Tag: doganave

  • Malaj dhe Gazheli prezantojnë në Rinas manualin doganor për pasagjerët: Lehtëson udhëtimin

    Malaj dhe Gazheli prezantojnë në Rinas manualin doganor për pasagjerët: Lehtëson udhëtimin

    Ministri i Financave Petrit Malaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli, prezantuan këtë të martë në Rinas manualin doganor për pasagjerët, botimin e parë të këtij lloji nga Administrata Doganore Shqiptare.
    Ky manual i ri përmbledh në një dokument të vetëm të gjitha rregullat kryesore për hyrjen dhe daljen e pasagjerëve nga Shqipëria, duke ofruar informacion të qartë dhe të detajuar mbi mallrat e lejuara dhe të ndaluara, kufijtë pa detyrim doganor, deklarimin e valutës dhe mjeteve të pagesës, barnat personale, udhëtimin me kafshë shtëpiake, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si dhe procedurat për automjetet me targa të huaja.

    Gjatë prezantimit, Ministri Malaj deklaroi se “shumë qytetarë hasin vështirësi për të kuptuar procedurat doganore. Ky manual u ofron atyre një udhërrëfyes të qartë, që thjeshton udhëtimin dhe garanton një proces më të qetë e më transparent”. Nga ana e tij, drejtori Gazheli theksoi se “Manuali është i aksesueshëm menjëherë me një klikim në faqen zyrtare të Doganave dhe përmes kodit QR që do të vendoset në të gjitha pikat kufitare. Kjo masë rrit transparencën dhe unifikon komunikimin me publikun”

    Sipas Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Doganave ky botim i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve doganore dhe garantimit të një përvoje më efikase për qytetarët, në përputhje me standardet evropiane.

  • Gent Gazheli shfaqet me xhup 8 mijë dollare, “Don Zhuani i Doganave” ‘bën gati pajën’

    Gent Gazheli shfaqet me xhup 8 mijë dollare, “Don Zhuani i Doganave” ‘bën gati pajën’

    Një xhup Loro Piana, model Kiku patch-pocket bomber jacket, me çmim plot 8,001 dollarë, është “outfit”, që ka zgjedhur drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli.

    Veshja, e prodhuar nga një prej markave më të shtrenjta në botë, kushton sa rroga vjetore e dhjetëra familjeve shqiptare, në një kohë kur vendi renditet mes ekonomive me pagat më të ulëta në Europë dhe me kosto jetese gjithnjë në rritje.

    Gazheli është parë edhe më herët me veshje të markave të shtrenjta si Brunello Cucinelli, ku ka preferuar një bomber jacket me vlerë 4600 euro, foto që e disponon Maska.al.

