Tag: diogo

  • Diogo Jota, autostrada nën akuzë. Në atë segment, një grua rrezikoi të vdiste 10 ditë më parë

    Diogo Jota, autostrada nën akuzë. Në atë segment, një grua rrezikoi të vdiste 10 ditë më parë

    Shkak i aksidentit në të cilin humbën jetën sulmuesi i Liverpool-it, Diogo Jota, dhe vëllai i tij André Silva, gjithashtu futbollist, duket se kanë qenë shpejtësia e lartë dhe më pas shpërthimi i një gome, për shkak të asfaltit të dëmtuar. Të dy udhëtonin me një Lamborghini, i cili mori flakë pasi doli nga rruga si pasojë e shpërthimit të gomës, ndërsa udhëtonin me shpejtësi të lartë në autostradën A-52 pranë Cernadilla (Zamora).

    Diogo dhe André po shkonin drejt Santanderit (me një ndalesë të planifikuar në Burgos, sipas fizioterapistit të lojtarit të Liverpool-it) dhe kishin zgjedhur makinën në vend të avionit, sipas këshillës mjekësore. Diogo Jota kishte kryer së fundi ndërhyrje kirurgjikale për një dëmtim të mushkërive dhe protokolli mjekësor nuk rekomandonte fluturimin, për të shmangur rreziqet e lidhura me ndryshimet e presionit të gjakut.

    Pas mbërritjes në Santander, ata do të merrnin tragetin e orës 16:00 drejt Portsmouthit (Angli). Më pas do të përshkonin edhe 430 kilometra për të mbërritur në Liverpool. Sulmuesi i “Reds” do të duhej të rikthehej në stërvitje me shokët e skuadrës të martën.

    Sipas rindërtimit paraprak të aksidentit nga “Guardia Civil”, gjatë një parakalimi, në një segment autostrade me kufi shpejtësie 120 km/h, një nga gomat e pasme shpërtheu për shkak të asfaltit të dëmtuar, duke bërë që makina të humbte kontrollin, të përplasej dhe më pas të shpërthente në flakë. Makina, një ‘Lamborghini Huracán’ me traksion të pasëm, ishte marrë me qira nga Diogo Jota.

    Aksidenti ndodhi në A-52, autostrada që lidh Galicien me Portugalinë, e cila edhe më parë ka qenë në qendër të kritikave për mirëmbajtjen e dobët. Në prill të vitit të kaluar ishin paraqitur ankesa të shumta për gjendjen e keqe të asfaltit dhe vetëm 10 ditë më parë një grua u plagos rëndë aty, u nxor nga makina e saj e shkatërruar në të njëjtën zonë ku ndodhi tragjedia e Diogo Jotës.

    Policia po heton gjithashtu me çfarë shpejtësie po udhëtonte Lamborghini i dy vëllezërve. Bashkëshortja e Diogo Jotës, Rute Cardoso, mbërriti në Institutin e Anatomisë Forense në Zamora, ku u dërguan trupat e pajetë për identifikim përmes analizës së ADN-së.

    Vetëm 12 ditë më parë ishte festuar martesa e tyre, në prani të tre fëmijëve. Për Ruten dhe familjarët e tjerë është vënë në dispozicion ndihmë psikologjike. Ceremonia mortore do të mbahet nesër në orën 10:00 në kishën kryesore të Gondomar, pak kilometra larg Portos, ku ishin lindur dhe rritur të dy vëllezërit.
     

  • Trupat e pajetë të Diogo Jota dhe vëllait kthehen në shtëpi. Nesër funerali, do të prehen bashkë

    Trupat e pajetë të Diogo Jota dhe vëllait kthehen në shtëpi. Nesër funerali, do të prehen bashkë

