Tag: digjitale

  • A do ta zhdukë Rama paranë cash, deri në vitin 2030? ‘Politico’: Plani i pazbatueshëm!

    A do ta zhdukë Rama paranë cash, deri në vitin 2030? ‘Politico’: Plani i pazbatueshëm!

    Në një vend ku “paraja në dorë” është mbret, ku  shqiptarët kanë preferuar ta mbajnë paratë nën jastëk, pranë kallashit dhe kujtesa e falimentimeve piramidale është ende e gjallë, qeveria shqiptare ka shpallur një plan ambicioz: Shqipëria pa para fizike deri në vitin 2030.

    Nëse kjo ndodh, pagesat me kartë, transfertat bankare dhe platformat dixhitale do të jenë e vetmja mënyrë për të blerë një kafe, për të paguar qiranë apo për të bërë pazarin. Por realiteti i sotëm i Shqipërisë tregon një histori tjetër, shkruan POLITICO.

    Problemi është se as sistemi bankar dhe as shoqëria nuk janë domosdoshmërisht gati për të hedhur këtë hap.

    Genc Pollo, bashkëthemelues i Partisë Demokratike në opozitë dhe ish-zv.kryeministër, i tha POLITICO-s se përpjekja për të mbyllur ekonominë informale duke ndaluar paranë fizike është “si të vrasësh një pulë me artileri.” Ai e quajti idenë një sulm ndaj lirisë personale të qytetarëve që mbajnë para ligjërisht.

    Artikulli i Plotë i POLITICO

    Në një vend ku “paraja në dorë është mbret”, ambicia e kryeministrit Edi Rama për të zhdukur përdorimin e saj deri në vitin 2030 do të përmbyste tërësisht shoqërinë. Për vite me radhë, shqiptarët kanë preferuar ta mbajnë paratë nën jastëk, pranë kallashit, siç thotë batuta kombëtare sesa në banka. Por nëse Rama e arrin qëllimin e tij, Shqipëria do të bëhej ekonomia e parë pa para në dorë në botë.

    Një pjesë e madhe e arsyes është fakti që aktualisht shumë transaksione ndodhin “nën dorë”. Eliminimi i parasë fizike “është një përparësi absolute për vendet me informalitet të lartë dhe me sasi destabilizuese të parave të paligjshme në sistemin financiar”, thotë Selami Xhepa, profesor i shkencave ekonomike në Universitetin e Tiranës.

    Problemi është se as sistemi bankar dhe as shoqëria nuk janë domosdoshmërisht gati për të hedhur këtë hap. Shumica e shqiptarëve preferojnë të menaxhojnë kursimet e tyre jashtë sistemit bankar, duke i fshehur paratë në vendstrehime private dhe duke insistuar për pagesa në dorë sa herë që është e mundur. Madje edhe në guidat turistike për Shqipërinë, fraza paraja në dorë është mbret shfaqet shpesh si këshillë për vizitorët.

    Ndërsa shumica e dyqaneve të mëdha apo restoranteve zinxhir pranojnë karta, kafenetë, sallonet e bukurisë, butikët, kompanitë telefonike dhe marketet jo. Në një dyqan veshjesh në qendër të Tiranës, kur gazetarët e POLITICO provuan të paguanin me kartë digjitale, shitësja i tha pyeti: “cash?”

    E njëjta gjë ndodhi edhe në një taksi dhe në autobus konduktori qeshi dhe e përsëriti më me zë: “40 lekë.” Qeveria e qendrës së majtë dëshiron ta çlirojë Shqipërinë nga ajo që raporti i vitit 2024 i Komisionit Europian e përshkruante si një ekonomi e madhe informale që pengon biznesin dhe konkurrencën për të mos përmendur të ardhurat e munguara nga taksat.

    Vlerësimet tregojnë se ekonomia gri pjesa e ekonomisë që nuk llogaritet në statistikat zyrtare përbën nga 29 deri në 50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, i tha POLITICO-s se qeveria dhe institucionet do të hartojnë një plan për t’i hapur rrugë ekonomisë pa para në dorë, ku hapat e ardhshëm përfshijnë një kufi për pagesat me para fizike, integrimin me sistemin e pagesave SEPA të BE-së deri në tetor, dhe shtrirjen e pagesave të menjëhershme përmes SEPA më pas.

    Trauma bankare në Shqiptare

    Një nga problemet është se shqiptarët nuk i pëlqejnë bankat. Një anketë e fundit nga Shoqata e Bankave zbuloi se vetëm 34 për qind e popullsisë u beson atyre. Banka Botërore raportoi se më pak se 50 për qind e shqiptarëve kanë një llogari bankare. Banka e Shqipërisë thotë se 78 për qind “kanë akses” në një llogari bankare, më pak se mesatarja europiane prej 96 për qind.

