Tag: druri

  • Ndërtoi shtëpi druri pa leje dhe vendosi 4 konteinerë në Vuno, arrestohet 45-vjeçari

    Ndërtoi shtëpi druri pa leje dhe vendosi 4 konteinerë në Vuno, arrestohet 45-vjeçari

    Një 45-vjeçar në Himarë është arrestuar nga policia e Vlorës pasi kishte ndërtuar një shtëpi druri pa leje në fshatin Vuno.
    Po kështu, sipas policisë, 45-vjeçari A.N. kishte vendosur edhe 4 konteinerë në të njëjtin vend.
    “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë arrestuan shtetasin A. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, pasi në fshatin Vuno, është konstatuar se ka ndërtuar një shtëpi druri si dhe ka vendosur 4 kontenierë pa lejen e organeve kompetente”, thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës.

  • 15 biblioteka magjike që çdo dashamirës librash duhet t’i vizitojë

    15 biblioteka magjike që çdo dashamirës librash duhet t’i vizitojë

    Disa biblioteka të botës tërheqin vizitorët me arkitekturën e tyre madhështore, të tjerat me historinë që ruajnë, dhe disa me atmosferën e veçantë që nuk mund të përshkruhet lehtë një ndjesi që të shoqëron që në momentin që futesh brenda.Aromë librash të vjetër, raftet e larta, dritaret me qelq të ngjyrosur çdo element tregon se si një bibliotekë mund të kthejë leximin në një përvojë pothuajse të shenjtë, shkruan KultPlus.

    Disa nga bibliotekat më të mahnitshme për t’u vizituar:

    Strahov Library, Pragë, Çeki – një perlë baroke me tavan të vizatuar dhe statuja që krijojnë një atmosferë ceremoniale.

    Admont Abbey Library, Austri – brendësi e bardhë dhe e artë, me fresko që fluturojnë mbi koleksionet e teksteve teologjike.

    George Peabody Library, Baltimore, SHBA – katër ballkone hekuri rrethojnë atriumin qendror, si një teatër i literaturës.

    The Long Room, Trinity College Dublin, Irlandë – raftet prej druri të errët dhe aroma e letrës krijojnë një ambient intim dhe të thellë.

    Royal Portuguese Reading Room, Rio de Janeiro, Brazil – një bibliotekë e shekullit XIX me punime të detajuara druri dhe dritare gotike që e bëjnë leximin të duket si një rit.

    Stuttgart City Library, Gjermani – kub modern me brendësi të bardhë dhe hapësira gjeometrike, ku librat janë shpërthime ngjyrash.

    Morgan Library & Museum, New York, SHBA – një kombinim mes studimit rinascimental dhe një depoje thesari me libra të rrallë.

    Rijksmuseum Library, Amsterdam, Holandë – rafte të larta me tekste të vjetra dhe dritë natyrale që krijon një ndjesi muzeale.

    Library of Celsus, Efes, Turqi – vetëm fasada ruhet, por kolonat dhe gdhendjet tregojnë historinë e një biblioteke romake të humbur.

    Beinecke Rare Book Library, Connecticut, SHBA – një kullë qelqi me libra të rrallë, ku drita e filtruara i jep volumit ndjesinë e një objekti të shenjtë.

    Teylers Museum Library, Holandë – një ambient historik ku studiuesit e shekullit XIX mund të lexonin tekste natyrore nën dritën e qirinjve.

    Suzzallo Library, Seattle, SHBA – arkitekturë gotike që i bën hapat dhe zërat të duken si pjesë e një rituali.

    Sainte-Geneviève Library, Paris, Francë – harku i hekurt dhe rendi i rafteve krijojnë një ritëm të qetë dhe të përqendruar.

    Royal Library of Denmark (The Black Diamond), Kopenhagë – ndërtesa moderne me xham dhe hijeshinë e dritehijeve që japin ndjesinë e lëvizjes.

    Liyuan Library, Huairou, Kinë – një hapësirë e thjeshtë prej druri në mes të pyllit, ku leximi bëhet një meditacion i vërtetë.

