Tag: dronët

  • Alarm edhe në Gjermani/ Nisin hetimet për dronë misteriozë mbi infrastrukturën në Schleswig-Holstein, dyshohet për spiunazh

    Alarm edhe në Gjermani/ Nisin hetimet për dronë misteriozë mbi infrastrukturën në Schleswig-Holstein, dyshohet për spiunazh

    Autoritetet gjermane po hetojnë për raste të dronëve të panjohur që janë parë mbi objekte të infrastrukturës kritike në tokën federale Schleswig-Holstein.

    Dronët u regjistruan më 25 shtator pas orës 21:00. Fillimisht, dy pajisje të vogla fluturuan mbi fabrikën e Thyssenkrupp, ndërsa më vonë një grup dronësh u shfaq mbi Spitalin Universitar të Kielit. Pas orës 22:00, pajisje të ngjashme u panë mbi termocentralin bregdetar, kanalin veri-lindor dhe Gjirin e Kielit.
    Përveç tyre, dronët fluturuan mbi ndërtesën e parlamentit të landit në Kiel dhe vëzhguan rafinerinë e naftës Heide, e cila furnizon aeroportin e Hamburgut me kerosen. Sipas policisë, dronët lëviznin në trajektore paralele, që mund të tregojë përpjekje për matje precize.
    Ministrja e Brendshme e Schleswig-Holstein, Sabine Sütterlin-Waack, konfirmoi nisjen e hetimeve me dyshimin për spiunazh, por nuk dha detaje të tjera. Edhe Ministria Federale e Brendshme e Gjermanisë refuzoi të komentojë mbi incidentin.
    Në lidhje me ngjarjet e fundit, më 22 shtator Aeroporti Ndërkombëtar i Kopenhagës ndaloi përkohësisht operacionet pas raportimeve për dy deri në katër dronë të mëdhenj në hapësirën ajrore, çka shkaktoi anulimin e të paktën 15 fluturimeve.
    Gjithashtu, më 25 shtator Aeroporti i Aalborgut në veri të Danimarkës u mbyll për shkak të dronëve në ajër.

    Top Channel

  • Dronët: Nga lodër e vogël në mjet që po ndryshon botën

    Dronët: Nga lodër e vogël në mjet që po ndryshon botën

    Origjina e dronëve

    Historia e dronëve nuk ka filluar aspak si një argëtim teknologjik, por si një nevojë ushtarake. Që në Luftën e Parë Botërore, inxhinierët në SHBA dhe Britani testuan avionë pa pilot, të kontrolluar në distancë. Qëllimi ishte që misionet e rrezikshme të kryheshin pa rrezikuar pilotët. Edhe pse teknologjia e asaj kohe ishte ende e kufizuar, ky ishte hapi i parë drejt dronëve modernë. Në vitet që pasuan, gjatë Luftës së Dytë Botërore, dronët u zhvilluan më tej dhe u përdorën për stërvitjen e pilotëve dhe si mjete spiunazhi. Në dekadat që vijuan, ata mbetën të lidhur ngushtë me ushtrinë, por me rritjen e teknologjisë së telekomandimit dhe baterive, u hapën dyert edhe për përdorim civil.

    Nga fusha ushtarake te përdorimi civil
    Sot, pas më shumë se një shekulli, dronët janë shndërruar në mjete që i përdor kushdo. Ato shiten në dyqane elektronike, në internet dhe përdoren nga profesionistë, amatorë dhe madje edhe nga fëmijët për lojëra dhe argëtim.

