Tag: donjeckut

  • Ukraina kryen sulme ajrore në dy qytete në pjesën e pushtuar të Donjeckut

    Ukraina kryen sulme ajrore në dy qytete në pjesën e pushtuar të Donjeckut

    Forcat ukrainase kanë kryer sulme me dronë dhe raketa ndaj dy qyteteve në pjesët e pushtuara të rajonit lindor të Ukrainës, Donjeck, mbrëmjen e së hënës.

    Dy njerëz u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën në këto sulme, sipas Denis Pushilin, kreut të vendosur nga Rusia në rajonin e Donjeckut. Forcat ukrainase goditën shënjestrat në qytetin Donjeck dhe në Makivka, një qytet industrial në veri të rajonit të Donjeckut, tha Pushilin të hënën vonë.
    Zyrtarë të sigurisë në zonat e pushtuara thanë se të paktën 20 dronë u përdorën në dy sulmet dhe se njësitë e mbrojtjes ajrore u aktivizuan. Agjencitë ruse të lajmeve cituan zyrtarët të kenë thënë se shpërthimet u dëgjuan në të gjithë qytetin Donjeck.
    Një ndërtesë banimi nënteksteshe në Makivka u godit nga një dron, dhe video në rrjete sociale shfaqën sulme me raketa, përfshirë ndaj një fabrike të dikurshme të sistemeve ushtarake të mbikëqyrjes në Donjeck.
    Zyrtarët ukrainas nuk i kanë komentuar këto sulme.
    Forcat ruse kontrollojnë rreth 75 për qind të rajonit të Donjeckut dhe po bëjnë përpjeke ta pushtojnë edhe pjesën e mbetur të tij.
    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e tij të mbrëmjes të hënën se forcat ruse po i përqendrojnë sulmet e tyre kundër sektorit energjetik ukrainas.
    Këshilltari kryesor i Zelenskyt, Andriy Yermak, tha se kishte biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me sulmet ruse ndaj qyteteve dhe ndërtesave të banimit në Ukrainë. Ai gjithashtu mori pjesë në një videokonferencë me këshilltarët e sigurisë kombëtare të Britanisë, Gjermanisë, Italisë dhe Francës për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën.
    Yermak tha se qëndrimi i Ukrainës përballë agresionit rus duhet të forcohet pas sulmit ndaj një ndërtese qeveritare gjatë fundjavës, e cila u godit gjatë sulmit më të madh ajror rus ndaj Ukrainës.
    Kjo ishte hera e parë që nga nisja e pushtimit të plotë në shkurt 2022 që forcat ruse goditën një ndërtesë qeveritare në Kiev.
    “[Presidenti rus Vladimir] Putin e kupton vetëm forcën, nuk dëshiron të ndalojë luftën. Është e nevojshme të vazhdojë presioni ndaj Federatës Ruse”, shkroi Yermak në Telegram.
    Mbështetje shtesë për Ukrainën, sidomos mbrojtje ajrore dhe sanksione shtesë ndaj Rusisë, u diskutuan me këshilltarët evropianë, tha Yermak.
    Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë fundjavës tha, pa dhënë hollësi, se ishte i gatshëm të kalonte në fazën e dytë të sanksioneve ndaj Rusisë.
    I dërguari i BE-së për sanksione ndodhet në Uashington me një ekip ekspertësh për të diskutuar hapat e parë të koordinuar mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë që nga kthimi i Trumpit në detyrë.
    Trump, i cili premtoi kur mori detyrën në janar se do ta përfundonte shpejt luftën, ka vendosur disa herë afate për Moskën që ta pranonte armëpushimin ose të përballej me sanksione më të ashpra, por është tërhequr nga kërcënimi çdo herë./REL

    Top Channel

  • Pse Donbasi është kaq i rëndësishëm për Putinin?

    Pse Donbasi është kaq i rëndësishëm për Putinin?

    Vladimir Putin po kërkon që ushtria ukrainase të tërhiqet nga Donbasi. Po pse është Donbasi kaq i rëndësishëm për Putinin?
    Këto janë ende raportime të pakonfirmuara mediatike, por që po shkaktojnë debate të nxehta në SHBA dhe Evropë: Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump kanë rënë dakord në samitin e tyre në Alaska që Ukraina t’ia dorëzonte rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut Rusisë. Por a mund t’i imponohet një hap i tillë Ukrainës?

