Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilluan sot një konferencë të përbashkët për shtyp në Kryeministri, në vijim të publikimit të raportit të Komisionit Europian për zgjerimin dhe përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Rama:
Ky raport mbi të gjitha thotë një gjë: që Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur negociatat brenda vitit 2027. Duke thënë këtë, raporti i ka thënë të tëra. Patjetër që në këtë rrugë të duhur ka sfida në çdo hap.
Sfida dhe çështje për t’u adresuar jo vetëm në mënyrë sasiore, por edhe cilësore në çdo hap. Natyrisht që raporti i progresit është një gotë e mbushur përgjysmë. Ajo që ne kemi bërë gjithmonë dhe do të bëjmë përsëri është që, duke marrë gjithë energjinë e nevojshme nga gjysma plot, të fokusohemi me gjithë energjinë e nevojshme te gjysma bosh, në mënyrë që në 2027 ta mbyllim këtë proces. Raporti në 2027 të shkruajë: “Rekomandojmë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.” Jam shumë krenar që askush nuk harron të thotë që Shqipëria është në pararojë të këtij procesi bashkë me Malin e Zi. Më në fund, Shqipëria është shembulli pozitiv që u jepet edhe të tjerëve që duan të bëhen pjesë e BE-së.
Të tjerat janë pjesë të detajuara të një procesi, ku ne kemi kryer në kohë rekord hapjen e grup kapitujve. Do të kryejmë edhe hapjen e grup kapitulit të gjashtë. Do ta mbyllim vitin me gjithë kapitujt e hapur.









