Tag: digjitale

  • ChatGPT dhe Temu “pushtojnë” Shqipërinë, aplikacionet më të shkarkuara të majit 2025

    ChatGPT dhe Temu “pushtojnë” Shqipërinë, aplikacionet më të shkarkuara të majit 2025

    Trendet në botën digjitale ndryshojnë vazhdimisht, duke sjellë risitë më të fundit në jetën e përditshme të përdoruesve. Tashmë, pjesa më e madhe e njerëzve kalon orë të tëra nëpërmjet telefonave celularë për funksione nga më të ndryshmet: komunikim, blerje, informim apo argëtim.
    Sipas të dhënave të Appfigures për muajin maj 2025, përdoruesit e iPhone në Shqipëri kanë shfaqur prirje të qarta për disa aplikacione specifike. Në krye të listës renditet ChatGPT, aplikacioni i inteligjencës artificiale që ofron funksione të avancuara për ndihmë personale, krijim përmbajtjeje dhe automatizim të detyrave.

    Në vendin e dytë ndodhet Temu, një platformë e re për blerje online, e cila ka hyrë fuqishëm në tregun shqiptar falë çmimeve të ulëta dhe aksesit të lehtë përmes telefonit. Përdoruesit shqiptarë duket se po e pranojnë shpejt këtë risi digjitale, duke e bërë një nga aplikacionet më të shkarkuara të muajit.
    Vendet e treta dhe katërta i zënë aplikacionet Google dhe Google Maps, për shkak të përdorimit të përditshëm dhe efikasitetit në lundrim dhe kërkime.
    Në vendin e gjashtë renditet Threads, ndërsa në vendin e shtatë ndodhet aplikacioni VPN, që tregon interesin në rritje për privatësinë online dhe aksesin në përmbajtje globale.
    Për përdoruesit e pajisjeve Samsung, renditja ndryshon disi. Aplikacionet ChatGPT dhe Temu renditen në vendin e katërt dhe të pestë duke treguar se edhe përdoruesit e Android kanë ndjekur trendet më të fundit në botën digjitale.
    Në vendin e parë ndodhet një aplikacion shëndetësor: iPulse Heart Rate, që mat rrahjet e zemrës, gjë që përkon me faktin se përdoruesit e Samsung në Shqipëri kanë mesatarisht një moshë më të madhe se ata të iPhone. Në vendin e dytë dhe të tretë gjenden aplikacione për lokalizim dhe editim fotosh, të cilat reflektojnë interesat e ndryshme të përdoruesve.
    Në pjesën më të poshtme të renditjes ndodhen rrjetet sociale si WhatsApp, Instagram dhe Facebook, të cilat megjithëse kanë një përdorim të gjerë, nuk kanë shfaqur ndonjë rritje të veçantë në numrin e shkarkimeve gjatë muajit të fundit. Kjo tregon një stabilitet në përdorimin e tyre, duke qenë tashmë pjesë e pandashme e jetës së përditshme prej vitesh.Nga Eldiona Serani/ ScanTV

  • Rreth 100 mijë shqiptarë me portofol në monedha digjitale, të “fiksuar” me Bitcoin

    Rreth 100 mijë shqiptarë me portofol në monedha digjitale, të “fiksuar” me Bitcoin

