Tag: diellit

  • Mjekët shpjegojnë arsyet pse duhet të mbani syze në verë

    Mjekët shpjegojnë arsyet pse duhet të mbani syze në verë

    Dr. Dave dhe Dr. Cheryl, dy mjekë amerikanë kanë folur mbi rëndësinë e mbajtjes së syzeve të diellit, sidomos gjatë stinës së verës, në të cilën rrezatimi diellor është më i fortë dhe dita është më e gjatë. Përveç faktit që syzet e diellit janë një aksesor në modë gjatë verës, ekzistojnë arsye të tjera mjekësore dhe estetike se pse duhet t’i mbani ato.

    Ja disa prej arsyeve të renditura nga mjekët më sipër:

    Parandalojnë kancerin e qepallave

    Ekzistojnë dy forma të shpeshta të kancerit të qepallave, karcinoma e qelizave bazale dhe karcinoma e qelizave skuamoze, të cilat përbëjnë 5-10% të totalit të karcinomave të lëkurës. Ato vihen re më tepër tek personat që kanë ekspozim të zgjatur pa mbrojtje në diell. Gjithashtu, syzet e diellit mbrojnë edhe nga melanoma, kanceri që e merr origjinën kryesisht nga nishanet dhe mund të jetë tepër vdekjeprurës për shkak të aftësisë tepër të lartë të tij për të dhënë metastaza në distancë, pra edhe në organet e tjera.

    Mbrojnë retinën

    Retina është shtresa më e thellë, në të cilën projektohen imazhet që ne shohim dhe më pas dërgohen me nervin optik në qendrën e të parit në tru dhe ne arrijmë të kuptojmë imazhin që shohim. Fuqia pamore e retinës bie me kalimin e moshës 60 vjeçare, por një studim në SHBA ka zbuluar se kjo fuqi pamore dobësohet akoma më tepër në rastet e ekspozimeve të zgjatura në diell. Retina pëson në këto raste degjenerim makular (makula është pjesa e retinës ku bëhet fokusimi maksimal i imazhit).

    Parandalon prekjen nga katarakti

    Katarakti është sëmundja e syrit që shoqërohet me trashje të kristalinit. Ai shpesh çon edhe në verbim, duke qenë se kristalini është një nga elementët e fokusimit të imazhit në retinë. Mendohet se rrezet ultraviolet të diellit janë kontribuese në shfaqjen e një sëmundjeje të tillë. Edhe pse në kohët e sotme ai kurohet me kirurgji, sërish të gjithë e dimë se është më mirë të parandalosh, se sa të mjekosh.

    Mbron kornenë nga djegia

    Një tjetër strukturë e rëndësishme e syrit është kornea, e cila e vesh si një membranë nga jashtë retinën. Ajo mund të “digjet” nga rrezet ultraviolet të diellit, ose të pësojë atë që njihet në mjekësi si keratitis korneal, inflamacion i kornesë. Një palë syze të mira mund ta parandalojnë këtë sëmundje tek njerëzit në mënyrë perfekte.

    Mbrojtja nga rrudhat

    Përveç arsyeve mjekësore të përmendura më sipër, njerëzit tashmë po bëhen më të ndërgjegjshëm edhe për parandalimin e rrudhave, pasi nuk duan të duken të plakur. Mos mbajtja e syzeve të diellit ju shtyn që gjatë ekspozimeve në diell ju të mbyllni sytë duke krijuar rrudha në cepat e tyre dhe në pjesët anësore të faqeve. Kjo gjë nuk lë shenja gjatë rinisë, por me kalimin e viteve këto rrudha theksohen duke ju shoqëruar gjatë gjithë moshimit tuaj. Mbajtja e syzeve të diellit është një parandaluese shumë e mirë e rrudhave të tilla.

     

  • Si ndikon dielli te organizmi i njeriut

    Si ndikon dielli te organizmi i njeriut

    Dielli mund të ketë të këqijat e veta kur njeriu ekspozohet në pikun e tij, e megjithatë ekspertët thonë se ai ofron shumë përfitime për rënien nga pesha.