    Dronët në art dhe media
    Një nga fushat ku dronët kanë shkëlqyer më shumë është arti vizual. Ata përdoren për fotografi ajrore dhe filmime, duke sjellë pamje spektakolare në dokumentarë, dasma apo video turistike. Një dron mund të kthejë një moment të zakonshëm në një vepër arti vizual. Falë tyre, pamje që dikur mund të realizoheshin vetëm me helikopterë të shtrenjtë, sot janë të arritshme me një pajisje të vogël që futet në çantë.
    Dronët në mjekësi dhe shpëtim jete

    Një kuriozitet i veçantë është përdorimi i dronëve në sektorin shëndetësor. Në disa vende të Afrikës, dronët transportojnë gjak dhe vaksina në zona të largëta ku ambulancat nuk mund të mbërrijnë shpejt. Në këtë mënyrë, ata po shpëtojnë jetë.Në Evropë dhe SHBA, dronët janë testuar për të transportuar defibrilatorë tek personat që kanë pësuar arrest kardiak. Koha është kritike në raste të tilla, dhe fakti që një dron mund të arrijë disa minuta më herët se një ekip mjekësor, mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes.
    Dronët në tregti dhe logjistikë

    Kompanitë e mëdha, si Amazon dhe DHL, kanë nisur projekte testuese për dërgesat me dron. Imagjino të porosisësh një produkt dhe brenda pak minutash ta marrësh në derë me anë të një droni. Edhe pse kjo nuk është ende e përhapur kudo, shumë shpejt pritet të bëhet realitet në qytetet moderne. Edhe në bujqësi dronët kanë fituar terren. Fermerët përdorin dronë për të monitoruar gjendjen e kulturave, për të matur lagështinë e tokës, dhe madje për të spërkatur fushat me pesticide në mënyrë të kontrolluar. Kjo u kursen kohë, para dhe zvogëlon përdorimin e kimikateve, duke e bërë bujqësinë më të qëndrueshme.

    Sfida të reja: privatësia dhe siguria
    Përdorimi masiv i dronëve ka ngritur debate për privatësinë. Meqenëse ata mund të fluturojnë mbi shtëpi apo biznese, lind pyetja: çfarë ndodh me pamjet e regjistruara? Për këtë arsye, shumë shtete kanë vendosur ligje që kufizojnë përdorimin e dronëve, duke përcaktuar lartësinë maksimale dhe zonat e ndaluara për fluturim. Një tjetër çështje është edhe siguria ajrore. Dronët e përdorur pa kujdes mund të rrezikojnë avionët e pasagjerëve ose helikopterët e emergjencës. Në disa aeroporte të mëdha janë shënuar raste ku fluturimet janë ndërprerë për shkak të pranisë së dronëve të paautorizuar. Kjo ka bërë që autoritetet të zhvillojnë sisteme kundër-dronësh për të kontrolluar hapësirën ajrore.
    Dronët dhe mjedisi
    Një fakt i bukur është se dronët po ndihmojnë edhe në mbrojtjen e natyrës. Shkencëtarët i përdorin për të monitoruar pyjet, për të numëruar kafshët e rralla dhe për të mbjellë fara në zonat e shkatërruara nga zjarret. Ka kompani që po eksperimentojnë me dronë të specializuar për të mbjellë mijëra pemë në ditë, duke kontribuar në rigjenerimin e pyjeve. Përveç kësaj, dronët ndihmojnë edhe në luftën kundër ndotjes. Ata përdoren për të monitoruar cilësinë e ajrit në qytete, për të inspektuar lumenjtë dhe liqenet, si dhe për të kontrolluar zonat industriale ku shpesh ka ndotje të fshehur. Këto të dhëna ndihmojnë qeveritë dhe organizatat mjedisore të marrin masa më efektive për mbrojtjen e planetit.
    Një teknologji që vazhdon të evoluojë
    Dronët nuk janë më një risi e thjeshtë; ata po shndërrohen në një industri miliardëshe. Me zhvillimin e inteligjencës artificiale, pritet që shumë prej tyre të funksionojnë plotësisht autonomë, pa pasur nevojë për pilotim manual. Kjo do të thotë se dronët e së ardhmes do të jenë më të zgjuar, më të sigurt dhe më të aftë për të kryer detyra komplekse. Nga një shpikje ushtarake në fillim të shekullit të kaluar, deri tek një mjet që sot filmon, shpëton jetë, shpërndan pako, ndihmon bujqësinë dhe mbron mjedisin, dronët janë një shembull i qartë i mënyrës sesi teknologjia mund të transformojë botën në mënyra të paparashikueshme.

