Tag: dokumentar

  • Bill Gates bëhet pjesë e dokumentarit të regjisorit shqiptar, Tertini:Ja si u bë pjesëmarrës në “Pinocchio’s Harvard”

    Bill Gates bëhet pjesë e dokumentarit të regjisorit shqiptar, Tertini:Ja si u bë pjesëmarrës në “Pinocchio’s Harvard”

    Valmir Tertini është një regjisor shqiptar i njohur për qasjen e tij të veçantë në dokumentarë dhe kinema artistike, duke kombinuar rrëfime personale me dimensione kulturore dhe historike. Me projektet që ka realizuar në fushën e kinematografisë ai ka fituar vëmendje ndërkombëtare për aftësinë e tij, duke sjellë edhe histori të thjeshta në ekran me një vizion unik dhe emocional, siç shihet edhe në projektin e tij më të fundit, “Pinocchio’s Harvard”. Dokumentari më i ri nga regjisori shqiptar Valmir Tertini sjell historinë e Pinocchio’s, picerisë ikonike pranë Harvardit, e cila prej më shumë se gjashtë dekadash është shndërruar në një pikë-referimi për studentët dhe vizitorët e Harvardit. Por në dokumentarin e regjisorit Valmir Tertini është pjesëmarrës dhe Bill Gates një ndër njerëzit më të pasur në botë. Bill Gates është një sipërmarrës, programues dhe filantrop amerikan, i njohur më së shumti edhe si themelues i Microsoft-it, kompania më e madhe e softuerëve në botë. Një figurë kyçe në historinë e teknologjisë moderne dhe një nga filantropët më me ndikim në botë, që bëhet pjesë e dokumentarit të regjisorit shqiptar. Regjisori Valmir Tertini në intervistën për gazetën “SOT” ndërsa flet për punën me dokumentarin tregon se herë pas here, ish-studentët kthehen në Pinocchio, ku Mark Zuckerberg festoi ditëlindjen aty, ndërsa Bill Gates po xhironte ditarin e tij. Ky film dokumentar vjen në vijim të projekteve të regjisorit Tertini, i cili tregon se stili i xhirimit e bëri sfiduese historinë e tij. Por sa i takon Pinocchio’s që ndër vite është frekuentuar dhe nga emra që më pas do të bëheshin figura globale si Bill Gates dhe Mark Zuckerberg, klientë të rregullt në periudhën e studimeve të tyre, gjithashtu ky vend është vizituar edhe nga personalitete të Hollywood-it dhe politikës, ndër ta Matt Damon, Ben Affleck, Natalie Portman apo dhe Michelle Wu. “Pinocchio’s Harvard” prodhohet nga vivFilms dhe shënon iniciativën e parë zyrtare të studios në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pritet që të shfaqet për herë të parë në pranverën e vitit 2026.

    -Një projekt i ri nga ju si regjisor në filmin dokumentar ka marrë vëmendje, ku Bill Gates një figurë kyçe në historinë e teknologjisë moderne dhe një nga filantropët më me ndikim në botë është pjesëmarrës. “Pinocchio’s Harvard”, projekti që po ngjall vëmendje në industrinë e filmit në SHBA, por si lindi ideja për të realizuar këtë film dokumentar dhe pse ju tërhoqi historia e kësaj picerie ikonike pranë Harvardit?
    Në fillim mendova që kishte një dokumentar për Pinocchion. E kisha dëgjuar për herë të parë në serialin Suits, dhe pastaj, gjatë kërkimeve të mia që po bëj në Harvard, ku sigurisht vizitova edhe picerinë kureshtja m’u shtua. Së pari e pyeta Adamin nëse kishte vërtetë një dokumentar për Pinocchion. Ai më tha që shumë televizione kanë bërë story këtu, ka dalë në shumë portale, është përmendur në filma e seriale, por një dokumentar të mirëfilltë nuk ka. Unë i thashë që do ta bëj unë një dokumentar. Ai kërkoi njëherë emrin tim dhe, shumë shpejt, pranoi çfarë i propozova për dokumentarin.
    – Cila ishte sfida më e madhe gjatë procesit të kërkimit dhe dokumentimit të historisë së “Pinocchio’s”?
    Stili i xhirimit e bëri sfiduese historinë e dokumentarit. Është vëzhgues, pa narracion dhe pa intervista, dhe në atë ambient të vogël duhej të prisje që të hynte një student, një vizitor apo një kalimtar, që nga bisedat e tyre të kuptohej historia e picerisë ikonike të Harvardit.
    -Si arritët të përfshini personalitete të profilit të lartë si Bill Gates, në këtë projekt?
    Herë pas here, ish-studentët kthehen në Pinocchio. Mark Zuckerberg festoi ditëlindjen aty, ndërsa Bill Gates po xhironte ditarin e tij. Në bisedën me Françeskën arritëm që të përfshiheshim në dokumentar. Xhirimet kishin ndodhur kohë më parë, por ne duhej të prisnim që zyra e tij të na aprovonte një gjë të tillë.
    -A pati Bill Gates një koment të tij për punën tuaj me filmin dokumentar?
    Ai na uroi për punën që po bëjmë.
    -Në bisedë më parë rreth punës me dokumentarin ju thatë edhe se “koha e bëri të vetën”, çfarë kuptoni konkretisht nga kjo dhe si ka evoluar historia gjatë xhirimeve për t’u bërë ajo që është tani?”
    Unë fillimisht bëra kërkimet e mia dhe pastaj u njoha me historinë përmes Adams, dhe ishin aq gjëra të bukura saqë nga xhirimet e para që kishim sikur nuk po arrinim ti nxirrnim në pah, por ditët e xhirimit dhe koha e bëri të vetën. Tanimë kemi historinë e bukur të kësaj picerie ikonike që ka shumë domethënie nga personalitete, që përmendëm dhe si ato të tjera që do vijnë dhe çdo ditë janë të ulur aty duke ngrënë e duke menduar, që cilën risi do sjellin për botën.

