San Isidro, Argjentinë… Me zërin që i dridhej dhe sytë e mbushur me lot, Verónica Ojeda, ish-partnerja e Diego Armando Maradonës dhe nëna e djalit të tij më të vogël, Dieguito Fernando, dëshmoi në seancën e nëntë të gjyqit penal për vdekjen e legjendës së futbollit. Në një dëshmi tronditëse, ajo ngriti akuza të drejtpërdrejta ndaj ekipit mjekësor që kishte në dorë shëndetin e Maradonës ditët e fundit të jetës së tij.
“Të gjithëve na thoshin se ishte më mirë ta shtronim në një shtëpi, pra të ndiqej në kushte shtëpie, – tregoi Ojeda para trupit gjykues. – Na thanë se do të kishte infermierë, se do të ishte sikur i shtruar në spital. Gjithçka që do të kishte në një spital, do të ishte edhe në shtëpi. Luque dhe Cosachov na thanë kështu…”
Por realiteti ishte krejt ndryshe nga premtimet. Verónica e përshkroi shtëpinë ku u vendos Maradona në Tigre si të papërshtatshme dhe të padenjë për një njeri në gjendjen e tij shëndetësore: “Shtëpia në Tigre nuk ishte e pajisur me aparatura mjekësore, ishte e ndotur. Pra, nuk ishte e përshtatshme për ta ndjekur nga ana shëndetësore aty. Nuk kishte as një banjë të denjë”.
Më tej, Ojeda vuri në shënjestër edhe rrethin e afërt të Maradonës, duke sugjeruar se shumë prej tyre nuk donin të mirën e tij. “Ata donin ta shihnin Diegon keq, nuk donin ta shihnin mirë. Nuk donin që ai të ishte i vetëdijshëm dhe i aftë për ta shijuar jetën”, – u shpreh ajo me trishtim.
Një moment veçanërisht prekës ishte përshkrimi i vizitës së saj të fundit te Diego, vetëm dy ditë para vdekjes së tij, më 23 nëntor 2020. “Mbërrita rreth orës 5 të pasdites, – kujtoi ajo. – Diego ishte vetëm, me Corian dhe një infermiere bionde, që rrinte ulur në dhomën e ndenjjes duke lexuar një revistë. Kur hyra, i thashë: Diego, çfarë të ka ndodhur? Ishte i fryrë, i shformuar, barku, duart… të gjitha të fryra”.
Në dëshminë e saj, Ojeda tha gjithashtu se ishin mashtruar nga mjekët që kujdeseshin për Maradonën. Ajo akuzoi neurokirurgun Leopoldo Luque dhe psikiatren Agustina Cosachov për mungesë transparence gjatë një operacioni vendimtar: “Luque na tha se e kishte operuar ai vetë, por më pas mësuam që e kishte operuar një tjetër mjek. Është çmenduri, por kështu ka qenë. Na gënjyen në sy të gjithëve. Na qeshën në fytyrë”.
Në këtë proces gjyqësor, ku janë të pandehur 7 persona, përfshirë Luque dhe Cosachov, dëshmia e Ojeda pritet të luajë një rol kyç në zbardhjen e përgjegjësive për vdekjen tragjike të një prej figurave më të dashura të futbollit botëror.