  • “Nuk jemi në luftë, por as në paqe”, Merz zbulon pse Gjermania nuk i rrëzoi dronët e dyshimtë

    “Nuk jemi në luftë, por as në paqe”, Merz zbulon pse Gjermania nuk i rrëzoi dronët e dyshimtë

    “Ne nuk jemi në luftë, por as në paqe nuk jemi”. Kështu deklaroi të hënën kancelari gjerman Friedrich Merz, duke nënvizuar se bota po përjeton ndryshime themelore.
    Duke folur në një aktivitet të organizuar nga gazeta Rheinische Post, Merz tha se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po zëvendësohet nga politika e forcës brutale, e cila shpesh shoqërohet me dhunë ushtarake.
    “Ne jetojmë në një botë krejtësisht të ndryshme”, nënvizoi kancelari gjerman.
    Merz nuk e fshehu shqetësimin e tij në lidhje me fluturimet e fundit të dronëve mbi Danimarkë dhe mbi rajonin gjerman Schleswig-Holstein. Ai tha se ndërsa nuk kishte asnjë tregues se dronët ishin të armatosur, ata ishin të pajisur me sisteme mbikëqyrjeje dhe kishin një hapje krahësh deri në tetë metra.
    “Nuk e dimë ende nga vijnë, por dyshimet po kthehen nga Rusia”, tha ai. “Ballafaqimi me këtë kërcënim është i ndërlikuar, pasi Gjermania është me popullsi të dendur”, vazhdoi Merz, duke shpjeguar se rrëzimi i një droni tetë metrash paraqet rreziqe.
    “Mund të rrëzohet në një oborr, në një çerdhe ose në një spital. Ne duhet të jemi vërtet të kujdesshëm në çdo trajtim të situatës”, tha kancelari gjerman, duke shtuar se qasja më e mirë do të ishte parandalimi i hyrjes së dronëve të tillë në hapësirën ajrore të shteteve evropiane që në fillim.

  • Orban shpërthen ndaj Kievit: “Ukraina nuk është shtet sovran, financohet nga Perëndimi”

    Orban shpërthen ndaj Kievit: “Ukraina nuk është shtet sovran, financohet nga Perëndimi”

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë të hënën se Ukraina nuk është shtet sovran, teksa iu përgjigjur akuzave se dronët hungarezë të zbulimit kanë hyrë në hapësirën ajrore të saj – një tjetër rast që i ka tensionuar marrëdhëniet mes Kievit dhe Budapestit.
    “Ukraina nuk është në luftë më Hungarinë, është në luftë më Rusinë. Ajo duhet të shqetësohet për dronët në kufirin e saj lindor”, ka thënë kryeministri hungarez gjatë një bisede të realizuar në një podkast me bindje të krahut të djathtë.
    “Unë iu besoj ministrave të mi, por le të themi se dronët kanë hyrë disa metra atje, dhe çka ndodhi? Ukraina nuk është shtet i pavarur. Ukraina nuk është shtet sovran. Ukraina financohet prej nesh, e financon Perëndimi edhe me armë”, ka deklaruar Orbani.
    Në një përgjigje ndaj komenteve të Orbanit, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, ka thënë në një postim në X – dikur Twitter – se lideri hungarez vazhdon të jetë “i helmuar nga propaganda ruse”.
    Për dallim prej pjesës më të madhe të liderëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Orbani i ka ruajtur lidhjet miqësore me Rusinë, dhe ka ngritur pikëpyetje për logjikën e ndihmës ushtarake të Perëndimit ndaj Kievit, qëndrim që shpesh e ka përplasur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
    Të premten, Zelensky ka thënë se dronët e zbulimit që e kanë shkelur hapësirën ajrore të Ukrainës janë nisur prej Hungarisë për të kontrolluar potencialin industrial në zonat kufitare perëndimore.
    Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Zelensky “ka luajtur mendsh”.
    Si sinjal për rritje tensionesh mes dy vendeve, Hungaria ka thënë të hënën se do të bllokojë qasjen në 12 gazeta ukrainase, pas një veprimi të ngjashëm të Kievit.
    Më herët gjatë këtij muaji, Ukraina i ka bllokuar disa faqe online që i ka konsideruar se kanë qasje pro-ruse. Aty janë përfshirë tetë portale në gjuhën hungareze, në mesin e tyre edhe një faqe e njohur për qasje pro Qeverisë hungareze.