    Le të kuptohemi drejt, njeriu nuk humbet në peshë vetëm duke qëndruar në diell.
    Megjithatë, ky i fundit krijon kushtet e përshtatshme në trup për rënien nga pesha.

    Serotonina
    Shumë vende të tjera të botës nuk gëzojnë mot me diell si në rastin e Shqipërisë.
    Banorët e këtyre vendeve përballen me shumë çrregullime si pasojë e mungesës së diellit.
    Kjo e fundit shkakton rënien e ndjeshme të serotoninës në tru.
    Rënia e kësaj substance shkakton jo vetëm luhatje humori por edhe depresion.
    Nivelet e ulëta të serotoninës ndikojnë edhe tek oreksi, ndjesia e urisë dhe ngopjes.
    Teoria e Nxehtësisë Dhe Rënies Nga Pesha
    Uria kontrollohet nga një pjesë e trurit e quajtur hipothalamus që bashkëpunon me serotoninën për shuarjen e urisë.
    Kur trupi merr kaloritë e mjaftueshme, truri çliron serotoninë që përcjell ndjesinë e ngopjes.
    Mungesa e diellit ndikon në sasitë e çliruara të serotoninës dhe njeriu nuk ndihet i ngopur aq shpejt duke shkaktuar kështu një ushqyerje të përsëritur e të vazhdueshme.
    Ndërkohë teoria e rolit të nxehtësisë tek rënia nga pesha shpjegohet si më poshtë.
    Rënia e temperaturës së trupit nënkupton një ndjesi të madhe të urisë.
    Kur temperaturat janë të larta, njeriu ndihet më pak i uritur.
    Pra sipas kësaj teorie, në mungesë të diellit, njeriu ha më shumë dhe shëndoshet më shpejt, gjë që mund të shtojë gjasat e luhatjeve jo të shëndetshme të peshës.
    Në këtë pikë, ekspertët gjithashtu rekomandojnë shumë aktivitet fizik, të cilat me rritjen e temperaturave bëhen më të shpeshta.
    Sipas tyre, kur temperaturat rriten, pra në pranverë apo në verë dhe dita është më e gjatë, njeriu është më shumë në lëvizje.
    Aktivitete si ecja, noti, vrapi do ju ndihmojnë të digjni më shumë kalori dhe rrjedhimisht të humbisni më shumë kilogramë të tepërt.

  • Kremi kundër diellit, pesë mite që rrezikojnë shëndetin tuaj

    Kremi kundër diellit, pesë mite që rrezikojnë shëndetin tuaj

    Në vendin tonë, ku dielli është shumë bujar pothuajse gjatë gjithë vitit, përdorimi i kremit mbrojtës nga dielli duhet të jetë po aq i vetëkuptueshëm sa vendosja e rripit të sigurimit në makinë.

    E megjithatë, shumë e shmangin ose e neglizhojnë përdorimin e tij, të ndikuar nga informacione të pasakta dhe mite rreth përbërjes së produkteve që janë transmetuar nga goja në gojë.

    Rezultati? Qindra raste të kancerit të lëkurës çdo vit dhe lëkurë që plaket më shpejt nga ç’e meriton. Nëse besoni se nuk digjeni, se është tepër vonë për t’u kujdesur ose se kremi kundër diellit është i dëmshëm për ju, atëherë duhet të lexoni 5 mitet më poshtë dhe çfarë është vërtet e vërtetë. Në artikullin e tyre në The Conversation, Katie Lee dhe Monika Janda nga Universiteti i Queensland shpjegojnë qartë se çfarë është dhe çfarë nuk është e vërtetë kur flasim për kremin mbrojtës nga dielli.