    Çdo bibliotekë tregon se leximi nuk është vetëm një akt njohjeje, por mund të shndërrohet në një përvojë estetike dhe shpirtërore që të mbetet gjatë pas largimit./KultPlus.com

  • Arkitektura e qytetit lundrues: Si u ndërtua Venecia?

    Arkitektura e qytetit lundrues: Si u ndërtua Venecia?

    Qyteti romantik i Venecias njihet me shumë emra. Si qyteti lundrues, qyteti i kanaleve ujore,dhe madje edhe si Mbretëresha e Adriatikut. Ky qytet i rrethuar nga uji u ndërtua mbidhjetëra ishuj të vegjël të vendosur në Lagunën e Venedikut, një gji ligatinor i detit Adriatik, i ndërlidhur me ura dhe kanale.

    Në rast se po pyesni veten se si ishte e mundur të ndërtohej arkitektura mahnitëse e Venecias në mes të asaj që në thelb është një moçal, atëherë nuk jeni i vetmi. Ndërsa Venecia duket sikur noton mbi ujë, shumica e njerëzve supozojnë se qyteti është ndërtuar direkt në ishujt e Lagunës Veneciane.

    Në fakt, ndërtesat e Venecias u ndërtuan mbi platforma druri të mbështetura nga shtylla druri të futura nën tokën e përmbytur nga uji. Kjo vepër arkitekturore është një mrekulli inxhinierike, dhe i ka rezistuar qindra viteve histori. Historia e Venecias fillon në shekullin e V Pas Krishtit.

    Pas rënies së Perandorisë Romake Perëndimore , barbarët nga veriu po sulmonin territoret e Romës. Për t’i shpëtuar këtyre bastisjeve, popullsia veneciane u arratis në kënetat aty pranë,dhe gjeti strehim në ishujt ranorë Torcello, Iesolo dhe Malamocho.

    Ndonëse vendbanimet e para ishin të përkohshme, pas ndërtimeve fillestare të fundosura në baltë, gradualisht venedikasit i populluan ishujt në mënyrë të përhershme. Për të siguruar themele të forta, ata zhvilluan një metodë ndërtimi inteligjente. Kjo përfshinte futjen në baltëtë trarëve me gjatësi nga 4-8 metra, derisa prekën fundin e lagunës.

    Mbi këto trarë ata ndërtuan platforma druri, përpara se të ndërtonin sipër ndërtesa. Kjo metodë, krijoi një terren të aftë të mbante strukturat e rënda që vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot. Një tjetër nga materialet e spikatura të përdorura në ndërtim ishte guri i Istrias i ngjashëm me mermerin, një lloj guri gëlqeror i papërshkueshëm nga uji që nxirrej në Istria të Kroacisë.

    Sipas disa vlerësimeve, ai përbënte më shumë se 90 për qind të gurit të përdorur në ndërtimin e Venecias. Guri gëlqeror i Istrias, është një material i fortë. Ai është përdorur në majë të platformave prej druri si pjesë e themeleve të ndërtesave të spikatura, për shkak të aftësisë së tij për t’i rezistuar erozionit dhe lagështisë.

    Ndërsa vizitorët në Venecia mahniten me fasadat e Istrias, përdorimi i këtij guri në themelet  ndërtesave, shpjegon edhe mbijetesën e qytetit antik. Më pas, guri gëlqeror u mbulua me tulla dhe gurë për të dhënë aspektet e dukshme të arkitekturës mahnitëse të Venecias.

    Përdorimi i drurit si një strukturë mbështetëse mund të jetë i habitshëm, pasi druri është zakonisht më pak i qëndrueshëm se guri ose metali. Por sekreti i jetëgjatësisë së themeleve prej druri të Venecias, bazohet në faktin se ato janë zhytur në ujë, pra ngjajnë me një pyll nënujor të kthyer kokëposhtë.

    Kjo sepse dekompozimi i drurit shkaktohet nga mikroorganizmat, si kërpudhat dhe bakteret. Ndërsa sistemi mbështetës prej druri është i zhytur nën ujë, trarët e ngulur nën tokë nuk ekspozohen ndaj oksigjenit, një nga elementët që u nevojiten mikroorganizmave për të mbijetuar.

