Tag: dritëroi

  • Timo Flloko zbuloi disa “sekrete”: Si e realizova rolin e Mato Grudës, ç’më tha Dritëroi Agolli?

    Timo Flloko zbuloi disa “sekrete”: Si e realizova rolin e Mato Grudës, ç’më tha Dritëroi Agolli?

    Çdo tekst i Dritëro Agollit shquhej nga mprehtësia, humori i hollë, gjuha e pasur, gdhendja e karaktereve. Nga këta të fundit ka të tillë që janë ngulitur thellë në memorien e lexuesit apo shikuesit, kur ai ka marrë mish e gjak prej një aktori. I tillë është edhe Mato Gruda, personazhi kryesor i romanit dhe filmit “Njeriu me top”.

    Ishte aktori Timo Flloko, ende i ri në karrierën e tij asokohe, që pati fatin t’i jepte frymë Mato Grudës dhe ta kthente në batutë thënien e tij “Atë e di unë!”. Në librin me kujtime “Ky është Dritëroi im”, aktori Timo Flloko tregon për njohjen me shkrimtarin Dritëro Agolli, autorin e skenarit të filmit “Njeriu me top”, “përpëlitjet” artistike për realizimin e rolit; dëshirën për t’u takuar me të gjatë xhirimeve; takimin me të pas shfaqjes; për të vijuar me miqësinë që lindi dhe shkëmbimin e ideve për letërsinë. Për aktorin Timo Flloko, ishte një fat të jetoje në kohën e Dritëro Agollit.

    Timo Flloko: Të quash veten me fat, të kesh jetuar në kohën e Dritëroit

    Për Dritëro Agollin, fjalët, si për gjithë të mëdhenjtë, thonë pak. Unë kam luajtur dy personazhe, të shkruar nga pena e tij, në fillim të karrierës time dhe në kulmim të saj. E nisa me një djalosh, me shpirt të pasur e plot ëndrra, Martinin te “Mosha e bardhë” dhe pastaj me karakterin tashmë mitik, Mato Grudën.

    Dy natyra krejt të ndryshme … dhe u zhyta në thellësitë e tyre plot pasion krijues. Përpara xhirimit të “Njeriu me top”, kërkova ta takoja Dritëronë veçmas për Mato Grudën, por nuk ndodhi… Ishte i zënë dhe unë nuk ngulmova. Dialogoja me të në imagjinatë, me pyetje pambarim, të çuditshme shpesh dhe merrja përgjigje edhe më të habitshme, si në një ëndërr…! Ato dialogë më ndoqën sa herë edhe në ditët e xhirimeve…

    Kur munda ta takoj pas filmit dhe i tregova “pengun” tim, Dritëroi më pa një çast e tha me atë zërin e shtruar: “Më mirë që s’u pamë, ndonjëherë aktori gjen te personazhi i shkrimtarit ato që ky nuk i ka menduar dhe del për mirë…

    Ne i shkruajmë, ju i ngjallni…”. Ta ketë parë ai Maton me fytyrë e natyrë ndryshe?!”, mendova. Te shprehja proverbiale e Mato Grudës: “Atë e di unë”, gjatë bisedave të mia imagjinare, Dritëroi, si një orakull, ma kishte kthyer përgjigjen: “Atë e di ti!”. Dhe arti i aktorit mbërthehet fort në të vetmen vjegë. Në atë të të bërit, “e di ai” apo s’e di se çfarë duhet të bëjë, i mbetet ta kryejë, ta mishërojë..!

    Kisha recituar disa vjersha brilante të Dritëroit, si dhe poemën liriko-epike “Nënë Shqipëri” në televizion, veç këtyre roleve. Por s’kishim pasur rastin ta takoja e të flisnim një herë të vetme. S’ndodhi. Kur u takuam më pas për herë të parë, u përshëndetëm si dy miq të afërt, me ndjesi të mirë e simpati ndaj njëri-tjetrit. E dija nga të tjerë se ai më çmonte si artist dhe ky fakt më gëzonte.

    Dritëroi fliste mirë e i përkrahte të rinjtë. Shkoi kohë… Kur erdha nga Amerika, pas disa vitesh larg Shqipërisë, më ndodhi ta takoja në një kafe verore, përpara Galerisë së Arteve, ulur në një tryezë, nën degët e rrapit gjigant, që e prenë më pas. “Dritëroi!”, – thashë, dhe ndjeva furinë e gjakut brenda venave si zjarr…

    U afrova dhe e përqafova me mall, si të kishim qenë ndarë para ikjes sime me dhimbje… (?!) Mungesa të qe shkaku, largësia…? Shkëmbyem fjalë. Për ta ushqyer bisedën, i them: “Kam një raki të rrallë, të staxhionuar me vite”.

    Dhe vështrova nga Sadija, e cila veçse buzëqeshi, kurse Dritëroi, edhe pse nuk pinte si dikur, me atë mirësi burri që rrezatonte e që rrallëkush e kishte dhe me zërin e ngrohtë e kumbues prej aktori e mbi të gjitha me peshën e fjalëve, më thotë: “Faleminderit!”

    Heshti pak e pastaj vijoi: “Sapo mbarova një vjershë nazeqare, por reale për moshën që ikën e na lë dhe plakjen që e vë njeriun poshtë…

    E kam titulluar “Çaste ngushëllimi” … dhe e lexoi kryefund. Pastaj shënoi mbi të: “Timos… mikut tim të vjetër”…

    Teksa shkruante, dora kishte filluar t’i dridhej pak e të ngathtësohej, por bukurshkrimi binte në sy, një veçori kjo që shkonte kundër me përfytyrimin tim për natyrën e “shkujdesur” të poetit të madh, përtej rregullave e mendësive të së zakonshmes… Përjashtimi fuqizon rregullin e natyrës! U ndamë, me dëshirën për t’u parë shpejt…

    Dhe u pamë disa herë, përherë me dëshirë e dashuri njerëzore. (Kurora e bardhë e flokëve të lëshuara e të gjata, që ia hijeshonin pamjen, më sillnin përfytyrimin iluzor, se isha para një perëndie…!)

    Ato çaste takimi kemi folur shumë për poezinë, poetët e mëdhenj, Pushkinin, Lermontovin, Bodlerin, Edgar Po-në, për artin e përkthimit në poezi, për “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, për satirën e Gogolit dhe ngjashmërinë e humorit therës të Dritëroit me të; për fuqinë e shkrimtarit dhe emocionet e vërteta, për botimet e tij në gjuhë të huaja dhe, sigurisht, për fatet dhe filozofinë e jetës, temë e ndjerë e bisedave të tij.

