Tag: dhimitër

  • I jepet lamtumira e fundit regjisorit Dhimitër Anagnosti, Nderi i Kombit prehet në Vuno

    I jepet lamtumira e fundit regjisorit Dhimitër Anagnosti, Nderi i Kombit prehet në Vuno

    Sot iu dha lamtumira e fundit një prej emrave më të shquar të kinematografisë shqiptare, regjisorit Dhimitër Anagnosti.

    I jepet lamtumira e fundit regjisorit Dhimitër Anagnosti – Prehet në Vuno, siç kishte lënë amanet
    Pas një jete të dedikuar artit dhe kulturës shqiptare, trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit në fshatin e tij të lindjes, Vuno, aty ku ai kishte lënë amanet të prehej.
    Familjarë, të afërm, miq, kolegë, personalitete dhe dashamirës të kinemasë shqiptare u mblodhën për të nderuar figurën e tij të paharruar. Dhimitër Anagnosti do të kujtohet si një nga themeluesit e artit filmik në Shqipëri, autor i dhjetëra filmave të njohur që kanë lënë gjurmë në historinë e kinemasë shqiptare dhe në kujtesën e shumë brezave.
    Prej dekadash, krijimtaria e tij ka pasur ndikim të thellë në formësimin e identitetit artistik të vendit, duke e bërë atë një nga figurat më të respektuara në jetën kulturore shqiptare.

    Top Channel

  • Osmani: Dhimitër Anagnosti i dha identitet kinemasë shqiptare në botë

    Osmani: Dhimitër Anagnosti i dha identitet kinemasë shqiptare në botë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.

    Në mesazhin e saj, Osmani e cilëson Anagnostin si një mjeshtër të madh të kinematografisë në Shqipëri.

    “Veprat e tij mbeten të ngulitura thellë në kujtesën e publikut dhe janë dëshmi e talentit, përkushtimit dhe guximit të tij artistik. Ai ishte një njeri që i dha artit dinjitet dhe shoqërisë reflektim”, shkruan Osmani ndër të tjera.

    Teksti i plotë:

    TELEGRAM NGUSHËLLIMI

    1 shtator 2025Prishtinë, Republika e Kosovës

    E nderuar familje Anagnosti,

    Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.

    Ai ishte një prej figurave më të shquara të artit tonë, i cili me krijimtarinë e tij prej disa dekadash pasuroi kulturën kombëtare, duke i dhënë dinjitet dhe identitet kinemasë shqiptare në botë. Veprat e tij, të ngulitura thellë në kujtesën e publikut, mbeten dëshmi e përhershme e talentit, guximit intelektual dhe përkushtimit të tij për artin dhe shoqërinë. Trashëgimia e tij e çmuar do të mbetet pjesë e kujtesës kolektive dhe frymëzim për gjeneratat që vijnë.

    Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, të afërmve dhe kolegëve!

    Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.

    I përhershëm qoftë kujtimi për Dhimitër Anagnostin!

    Sinqerisht:Vjosa Osmani

    Regjisori i shquar i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, mbylli sytë përgjithmonë në moshën 89-vjeçare, ditën e hënë, pas një sëmundjeje të gjatë. Më herët, e bija, shkroi online “Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë iu binde ligjit të jetës. Lamtumirë babush!”, ndërsa Këshilli i Ministrave shpalli datën 2-shtator si ditë zie kombëtare.

    Ai lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 23 janar të vitit 1936. Kreu shkëlqyeshëm gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kinooperator. Anagnosti ka realizuar filma, në cilësinë e regjisorit dhe skenaristit e gjithashtu ka shkruar romane dhe drama.

    Xhiroi si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes” – sipas tregimit të Heminguejt, që u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin e Shkollave Kinematografike në Holandë (1961).

    Pas studimeve u emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re” ku dha kontributin e tij të gjatë e të rëndësishëm si regjisor, skenarist e kino-operator në zhvillimin e artit të ri të kinematografisë shqiptare. Filmat e tij janë vlerësuar e vazhdojnë të vlerësohen nga publiku e spektatori shqiptar. Puna e tij si kineast është vlerësuar me tri Çmime të Republikës së Shqipërisë (1969, 1979, 1983); me tri Kupa të Festivaleve të Filmit Artistik Shqiptar e shumë çmime të tjera.

    Filmat më të spikatur, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj., janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare në vitet (1980, 1983, 1985, 2005, 2006).

    Në vitin 1987 u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995 me “Çmimin e Karrierës” në Festivalin e 10-të të Filmit Artistik Shqiptar.

    Ka qenë deputet i Partisë Demokratike në parlamentin e parë pluralist shqiptar dhe në vitin 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e parë demokratike.