    Miti 1: Kremi kundër diellit ju pengon të merrni vitaminën D

    Tingëllon logjike: meqenëse lëkura juaj ka nevojë për diell për të prodhuar vitaminë D, atëherë kremi mbrojtës nga dielli e bllokon atë. Megjithatë, ky nuk është pikërisht rasti. Sipas hulumtimeve, ju nevojitet vetëm një e treta e rrezatimit të diellit që shkakton djegie për të përmbushur nevojat tuaja për vitaminë D. Studimet tregojnë se ata që përdorin krem ​​mbrojtës nga dielli çdo ditë nuk kanë ndryshime të konsiderueshme në nivelet e tyre krahasuar me ata që nuk e përdorin.

    Miti 2: Përbërësit e tij janë toksikë

    Ka disa shqetësime në lidhje me kimikatet në kozmetikë, por kremrat kundër diellit janë të rregulluara rreptësisht. Disa substanca, kur përdoren në sasi shumë të mëdha, mund të ndikojnë në sistemin hormonal, por sasitë e absorbuara nga trupi nga përdorimi i zakonshëm i kremit mbrojtës nga dielli janë shumë më të vogla se kufijtë e rrezikshëm. Nëse preferoni diçka më natyrale, zgjidhni kremra mbrojtës nga dielli me oksid zinku ose dioksid titaniumi, të cilët konsiderohen të sigurt dhe efektivë.

    Miti 3: Kam një predispozitë gjenetike, nuk ka kuptim të jem i kujdesshëm

    Një predispozitë ndaj kancerit të lëkurës rrit rrezikun, por nuk e përcakton atë absolutisht. Rrezatimi ultraviolet i vë një barrë shtesë trupit, dhe përdorimi i kremit mbrojtës nga dielli mund ta zvogëlojë këtë rrezik shtesë. Shkurt, nuk mund t’i ndryshosh gjenet, por mund të ndryshosh zakonet e tua.

    Miti 4: Jam i moshuar, nuk ka më kuptim

    Dëmtimi mund të fillojë në fëmijëri, por lëkura vazhdon të preket me kalimin e viteve. Përdorimi i rregullt i kremit kundër diellit zvogëlon formimin e hiperkeratozës së re aktinike (lezione prekanceroze) dhe mbron nga hollimi i lëkurës, mavijosjet dhe shërimi i dobët që shoqërohet me plakjen e lëkurës. Pra, nuk është kurrë vonë për të filluar.

    Miti 5: Jam alergjik ndaj kremit kundër diellit

    Vetëm 3% e popullsisë ka një alergji të vërtetë ndaj një përbërësi të kremit mbrojtës nga dielli. Shumë më shpesh, thjesht merrni djegie sepse nuk e keni rinovuar produktin ose ai kishte skaduar. Një tjetër mundësi është shpërthimi polimorfik i dritës, një reagim normal i lëkurës ndaj dritës së parë të pranverës. Nëse vazhdoni të keni probleme, një dermatolog mund t’ju ndihmojë të gjeni formulën e duhur për lëkurën tuaj.

  • Rrezet e Diellit forcojnë ‘sistemin imunitar’ dhe luftojnë infeksionet, ja si shpjegohet

    Rrezet e Diellit forcojnë ‘sistemin imunitar’ dhe luftojnë infeksionet, ja si shpjegohet

    Një studim i fundit i udhëhequr nga Universiteti i Aucklandit dhe i publikuar në revistën shkencore Science Immunology, ka zbuluar se drita e Diellit mund të luajë një rol kyç në forcimin e sistemit imunitar.

    Ky zbulim hap perspektiva të reja në trajtimin e infeksioneve dhe sëmundjeve inflamatore.

    Studiuesit përdorën një model biologjik interesant: ‘peshkun zebra’, një specie e vogël uji të ëmbël që ka shumë ngjashmëri gjenetike me njeriun.

    Ata u përqendruan në neutrofilet, që janë qelizat më të bollshme të bardha të gjakut në trupin tonë dhe që luajnë një rol kyç në linjën e parë të mbrojtjes ndaj infeksioneve.

