Tag: drejtat

  • Komisioneri i të Drejtave të Njeriut: Europa rrezikon të krijojë një ‘hierarki njerëzish’ në emër të emigracionit

    Komisioneri i të Drejtave të Njeriut: Europa rrezikon të krijojë një ‘hierarki njerëzish’ në emër të emigracionit

    Michael O’Flaherty, komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës, paralajmëroi se politikanët e “mesëm” dhe qeveritë e ashpra europiane po rrezikojnë të krijojnë një “hierarki njerëzish” ndërsa përpiqen të adresojnë emigracionin duke kufizuar të drejtat themelore.
    Në një intervistë ekskluzive për The Guardian, O’Flaherty e konsideroi lidhjen mes emigracionit dhe kriminalitetit si një “korrelacion të përtueshëm” që nuk përputhet me realitetin.
    “Çdo tërheqje e vogël do të kërkojë një tjetër më të madhe. Ku do të ndalet kjo? Aktualisht fokusi është kryesisht tek emigrantët, por kush do të jetë objektivi herën tjetër?”, pyeti ai.
    Ai theksoi rëndësinë që politikanët të nënvizojnë parimet themelore të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), si universialiteti i të drejtave të njeriut dhe barazia mes njerëzve. “Idetë për të krijuar ose mbështetur përshtypjen e një hierarkie njerëzish, disa më të merituar se të tjerët, janë jashtëzakonisht shqetësuese”, tha O’Flaherty.
    Komentet e tij vijnë pas lëvizjeve të disa qeverive të forta europiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, për të kufizuar ligjet mbi të drejtat e njeriut dhe për të mundësuar marrëveshje emigracioni në stilin e Ruandës me vende të treta dhe dëbime më të lehta të kriminelëve të huaj.
    Një deklaratë jozyrtare e nënshkruar nga 27 nga 46 anëtarët e Këshillit të Europës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Hungarinë dhe Italinë, kërkon gjithashtu një kuadër të ri për konventën europiane të të drejtave të njeriut, duke ngushtuar përkufizimin e “trajtimit çnjerëzor dhe degradues”.
    Deklarata u përgatit pas një takimi të Këshillit në Strasburg të mërkurën, 10 dhjetor, dhe synon ndryshimin e mënyrës se si ligji zbatohet në çështjet e migracionit. Sipas deklaratës, neni 3 i konventës, që ndalon “trajtimin çnjerëzor ose degradues”, duhet të “kufizohet vetëm për çështjet më serioze, pa penguar shtetet anëtare të marrin vendime proporcionale për deportimin e kriminelëve të huaj, përfshirë rastet që lidhen me kujdesin shëndetësor dhe kushtet e burgimit”.
    Po ashtu, propozohet që neni 8 të “rregullohet” në lidhje me kriminelët, duke u dhënë më shumë rëndësi natyrës dhe seriozitetit të veprës së kryer dhe më pak lidhjeve të tyre me vendin pritës. Këshilli ka vendosur të mblidhet sërish në maj për të nxjerrë një deklaratë politike që, edhe pse nuk ka fuqi ligjore, mund të ndikojë në jurisprudencën europiane.
    Figura të larta të Partisë Laburiste kanë shprehur shqetësim për këto plane. Lord Alf Dubs, i cili erdhi në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kindertransport në 1939, tha: Kam frikë se kjo është vetëm fillimi për të kufizuar të drejtat e njeriut. Shumë varet nga detajet dhe interpretimi, por fakti që 27 vende po bashkohen për këtë është shqetësues.
    Avokatja për të drejtat e njeriut, Baroness Shami Chakrabarti, tha: Rivlerësimi ose justifikimi i trajtimit çnjerëzor dhe degradues godet thelbin e të drejtave dhe lirisë pasluftës.
    Veronika Fikfak, profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare në University College London, paralajmëroi se ndryshimet e propozuara do të prekin ata që arrestohen gjatë protestave ose mbahen në kushte të vështira.
    Akiko Hart, drejtoreshë e organizatës Liberty, tha se qeveria “rrezikon të na çojë në një rrugë pa kthim duke vënë në rrezik kuadrin ligjor që na mbron të gjithëve”.
    Disa politikanë kanë mbështetur ndryshimet. Lord Hain, ish-ministër laburist, tha: Do të isha kundër tërheqjes nga ECHR, që do ta linte Britaninë të izoluar, por gjetja e një mënyre për të kufizuar tepricat e Gjykatës së Strasburgut është një qasje më kreative dhe e realizueshme brenda traktatit dhe ligjit.
    Po ashtu u raportua të mërkurën se një ministër i lartë qeveritar nuk përjashtoi “pengimin e vogël i anijeve” në Kanal. Yvette Cooper, sekretarja e jashtme, tha se qeveria do të shqyrtojë çdo mekanizëm që funksionon në mënyrë efektive dhe të sigurt.
    Ndryshe nga Tories dhe Reform UK, Partia Laburiste mbetet e angazhuar për qëndrimin brenda ECHR, e cila u hartua pas Luftës së Dytë Botërore. Që nga zgjedhjet e përgjithshme, mbështetja për Laburistët ka rënë, pjesërisht për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e migracionit, përfshirë kalimet e vogla të anijeve në Kanal.