    Eksplorimi i parasë digjitale duke blerë e shitur kriptomonedha nuk është më tabu për shqiptarët. Mjafton të kesh një telefon me internet, dhe regjistrohesh online, për pak minuta hap kuletën digjitale. “Të dhënat janë diku tek 50-60 mijë kuleta digjitale shqiptare, por mendoj se numri është edhe më i madh afër 100 mijë”, shprehet Emir Allen, i cili drejton në Angli, një kompani që prodhon dhe tregton kriptovaluta. “Mbreti mbetet ‘Bitcoin’. Ethereum është kriptomonedhat tjetër që ka sistem konkurrues”, tha ai ndër të tjera.
    Një monedhë që nuk preket, por vlera e saj lëviz në bazë të kërkesës në treg, kjo është ‘kriprovaluta’ që mund të blihet në platforma online. “Kriptomonedhat janë një formë paraje por virtuale. Siç kemi llogaritë bankare që kemi para që i shohim si numra por nuk i prekim thuajse e njëjta gjë. Ka disa platforma online, siç kemi bankat fizike që përdorim IBAN, edhe këto zëre se kanë IBAN e tyre, dhe përdoren si mjet pagese”, shpjegon eksperti për monedhat digjitale Shahin Dokuzi. Krijuesit dhe prodhuesit më të mëdhenj të ‘monedhave virtuale’ zbarkuan në Tiranë, në samitin e zhvilluar për herë të parë në vend për ‘Balkans Crypto 2025’, i organizuar nga shqiptarë të diasporës.
    “Ajo që duam të bëjmë ne është që duke sjellë disa kompani serioze, të vendosen këtu dhe të prodhojnë këtu e të krijojnë një sistem të patundshëm”, tha Emir Allen, bashkëorganizator i Balkans Crypto 2025. “Ne Shqipëri njerëzit e përdorin shumë Crypto-n. Ata kanë nevojë vetëm për drejtimin e duhur që t’i bëjnë këto investime më të sigurta dhe më të efektshme. Ne duam t’iu tregojmë që Crypto është e vërtet dhe që mund të bëjnë bankë me to”, pohon David Rao, koordinator i ‘Balkans Crypto 2025. Shqipëria edhe pse një treg pa ‘prodhues monedhash digjitale’ pasi nuk ka kompani të licencuara, ka filluar të eksplorojë ilegalisht botën virtuale. “Janë disa ferma të vogla ilegale por janë një pikë në oqean.
    Krijohet një fasadë sikur janë UEB3 ose kriptomonedhat, por në realitet nuk ka asnjë lloj projekti serioz është si skemë piramidale”, pohon Emir Allen. “Mund të gdhihesh pa e ditur se sa para ke prandaj është edhe shumë risk e duhet vëmendje. Duhet rregulluar ligji, pasi kam njohuri shumë të mëdha dhe me pajisje mund të gjeneroj kriptomonedhat dhe ti kthej në para, nuk mundem ta bëj se ligji nuk e lejon”, thotë Shahin Dokuzi. Samiti duhet shfrytëzuar për punësim thotë eksperti. “Kjo mund të shërbejë jo vetëm për njohur por edhe si mundësi punësimi, pasi mund të angazhohen për pjesën e dizajnit, programimit apo dhe të investimit”, tha Dokuzi.
    ‘Kriptovaluta’ është një monedhë, që nuk ka një bankë qendrore apo një administrator dhe me të mund të bësh transaksione në të gjitha anët e botës. Pra një ‘bankë online’ e pakufizuar. Minierat e kriptos zakonisht zhvillohen pranë kabinave të energjisë elektrike sepse për prodhimin e tyre duhet konsum i lartë energjie. Në Shqipëri janë identifikuar ferma të prodhimit ilegal, por përtej kësaj institucionet kanë identifikuar raste të përdorimit të monedhave virtuale për pagesa mes karteleve të drogës.

  • Rama ndan pamjet: Fëmijët në rrugën e re të teknologjisë digjitale

    Rama ndan pamjet: Fëmijët në rrugën e re të teknologjisë digjitale

    Në shkollën “Gjon Buzuku” në Tiranë, këtë të premte u zhvillua një orë mësimi në laboratorin e ri inteligjent, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies, përmes teknologjisë.
    Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet, ku thekson se fëmijët janë në rrugën e re të teknologjisë digjitale.

    ”Dy SmartLab të rinj në shkollën “Gjon Buzuku” në Tiranë u shtohen zinxhirit të laboratorëve të instaluar deri tani, si pjesë e planit të 1 MIJË SHKOLLAVE ME LABORATORË INTELIGJENTË, për t’iu dhënë të gjithë fëmijëve, qysh në klasën e parë, të përgatiten për të ardhmen dhe të shpalosin potencialin e tyre në një botë të re”,-shkruan Rama.
    Aktualisht janë funksionalë 316 laboratorë inteligjentë në shkollat e vendit. Në dy vitet e ardhshme synojmë që 1,000 shkolla të pajisen me këtë infrastrukturë moderne.

  • Videoja e liderëve “fëmijë”, Erdogan i magjepsur nga ideja: Një risi digjitale!