    Gazheli, i cilësuar nga vartësit e tij si “Drejtori i 2030-s”, njëkohësisht dhe njeriu i besuar i Ballukut i pëlqen të vishet me firmato me përfitimet madhore që ka bërë nga doganat.
    Por a do ketë mundësi ti marri në ambientet e burgut këto veshje të shtrenjta dhe firmato pas të palarave që po I dalin në shesh?
    Përmendim që borxhi doganor i vendit vijon të zgjerohet vit pas viti, ndërkohë që auditimi më i fundit i realizuar nga KLSH mbi detyrimet e papaguara ka nxjerrë në pah një tablo të rënduar jo vetëm sa i përket vlerës së stokut, por edhe mënyrës së administrimit, rikuperimit dhe monitorimit të tij nga strukturat doganore.
    Të dhënat tregojnë se në fund të vitit 2024, detyrimet e papaguara doganore kanë arritur në rreth 48.6 miliardë lekë, të shpërndara në 4.684 raste, duke regjistruar një rritje prej 2.1% krahasuar me vitin 2023.
    Por shifra më alarmante lidhet me moshën e këtij borxhi, pasi 90% e stokut total, ose 44 miliardë lekë, përbëhet nga detyrime më të vjetra se pesë vjet, një tregues i drejtpërdrejtë i mosfunksionimit të mekanizmave të rikuperimit me forcë dhe rrezikut real të parashkrimit, kjo duke qenë se tani është njoftuar edhe “Paqja Fiskale”.
    Gjatë vitit 2024, detyrimet e reja të evidentuara janë shtuar me 334 milionë lekë, ndërsa shuma e pakësuar përmes pagesave rezulton vetëm 403.7 milionë lekë, ose 0.84% e stokut total. Pjesa dërrmuese e pakësimeve lidhet me vendimet administrative të vitit 2024, ndërsa shlyerjet e detyrimeve të vjetra për periudhën 2011–2023 janë të papërfillshme.
    Media të ndryshme raportojnë se Genti Gazheli ka gjetur një shtëpi në Zvicër dhe po përgatit familjen për zhvendosje atje që në momentin do ndihet i rrezikuar nga ndonjë arrestim i mundshëm nga SPAK, të kërkojë azil në shtetin zviceran.
    Gazheli thuhet se ka qenë i përfshirë në transferimin me çanta të parave të Belinda Ballukut drejt Zvicrës. Ai njihet si njeri i besuar i Ballukut dhe me bekimin e saj është i përfshirë në një sër skemash korruptive brenda doganave.
    SKANDALI i Gazhelit
    Sipas dokumenteve dhe komunikimeve zyrtare tashmë të referuara në SPAK, bëhet fjalë edhe për një skandal të pezulluar prej pesë vitesh, lidhur me gjobën ndaj kompanisë Bankers Petroleum, me vlerë që arrin deri në 130 milionë euro.
    Hetimi paraprak filloi në vitin 2020, ndërsa çështja u referua më pas për kompetencë në SPAK nga Prokuroria e Fierit.
    Në atë periudhë, pas emërimit të Gent Gazhelit si Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, shefi i Degës Doganore të Fierit, Olti Kuke, njoftoi zyrtarisht Gazhelin mbi vendimin për gjobë 30 milionë euro ndaj Bankers Petroleum.

    Sipas kallëzimit, pas kërkesës së hetimeve tatimore, gjoba u rivlerësua në 130 milionë euro, por ky vendim, sipas burimeve, është pezulluar nga vetë Gazheli përmes mosveprimit administrativ, pavarësisht se ishte njoftuar dy herë me shkresë dhe email.
    Gent Gazheli dyshohet se ka zhvilluar takime personale me përfaqësues të kompanisë “Bankers Petroleum”, ndërkohë që dosja mbeti “në sirtar”.
    Madje, shefi i Doganës së Fierit, Olti Kuke, mësohet të ketë qenë nën presion të vazhdueshëm, derisa u shkarkua nga detyra vetëm dy muaj më parë, duke u transferuar nga drejtues i sektorit të akcizës në specialist — lëvizje që burimet e lidhin me përpjekjen për ta heshtur çështjen.
    Ironikisht, vetëm pas pesë vitesh gjoba ndaj kompanisë është zbardhur — pikërisht pak ditë pasi Prokuroria e Fierit ia kaloi dosjen për kompetencë SPAK-ut, dhe kur rasti u përmend publikisht nga Kryetari i KLSH-së gjatë raportimit në Kuvend, si dhe nga deputeti socialist Erion Braçe.
    Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje të forta mbi lidhjet politike që, sipas burimeve nga brenda sistemit, e kanë “mbrojtur” Gent Gazhelin çdo herë që ka shpërthyer një aferë./ Maska.al

  • “Të gjithë turren deputeti, por ‘ujku’ të than”! Braçe: Të hetohet pasuria e drejtorëve të Tatimeve dhe Doganave

    “Të gjithë turren deputeti, por ‘ujku’ të than”! Braçe: Të hetohet pasuria e drejtorëve të Tatimeve dhe Doganave

    Erion Braçe

    TIRANË-Në Komisionin e Ekonomisë, ku u diskutua projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar që në ligjin për kontrollin e pasurisë të futen edhe drejtorët e Tatimeve apo të Doganave. Sipas tij disa gjëra tek deputeti duhet të kufizohen, përsa kohë që deklarohen të ardhurat.
    Erion Braçe: Ka deputetë që vijnë nga zonat rurale, ka hektarë tokë, do ti bëjë hyzmetin asaj gjëje, se nuk ka krahë pune tjetër atje. Pse do marrë punëtorë ai, të lejë nam. Deputeti si beu që shfrytëzon krahun e punës. Nuk shkon. Janë ca gjëra që duhen kufizuar tek deputeti, por nuk mund të shkohet në ekstrem. Për sa kohë ai deklaron të ardhurat. Ne kemi futur disa kategori që nuk janë në ligjin për kontrollin e pasurive. Nuk janë këto të tatimeve dhe doganave, nuk janë atje. Nëse u fusim këtu, duhet ti çojmë edhe atje. Të gjithë turren deputeti-deputeti, po ujku vazhdo ujku atje që të than. 