    Kam qenë një nga ata fatlumë, që pata fatin ta njoh e të jetoj në një kohë me të. Koha e paktë e miqësisë sime me Dritëroin nuk ka qenë zbrazëti, por një kohë intensivisht e jetuar, në një përmasë më të madhe se kohështrirja… në thellësi, transmeton ‘aktoretshqiptare.info’.

    Dritëroi përmes shkrimeve epistolare

    Një tekst i beftë Elona, po mrekullohem nga “Dashuri në moshën e Krishtit..! “Lexova një sërë letrash, dhe, pastaj, në fund, ‘Sekreti i një dashurie jetëgjatë’ dhe mora emocione tronditëse për gjithë sa shprehej aty, me art e bukuri, thellë, që më preku shpirtin..! (Përgëzoje, të lus, Sadijen nga unë).

    Lexova ndërkaq dhe esenë e Sh. Sinanit, e cila është një studim serioz, plot larmi dhe elegant, që zbulon endokozmosin e poetit gjeni, botën e papërsëritshme e mahnitëse të tij në hapësitë e shpirtit e më përtej…! Letrat, pastaj, si një album sonatash e sonetesh njëherazi, nëse mund ta them kështu, me aq brishtësi humor e freski, si lojëra e dritëhije mendimesh, sa intime, aq poetike, si kujtesë e art i epërm..!

    Zot, e jetova këtë mëngjes me Dritëroin unik! Lexova, po ashtu, librin me poezi, që tingëllon aq i freskët, sa i trishtë, e i përkorë në çdo varg…! Të falënderoj për dhuratën e çmuar! Një pjesë letrash i lashë për t’i shijuar më pas. I kurseva se s’do desha të mbaronin..! Bëra edhe një përzgjedhje poezish nga më mbresëlënëset.

    Aforizmat do t’i lexoj kohë tjetër.

    Të falënderoj edhe një herë, urimet më të përzemërta…!

    Të fala Sadijes dhe të gjithëve, ju përqafoj me dashuri.

    Timo

    Nëntor, 2018

    —————-

    Lexo edhe:

    TIMO FLLOKO: MOS MË THUAJ HUMBI DASHURIA…

    ObserverKult

  • Sadije Agolli: Ai që e spiunoi Dritëroin, u ul me ne në tavolinë…

    Nga Sadije Agolli

    Ishte viti 1994. Pranverë duhet të ishte, pasi ishim veshur lehtë. Prapa nesh ishin ulur dy burra me moshë mesatare 40-45 vjeç. Njëri na ndiqte në bisedë. Pas pak na kërkoi leje të ulej për pak minuta me ne në tryezë. “Posi, mund të ulesh“ – i tha Dritëroi siç e ka zakon për njerëz të njohur e të panjohur. “Më vjen rëndë ta them një të vërtetë, por megjithatë dua të lehtësoj shpirtin. Ndofta juve nuk ju kujtohem fare, por megjithatë unë do të zbrazë barkun, që në një farë mënyre ta kem ndërgjegjen të qetë, pasi juve iu kanë sulmuar shumë këto kohë. Unë kam qenë sekretar partie i kooperativës bujqësore të P. Tani jam i papunë. Ju keni ardhur si i deleguar, siç ishte organizuar jeta në sistemin e mëparshëm. Pas mbledhjes u shtruam në lëndinë me 10-15 fshatarë. Duke ngrënë e duke pirë, ti na u drejtove neve: “I shihni këto bukuri tokash, gjelbërimesh, bagëtish. Do të vijë koha që fshatari do ta ketë tokën të tijën, bagëtitë e tij, se nuk duhet Atdheu, po nuk pate tokën tënde, lopën tënde. Atdheu fillon nga shtëpia jote, nga toka, nga ai gjeli që të këndon mbi gardh…”Dhe fole gjatë. Unë të them të drejtën, u frikësova nga fjalët e tua, u frikësova nga shokët, që kishim në lëndinë. Ka qenë viti 1987. Pas një nate pa gjumë shkova në komitet të partisë dhe takova Pirro Kondin. Unë të spiunova, duke pasur frikë se mos shkonte ndonjë tjetër përpara meje dhe do të më kritikonin mua ose do të më dënonin, që nuk kisha sinjalizuar.

    Pirro Kondi ishte burrë i mirë dhe më tha: “Mos ia vini re Dritëroit, se ai është poet e fluturon, nuk i ka me gjithë mend. Kështu ka folur edhe në Korçë, duke i quajtur fshatarët si palestinezë, pa tokë”. Por mua më ka vrarë ndërgjegjia gjithë këto vite, prandaj më lini mua t’i paguaj kafet si shenjë falje. Unë e Dritëroi kishim ngelur si të hutuar. Im shoq foli me atë tolerancën e përhershme: ”E, nuk ka gjë. Gjëra që kanë ndodhur. Po tani me çfarë merresh? A punon?” “Me asgjë!” Dhe ai u ngrit nga tavolina dhe u largua nga “Vjena” me shokun e vet.

    ObserverKult

    _____________________

    Lexo edhe:

    SHERRI MES DY KOLOSËVE, SADIJE AGOLLI: I KËRKOJ FALJE KADARESË VETËM PËR DIÇKA…

  • Kur Sali Protopapa i vërtetë, i shkoi Dritëro Agollit në shtëpi pas rënies së komunizmit: A e di kush jam unë?

    Kur Sali Protopapa i vërtetë, i shkoi Dritëro Agollit në shtëpi pas rënies së komunizmit: A e di kush jam unë?

    Nga Eduard Zaloshnja*

    Në një mbrëmje të fillimvitit 1992, në derën e apartamentit të Dritëro Agollit (te pallati përballë MAPO-s në rrugën e Dibrës), trokiti një burrë i thinjur.

    Kur Dritëroi hapi derën, burri i thinjur e pyeti:

    -A e di kush jam unë?.

    Dritëroi ngriti supet. Dhe me të drejtë.

    Burri i thinjur kishte ikur nga Shqipëria qysh në vitin e largët 1944. Kur Dritëroi kishte qenë vetëm 11 vjeç.

    -Jam Sali Protopapa, i tha burri i thinjur.