    – “Pinocchio’s Harvard” është projekti juaj më i ri, çfarë do të donit që shikuesit të marrin me vete pas shikimit të dokumentarit, që mban emrin tuaj si regjisor?
    Shikuesit do të ndihen me Pinokion, vendin e vogël, thjeshtësinë, modestinë, vlerat, shijen, personalitetet dhe harmoninë, që ka ky vend dhe me personazhin unik siç edhe Adams.
    -Filmi prodhohet nga vivFilms dhe shënon iniciativën e parë zyrtare të studios në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju si regjisor kur mendoni se do të ketë një premierë filmi juaj dokumentar?
    Mendoj që dokumentari do jetë premierë nga muaji mars i vitit 2026.
    – Ju jeni dhe anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit dhe njiheni për punën tuaj në projektet në dokumentar. Keni realizuar projekte të tjerë më parë, por cila është metodologjia juaj e punës, nisni nga historia apo nga personazhet?
    Do të thoja nisin nga përshtypjet dhe guximi. Personazhi që përcjell histori, ashtu si historia që krijohet nga personazhi.
    – Sa e vështirë është për një regjisor të ri nga një vend i vogël të depërtojë në industrinë amerikane të filmit?
    Kur njeh mirë profesionin nuk është fare e vështirë, kur bën sikur di atëherë vjen vështirësia.
    Intervistoi: Julia Vrapi
    Aktiviteti në kinematografi
    Regjisori Valmir Tertini në aktivitetin e tij ka projekte të ndryshme në filma artistikë, por edhe dokumentarë, që janë mirëpritur nga publiku dhe vlerësuar nga kritika. Ai është anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit dhe si regjisor njihet për qasjen e tij të guximshme dhe hulumtuese në dokumentar.
    Tertini ka trajtuar tema të ndjeshme në veprat e tij të mëparshme, si martesa për dokumente në “Tradhti me Letra”, abuzimet brenda institucioneve në filmin “Vulë”, si dhe ka sjellë jetën e aktorit legjendar Bekim Fehmiu në një dokumentar të veçantë. Premiera zyrtare e filmit dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së aktorit të madh Bekim Fehmiu nën regjinë e Valmir Tertinit u shfaq në Tiranë në shtator 2023 dhe u përcoll me shumë interes nga të pranishmit, ku nuk mungonin dhe adhurues të aktorit të madh që vinin nga shtete të tjera. Por përgjatë aktivitetit të tij me projektet që ka realizuar Valmir Tertini është vlerësuar me mbi 30 çmime ndërkombëtare.
    Së fundmi, ai ka qenë pjesë e ekipit të xhirimeve të serialit “Boston Blue” të Paramount dhe aktualisht drejton klasën e tij të filmit në Boston Public Library, ndërsa punon paralelisht në kërkimet shkencore për doktoraturën mbi Efektin e Filmit. Regjisor dhe anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit, Valmir Tertini ka qenë gjithashtu dhe anëtar jurie në disa festivale ndërkombëtare të filmit.

  • Aktiviteti në kinematografi

    Aktiviteti në kinematografi

    Regjisori Valmir Tertini në aktivitetin e tij ka projekte të ndryshme në filma artistikë, por edhe dokumentarë, që janë mirëpritur nga publiku dhe vlerësuar nga kritika. Ai është anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit dhe si regjisor njihet për qasjen e tij të guximshme dhe hulumtuese në dokumentar.Tertini ka trajtuar tema të ndjeshme në veprat e tij të mëparshme, si martesa për dokumente në “Tradhti me Letra”, abuzimet brenda institucioneve në filmin “Vulë”, si dhe ka sjellë jetën e aktorit legjendar Bekim Fehmiu në një dokumentar të veçantë. Premiera zyrtare e filmit dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së aktorit të madh Bekim Fehmiu nën regjinë e Valmir Tertinit u shfaq në Tiranë në shtator 2023 dhe u përcoll me shumë interes nga të pranishmit, ku nuk mungonin dhe adhurues të aktorit të madh që vinin nga shtete të tjera. Por përgjatë aktivitetit të tij me projektet që ka realizuar Valmir Tertini është vlerësuar me mbi 30 çmime ndërkombëtare. Së fundmi, ai ka qenë pjesë e ekipit të xhirimeve të serialit “Boston Blue” të Paramount dhe aktualisht drejton klasën e tij të filmit në Boston Public Library, ndërsa punon paralelisht në kërkimet shkencore për doktoraturën mbi Efektin e Filmit. Regjisor dhe anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit, Valmir Tertini ka qenë gjithashtu dhe anëtar jurie në disa festivale ndërkombëtare të filmit.