    Neutrofilet lëvizin me shpejtësi drejt zonës së infeksionit dhe eliminojnë bakteret pushtuese.

    Ajo që zbuluan studiuesit është se neutrofilet janë të pajisura me një orë të brendshme biologjike, të njohur si ora cirkadiane, e cila i informon ato për kohën e ditës.

    Drita natyrore përgjatë ditës rezulton se ka ndikimin më të madh në rregullimin e kësaj ore, duke e bërë më të fortë reagimin e neutrofileve ndaj infeksioneve gjatë periudhave me dritë.

    Sipas studiuesve, ky zbulim ka implikime të gjera në trajtimin e shumë sëmundjeve që përfshijnë inflamacionin dhe sistemin imunitar.

    “Duke pasur parasysh që neutrofilet janë qelizat e para të sistemit imunitar që rekrutohen në zonat e inflamacionit, zbulimi ynë ka rëndësi të madhe për zhvillimin e trajtimeve të reja”, shpjegon profesori Christopher Hall, studiuesi kryesor i projektit dhe profesor i asociuar në Departamentin e Mjekësisë Molekulare dhe Patologjisë në Universitetin e Aucklandit.

    Ai shton se këto të dhëna mund të çojnë në zhvillimin e barnave që rregullojnë orën cirkadiane të neutrofileve, duke rritur në mënyrë të synuar aftësinë e tyre për të luftuar infeksionet në kohën më të përshtatshme të ditës. Syri.net-iefimerida

  • Edi Rama ndan atmosferën Sarandës, nën dehjen e blusë së detit dhe diellit të pushuesve

    Edi Rama ndan atmosferën Sarandës, nën dehjen e blusë së detit dhe diellit të pushuesve

    Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama ka ndarë momente nga fundjava e mbushur me dritë e jetë në qytetin bregdetar të Sarandës. Fluksi i turistëve, që tashmë ka nisur të gjallërojë rivierën shqiptare, e ka kthyer këtë qytet të magjishëm në një pararendës të verës, pavarësisht se jemi ende në mesin e muajit maj.

    I ndihmuar edhe nga temperaturat e larta për këtë periudhë të vitit, bregdeti i jugut po shijon një pranverë të vonë që ngjan më shumë me një fillim vere. Pushues të shumtë, vendas dhe të huaj, janë parë përgjatë vijës bregdetare të Sarandës duke u relaksuar nën rrezet e diellit dhe duke u zhytur në ujin kristal të Jonit, një përjetim që e bën këtë qytet gjithnjë e më të kërkuar në hartën turistike të Mesdheut.
    Në pamjet e shpërndara nga Kryeministri, shfaqet një Sarandë e gjallë, mikpritëse dhe në harmoni të plotë me natyrën, ndërsa ndërthur historinë e saj antike me një të tashme turistike gjithnjë në rritje.
    Saranda, së bashku me Ksamilin dhe Vlorën, vijon të jetë ndër destinacionet më të frekuentuara, jo vetëm gjatë sezonit të verës, por edhe në muajt paraardhës, duke dëshmuar një zgjerim të ndjeshëm të sezonit turistik në Shqipëri. Kjo rritje e interesit është pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare, të cilat në vitet e fundit e kanë renditur Shqipërinë ndër destinacionet më tërheqëse për pushuesit e huaj.
    Në sfondin e këtij entuziazmi pranveror, Saranda shfaqet jo vetëm si një perlë bregdetare, por edhe si një tregues i transformimit të Shqipërisë në një magnet për turizmin modern.A.Vataj

  • Në verë rrezet e diellit bëhen më të forta, si të kujdesemi për lëkurën dhe flokët pa shpenzuar shumë?

    Në verë rrezet e diellit bëhen më të forta, si të kujdesemi për lëkurën dhe flokët pa shpenzuar shumë?

    Tani që vera është në prag, rrezet e diellit bëhen më të forta dhe temperaturat ngrihen, ndërsa lëkura jonë kërkon më shumë freski, mbrojtje dhe kujdes të lehtë.