    Videoja e liderëve “fëmijë”, Erdogan i magjepsur nga ideja: Një risi digjitale!

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka komentuar sipas mediave në Prishtinë një nga momentet më të përfolura të Samitit të Tiranës: Bëhet fjalë pikërisht për prezantimin inovativ e të veçantë që tërhoqi vëmendjen e liderëve evropianë, videon me me të cilën kryeministri shqiptar Edi Rama prezantoi homologët në këtë ngjarje ndërkombëtare.

    Udhëheqësit europianë u shfaqen aty si fëmijë, kjo falë Inteligjencës Artificiale.
    “Shqipëria bëri diçka interesante në prezantim. Ajo solli në ekran krerët e shteteve dhe kryeministrat e e vendeve pjesëmarrëse përmes një realizimi me AI. Ishte shumë interesante dhe çdo kryetar shteti ose kryeministër i atij vendi iu prezantua ajo inteligjencë artificiale”, citohet të ketë thënë udhëheqësi turk, duke e cilësuar këtë qasje si një risi domethënëse në paraqitjen digjitale të liderëve botërorë.
    Erdogan madje, raportohet të ketë shtuar se Turqia synon të ndjekë hapa të ngjashëm dhe të jetë konkurruese në zhvillimin e teknologjive të avancuara.
    “Shpresojmë që të dalim me një infrastrukturë të tillë në një konkurs që do të mbahet në një të ardhme të afërt. Ne i besojmë vetes, ju besojmë juve dhe kështu, me vullnetin e Zotit, po ecim drejt së ardhmes me një infrastrukturë të fortë të inteligjencës artificiale”, ka thënë Erdogan.
    Deklarata e tij, sipas të njëjtave media vjen në një kohë kur inteligjenca artificiale po kthehet në një fushë kyçe të garës globale për përparësi teknologjike, ndërsa roli i vendeve të Ballkanit në këto zhvillime duket gjithnjë e më i dukshëm.

    Top Channel

  • Spaçi në kujtesën digjitale, platforma krijon mundësi për t’u njohur me historinë e kampit famëkeq

    Spaçi në kujtesën digjitale, platforma krijon mundësi për t’u njohur me historinë e kampit famëkeq

    Spaçi nuk ishte thjesht një burg, ishte një vend ku regjimi përpiqej të shkatërronte shpirtin e njeriut. Por aty lindi edhe një nga dritat më të fuqishme të lirisë: revolta e majit të vitit 1973. Nën këto kujtime, ish-i dënuari politik Lek Mirakaj riktheu sot përjetimet e tij nga burgjet e diktaturës.
    Mirakaj, veç ndjesive të asaj periudhe, ka edhe një kërkesë për të gjithë të mbijetuarit që janë ende gjallë.
    “Jemi shumë pak që kemi mbetur gjallë. Kërkojmë nga shteti një përkujdesje më dinjitoze, kërkojmë një pension specifik për ne që kemi vuajtur në atë periudhë, njësoj si pensioni që marrin ata kriminelë që na kanë bërë të përjetojmë ato vuajtje”, u shpreh Mirakj.

    Po ashtu, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit prezantoi sot krijimin e një platforme digjitale. Një arkivë moderne që dokumenton historinë e kampit të Spaçit dhe të burgosurve politikë, nëpërmjet dokumenteve zyrtare, dëshmive gojore, hartave, intervistave dhe materialeve edukative.
    “Kjo nismë është një hap i rëndësishëm drejt edukimit qytetar dhe ruajtjes së kujtesës kolektive, duke përdorur mjetet moderne të teknologjisë për të dokumentuar dhe shpërndarë historinë. Faqja përmban: lista të të dënuarve politikë dhe histori personale; dokumente arkivore dhe dëshmi të kohës; informacion mbi Revoltën e Spaçit dhe protestat në kamp; materiale për të zhdukurit dhe ekspozita përkujtimore.”, tha Gentjana Sula, Kryeatre e AIDSSH.
    Kjo faqe, e cila është e aksesueshme nga çdokush, është konceptuar si një mjet ndërgjegjësimi dhe edukimi për brezat e rinj, duke sjellë të shkuarën në gjuhën e teknologjisë së sotme.
    /vizionplus.tv

  • Të shkruarit me dorë rrit aktivitetin e trurit

    Të shkruarit me dorë rrit aktivitetin e trurit

    Shkrimi me dorë nxit trurin dhe forcon kujtesën. Prandaj sipas studiuesve në epokën e sotme shkrimi me dorë duhet të përdoret krahas mbajtes së shënimeve digjitale.