  • “Kinemaja është magji” një dokumentar kushtuar jetës dhe veprës kinematografike të regjisorit Kristaq Mitro

    “Kinemaja është magji” një dokumentar kushtuar jetës dhe veprës kinematografike të regjisorit Kristaq Mitro

    Nga Julia Vrapi
    Kristaq Mitro një nga emrat e rëndësishëm dhe me ndikim në historinë e kinematografisë shqiptare, u përkujtua në 80-vjetorin e tij përmes dokumentarit “Cinema is Magic”. Si regjisor, ai i dha filmit shqiptar një dimension të ri artistik, emocional dhe vizual, duke u bërë pjesë e brezit krijues që e ngriti kinemanë në nivele të larta. Familjarë, miq e kolegë përkujtuan regjisorin, i cili u nda nga jeta dy vite më parë përmes dokumentarit  i realizuar nga studentë të tij. Kristaq Mitro nuk u mjaftua vetëm me krijimin e filmave, por punoi që talenti, pasioni dhe profesionalizmi të vazhdonin përmes nxënësve të tij. “Cinema is Magic” (Kinemaja është magji) dokumentari që u shfaq këto mbrëmje dhjetori në Tiranë dhe i realizuar nga studentët e tij vjen si një udhëtim i jashtëzakonshëm i regjisorit Mitro në kinematografinë shqiptare.
    Filmi dokumentar  me regji nga Dritan Mesareja që u shfaq mbrëmjen e së premtes kushtuar regjisorit Kristaq Mitro u prit me emocione të forta, kujtime dhe mirënjohje. Eliana Mitro bashkëshortja e regjisorit Kristaq  Mitro në mbrëmjen e premierës ndër të tjera theksoi faktin që filmi dokumentar “Cinema is Magic”është punuar me shumë dashuri dhe përkushtim. Ndërsa për të bijën e regjisorit Enida Mitro, dokumentari nuk është thjesht një material artistik, por një homazh i merituar për punën dhe kontributin e tij në kinemanë shqiptare. “U realizua më në fund një vepër, ku vlerësohet figura dhe vepra e tim eti. Ky film është një përmbledhje e të gjithë asaj që ai do të donte”, u shpreh Enida Mitro. Dokumentari “Cinema is Magis” me regji nga Dritan Mesareja pasqyron  vlerat dhe mesazhet që ai vetë i mbante thelbësore, por tregon dhe mënyrën si ai e shihte artin, njeriun dhe profesionin.
    Mevlan Shanaj: Imazhi i arritur ishte tipari dallues i Mitros  
    Regjisori Mevlan Shanaj një nga miqtë e Kristaq Mitros dhe i pranishëm në kinema në premierën e filmit dokumentar vlerëson nivelin profesional të “Cinema is Magic”, si në formë, strukturë, ashtu edhe në gjetjet artistike. Ndërsa për bashkëpunimin në kinematografi të regjisorëve të njohur Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muçaj, regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj shprehet se ishte një fenomen unik në kinemanë shqiptare. Shanaj thekson harmoni të rrallë artistike dhe profesionale mes tyre. Sipas tij, ky bashkëpunim solli frymë moderne në filmin shqiptar. “Një dokumentar i realizuar mjeshtërisht, si nga forma dhe gjetja artistike. Vendosja e rrëfimit përmes vetë regjisorit mbi punën profesionale e shumë konkrete mbi filmat e realizuar nga dyshja siameze Mitro- Muço apo Muço -Mitro. Bashkëpunimi i tyre i veçantë solli në ekranin shqiptar një kinema moderne.
    Të ftuarit e shumtë plotësuan qëllimin e regjisorit si një bisedë në vazhdim të monologut të Mitros, duke theksuar tiparin më të dukshëm të tij. Imazhi i arritur ishte tipari dallues i Mitros, që në dokumentar u konkretizua me materialet e përzgjedhura mençurisht nga regjisori Mesareja, duke filluar nga filmi i parë “Dimri i fundit” që më 1976 e vendosi dyshen regjisoriale ndër sukseset të ekranit. Standardi i vendosur sipas meje arriti nivelin më të spikatur në ndërtimin filmik me “Nusja dhe shtetrrethimi”. Kështu në zbërthimin e jetës artistike regjisori Mitro erdhi si një figurë e plotësuar e një profesionisti elitar dhënë mjeshtërisht edhe përmes montimit të D.Markja. Hap pas hapi kujtim pas kujtimi filmi u mbyll me emocione njerëzore edhe familjare, duke na dhënë mesazhin e qartë se vepra e regjisorëve, në këtë rast e Mitros ishte një dëshmi si pasuri kombëtare vetëm e çmuar dhe erdhi edhe si një porosi për ta mbrojtur veprën filmike me përkushtim, ashtu siç kishte bërë Mesareja me këtë dokumentar të arritur”, shprehet regjisori Mevlan Shanaj.