  • Zbardhet dëshmia e Ilir Metës në GJKKO: Po më shkelen të drejtat kushtetuese, po mbahem në paraburgim pa të drejtë!

    Zbardhet dëshmia e Ilir Metës në GJKKO: Po më shkelen të drejtat kushtetuese, po mbahem në paraburgim pa të drejtë!

    Ish-presidenti i Republikës Ilir Meta kërkoi sot në seancën paraprake që u mbajt për dosjen e tij në GJKKO që të njihet me fashikullin e hetimit ndaj tij. 
    “Dua të njihem me fashikullin e hetimit. Jeni të lutur të më vendosni në dispozicion materialet”, u shpreh Ilir Meta gjatë seancës sot (5 dhjetor). 
    Gjithashtu Meta tha se po i shkelen të drejtat kushtetuese, teksa kërkoi me ngulm që t’i jepen aktet e hetimit. 
    Ai tha se po mbahet me pa të drejtë në paraburgim, pasi sipas tij ai nuk përbën rrezik për prishje të provave apo intimidim të dëshmitareve. 
    Ilir Meta: Po më shkelen të drejtat kushtetuese , duke mos më dhënë aktet, duke mos më vendosur asnjë provë qe unë të bëj prapësimet. Po mbahem në paraburgim pa të drejtë sepse nuk kam asnjë mundësi reale të prish provat, të intimidoj dëshmitarët, s’kam publik dhe asnjë mundësi reale të prish provat. 
    Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua sot seanca paraprake për presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Metën, për të vendosur nëse dosja do të kalojë ose jo për gjykim apo do të rikthehet për hetime të mëtejshme. 
    Kujtojmë se në përfundim të seancës GJKKO vendosi të shtyjë çështjen e Ilir Metës për më datë 22 dhjetor.  Gjykata urdhëroi SPAK-un t’i dërgojë fashikujt e dosjes brenda javës. 
    Akuzat që rëndojnë ndaj Metës 
    Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë. 
    Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019. 
    Sipas njoftimit SPAK, akuza të ngjashme ka edhe ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi. 
    Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho ndodhet në arrest shtëpie për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa Ema Çoku- një financuese e LSI ndodhet në masën e detyrimit për paraqitje para oficerëve të policisë gjyqësore për akuzën e pastrimit të parave. 
    Meta dhe Kryemadhi i mohojnë akuzat dhe e konsiderojnë hetimin kundër tyre si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri. 
    Hetimi është regjistruar në vitin 2019 në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda bazuar në kallëzimin penal të depozituar nga juristi Romeo Kara lidhur me veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në zbatimin e kontratës së CEZ-DIA. Në vitin 2022, dy kallëzime të tjera janë depozituar në SPAK nga ish-deputeti Halit Valteri dhe avokati Ideajet Beqiri, kallëzime këto që janë bashkuar në një çështje. Procedimi i bashkuar është emërtuar me numrin.55 të vitit 2019. 

  • “Po më shkelen të drejtat”, Gjykata urdhëron SPAK t’i japë Ilir Metës fashikujt e dosjes

    “Po më shkelen të drejtat”, Gjykata urdhëron SPAK t’i japë Ilir Metës fashikujt e dosjes

    Ilir Meta po gjykohet për korrupsion në Gjykatën e Posaçme, dhe ka kërkuar që të njihet me aktet e dosjes së tij që sipas tij nuk i janë venë në dispozicion.
    Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e tij dhe të shtyjë seancën paraprake për më 22 dhjetor. Ajo urdhëroi SPAK që t’i vërë në dispozicion Metës fashikujt e dosjes, brenda javës.
    “Po më shkelen të drejtat kushtetuese. Duke mos më dhënë aktet, duke mos më vendosur në dispozicion asnjë provë, nuk mund të bëj prapësimet. Po mbahem në paraburgim pa të drejtë sepse nuk kam asnjë mundësi reale të prish provat dhe të intimidoj dëshmitarët. Nuk kam asnjë mundësi reale të dëmtoj provat”, citohet të ketë thënë Meta në sallën e gjyqit.