    Jo të gjithë janë të bindur se plani ka kuptim. Genc Pollo, bashkëthemelues i Partisë Demokratike në opozitë dhe ish-zv.kryeministër, i tha POLITICO-s se përpjekja për të mbyllur ekonominë informale duke ndaluar paranë fizike është “si të vrasësh një pulë me artileri.” Ai e quajti idenë një sulm ndaj lirisë personale të qytetarëve që mbajnë para ligjërisht.

    Edhe pse pranoi se bankat shqiptare mund të jenë të ngathëta dhe të shtrenjta, rregullimi më i zgjuar dhe konkurrenca më e madhe nga platformat e parave online dhe kriptovalutat do të ishin një rrugë më e mirë sesa ndalimi i parave në dorë. Ai kishte pak besim se një shoqëri pa para fizike do të reduktonte pastrimin e parave. Erald Kapri, deputet i sapozgjedhur i Partisë së Djathtë për Mundësi, i tha POLITICO-s se kishte dyshime për prapavija politike.

    “Është thjesht një nga ato idetë e Ramës për të tërhequr vëmendjen dhe për të shmangur problemet reale të vendit, si korrupsioni apo kostoja e lartë e jetesës,” tha ai.

    Trauma post-komuniste

    Ideja e kalimit në një ekonomi gjithnjë e më digjitale po promovohet nga shumë vende të zhvilluara si Suedia, Estonia dhe Irlanda, por Shqipëria është një tjetër histori, dhe skepticizmi publik është i kuptueshëm. Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, bankat dhe institucionet financiare, së bashku me kompanitë e investimeve, nisën të shfaqeshin dhe premtuan norma interesi të pabesueshme deri në 19 për qind mbi depozitat.

    Disa firma u zgjeruan shpejt në më shumë se 25 të tilla, dhe në kulmin e çmendurisë, një në gjashtë shqiptarë kishte investuar para në shumë raste gjithë kursimet e jetës në këto skema piramidale. Investitorët e parë morën pagesa bujare, por ato u bënë gjithnjë e më të vogla dhe më të rralla ndërsa sistemi filloi të shembej. Në janar 1997, firmat e para nisën të falimentonin, duke nxitur shqiptarët të tërhiqnin masivisht paratë e tyre, duke krijuar një cikël të përkeqësuar kolapsi.

    Deri në mars, vendi u fut në kaos dhe shpërtheu rebelimi. Ushtarët dhe policët braktisën postet e tyre, dhe turma shqiptarësh të zemëruar, të falimentuar, akuzuan qeverinë se kishte dështuar të ndalte mashtrimet madje se kishte përfituar prej tyre. Rreth 2.000 njerëz u vranë në përplasjet mes qytetarëve dhe autoriteteve, dhe nga bandat e armatosura që kishin plaçkitur më shumë se një milion armë nga depot shtetërore. Në total, humbjet përllogariten në rreth 1.2 miliardë dollarë ekuivalente me gjysmën e PBB-së së asaj kohe. Ky episod shkaktoi valë emigracioni, e çoi vendin vite pas në zhvillim dhe theu besimin e qytetarëve ndaj bankave dhe shtetit.

    Banka të shtrenjta

    Gjatë tre dekadave që nga ajo kohë, bankat kanë dështuar të rindërtojnë besimin. Një pjesë e problemit, sipas Xhepës, qëndron në faktin se bankat nuk ofrojnë shumë përfitime dhe janë të shtrenjta për t’u përdorur. Kjo i dekurajon njerëzit të hapin llogari dhe të përdorin karta apo transferta digjitale.

    “Shumica kanë mbajtur norma diskriminuese interesi. Të larta për kreditë dhe shumë të ulëta për kursimet. Pagesat ndërkombëtare kanë pasur gjithashtu tarifa të larta, duke dekurajuar transfertat nga emigrantët,” tha ai. 

    Pagesat digjitale të brendshme mes bankave shqiptare mbartin tarifa të larta (dërgimi i 500 eurove mund të kushtojë deri në 50 euro), ndërsa lloje të tjera transaksionesh kanë gjithashtu kosto të papërballueshme. Kursi i këmbimit mes lekut dhe euros në banka është gjithashtu famëkeq për të qenë i pafavorshëm. Edhe në dyqane, bizneset ankohen se duhet të paguajnë deri në 3.5 për qind për çdo transaksion me kartë. Brumbulli, nga Shoqata e Bankave, tha se disa biznese madje u vendosin klientëve tarifa shtesë për pagesat me kartë.

    Kjo u shërben bizneseve për të shmangur taksat, pasi pagesat në dorë shpesh nuk regjistrohen në kasë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, refuzoi të komentojë. Ndërsa ambicia për të shkuar drejt një ekonomie pa para në dorë deri në vitin 2030 është e guximshme, suksesi ende varet nga vendosja e një infrastrukture pagesash digjitale që është me kosto të ulët dhe lehtë e aksesueshme ndoshta përmes një monedhe digjitale të bankës qendrore apo një platforme kombëtare pagesash të menjëhershme.