    – A keni vështirësi të përthithni informacion kur studioni? Rikthehuni tek letra dhe lapsi. Sipas një studimi të fundit shkrimi i dorës nxit trurin më shumë se daktilografia digjitale.

    Metoda e vjetër stimulon një rrjet më gjerë të veprimtarisë së trurit sidomos në zonat parietale dhe qendore. Këto zona janë përgjegjëse për krjimin e kujtesës dhe përpunimin e informacionit vizual dhe kanë rëndësi thelbësore për përftimin e informacionit të ri.

    Shkrimi me dorë rrit aktivitetin e trurit

    Studimi tregoi se kur studioni duke mbajtur shënime në kompjuter apo telefon, truri shfaq aktivitet thuajse minimal. Shkrimi me dorë rrit aktivitetin e trurit përmes lëvizjes së dorës, e cila ndihmon të mbash mend dhe të kuptosh.

    Gjetjet rekomandojnë që shkrimi me dorë të jetë pjesë e pandashme gjatë arsimimit sidomos në vitet e para të jetës. Gjithsesi në epokën e sotme është e rëndësishme që të njerëzit të ruajnë një lloj barazpeshe mes shkrimit me dorë dhe përdorimit të mjeteve digjitale.

    Shkrimi me dorë bën mirë për të mësuarit dhe kujtesën, por shënimet me kompjuter përveçse janë më të shpejta, janë gjithashtu me vlerë për të mbajtur shënime fjalë për fjalë./ DW

  • Rama: Duam Shqipëri digjitale! Lideri socialist premton më shumë investime në fushën e teknologjisë

    Rama: Duam Shqipëri digjitale! Lideri socialist premton më shumë investime në fushën e teknologjisë

    Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi sot një takim me rinjtë e angazhuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, për t’i dhënë më shumë prioritet nismës për zhvillimin e Shqipërisë Digjitale.
    Rama u shpreh se qeveria synon që ta çoj numrin e laboratorëve inteligjentë nëpër shkolla në 1000, ndërsa dha lajmin se me mbështetjen e Francës do të investohet në një tjetër strukturë teknologjike
    “Këtu tek piramida për pak ditë, besoj në mesin e majit kur do të bëhet Samiti i Komunitetit Politik Evropian, është planifikuar që së bashku me presidentin e Francës të hapim dhe një tjetër strukturë, është tanimë gati. Ngjitur këtu. Është një strukturë shumë e njohur tanimë në botën e teknologjisë, një shkollë tërësisht ndryshe nga shkollat tradicionale. Quhet “Ecole 42” ku jepet mundësia të gjithëve pavarësisht moshës, pavarësisht backgroundit akademik, shkollës që kanë kryer që të konkurrojnë për të hyrë në atë shkollë dhe me një program shumë më specifik dhe inovativ, të gjithë këtyre njerëzve që janë të moshave të ndryshme, janë të background-eve të ndryshme, ju jepet çelësi për të hyrë në botën e teknologjisë”, tha Rama.

    Rama premtoi më shumë vëmendje për programin e start up-eve
    “E para që ne po shohim një prurje të pazakonshme nëse mund ta quaj kështu, kompanish të huaja që duan të konsiderojnë Shqipërinë si një pikë për të vendosur operacionet e tyre, në pikërisht fushën e teknologjisë. Dhe nga ana tjetër ne jemi shumë të vetëdijshëm që paralelisht me çka bëjmë për të nxitur sipërmarrjen në këtë fushë, kemi një hendek akoma të konsiderueshëm në kërkim-zhvillim dhe duhet të japim më shumë së bashku, për të forcuar pikërisht kërkim-zhvillimin”, deklaroi kryeministri.
    Programi i kodimit, është një nga nismat më ambicioze të  qeverisë, në kuadër të vizionit për ndërtimin e Shqipërisë Digjitale, duke subvencionuar kurse profesionale në fushën e teknologjisë dhe kodimit për të rinjtë.
    /vizionplus.tv