  • Blushi publikon konkluzionet e Av. të Popullit/ Kufizimet ndaj Metës alogjike dhe në kundërshtim me ligjin

    Blushi publikon konkluzionet e Av. të Popullit/ Kufizimet ndaj Metës alogjike dhe në kundërshtim me ligjin

    Sekretari i Përgjithshëm Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka publikuar konkluzionet e hetimit të Institucionit të Av. të Popullit në lidhje me trajtimin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e IEPV ” Jordan Misja”.
    Blushi thotë se pas hetimit administrativ të kryer nga Av. i Popullit, është konstatuar se kufizimi i takimeve të Z. Meta në vetëm katër takime në muaj, pa marrë parasysh rrethanat individuale, statusin e tij shoqëror dhe politik përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë familjare dhe të së drejtës për tu organizuar politikisht.
    Avokati i Popullit, ka konstatuar se ndalimi i vizitave për takim me Z. Meta, të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Eurodeputetëve, duke kërkuar gjoja një miratim paraprak formal nga prokurori, është në kundërshtim me ligjin dhe me standardet ndërkombëtare, përfshi dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
    Gjithashtu avokati i Popullit, ka konstatuar se kufizimi i telefonatave të Z. Meta me drejtuesit e partisë, nuk është kryer sipas kritereve të parashikuara në ligj dhe gjithashtu është konstatuar se pengesat e vendosura ndaj Z. Meta për komunikimin e tij me median, janë një shkelje flagrante e ligjit, e Kushtetutës dhe e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të gjitha konstatime të denoncuara dhe që i japin të drejtë gjithë shqetësimeve të bëra publike nga Partia e Lirisë dhe nga vetë Z. Meta.

    Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi.
    Përshëndetje!
    Jemi sot në këtë komunikim me publikun, për të bërë të ditur konkluzionet e hetimit të Institucionit të Av. të Popullit në lidhje me trajtimin kriminal të Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, në ambientet e IEPV ” Jordan Misja”.
    Sot do publikojmë gjetjet e raportit më të fundit të Av. të Popullit, që konfirmon shkeljen flagrante të Konventës Europiane për Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi, sa i përket mënyrës të trajtimit çnjerëzor të Z. Meta në IEPV-në “Jordan Misja”, ku ai ndodhet i burgosur politik pa fakte dhe pa prova penale, prej më shumë se një viti.
    Një tjetër ky akt zyrtar shumë i rëndë që trondit themelet e Shtetit të së Drejtës dhe ekspozon në dritë të diellit fytyrën kriminale të shtetit represiv të Edi Ramës dhe keqpërdorimit prej tij të Institucioneve të Drejtësisë dhe vuajtjes së dënimit, thjesht dhe vetëm në funksion të ndërtimit të një regjimi arbitrar, represiv dhe policor.
    Konkretisht, pas hetimit administrativ të kryer nga Av. i Popullit, në lidhje me ankesën që unë, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, kam bërë ndaj këtij institucioni, në lidhje me trajtimin e Z. Meta në IEPV “Jordan Misja “, Av. i Popullit ka konstatuar se kufizimi i takimeve të Z. Meta në vetëm katër takime në muaj, pa marrë parasysh rrethanat individuale, statusin e tij shoqëror dhe politik përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë familjare dhe të së drejtës për tu organizuar politikisht.
    Avokati i Popullit, ka konstatuar se ndalimi i vizitave për takim me Z. Meta, të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Eurodeputetëve, duke kërkuar gjoja një miratim paraprak formal nga prokurori, është në kundërshtim me ligjin dhe me standardet ndërkombëtare, përfshi dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
    Avokati i Popullit, ka konstatuar se kufizimi i telefonatave të Z. Meta me drejtuesit e partisë, nuk është kryer sipas kritereve të parashikuara në ligj dhe gjithashtu është konstatuar se pengesat e vendosura ndaj Z. Meta për komunikimin e tij me median, janë një shkelje flagrante e ligjit, e Kushtetutës dhe e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të gjitha konstatime të denoncuara dhe që i japin të drejtë gjithë shqetësimeve të bëra publike nga Partia e Lirisë dhe nga vetë Z. Meta, sa i përket mënyrës çnjerëzore të trajtimit të tij në burgun politik të Edi Ramës.
    Konkretisht po ndalem në të katërta çështjet.
    Së pari, në konkluzionet e Av. të Popullit lidhur me ankesën, që unë si Sekretar i Përgjithshëm kam bërë pranë këtij institucioni, sa i përket moslejimit të vizitave të lejuara për takim me Z. Meta, Av. i Popullit konstaton se, lexoj raportin:
    Legjislacioni ka parashikuar një minimum të garantuar takimesh mujore me familjarë ose me persona të ndryshëm nga anëtarët e familjes, por ky minimum takimesh, thuhet në raportin e Av. të Popullit, nuk duhet të kthehet në një standard të ngurtë dhe të zbatueshëm për IEPV-në dhe ç’është më e rëndë akoma, Av. i Popullit, konstaton se refuzimi dhe moszbatimi i të drejtës së Z. Meta për të zhvilluar më shumë se katër takime në muaj, thuhet në raportin e Av. të Popullit, nuk gjen mbështetje në ligj.
    Gjithashtu, dua të saktësoj, referuar gjithmonë konstatimeve shumë tronditëse të Av. të Popullit, se si rregull, thuhet pra në këtë raport, të paraburgosurit duhet të kenë një regjim më të lirë dhe më të gjerë për gëzimin e të drejtave edhe për shkak të aplikimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.
    Gjithashtu, ky interpretim, pra interpretimi se nuk lejohen më shumë se katër takime në muaj, thuhet shprehimisht në raportin e Av. të Popullit, është qartazi alogjik dhe i kundërt me vet ligjin dhe i kundërt me standardet ndërkombëtare.
    Av. i Popullit, për këtë çështje, sjell në vëmendje dhe rrjedhimisht citon nenin 46, pika 1, ku parashikohet se kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo lloj qëllimi të ligjshëm, i sjellë në këtë raport pikërisht si një nga nenet e Kushtetutës të shkelur në mënyrë arbitrare nga IEPV ” Jordan Misja” Dhe po ashtu sjell në vëmendje nenin 11 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që parashikon se çdo kush ka të drejtën e tubimit paqësor si dhe të drejtën themelimit me të tjerë të Sindikatave dhe pjesëmarrjes në to për mbrojtjen e interesave të tij.
    Ndaj, konkluzion në raportin e Av. të Popullit, kufizimi i takimeve të Presidentit të Partisë së Lirisë me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj force politike, gjoja mbështetur në legjislacion, në fakt përbën, e cilëson vet raporti i Avokatit të Popullit, kufizim të pajustifikuar në ligj të ushtrimit të së drejtës së tij politike të organizimit.
    Në lidhje me çështjen e dytë, sa ju përket vizitave pa autorizim të gjithë atyre të cilët duan dhe kanë shprehur interes të takohen me Z. Meta në ambientet e paraburgimit te IEPV “Jordan Misja”, veçanërisht të deputetëve dhe eurodeputetëve, që siç e kemi denoncuar, nuk kanë të drejtë të kërkojnë autorizim paraprak nga prokurori, por sikundër konstaton edhe Av. i Popullit, referuar gjithmonë ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, kjo është një e drejtë që deputetëve veçanërisht, por edhe Eurodeputetëve nuk duhet tu mohohet.
    Av. i Popullit konstaton se neni 5 i ligjit për të drejtat e të paraburgosurve, parashikon se disa zyrtarë dhe persona që mund ti shoqërojnë ata, të listuar sipas pikës 1 dhe 2 të këtij neni, mund të vizitojnë në IEPV pa autorizimin e prokurorit dhe sipas nenit 45 të po këtij ligji, IEPV duhet tu mundësojë deputetëve dhe eurodeputetëve takime konfidenciale me të burgosurit.
    Avokati i Popullit, konstaton se deputetët, pra të përfshirë shprehimisht në nenin 51 të ligjit për të drejtat e të paraburgosurve, mund të marrin takim me të paraburgosurit pa autorizim me shkrim të prokurorit.
    Avokati i Popullit, përcakton se ky detyrim buron rrjedhimisht nga neni 3 dhe 8 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut nga protokolli opsional i Konventës kundër torturës dhe trajtimit ose dënimit të egër çnjerëzor ose poshtërues si dhe nga rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.