  • Erion Braçe kërkon hetim të pasurisë për drejtorët e Tatimeve dhe Doganave

    Erion Braçe kërkon hetim të pasurisë për drejtorët e Tatimeve dhe Doganave

    Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar që në ligjin për kontrollin e pasurisë të përfshihen edhe drejtorët e institucioneve të rëndësishme si Tatimet dhe Doganat.
    Braçe, nga Komisioni i Ekonomisë, ku po flitej për projektligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, teksoi se është e drejtë të vendosen kufizime për deputetët, por jo deri në ekstrem, sidomos kur ata deklarojnë të ardhurat e tyre. Ai solli shembullin e deputetëve që vijnë nga zona rurale dhe që kanë tokë për të administruar.
    “Ka deputetë që vijnë nga zonat rurale, kanë hektarë tokë dhe duhet të bëjnë hyzmetin e tyre. Pse duhet të marrin punëtorë dhe të dalin si bejlerë që shfrytëzojnë krahun e punës? Ka gjëra që duhen kufizuar, por nuk mund të shkojmë në ekstrem. Për sa kohë deklaron të ardhurat, çdo gjë është e qartë,” u shpreh Braçe.
    Ai kritikoi faktin që kategori të caktuara të administratës, si drejtuesit e Tatimeve dhe Doganave, nuk përfshihen në ligjin aktual për kontrollin e pasurisë. “Nuk janë këto të Tatimeve dhe Doganave atje. Nëse i fusim këtu, duhet t’i çojmë edhe atje. Të gjithë turren tek deputeti, po ujku vazhdon atje që të than,” tha ai.
    Braçe u ndal edhe tek dallimet mes përgjegjësive të deputetëve dhe drejtorëve të institucioneve qeveritare, duke theksuar se një drejtor që ka menaxhuar tendera dhe fonde publike për vite, nuk mund të ketë vetëm një vit kohë të ndaluar për t’u punësuar në sektorin privat.
    “Nuk shkon që një drejtor, i cili ka menaxhuar miliona euro, të qëndrojë vetëm një vit jashtë sektorit ku ka punuar. Ka drejtues që duhet të kenë periudha më të gjata, sepse ekziston rreziku i konfliktit të interesit,” u shpreh ai. Deputeti shprehu shqetësim edhe për mënyrën se si do të përcaktohet “stili i jetesës”, një kriter i ri në projektligj, duke sjellë shembuj konkretë.
    “Ka pantallona me arna për modë që kushtojnë 400 euro e ka tuta që kushtojnë 1000 euro. Si do e përcaktosh stilin e jetesës? Këtu mund të krijohen konflikte dhe keqinterpretime,” argumentoi Braçe. Ai paralajmëroi se kufizimet ndaj deputetëve po bëhen gjithnjë më të shumta, ndërsa drejtues të ekzekutivit mbeten të pambuluar nga kontrollet e plota ligjore.
    “Deputetit i ndalohet çdo detyrë tjetër përveç mësimdhënies. Deputeti vetëm mend jep, asgjë më shumë nuk i lejohet. Ndërkohë, disa drejtues të ekzekutivit dalin e hyjnë në sektorin privat pa asnjë pengesë, edhe kur kanë menaxhuar interesa të drejtpërdrejta,” tha Braçe.
     