  • “Teknologji digjitale në çdo shkollë”, Berisha: Familjet me tri fëmijë, kredi banese të paguar nga qeveria

    “Teknologji digjitale në çdo shkollë”, Berisha: Familjet me tri fëmijë, kredi banese të paguar nga qeveria

    Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte pasditen e kësaj të mërkure në Vorë/Kashar, ku prezantoi kandidatët e koalcionit ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’.
    Kryedemokrati kërkoi votën e qytetarëve në garën e madhe të 11 majit, duke renditur ndryshimet që do të bëjë ASHM nëse do të jetë në qeveri.
    Berisha u ndal tek arsimi, duke nënvizuar se do të investohet shumë në shkolla të reja e me teknologji digjitale.

    Ai shtoi se qeveria do i paguajë 1 vit sigurimet shoqërore sipërmarrësit që do të punësojë një të ri. Kreu i PD-së tha se qeveria do t’i mbulojë të rinjve me një grant prej 30 mijë eurosh, të gjithë interesin e kredisë për blerjen e shtëpive, duke shtuar se familjet me tri fëmijë, kredi banese të paguar nga qeveria.
    Berisha: Ne jemi sot këtu për t’u zotuar, se do bëjmë gjithçka për shkollimin e fëmijëve tuaj, se do hiqet mesatarja. Se tarifat e studimeve do të pjesëtohen me 3 apo 4 herë. Se pas studimeve, çdo i ri dhe çdo e re do të mbështetet për punësimin. Qeveria do i paguajë 1 vit sigurimet shoqërore sipërmarrësit që do të punësojë një të ri.
    Qeveria do paguajë çdo gjë, të gjitha shpenzimet për trajnimin e të rinjve para se të fillojnë punën. Qeveria do të financojë me kredi të buta çdo projekt të tyre për të ndërtuar një biznes të vogël, një start up, do t’i bëjë atyre të mundur. Një çati për çift, do të jetë zotimi ynë para atyre. Një çati për çift do të thotë se, qeveria do t’i mbulojë të rinjve me një grant prej 30 mijë eurosh, të gjithë interesin e kredisë për blerjen e shtëpive. Dhe se, ata të cilët do të bëhen me 3 fëmijë, kredinë do ta kenë të paguar tërësisht nga qeveria.
    Pra, miqtë e mi, familja shqiptare pas 11 majit do të ketë mundësi të tjera. Rroga minimale, nuk do jetë kurrë ndën 500 euro. Çdo sipërmarrësi do t’i kompensohet me ulje taksash rritja e rrogës minimale në 500 euro. Rroga mesatare do të jetë 1200 euro. Po rrogat mbi minimale, që të gjitha, me një vendim të vetëm qeverie, rriten me 13%, sepse ne do të ulim tatimin mbi të ardhurat personale nga 23% në 10%.
    Do investohet shumë, mundësi të reja për shkollimin. Unë jam këtu për t’u garantuar ju se, fëmijët tuaj do të kenë shkollat më të mira. Se përsëri, teknologjia digjitale do të zbatohet në çdo shkollë. Se modernizimi i shkollave, do të jetë përparësi e madhe. Mësuesi, do të vendoset në piedestalin që i takon, duke i paguar atij jo më pak se 1500 euro.

  • BE gjobit me 700 milionë euro Apple dhe Meta-n

    BE gjobit me 700 milionë euro Apple dhe Meta-n

    Bashkimi Europian ka gjobitur Apple dhe Meta me 700 milionë eurosh duke vënë për herë të parë në zbatim ligjin e ri për konkurrencën digjitale.Dënimet për shkeljen e Aktit të Tregjeve Digjitale vijnë mes kritikave nga administrata Trump ndaj BE-së, për atë që e sheh si një sulm të padrejtë ndaj kompanive amerikane.
    Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, tha të mërkurën se ka gjobitur Apple (AAPL) me 500 milionë euro  dhe kompaninë mëmë të Facebook, META, me 200 milionë euro.