    Vera nuk është vetëm koha për pushime – është edhe sezoni ideal për të rifreskuar rutinën e bukurisë me produkte që janë njësoj të mira për lëkurën dhe për planetin.

    Në fakt ekziston një linjë, e ndërtuar mbi përbërës të riciklueshëm, si mbetjet e frutave, vajrave apo kafesë – të rikthyer në jetë përmes produkteve inovative për fytyrën, trupin dhe flokët. Marka britanike në fjalë është bërë sinonim i bukurisë që ka kuptim, dhe përmes Ritual Beauty, tashmë është edhe më afër jush – në zemër të Tiranës.

    Çfarë duhet të ketë rutina juaj verore?

    Deodorant i ripërdorshëm – për freski të përditshme, pa plastikë dhe pa alumin. Me aromë natyrale dhe paketim elegant metalik, ky produkt është perfekt për dhe mund të lëvizni sa të doni.

    Seti për fytyrë: Pastrim, tonifikim dhe hidratim– trioja bazë që nuk duhet të mungojë. Një pastrim i butë, një tonik freskues me acid hialuronik dhe një krem hidratues i lehtë me aloe vera – për lëkurë të pastër dhe të balancuar në çdo moment të ditës.

    Shampo & balsam – për flokë të ushqyer dhe të shëndetshëm pas diellit dhe kripës së detit. Formula e pasur me vaj rozmarine dhe vitaminë B5 kujdeset për skalpin dhe gjatësitë, pa i rënduar ato.

    Produkte të tjera nga UpCircle keni edhe më poshtë dhe mund t’i gjeni në website-n zyrtar me çmime promocionale. Veçantia e tyre është se janë

    -100% natyral
    -Vegan & cruelty-free
    -Me përbërës të ricikluar
    -Në ambalazh të qëndrueshëm ose të ripërdorshëm

    Kjo është vera juaj dhe mund të shkëlqeni me produkte që jo vetëm kujdesen për ju, por edhe për planetin tonë të përbashkët.

    Eksploroni koleksionin veror në: ritualbeauty.al/upcircle
    Ose vizitoni Ritual Beauty në Tiranë dhe lëreni ekspertët t’ju ndihmojnë të ndërtoni rutinën tuaj ideale.

  • Si Ndikon Dielli tek Organizmi dhe Pesha e Trupit

    Si Ndikon Dielli tek Organizmi dhe Pesha e Trupit

    Dielli mund të ketë të këqijat e veta kur njeriu ekspozohet në pikun e tij, e megjithatë ekspertët thonë se ai ofron shumë përfitime për rënien nga pesha.

    Le të kuptohemi drejt, njeriu nuk humbet në peshë vetëm duke qëndruar në diell.
    Megjithatë, ky i fundit krijon kushtet e përshtatshme në trup për rënien nga pesha.
    Serotonina
    Shumë vende të tjera të botës nuk gëzojnë mot me diell si në rastin e Shqipërisë.
    Banorët e këtyre vendeve përballen me shumë çrregullime si pasojë e mungesës së diellit.
    Kjo e fundit shkakton rënien e ndjeshme të serotoninës në tru.
    Rënia e kësaj substance shkakton jo vetëm luhatje humori por edhe depresion.
    Nivelet e ulëta të serotoninës ndikojnë edhe tek oreksi, ndjesia e urisë dhe ngopjes.
    Teoria e Nxehtësisë Dhe Rënies Nga Pesha
    Uria kontrollohet nga një pjesë e trurit e quajtur hipothalamus që bashkëpunon me serotoninën për shuarjen e urisë.
    Kur trupi merr kaloritë e mjaftueshme, truri çliron serotoninë që përcjell ndjesinë e ngopjes.
    Mungesa e diellit ndikon në sasitë e çliruara të serotoninës dhe njeriu nuk ndihet i ngopur aq shpejt duke shkaktuar kështu një ushqyerje të përsëritur e të vazhdueshme.
    Ndërkohë teoria e rolit të nxehtësisë tek rënia nga pesha shpjegohet si më poshtë.
    Rënia e temperaturës së trupit nënkupton një ndjesi të madhe të urisë.
    Kur temperaturat janë të larta, njeriu ndihet më pak i uritur.
    Pra sipas kësaj teorie, në mungesë të diellit, njeriu ha më shumë dhe shëndoshet më shpejt, gjë që mund të shtojë gjasat e luhatjeve jo të shëndetshme të peshës.
    Në këtë pikë, ekspertët gjithashtu rekomandojnë shumë aktivitet fizik, të cilat me rritjen e temperaturave bëhen më të shpeshta.
    Sipas tyre, kur temperaturat rriten, pra në pranverë apo në verë dhe dita është më e gjatë, njeriu është më shumë në lëvizje.
    Aktivitete si ecja, noti, vrapi do ju ndihmojnë të digjni më shumë kalori dhe rrjedhimisht të humbisni më shumë kilogramë të tepërt./AgroWeb.org