  • Gjykata e Strasburgut/ Shkarkimi i ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi i padrejtë

    Gjykata e Strasburgut/ Shkarkimi i ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi i padrejtë

    Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) ka vendosur se shkarkimi i ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, nga procesi i vetingut ishte i padrejtë.
    Sipas vendimit të gjykatës, organet e vetingut nuk respektuan standardet minimale të transparencës, arsyetimit dhe të drejtës për mbrojtje, duke shkelur nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i cili garanton të drejtën për një proces të drejtë.
    Më herët, GJKKO e shpalli Selimin të pafajshëm për akuzën e ngritur nga SPAK për refuzim të deklarimit dhe fshehje të pasurisë.
    Në vendimin e publikuar nga GJEDNJ, theksohet se gjykata rrëzoi pjesën tjetër të kërkesës së Selimit për kompensim, por detyroi shtetin që brenda 3 muajve t’i paguajë 6,500 euro për shpenzimet e procesit gjyqësor.
    “Gjykata njëzëri i shpall të pranueshme ankesat në lidhje me të drejtat e aplikantit për një proces të drejtë gjyqësor dhe për respektimin e jetës private;
    -Vendos se ka pasur shkelje të Nenit 6, 1 të Konventës;
    -Vendos se nuk ka nevojë të shqyrtohet ankesa sipas Nenit 8 të Konventës;
    Vendos se konstatimi i një shkeljeje përbën në vetvete shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për çdo dëm jomaterial të pësuar nga aplikanti;
    Mban
    (a) që Shteti i paditur duhet t’i paguajë kërkuesit, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi bëhet i formës së prerë në përputhje me Nenin 44 , 2 të Konventës, 6,500 euro (gjashtë mijë e pesëqind euro), plus çdo taksë që mund t’i ngarkohet kërkuesit, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, të cilat duhet të konvertohen në monedhën e Shtetit të paditur me kursin e zbatueshëm në datën e pagesës;
    (b) që nga skadimi i tre muajve të lartpërmendur deri në shlyerje, interesi i thjeshtë do të paguhet mbi shumën e mësipërme me një normë të barabartë me normën marxhinale të huadhënies së Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagesës, plus tre pikë përqindjeje;
    Rrëzon pjesën tjetër të kërkesës së aplikantit për shpërblim të drejtë”, thuhet në vendimin e GJEDNJ.

  • Kuvendi në krah të minatorëve, deputetët e PD e të PS kërkuan mbështetjen dhe verifikimin e kushteve të punës

    Kuvendi në krah të minatorëve, deputetët e PD e të PS kërkuan mbështetjen dhe verifikimin e kushteve të punës

    Të majtë e të djathtë sot u rreshtuan në të njëjtën anë, në mbështetje të minatorëve të Spaçit, të cilët prej javësh kanë hyrë në grevë duke denoncuar kushte të rënda pune, paga të pabarabarta dhe shkelje të të drejtave sindikale.