    Skënder Jaçe: Filma që i kanë rezistuar kohës
    Filmat që sollën në ekranin e kinemasë regjisorët Kristaq Mitro e Ibrahim Muçaj i kanë rezistuar kohës. Mitro dhe Muçaj janë një dyshe regjisoriale, që sollën modernitet, realizëm, estetikë të lartë dhe personazhe të paharrueshëm në kinemanë shqiptare. Filma që janë pjesë e pasurisë sonë kombëtare, duke treguar dhe përkushtimin e punës së tyre me kinematografinë. Skënder Jaçe producent nënvizon se vlerat artistike të filmave që realizuan Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muçaj nuk janë zbehur pavarësisht viteve. “Filmat e dyshes simpatike Kristaqit dhe Ibrahimit, i rezistojnë kohës. Kristaq Mitro ka qenë i kujdesshëm në zgjedhjen e karaktereve të aktorëve, duke na sjellë personazhe real. Ai ka kushtuar vëmendje fotografisë në kuadër me një sfond bardhë e zi si te filmi “Nusja dhe shtetrrethimi”, apo “Dimri i fundit” dhe “Tokë e përgjakur”. Ishte një regjisor me një intuitë artistike dhe këmbëngulës në realizimin e veprës”, shprehet Skënder Jaçe.
    “Cinema is Magic” një dokumentar kushtuar Kristaq Mitros, si një nga regjisorët që i kanë dhënë emër kinemasë shqiptare në një vizion të ri vjen i ndërtuar edhe përmes disa rrëfimeve për të nga miq dhe kolegë të tij, si regjisorët Piro Milkani , Esat Musliu e Mevlan Shanaj apo dhe Ilir Butka, etj, si dhe aktorët Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Kastriot Çaushi e Bujar Asqeriu. Për producentin Skënder Jaçe dokumentari kushtuar Kristaq Mitros vjen si një realizim me cilësi të lartë estetike dhe regjisoriale. Sipas tij “Cinema is Magic” vjen si një realizim artistik që tregon me emocion punën e Kristaq Mitros, ndërsa respekton dhe nderon edhe rolin e Ibrahim Muçajt si bashkëpunëtor dhe regjisor. “Një dokumentar i arrirë nga ana artistike, me një montazh që ruante ritmin në mënyrë të harmonizuar, duke mos e lënë spektatorin të lodhet në kuadër.
    Filmi përcjell me nota emocionuese punën e bukur të regjisorit Kristaq Mitro, duke respektuar dhe kolegun e tij të paharruar Ibrahim Muçaj”, shprehet Skënder Jaçe producent filmash. Nga bashkëpunimi Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muçaj u realizuan 13 filma artistikë, ku “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Njeriu i mirë”, “Duaje emrin tënd”, “Liri a vdekje”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Telefoni i një mëngjesi”, “Apasionata” janë vetëm disa prej tyre. Kristaq Mitro u nda nga jeta në prill 2023, por për disa vite me radhë kontributi i  tij ishte edhe si pedagog pranë Akademisë të Arteve në degën Regji-Filmi.

     
     
     
     
     

  • Ish-e fejuara e Liam Payne po përgatit dokumentar për lidhjen e tyre

    Ish-e fejuara e Liam Payne po përgatit dokumentar për lidhjen e tyre

    Ish-e fejuara e Liam Payne, Maya Henry, thuhet se po përgatit një dokumentar për marrëdhënien e tyre, një vit pas vdekjes tragjike të këngëtarit nga një rënie nga ballkoni i një hoteli në tetor 2024. Ish-anëtari i One Direction dhe modelja ishin çift për tre vjet derisa fejesa e tyre u ndërpre në vitin 2022.
    Sipas një raporti në Sun, Henry po punon me HBO dhe një kompani të pavarur prodhimi për projektin. Megjithatë, ka shqetësime se filmi mund të dëmtojë familjen e tij ende në zi.
    Një burim i tha Sun: “Ky dokumentar do të jetë tepër i dhimbshëm për familjen e Liam, të cilët po përballen me një humbje të paimagjinueshme. Ekziston gjithashtu shqetësim në industri se do të jetë i njëanshëm. Sigurisht, Liam nuk është këtu për të dhënë anën e tij të historisë ose versionin e tij të ngjarjeve. “Thjesht duket tepër e trishtueshme.”
    Vlerësohet se filmi do të përshkruajë marrëdhënien e tyre dhe do të trajtojë “sulmin” që ajo mori nga fansat e One Direction kur ata filluan të dilnin së bashku.
    Shkurtin e kaluar, Maya Henry foli për ish-të dashurin e saj për herë të parë, katër muaj pas vdekjes së tij, në një intervistë në të cilën ajo pretendoi se ai përdorte heroinë dhe u dërgonte mesazhe me përmbajtje seksuale fansave femra.
    Modelja kishte thënë në atë kohë se e donte shumë Liamin, por se ai ishte “i panjohshëm” kur ishte nën ndikimin e drogës dhe se ajo u fut në “situata të pasigurta dhe të dëmshme” ndërsa ai luftonte me varësinë.
    Duke folur për revistën Rolling Stone, ajo kishte thënë: “Fillimisht, ishte përdorimi i drogës dhe varësitë që na ndanin. Kushdo që ka qenë me një të varur e kupton sa e vështirë është kjo. Edhe pse e doja thellësisht, ai bëri gjëra që më lënduan në mënyra që nuk do t’i kuptoj kurrë plotësisht dhe ai vazhdoi të më lëndonte vite pasi u ndamë”.