  • Të kamufluar, të lehtë dhe vdekjeprurës, si dronët rusë po i mashtrojnë mbrojtjet ajrore

    Të kamufluar, të lehtë dhe vdekjeprurës, si dronët rusë po i mashtrojnë mbrojtjet ajrore

    Rusia përdor një gamë të gjerë dronësh, ku ata më të rëndësishmit dhe për të cilët duhet të përqendrohemi për të kuptuar çfarë po ndodh në hapësirat ajrore europiane, përveçse në Ukrainë, janë Geran-2.
    Bëhet fjalë për pajisje pa pilot në modelin e Shahed-136, dron kamikaz ose dron sulmues njëkahësh i projektuar në Iran. Dronët Geran-2 prodhohen në Rusi falë transferimit të teknologjisë midis Teheranit dhe Moskës gjatë konfliktit ukrainas. Nga incidentet më të fundit të depërtimit në qiellin e Kontinentit të Vjetër (Evropës), veçanërisht janë përfshirë variantet e dronëve Gerbera, një variant i Geran-2.
    Gerbera është një dron ekonomik me rreze të gjatë veprimi që, sipas inteligjencës së Kievit, është i ndërtuar me materiale si kompensatë dhe shkumë dhe montuar në impiantin e madh rus në Yelabuga. Ka një hapësirë krahësh 2.5 metra, peshë maksimale 18 kilogramë, shpejtësi maksimale 160 km/orë, autonomi deri në 600 km dhe një motor të vogël të pasmë që rreh një helikë prej druri.
    Analistët perëndimorë thonë se Rusia e përdor Gerbera-n si një mënyrë ekonomike për të ngopur mbrojtjet ajrore ukrainase. Ai mund të shfrytëzohet si karrem, duke tërhequr vëmendjen e mbrojtjes ajrore larg dronëve më të shtrenjtë dhe të pajisur me ngarkesa shpërthyese më të fuqishme.
    Analistët theksojnë se që prej futjes së tij janë shfaqur versione të tjera të Gerbera-s me ngarkesa të lehta ose me pajisje për zbulim, ato të zeza janë kamikaze, ato me shtresë “kamuflazhi” janë zbulimi, dhe pastaj janë “karremet“, të cilat ndahen më tej në dy lloje.
    Gerbera-t kamikazë mund të armatosen me ngarkesa të vogla që përmbajnë deri në 5 kilogramë eksploziv. Kjo sasi është ndjeshëm më e vogël se koka standarde luftarake 50 kg e Shahed-it, ose varianti i tij më i ri prej 90 kg.
    Ato të përdorura në Poloni ishin të pajisura me rezervuarë shtesë, të ngjashëm me qeset e gjakut të përdorura për transfuzione, të cilat janë të bashkangjitura në dron me modifikime të përshtatshme. Ato u lëshuan nga baza Shatalovo në Rusi, ku disa muaj më parë ishin ndërtuar rampa speciale, por nuk u përdorën kurrë.
    Megjithatë, ato që mbërritën në Kopenhagen, sipas Mirko Campochiari-t, themeluesi i Parabellum, u lëshuan nga anije (të maskuara, si anije peshkimi). Dhe ato u pilotuan nga operatorë jashtëzakonisht të aftë që arritën ta maskonin mirë sinjalin. Elementi i fundit i sugjeruar nga eksperti Campochiari është se kodet që dronët Gerbera kanë në bisht, “BLBl” në alfabetin cirilik, janë kodet e dronëve që rusët ua transferojnë bjellorusëve, sipas taktikës së “mohimit të besueshëm”: nëse diçka shkon keq, është e lehtë të hidhet faji te tjetri.
    Shkrim nga La Stampa