    Përveç kësaj, prania e vazhdueshme e ujit të kripur përreth e ngurtëson me kalimin e kohës, duke e kthyer drurin në një strukturë të ngurtësuar si prej guri. Lënda drusore ishte një mall veçanërisht i rëndësishëm për shoqërinë veneciane, pasi përdorej jo vetëm në themelet e qytetit, ku përdoreshin kryesisht lisi dhe pisha, por edhe për dyshemetë, çatitë, kornizat, mobiljet dhe natyrisht për ndërtimin e anijeve ushtarake veneciane.

    Sipas një burimi të shekullit XVII-të, që përshkruan në detaje metodat e ndërtimit të përdorura në Venecia, mbi 1 milion shtylla druri u përdorën vetëm gjatë ndërtimit të kishës Santa Maria Della Salute. Secila prej shtyllave prej druri të përdorura ishte afro 4 metra e gjatë, e marrë nga pyjet e Italisë veriore, Sllovenisë, Kroacisë dhe Malit të Zi dhe u transportua në Venecia përmes detit.

    E përfunduar në vitin 1687, Santa Maria Della Salute u ndërtua për të falënderuar Zotin për çlirimin e qytetit nga murtaja. Sasi të tilla drurësh të përdorura mendohet se kanë qenë pjesërisht përgjegjëse për shpyllëzimin e vargmaleve Dinarike në Ballkan.

    Ndërsa është e vështirë të imagjinohet se si një qytet, në fillim i parëndësishëm, dhe i ndërtuar mbi një moçalishte, mund të bëhet një superfuqi, e kaluara e tij e begatë është ende e dukshme në arkitekturën e tij të famshme. Në fakt, vendndodhja e Venecias, e rrethuar me ujë dhe në brigjet e Adriatikut, ishte thelbësore për zhvillimin e saj.

    Pozicioni i saj gjeografik, e lehtësoi zhvillimin e qyteti në një qendër kryesore tregtare midis Lindjes së Afërt dhe Evropës, dhe si një forcë dominuese në Mesdheun Lindor, duke e bërëpër qindra vjet një qendër të fuqishme tregtare. E njohur për zgjuarsinë në biznes, Venecia e arriti kulmin e saj në shekullin XV-të, sidomos falë rolit që luajti në tregtinë e kripës, erëzave dhe produkteve luksoze.

    Si një qytet i rrethuar nga uji, Venecia kishte një avantazh të dukshëm ndaj fqinjëve të saj. Së pari ajo ishte e sigurt nga pushtimet. Për shembull, Pepini, djali i Karlit të Madh, u përpoq tapushtonte, por dështoi pasi nuk ishte në gjendje të depërtonte tek ishujt mbi të cilët ishte ndërtuar qyteti.

    Kështu ajo u bë një fuqi e madhe detare në Mesdhe. Në vitin 1204, Venecia iu bashkua kryqtarëve dhe arriti të pushtonte kryeqytetin bizantin, Kostandinopojën. Megjithatë, filloi të bjerë duke nisur nga shekulli XV-të, dhe u pushtua nga Napoleoni në vitin 1797 kur ai pushtoi Italinë.

    Sot më shumë sesa një qytet lundrues, Venecia është më shumë një qytet që po fundoset . Laguna që dikur e mbrojti nga pushtuesit e huaj, është shndërruar në kërcënimin më të madh për mbijetesën e saj. Venecia është në rrezik për shkak të rritjes së nivelit të ujit, dhe përmbytjet shkaktojnë kaos disa herë në vit.

    Përmbytja shkaktohet nga baticat jashtëzakonisht të larta, të cilat mund të arrijnë deri në 3 metra për shkak të erërave të forta, stuhive dhe shirave të fortë. Për ta shpëtuar qytetin janë propozuar një sërë zgjidhjesh. Një nga to masa është projekti MOSE, një shkurtesë për Modulo Sperimentale Elettromeccanico (Moduli Eksperimental Elektromekanik).