  • Ky është montazhi i videos së Trump që çoi në dorëheqjen e dy drejtorëve të BBC-së

    Ky është montazhi i videos së Trump që çoi në dorëheqjen e dy drejtorëve të BBC-së

    Trazira të mëdha kanë përfshirë median britanike BBC, pasi në një dokumentar të transmetuar në tetor 2024, ishte përdorur një montazh i manipuluar i një fjalimi të presidentit amerikan Donald Trump.
    Sipas një raporti të ish-këshilltarit të pavarur të Komitetit për Standardet dhe Udhëzimet Editoriale të BBC-së, Michael Prescott, në dokumentar ishin bashkuar pjesë të ndryshme të fjalimit të Trump-it të 6 janarit 2021, duke krijuar përshtypjen sikur ai nxiste drejtpërdrejt sulmin ndaj Kapitolit.
    Në versionin e transmetuar nga BBC, Trump dëgjohej të thoshte:

    “Do të zbresim në Kapitol dhe do të jem atje me ju, do të luftojmë. Do të luftojmë me të gjitha forcat tona.”
    Në fakt, këto fjalë ishin marrë nga dy pjesë të ndryshme të fjalimit, të ndara nga një distancë prej gati një ore. Në fjalimin origjinal, Trump kishte thënë gjithashtu:
    “Do të zbresim paqësisht dhe patriotikisht për t’u bërë zëri juaj i dëgjuar.”
    Raporti gjithashtu zbuloi se pamjet e protestuesve, që në dokumentar shfaqeshin sikur ishin frymëzuar nga fjalimi i Trump, ishin filmuar përpara se ai të fliste.

    Në një letër të shoqëruar me raportin, Prescott akuzoi menaxhmentin e BBC-së për “mungesë veprimi dhe transparence”, duke thënë se kishte vepruar nga “dëshpërimi për pasivitetin e drejtuesve të lartë”.
    Pas publikimit të hetimit, drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe drejtoresha ekzekutive e lajmeve, Deborah Turness, kanë dhënë dorëheqjen. Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik dhe ka hapur diskutime të reja mbi paanshmërinë dhe besueshmërinë e BBC-së.
    /vizionplus.tv

  • Dokumentari “Jeta si një film-Piro Milkani” kushtuar mjeshtrit të madh të kinemasë shqiptare

    Dokumentari “Jeta si një film-Piro Milkani” kushtuar mjeshtrit të madh të kinemasë shqiptare

    Rinia e studimeve në Pragën e bukur apo dhe momentet kyçe të karrierës në kinematografi janë vetëm një pjesë e asaj çfarë sjell dokumentari “Jeta si një film-Piro Milkani”. Premiera e filmit dokumentar “Jeta si një film-Piro Milkani” në kinema Millennium në Tiranë ishte dhe si një homazh artistik kushtuar mjeshtrit të madh të kinemasë shqiptare.
    Një dokumentar, që ndalet në rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm, nga ditët e para në Kinostudio, tek krijimet që lanë gjurmë. Një nga producentët  Skënder  Jaçe ndërsa shprehet për dokumentarin vlerëson shumë dhe kontributin e  madh të regjisorit Piro Milkani në kinematografinë shqiptare. “Një rrugëtim i bukur artistik që vjen natyrshëm nga rrëfimi emocional i regjisorit tonë të shquar “Artistit të Popullit” , Piro Milkani. Ai la pas një pasuri dhe vlerë kombëtare në kinematografinë shqiptare”, shprehet Skënder Jaçe. Premiera e filmit dokumentar u shfaq në kinema me praninë e familjarëve të regjisorit Piro Milkani, artistëve të ndryshëm, përfaqësues të institucioneve e më gjerë. Nga të pranishmit filmi u prit me shumë interes, një vlerësim dhe për punën e bërë për realizimin e tij. Dokumentari “Jeta si një film”, prodhuar nga “Cinemania” producent Jaklid Gaçen, skenarist Bashkim Hoxha, regjia është nga Rigers Plaka, Marviks Shantoja, kamera Toni Qelemeni, montazh dhe grafi Enea Pjerza dhe producent ekzekutiv Skënder Jaçe dhe është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Bashkia Tiranë. Ajo që e bën këtë film dokumentar të veçantë është zëri i vetë regjisorit Piro Milkani, i përdorur si një element rrëfyes, një narrator që udhëheq publikun nëpër kujtime, emocione dhe reflektime. Piro Milkani, krijoi dhe kontribuoi në kinematografinë shqiptare për mbi gjysëm shekulli.
    Gjithë jetën e tij, i’a dedikoi kinematografisë, audiovizualit dhe edukimit të brezave të rinj, duke lënë pas vepra cilësore e të dashura për publikun brenda e jashtë vendit. Piro Milkani u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare.