  • Evropa merr pozicionin mbrojtës, ‘mur’ kundër dronëve

    Evropa merr pozicionin mbrojtës, ‘mur’ kundër dronëve

    Një “mur” dronësh, i cili do të përdorë teknologji të përparuar për të zbuluar, ndjekur dhe kapur mjete ajrore pa pilot.

    Ky është thelbi i projektit që planifikon BE-ja, të ndërtojë një sistem mbrojtës nga dronët në krahun e saj lindor. Ministrat e Mbrojtjes së BE ranë dakord për këtë në një video-konferencë të premten, siç njoftoi Komisioneri i Industrisë së Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius.

    “Muri i dronëve” është pjesë e një projekti më të gjerë për mbikëqyrjen e krahut lindor të BE-së, i cili përfshin gjithashtu sisteme mbrojtëse tokësore, siguri detare për Detin Baltik dhe Detin e Zi, si dhe inspektim të situatës me informacione satelitore.

    Instrumentet e BE-së pritet të përdoren për financimin e mburojës. “Mburoja mbrojtëse për krahun lindor, me murin e dronëve si thelbin e saj, do t’i sjellë dobi të gjithë Evropës”, theksoi Kubilius.

    Gjermania synon të përmirësojë mbrojtjet nga dronët

    Pas alarmeve për dronë në Danimarkë dhe Norvegji, niveli i kërcënimit në rritje nga dronët po diskutohet edhe në Gjermani.

    Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt tani dëshiron të vendosë rregullore të qarta, madje t’i lejojë Bundeswehr-it edhe të rrëzojë dronë në raste të caktuara.

    Dobrindt dëshiron të rregullojë më mirë kompetencat ligjore për t’u mbrojtur nga dronët, raportojnë medita gjermane. Një katalog përkatës masash do të përcaktojë, ndër të tjera, se kur Bundeswehr-i do t’i lejohet të rrëzojë mjete ajrore pa pilot në kushte të caktuara.

    Ndërhyrja e armatosur duhet të jetë e mundur, nëse një dron përbën një kërcënim akut për njerëzit apo infrastrukturën kritike dhe kur masat e tjera mbrojtëse janë të pamjaftueshme. Në situata të tilla krize, kompetenca e vendimmarrjes duhet t’i takojë Ministrisë Federale të Mbrojtjes, raportohet në media.

    Ukraina e gatshme të ndihmojë

    Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Denys Shmyhal, deklaroi se vendi i tij ishte “gati të merrte pjesë në projektin e mburojës së dronëve”. Në luftën kundër Rusisë, Ukraina ka zhvilluar një gamë të tërë aftësish për të zbuluar dhe rrëzuar duzinat ruse të dronëve me kosto efektive.

    “Muri i dronëve do të krijojë një ekosistem thelbësisht të ri mbrojtës në Evropë”, shkroi Shmyhal në internet.

    Një koncept për mbrojtje dukshëm më efektive nga dronët në krahun lindor të BE-së ka qenë në zhvillim e sipër prej muajsh. Por nevoja për këtë u bë më emergjente pas shkeljes masive me dronë rusë në hapësirën ajrore polake dy javë e gjysmë më parë. Avionët luftarakë të gjeneratës së fundit duhej të qëllonin me raketa të shtrenjta për të rrëzuar dronët e lirë.