    E gjithë bota e futbollit është e tronditur nga humbja tragjike e Diogo Jotës dhe vëllait të tij André Silva, të ndarë nga jeta natën e së mërkurës në Zamora, në veri të Spanjës, pas një aksidenti dramatik rrugor.
    Të dy futbollistët udhëtonin me një makinë që, sipas rindërtimeve të para të policisë spanjolle, doli nga rruga për shkak të shpërthimit të një gome. Pas përplasjes, automjeti mori flakë, duke mos iu lënë asnjë shans për shpëtim dy vëllezërve.
    Trupat e pajetë të Diogo Jota dhe André Silva, tashmë të larguar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Zamorës, mbërritën të enjten në mbrëmje në Gondomar. Funerali do të mbahet të shtunën në mëngjes, në orën 10:00, në Igreja Matriz de Gondomar, siç konfirmon e përditshmja portugeze “A Bola”.
    Ndërkohë, ceremonia mortore do të zhvillohet sot (e premte, 4 korrik) rreth orës 16:00, në Kishën e Ringjalljes, ku miqtë dhe të afërmit do të kenë mundësi t’iu japin lamtumirën e fundit (videoja e publikuar nga ‘Record’, me pamjet e mbërritjes së familjes, është rrëqethëse). Kjo tragjedi ka tronditur thellësisht jo vetëm botën e sportit, por edhe të gjithë vendin, i cili tani i qëndron pranë familjes dhe komunitetit vendas.

  • Liverpul shtyn grumbullimin, ‘Anfield’ mbulohet nga lulet…

    Liverpul shtyn grumbullimin, ‘Anfield’ mbulohet nga lulet…

    Xhordan Henderson vizitoi sot ‘Anfield’ për t’i bërë homazhe mikut dhe ish-shokut të ekipit, Diogo Zhota.

    Liverpuli ka vendosur të shtyjë rikthimin e planifikuar në stërvitje për fillimin e kampit stërvitor parasezonal. Ky veprim vjen ndërsa klubi vazhdon të mbajë zi pas vdekjes tragjike të sulmuesit Diogo Jota dhe vëllait të tij André Silva.

    Grupi i parë i skuadrës së Arne Slot duhej të shkonte në Qendrën e Stërvitjes AXA këtë të premte për vlerësimet e tyre të para fizike pas pushimeve verore.

    Megjithatë, PA Media raporton se seancat janë shtyrë pas humbjes së jetës së 28-vjeçarit Diogo Zhota dhe vëllait të tij Andre, të cilët vdiqën në një aksident me makinë në Spanjë të enjten në mëngjes.

  • U dashuruan që në bankat e shkollës…. Historia prekëse e dashurisë së Jota dhe Rute Cardoso, që u ndërpre tragjikisht

    U dashuruan që në bankat e shkollës…. Historia prekëse e dashurisë së Jota dhe Rute Cardoso, që u ndërpre tragjikisht

    Vetëm 12 ditë më parë, Diogo Jota dhe Rute Cardoso përjetuan atë që e quanin “ëndrra e bërë realitet”. Pas më shumë se një dekade dashuri, ata thanë “po” në qytetin e tyre të lindjes, Porto, duke kurorëzuar një histori që kishte nisur që në bankat e shkollës së mesme.
    Ishte një ditë e paharrueshme, e mbushur me buzëqeshje, shpresë dhe plane për të ardhmen. Sot, e sapomartuara 28-vjeçare, përballet me një realitet që askush nuk mund ta kishte imagjinuar: një jetë pa dashurinë e saj të fëmijërisë, me tre fëmijët e tyre të vegjël në krahë.

    E enjtja fatale i mori jetën Diogos dhe vëllait të tij, André Silva. Lamborghini me të cilin po udhëtonin doli nga rruga në provincën e Zamorës dhe shpërtheu në flakë, duke shuar në çast dy jetë të reja e plot ëndrra. Fotot e dasmës së tyre janë ende të freskëta, kujtime të një fillimi që u kthye tragjikisht në fund.
    Historia e Diogo dhe Rutes ishte një rrugëtim i vërtetë bashkëjetese, mbështetjeje dhe dashurie. Ata u njohën si adoleshentë në shkollën e mesme në Porto dhe nisën të dilnin në tetor 2012. Që atëherë, Rute ishte në çdo hap pranë Diogo; kur debutoi në ekipin e parë të Pacos de Ferreira në moshën 18 vjeç, kur nënshkroi për Atletico Madridin në moshën 20 vjeç, kur eci përpara në karrierën e tij, gjithnjë me ëndrrat e përbashkëta.