  • “Motra Tone” në dokumentar, pasardhës të Kolë Idromenos i dhurojnë muzeut disa sende të familjes

    “Motra Tone” në dokumentar, pasardhës të Kolë Idromenos i dhurojnë muzeut disa sende të familjes

    “Motra Tone”, kryevepra e piktorit Kolë Idromeno përbën një nga portretet më të njohura të artit shqiptar. Së fundmi për figurën e motrës së vetme të piktorit shkodran, po përgatitet një dokumentar nga regjisori Vranin Gecaj nga Kosova.
    Ai ka zgjedhur pikërisht Motrën Tone si boshtin tematik të projektit të tij të fundit. E në këtë rrugëtim, një moment i vecantë ishte edhe dhurimi që i bënë muzeut historik të Shkodrës, pasardhësit e kësaj familje.
    Një bust i Idromenos dhe disa veshje që i shpëtuan luftës së Kosovës, e që i përkasin motres Tone, tashmë do të jenë në fondin e muzeut historik të Shkodrës.

    Regjisori Gecaj thekson se projekti ka për qëllim të hedhë dritë mbi rrënjët familjare dhe shpirtërore të këtij portreti.
    Dokumentari pritet të shfaqet së shpejti. Në kohën kur u realizua portreti, as motra Tone, as vetë Idromeno nuk e dinin se po krijohej piktura e parë realiste në Shqipëri, dhe se në atë vepër do të shënohej fillimi i një faze të re, në të gjithë artin shqiptar. Portreti u punua në 2 shkurt 1883.
    /vizionplus.tv

  • Simon Cowell bën një ndryshim të madh në karrierën e tij

    Simon Cowell bën një ndryshim të madh në karrierën e tij

    Simon Cowell po fillon një sipërmarrje të re.
    Manjati 66-vjeçar i muzikës do të lançojë një linjë syzesh dhe po planifikon të shesë lente me ngjyra që do të ndihmonin në luftimin e migrenës. Simon shpreson që marka e tij, Soothe, të mund të “lançohet brenda 12 muajve”.
    Një burim i tha gazetës The Sun: “Simon e di nga afër sa të dhimbshme janë migrenat.”
    Ata thane, “Fillimisht ai mori një palë syze anti-migrenë nga Amazon për më pak se 20 paund për të parë nëse funksiononin dhe nëse vërtet funksionon.”
    “Ai planifikon ta quajë markën e tij Soothe dhe shpresojmë që ato të lançohen brenda 12 muajsh“, përfundoi burimi i brendshëm.
    Simon në fakt iu desh të humbiste audicionet e Britain’s Got Talent në fillim të këtij muaji për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, dhe ish- ylli i X Factor, Stacey Solomon, e zëvendësoi atë. Në janar, biznesmeni humbi gjithashtu dy audicione në shfaqjen e talenteve të ITV për shkak të migrenës.
    Për më tepër, Simon do të luajë në një reality show të ri për Netflix, të titulluar Simon Cowell: The Next Act, një serial dokumentar që do të dalë në dhjetor.
    Sinoni i shfaqjes thotë: “Ajo që thotë Simon, bëhet. Dhe ajo që thotë Simon tani është se bota ka nevojë urgjente për sensacionin e radhës të grupit të djemve.”
    “Mongati i muzikës dhe drejtuesi i divizioneve muzikore Simon Cowell ka krijuar i vetëm disa nga superyjet më të mëdhenj të muzikës në botë. Në serialin e ri dokumentar Simon Cowell: The Next Act, që do të lançohet në dhjetor 2025, kamerat e ndjekin atë ndërsa ai nis ta bëjë këtë edhe një herë”, thuhet më tej në dokumentar.
    Vazhdon: “Nga thirrjet e para për përzgjedhjen e aktorëve deri te publikimi i këngës debutuese të grupit, kjo është një biletë me akses të plotë për shikuesit për të parë çdo moment të kapitullit të ardhshëm të Cowell. A do ta thyejë ai përsëri rekordin e artë në industri?”
    “Që nga viti 2001, ai është shfaqur si gjyqtar në disa seriale konkursesh reality show muzikor, duke përfshirë Pop Idol, American Idol, The X Factor dhe The X Factor UK, Britain’s Got Talent dhe America’s Got Talent. Në këto shfaqje, ai u bë famëkeq për vërejtjet e tij sarkastike dhe kritikat e ashpra. Megjithatë, tani, shikuesit do të kenë një pamje edhe më të afërt të procesit të Cowell dhe aftësisë së tij të pakrahasueshme për të identifikuar dhe nxitur talentin”, përfundon kronika e serialit dokumentar të Simon Cowell.