    Pas disa të dhjetash të sekondës hutimi, Dritëroi e ftoi Protopapën në shtëpi.

    Kur Dritëroi i ofroi raki e mish, Protopapa i tha se, ndryshe nga ç’ishte portretizuar në romanin “Komisari Memo” dhe në filmin “I teti në bronz”, ai nuk e kishte vënë kurrë rakinë në gojë dhe nuk preferonte mishin, por peshkun.

    Në atë takim, Dritëroi mësoi se Protopapa kishte qenë student në Itali deri në vitin 1942, dhe ishte kthyer në Shqipëri, për të luftuar fashizmin (me shokë si K. Tutulani, M. Tutulani, R. Alia etj).

    Gjithashtu ai mësoi se çeta balliste e Protopapës kishte bashkëpunuar me misionin anglez, për të luftuar kundër pushtuesve nazi-fashistë deri në fund të vitit 1944.

    Në fund të takimit, Protopapa i tha Dritëroit se romani i tij (dhe filmi i ndërtuar mbi atë roman) i kishte shkaktuar shumë vuajtje gjatë regjimit komunist të gjithë atyre që e kishin mbiemrin Protopapa.

    Dhe Dritëroi iu përgjigj se nuk e kishte ditur që Protopapat ishin një fis i zgjeruar. I vetmi njeri me këtë mbiemër që kishte njohur ishte Xume Protopapa. I cili kishte patur ‘biografi të mirë’ para 90-ës…/vjosa.net

    *Siç ma ka treguar im ungj  

    —————————————————-

    Lexo edhe:

    DRITËRO AGOLLI: SA HESHTNIM DIKUR…

  • Vëllai i Dritëro Agollit tregoi për debatin e fundit me Ismail Kadarenë

    Vëllai i Dritëro Agollit tregoi për debatin e fundit me Ismail Kadarenë

    Të flasësh për një prej njerëzve më të dashur, nuk është edhe aq e thjeshtë. Ke kaq shumë për të treguar, saqë nuk di ç’të tregosh mes tyre.

    Në librin me kujtime “Ky është Dritëroi im”, botuar nga shtëpia botuese “Dritëro”, Tajar Agolli, vëllai i Dritëroit, tregon për lidhjen me të vëllanë që në vitet e fëmijërisë, lidhjen me gjyshërit, prindërit, fshatin, shkollimin, deri te jeta e përbashkët në Tiranë, në një shtëpi 1 dhomë e një kuzhinë.

    Tajari tregon për dramën e Dritëroit, atë të ndarjes nga bashkëshortja e tij ruse, e cila u largua drejt Bashkimit Sovjetik bashkë me të birin 7-vjeçar. Ai tregon shkaqet e largimit dhe si e përjetoi Dritëroi.

    Më pas erdhi emërimi i tij si Kryetar i lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, deri te Kongresi X i PPSH-së, një situatë jo e thjeshtë për Dritëroin, të cilit iu vunë kundër edhe miqtë e dikurshëm. Tajar Agolli tregon edhe për lidhjen e Dritëroit me Ismail Kadarenë dhe arsyen e ftohjes së tyre.

    Z. Agolli, si është të jesh vëlla i Dritëroit? Çfarë mund të kujtoni nga fëmijëria juaj?

    Unë dhe Dritëroi kemi pasur vetëm një vit diferencë moshe. Madje, kujtoj që shumë na quanin binjakë. I vetmi ndryshim mes nesh në aspektin fizik ishte që unë paraqitesha disi i bëshëm, ndërsa Dritëroi i hollë dhe elegant. Me humor e shpjegoj se kjo diferencë peshe vinte ngaqë unë kisha oreks për ushqim, ndërsa ai uri të madhe për libra. Im vëlla nisi të lexonte qysh herët në shkollën Unike të Bilishtit dhe për këtë spikaste mes shokëve. Edhe unë përpiqesha të lexoja ndonjë gjë, por Dritëroi ishte fantastik. Dhe në këtë drejtim s’mund të arrihej. Sot mund të duket për të qeshur, por dashuria për librin i shkonte deri aty sa në mungesë të paraveçonte fasule në shkollë dhe i shkëmbente me tekste. Kjo mënyrë të menduari qysh në hapat e parë, e bënte atë të veçantë. Ndaj, unë e kam nder të them që e kisha gjithçka, vëlla, shok, mik, baba dhe njeri të shpirtit.

    Një pjesë e rëndësishme e fëmijërisë kanë qenë edhe gjyshërit tuaj, të cilët Dritëroi i përmendte shpesh…

    Edhe pse është e vështirë të përmbledh kujtimet tona të vegjëlisë në pak fjalë, unë do të përpiqem të rendis disa momente që më janë shënjuar në memorie. Dashuria e gjyshërve ishte tejet e madhe, sidomos e gjyshit ndaj Dritëroit. Kujtoj që na merrte pas gjithnjë. Në verë e shoqëronim te një kolibe dykatëshe prej druri dhe prej aty vështronim të gjithë vreshtin. Dukej aq bukur ajo kasolle sa flinim dhe zgjoheshim aty, ku pa dyshim s’mungonte as qeni ynë Balo. Ndërsa me gjyshen e kishim ndryshe, pasi tek ajo ishte e vështirë të kuptohej se cilin nga ne të dy e kishte më të preferuar. Zakonisht flinim bashkë me të dhe ajo përgjatë gjithë natës kthehej sa nga njëri krah te tjetri, në mënyrë që të mos na ngelte hatri. Në fund e zinte gjumi me kurriz që asnjë prej nesh të mos mërzitej.

    Të parët tuaj kur kanë mbërritur në Menkulas? Kemi dëgjuar që emrin e fshatit ata ia kanë vendosur sipas një shprehje “ment’ ku i lashë”. Sa e vërtetë është kjo?

    Dritëroi ka shkruar aq shumë për Menkulasin, sa s’besoj se ka ngelur ndonjë guralec pa i dedikuar vargje. Ne jemi mjaft të lidhur me të. Referuar historisë që tregonin më të vjetrit, i pari që ka mbërritur në fshat rrjedh nga trungu i fisit tonë dhe quhej Ahmet. Kjo solli edhe mbiemrin Ahmetli, të cilin më herët e ka mbajtur edhe familja jonë. Ndërkohë, sa i përket emrit të fshatit, një dokument i zbuluar në arkivat e Stambollit nga një miku ynë, tregon se kur kaloi përmes Menkulasit një kolonel turk i quajtur Mehmet, u shpreh: “Ment’ kui lash”. Ishte kjo shprehje që u ngulit fort dhe më pas ngeli si emërtim për fshatin tonë.