    Edhe pse Banka e Shqipërisë i ka studiuar monedha të tilla dhe stablecoin-e një lloj kriptomonedhe si mjete të mundshme, nuk ekziston një plan zyrtar. Pa një plan të hartuar për mekanizma të tillë, plani i Ramës rrezikon të mbetet i pa zbatueshëm.

  • Rritet dhuna digjitale ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, vajzat më të prekura

    Rritet dhuna digjitale ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, vajzat më të prekura

    Dhuna digjitale ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri ka shënuar një rritje alarmante gjatë vitit 2024.
    Të paktën sipas Raportit Kombëtar për Sigurinë në Internet për Fëmijët dhe të Rinjtë, të publikuar pak ditë më parë, nga Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt (iSIGURT.al).
    Raporti zbulon se në periudhën nga janari deri në dhjetor të vitit 2024, janë evidentuar 407 incidente serioze, që përbëjnë një rritje prej 67% krahasuar me vitin e mëparshëm. Kjo është një shifër shqetësuese që nxjerr në pah rreziqet në rritje me të cilat përballen fëmijët në hapësirën dixhitale.

    Tirana, si qarku më i madh dhe më i urbanizuar, mban vendin e parë për numrin e raportimeve, me 48% të rasteve, e ndjekur nga Durrësi dhe Kukësi. Ndërkohë, vajzat dhe gratë rezultojnë si viktimat më të shpeshta të dhunës digjitale, me 62% të raportimeve, ndërsa 34% vijnë nga djemtë dhe në 4% të rasteve gjinia nuk është deklaruar.

    Grupmosha më e prekur është ajo 15–18 vjeç, që përbën 43% të totalit të raportimeve, e ndjekur nga të rinjtë 19–24 vjeç. Për herë të parë, janë regjistruar edhe 4 raste nga fëmijë 6–10 vjeç, të cilët më parë nuk kishin raportuar incidente, me shumicën e viktimave sërish vajza.
    Incidentet më të zakonshme përfshijnë kërcënime, përndjekje dhe shantazh online, që përbëjnë rrezikun kryesor për fëmijët dhe të rinjtë. Pas tyre renditen bullizmi kibernetik dhe gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale.
    TikTok rezulton të jetë platforma me numrin më të madh të incidenteve të raportuara (209 raste), e ndjekur nga Facebook dhe Instagram. Megjithatë, raporti vlerëson se TikTok ka reaguar me efikasitet, duke mbyllur ose bllokuar shumicën e faqeve problematike brenda një kohe të shkurtër.
    Raporti thekson gjithashtu nevojën për forcimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e fëmijëve online, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit tek fëmijët, të rinjtë dhe prindërit në lidhje me rreziqet e hapësirës digjitale.
    Publikimi i raportit u bë i mundur me mbështetjen e nismës netSMARTkids Shqipëri, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe CRCA-ECPAT Shqipëri, në partneritet me ALO 116 Shqipëri dhe iSIGURT.al./tvklan

  • “Fol mirë, ose…”, Irani bllokon kartat telefonike të “zërave kundërshtues”

    “Fol mirë, ose…”, Irani bllokon kartat telefonike të “zërave kundërshtues”