    Në Komisionin për të Drejtat e Informimit, deputetët e PS-së dhe PD-së akuzuan kompaninë koncesionare për intimidim ndaj punëtorëve, shkelje të kushtetutës dhe mospërmbushje të detyrimeve të investimeve.
    “Kompania turke ka cenuar këtë të drejtë legjitime të qytetarëve të punësuar në këtë kompani. Trajtimi I diferencuar pagave me turqit dhe shqiptarët. Me listëpagesën po ka një diferencë ndonëse ju thatë sapo e verifikuam. Çdo punonjës turk merr 2 apo 3 herë më shumë se shqiptarët. Ka një kërkesë për revokim të lejes nga shërbimi gjeologjik për shkak se kompania nuk ka realizuar masën e  investimeve. Ka realizuar gjithsej vetëm 1.4% të investimeve në total të planifikuara për 2 vite. A e keni verifikuar këtë gjë?”, u shpreh deputeti i PD, Gazment Bardhi.
    “Diferencimi pagës është shkelje e rëndë shumë. Qëllimi i mirë është kjo situatë të marrë zgjidhje dhe jo në dëm të drejtave kushtetuese, por në zbatim të tyre. Të 67 të kthehen në punë ku ishin dhe të ulen të diskutojnë pa negociuar të drejtat kushtetuese. Rrogat e tyre të negociohen me normën e inflacionit”, tha Braçe.
    Deputeti i PS, Ardit Bido tha: “Pagat e turqve dyfish më shumë se shqiptarët për të njëjtën pozicion pune. Nuk kemi të bëjmë me orë shtesë që ndodhin nganjëherë por ndodh vazhdimisht.”
    Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, sqaroi se pse inspektimet e thelluara nuk janë kryer ende. Ndërsa tha se pagat, indeksimi i tyre sipas inflacionit dhe ditët shtesë të punës do të verifikohen: “Të gjithë punonjësit kanë të drejtën e grevës. Ne jemi të njoftuar për konfliktin, por për shkak të procedurave gjyqësore dhe njoftimit të grevës, nuk kemi mundësi të kryejmë inspektime të plota. Organizimin sindikal e mbështesim. Pagat, listëpagesat, indeksi i inflacionit dhe kushtet e punës do të verifikohen. Sipas inspektimeve të mëparshme, minatorët rezultojnë të siguruar, por çdo element, përfshirë diferencimin e pagave apo ditët shtesë, do të shqyrtohet.”
    Ndërsa palët politike kërkojnë urgjencë në zgjidhje, minatorët insistojnë se do të vazhdojnë grevën derisa të garantohen të drejtat e tyre kushtetuese dhe trajtimi i barabartë në punë.

    Top Channel

  • Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi paraqitet në SPAK

    Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi paraqitet në SPAK

    Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi është paraqitur mëngjesin e kësaj të marte në Prokurorinë e Posaçme, SPAK.
    Nuk dihet ende arsyeja e thirrjes së tij në Prokurorinë e Posaçme.
    Kjo është hera e dytë që Bylykbashi shkon në SPAK.
    Bylykbashi është paraqitur herën e parë në  SPAK për të kallëzuar për aplikacionin  Aktivisti. Bylykbashi u shpreh se kallëzimi është kryer për të gjithë zyrtarët e lartë, duke nisur nga vetë kryeministri. Ai kërkon nga SPAK që të veprojë pasi ky aplikacion ka të bëjë me kontrollin e zgjedhëse.
    “Duhet të vihen para drejtësisë ata që po pengojnë të drejtat e zgjedhësve. Nuk mund të tërhiqet zvarrë një çështje  e tillë. Një kontroll sistematik me një plan kriminal. Ne kërkojmë që nëpërmjet veprimit të SPAK të ndalet dh të vihet përpara përgjegjësisë të gjithë këta individë që po dhunojnë sot të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Mjafton të lexoni raportin e ODIHR-it, duhet të ndalet menjëherë. Ne kemi dorëzuar provat që kemi në dispozicion, pjesa tjetër sete barra e prokurorisë. Punonjësit e administratës janë nën presion, shkelje flagrante për të drejtat e zgjedhësve. Kjo është detyra e SPAK, për t’i vënë para drejtësisë. Do ta depozitojmë me postë që mos ketë më alibi.”- tha në atë kohë Bylykbashi.

  • RTSH synon ndeshjet e Kombëtares, ironia e Xhafajt: Ishalla s’ju bie telefoni që të hiqni dorë

    RTSH synon ndeshjet e Kombëtares, ironia e Xhafajt: Ishalla s’ju bie telefoni që të hiqni dorë

    Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, theksoi se transmetimi i ndeshjeve të Kombëtares mbetet një kërkesë e vazhdueshme e publikut dhe një objektiv prioritar për televizionin publik. Ai bëri të ditur se RTSH do të hyjë në tenderin e radhës të UEFA-s me një ofertë të synuar për të siguruar të drejtat ekskluzive të transmetimit. Sipas tij, konkurrenca është e fortë, por besimi për sukses është i plotë.
    “Ky është problem i madh edhe për ne, është kërkesë e vazhdueshme e publikut. Është e panatyrshme që Kombëtarja shqiptare e Futbollit edhe në këto ditë performance të shkëlqyer, të mos transmetohet në kanalet e RTSH.
    Ne ia kemi dalë të marrim Kampionatin kombëtar të futbollit, të drejtat ekskluzive, dhe jemi përpara, shumë afër tenderit të radhës që organizohet nga UEFA për të drejtat televizive të ndeshjeve të Kombëtares së Futbollit. Po bëjmë maksimumin për të bërë një ofertë që do ia dalë të fitojë të drejtat e Kombëtares shqiptare të Futbollit për RTSH. Tregu është agresiv, konkurrenca është e lartë por kemi bindjen e plotë se këtë radhë do ia dalim”, u shpreh Hoxhalli.
    Por kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj u duk më pak entuziast, duke hedhur një aludim të drejtpërdrejtë për presion të mundshëm politik.
    “Ishalla nuk ju vjen ndonjë telefonatë që të hiqni dorë nga pretendimi juaj”, tha Xhafaj, me skepticizmin që ta imponon eksperienca në këto raste.