  • Dokumentari “Film di stato” premierë në Festivalin e Venecias, një udhëtim vizual në periudhën e diktaturës 1945-1990

    Dokumentari “Film di stato” premierë në Festivalin e Venecias, një udhëtim vizual në periudhën e diktaturës 1945-1990

    Nga Julia Vrapi
    Dokumentari “Film di stato” i punuar me materiale arkivore nga fondi i Arkivit të Filmit dhe arkivave të tjera shënoi premierën në “Notti Veneziane”, një seksion i organizuar nga Giornate degli Autori në edicionin e 82-të të Festivalit Filmit të Venecias. Dokumentari i autorit Roland Sejko i ndërtuar nga materialet arkivore është prodhim i Luce Cinecitta. Nëpërmjet rrëfimit vizual dhe montazhit të veçantë të “filmave të shtetit”, Sejko paraqet në këtë dokumentar 40 vitet e Shqipërisë nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja ndau në rrjete sociale pamje nga premiera e filmit dokumentar “Film di stato” në Festivalin e Venecias, duke shprehur se ka materiale arkivore të papublikuara më parë.
    “Prodhuar dhe shpërndarë nga Luce Cinecittà, dokumentari sjell një udhëtim të jashtëzakonshëm vizual në periudhën e diktaturës shqiptare (1945-1990), duke përdorur material arkivor të papublikuar më parë, ndër të cilat dhe arkiva nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit, për të zbuluar ritmet, heshtjet dhe mekanizmat e propagandës së kohës”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në rrjet sociale. Sipas tij, me këtë vepër, Roland Sejko, i vlerësuar më parë me “David di Donatello” për Anija – The Ship dhe “Nastro d’Argento” për The Image Machine of Alfredo C. dëshmon edhe njëherë fuqinë e artit dokumentar për të rikthyer historinë në një reflektim të ri. “Një moment i rëndësishëm për kinemanë dokumentare shqiptare në një prej skenave më prestigjioze ndërkombëtare!”, shprehet ministri Blendi Gonxhja. Në Festivalin e Filmit në Venecia zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj. Lira Pipa, së bashku me kryetarin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Jonid Jorgji dhe drejtorin e Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit Eljan Tanini ndoqën premierën e dokumentarit më të ri të regjisorit Roland Sejko, “Film di Stato”, pjesë e programit “Notti Veneziane”, një seksion i kuruar nga Giornate degli Autori në bashkëpunim me Isola Edipo.
    Nga aktiviteti i Sejkos
    Roland Sejko (1968, Shqipëri) u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës para se të emigronte në vitin 1991 në Itali. Në vitin 2001 debutoi si regjisor me filmin dokumentar “Albania, il paese di fronte”, bazuar mbi materialet propagandistike të Istituto Luce dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF). Në vitin 2012 drejtoi filmin “Anija- La nave”, një dokumentar mbi eksodin e shqiptarëve në Itali në vitet ’90. I prezantuar në Torino Film Festival, filmi u nominua nga juria për çmimin “Nastro d’Argento”. Në qershor të vitit 2013, filmi u vlerësua me “Davide di Donatello”, titulli më prestigjioz që jepet çdo vit nga Akademia Italiane e Filmit, si filmi më i mirë me metrazh të gjatë. Në vitin 2015 ishte regjisor i filmit dokumentar “Pritja” mbi vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri në vitin 2014.

  • Skënder Jaçe: “Jeta si një film” një rrëfim për jetën dhe artin e Piro Milkanit, që pasuroi kinematografinë shqiptare

    Skënder Jaçe: “Jeta si një film” një rrëfim për jetën dhe artin e Piro Milkanit, që pasuroi kinematografinë shqiptare