  • Gent Gazheli drejt burgut? Skandali 130 milionë euro që po trondit sistemin doganor

    Gent Gazheli drejt burgut? Skandali 130 milionë euro që po trondit sistemin doganor

    Një mega aferë financiare pritet të shpërthejë në zemër të sistemit doganor shqiptar, me në qendër Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli — personazh që burime nga brenda institucionit e përshkruajnë si “i paprekshëm” dhe “Don Zhuani i Doganave”.
    Sipas dokumenteve dhe komunikimeve zyrtare tashmë të referuara në SPAK, bëhet fjalë për një skandal të pezulluar prej pesë vitesh, që lidhet me gjobën ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, me vlerë që shkon deri në 130 milionë euro.
    Burime nga Prokuroria e Fierit bëjnë me dije se çështja është referuar për hetim në SPAK, pas një hetimi paraprak të nisur që në vitin 2020.
    Në atë periudhë, pas emërimit të Gent Gazhelit si Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, shefi i Degës Doganore të Fierit, Olti Kuke, ka njoftuar zyrtarisht drejtuesin e lartë në lidhje me vendimin për gjobë 30 milionë euro ndaj kompanisë “Bankers”.
    Por, sipas kallëzimit, me kërkesë të hetimeve tatimore, kjo shumë u rivlerësua në 130 milionë euro — një shumë kolosale që, siç pretendohet, është pezulluar nga vetë Gazheli përmes mosveprimit administrativ, ndonëse ishte njoftuar dy herë me shkresë zyrtare dhe email nga Olti Kuke.
    Në dosjen që ndodhet tashmë në SPAK, ekzistojnë dy shkresa zyrtare, të cilat mjaftojnë për të provuar zinxhirin e komunikimit. Megjithatë, deri më sot, nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar mbi gjobën, ndonëse ligji kërkon zgjidhje brenda gjashtë muajve.
    Sipas burimeve konfidenciale, Gent Gazheli dyshohet se ka zhvilluar takime personale me përfaqësues të kompanisë “Bankers Petroleum”, ndërkohë që dosja mbeti “në sirtar”.
    Madje, shefi i Doganës së Fierit, Olti Kuke, mësohet të ketë qenë nën presion të vazhdueshëm, derisa u shkarkua nga detyra vetëm dy muaj më parë, duke u transferuar nga drejtues i sektorit të akcizës në specialist — lëvizje që burimet e lidhin me përpjekjen për ta heshtur çështjen.
    Ironikisht, vetëm pas pesë vitesh “ngrirje”, gjoba ndaj kompanisë është zbardhur — pikërisht pak ditë pasi Prokuroria e Fierit ia kaloi dosjen për kompetencë SPAK-ut, dhe kur rasti u përmend publikisht nga Kryetari i KLSH-së gjatë raportimit në Kuvend, si dhe nga deputeti socialist Erion Braçe.Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje të forta mbi lidhjet politike që, sipas burimeve nga brenda sistemit, e kanë “mbrojtur” Gent Gazhelin çdo herë që ka shpërthyer një aferë.
    Gazheli, i cilësuar nga vartësit e tij si “Drejtori i 2030-s”, sipas burimeve, pritet të përballet me disa kallëzime të tjera, të cilat lidhen me shkelje të rënda në sektorin e akcizës dhe tregtisë së mallrave të ndjeshme.
    Punonjës të Doganave kanë nisur të dalin hapur me denoncime, duke paralajmëruar publikimin e provave konkrete që e lidhin drejtpërdrejt me abuzime financiare.
    /maska.al/

  • Sulm me armë zjarri në zyrën e Imigracionit dhe Doganave në SHBA, tre të plagosur, autori vret veten

    Sulm me armë zjarri në zyrën e Imigracionit dhe Doganave në SHBA, tre të plagosur, autori vret veten

    Të paktën tre persona u plagosën në një të shtënë me armë zjarri të mërkurën në mëngjes në një zyrë të Imigracionit dhe Doganave të Shteteve të Bashkuara (ICE) në Dallas, konfirmoi drejtori në detyrë i ICE, Todd Lyons.

    Sipas deklaratës së Lyons, informacione paraprake sugjerojnë se autori mund të ketë qenë një snajper. “Kemi tre persona që janë plagosur në këtë kohë. Nuk jemi të sigurt për gjendjen e tyre shëndetësore, por ata janë transportuar në spital”, u shpreh ai.
    Ndërkohë, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, konfirmoi se i dyshuari ka ndërruar jetë pasi ka kryer vetëvrasje.
    “Detajet ende nuk janë të plota, por mund të konfirmojmë se ka pasur të plagosur dhe viktima,” shkroi Noem në një postim në platformën X (ish-Twitter). Gjithashtu ajo  shtoi se motivi i të shtënave mbetet ende i panjohur.
    Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion nëse të plagosurit ishin punonjës të ICE apo vizitorë në ambientet e agjencisë.