    Ai parashikon përfshin ndërtimin e portave të lëvizshme anti–përmbytje, që e ndajnë lagunën nga Deti Adriatiku, kur batica kalon lartësinë mbi 1 metër mbi nivelin e zakonshëm. Edhe pse ai ka qenë i shoqëruar me skandale, dhe ka dështuar t’i përmbahet afateve në më shumë se një rast, banorët shpresojnë që ky projekt i shtrenjtë (që shkon në miliarda euro) dhe inovativ, do të jetë në gjendje të mbrojë Venecian edhe për brezat e ardhshëm. Por më pesimistëtdyshojnë se masa të tilla do të mjaftojnë. Ata mendojnë se një ditë qyteti do të fundoset, ashtu siç ndodhi dikur me qytetin legjendar Atlantida. / ancient origins – bota.al

  • Rrënojat e Kështjellës Pennard në Gadishullin Gower, Uells (Wales)!

    Jahja Drancolli

    Rrënojat e Kështjellës Pennard, të vendosura në majë të kodrës sipas imazhit tonë, janë gjithçka që mbetet nga një fortifikim unazor i shekullit të 12-të. E ndërtuar për herë të parë prej druri, druri u zëvendësua nga guri në shekujt 13 dhe 14. U shtuan gjithashtu një mur perde dhe një portë, të cilat ende qëndrojnë në shkallë të ndryshme rrënimi. Kalaja Pennard ishte e braktisur nga mesi i viteve 1600, por nuk ishte lufta ajo që çoi në braktisjen e saj!

  • Arkeologët në Zvicër zbulojnë thesarin 3 mijë vjeçar, brenda një kutie druri…

    Arkeologët në Zvicër zbulojnë thesarin 3 mijë vjeçar, brenda një kutie druri…

    Pas më shumë se 3 mijë vitesh, arkeologët kanë zbuluar një thesar në luginën pranë Oberhalbstein në Zvicër. Ndërsa kërkonin gjurmë të ushtrisë romake, një grup arkeologësh gjetën diçka akoma më të hershme, një koleksion me 80 artefakte që datojnë nga viti 1200 p.e.s ose ndryshe ‘epoka e bronzit’.

    Sendet ishin vendosur brenda një kutie druri të mbështjella me lëkurë dhe të groposur në luginë.

    Shumica e thesareve të varrosura ishin objekte metalike, ndoshta të lidhura me prodhimin e metaleve në Alpe, thanë arkeologët. Koleksioni përfshinte disa copa bakri të papërpunuar, drapëra, sëpata, pjesë të sharrës dhe bizhuteri. Shumë prej artikujve kanë një nuancë blu-jeshile, ndërsa të tjerët kanë një ngjyrosje të bardhë.

    Thesaret 3000-vjeçare u gjetën pranë një vendbanimi të njohur parahistorik dhe një rruge qendrore transporti që kalonte nëpër Alpe, thanë arkeologët. Thomas Reitmaier, një arkeolog e përshkroi gjetjen si unike për zonën.

    Oberhalbstein rajoni më lindor i Zvicrës./tvklan.al

  • Fadromat e IKMT-së në Theth dhe paqartësia e “paketës së maleve”

    Fadromat e IKMT-së në Theth dhe paqartësia e “paketës së maleve”