    Kërkesa e Putinit është që forcat e armatosura ukrainase të tërhiqen plotësisht nga rajoni i Donbasit. Në këmbim, presidenti rus ofron ngrirjen e operacioneve luftarake përgjatë vijës së mbetur të frontit – veçanërisht në rajonet Kherson dhe Zaporozhye, ku trupat ruse gjithashtu mbajnë territor të konsiderueshëm.
    Afërsia me RusinëPutini ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e rajoneve të Donjeckut dhe Luhanskut, të cilat së bashku përbëjnë të ashtuquajturin Donbas. Sipas tij, rajoni ka lidhje historike me Rusinë dhe trashëgiminë e Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, ky territori i përket ligjërisht Ukrainës dhe kjo nuk u diskutua as gjatë epokës sovjetike.
    Ndërsa gadishulli i Krimesë iu dha Ukrainës vitin 1954 nga kryeministri i atëhershëm sovjetik Nikita Hrushçov – një fakt që ende diskutohet në Rusi – rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut kanë qenë pjesë e Ukrainës që nga themelimi i Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës në vitin 1919. Dhe kjo është konsideruar prej kohësh e padiskutueshme.
    Në të njëjtën kohë, Donbasi është karakterizuar gjithmonë nga ndikimi rus. Që në shekullin e 19-të, dhe më pas gjatë kohës sovjetike, ai konsiderohej një bërthamë industriale e pasur me burime natyrore. Gjatë viteve të lulëzimit të minierave të qymyrit, industrisë së çelikut dhe industrisë kimike, shumë njerëz nga e gjithë BRSS-ja, dhe veçanërisht nga Rusia, shkuan atje në kërkim të punës.
    Kështu, edhe para vitit 2014, shumica e popullsisë atje fliste rusisht; ndërsa qytetarët në pjesët perëndimore të vendit dëshironin lidhje më të forta me Bashkimin Evropian sesa me Moskën, kjo pjesë e Ukrainës lindore mbeti kryesisht pro-ruse. Viktor Janukoviç, ish-presidenti ukrainas i afërt me Kremlinin, lindi në Donjeck dhe kishte mbështetjen më të fortë në atë rajon.
    Donbasi, një pengesë që nga viti 2014Kur Janukoviçi u rrëzua në mes të Revolucionit të Maidanit në vitin 2014 dhe iku në Moskë, Donbasi u bë përfundimisht një mollë sherri midis Moskës dhe Kievit. Moska më pas aneksoi gadishullin e Krimesë, ndërsa trazirat filluan të përhapeshin në të gjithë Ukrainën lindore. Grupet e armatosura, të mbështetura nga armët dhe luftëtarët rusë, shpallën të ashtuquajturën”republika popullore” në Donjeck dhe Luhansk.
    Moska priste që ukrainasit rusishtfolës ta mbështesnin këtë, por kjo pritje doli të ishte një iluzion. Lufta separatiste në Ukrainën lindore u prit me refuzim. Në zgjedhjet presidenciale ukrainase të vitit 2019, votuesit mbështetën në masë dërrmuese Volodymyr Zelenskin – madje edhe në pjesët e Ukrainës lindore që mbetën nën kontrollin e Kievit.
    Vetë Zelenski u rrit duke folur rusisht, qëndrimi i tij se donte t’i jepte fund konfliktit pa hequr dorë nga sovraniteti i Ukrainës u mbështet gjerësisht. Donbasi ishte motivi kryesor për Vladimir Putinin në fillim të pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.
    Ai pretendoi se të vetëshpallurat “republika popullore” të Donjeckut dhe Luhanskut i kishin kërkuar ndihmë Moskës, duke justifikuar “operacionin e tij special ushtarak” në Ukrainë. Ai gjithashtu pretendoi se popullsia rusishtfolëse e pjesëve të Ukrainës lindore nën kontrollin e Kievit po përballej me “gjenocid”. Këto pretendime nuk janë provuar deri më sot.
    Pse juglindja e Ukrainës ka rëndësi të madhe gjeopolitikeSot, i gjithë Luhansku dhe rreth 70 përqind e Donjeckut janë nën kontrollin rus. Kjo do të thotë se rreth 88 përqind e të gjithë Donbasit është nën pushtimin rus. Vlerësohet se më shumë se katër milionë njerëz jetojnë në këto dy rajone.
    Atje jo vetëm që ka qymyr dhe xehe, por ka edhe rezerva të mëdha litiumi, kobalti, titaniumi dhe minerale të rralla që janë çelësi për prodhimin e mallrave të rëndësishme teknologjike.
    Për Rusinë, të dyja zonat janë edhe me rëndësi strategjike për shkak të lidhjes së tyre tokësore me Krimenë. Gadishulli është i arritshëm nga territori rus vetëm nëpërmjet të ashtuquajturës Ura e Kerçit.
    Nëse Donbasi do të bëhej pjesë e Rusisë, dhe vija e frontit në rajonet e Zaporozhye dhe Khersonit do të “ngrihej” – që do të thotë se ato do të mbeteshin nën pushtimin rus – Krimea do të ishte e arritshme për Rusinë edhe nga toka. Kjo do ta shkëpuste përgjithmonë Ukrainën nga Deti i Azovit – pjesa e Detit të Zi midis Krimesë dhe Rusisë.
    Donbasi si një brez fortifikimi ukrainasPër Ukrainën, Donbasi është gjithashtu me rëndësi të madhe – jo vetëm ekonomikisht. Në pjesët që janë ende nën kontrollin e Kievit, Ukraina ka formuar një të ashtuquajtur brez të fortifikuar. Kjo është vija mbrojtëse më e rëndësishme që e pengon Rusinë të depërtojë më thellë në Ukrainën qendrore.
    Këto janë disa qytete kyçe dhe pozicione të fortifikuara – Kramatorsk, Slavyansk ose Konstantinovka – të cilat Ukraina po i mban me ngulm pavarësisht humbjeve të mëdha. Pas këtij brezi mbrojtës janë fushat e gjera dhe të hapura të Ukrainës qendrore, të cilat pa një vijë mbrojtëse do të ishin jashtëzakonisht të lehta për sulme dhe ofensiva të reja ruse.
    Prandaj, për presidentin ukrainas Zelenski, dorëzimi i pjesëve të mbetura të Donbasit është jashtë çdo diskutimit – përveç nëse ka garanci sigurie të gjera dhe të forta.
    Por do të ishte pothuajse e pamundur për Zelenskin që ta zbatonte këtë dorëzim në nivelin politik të brendshëm. Nga njëra anë, kushtetuta e vendit e ndalon ta bëjë këtë. Nga ana tjetër, një masë e tillë do të ishte jashtëzakonisht e papëlqyeshme në Ukrainë: sipas një sondazhi nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë i Kievit, rreth 75 përqind e ukrainasve refuzojnë lëshimet territoriale ndaj Rusisë. DW