    Autoritetet iraniane po u ndërpresin gjithnjë e më shpesh qytetarëve shërbimet celulare për shkak të ndarjes së mendimeve kritike ndaj Republikës Islamike në rrjetet sociale një praktikë shtrënguese që lidh lirinë e shprehjes me qasjen në mjetet thelbësore digjitale.
    Kjo qasje, e cila u intensifikua gjatë verës së vitit 2024 dhe është rikthyer sërish, synon gazetarë, aktivistë, akademikë dhe përdorues të zakonshëm në mbarë vendin. Shumë prej tyre kanë raportuar se SIM-kartat e tyre janë çaktivizuar menjëherë pas publikimit të postimeve kritike ndaj qeverisë në platforma si X (ish-Twitter) dhe Instagram.
    Sipas dëshmive të mbledhura, për të rikthyer shërbimin, qytetarët detyrohen të fshijnë përmbajtjen kritike, të nënshkruajnë deklarata ku zotohen se nuk do të kritikojnë më regjimin dhe, në disa raste, të publikojnë qëndrime publike në mbështetje të Republikës Islamike.
    Një nga rastet më të përfolura është ai i Ali Akbar Gorji, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Shahid Beheshti në Teheran, i cili tha për gazetën “Shargh” se i ishte ndërprerë SIM-karta pasi kishte komentuar mbi tensionet Iran-Izrael. Ai u detyrua të fshinte postimet kritike dhe, sipas Radio Farda, autoritetet i kërkuan të publikonte deri në 20 postime në mbështetje të regjimit.
    Fenomeni nuk është i izoluar. Personat e prekur kanë marrë mesazhe me tekst ku thuhet se “aktivitetet armiqësore dhe të njëanshme” janë identifikuar nga “inteligjenca artificiale”, dhe për këtë arsye qasja në SIM ose në internet është kufizuar ose pezulluar. Në vijim, u kërkohet të ndërmarrin disa veprime për të rikthyer aksesin.
    Gazetarë dhe aktivistë të tjerë i thanë Radio Farda se janë thirrur nga institucionet shtetërore dhe janë urdhëruar të përmbushin disa kushte, mes tyre: nënshkrimi i deklaratave ku zotohen se nuk do të shprehen apo veprojnë në mënyra që “cenojnë sigurinë psikologjike, sociale apo politike” të vendit. Shkelja e këtyre angazhimeve mund të çojë në rikthimin e ndalimeve apo ndjekje penale.
    Një akademik raportoi se u detyrua të fshinte postime të vjetra që datonin që nga protestat mbarëkombëtare të vitit 2022, të cilat frymëzuan lëvizjen “Gratë, Jeta, Liria” dhe sfiduan legjitimitetin e regjimit.
    Në rrjetin X, një përdorues me emrin Foad Ahmadi tha se kishte humbur aksesin në SIM për shkak të një postimi të perceptuar si mbështetje për Izraelin. Ai shtoi se kjo masë nuk kufizoi vetëm komunikimin, por ndikoi edhe në jetën e tij të përditshme, duke përfshirë pamundësinë për të përdorur bankingun online apo aplikacionet për transport.
    Edhe gazetarja Sadaf Fatemi u përball me bllokim të ngjashëm, duke e detyruar të fshinte postime kritike. Këto raste janë pjesë e një skeme më të gjerë që përfshin urdhra nga organet gjyqësore, policia kibernetike (FATA) dhe Shërbimi i Inteligjencës i Gardës Revolucionare (IRGC).
    Juristë si Mousa Barzin dhe Hadi Jafarpour e cilësojnë këtë praktikë si shkelje të ligjeve të brendshme iraniane dhe të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, pasi veprimet ndërmerren pa ndonjë proces të rregullt ligjor dhe mbështeten në dispozita të paqarta.
    Përveç se kufizon lirinë e shprehjes, kjo strategji ndikon drejtpërdrejt në aksesin në shërbime të domosdoshme si bankat dhe mjetet digjitale të komunikimit, duke ngritur shqetësime serioze për të drejtat digjitale, sigurinë e llogarive dhe fjalën e lirë.
    Irani renditet vazhdimisht në pozicione të ulëta në indekset ndërkombëtare për të drejtat civile dhe lirinë e shprehjes. Në raportin e saj më të fundit, organizata Freedom House theksoi se kufizimet e paqarta për fjalën, ndëshkimet e rënda penale dhe mbikëqyrja shtetërore e komunikimeve online, janë faktorët kryesorë që pengojnë iranianët të shprehen lirshëm në publik.

  • Pse e japim pa menduar numrin e kartës së identitetit, por kompleksohemi të themi sa para kemi borxh

    Pse e japim pa menduar numrin e kartës së identitetit, por kompleksohemi të themi sa para kemi borxh

    Ka një kontradiktë të çuditshme, mes shumë të tjerave, në përditshmërinë tonë: sa herë që na kërkohet numri i kartës së identitetit, e japim pa u menduar gjatë, në një formular online, te sporteli i ndonjë institucioni, apo edhe me mesazh në WhatsApp. Ndërkohë, kur vjen puna për shembull për të thënë sa para kemi borxh, apo çfarë kredie kemi në bankë – qofshin edhe 10 mijë lekë – kompleksohemi, shmangemi dhe ndryshojmë bisedë.

    Ky kontrast nuk është thjesht çështje morali personal. Është një tregues i fortë se ne nuk e kemi të qartë çfarë janë të dhënat personale dhe cilat prej tyre sjellin pasoja, sidomos në një botë që po bëhet gjithnjë e më digjitale dhe gjithnjë më e ndërlikuar për t’u mbrojtur.

    Kur informacioni personal bëhet objekt i mashtrimeve

    Shumë njerëz, një pjesë edhe ata që na rrethojnë, të njohur ose të panjohur e kanë “profesion” mashtrimin. Është kthyer madje në një profesion “me shumë fitim”. Mashtrimet kibernetike dhe vjedhja e të dhënave personale janë në rritje dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Vitin e kaluar, dhjetëra raste të qytetarëve shqiptarë janë raportuar si viktima të skemave të mashtrimit përmes SMS-ve apo e-mail-eve që kërkonin të dhëna si numri i kartës së identitetit, të dhënat bankare apo informacioni personal, që më pas përdorej për të marrë kredi në emrin e tyre, për të hyrë në llogari bankare apo për të krijuar profile të rreme në platforma financiare.