    Nga Sebi Alla
    Pa njërën këmbë dhe një dorë, invalidi i punës Bashkim Koçeku, bëri përpjekjen e fundit që me “forcën e tij” aq sa ia lejonte fiziku, të ndalte fadromat e IKMT-së që mos i shkatërronin pesë bujtina të vogla druri me të cilat ai dhe familja u vetëpunësuan.
    Mundi shkoi më kot, pasi në kulmin e sezonit turistik veror, në zonën e Thethit pranë Alpeve të Shqipërisë, mësynë fadromat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me qëllimin e prerë për të prishur objektet pa leje, (rreth 70 të tilla) shtëpiza druri, kontejnerë dhe ndërtesa dy dhe tre katëshe karabina me kolona betoni dhe mure.
    Pavarësisht përplasjeve të policisë dhe inspektorëve të IKMT me banorët, një javë më pas, më 15 korrik u shkatërrua me eksploziv edhe objekti i fundit i planifikuar në këtë operacion. Bashkë me ndërtesat e betonit u rrafshuan me tokën edhe strukturat e çmontueshme, kryesisht shtëpiza dërrase, apo kontejnerë, objekte të cilat nuk klasifikohen ndërtime që dëmtojnë territorin.
    Pas këtij aksioni, në Theth dhe jo vetëm, janë ngritur pikëpyetje të mëdha mes thirrjes së vazhdueshme të kryeministrit Rama për “investim në vendlindje”, pasigurisë juridike mbi certifikimin e pronës nga Kadastrat që janë kthyer në problem madhor dhe mundit të shumë familjeve që lejohen të ndërtojnë në kundërshtim me ligjin (sipas deklarimeve duke paguar nëndorë policë dhe inspektorë) dhe më pas me “urdhër nga lart” u shkatërrohen objektet.
    Çmontimi i strukturave…!
    “Leja e dhënë për një strukturë të lehtë të çmontueshme të mos kthehet në beton, nuk janë leje ndërtimi të përhershme, janë leje ndërtimi të përkohëshme përgjatë sezonit turistik”. Kështu deklaroi dy vite më parë Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, por në të paktën tre raste në Theth, edhe ndërtesat e vogla prej druri u shkatërruan në kulmin e sezonit turistik.
    “Kisha pesë shtëpi druri, pa beton pa asnjë gjë. I kisha ndërtuar në tokën time, si kam zënë tokën askujt, është tokë e trashëguar nga të parët e mi. Nuk ka asnjë pëllëmbë beton, kisha vetëm shtëpi druri dhe ato mi prishën”, tha mes lotësh dhe thirrjeve të vazhdueshme për ndihmë dhe “vënie dorë në zemër”, invalidi Bashkim Koçeku, pasi kishte bërë kundërshtitë e fundit ndërsa zvarritej duke shtyrë një kordon të ngjeshur policësh të FNSH-së.
    Përplasja qeveri-prokurori
    Në ditën e parë të nisjes së aksionit për prishjen e objekteve pa leje në Theth, kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër prokuroren e Shkodrës Elsa Gjeli, duke e akuzuar se nuk kishte nisur procedim penal për rastet e ndërtimeve pa leje në Theth.
    “Po ju lexoj se si arsyeton zonja Gjeli, prokurore nga trupa e shumë mirëpaguar me taksat e shqiptarëve, e cila presupozohet se duhet t’i mbrojë pasuritë e përbashkëta të këtij populli, thesaret e këtij vendi, nga individë si ai që ka plagosur Thethin, në cënim total të çdo lloj norme të bashkëjetesës në këtë vend dhe shkelje flagrante të një sërë ligjesh pasi është zonë e mbrojtur”, tha Rama.
    Në vijim Rama e etiketoi disa herë prokuroren dhe kërkoi përmes Ministrit të Drejtësisë që të nisë procedimi disiplinor nga ILD (Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë).
    Në një qëndrim të mëvonshëm, reagoi Prokuroria e Shkodrës e cila në një arsyetim të gjatë mbronte punën e prokurores dhe vinte në diskutim pikërisht referimet e Policisë së Shkodrës.
    “Vendimi i datës 30.05.2025 i prokurores zj. Elsa Gjeli është marrë në përputhje të plotë me nenin 290, pika ç, të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”-mbajti qëndrim Prokuroria e Shkodrës.
    Nisur nga ky rast, më tej thekson se nga vlerësimi i plotë i fakteve dhe akteve procedurale, u konstatua se faktet e referuar nga policia e shtetit nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm në kuptim të nenit 199/a të Kodit Penal dhe “Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, është shprehur se kontenjerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qenë të vendosura mbi rrasa guri të prera”, citohet nga Prokuroria.
    Ne foto: Gjate nje aksioni te ndermarre ne Theth nga IKMT
    Falja e gjobave për ndërtimet pa leje
    Ajo çfarë ka mbetur në Theth janë grumbuj inertesh dhe pirgje dërrasash, bashkë me pasigurinë e banorëve dhe paqartësinë sesi do të vijojë çështja e ndërtimeve, në një kohë kur dy premtime të kthyera në nisma ligjore janë “Paketa e Maleve” që sipas qeverisë synon zhvillimin turistik në zonat malore dhe falja e gjobave për ndërtimet pa leje.
    Pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare, kryeministri Edi Rama zgjodhi pikërisht Thethin për tu dhënë lajmin se do të faleshin gjobat e vendosura për ndërtimet pa leje, duke u bërë thirrje emigrantëve të asaj zone turistike që të vinin dhe investonin në ngritjen e bujtinave.
    “Këtu ka një masë shumë të madhe gjobash të cilat janë vendosur si rezultat i ndërhyrjeve apo i ndërtimeve gjithmonë ku aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo aty ku keni truallin tuaj, që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit dhe që nuk janë ndërtuar sipas ligjit, jo sepse nuk keni dashur të ndërtoni sipas ligjit, por sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë që figuron si zonë e mbrojtur natyrore e ka bërë të pamundur dhe qeveria do t’i fali të gjitha këta gjoba”, tha Rama.
    Një vit më pas situata në Theth është e rëndë për shumë banorë të zonës që në tokat e tyre, por të papajisur me dokumenta pronësie edhe për shkak të problemeve serioze të Kadastrës që nuk i pajis me dokumentacion, kishin nisur ndërtimin e objekteve për qëllime biznesi në sektorin e shërbimeve, pjesa më e madhe biznes familjar.