  • Berisha: Edhe mbrapa diellit të shkojë Rama, ne do ta gjejmë dhe do ta mundim!

    Berisha: Edhe mbrapa diellit të shkojë Rama, ne do ta gjejmë dhe do ta mundim!

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi pasditen e sotme një takim me qytetarët e Kurbinit.
    Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se fitorja e PD-së është më afër se kurrë.
    Sipas kryedemokratit, kryeministri Edi Rama i ka ditët e numëruara dhe se PD-ja do ta mundi kudo që ai të jetë.
    Pjesë nga fjala e Berishës:
    Shndrit fitorja e 11 Majit. Sot ne jemi më afër se kurrë fitores për të cilën luftuam 12 vite, fitores që qëndruam të pamposhtur, fitores për të cilën sakrifikuam.
    Edi Rama po numëron orët dhe ditët e fundit të regjimit të tij. Rama nuk ka të ardhme dhe u garantoj ju se dhe mbrapa diellit po të shkojë do ta gjejmë dhe do ta mundim.
    Nuk ka shpresë për atë më. Ndaj dhe çfarë do që të bësh, sa do që të fshihesh je tërësisht i pashpresë, do kesh fundin e çdo diktatori. Rama ka bërë të këqija të mëdha shqiptarëve.
     

  • Çfarë është xeroderma pigmentosum? Çrregullimi i rrallë gjenetik që i detyron njerëzit të shmangin dritën e diellit

    Çfarë është xeroderma pigmentosum? Çrregullimi i rrallë gjenetik që i detyron njerëzit të shmangin dritën e diellit

    Xeroderma pigmentosum (XP) është një çrregullim i rrallë gjenetik që e bën lëkurën e njerëzve jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj efekteve të dëmshme të dritës ultravjollcë (UV). Si meshkujt, ashtu edhe femrat mund të preken nga XP, dhe ajo mund të shfaqet te njerëz nga prejardhje të ndryshme etnike.

    Vlerësohet se XP-ja prek rreth 1 person në një milion në Shtetet e Bashkuara, por është më e zakonshme në disa rajone të tjera të botës, përfshirë Japoninë, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme. Për shembull, në Japoni, rreth 45 persona në një milion vlerësohet se vuajnë nga XP-ja.

    XP-ja shkaktohet nga mutacione në gjene që parandalojnë riparimin e ADN-së pasi ajo dëmtohet nga rrezatimi UV, i cili gjendet në dritën e diellit dhe në disa lloje ndriçimi artificial, përfshirë ato të përdorura në shtretërit për nxirje. ADN-ja e pariparuar grumbullohet në qeliza, duke shkaktuar një sërë simptomash të ndryshme.

