale, turizmi, porti i Durrësit, strehimi, landfillet, rrugët, autostradat, kuponat fiskalë, kadastra fiskale, mbledhja e borxheve të vjetra. E gjithë lista me koncesion.
Ne kemi privatizimin e shtetit, por edhe shtetëzimin e privati. Kjo mënyrë qeverisjeje dhe centralizimi i pushtetit ka prodhuar këtë situatë. Shteti dhe privati po përdoren për të ushtruar presion, sepse nuk kanë ku të shkojnë tjetër. Piramida e përqendrimit të pushtetit prodhon vetëm këtë situatë.
Ju e keni kthyer qeverisjen nga përgjegjshmëri me votë, në qeverisje me kod civil, me kontrata. Po kujt do t’i japin llogari deputetët dhe qeveria? Qeverisë apo privatit? Kjo është një logjikë kriminale, jo korruptive, për t’i grabitur buxhetin e shtetit shqiptar.”