    Ne foto: Nje nga ndertesat per prishje nga IKMT ne Theth
    Paketa e Maleve
    Në Theth, por edhe zona të tjera turistike malore druhen se pas aksioneve për prishjen e objekteve pa leje dhe mbajtjen peng me certifikatat e pronësisë, fshihet nisma e “Paketës së Maleve”, një projektligj i miratuar në Parlament në janar të këtij viti.
    “Paketa e Maleve” do të ketë brenda një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme“, tha kryeministri në bisedën me banorët e Thethit më 30 qershor të vitit të kaluar.
    Sipas qeverisë, “Paketa e Maleve“, synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në zonat malore të vendit. Ky ligj parashikon kriteret e kalimit të pronësisë shtetërore në private kundrejt blerjes me një tarifë simbolike prej 1 euro, me kusht që hapësira e përfituar të përdoret specifikisht për zhvillimin turistik.
    “Ligji i miratuar parashikon mes poseduesit jo pronar dhe qeverisë firmosjen e një kontrate shitjeje me kusht sipas të cilit  pronari merr çertifikatën e pronësisë vetëm pasi realizon ndërtimin e planifikuar. “Synohet përdorimi i tokës qoftë “pyll”, “kullotë” livadh për investime që zhvillojnë zonën”-thuhet në një nga pikat. Pikërisht kjo klauzolë i jep mundësi subjekteve të interesuara, vendase dhe të huaja, që në zona të caktuara me potencial turistik të përfitojnë kullotë dhe pyje që në zërin kadastral cilësohet si “tokë shtet”.
    Deri mesditën e datës 16 korrik, kryeministri Edi Rama njoftoi se ishin 787 aplikime për të përfituar nga kjo nismë. Në hartën e publikuar duket qartë se një pjesë e konsiderueshme e aplikimeve për “Paketën e Maleve” përfshin zonat bregdetare dhe kodrinore.
    “Paketa synon forcimin e kohezionit social, rimëkëmbjen ekonomike të zonave malore, rritjen e të ardhurave bashkiake, nxitjen e investimeve dhe frenimin e emigracionit. Përmes një procesi të thjeshtuar administrative”, thuhet në faqen zyrtare të paketaemaleve.gov,al.
    Përfundimi
    Ndërtimet pa leje në vendin tonë, veçanërisht në zonat turistike, kryesisht në vijën bregdetare dhe në disa zona të turizmit malor cilësohen si problem i pazgjidhur, pavarësisht premtimeve për legalizime, apo pajisje me certifikata pronësie dhe leje ndërtimi të rregullt nga njësitë vendore.
    Në periudhë fushatash zgjedhore, falja e gjobave për ndërtimet pa leje, apo edhe lënia e lirë e qytetarëve për të ndërtuar, u kthyen në dëm serioz pas zgjedhjeve duke shkatërruar dhjetëra objekte dhe kursimet e shumë qytetarëve një pjesë e të cilëve u kthyen nga emigracioni për të investuar në vendlindje.
    Nisur nga problematika, deklaratën konkrete të ministres Kumbaro për leje ndërtimi të përkohshme për strukturat e çmontueshme përgjatë sezonit turistik do ta kategorizojmë të pambajtur.
    /Faktoje.al