    Shkencëtarët kanë identifikuar tetë mutacione të ndryshme gjenetike që lidhen me zhvillimin e XP-së; mutacioni më i zakonshëm, të paktën në SHBA, ndodh në një gjen të quajtur XPC. Ky gjen kodon për një enzimë që është thelbësore për zbulimin e dëmtimit të ADN-së, dhe mutacioni e bën proteinën të paaftë të kryejë funksionin e saj.

    XP është një sëmundje autosomale recesive, që do të thotë se një person duhet të trashëgojë dy kopje të dëmtuara të gjenit, një nga secili prind, për ta zhvilluar atë.

    Simptomat e XP-së zakonisht shfaqen në foshnjëri ose në fëmijëri të hershme. Njerëzit me këtë gjendje zakonisht digjen shumë shpejt në diell, rreth gjysma e fëmijëve me XP pësojnë djegie të rënda vetëm disa minuta pas ekspozimit në rrezet e diellit.

    Pacientët me XP mund të zhvillojnë gjithashtu njolla para moshës 2 vjeç në pjesët e trupit që ekspozohen më shpesh ndaj dritës, si fytyra, krahët dhe buzët. Gjithashtu, sytë e tyre janë shpesh shumë të ndjeshëm ndaj dëmtimeve të ADN-së të shkaktuara nga drita e fortë. Ekspozimi i përsëritur në diell mund të shkaktojë gjithashtu që lëkura të bëhet e thatë, më e hollë dhe të marrë një ngjyrë të pabarabartë me zona më të errëta dhe më të çelëta.

    Pacientët me XP kanë deri në 2000 herë më shumë gjasa të zhvillojnë melanomë, një lloj kanceri të lëkurës për të cilin rrezatimi UV është një faktor kryesor rreziku. Pa mbrojtje nga drita ultravjollcë, njerëzit me XP kanë gjasa të zhvillojnë kancer të lëkurës shumë herë gjatë jetës së tyre, zakonisht për herë të parë para moshës 10 vjeç.

    Rreth 25% e njerëzve me XP do të zhvillojnë gjithashtu simptoma neurologjike që lidhen me këtë çrregullim, ndoshta për shkak të dëmtimit të ADN-së në qelizat nervore të trurit. Këto simptoma zhvillohen progresivisht gjatë jetës së pacientit, pavarësisht nivelit të ekspozimit në diell, dhe përfshijnë humbje të dëgjimit, koordinim dhe ekuilibër të dobët, dhe aftësi të kufizuara intelektuale.

    Njerëzit me XP, mesatarisht, jetojnë deri në moshën 37 vjeç. Megjithatë, ata që kanë edhe simptoma neurologjike zakonisht jetojnë deri në moshën 29 vjeç.

    Aktualisht nuk ka kurë për XP-së. Megjithatë, pacientëve u rekomandohet të jenë gjithmonë plotësisht të mbrojtur nga drita e diellit. Mbrojtja e vazhdueshme nga rrezatimi UV, duke përdorur kremra mbrojtës, veshje me shtresa dhe syze dielli, mund të ulë ndjeshëm numrin e rasteve të kancerit të lëkurës që zhvillojnë pacientët.

    Trajtime të tjera përfshijnë operacione për heqjen e kancerit të lëkurës nëse shfaqet; aparate dëgjimi për të ndihmuar me humbjen e dëgjimit; dhe pika për sytë për të lehtësuar ndjeshmërinë dhe tharjen e syve. Pacientëve mund t’u rekomandohet gjithashtu të marrin suplemente të vitaminës D, pasi mungesa e ekspozimit në diell mund të çojë në nivele të ulëta të kësaj vitamine.

