SPAK, në bashkëpunim me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë ligjzbatuese të Amerikës Latine dhe vendeve të Bashkimit Evropian, ka shkatërruar një rrjet të sofistikuar kriminal që merrej me trafikimin ndërkombëtar të kokainës.
Organizata, e drejtuar nga shtetas shqiptarë, ka trafikuar sasi të mëdha droge nga Amerika Latine drejt tregjeve evropiane dhe Britanisë së Madhe. Sipas SPAK, grupi përbëhej nga 16 persona, të cilët janë identifikuar dhe janë tashmë nën hetim.
Janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë, me vlerë rreth 411 milionë euro. Në Shqipëri, me kërkesë të SPAK, janë lëshuar 7 urdhra-arresti. Deri tani janë ekzekutuar 6 prej tyre, ndërsa një tjetër dyshohet se ndodhet në Dubai.Mbrëmjen e së premtes (25 korrik 2025), policia arrestoi në Palas dhe Elbasan shtetasit Artur dhe Klevis Hoxhosman, si dhe Ilir Lloshin.
Pjese e këtij grupi janë dhe emra të njohur të botës së krimit, si Plarent Dervishi dhe Erion Alibej, të cilët u përballën me akuza të reja në ambientet e paraburgimit ku po vuajnë dënime për vepra të tjera të rënda penale.
Goditja e grupit u bë e mundur falë dekriptimit të qindra komunikimeve të koduara në aplikacionin Sky ECC, si dhe dëshmisë së të penduarit Alibej.Organizata kriminale operonte përmes tre hallkave: financuesit, logjistika dhe shpërndarësit e drogës.
Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta në Kolumbi dhe nga Ekuadori, dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve në Belgjikë, Holandë, Itali e Spanjë, ose në rrugë tokësore përmes Francës dhe kanalit anglez drejt Britanisë së Madhe.
Për të shmangur kontrollin doganor, droga fshihej me metoda të sofistikuara si brenda paletave me dru, kutive me banane apo thasëve me kokrra kakaoje, duke u kamufluar si mallra tregtarë të rregullt.