    Top Channel

  • “Afera Bankers”, a e hetoi Prokuroria e Fierit gjobën 100 mln euro dhe si e pezulloi Anila Denaj

    “Afera Bankers”, a e hetoi Prokuroria e Fierit gjobën 100 mln euro dhe si e pezulloi Anila Denaj

    Më datë 13 maj 2019, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, i ka vendosur një gjobë prej rreth 100 milionë eurosh firmës koncesionare “Bankers”. Shkak në atë kohë ishte se firma që shfrytëzon vendburimin Patos-Marinzë ishte kapur me shkelje të ligjit, duke shmangur akcizën për holluesit e karburanteve.
    Çështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë, e cila la në fuqi masën e gjobës, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Doganave kontraktoi edhe përmbarues për të vjelë detyrimin, që ishte një dëm dhe kamatëvonesat shumë i favorshëm për arkat e shtetit shqiptar.

    Faksimile: Gjoba e Doganave ndaj kompanisë “Bankers”, të cilën e kapi me shkelje

    Një histori që meriton të paktën një hetim, qoftë penal apo administrativ, pasi në mënyrë të beftë, dhe me një vendim tepër të diskutuar të Ministrisë së Financave, ku në atë kohë drejtohej nga Anila Denaj, gjoba iu pezullua. Madje, nuk iu mor kurrë firmës koncesionare, ku përgjegjësit padyshim që i kanë shkaktuar një dëm të madh shtetit.
    Nëse një qytetari, që i vihet gjobë sado e vogël nga institucionet shtetërore, i vilet me shpejtësi, krejt e kundërta ka ndodhur me firmën Bankers. Në korrik të 2019-s, urdhri i dalë nga zyra e Anila Denajt, që kishte në varësi Drejtorinë e Doganave dhe Tatimeve, justifikohej me gjoja “kompleksitetin e çështjes, si sa i takon volumit të dosjes, ashtu edhe të shumës që duhej mbledhur”.
    “Nga shqyrtimi i materialeve, rezulton se kemi të bëjmë me një problem shumë të rëndësishëm dhe të ndërlikuar, qoftë nga shifra e konstatuar, qoftë nga shtrirja kohore. Për sa më sipër, autoriteti doganor të procedojë me pezullimin e procedurës”, thuhet në vendimin e ministres Denaj. E thënë më thjesht, Ministrja urdhëroi doganat që të ndalin ekzekutimin e gjobës me arsyetimin se gjoba ishte shumë e madhe dhe se problemi ishte shumë kompleks.

    Faksimile: Urdhri i ministres Denaj për pezullimin e gjobës, i denoncuar edhe në të kaluarën nga VoxNews

    Një vendimmarrje tepër e diskutueshme e një zyrtareje shumë të lartë, për më tepër që Bankers është kapur në shkelje të ligjit duke shmangur akcizën për holluesit e karburanteve. Madje, edhe vendimi i Gjykatës së Lartë është heqja e çdo barriere që kishin institucionet për ekzekutimin e gjobës dhe arkëtimin e një shumë parash.
    Gjoba jo vetëm që s’u pagua, por asnjë institucion, qoftë edhe ligjzbatues nuk ka marrë mundimin për t’a hetuar. Deri më sot, Drejtoria e Doganave nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të arkëtuar gjobën, pas atij vendimi të Denajt. Duket një aferë tepër e madhe, ku urdhri ka ardhur nga lart.
    Koha ka kaluar dhe tashmë drejtësia ka vepruar, me ndalimin e disa drejtuesve dhe ish-drejtuesve të Bankers. Por, hetimet e Fierit janë lënë në mes, ku asnjë zyrtar shtetëror, firma nënkontraktore apo edhe banka të nivelit të dytë, nuk janë verifikuar në këtë aferë. Hetuesit kanë hasur në një “mur të lartë” për të vënë para përgjegjësisë zyrtarët shtetërorë, qoftë edhe Denajn apo Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Deri më sot, asnjë tatimor dhe asnjë përgjegjës i AKBN-së nuk është vënë nën akuzë.
    VoxNews denoncoi disa javë më parë se shtetarët po amnistoheshin nga afera Bankers. Kush i lejoi të xhironin mbi 6 miliardë euro dhe t’i nxirrnin bilancet me fitime minimale, sa një market lagje?
    “Dosja patjetër që duhet të shtrihej deri te firmëtarët e koncesionit. Te ata që rinegociuan marrëveshjen apo te strukturat e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore apo edhe të Drejtorisë së Tatimeve që lejuan një abuzim të frikshëm. Por, edhe te ata zyrtarë shtetërore që lejuan që shqiptarëve t’u vidhet një pasuri e stërmadhe”, ishte denoncimi i redaksisë sonë.
    /Vox News/