  • Ligji për barazinë gjinore, ambasadorja franceze: Të drejtat e njeriut, vlera themelore të BE-së

    Ligji për barazinë gjinore, ambasadorja franceze: Të drejtat e njeriut, vlera themelore të BE-së

    Ambasadorja e Francës, Catherine Suard, gjatë një vizite në Korçë, sot më 10 nëntor, komentoi disa çështje të rëndësishme politike në vendin tonë. 
    Duke komentuar ligjin mbi barazinë gjinore, ambasadorja  Suard u shpreh se të drejtat e njeriut qëndrojnë në themel të vlerave të Bashkimit Europian. 
    “Ajo që mund të them është që të drejtat e njeriut, mosdiskriminimi kundrejt çdo lloj njeriu dhe popullsisë dhe barazia e gjinive janë vlerat thelbësore të Bashkimit Europian. Nuk ka një direktivë të BE-së, të gjitha tekstet e BE-së mbrojnë të drejtat njerëzore dhe mungesën e diskriminimit; është zemra e të drejtës në BE dhe është zemra e diplomacisë franceze gjithashtu”, tha ambasadorja. 
    Suard foli edhe për raportin e fundit të Këshillit të Europës mbi standardet e BE-së në Shqipëri. Ajo u shpreh se raporti ishte pozitiv. 
    “Raporti që u publikua së fundmi ishte shumë pozitiv, ku u nënvizua edhe nga autoritetet e tjera dhe komisionerë të NATO-s, si dhe nga përfaqësues të tjerë të BE-së, përfaqësues të politikës së jashtme, kryeministri, ambasadori i BE-së në Shqipëri. Është një raport pozitiv që tregon progresin dhe merr parasysh gjithë progresin e paprecedent që është bërë deri tani me Shqipërinë. Ajo që është e qartë është gjithashtu se kjo qasje duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen duke inkurajuar reformat dhe duke vazhduar në këtë rrugë”, deklaroi ajo. 
    Ambasadorja shtoi se sfida nuk përfundon vetëm me miratimin e ligjeve. 
    “Përtej teksteve ligjore, këto reforma dhe ligje duhen zbatuar. Kontrolli dhe mënyra se si do të aplikohet kjo normë dhe këto ligje tek qytetarët dhe aktorët e ndryshëm, përfshirë dhe ata ekonomikë, ka tepër rëndësi e në këtë drejtim, ka ende shumë punë për të bërë. Jam shumë besimplotë se Shqipëria do jetë në gjendje të arrijë objektivat e saj dhe ne jemi në dispozicionin e vendit, për ta ndihmuar, por është një punë shumë e vështirë. Duhet që të gjithë të kontribuojnë, klasa politike dhe parlamenti”, deklaroi Suard. 
    Sa i përket SPAK, ambasadorja e Francës e cilësoi atë si një institucion të besueshëm dhe nga ndërkombëtarët. 
    “SPAK është rezultati emblematik i reformës në drejtësi në Shqipëri. Është një mjet i jashtëzakonshëm, i cili është zhvilluar shumë dhe sot është një mjet që jep një indikator të rëndësishëm ndaj sistemeve tona të drejtësisë. Nuk është vetëm një institucion që merr informacione nga jashtë, por është një institucion që është kthyer tashmë partner i plotë me sistemet tona të sigurisë, informacionit dhe bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar. Pra, është një rezultat i jashtëzakonshëm që varet shumë edhe nga personaliteti që ka në krye dhe shpresoj se do të vazhdojë tradita, edhe me ndryshimet e fundit të drejtuesve të SPAK”, u shpreh ajo. 
    Ambasadorja Suard deklaroi se Franca do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e reformave, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të tyre dhe kontributin e të gjithë aktorëve politikë e shoqëror.