Partia Demokratike ka denoncuar parregullsi në procesin e shpërndarjes së fletëve të votimit në Diasporë.
Në një komunikim me gazetarët, drejtuesja politike për diasporën Jozefina Topalli dhe juristi Franc Nuri listuan problemet që kanë shoqëruar shpërndarjen e zarfeve me fletën e votimit duke nisur nga fakti që postieri i kanë lënë këto zarfe tek dera, tek fqinjët, në oborr edhe pse kontrata parashikon dorëzimin individualisht në dorë çdo qytetari.
PD ka denoncuar raste ku zarfi që kanë marrë emigrantet nuk e ka pasur fletën e votimit si dhe ndërhyrjen sipas opozitës të Partisë Socialiste tek qytetarët në procesin e votimit.
“I bëj thirrje KQZ që të kërkojë DHL të përmbushin ligjoret logjistike. Thyerja e afateve dhe standardeve të vendosura në ligj është cenim i votës së shqiptarëve dhe do cenonte integritetin e zgjedhjeve”, tha Jozefina Topalli, drejtuese politike për diasporen, PD.
Por pavarësisht shqetësimit për procesin e shpërndarjes së fletëve të votimit, opozita ka inkurajuar të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të shprehin vullnetin e tyre me votë.
“Me votën e tyre, me zarfin që e dërgojnë në Shqipëri, ata duket se do të përmbysin regjimin që i përjashtoi, që i dëboi nga vendi i tyre. Ndoshta janë pikërisht këto dy momente kyçe që do të sjellin ndryshimin e madh: diaspora nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, ato familje të thjeshta shqiptare që nuk pranojnë kurrë t’u thonë baballarëve të tyre, apo vetes së tyre, se ishin “të tepërt”, se ishin “të padëshiruar”, tha më tej.
Nga ana tjetër Topalli shmangu komentet për kontratën e lobimit me kompaninë amerikane “Continental Strategy” me vlerë 6 milionë dollarë
“Partia e ka sqaruar këtë çështje”, u përgjigj ajo.
/vizionplus.tv