  • Olsi Rama takim “kokë më kokë” me Fatjon Shehun për t’i zënë vendin Gent Gazhelit, si po gatuhet në prapaskenë…

    Olsi Rama takim “kokë më kokë” me Fatjon Shehun për t’i zënë vendin Gent Gazhelit, si po gatuhet në prapaskenë…

    Në prapaskenat e pushtetit, aty ku intrigat zihen në heshtje dhe aleancat lidhen larg syrit të publikut, duket se është ndezur një lojë e rrezikshme për fronin e Doganave. Burime të sigurta bëjnë me dije se Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit, është parë në një takim të gjatë e të rezervuar me drejtorin e Antikondrabandës, Fatjon Shehu, njeriun që po synon të rrëzojë nga posti Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli. Mësohet se takimi është zhvilluar në jug të vendit, në një nga lokalet më luksoze dhe më të shtrenjta të zonës, ku për orë të tëra është diskutuar strategjia e marrjes nën kontroll të një prej institucioneve më të rëndësishme dhe më të pasura të shtetit. Shehu, i cili në zonën ku ka bërë fushatë politike ka premtuar hapur se “do bëhet ministër” me mbështetjen e fortë të vëllait të Kryeministrit, duket se ka hapur një front të ri lufte brenda mazhorancës.
    Prapaskenat
    Ndërkohë burimet thonë se prej muajsh Doganat janë mbërthyer nga një konflikt i ashpër mes linjave të brendshme, ku kampi i Shehut, i mbështetur nga Olsi Rama, ka krijuar një ngërç të madh funksionimi me strukturat e tjera. Ky bllokim ka paralizuar vendimmarrjen dhe ka shtuar tensionet në nivel drejtues. Por situata bëhet edhe më e rëndë nga fakti se Fatjon Shehu është thirrur kohët e fundit nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), së bashku me disa inspektorë të tij, për t’u marrë në pyetje mbi skema të dyshuara të evazionit fiskal. Kjo lëvizje e organit të akuzës ka ndezur alarmin brenda rrjetit të tij të ndikimit, por duket se nuk e ka ndalur ambicien për të kapur majën e Doganave.
    Sipas burimeve, pas këtij “takimi të fshehtë” fshihet një plan i detajuar: goditja e Gent Gazhelit me një seri akuzash politike dhe mediatike, bllokimi i punës së tij në terren dhe krijimi i një narrative se Doganat “duhen pastruar” nga drejtuesit aktualë. Synimi final: vendosja e Shehut në krye, si garant i një zinxhiri kontrolli të plotë mbi këtë institucion strategjik. Mirëpo ky komplot, që po gatuhet në qetësi, pritet të shpërthejë në javët në vijim, duke hapur një nga betejat më të forta të korridoreve të pushtetit. Pra jemi përballë një beteje, teksa politika, biznesi dhe drejtësia do të përplasen ashpër, dhe ku fati i Doganave mund të ndryshojë përfundimisht. Megjithatë nëse plani i Olsi Ramës dhe Fatjon Shehut do të finalizohet, do të shënojë një riorganizim të thellë të ekuilibrave brenda mazhorancës dhe një tronditje të madhe për figurat që deri dje dukej se e kishin të sigurt karrigen e tyre.
    Hetimet e SPAK
    Nga ana tjetër, kujtojmë sipas të dhënave të SPAK, Fatjon Shehu dyshohet se ka luajtur rol aktiv në kontrabandën e naftës, cigareve dhe mallrave të tjera, duke ushtruar presion mbi vartësit për të zbatuar urdhra të paligjshëm. Ai ka goditur në mënyrë selektive bizneset që nuk ishin pjesë e rrjetit të tij, ndërsa disa kompani të lidhura me të janë favorizuar në doganë, duke krijuar një monopol të heshtur. Një tjetër pistë hetimi lidhet me kontrabandën e veshjeve nga Turqia, ku bizneset e ligjshme janë shkatërruar dhe janë favorizuar firma me lidhje politike. Në këtë skemë, sipas burimeve, është përfshirë edhe një ish-deputet i PS, i shpallur “non-grata”, i njohur për lidhjet me qeverinë dhe Kryeministrin Rama.
    Shehu sikundër e theksuam më sipër, ka lidhje të afërta me familjen Rama, përfshirë Olsi Ramën dhe bashkëshorten e kryeministrit, Linda Rama, çka i ka dhënë fuqi për të avancuar me planin për të marrë drejtimin e Doganave nga Gent Gazheli. Por hetimet e SPAK po përparojnë me ritme të shpejta dhe pritet të ketë masa sigurie për disa zyrtarë të lartë. Pra nëse dyshimet ndaj Shehut provohen, ai mund të jetë ndër të parët që do të përballet me ndjekje penale. Ndërkaq ekspertët paralajmërojnë se pa shkatërruar strukturat e kontrabandës dhe korrupsionit, Doganat do të mbeten peng i pazareve të errëta. Sidoqoftë humbësi më i madh, si gjithmonë, mbetet qytetari i zakonshëm, që paguan taksa por nuk ka mbrojtje dhe konkurrencë të ndershme. Kështu që vetëm një pastrim real dhe i bazuar në prova mund të rikthejë funksionimin normal të këtij institucioni strategjik.

