NEW YORK –Të pasurit do të kenë dyer të hapura në SHBA. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, prezantoi versionin e ri të shumëpërfolur të “Gold card”, një pasaporte hyrjeje e shpejtë me vlerë një milion dollarë, që i mundëson qytetarëve të huaj të pasur të jetojnë dhe punojnë në SHBA.
Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, i cili ishte i pranishëm në Zyrën Ovale me Trump kur u prezantua, e përshkroi programin e vizave si një mënyrë për të rritur investimet dhe të ardhurat. Lutnick tha se kjo lëvizje e re për emigracion mund të gjenerojë 100 miliardë dollarë, shifër që Trump sugjeroi se mund të përdoret për uljen e taksave dhe zvogëlimin e borxhit publik.
“Nga tani e tutje – njoftoi ai – do të mirëpresim vetëm njerëz të jashtëzakonshëm në nivelet e larta, dhe jo ata që kërkojnë të marrin punë nga amerikanët.”
Trump nuk ka sqaruar nëse gold card do të zëvendësojë vizën aktuale EB-5, atë për investitorët, që prej kohësh përdoret si rrugë për të pasurit me një investim prej 800 mijë dollarësh. Ekspertët ligjorë dhe avokatët e emigracionit vënë në dukje se presidenti nuk mund të krijojë një kategori të re vize pa miratimin e Kongresit. Gjithashtu, kjo mund të shkaktojë padi nga ata që ndihen të injoruar në procedurat e zakonshme.
Kjo është lëvizja e fundit e administratës për të rritur të ardhurat e Thesarit. Që nga fillimi i mandatit, Trump ka mbledhur miliarda përmes tarifave të reja, të paguara nga kompanitë që operojnë në SHBA, ka blerë një pjesë të aksioneve në Intel, ka kërkuar 15% të të ardhurave të Nvidia nga shitja e çipave në Kinë dhe ka lënë të kuptohet se shteti duhet të marrë një pjesë të të ardhurave nga patentat universitare.
Ndërkohë një tjetër lloj vize – “Trump Platinum Card” – mund të jetë së shpejti e disponueshme. Sipas faqes zyrtare të qeverisë, kjo do të kushtonte 5 milionë dollarë dhe do t’u lejonte mbajtësve të qëndronin deri në 270 ditë në SHBA pa paguar. Megjithatë, Trump nuk e ka përmendur.
Presidenti gjithashtu njoftoi vendosjen e një takse prej 100 mijë dollarësh për vizat H-1B, të destinuara për punëtorë të huaj me specializim të lartë, veçanërisht në sektorin e teknologjisë. India është vendi që ka përfituar më shumë nga kjo mundësi, ndërsa Kina renditet e dyta. Idetë për taksën prej 100 mijë dollarësh do të rëndojnë mbi kompanitë, por Trump ka deklaruar se Big Tech “do të jenë shumë të kënaqur”.
Gold card vjen në një kohë kur qeveria ka intensifikuar masat kundër emigrantëve, më pak të pasur, të paligjshëm dhe atyre që kanë hyrë nëpër programe speciale si Statusi i Përkohshëm i Mbrojtur dhe lejet humanitare. /Marre nga La Repubblica/