  • Censura digjitale, rasti i TikTok-ut dhe sfidat e privatësisë online

    Censura digjitale, rasti i TikTok-ut dhe sfidat e privatësisë online

    Më 27 mars, kryeministri Edi Rama njoftoi në rrjetet sociale për përfundimin e procedurave për mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri. Vendimi erdhi pasi Rama e lidhi këtë rrjet social me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, duke e konsideruar si përgjegjës për mungesën e filtrave të përmbajtjes, në vend që të fokusohej te reformat në institucionet arsimore apo përmirësimi i kushteve të sigurisë dhe shërbimeve sociale.
    Në komunikimin online Rama e cilësoi “turp” dhe “rrezik” përdorimin e VPN-ve për t’u qasur në TikTok duke përmendur rrezikun për vjedhjen e të dhënave personale.
    Por ky vendim është kundërshtuar nga organizata mediatike dhe shoqëria civile. Më 25 mars, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN) dhe Qendra CLE e paditën vendimin në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar shkelje të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim.
    Për të kuptuar më mirë pasojat e vendimit të qeverisë, Citizens.al bisedoi me përfaqësues të LibreLabs – një komunitet që promovon të drejtat digjitale, privatësinë dhe përdorimin e teknologjive të hapura në Shqipëri.
    A është i rrezikshëm përdorimi i VPN-ve për të hyrë në TikTok, siç pretendon Kryeministri?
    Një rrjet privat virtual (VPN) krijon lidhje të sigurt, idealisht të enkriptuar, mes pajisjes së përdoruesit dhe një ofruesi shërbimi interneti.
    Një VPN mund t’ju premtojë anonimitetet, por ju nuk do të jeni anonim për atë që jua ofron shërbimin. Kompanitë e VPN-së mund të ndajnë të dhënat tuaja, thjesht sepse ato ndodhen në një shtet apo vend me juridiksion specifik, që i detyron ata të raportojnë për aktivitetin tuaj.
    VPN-të përdoren gjerësisht nga kompani për të lejuar punën në distancë, por edhe nga qytetarë që duan të mbrojnë privatësinë apo të anashkalojnë censurën. Ato mundësojnë qasje në faqe të bllokuara si BBC në disa vende dhe ofrojnë siguri shtesë në rrjete publike.
    Si të tilla, VPN-të nuk janë të rrezikshme në parim, por përdoruesit e tyre duhet t’i besojnë ofruesit, po aq sa do të duhej t’i besonin ofruesit lokal të lidhjes së internetit (Ofruesit të Shërbimit të Internetit, ISP).
    A ka metoda të tjera për t’u qasur në TikTok, përveç përdorimit të VPN-ve?
    Pa hyrë në shumë detaje teknike, është e rëndësishme të mbani mend se nuk ka një server të vetëm që mban të gjithë emrat e domeneve (DNS), por ka disa dhe të ndryshëm në botë. Serveri i autoritar (Authority Server) për tiktok.com do të ishte serveri DNS i kompanisë amerikane Verisign, që operon sherbimet “.com”.
    Në përgjithësi, ISP-ja lokale do të ketë administruesin e tyre DNS që mbështetet në informacionin e vërtetë të komunikuar nga serverët e Autoritetit. Si parazgjedhje, përdoruesit e internetit mbështeten në zgjidhësin DNS të ISP-së së tyre: pajisja e tyre dërgon një kërkesë përmes ISP-së për një emër domeni të caktuar, ISP kthen adresën IP të lidhur me emrin e domenit, bazuar në informacionin publik të disponueshëm.
    Me fjalë të tjera të thjeshta, ndalimi i TikTok u zbatua duke urdhëruar kompanitë që ofrojnë shërbimin e internetit (ISP-të) të krijojnë përcjellës “të gënjeshtërt” DNS. Kjo do të thotë që kur një përdorues kërkon të hyjë në të njëjtën faqe interneti ose shërbim, ISP do ta gënjejë dhe nuk do t’i japë adresën e saktë IP.
    Kur dikush përdor një VPN, ai në përgjithësi përdor automatikisht zgjidhësin DNS të zgjedhur nga ofruesi VPN.