    Në vitin 2020, jeta e tyre mori një kthesë të re. Vetëm një muaj para se Diogo të bashkohej me Liverpool-in, ata ndanë lajmin se prisnin fëmijën e parë. Në shkurt 2021 erdhi në jetë Dinis, djali i tyre. Pak vite më vonë, në mars 2023, familja u zgjerua me një tjetër djalë, Duarte. Në nëntor 2024, lumturia e tyre u plotësua me ardhjen në jetë të vajzës.
    Rute shpesh ndante me ndjekësit në rrjetet sociale momente nga jeta e tyre: brohoritjet në stadium për Diogon, lumturinë e vogëlushëve, përditshmërinë e një familjeje që dukej e bekuar. Kurorëzimi i kësaj dashurie erdhi më 22 qershor 2025, në një ceremoni që Diogo e përshkroi si “një ditë që nuk do ta harrojmë kurrë”.

    Por sot, kujtimet janë gjithçka që mbetet. Një histori dashurie e rrallë, e cila, edhe pse e ndërprerë tragjkisht dhe dhimbshëm, do të jetojë përgjithmonë në zemrat e atyre që e njohën. Një dashuri e pastër, e vërtetë, që as koha, as humbja nuk do të mund ta fshijnë.

  • Botërori i klubeve nderon Diogo Jota, 1 minutë heshtje në të gjitha ndeshjet çerekfinale

    Botërori i klubeve nderon Diogo Jota, 1 minutë heshtje në të gjitha ndeshjet çerekfinale

    4 Korrik 2025

    9:41

    Telesport

    Në kujtim të Diogo Jota dhe vëllait të tij André Silva, do të mbahet një minutë heshtje në secilën prej ndeshjeve çerekfinale të Kupës së Botës për Klube, të planifikuara për të premten, 4 dhe të shtunën, 5 korrik.
    Ndërkohë që, flamujt u ulën në gjysmështizë në selinë e FIFA në Zyrih të Zvicrës. “Është një ditë e trishtuar për futbollin. Të gjithë jemi thellësisht të trishtuar nga humbja e Diogo Jota dhe vëllait të tij André“, tha Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, në një video.
    “Pata mundësinë ta takoja Diogo gjatë Kupës së Botës në Katar disa vite më parë. Ai ishte një person fantastik dhe një bir, baba dhe bashkëshort i shkëlqyer. Është një humbje tragjike dhe padyshim që në çerekfinalet e ardhshme të Kupës së Botës për klube do t’i bëjmë homazh me një minutë heshtje”, shtoi Infantino.
    Në fund, ai tha: “Nuk ka fjalë në këtë moment. Në emër timin, të FIFA-s dhe të gjithë familjes botërore të futbollit, i dërgojmë një përqafim të madh familjes së Diogo dhe André dhe i shprehim ngushëllimet tona më të thella në këtë moment shumë të trishtueshëm”.

  • Nga se vuante, pse nuk udhëtoi me avion drejt Anglisë…; fizioterapisti personal rrëfen gjithçka për Diogo Jota

    Nga se vuante, pse nuk udhëtoi me avion drejt Anglisë…; fizioterapisti personal rrëfen gjithçka për Diogo Jota

    Fizioterapisti i Diogo Jotës, Miguel Gonçalves, tregoi se si kaluan orët e fundit të futbollistit, në një intervistë për “Record”, përpara aksidentit tragjik ku humbi jetën bashkë me vëllanë e tij në provincën e Zamorës.
    Fizioterapisti respirator e kishte trajtuar sulmuesin portugez vetëm pesë orë para aksidentit fatal. Jota vuante nga një problem i njohur si pneumotoraks ose kolaps i mushkërisë.
    Ky ishte një problem që e kishte prej muajsh, por operacionin kishte vendosur ta shtynte. Jota dhe vëllai i tij kishin planifikuar të merrnin një traget për t’u kthyer në Angli, pasi ishte paralajmëruar se udhëtimi me avion do të përbënte rrezik për shëndetin e tij.
    Gonçalves shpjegon se i pa të dy rreth orës 20:30 dhe se kishin vendosur të udhëtonin natën për të shmangur temperaturat e larta. Ai mohon thashethemet se kishin qenë në ndonjë festë dhe e përshkruan pacientin e tij si “një profesionist”.
    “Më tha se udhëtimi do të zgjaste rreth 8 orë, por se do të ndalonin në një hotel në zonën e Burgos për të pushuar. Diogo ishte shumë i vetëdijshëm për profesionalizmin e tij. Duhej të mbërrinin në Santander, të merrnin tragetin dhe pastaj të shkonin në Angli, – thekson fizioterapisti.
    – Familja do të udhëtonte më vonë me avion dhe të hënën kishte të planifikuar një kontroll mjekësor në Liverpool për të vlerësuar situatën. Nisa të punoja me të të shtunën e kaluar dhe isha me Diogo çdo ditë deri të mërkurën. U përshëndeta me ta në kohën e darkës”.
    Një gjendje respiratore që Gonçalves e ka sqaruar: “Baza e mushkërisë së djathtë ishte pak e rrëzuar, por me fizioterapinë, pas operacionit, ishte pothuajse perfekte. Kur e lashë dje, nuk kishte më dhimbje dhe do të kthehej në Liverpool”.
    Sipas fizioterapistit, futbollisti portugez nuk do të udhëtonte me Liverpool-in në turneun parasezonal në Japoni, për t’u përqendruar te rikuperimi i tij.