    Në rrëfimin tuaj, më bëri përshtypje që dikur keni ndërruar mbiemrin nga Ahmetli, në Agolli. Çfarë fshihet pas kësaj zgjedhje?

    Në vitin 1945 doli një vendim nga institucionet e kohës, ku ofrohej mundësia e ndryshimit të mbiemrit. Ndër ata që menduan ta ndryshonin ishim edhe ne. Disa nga fisi ynë e vendosën “Flaka” dhe disa të tjerë “Zjarri”. I gjendur mes vendimeve të tyre, në inat e sipër, babai si variant të parë mendoi ta vendosë “Shkrepësja”, duke treguar se bën bashkë flakën edhe zjarrin. Ndërkohë, me argumentin se vinim nga shtresa e mesme, ai propozoi që të vendosej Agolli (nga Aga), dhe ky mbiemër u pranua nga të gjithë.

    Dritëroi ka plot një libër me poezi për kalin, ka poezi për shpendët, për tokën dhe për punën. Si ndikoi natyra e fshatit në formimin e tij?

    Që në moshë të hershme, Dritëroi spikaste për talentin që kishte. Kjo, në njëfarë mënyre, reflektohej edhe nga dashuria e madhe për natyrën, kafshët, shpendët dhe insektet. Kujtoj që në vegjëli vraponte buzë jazit të fshatit për të kapur flutura, hynte mes bimëve barishtore dhe kapte zogj të bukur me leqe. Madje, kur shkonim për mëllenja, ai zgjidhte t’i vendoste me zgjuarsi kurthet në pullaze, ku kishte shkrirë bora. Kujtoj kur zuri një here një mëllenjë, e mori mbi duar dhe pasi e vëzhgonte plot dashuri e puthte në kokë. Pas pak, u drejtua nga unë dhe më tha: “Tajar, do ta lëshoj këtë që kapëm”. Unë e miratova me kokë, pasi ai ishte “përgjegjësi” për mua dhe vendimmarrja i përkiste atij. Pasi e liroi, e shihte në fluturim dhe përplaste duart gjithë gaz. Kjo më bënte të kuptoja se çfarë shpirti mbartte ai njeri. Dashuria ndaj kalit apo kafshëve të tjera, shihet edhe në orientimin që kishte zgjedhur të merrte në jetë. Pas përfundimit të gjimnazit “Asim Zeneli”, mes degëve që kërkonte të ndiqte ai zgjodhi zooveterinarinë. Falë këmbënguljes së Karaman Yllit, që kishte ndjekur krijimtarinë e tij dhe insistonte që të ndiqte letërsinë, Dritëroi ndoqi letrat, por pa harruar kurrë të kthejë kokën pas nga pasioni për tokën e natyrën.

    Po nga Lufta Nacionalçlirimtare, çfarë mund të kujtoni? Cili ishte roli i Dritëroit, paçka se ishte i vogël?

    Dritëroi iu bashkua luftës që fëmijë, ku shkoi një javë dhe qëndroi te partizanët. Ata, kur e panë, u habitën dhe i thanë se ishte tepër i vogël për të qëndruar aty. Nëna qante e merakosur dhe ne duke parë gjendjen në shtëpi i dërgonim letra, duke i kërkuar që të kthehej. Vërtet ai u kthye pas insistimit tonë, por, ama, vijonte të ishte korrier për të transportuar mesazhet e partizanëve, si dhe simpatizant i këngëve që ngriheshin për heroizmin e tyre. Kjo i shërbeu edhe në krijimtari, ku shpeshherë ngjarjet i ka gërshetuar aq bukur me Luftën.

    Po baba Rizai, në raport me Ndritin (siç e quanit ju), si sillej?

    Babai kishte një komunikim e mënyrë të foluri ndryshe, pasi kishte qëndruar rreth 15 vjet në Amerikë. Ai ishte njeri i qejfit në sebepe, mjaft i afrueshëm dhe nderonte çdokënd. Në dasma dhe fatkeqësi, im atë e merrte Dritëroin me vete, duke ia mësuar sjelljet e të rriturit që në vegjëli. I vëmendshëm ndaj tyre, ai i reflektonte herë pas here duke marrë një pamje më të pjekur në sytë tanë. Madje, në ato sofra, Dritëroi mësoi të këndojë aq bukur. Kur filloi shkollën, bënte shkrime në gazetën e murit dhe babai krenohej, pasi mblidheshin të gjithë fshatarët me kureshtje që ta lexonin. Aty ai shkruante me humor për ndonjë vjedhje që bëhej në fshat apo ndonjë dembel. Poezitë e tij të para, babai i merrte nga gazeta, i priste me kujdes dhe i vendoste në kutinë e duhanit. Teksa lavdërohej mes miqsh, thoshte: “Djali im vërtet është poet, por jo si Naimi. Po t’i krahasosh ata të dy, është njëlloj si të krahasosh Menkulasin me Tiranën…”

    Po nënë Hatixheja?

    Nëna kishte shumë shprehje, që vërtet të habisnin. Dritëroi e përmendte shpesh kur thoshte se pjesën e djathtë të trurit ku qëndron talenti, e kishte të trashëguar nga nëna me origjinë prej Kolonje, ndërkohë pjesën e karakterit i vinte nga babai. Dritëroi ka shumë kujtime me ne dhe unë kur i rrëfej kam emocione. Natyrshëm më vjen në mendje koha kur prashisja dhe korrja me drapër, sepse isha i fuqishëm, ndërsa Dritëroi bënte më tepër punë logjike dhe profesionisti si të lëronte tokën, hidhte farën apo kujdesej për prodhimet.

    Pse u shpërngulët nga fshati?

    Babai vendosi që ne të shpërnguleshim nga Menkulasi veç për arsimimin tonë, pasi shkollat ishin pak larg. Fillimisht u vendosëm në fshatin Shamoll, ku im atë më regjistroi te “Shkolla e Kuqe” në Korçë. Duke qenë se vija nga fshati, shokët më shihnin me skepticizëm dhe më rrinin larg. Duke parë gjendjen time, babai u detyrua të kërkojë një shkollë tjetër, ndaj u vendosëm në fshatin Rrëmbec. Aty jetuam disa vite dhe më pas unë, babai, nëna dhe motra, erdhëm në Sukth të Durrësit, ku xhaxhai ynë Mehmeti kishte zënë vend në fermë bashkë me bashkëshorten. Qëndruam një periudhë deri sa unë u rregullova në Tiranë dhe më pas i tërhoqa të gjithë.

