Dosja penale e njohur si “5D” do të gjykohet me procedurë të zakonshme dhe i gjithë grupi i të pandehurve do të përballet së bashku me drejtësinë. Trupa gjykuese e çështjes ka rrëzuar kërkesat e disa prej të pandehurve për ndarje të procedimit, duke vendosur që çështja të vijojë në një proces të unifikuar për të gjithë të akuzuarit.
Për shtatë të pandehur tre ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, Redi Molla, Taulant Tusha dhe Mariglen Qato, si dhe Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku dhe Nestor Muhametllari gjykimi në themel do të nisë në ditët në vijim.
Më herët, gjykata kishte rrëzuar edhe kërkesën e të pandehurve për të përfituar nga gjykimi me procedurë të shkurtuar.
Të arrestuar në mars të vitit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ish-zyrtarët e lartë të Bashkisë Tiranë u lanë në masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa pesë persona të tjerë u lanë në masën “detyrim paraqitjeje”. Këta janë: Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhametllari, Deborah Keçi dhe Englatina Zere.
Ndërkohë, Keçi dhe Zere, së bashku me disa anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), janë veçuar nga dosja kryesore dhe do të gjykohen veçmas.
Sipas hetimeve të SPAK, Mariglen Qato dhe Redi Molla janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme një sërë tenderësh pranë Bashkisë Tiranë. Organi i akuzës ka identifikuar gjithsej 11 procedura tenderimi të fituara nga kjo kompani gjatë periudhës 2016–2022.
Kompania “5D” rezulton se është e regjistruar dhe operon edhe me emrat “Igor Electric” dhe “Vas Construction”.