    Ajo që shpesh ne nuk kuptojmë është se numri i kartës së identitetit dhe elementët e tjerë të saj nuk janë thjesht shifra, por një derë e hapur drejt profilit tonë ligjor, ekonomik dhe digjital. Dhe kur ajo derë është e pambrojtur, pasojat financiare dhe jo vetëm janë të parikuperueshme.

    Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, sa i përket krimit kibernetik, gjatë vitit 2024 janë evidentuar gjithsej 1,210 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 732 ose 61% e tyre. Në raport me vitin e kaluar janë evidentuar 446 vepra penale më shumë në fushën e krimit kibernetik, ose 58% më shumë sesa në vitin 2023. Ndërkohë, sipas raportit të SPAK, mbi 6 milionë euro rezulton të jetë dëmi ekonomik nga mashtrimet kompjuterike në 2024, këtë herë të kryera jo nga individë, por nga grupe të strukturuara kriminale.

    Projektligji i ri për identitetin digjital si një mburojë mbrojtëse

    Në një përpjekje për të krijuar një kuadër më të sigurt për qytetarët, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) publikoi në qershor për konsultim publik një projektligj të ri për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital.

    Ky projektligj nuk është thjesht një rregullore teknike – është një bazë e re sigurie për qytetarët, që parashikon: Autentifikim të sigurt dhe të shumëfishtë për të hyrë në shërbimet publike apo private; Krijimin e një portofoli digjital të identitetit, ku çdo individ mund të ruajë dhe administrojë të dhënat e veta; Nënshkrim elektronik të dokumenteve, të vlefshëm ligjërisht dhe të mbrojtur nga ndërhyrje të jashtme; Standardizim të mënyrës se si institucionet kërkojnë, ruajnë dhe përdorin të dhënat personale.

    Qëllimi është i qartë: të kemi më shumë kontroll mbi të dhënat tona, dhe më pak mundësi për t’u bërë viktimë e mashtrimeve që shfrytëzojnë cënueshmërinë tonë digjitale.

    Çfarë ndodh në Evropë me të dhënat personale dhe digjitalizimin?

    Modele të ngjashme janë aplikuar shumë vite më parë në shtetet evropiane si Estonia, Gjermania dhe Franca, ku sistemet e identitetit elektronik janë të lidhura me protokolle të forta sigurie dhe ku ndërgjegjësimi publik është shumë herë më i lartë sesa në Shqipëri.

    Në Estoni, qytetarët identifikohen përmes një ID-je digjitale që përdoret për gjithçka, nga bankat te votimi elektronik – por asnjë institucion nuk mund të aksesojë informacionin pa pëlqimin aktiv të individit. Ndërkohë, në Gjermani, shkelja e privatësisë trajtohet si krim shtetëror dhe kompanitë janë të detyruara të raportojnë çdo incident. Edhe dënimet për shkelje të privatësisë, por edhe për mashtrimet kibernetike janë shumë më të rënda. 

    Ndërgjegjësimi dhe rritja e edukimit si parandalues të mashtrimeve  

    Propozimi i AKSK për një kuadër më të plotë ligjor, si edhe të përafruar me direktivat dhe praktikat evropiane, vjen në një moment kritik, kur qytetarët shqiptarë janë ende në fillimet e ndërveprimit të plotë me shtetin në mënyrë digjitale. Ky është moment vendimtar për të rritur barrierat e sigurisë kibernetike, për të frenuar valën e mashtrimeve që synojnë njerëzit më të pambrojtur, por edhe për të edukuar publikun mbi vlerën reale të të dhënave personale dhe mënyrat për t’u treguar të kujdesshëm dhe për të mbrojtur veten nga hakerat dhe mashtruesit digjitalë.

    Nëse dje ndanim pa u menduar gjatë numrin e kartës së identitetit për një formular të dyshimtë, nesër mund të kemi kontroll të plotë mbi të. Por vetëm nëse ndërgjegjësohemi sot dhe nëse ligji i nesërm zbatohet me integritet.

  • Rritet dhuna digjitale ndaj fëmijëve në Shqipëri, vajzat më të prekura nga incidentet online

    Rritet dhuna digjitale ndaj fëmijëve në Shqipëri, vajzat më të prekura nga incidentet online

    Dhuna digjitale ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri ka shënuar një rritje alarmante gjatë vitit 2024. Të paktën sipas Raportit Kombëtar për Sigurinë në Internet për Fëmijët dhe të Rinjtë, të publikuar pak ditë më parë, nga Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt (iSIGURT.al).

    Raporti zbulon se në periudhën nga janari deri në dhjetor të vitit 2024, janë evidentuar 407 incidente serioze, që përbëjnë një rritje prej 67% krahasuar me vitin e mëparshëm. Kjo është një shifër shqetësuese që nxjerr në pah rreziqet në rritje me të cilat përballen fëmijët në hapësirën dixhitale.