  • Doganat pyetësor për biznesin

    Doganat pyetësor për biznesin

    Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton se ka hartuar një pyetësor për bizneset në funksion të transparencës dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve doganore, duke ndjekur qasjen europiane për një administratë efikase dhe digjitale.Në Pyetësorin e fundit të zhvilluar me bizneset, janë regjistruar vlerësime maksimale për performancën e administratës doganore, të cilat pasqyrojnë progresin e vazhdueshëm në:• Digjitalizimin e shërbimeve dhe lehtësimin e aksesit online;• Uljen e kohës së përpunimit të deklaratave për import, eksport dhe tranzit;• Autorizimin e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar, që përfitojnë lehtësira në procedura dhe kontrolle.Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mbetet e angazhuar të dëgjojë dhe të përfshijë opinionin e biznesit për të garantuar një shërbim gjithnjë e më cilësor dhe të përshtatur me nevojat konkrete të operatorëve ekonomikë.🔗Pyetësori në shqip: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSdDLtfuZfl2dBV2FQ4ltUX5SqmGjoHAFPy_3vd_LW8SMdY4QQ/viewform?usp=sf_link Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • FOTO – Shefi i Doganave inspekton Muriqanin dhe Hanin e Hotit, kërkon standarde sigurie dhe kontrolle…

    FOTO – Shefi i Doganave inspekton Muriqanin dhe Hanin e Hotit, kërkon standarde sigurie dhe kontrolle…

    Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli vizitoi ditën e sotme pikat kufitare të Muriqanit dhe Hanit të Hotit për të ndjekur nga afër mbarëvajtjen e punës dhe për të garantuar një shërbim sa më efikas për udhëtarët.
    Gjatë vizitës, ai u takua me punonjësit e Administratës Doganore në terren, duke vlerësuar angazhimin e tyre dhe duke theksuar rëndësinë e një shërbimi të shpejtë, profesional dhe me integritet në këto ditë me fluks të lartë, ku mbi 15 mijë udhëtarë hyjnë çdo ditë përmes këtyre pikave kufitare.
    Mesazhi ishte i qartë: të garantohet një përvojë sa më e mirë për qytetarët dhe turistët që hyjnë në Shqipëri, duke ruajtur njëkohësisht standardet e sigurisë dhe kontrollit kufitar.
    Administrata Doganore mbetet në gatishmëri të plotë për të menaxhuar me efikasitet lëvizjen ndërkufitare dhe për të ofruar një pritje dinjitoze për të gjithë vizitorët që zgjedhin vendin tonë këtë verë

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!