  • FOTO/ Ja çfarë mbeti nga Lamborghini i djegur i Diogo Jotës dhe të vëllait, trupat u identifikuan pas testeve ADN

    FOTO/ Ja çfarë mbeti nga Lamborghini i djegur i Diogo Jotës dhe të vëllait, trupat u identifikuan pas testeve ADN

    Bota e futbollit është ende e tronditur pas vdekjes tragjike të Diogo Jotës (28 vjeç), sulmuesit të Liverpoolit dhe kombëtares portugeze, i cili humbi jetën së bashku me vëllanë e tij, Andre Silva (25 vjeç), në një aksident fatal me makinë në Spanjë.
    Sot janë publikuar pamje të reja nga vendngjarja, të cilat kanë sjellë më shumë dritë mbi atë që ndodhi në autostradën A-52, në zonën Cernadilla pranë Zamorës, vetëm pak kilometra larg kufirit portugez. Aksidenti ndodhi në një pjesë të izoluar të rrugës, ku makina Lamborghini Huracan Evo Spyder, me të cilën udhëtonin vëllezërit, dyshohet se pësoi një shpërthim të gomës teksa po tentonte të parakalonte një automjet tjetër. Mjeti u përfshi nga flakët, ndërsa ‘Marca’ bën me dije se u deshën analizat e ADN-së për të konfirmuar identitetin e dy trupave të gjetur në makinë, çka tregon se fundi i vëllezërve ka qenë tragjik.
    Pamjet e publikuara nga mediat spanjolle tregojnë mbetje të shpërndara dhe dëmtime të rënda në automjetin luksoz, duke konfirmuar ashpërsinë e aksidentit fatal. Vlera e makinës së aksidentuar ishte mbi 200.000 euro, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse ishte Jota apo vëllai i tij ai që ndodhej në timon.
    Sipas zyrtarëve lokalë dhe shërbimeve emergjente, të dy vëllezërit ndërruan jetë në vend, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme. Guvernatori i Zamorës, Ángel Blanco, konfirmoi lajmin e hidhur për mediat.

    Shmangia e fluturimeve, arsyeja e udhëtimit me makinë
    Sipas informacioneve nga CNN Portugal, Jota ishte në udhëtim drejt portit të Santanderit, prej nga do të merrte një traget për në Mbretërinë e Bashkuar. Mjekët i kishin rekomanduar të shmangte fluturimet, pasi së fundmi kishte kaluar një operacion në mushkëri.
    “Operacioni që iu nënshtrua Jota ishte në mushkëri dhe pas tij mjekët e këshilluan të mos fluturonte. Për këtë arsye, ai po udhëtonte drejt Santanderit për të marrë tragetin që e çonte në Britani, e më pas në Liverpool”, tha Rui Loura, redaktor i sportit në CNN Portugal.
    Diogo Jota pritej të bashkohej me ekipin e Liverpoolit për stërvitjet parasezonale, që do të nis të hënën. Tragjedia ndodhi vetëm dy javë pas dasmës së tij me partneren dhe nënën e tre fëmijëve të tyre, Rute Cardoso, më 22 qershor në Porto.
    Homazhe dhe dhimbje në botën e sportit
    Federata portugeze e futbollit dhe klubi i Liverpoolit kanë shpallur ditë zie dhe pritet të organizojnë homazhe zyrtare në nderim të Jotës në ditët në vijim. Reagimet e kolegëve, tifozëve dhe figurave të njohura të sportit vazhdojnë të mbushin rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për një humbje kaq të madhe dhe të parakohshme.