    Regjisori Piro Milkani gjithë jetën e tij ia kushtoi kinematografisë. Ai ishte një prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, ku filma të suksesshëm mbajnë emrin e tij. Vetëm disa muaj pas ndarjes së tij nga jeta u shfaq dhe filmi dokumentar “Jeta si një film”.
    Nga fëmijëria, rinia e studimeve në Pragën e bukur, ku u xhirua edhe një pjesë e dokumentarit, deri te momentet kyçe të karrierës së tij në kinematografi janë pjesë e këtij dokumentari. Producenti Skënder Jaçe në intervistën për gazetën “SOT” tregon se ajo që e bën këtë film dokumentar të veçantë është zëri i vetë Piro Milkanit, i përdorur si një element rrëfyes, një narrator që udhëheq publikun nëpër kujtime, emocione dhe reflektime. Pjesë e intervistës me producentin ekzekutiv Jaçe është dhe biseda e tij me vetë regjisorin Piro Milkani dhe se si e priti dokumentarin. Por Jaçe shprehet edhe për bashkëpunimin me skenaristin e filmit Bashkim Hoxha, ku sipas tij ideja për të sjellë në ekran jetën e regjisorit legjendar Piro Milkani u përqafua menjëherë nga ai.
    Dokumentari “Jeta si një film”, prodhuar nga “Cinemania” producent Jaklid Gaçen, skenarist Bashkim Hoxha, regjisor Rigers Plaka, kamera Marviks Shantoja dhe producent ekzekutiv Skënder Jaçe është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Kineasti Skënder Jaçe një nga miqtë e regjisorit thotë se Piro Milkani ishte një figurë që e pasuroi kinematografinë shqiptare me vepra të vërteta kombëtare. Piro Milkani, krijoi dhe kontribuoi në kinematografinë shqiptare për mbi gjysëm shekulli.
    Gjithë jetën e tij, i’a dedikoi kinematografisë, audiovizualit dhe edukimit të brezave të rinj, duke lënë pas vepra cilësore e të dashura për publikun brenda e jashtë vendit. Dokumentari është një rrugëtim emocional, artistik dhe njerëzor përmes kohëve dhe kujtimeve të një mjeshtri si Milkani, ku producenti ekzekutiv Skënder Jaçe tregon se pas avant-premierës që u organizua të premten paradite në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit, premiera zyrtare do të organizohet në fillim të muajit tetor.
    -“Jeta si një film” kushtuar regjisorit të shquar Piro Milkani është një projekt kinematografik, i cili po pritet me interes nga artdashësit sapo u bë me dije puna për këtë projekt. Si lindi ideja për këtë film dokumentar kushtuar regjisorit të shquar Piro Milkani?
    Dokumentari “Jeta si një film” lindi natyrshëm, pas një bisede të sinqertë me shkrimtarin dhe skenaristin e njohur Bashkim Hoxha. Ishim kolegë prej vitesh në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, dhe ideja për të sjellë në ekran jetën e regjisorit legjendar Piro Milkani u përqafua menjëherë nga ai. Bashkimi shkroi një skenar të ngrohtë, me ndjeshmëri dhe elegancë, që përshkruan punën dhe jetën e një prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare.
    -Xhirimet për dokumentarin janë bërë që kur nuk ishte ndarë nga jeta regjisori, po ku janë për ju momentet e veçanta të punës me filmin, si e priti ai idenë për një dokumentar?
    Xhirimet nisën menjëherë, në një kohë kur shëndeti i Piros kishte filluar të lëkundej. E kujtoj atë mëngjes kur e ftova për një kafe. Ashtu si gjithmonë, me një memorie të jashtëzakonshme dhe një zë të butë, por të fortë që të imponohej me hijeshi, më tha: “Do të vi”. U takuam gjatë, folëm për shumëçka, dhe me modesti ai shtoi: “Për mua, i dashur Skënder, janë bërë shumë kronika, shumë intervista. Por e shoh që jeni të vendosur, ndaj po e pranoj. Vetëm më njoftoni dy ditë më parë, dhe jam në dispozicionin tuaj”. Pavarësisht përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, Piro Milkani si një krijues i palodhur dhe një regjisor me një karrierë brilante nuk u ankua. Me seriozitetin dhe përkushtimin që e ka karakterizuar gjithnjë, tha një “PO” të sinqertë dhe vendimtare.
    -Çfarë mund të na thoni mbi materialet që janë përdorur për realizimin e filmit dokumentar, ku qëndron e veçanta e tij?
    Ajo që e bën këtë dokumentar të veçantë është zëri i vetë Piros, i përdorur si një element rrëfyes, një narrator që udhëheq publikun nëpër kujtime, emocione dhe reflektime. Nga fëmijëria, rinia e studimeve në Pragën e bukur (ku u xhirua edhe një pjesë e dokumentarit), deri te momentet kyçe të karrierës së tij në kinematografi rrëfimi i Piros është një dëshmi e gjallë e një jete të jetuar me pasion dhe dashuri për artin. Filmi dokumentar ndërthur mjeshtërisht materialet arkivore, disa prej tyre të përdorura për herë të parë nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe arkivi familjar i familjes Milkani, duke ndërtuar një tablo autentike dhe prekëse. Fatkeqësisht, kamera nuk mundi ta ndjekë deri në fund rrugëtimin e tij, pasi Piro Milkani u nda nga jeta gjatë xhirimeve. Por rrëfimi i tij, i sjellë me mjeshtëri nga skenari i Bashkim Hoxhës, vijon të jetojë në ekran, si një testament artistik i një jete të jashtëzakonshme.

    -Kur pritet premiera zyrtare e dokumentarit?
    Filmi u shfaq avant-premierë në 29 gusht paradite në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit, ndërsa premiera zyrtare do të organizohet në fillim të muajit tetor.
    -Ju jeni dhe një nga miqtë e regjisorit Piro Milkani që fatkeqësisht u nda nga jeta disa muaj më parë, çfarë mund të na thoni më shumë për kontributin e tij në kinematografinë shqiptare?
    Kam pasur fatin dhe privilegjin ta njoh nga afër këtë burrë të mençur e fisnik. Piro Milkani, regjisor i shquar, ishte një figurë që e pasuroi kinematografinë shqiptare me vepra të vërteta kombëtare. Ai ishte mjeshtër i të gjitha zhanreve, nga dramat tek komeditë, aksioni dhe lufta, duke sjellë në ekran filma që mbeten të pashlyeshëm në kujtesën e publikut. Mjafton të përmendim filma si “Kur zbardhi një ditë”, “Po me urën ç’patën?”, “Zonja nga qyteti”, “Shoqja nga fshati”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Çifti i lumtur”, “Shembja e idhujve”, apo “Ballë për ballë” në bashkëpunim me Kujtim Çashkun, secili prej tyre një gur themeli në historinë e kinemasë sonë.
    Intervistoi: Julia Vrapi