    Ndërhyrje me dronë rusë janë raportuar edhe nga Rumania. Kohët e fundit, dronë të paidentifikuar hynë gjithashtu në mënyrë të përsëritur në hapësirën ajrore daneze, duke paralizuar aeroportet për orë të tëra. Autoritetet dyshojnë se pas incidenteve qëndron një “dorë profesioniste”. /DW

  • Rishfaqen Dronët e dyshimtë në Danimarkë, mbyllet sërish hapësira ajrore

    Rishfaqen Dronët e dyshimtë në Danimarkë, mbyllet sërish hapësira ajrore

    Në Danimarkë janë parë disa drona pranë objekteve ushtarake, përfshirë bazën ajrore Karup, duke shkaktuar mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore për trafikun civil.

    Ngjarjet vijnë pas një serie incidentesh të ngjashme në aeroporte daneze dhe në vende të tjera si Gjermania, Norvegjia dhe Lituania. Autoritetet daneze e kanë cilësuar këtë si një sulm hibrid, por nuk kanë dëshmi që të lidhin Moskën me këto inkursione.
    Dronët u panë në disa zona ushtarake gjatë natës, ndërsa hetimet vazhdojnë me bashkëpunimin e policisë dhe ushtrisë.Incidentet ngjallin dyshime për një strategji ruse të agresionit indirekt ndaj vendeve të NATO-s që mbështesin Ukrainën, edhe pse Moska e ka mohuar përfshirjen e saj, duke i cilësuar akuzat si të pabaza dhe provokime të inskenuara.
    Kryeministrja daneze nuk përjashton mundësinë e përfshirjes ruse, ndërsa Danimarka dhe vendet fqinje qëndrojnë në gatishmëri të lartë për sigurinë ajrore.

    Top Channel

  • Rivaliteti Kinë-SHBA për armën që mund të rrëzojë deri në 50 dronë në minutë

    Rivaliteti Kinë-SHBA për armën që mund të rrëzojë deri në 50 dronë në minutë

    Gara teknologjike dhe ushtarake mes fuqive të mëdha po përshpejtohet, dhe në qendër të saj janë armët me lazer, të afta të neutralizojnë një nga kërcënimet më serioze të kohës moderne: dronët e luftës.
    Kina ka prezantuar së fundmi sistemin e saj të quajtur “Hurricane”, një armë e fuqishme, duke alarmuar Pentagonin që të mos mbetej pas. Si kundërpërgjigje, SHBA ka shfaqur publikisht armën e vet, të njohur si “Leonidas”, e zhvilluar nga kompania amerikane Epirus.
    Në një demonstrim dyorësh, Leonidas tregoi fuqinë e tij duke rrëzuar në të njëjtën kohë deri në 49 dronë, duke dëshmuar se mund të neutralizojë edhe sulme masive me dronë. Ky sukses ka nxitur diskutime se armë të tilla nuk do të përdoren vetëm në fushëbetejë, por edhe për mbrojtjen e aeroporteve, porteve dhe stadiumeve, duke ofruar siguri për qytetarët në rast të një kërcënimi të papritu.
    Ekspertët theksojnë se në kohën kur dronët po shndërrohen në mjete kryesore të luftës moderne, aftësia për t’i ndalur me teknologji të avancuar është një element vendimtar për të ruajtur supremacinë ushtarake globale.

  • Rusia kritikon planet e BE-së për një ‘mur për dronët’

    Rusia kritikon planet e BE-së për një ‘mur për dronët’

    Rusia ka kritikuar planet e Bashkimit Evropian për të forcuar mbrojtjen kundër dronëve, duke thënë se përgjigja e bllokut evropian ndaj hyrjeve të dronëve në kufijtë e saj vetëm se do të rrisë tensionet.

    Ministrat e mbrojtjes nga dhjetë vende të BE-së u pajtuan një ditë më parë që ta bënin prioritet të bllokut atë që e quajtën “mur për dronët”, pasi disa shtete anëtare janë përballur me një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore javët e fundit, për të cilat kanë fajësuar Rusinë.