    Në përgjithësi është shumë e lehtë për një përdorues të internetit të ndryshojë vetë DNS-në dhe të përdorë për shembull një zgjidhës publik si ato të kompanive si Google (8.8.8.8) apo Cloudflare (1.1.1.1). Nëse institucionet censuruese dëshirojnë të jenë më efektive, atëherë duhet të bëjnë një lojë mace me miun: ISP bllokon aksesin tek zgjidhësi publik, përdoruesi i internetit më pas kalon të gjithë trafikun e tij, madje edhe DNS, mbi protokollin HTTPS, gjë që e bën censurimin më të vështirë. Kjo garë apo ‘lojë’ është e kushtueshme, e panevojshme dhe fatkeqësisht dobëson lirinë e internetit.
    Pse disa persona apo llogari ende kanë akses në TikTok, ndërsa të tjerë jo?
    Nuk jemi në dijeni të situatave të tilla, por ndoshta është zbatuar bllokim dhe zhbllokim gradual edhe nga vetë platforma, ose përdorues të caktuar kanë zbatuar metoda anashkalimi (VPN, DNS të ndryshëm etj.). Ashtu si përmendëm më sipër, sa më shumë institucionet mundohen të implementojnë praktika censure, aq më shumë ato kontribuojnë në edukimin e qytetarëve për të drejtat digjitale dhe përdorimin e VPN-ve cilësore dhe të sigurta, si për shembull rrjeti TOR – që ofron më tepër anonimitet dhe nuk është i lidhur me kompani komerciale – anashkalojnë këto kufizime.
    A mendoni se Shqipëria ka përdorur vërtetë teknologjinë “Deep Packet Inspection” (DPI) për bllokimin e TikTok?
    Nuk ka informacion të konfirmuar për përdorimin e DPI-së në Shqipëri, por për këtë duhet kërkuar transparencë nga autoritetet. DPI është një metodë shumë më e avancuar e monitorimit të trafikut në internet, ku analizohen jo vetëm IP-të dhe destinacionet, por edhe përmbajtja e komunikimeve.
    Inspektimi i thellë i paketave (DPI) është metodë më ndërhyrëse: përmbajtja e paketave të informacionit digjital që udhëtojnë nëpër rrjet përgjohen dhe analizohen në mënyrë aktive për të ushtruar censurë përmes bllokimit të përmbajtjes. Kur censura ushtrohet duke bllokuar përmbajtjen, autoritetet censoruese kryejnë DPI të përmbajtjes së paketave (psh. fjalë kyçe), si dhe veçoritë e trafikut (psh. kohëzgjatja).
    Përdorimi i DPI në Shqipëri është përmendur në media, por nuk ka më shumë informacion në lidhje me të. DPI është një metodë shumë ndërhyrëse dhe e kushtueshme që përdoret në rastet e kundër-terrorizmit, pedopornografisë dhe krimit kibernetik. Përdorimi i tij kundër përdorimit të një rrjeti social do të ishte një humbje serioze e burimeve njerëzore dhe financave fuqizuar nga taksapaguesit dhe përbën kriminalizimin e sjelljes normale të qytetarëve: aksesi në një rrjet social për të shkëmbyer video qesharake të maceve dhe mësime grimi me të afërmit tuaj.
    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok? A ka mënyra të tjera për të trajtuar përmbajtjen e dëmshme?
    Censura e plotë mund të konsiderohet sulm kundër të drejtave digjitale dhe lirisë për të aksesuar informacionin në internet, i cili është i sanksionuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut (Neni 19). Problematikat që lidhen me mediat sociale mund të trajtohen përmes mekanizmave të tjerë. Është e rëndësishme të përcaktohen saktësisht ato probleme dhe të shkohet përtej keq perceptimeve të zakonshme.
    Problemi i vërtetë i vazhdueshëm me platformat si TikTok, Twitter dhe Facebook janë viraliteti i përmbajtjes, i favorizuar nga vetitë teknike të rrjeteve të krijuara për të përshpejtuar përhapjen dhe zemërimin (p.sh. lehtësia e ndarjes, statistikat e kota që tregojnë sasinë e shikimeve, sasinë e pëlqimeve).