    Në kohën kur Dritëroi erdhi nga ish-Bashkimi Sovjetik, ai jetonte te shtëpia juaj në ish-Kinostudio? Si ishte jeta e përbashkët?

    Kur Dritëroi u kthye nga studimet në ish-Bashkimin Sovjetik, vendosi të banonte me mua duke ndërtuar një bashkëjetesë të shkëlqyer. Ai, unë, bashkëshortja, nëna dhe babai, jetonim në zonën e Kinostudios brenda një apartamenti 1+1. Fillimisht, u kthye në Shqipëri për të parë situatën dhe më pas do të sillte ishgruan e tij Nina dhe djalin e madh Arjanin. Them me bindje që gjeti te ne një ngrohtësi të veçantë, pavarësisht se ishim pak ngushtë, ku unë flija në korridor, Dritëroi në dhomë dhe babai me nënën në kuzhinën e vogël.

    Cilat ishin raportet tuaja me ish-gruan e Dritëroit nga Rusia? Si ishte Nina?

    Nina ishte një njeri pozitiv dhe raporti ynë u ndërtua mjaft i fortë. Në vitet e para të ardhjes në Tiranë, ajo jetonte bashkë me ne. Për fat, unë munda ta shkëmbej shtëpinë me një banesë më të madhe të një mikut tim major. Pasi atij mund t’ia merrnin, duke qenë se jetonte veç me bashkëshorten. Pas akomodimit në të, kishim një jetë të qetë. Dritëroi vinte me një biçikletë “Riga” te puna në “Zërin e popullit”, ishte korrekt dhe kishte gjithnjë e më shumë sukses me krijimtarinë. Ndërkohë, unë përpiqesha ta lehtësoja disi, me aq sa mundja. Duke njohur mirë gjuhën ruse, Ninën dhe djalin i shëtisja në teatër. Parqe dhe i mësoja rrugët e Tiranës. Nga ish-bashkëshortja e Dritëroit ruaj kujtime interesante. Ku një prej tyre është edhe martesa ime. Në kohën që shkonim për ta marrë gruan time, Vahide, ajo bashkë me Dritëroin këndonin këngë të operës ruse.

    Si erdhi ndarja e tyre? Çfarë mban mend nga gjendja e Dritëroit në atë periudhë?

    Fill pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ish-bashkëshortja e Dritëroit pësoi një tronditje të thellë pasi kishte një lloj admirimi për udhëheqësin e asaj kohe, Hrushovin. Pavarësisht se nuk u përzu nga regjimi, siç u veprua me shumë të tjerë, Nina nisi të ndihej e paragjykuar në ambientet ku punonte apo shoqërohej. Pasi nuk gjente mbështetje për bindjet e saj. Shkëputja e lidhjeve shtetërore krijoi në popullatë një urrejtje ndaj rusëve që ngelën në Shqipëri. Ndaj, nisur nga klima e krijuar, një ditë ajo shprehu vendimin për t’u larguar përfundimisht, duke argumentuar se s’mund të vazhdonte më në atë gjendje. Im vëlla insistoi që të qëndronte bashkë me djalin, por Nina zgjodhi të ikte. Ku shpjegoi se një nga arsyet ishte që ta linte Dritëroin të kultivonte talentin. I qetë dhe të mos shqetësohej nga sulmet kur prodhonte letërsi.

    Ke marrë pjesë në shoqërimin e Ninës dhe Arjanit në aeroport? Çfarë mban mend nga ai moment? Dritëroi çfarë bënte rrugës, fliste?

    E kam ende të freskët në memorie momentin kur Dritëroi më njoftoi mbi vendimin e Ninës për të braktisur Shqipërinë. Isha duke pushuar në plazh kur e mësova dhe i çuditur nxitova drejt Tiranës. Ajo kishte bërë valixhet gati, ndërsa Dritëroi ishte kujdesur që t’i bënte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm përmes Ambasadës çeke. Që kryente procedurat për shtetasit rusë. Kur u nisëm për në Rinas, rrugës në Vorë, Nina u pendua dhe kërkoi që të kthehemi. Dritëroi e vëzhgoi gjatë, por nuk ktheu mendje, duke i shpjeguar se ajo tashmë kishte marrë një vendim. Dhe s’mund të luhej për t’iu rikthyer konflikteve. Kurrë nuk e kisha parë tim vëlla aq rëndë sa në atë ditë. Gjatë gjithë kohës, ai nxirrte lot dhimbjeje për djalin 7 vjeç. Të cilin nuk do ta shihte për shumë vjet.

    Prej atij momenti, të vetmet informacione rreth tij vinin nga letrat që Nina i dërgonte kujdesshëm motrës sonë dhe i rrëfente për Arjanin.

    Çfarë bënte Dritëroi ato kohë, pas ndarjes? Po prindërit tuaj si e përjetuan?

    Pas ndarjes nga bashkëshortja, unë shkoja vazhdimisht ta vizitoja në apartamentin te Rruga e Dibrës, pasi siç mund të kuptohet, ai e përjetoi shumë keq. Të vështirë e patëm edhe ne. Dritëroi, i zhytur në vetminë e asaj kohe, më kërkoi që prindërit të shpërnguleshin dhe të jetonin në një banesë me të, për të plotësuar disi boshllëkun. Babai dhe nëna pësuan një dëshpërim të madh, pasi ishin mjaft të lidhur me Arjanin. Dhe si të mos mjaftonte dhimbja e kësaj ndarjeje. Im vëlla ndiqej nga sigurimsat për të zbuluar se kush shkonte në shtëpinë e tij.

    Ju thoni se Dritëroi ishte i ndjekur nga “Sigurimi”. Keni ndonjë provë për këtë?

    Asaj periudhe, në bilardon e Shtëpisë së Oficerëve luaja me njërin pa e njohur se cili ishte, pasi prezantohej si nëntoger. Njëherë, duke shkuar te banesa e Dritëroit. Rastësisht e pashë që shëtiste rreth saj. Unë në cilësinë e kapitenit të dytë, e pashë së largu dhe e thërrita. “Baxhul, pse je këtu? Ti survejon vëllanë tim? Unë nuk kam pse ta ruaj nga rreziqet. Sepse e di se kush është dhe ai nuk ka nevojë për mbrojtje”. Me aq sa kuptova, qëllimi i tij ishte të gjente njerëz që kishin lidhje me Dritëroin, pasi u largua bashkëshortja.