  • (VIDEO)Vijon aksioni në Theth, banorit që po i shemben vilat u shërben policëve ujë

    (VIDEO)Vijon aksioni në Theth, banorit që po i shemben vilat u shërben policëve ujë

    Ka rinisur mëngjesin e kësaj të shtune, 12 korrik, operacioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit.
    Ndryshe nga një ditë më parë operacioni është duke u zhvilluar më i qetë. Në pamjet e xhiruara nga operacioni, shihet teksa një anëtar i familjes Koçeku, që po i shemben objektet prej druri atje, po u ndan shishe me ujë oficerëve të policisë që janë atje për të kryer detyrën.
    Po ashtu ndërsa forcat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit janë duke shembur ndërtesat nga 1 deri në 3 kate, ka edhe turistë që kanë dalë duke parë situatën nga ballkonet e ndërtesave të tjera.
    Në Theth janë parashikuar të shemben rreth 60-70 ndërtime pa leje. Banorëve u është dhënë kohë që të heqin strukturat prej druri./tvklan.al

     

  • Investoi kursimet e Italisë në Theth, por ia prishën biznesin. I riu: Besova te fjala e Ramës. Ku është paketa e maleve?

    Investoi kursimet e Italisë në Theth, por ia prishën biznesin. I riu: Besova te fjala e Ramës. Ku është paketa e maleve?

    Në destinacionin më të bukur të Alpeve, fadromat e IKMT prej 5 ditësh po shembin ndërtimet pa leje. Janë 80 objekte për shembje në Theth, mes tyre shtëpia prej druri dhe lokali i të riut, Klodian Harusha, i cili u kthye nga emigrimi me shpresen për të ndërtuar të ardhmen në vendlindje.

     “Unë jam Klodian Harusha, 23 vjeç, banor i Thethit. Kam qenë emigrant dhe kam luajtur si futbollist në Itali për 6 vite. U ktheva me idenë se ka të ardhme këtu por fatkeqësisht më duket se nuk ka…”, shprehet i riu.

    Me 7 mijë euro të kursyera nga puna në Itali, Klodiani ndertoi fillimisht lokalin prej druri ne pronen e vet, ku sherben kafe për turistët. Besoi në thirrjen e Kryeministrit Rama për t’u kthyer dhe investuar në vendin e tij por sot investimi do te shembet. Lokali me gjithse pa leje ndertimi, ka NIPT dhe funksional prej dy vitesh dhe ka paguar taksa. Po kështu do shembet dhe shpëtiza prej druri, ku jeton aktualisht.

    “U ktheva me fjalën e kryeministrit sepse beri thirrje që rinjtë të investojnë në tokat e të parëve. Unë u ktheva!  Jam sorollat në bashki,  asnjë info për paketën e maleve. Më kanë nxjerrë jashtë duke më thënë ‘shko kërko diku tjetër’. Pasi nuk më dhanë leje, bëra vete një ndërtesë druri që çmontohet për 2 orë, por më vunë 58 mijë euro gjobë dhe më thanë do të shembet. Po kështu do të shembet dhe shtëpia prej druri, ku jetoj aktualisht”, tha Harusha.

    Klodiani është aktualisht në borxhe dhe nuk di ku të përplaset.