    Përgjigja e parë është edukimi për mediat. Përgjigja e dytë është rregullimi i vetive teknike si p.sh. algoritmet e përmbajtjes të këtyre platformave të mediave sociale. Sot, vetëm kompania zotëruese ka akses në përdorimin e të dhënave të platformave të saj: ky informacion duhet t’u hapet studiuesve të pavarur, të cilët më pas mund të studiojnë se si funksionojnë përhapjet dhe të sugjerojnë ndryshime politikash.
    Zgjidhja e tretë është që aktorët politikë, përfshirë qeverinë, të shmangin përdorimin e të njëjtave platforma që inkurajojnë viralitetin.
    Nëse qeveria ka përdorur metoda si DPI, apo thjesht mbylljen e internetit nga ISP, a mbetet ende enigmë fakti nëse po kryhen bisedime me kompaninë Tik Tok për alternativa përdorimi nga adoleshentët?
    Mungesa e informacionit dhe transparencës dhe në këtë rast është akoma problematikë që i shtohet listës së gjatë të cenimit të parimit të transparencës nga vendimmarrësit.
    Ndoshta, bisedat mes palëve mund të krijojnë presion mbi kompaninë TikTok për t’u vetë-rregulluar, por pa transparencë nuk mund të themi asgjë më shumë sesa dyshime serioze për qëllimin e vendimmarrjes në lidhje me këtë temë.
    Debatet publik se si duhet të duket një media sociale si TikTok dhe promovimi i alternativave si Mastodon, Pizelfed, Peertube etj. që duke qenë me kod-burim të lirë dhe të hapur dhe të decentralizuara, ofrojnë internet falas dhe të hapur.
    Si i kanë zgjidhur shtete të tjera këto problematika dhe a ka ndonjë rast të ngjashëm me Shqipërinë, censura nga platforma të caktuara?
    Shqipëria synon të jetë vend demokratik në kontekstin evropian. Qeveria duhet të respektojë të drejtat themelore të qytetarëve (liria e informacionit dhe të shprehjes) dhe të respektojë parimin e Neutralitetit në Rrjet (Net Enutrality), të cilat janë të mbrojtura në BE-ja.
    Platformat gjigante duhet të rregullohen në kontekstin e këtyre të drejtave dhe jo për arsye të tjera.
    Në vitin 2024, TikTok u bllokua në ishullin francez të Kaledonisë së Re gjatë trazirave atje. Në prill të vitit 2025, gjykata më e lartë në Francë (Conseil d’Etat) e konsideroi këtë bllokim si të paligjshëm dhe shkelje joproporcionale të të drejtave dhe lirive.
    Bllokimi i mediave sociale është tendencë në rritje në vendet autoritare. Për shembull, TikTok u ndalua në Indi, në një kontekst gjeopolitik tensioni me Kinën në vitin 2020. Algjeria po bllokon rregullisht platformat e mediave sociale çdo vit gjatë periudhave të provimeve të studentëve.
    Benini ka bllokuar aksesin në rrjetet sociale në ditën e zgjedhjeve kombëtare në 2019. Xhibuti ka bllokuar Facebook në aksesin në internet celular në vitin 2021.
    Në përgjithësi, janë identifikuar këto prirje në lidhje me rritjen e autoritanarizmit digjital global: Mbylljet e internetit gjatë zgjedhjeve, (p.sh gjatë demonstratave ose provimeve kombëtare në Çad, Burkina Faso dhe Algjeri); Vëzhgimi masiv ose i synuar, duke përfshirë përdorimin e softuerit spiun Pegasus (Ruanda, Togo, Marok dhe Xhibuti etj.); Praktika e censurës online me bllokimin e faqeve të mediave vendase dhe ndërkombëtare;
    Vendosja e fundit e ligjeve për sigurinë kibernetike dhe kundër dezinformimit që shpesh instrumentalizohen kundër gazetarëve, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe qytetarëve kritikë ndaj praktikave qeveritare. Apo dhe mungesa e vazhdueshme e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
    Pra, duhet të vendosim në qoftë se duam si shoqëri të asociohemi me vende që luftojnë të drejtat digjitale apo me ato që respektojnë të drejtat themelore të dakortësuara nga parimet e BE-së.
    /Citizens.al/