  • Diogo Jota shuhet në aksident, Ronaldo emocionon me mesazhin e tij të ngushëllimit

    Diogo Jota shuhet në aksident, Ronaldo emocionon me mesazhin e tij të ngushëllimit

    Adriatik BALLA
    Dje ishte një ditë zie për futbollin, pasi një ngarje e rëndë në aksident i mori jetën futbollistit të Portugalisë, Diogo Jota. Ky ishte më të vërtetë një lajm tragjik që goditi botën e futbollit. Jota, sulmuesi i Liverpulit, humbi jetën në moshën 28-vjeçare pas një aksidenti rrugor në provincën spanjolle të Zamorës, në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Aksidenti ndodhi në kilometrin 65 të autostradës A-52, në zonën e Sanabria-s. Automjeti në të cilin udhëtonte Jota, së bashku me vëllain e tij Andre, gjithashtu futbollist profesionist 26-vjeçar, doli nga rruga dhe përfundoi në flakë. Dëshmitarët që telefonuan numrin e urgjencës 112 raportuan se makina u përfshi plotësisht nga zjarri, i cili më pas përfshiu edhe bimësinë përreth, duke e bërë situatën edhe më dramatike.
    Diogo Jota iu bashkua Liverpulit në vitin 2020 nga Ulverhampton për një shumë prej 44.7 mln eurosh. Që nga ajo kohë, ai regjistroi 182 paraqitje, duke shënuar 65 gola dhe dhënë 26 asiste. Me Liverpulin, ai fitoi Premier League në sezonin 2024-25, si dhe FA Cup dhe League Cup në sezonin 2021-22. Më herët, ai kishte luajtur edhe për Atletico Madrid, Porto dhe Ëolves, duke u kthyer në një nga sulmuesit më të vlerësuar në Evropë. Familja, shokët e skuadrës dhe e gjithë bota e futbollit janë në zi për këtë humbje të parakohshme dhe të dhimbshme. Klubet ku ka luajtur pritet të organizojnë homazhe në nder të tij në ditët në vijim. Ndërkohë, “ylli” i futbollit botëror, Kristiano Ronaldo, ka reaguar me një mesazh emocional pas vdekjes tragjike të Diogo Jotës dhe vëllait të tij Andre, duke shprehur tronditjen e tij të thellë dhe solidaritetin me familjen e sulmuesit portugez.
    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ronaldo shkroi: “Nuk ka kuptim. Sapo ishim bashkë në Kombëtare, sapo ishe martuar. Familjes tënde, bashkëshortes dhe fëmijëve të tu, i dërgoj ngushëllimet më të sinqerta dhe u uroj të kenë gjithë forcën e botës. E di që gjithmonë do të jesh me ta. Pushoni në paqe, Diogo dhe André. Të gjithëve do të na mungoni”, shkruan Ronaldo. Lajmi bëhet edhe më i dhimbshëm kur kujtojmë se vetëm një javë më parë, më 22 qershor 2025, Diogo Jota ishte martuar me partneren e tij Rute Kardoso, me të cilën kishte ndërtuar një jetë familjare të qëndrueshme. Çifti ishte prindër të tre fëmijëve, dhe së fundmi kishin shpërndarë foto të dasmës së tyre në rrjetet sociale, ku shfaqeshin të lumtur në altar, të rrethuar nga fëmijët e tyre. Në mbishkrimin e postimit në Instagram, ata shkruanin: “22 qershor 2025. Po për gjithë jetën.” Udhëtimi me makinë e më pas me target, duke evituar aeroplanin, i ishte këshilluar nga mjeku i Liverpulit.
     