    Ata që zhvillojnë simptoma neurologjike nga XP-ja mund të kenë nevojë më vonë për përdorim të karrocës me rrota, ushqim përmes tubi dhe kujdes afatgjatë mjekësor. / Live Science – Syri.net

  • Dalin pamjet e para ‘spektakolare’ të Diellit nga teleskopi më i madh në glob, zbulohen njollat gjigante dhe…

    Dalin pamjet e para ‘spektakolare’ të Diellit nga teleskopi më i madh në glob, zbulohen njollat gjigante dhe…

    Një imazh mahnitës i Diellit, i kapur nga teleskopi më i madh diellor në botë, po bën jehonë në komunitetin shkencor, duke ofruar një vështrim të pashembullt në aktivitetin dinamik dhe kompleks të yllit tonë më të afërt.

    Ky është imazhi i parë i realizuar nga instrumenti i ri VTF (Visible Tunable Filter) në Teleskopin Diellor Daniel K. Inouye, i Fondacionit Kombëtar të Shkencës së SHBA-së (NSF).

    Imazhi zbulon një grumbull njollash të errëta diellore, secila me madhësinë e një kontinenti, që ndodhen pranë qendrës së atmosferës së brendshme të Diellit. Me një shkallë mahnitëse prej 10 kilometrash për piksel, ky është një prej përshkrimeve më të afërta dhe më të detajuara të jetës së nxehtë dhe të paqëndrueshme në sipërfaqen diellore.

    Sipas shkencëtarëve, njollat diellore janë zona me aktivitet shumë të fortë magnetik. Ato shënojnë vendndodhjen e mundshme të shpërthimeve diellore dhe nxjerrjeve masive koronale (CME), shpërthime të mëdha të plazmës dhe fushave magnetike që përhapen nga atmosfera e jashtme e Diellit drejt hapësirës.

    “Këto shpërthime mund të ndërhyjnë në fushën elektromagnetike të Tokës, duke shkaktuar ndërprerje në rrjetet elektrike, komunikimin satelitor dhe madje edhe në navigimin GPS,”, shpjegoi për CNN Friedrich Woeger, shkencëtar i programit për teleskopin Inouye. Parashikimi i këtyre fenomeneve është thelbësor për të parandaluar dëme në infrastrukturën teknologjike të njerëzimit.

    I ngjashëm me një ‘marrës radioje që akordohet në gjatësi vale të ndryshme’, instrumenti VTF i lejon shkencëtarët të studiojnë shtresat e ndryshme të atmosferës së Diellit, të cilat, ashtu si një qepë, kanë temperatura dhe dendësi të ndryshme. Ky instrument mund të gjurmojë temperaturën, presionin, shpejtësinë dhe strukturën magnetike me saktësi të jashtëzakonshme në 3D.

    I vendosur në Observatorin Kombëtar Diellor në majë të malit vullkanik Haleakalā në ishullin Maui të Havait, teleskopi Inouye ndodhet në një lartësi prej 3,000 metrash dhe përbëhet nga disa kate të specializuara. Ai pritet të bëhet plotësisht funksional në vitin 2026, por edhe testimet e para, si ky imazh i fundit, po sjellin përfitime të mëdha për shkencën.

    Dielli po kalon aktualisht përmes kulmit të aktivitetit të tij magnetik, një fazë e njohur si maksimumi diellor, që ndodh çdo 11 vjet. Kjo është periudha më e frytshme për të vëzhguar fenomenet më dramatike diellore dhe për të testuar instrumente si VTF.

    “Ashtu si një supë që zien, energjia nga bërthama e Diellit ngrihet në sipërfaqe përmes lëvizjes fluide,” tha Mark Miesch, studiues nga Universiteti i Kolorados. “Njollat diellore janë zona ku kjo energji bllokohet nga fusha magnetike, duke rezultuar në temperatura më të ulëta dhe pamje më të errët në imazhe.” shtoi ai.

    Këto të dhëna janë të një rëndësie kritike për të kuptuar më mirë ndikimin e Diellit në jetën tonë të përditshme. Me avancimin e teknologjisë dhe mjeteve si VTF, shkencëtarët janë më afër se kurrë për të parashikuar me saktësi motin hapësinor dhe për të mbrojtur Tokën nga ndikimet e tij potencialisht të rrezikshme. Syri.net-CNN.gr.