  • Ukraina urdhëron më shumë evakuime teksa Rusia shton presionin në fushëbetejë

    Ukraina urdhëron më shumë evakuime teksa Rusia shton presionin në fushëbetejë

    Ukraina urdhëroi më shumë evakuime në lindje, nga një qytet pranë zonës ku ushtria e Moskës bëri së fundi një përparim të shpejtë, teksa forcat ruse po shtojnë presionin para samitit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
    “Ne filluam evakuimin e detyrueshëm të familjeve me fëmijë nga qyteti Druzhkivka”, tha kreu i administratës ushtarake rajonale të Donjeckut, Vadym Filashkin, duke shtuar se katër fshatra të tjerë pranë qytetit u urdhëruan po ashtu që të evakuohen.
    Ai shtoi se 1.879 fëmijë janë ende në këto vendbanime.
    Më herët gjatë së enjtes, forcat ruse pretenduan se kanë marrë nën kontroll fshatin Iskra dhe qytezën Shçerbinivka në rajonin e Donjeckut.
    Rusia pretendon se në shtator të vitit 2022 e ka aneksuar rajonin e Donjeckut, që gjendet në lindje të Ukrainës.
    Ndërkaq, të martën forcat ruse përparuan me shpejtësi pranë qyteteve Dobropillia dhe Druzhkivka, që gjenden në vijën e frontit.
    Më herët gjatë javës, Ukraina po ashtu urdhëroi evakuimin e banorëve nga Billozerske, një tjetër qytezë jo shumë larg kësaj zone, ku rusët kanë bërë përparime në fushëbetejë.
    Këto përparime të Rusisë vijnë para se presidenti amerikan, Donald Trump, të takohet në Alaskë me homologun rus, Vladimir Putin, për përfundimin e luftës në Ukrainë, që Rusia e nisi më 2022.
    Udhëheqësi amerikan e ka paralajmëruar Rusinë për “pasoja shumë të rënda”, nëse nuk i jep fund luftës.