    Tirana, si qarku më i madh dhe më i urbanizuar, mban vendin e parë për numrin e raportimeve, me 48% të rasteve, e ndjekur nga Durrësi dhe Kukësi. Ndërkohë, vajzat dhe gratë rezultojnë si viktimat më të shpeshta të dhunës digjitale, me 62% të raportimeve, ndërsa 34% vijnë nga djemtë dhe në 4% të rasteve gjinia nuk është deklaruar.

    Grupmosha më e prekur është ajo 15–18 vjeç, që përbën 43% të totalit të raportimeve, e ndjekur nga të rinjtë 19–24 vjeç. Për herë të parë, janë regjistruar edhe 4 raste nga fëmijë 6–10 vjeç, të cilët më parë nuk kishin raportuar incidente, me shumicën e viktimave sërish vajza.

    Incidentet më të zakonshme përfshijnë kërcënime, përndjekje dhe shantazh online, që përbëjnë rrezikun kryesor për fëmijët dhe të rinjtë. Pas tyre renditen bullizmi kibernetik dhe gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale.

    TikTok rezulton të jetë platforma me numrin më të madh të incidenteve të raportuara (209 raste), e ndjekur nga Facebook dhe Instagram. Megjithatë, raporti vlerëson se TikTok ka reaguar me efikasitet, duke mbyllur ose bllokuar shumicën e faqeve problematike brenda një kohe të shkurtër.

    Raporti thekson gjithashtu nevojën për forcimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e fëmijëve online, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit tek fëmijët, të rinjtë dhe prindërit në lidhje me rreziqet e hapësirës digjitale.

    Publikimi i raportit u bë i mundur me mbështetjen e nismës netSMARTkids Shqipëri, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe CRCA-ECPAT Shqipëri, në partneritet me ALO 116 Shqipëri dhe iSIGURT.al.

  • Carlo Acutis, Shenjtori më i ri i Kishës dhe Dëshmitar i Besimit në epokën digjitale që pritet të kanonizohet më 7 shtator 2025

    Carlo Acutis, Shenjtori më i ri i Kishës dhe Dëshmitar i Besimit në epokën digjitale që pritet të kanonizohet më 7 shtator 2025

    Më 7 shtator 2025, Kisha Katolike do të ketë gëzimin e madh të shpalljes shenjt të një të riu që ndërroi jetë në moshën 15-vjeçare, por që la pas një dritë dhe një dëshmi të jashtëzakonshme, Carlo Acutis. Së bashku me të Lumturin, Pier Giorgio Frassati, ai do të vendoset ndërmjet shenjtorëve, duke u bërë kështu shenjtori më i ri në moshë i kohëve moderne dhe një model i papërsëritshëm për brezat e rinj.
    Carlo Acutis lindi në Londër në vitin 1991 dhe u rrit në Milano. Ishte një adoleshent si të gjithë të tjerët, por me një pasion të thellë për Jezusin dhe një dashuri të veçantë për Eukaristinë. Në një kohë kur bota e të rinjve shpesh duket e zhytur në virtualitet pa horizonte shpirtërore, Carlo e përdori teknologjinë për të përhapur bukurinë e fesë, krijoi faqe interneti, hartoi ekspozita mbi mrekullitë eukaristike, ndihmoi shokët e tij në projekte vullnetare dhe rrezatonte gjithnjë gëzim e dashamirësi.

    Siç kujton At Arturo Elberti, jezuit dhe këshilltar teolog i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, Carlo ishte një “djalë i përkushtuar shpirtërisht, me një prirje të gëzueshme”, i cili e vendosi zemrën e tij në dy shtylla të palëkundura, Eukaristia dhe dashuria për Zojën. Ai merrte pjesë çdo ditë në Meshë, adhuronte Krishtin në Tabernakull dhe thoshte çdo ditë Rruzaren, duke ia kushtuar jetën e tij Nënës Qiellore.
    Në shtator 2006, një sëmundje e papritur, leuçemia akute M3, e goditi rëndë. Megjithatë, Carlo ruajti qetësinë, buzëqeshjen dhe besimin deri në çastet e fundit. “Nga Misteri i Eukaristisë mësoj të kuptoj dashurinë e pafundme të Zotit për çdo njeri,” pati thënë ai. Më 12 tetor 2006, në moshën vetëm 15 vjeç, ai u kthye tek Zoti, duke lënë pas një shembull që ndez zemrat e shumëkujt.
    Në vitin 2020, Carlo u shpall i Lum në Asizi, vendin e Shën Françeskut që ai e adhuronte. Tani, pas njohjes së një mrekullie të dytë, Papa Françesku ka miratuar kanonizimin e tij. Carlo Acutis nuk ishte një teolog, as një Doktor i Kishës, ai ishte një adoleshent, një nxënës, një mik që thjesht jetoi me gëzim Ungjillin, duke e bërë fenë pjesë të çdo dite të tij. Pikërisht këtë do të na kujtojë Kisha më 7 shtator 2025: edhe sot, të rinjtë mund ta jetojnë fenë e tyre në mënyrë të plotë, të bukur dhe të gjallë.
    Duke e parë jetën e tij, ne shohim se shenjtëria nuk është larg nesh. Ajo gjendet në çdo gjest dashurie, në çdo orë adhurimi, në çdo lutje të thjeshtë. Carlo është një shenjtor që na buzëqesh nga moshatarët tanë, nga bota jonë digjitale, për të na thënë:“Të gjithë lindin si origjinalë, por shumë vdesin si fotokopje. Mos u bëj një fotokopje! Jeto si shenjt!”
    Carlo Acutis, Dëshmitar i fesë dhe Shenjtori i të rinjve të epokës digjitale, na fton të gjithëve të guxojmë të jemi të vërtetë, të guxojmë të jemi të Zotit.
    Përgatiti: Albert Vataj
    https://www.vaticannews.va/sq/vatikani/news/2025-07/carlo-acutis-deshmitar-i-fese-sepse-e-deshi-me-gjithe-zemer-je.html