    Unë e mbajta mend Baxhulin dhe kur ia shpjegova Dritëroit situatën, më pa gjatë në sy dhe më tha: “Janë të zakonshme, le të bëjnë çfarë të duan se nuk e çaj kokën për këtë punë”. Siç e thoshte shpesh edhe vetë im vëlla, ai nuk ishte ndonjë trim i madh. Por ama as frikacak nuk ishte.

    Ritakimi i Dritëroit me djalin dhe ish-bashkëshorten u bë pas prishjes së sistemit diktatorial. Çfarë ju ka treguar vëllai juaj lidhur me këto emocione?

    Merita të veçanta për ritakimin e Dritëroit me djalin dhe ishgruan ka bashkëshortja e tij e jetës, Sadija. Për hir të Arjanit, ajo kërkoi dhe gjeti informacione të sakta mbi adresën e Ninës dhe vendosi takimin e parë në Shën Petërburg pranë një hoteli. Dritëroi u prek shumë kur i biri e zuri për qafe dhe i vendosi kokën afër zemrës dhe vetëm qante. Më pas, im vëlla takoi ish-gruan në shtëpinë e saj. Ku ajo e mërzitur i fliste mbi vështirësitë e martesës së dytë me një njeri që nuk e donte. Edhe hera e dytë e takimit ka qenë mjaft e veçantë, ku Dritëroi, i shoqëruar nga Moikom Zeqo, shkoi ta vizitonte dhe qëndronte gjatë me të. Më herët Arjani ishte takuar me djalin e dytë të Dritëroit, Artanin dhe vajzën Elona, të cilët ia kaluan mjaft mirë.

    Po kur u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, si e prite ti si vëlla?

    Kur i propozuan të bëhej kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, duhet thënë se Dritëroi nuk donte. Ai u sugjeroi që më mirë të vendosnin dikë tjetër në atë post, pasi sipas tij. Në këtë emërim do të merrej më tepër me punë administrative dhe kjo gjë do ta pengonte në krijimtari.Ndërkohë, vendimi kishte ardhur nga Ramiz Alia dhe ai kishte ofruar mbështetje maksimale. Natyrisht që unë u gëzova shumë, pasi nuk ishte pak të mbaje atë detyrë në atë kohë.

    Dihet se pija i bën njerëzit disi më “gojëlirë”. A kishe frikë si vëlla, që Dritëroit mund t’i ndodhte ndonjë gjë për këtë shkak?

    Dritëroi ishte i kujdesshëm, ndaj edhe nuk frikesha se ai mund të thoshte ndonjë gjë prej pijes. Nga një anë, unë ruhesha më tepër pasi kam pasur mjaft njerëz që më provokonin për të nxjerrë sekrete. Gjithnjë përpiqesha të tregoja kujdes për vete dhe për atë, në mënyrë që mos i krijoja shqetësime. Megjithëse nuk pija, pasi ushtarakët s’para pinin, kujtoj një histori shumë interesante: Një ditë kisha marrë një shishe raki të mirë dhe shkoj te Dritëroi për vizitë. Ai pasi e provoi, veçoi gjysmë litri dhe ma vendosi përpara në tryezë: “Këtu e ke, – tha, – nëse e pi atëherë ke mësuar diçka nga pija”. I vënë në sedër, e piva me mezet që na kishte përgatitur Sadija dhe prita se çfarë do të më thoshte. Ai, pasi më vështroi se në çfarë gjendjeje isha, më tha që prej asaj dite të mos kem më merak për raki, pasi e kalova provën.

    Dritëroi doli edhe kundër sistemit komunist në Kongresin e 10-të të Partisë. Si e prite ti?

    Unë e prita mjaft mirë dhe nuk kisha asnjë problem, pasi kisha besim tek aftësitë e tij. Është normale që merakosesha si vëlla, ndaj përpiqesha të shkoja për ta vizituar shpesh. Dritëroi i kishte nuhatur ndryshimet që në vitin 1984 dhe më shprehte se do të përmbysej sistemi komunist.

    I merakosur, unë i thosha që një kapërcim i tillë do të ishte fatal për ne, por ai më jepte siguri që gjithçka do të shkonte mirë dhe ashtu ndodhi. Nisur nga bisedat me të, gjithnjë kam pasur bindje të plotë se Dritëroi ishte demokrati i parë, i pastër dhe jo aventurier. Për këtë dua t’ju sjell disa kujtime nga një udhëtim i yni në Ersekë. Ku ai shkonte si kryetar i LSHA-së dhe unë e shoqëroja si oficer mbrojtës nëse do të kishte ndonjë rrezik. Teksa përshkonim aksin në Bradashesh me përfaqësues të Lidhjes, ku kujtoj Teodor Laçon mes tyre, Dritëroi me vështrim nga fushat përreth tha. “Shikoni si azdisen gomerët! Në vend që barin ta hajë lopa, ia hedhin si ushqim gomarit, i cili nuk prodhon as qumësht dhe as punë”…

    Këto dhe të tjera deklarata që nuk ishin aspak normale për atë kohë, më trembën shumë, pasi na gremisej familja. Përpiqesha t’i bëja ndonjë shenjë Dritëroit, por më kot, ai vazhdonte të fliste hapur. Duke i numëruar të gjitha ato që mendonte. Kur mbërritëm në hotel, s’mund t’i harroj fjalët e një gruaje që u afrua për të shërbyer ushqimin dhe ndonjë pije. E çuditur nga sjellja e Dritëroit, ajo na vëzhgon dhe thotë: “Ah, o djemtë e nënës, ju jeni shumë ndryshe. Këtu vijnë mjaft njerëz që thonë se duan të përfytyrojnë zhurmën e stanit dhe tundjen e kosit në pëti për t’i zënë gjumi. Ndërsa ti Dritëro, as çaj nuk do!”

    Pas rrëzimit të sistemit dhe kritikave të Dritëroit ndaj gjendjes së partisë, ai ishte në qendër të sulmeve të komunistëve fanatikë, por edhe të forcave antikomuniste, të demokratëve e të persekutuarve. A kishe frikë për jetën e tij në atë kohë?