    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se masat do të çonin “në një rritje të tensioneve politike dhe ushtarake në kontinentin tonë”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, RIA Novosti.

    Ministria e Jashtme shtoi se planet përbënin “ambicie personale dhe lojëra politike të elitave drejtuese të BE-së”.

    Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte e para që bëri thirrje për një “mur për dronët” gjatë një fjalimi të mbajtur më herët gjatë këtij muaji disa orë pasi NATO-ja rrëzoi dronë rusë në Poloni.

    BE-ja ka thënë po ashtu se duhet të mësojë nga Ukraina e cila përballet çdo ditë me dronë rusë dhe, për rrjedhojë, ka zhvilluar zgjidhje të lira për t’iu kundërvënë sulmeve ruse.

    Moska ka mohuar se ka shkelur hapësirën ajrore të NATO-s dhe e ka cilësuar reagimin e BE-së si “histeri”, duke shtuar se pilotët rusë u përmbahen rregullave ndërkombëtare të aviacionit. Moska po ashtu ka pretenduar se nuk ka dëshmi se dronët që hynë në hapësirën ajrore evropiane ishin rusë./REL/

     

  • “Mur” kundër dronëve! Incidentet nxorën në pah se ku “çalon” mbrojtja evropiane!

    “Mur” kundër dronëve! Incidentet nxorën në pah se ku “çalon” mbrojtja evropiane!

    Incidentet e fundit me dronë në Danimarkë, Rumani dhe Poloni nxorën në pah, se ku çalon mbrojtja evropiane. BE-ja do të veprojë me një sistem mbrojtës.
    Një “mur” dronësh, i cili do të përdorë teknologji të përparuar për të zbuluar, ndjekur dhe kapur mjete ajrore pa pilot. Ky është thelbi i projektit  që planifikon BE-ja, të ndërtojë një sistem mbrojtës nga dronët në krahun e saj lindor. Ministrat e Mbrojtjes së BE ranë dakord për këtë në një video-konferencë të premten (26.09), siç njoftoi Komisioneri i Industrisë së Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius.
    “Muri i dronëve” është pjesë e një projekti më të gjerë për mbikëqyrjen e krahut lindor të BE-së, i cili përfshin gjithashtu sisteme mbrojtëse tokësore, siguri detare për Detin Baltik dhe Detin e Zi, si dhe inspektim të situatës me informacione satelitore, shkruan A2 CNN.
    Instrumentet e BE-së pritet të përdoren për financimin e mburojës.  “Mburoja mbrojtëse për krahun lindor, me murin e dronëve si thelbin e saj, do t’i sjellë dobi të gjithë Evropës”,  theksoi Kubilius.
    Gjermania synon të përmirësojë mbrojtjet nga dronët
    Pas alarmeve për dronë në Danimarkë dhe Norvegji, niveli i kërcënimit në rritje nga dronët po diskutohet edhe në Gjermani. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt tani dëshiron të vendosë rregullore të qarta, madje t’i lejojë Bundeswehr-it edhe të rrëzojë dronë në raste të caktuara.
    Dobrindt dëshiron të rregullojë më mirë kompetencat ligjore për t’u mbrojtur nga dronët, raportojnë medita gjermane. Një katalog përkatës masash do të përcaktojë, ndër të tjera, se kur Bundeswehr-i do t’i lejohet të rrëzojë mjete ajrore pa pilot në kushte të caktuara. Ndërhyrja e armatosur duhet të jetë e mundur, nëse një dron përbën një kërcënim akut për njerëzit apo infrastrukturën kritike dhe kur masat e tjera mbrojtëse janë të pamjaftueshme. Në situata të tilla krize, kompetenca e vendimmarrjes duhet t’i takojë Ministrisë Federale të Mbrojtjes, raportohet në media.