  • 99% e të rinjve shqiptarë online çdo ditë, por gjysma pa njohuri digjitale

    99% e të rinjve shqiptarë online çdo ditë, por gjysma pa njohuri digjitale

    99% e të rinjve shqiptarë të moshës 16–29 vjeç ishin online në internet çdo ditë gjatë vitit 2024, sipas raportit të fundit të “Eurostat”. Në vendet e Bashkimit Europian, niveli i përdorimit të internetit të kësaj grupmoshe është 97%.

    Ndërsa përqindja e popullsisë së përgjithshme që përdor çdo ditë internetin në Shqipëri është 83%, duke krijuar një hendek prej 14 pikë përqindjeje midis të rinjve deri në 29 vjeç dhe pjesës tjetër të shoqërisë.

    Por koha e qëndrimit online, në rrjete sociale, punë online apo aktivitete të tjera në internet, nuk përkthehet automatikisht në aftësi digjitale. Sipas Eurostat, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të ulët të përgatitjes digjitale në Europë. Vetëm gjysma e të rinjve shqiptarë, 50% të moshave 16-29 vjeç, zotërojnë aftësi digjitale bazë, shumë poshtë nga mesatarja e BE-së, rreth 71%.

    Në Shqipëri nuk ka dallime mes gjinive, djemtë dhe vajzat zotërojnë përqindje të barabartë aftësie digjitale bazë. Por kjo nuk është rasti në shumicën e vendeve të BE-së. Në nivel evropian, vajzat janë më të avancuara se djemtë sa i përket zotërimit të këtyre aftësive. Në vitin 2023, 73% e vajzave në vendet e BE-së, raportohet se kishin aftësi digjitale bazë, krahasuar me 69% të djemve.

    Diferenca më e theksuar u regjistrua në Kroaci, ku 94% e vajzave të reja zotërojnë aftësi digjitale bazë, krahasuar me vetëm 80% të djemve.

  • Synimi i Ramës: Brenda kësaj dekade të jemi “cashless”! Cilat do jenë përfitimet e Shqipërisë me ekonomi digjitale?

    Synimi i Ramës: Brenda kësaj dekade të jemi “cashless”! Cilat do jenë përfitimet e Shqipërisë me ekonomi digjitale?