  • “Thyhet” rregulli i Premier League në nder të Diogo Jotës/ Liverpool merr vendimin e rëndësishëm

    “Thyhet” rregulli i Premier League në nder të Diogo Jotës/ Liverpool merr vendimin e rëndësishëm

    Klubi konfirmoi sot se fanella e portugezit do të “pensionohet përjetë”, një vendim emocional që tekniko-ligjërisht bie ndesh me rregullat e Premier League, e cila nuk lejon pezullimin zyrtar të numrave të fanellave. Megjithatë, Liverpool ka zgjedhur ta “thyejë” këtë normë përmes një akti simbolik që pritet të mbetet në histori.
    Në një veprim jashtë çdo protokolli zyrtar të Premier League, Liverpool ka vendosur të mos e përdorë më kurrë fanellën me numrin 20, në nder të Diogo Jotës, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike pas një aksidenti tragjik së bashku me vëllain e tij, Andre Silva.
    “Numri 20 do të jetë përjetësisht i lidhur me kujtimin e Diogos. Ai e nderoi këtë klub me pasionin dhe shpirtin e tij. Ky është minimumi që mund të bëjmë për ta kujtuar,” – thuhet në deklaratën e Liverpoolit.
    Diogo Jota përfundoi sezonin 2024/25 si kampion i Premier League me Liverpool, duke shënuar një gol të paharrueshëm në derbin ndaj Everton në prill – goli që më vonë do të rezultonte si i fundit i jetës së tij. Ai ishte gjithashtu pjesë e ekipit të Portugalisë që fitoi UEFA Nations League.
    Vendimi i Liverpoolit ka ngjallur diskutime të mëdha në Angli. Sipas rregullores së Premier League, klubet nuk kanë të drejtë të pensionojnë numra fanellash në mënyrë të përhershme, ndryshe nga sportet amerikane apo disa liga të tjera në Europë.
    Megjithatë, precedenti nuk është i panjohur: Manchester City nuk e ka përdorur më numrin 23 pas ndarjes nga jeta të Marc-Vivien Foé, dhe West Ham e ka bërë të njëjtën gjë me numrin 6 të Bobby Moore – por në të dy rastet, pa njohje zyrtare nga liga.
    Në fund, përtej rregullave, Liverpool ka zgjedhur të veprojë me zemër. Fanella me numrin 20 nuk do të rikthehet më në Anfield, dhe emri i Diogo Jotës do të qëndrojë përgjithmonë i gdhendur në historinë e klubit dhe zemrat e tifozëve.

  • Fati nuk ishte me të! Diogo Jota shmangu avionin për arsye shëndetësore, por gjeti vdekjen

    Fati nuk ishte me të! Diogo Jota shmangu avionin për arsye shëndetësore, por gjeti vdekjen

    Dalin detaje te reja nga vdekja e Diogo Jota!
    BBC Sport ka thënë se Jota iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale, kështu që mjekët e këshilluan të mos fluturojë. Si rezultat, ai planifikonte të kthehej në Liverpool me traget për stërvitjen parasezonale, e cila do të fillonte të hënën. Kjo kuptohet se përfshin udhëtimin e tij me makinë nga Porto për të marrë një traget nga Santander në Spanjën veriore.
    Zamora, afër kufirit portugez, është rreth 190 milje nga Portoja dhe në një distancë të ngjashme nga porti. Jota e kishte përfunduar udhëtimin në drejtim të kundërt për të shkuar në Porto për dasmën e tij.
    Cfare dihet deri me tani:
    Homazhet kanë vërshuar nga e gjithë bota pasi sulmuesi i Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllai i tij, André Silva, vdiqën në një aksident me makinë në Spanjë.
    -Rreth orës 00:30 sipas orës lokale, Lamborghini në të cilin ndodheshin vëllezërit u përplas për shkak të shpërthimit të një gome ndërsa po tejkalonte një makinë tjetër. Makina më pas shpertheu ne flake.
    -Kjo vjen më pak se dy javë pas martesës së Jotës me partneren e tij prej shumë kohësh dhe nënën e tre fëmijëve të tij, Rute Cardoso.
    -Familja ka mbërritur në zonë, ku testet e ADN-së do të identifikojnë trupat.
    -Futbollisti portugez Cristiano Ronaldo tha se lajmi “nuk ka kuptim”, me një numër shokësh të tjerë të ekipit që reaguan gjithashtu ndaj lajmit.
    -Në Liverpool, tifozët janë mbledhur jashtë Anfield, ndërsa ish-trajneri Jurgen Klopp tha se ishte zemërthyer.