    “Jam i zhgënjyer. Kam ardhë me kriju një jetë këtu por sot jam 95 mijë euro borxhe, duke llogaritë gjoben dhe paratë që investova”, tha ai.

    23-vjeçari  që la karrieren si futbollist në Itali dhe erdhi për të punuar në turizëm, në vendlindjen e tij, sot ka një thirrje të drejpërdrejtë për Kryeministrin Edi Rama:

    “Kryeministrit do i kisha thënë të vejë në zbatim fjalët që ka thënë vete. Ku është paketa e maleve? Ku është mbeshtetja për rikthimin e të rinjve?

    Thethjanë me toka të zanuna nuk ka! Jemi prej 5 shekujsh në tokën tonë!

    Duhet të nxjerrë një plan zhvillimi dhe të na japë leje për të ndërtu në tokat tona, sipas rregullave”, përfundon ai.

    report tv

  • U kthye nga Italia për të investuar në Theth, Klodiani i zhgënjer nga kryeministri Rama: Nuk e mbajti fjalën! Po më shembin ëndrrat

    U kthye nga Italia për të investuar në Theth, Klodiani i zhgënjer nga kryeministri Rama: Nuk e mbajti fjalën! Po më shembin ëndrrat

    23-vjeçari Klodian Harusha

    Klodian Harusha, pronari i një shtëpie prej druri dhe një lokali (bar-kafe) në Theth, të cilat janë pjesë e 80 objekteve për shembje si pasojë e aksionit të IMT për ndërtimet pa leje ka shprehur haptas zhgënjimin e tij nga kryeministri Rama. Duke folur për mediat, 23-vjeçari tregoi se ka qenë emigrant prej 6 vitesh në Itali, dhe u rikthye në vendlindje për të ndërtuar të ardhmen.
     “Unë jam Klodian Harusha, 23 vjeç, banor i Thethit. Kam qenë emigrant dhe kam luajtur si futbollist në Itali për 6 vite. U ktheva me idenë se ka të ardhme këtu por fatkeqësisht më duket se nuk ka…”, shprehet i riu.
    Harusha rrëfen se u kthye nga Italia pas thirrjes së kryeministrit që të rinjtë të investojnë në tokat e të parëve, teksa tregon vështirësitë që i është dashur të kalojë pasi nuk arrinte të siguronte leje për të ndërtuar. Ai thotë se u rikthye në vendlindje me 7 mijë euro të kursyera për të investuar, ndërsa sot investimi i tij jo vetëm që po shembet, por edhe u gjobit me 58 mijë euro. 
     “U ktheva me fjalën e kryeministrit sepse beri thirrje që rinjtë të investojnë në tokat e të parëve. Unë u ktheva! Jam sorollat në bashki, asnjë info për paketën e maleve. Më kanë nxjerrë jashtë duke më thënë ‘shko kërko diku tjetër’. Pasi nuk më dhanë leje, bëra vete një ndërtesë druri që çmontohet për 2 orë, por më vunë 58 mijë euro gjobë dhe më thanë do të shembet. Po kështu do të shembet dhe shtëpia prej druri, ku jetoj aktualisht”, tha Harusha.
    23-vjeçari që la karrierën e tij si futbollist në Itali, shprehet i zhgënjyer që erdhi në Shqipëri për të punuar në turizëm teksa thotë se gjendet i zhytur më 95 mijë euro borxhe. 
    Ai ka një thirrje të drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama, duke i kujtuar paketën e maleve dhe mbështetja e premtuar për rikthimin e të rinjve. Harusha kërkon prej kreut të qeverisë që të nxjerrë një plan zhvillimi dhe të japë leje për të ndërtuar në tokat e tyre. 
    “Kryeministrit do i kisha thënë të vejë në zbatim fjalët që ka thënë vete. Ku është paketa e maleve? Ku është mbeshtetja për rikthimin e të rinjve? Thethjanë me toka të zanuna nuk ka! Jemi prej 5 shekujsh në tokën tonë! Duhet të nxjerrë një plan zhvillimi dhe të na japë leje për të ndërtu në tokat tona, sipas rregullave”, ka theksuar 23-vjeçari.