    Me përjashtime të vogla, në momentin që doli kundër sistemit komunist, Dritëroi u tradhtua thuajse nga të gjithë. Madje, kundër tij dolën edhe ata që i kishte vendosur anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

    Ishte një situatë e vështirë, për të cilën akademiku Ali Aliu me të drejtë thotë: “Sulmet që iu bënë Dritëro Agollit në fillim të demokracisë ishin të tilla, që vetëm një njeri me kapacitete të mëdha si Dritëroi mund t’u përgjigjej”.

    Ju, si i gjykoni qëndrimet dhe sulmet ndaj Dritëroit? Shihnit frikë tek ai?

    Frikë nuk kishte, por ama ruhej shumë pasi dëgjonte vërshëllima rrugaçësh ngado. Ai nuk ka lënë gjë pa ia thënë në sy për sy dhe jo si të tjerët mbas shpine. Edhe pse gjendja ishte e tensionuar, im vëlla e menaxhoi pozitivisht, ku përpiqej t’i përgjigjej me kujdes dhe mprehtësi në shtyp çdokujt që e sulmonte. Kujtoj që artikullin e parë kundër Dritëroit e botoi Sabri Godo. Fill pas kësaj, Dritëroi shkroi disa faqe si reagim, ku i kujtonte të shkuarën dhe Godo nuk foli më. Që prej atij artikulli, ai ndryshoi sjellje, duke dalë në intervista bashkë me Dritëroin dhe vinte shpesh në shtëpi. Ndonjëherë, me shaka im vëlla i thoshte: “Ti je i mirë Sabri, por kjo e mirë të vjen ngaqë e ke gruan bejlereshë”.

    Po Ismail Kadare?

    Ismaili u nda vetë nga Dritëroi. Që nga koha kur u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kadare pati njëlloj paragjykimi, duke menduar se Dritëroi ishte veçuar nga shoqëria. Kjo s’është aspak e vërtetë, pasi vëllai im ishte një paqësor i madh. Këtu vlen të përmend edhe disa detaje gjatë një takimi të mëvonshëm mes të dyve, ku dialoguan në një intervistë me Pirro Milkanin: Ai i tha: “Pa debat nuk ka përparim, ndaj debati është i rëndësishëm. Nëse ta bëjnë shesh me lule, atëherë kjo është shenjë treguese se ke të meta. Prandaj, debati i zgjidh kritikat. Edhe një filiz që del mbi shkëmb ka nevojë të ketë shoqëri me pemë të tjera rreth e rrotull, pasi i vetëm është i destinuar të thahet”.

    Historinë me Sali Protopapën, një personazh real që jetonte në USA dhe vizitën e tij tek Dritëroi, a e di?

    Theksoj se te Sali Protopapa nuk ka ndonjë personazh të caktuar dhe real. Letërsia është përgjithësuese që çdokush ta gjejë veten aty, ndaj s’duhet marrë sikur ka dashur të shigjetojë një njeri konkret. Nëse krijimtaria s’është e tillë, atëherë duhet thënë se nuk është letërsi. Ardhja e Sali Protopapës në shtëpinë e Dritëroit ishte surprizuese dhe dera për të qëndroi e hapur si për të gjithë njerëzit pa dallim. Nisur nga ato që më ka thënë Dritëroi, im vëlla i ka thënë se nëse s’e kupton letërsinë, nuk i përgjigjet dot. Duke i shpjeguar se qëllimi i përshkrimit të personazhit ishte të demaskonte të gjithë personat që punuan kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

    Pas tij, në banesë trokiti edhe nipi i Lefter Ruços për t’u ankuar mbi personazhin Lefter Lefteri, që Dritëroi e sjell te libri “Komisari Memo”. Atij i shpjegoi se në Korçë kishte mjaft emra të ngjashëm që shërbenin si spiunë në kohën e luftës. Ndaj e këshilloi që para se të dilte në konkluzione, të ulej dhe të rilexonte librin me kujdes./Panorama

    Intervista u realizua kohë më parë.

    Lexo edhe:

    Dritëro Agolli: I humba të gjitha, po lypës s’u ktheva!

    ObserverKult

  • Përplasja e Dritëro Agollit me Ramiz Alinë për Justina Aliajn / Rrëfimi i aktores

    Përplasja e Dritëro Agollit me Ramiz Alinë për Justina Aliajn / Rrëfimi i aktores

    “Sa herë shpirti im ka gjetur shërim në atë shtëpi”, kështu shprehet aktorja Justina Aliaj, teksa me mall dhe dhimbje duhet të shkruajë për njeriun që nuk jeton më. Justina Aliaj nuk e ka pasur jetën të lehtë.

    E internuar, e larguar përdhunshëm nga profesioni që adhuronte.. Ajo ishte një artiste me “njollë” në biografi, por kjo nuk kishte rëndësi për Dritëro Agollin dhe bashkëshorten e tij Sadijen, që e prisnin dhe e përcillnin në shtëpinë e tyre dhe u interesuan deri në fund për rehabilitimin e saj, madje në kujtimet e saj, në librin “Ky është Dritëroi im”, Aliaj tregon edhe një episod, ku Dritëroi kishte bërë fjalë me Ramiz Alinë për punësimin e Justinës në Teatrin Kombëtar.

    JUSTINA ALIAJ: FAMILJA AGOLLI, KJO DERË E MADHE

    Nuk ka ndjesi më të fortë kënaqësie sesa kur ulesh të shkruash për një njeri që e ke respektuar dhe dashur tërë jetën e përtej.

    I ndrituri Dritëro kishte një zakon që tek të dëgjonte, ta shoqëronte e ushqente rrëfenjën duke lëshuar gjatë gjithë kohës një: ëhë; po; ashtu tha?; ç’i the?; hmm; po shumë mirë; ëhë; e pastaj; mirë i the; po edhe; dhe ashtu, urtë e butë, e mbyllte duke më thënë:

    “E mirë, tani do t’i flas unë”. Dritë kishte shpirti i tij. Kurrë nuk e neglizhoi vuajtjen time, përkundrazi, e vuante për aq kohë sa ishte e pazgjidhur.