    Kryeministri, Edi Rama, në përmbledhje të takimit të tij maratonë me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, u ndal tek një ambicie e qeverisë për Shqipërinë.
    Ai u shpreh se brenda kësaj dekade, dëshiron që Shqipëria të jetë ‘cashless”, pra të gjitha pagesat të kryhen në mënyrë digjitale. Sipas Ramës, kjo gjë nuk është e pamundur, por nevojitet për një sensibilizim të madh. Po kështu, kreu I qeverisë u shpreh se nuk mungon teknologjia për të arritur këtë synim, por duhet bërë përmirësimi i saj.
    “Ne kemi edhe një ambicie tjetër, që deri në fund të kësaj dekade, Shqipëria të jetë cashless. Pra, që i gjithë ndërveprimi dhe të gjitha transaksionet financiare të jenë digjitale. Për këtë na duhet sforco e madhe. Na duhet goxha sensibilizim. Teknologjia nuk mungon, ka nevojë për t’u up scale-ur, por nuk mungon.
    Besoj që nëse do dimë ta bëjmë siç duhet, vizatimin e rrugës që do të heqim, kjo është plotësisht e realizueshme edhe do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në të gjithë jetën e përditshme”, tha Rama.
    Por, cilat do të jenë përfitimet e Shqipërisë së qenuri një ekonomi digjitale?
    Fillimisht, do të ketë transparencë fiskale. Pra, kur çdo pagesë kalon përmes bankave, aplikacionave apo platformave të lincesuara, shteti “sheh gjithçka”. Kështu, do të ketë më pak evazion fiskal, të ardhura më të larta nga taksat, si dhe ulje të krimit së parave, kontrabandave, apo dhe punës së padeklaruar.
    Së dyti, pagesat do të kryhen në vetëm disa sekonda, por gjithashtu do të kursehet kohë dhe kosto operative për bizneset dhe qytetarët.
    Së treti, do të ulen shpenzimet për prodhimin e kartëmonedhave, ruajtjen, transportin dhe sigurimin e tyre fizik. Në këtë mënyrë, këto shpenzime mund të kalojnë për shërbime të tjera.
    Nëse nuk ka “cash”, nuk ka as mundësi vjedhjeje. Kështu, pagesat digjitale do të sjellin siguri më të madhe për qytetarët.
    Së pesti, Shqipëria “cashless” do të sjellë përshtatshmëri më të madhe me tregtinë globale. Kjo ndodhë sepse investitorët e huaj preferojnë një ekonomi transparente dhe digjitale. Po kështu, turistët ndihen më rehat për të paguar përmes kartave bankare apo telefonave.
    Gjë pozitive do të jetë dhe për banorët e zonave rurale. Këta të fundit, do të përfshihen në ekonominë formale, duke hapur kështu llogari bankare. Kjo gjë, do i ndihmojë ata që të kenë akses për kredimarrje dhe investime të ndryshme.
    Së fundmi, kur çdo qindarkë është e gjurmueshme, qeveria mund të ndërmarrë politika më të zgjuara dhe më fitimprurëse për qytetarët.
    Pavarësisht të mirave që ka ekonomia digjitale, sërish prezenca e parasë si një plan rezervë duhet të jetë e pranishme.
    Vitin e kaluar, 23 pagesa dixhitale për frymë
    Risitë teknologjike po ndryshojnë sistemin financiar në Shqipëri, duke nxitur zgjerimin e shërbimeve dhe përfshirjen financiare, si dhe duke ofruar mundësi të reja për bizneset dhe konsumatorët. Kështu, vetëm në vitin 2024, niveli i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23. Në vitin 2015, ky numër ishte 2 pagesa për frymë, duke shënuar kështu një rritje të ndjeshme.
    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka sqaruar më herët se shumica e popullsisë vendase është e përfshirë në sistemin financiar, pasi aktualisht 78% e popullsisë zotëron një llogari financiare.

  • “Deri në fund të dekadës, s’ka më…”/ Rama ‘piketon’ synimin e radhës

    “Deri në fund të dekadës, s’ka më…”/ Rama ‘piketon’ synimin e radhës

    Kreu i qeverisë në përmbylljen e takimit maratonë me përfaqësuesit e teknologjisë, u ndal edhe te një ambicie e radhës.
    Sipas Edi Ramës, deri në fund të kësaj dekade, qëllimi është që të gjitha pagesat dhe transaksionet të bëhen në mënyrë digjitale, një synim që edhe më herët e ka cekur.
    “Duhet ta kalojmë në një nivel tjetër agjencinë e inovacionit. Ajo që mbeti pa u thënë është që ne kemi dhe një ambicie tjetër që deri në fund të dekadës Shqipëria të jetë cashless, pra transaksionet financiare të jenë digjitale, na duhet sforco e madhe, na duhet goxha sensibilizim, teknologjia nuk mungon.
    Është plotësisht e realizueshme dhe do çlirojë vendin nga një barrë pluhuri dhe ferrash në jetën e përditshme, dhe e fundit që kam është që në atë dokumentin që do përgatisni të jenë sa më të lirë dhe kreativ, pa vendosur limit”, tha Rama.

  • Synimi i qeverisë, Rama: Pagesat do të bëhen pa para cash

    Synimi i qeverisë, Rama: Pagesat do të bëhen pa para cash

    Gjatë takimit me përfaqësues të teknologjisë që u zhvillua në Berat, kryeministri Edi Rama tha se qeveria synon që në fund të dekadës, vendi ynë të mos përdorë më para cash, por transaksionet financiare të jenë të gjitha digjitale. Rama shtoi edhe se kjo është një ambicie dhe u shpreh optimist se mund të jetë e realizueshme.
    ”Kemi një ambicie tjetër që deri në fund të kësaj dekade Shqipëria të jetë ‘cashless’, pra që të gjithë ndërveprimet dhe të gjitha transaksionet financiare të jenë digjitale. Për këtë na duhet një sforco e madhe, na duhet goxha sensibilizim.

    Teknologjia nuk mungon. Besoj që nëse do dimë ta bëjmë si duhet vizatimin e rrugës dhe do dimë të ecim sipas saj, kjo është e realizueshme dhe do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në të gjithë jetën e përditshme”,-tha Rama.