    Luftoi me tërë mundësitë dhe strategjitë e tij. Sepse kishte besim e të jepte besim. Më kujtohet një nga këto momente:

    Rreth vitit 1978, Dritëroi kishte biseduar për problemin tim me R.A. Biseda ishte lënë e hapur. Pra, Dritëroi ishte entuziast, sepse më në fund nuk kishte hasur në rezistencë të madhe. Një koincidencë e pakëndshme ndodh:

    Jo shumë larg në kohë pas takimit të Dritëroit me R.A., më thërret në zyrë drejtori i Teatrit Kombëtar, V.A., që të shkoja dhe ta takoja nga ku vuaja dënimin.

    Ai më komunikon propozimin e Teatrit Kombëtar që unë do të emërohesha aty. Vallë, kush e pati gëzimin më të madh atë ditë veç familjes sime dhe çiftit Agolli? E keqja ndodhi mbas pak ditësh.

    Më thërret përsëri drejtori i Teatrit Kombëtar dhe thotë: “Unë të gëzova, unë po të hidhëroj. Nuk na u aprovua propozimi ynë. Të kërkoj falje shumë. Dritëro Agollin nuk e kam parë të nevrikosur kurrë më si atë ditë. Shante e shfrynte. Mua më udhëzoi të takoj menjëherë sekretarin e R.A., ndërsa Dritëroi vetë takoi R.A. dhe këmbëngulte tek ai se përse të refuzohet propozimi i Teatrit Kombëtar. “Talentet nuk lindin çdo ditë”, – përsëriste tërë kohës.

    Dritëroi shfrytëzonte çdo mundësi kur shihte që hapej drita jeshile për mua. Derisa e arriti atë që dëshironte, që unë të shfaqesha në skenë mbas gjithë atyre viteve të ecejakeve të tij. Madje u telefononte shumë personaliteteve të dëgjonin këngën baladë. “Mall për vendlindjen”, kënga lançuese pas 18 viteve vuajtje. Viti 1990. Ishte një taktikë e shkëlqyer e tij: qoftë se ai u linte të kuptonin se çfarë kishin humbur, apo qoftë sesa këngë e bukur është. Para shumë vitesh, unë kam pasur fatin të interpretoj rolin e Ritës te “Mosha e bardhë”.

    Ishte një dramë shumë e bukur, e guximshme, që aspiron civilizimin drejt perfeksionit.

    Një aspekt nga drama: Burri i Ritës, nga xhelozia e fyen Ritën, duke i thënë:

    – Çfarë do? Dy burra si në matriarkat?

    Dhe në fund të shfaqjes, Rita i afrohet krejt afër fytyrës së burrit dhe i klith me sa dhimbje e krenari që ajo ka:

    – Po ti, çfarë do? Dy gra si në patriarkat? E desha shumë atë rol, ku autori klith për vetë emancipimin, për barazi etj…

    Një ditë, Sadija dhe unë po ktheheshim në shtëpinë e saj. Aty gjetëm Dritëroin dhe një redaktor të një gazete, të cilët sapo kishin përfunduar së zgjedhuri një cikël me poezi për t’i botuar në gazetë. Sadija kërkoi t’i shihte titujt, në fillim tha mirë (sa me kalue radhën), pastaj një e nga një i hoqi të gjitha dhe filloi nga e para përzgjedhjen.

    Dhe Dritëroi nuk bëri asnjë fjalë, veçse iu kthye redaktorit:

    – Të thashë ke mjaft, merri dhe ik… Rri tani! U krijua një gjendje kur shihja redaktorin që s’dinte çfarë bënte dhe kishte frikë se nuk po merr asnjë. Dritëroi që i kishte dalë borxhit qysh pa hyrë Sadija dhe unë në shtëpi. Në gjithçka Sadija ishte “mburoja” e tij. Kurrë nuk e harroj kur më ka thënë një ditë: “Dritëroi është shumë i pakujdesshëm, i beson gjithkujt. Po pinte me një kolegun e tij poet dhe kur e pashë, vura duart në kokë. Ngrita zërin dhe i thashë Dritëroit: Këtu, vetëm ti po pi o Dritëro, se “miku yt” e derdh rakinë nën tavolinë, kështu që ti vazhdo të flasësh ç’të kërkojë ky”.

    Kjo derë e madhe ishte e hapur për mirëseardhjen e kujtdo që i trokiste. Ndryshe nuk kishte se si ndodhte në shtëpinë e Agollëve, ashtu si e ëma e të ndriturit Dritëro, Xhexheja, e cila zbërtheu shpirtin e dëlirtë të kësaj familjeje të madhe. Dhe ja çfarë ngjau një ditë: Xhexheja ishte vetëm në shtëpi. Kur ç’të shohë Sadija? Xhexheja kishte zbritur të tëra gotat, të voglat dhe të mëdhatë, nga të gjitha raftet e kuzhinës dhe kishte zbrazur nga shishet të gjitha pijet që ishin aty.

    Sadija e pyet: “Çfarë po bën Xhexhe?”

    -“Po shih sa shumë njerëz na kanë urdhëruar në shtëpi. Pupupu, është turp i madh pa i nxjerrë diçka”, – ia ktheu Xhexheja. Në fakt, njerëzit apo kallaballëku ndodheshin veç në televizor, por shpirti i saj bujar, edhe në ato vite me problemet në kujtesë, e shtynte t’i “qeraste” edhe ata. I tillë, madje dhe përtej ishte i biri i kësaj zonje bujare.

    Por ashtu janë tashmë edhe fëmijët e tyre, me zemër dhe me edukatë të madhe. Falë Sadijes, gruas më të rrallë që kam pasur fatin të njoh e të miqësohem, unë njoha të madhin e të ndriturin Dritëro. Te mirësia e tij gjeta sa e sa herë shërimin e shpirtit, edhe ndihmën e pakursyer. Me fëmijët kam një lidhje shpirtërore krejt të veçantë.

    E nuk ka si të ndodhë me mua ndryshe, kur respekti e dashuria është e pashlyeshme për të dy ata që na shohin nga lart.

    Madje, dy fëmijët e tyre nuk e dinë se çka provon shpirti im kur i takoj. I shoh drejt e në sy, si me dashtë me i thanë: “Më flitni tani, si dikur baba e nana juaj”.

    Njikaq, ata më depërtojnë nëpërmjet syve të fëmijëve të tyre, që janë krejt shëmbëlltyra e prindërve të tyre./panorama.com.al

    —————-

    Lexo edhe:

    PASI E MPOSHTI SËMUNDJEN, JUSTINA ALIAJ RIKTHEHET NË SKENË

    ObserverKult