    Për kontributin e tij në kulturën dhe artin shqiptar është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë (2011)./atsh/KultPlus.com

  • Ndahet nga jeta kolosi i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti, artistët: Në çdo film të tij, ne gjejmë…

    Ndahet nga jeta kolosi i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti, artistët: Në çdo film të tij, ne gjejmë…

    Nga Julia Vrapi
    Dhimitër Anagnosti kolosi i kinematografisë shqiptare u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare. I vlerësuar si një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX filma të suksesshëm mbajnë emrin e tij. Dhimitër Anagnostit i numërohen në karrierën e tij mbi 40 vjeçare, 15 skenarë, 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe disa çmime kombëtare e ndërkombëtare.  Personalitete të artit dhe kulturës në vend, politikanë dhe më gjerë shprehën mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Dhimitër Anagnostit “Nderi i Kombit”. Ndërsa regjisori Mevlan Shanaj thotë se nuk ka një të dytë si ai. “Dhimitër Anagnosti maja më e lartë ekranit shqiptar apo zbuluesi i perlave të karaktereve shqiptare! Intelektuali krijues që na dha shqiptarin përmes vizatimeve të psikologjisë më mirë seç e dinim, kujtoni karakteret e Kadri Roshit ( Safa Ymeri “Malet me blerim mbuluar”, apo kujdestari në “Lulëkuqet mbi mur”) Ndrekë Lucën te prifti në “Komisari i dritës”, apo kapter Ramiu te “Dueli i heshtur” si edhe Gjini te “Plagë të vjetra” Rikard Ljarja me Roza Anagnostin, bashkëpunimet me Robert Ndrenikën te “Përrallë nga e kaluara” apo “Në shtëpinë tonë” pra kudo në krijimet e tija vuloste Shqipëri. Sqimtar i së bukurës, vendoste flamurin e fitores në pikën më të lartë! Lamtumirë “diktatori i së bukurës”,  maja e arritjeve artistike të ekranit shqiptar! Lamtumirë mjeshtri i ndërtimit të karaktereve shqiptare! Nuk ka më Anagnost ekrani, nuk ka një të dytë si ai! Shqipëria  sot ka pësuar një humbje të madhe”, shprehet Shanaj. Regjisori i shquar Dhimitër Anagnosti prej kohësh ishte i sëmurë dhe u nda nga jeta në orët e para të 1 shtatorit 2025.
    Qëndistar i kujtesës sonë kombëtare
    Kineasti dhe producenti Skënder Jaçe thotë se në çdo film të Dhimitër Anagnostit ne gjejmë një copëz të shpirtit shqiptar. Me ndarjen e tij nga jeta, Jaçe shprehet se u shua një dritë e madhe e kinemasë sonë. “Dhimitër Anagnosti nuk ishte thjesht regjisor. Ai ishte qëndistar i kujtesës sonë kombëtare, mjeshtër i fjalës dhe i figurës që dinte të fliste me heshtje, me dritë, me fytyra njerëzish. Në çdo film të tij, ne gjejmë një copëz të shpirtit shqiptar: dhimbjen dhe krenarinë, varfërinë dhe dinjitetin, të shkuarën dhe të ardhmen. Ai dinte të na bënte të qeshnim me butësi, të na sillte lot në sy, e sidomos të na bënte të ndiheshim më pranë njëri-tjetrit”, shprehet Jaçe. Ndër të tjera Jaçe thotë se Anagnosti jetoi për artin, por mbi të gjitha jetoi për njeriun. “Ai e deshi Shqipërinë në mënyrën më të bukur: duke i dhuruar filma që do të mbeten si pasqyrë e shpirtit tonë. Me largimin e tij, ndjejmë një boshllëk të madh, por njëkohësisht kemi një trashëgimi që nuk shuhet kurrë”, shprehet Skënder Jaçe. Ndërsa Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja në mesazhin e tij u shpreh se Anagnosti la pas një trashëgimi të vyer për kulturën kombëtare. “I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të kinematografisë shqiptare, “Nderi i Kombit” Dhimitër Anagnosti! Një jetë e tërë e përkushtuar artit, ku në karrierën e tij mbi 40-vjeçare ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke lënë pas një trashëgimi të vyer për kulturën kombëtare”, shprehet ministri Gonxhja. Në nderim të kujtimit dhe veprës së mjeshtrit të kinematografisë shqiptare, “Nderi i Kombit” Dhimitër Anagnosti, do të organizohet sot ceremonia shtetërore e homazheve publike në nder të tij nga ora 10:00 deri në 13:00, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ashtu siç kishte vetë e la amanet, regjisori do të prehet në Vuno të Himarës. Mesazh për Dhimitër Anagnostin ndau dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë. “Ai nuk ishte thjesht një artist-ishte një shpirt që e ndiente çdo detaj të jetës dhe e pasqyronte atë në çdo vepër filmike”, shprehet QKK ndër të tjera. Ndërsa Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit shprehet se Anagnosti e ktheu dhimbjen, dashurinë, historinë dhe ëndrrën e shqiptarëve në filma, që mbeten përjetësisht dëshmi e kohërave tona.
     Puna me filmat
    Dhimitër Anagnosti lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 23 janar të vitit 1936. Kreu shkëlqyeshëm gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kino-operator. Anagnosti ka realizuar filma, në cilësinë e regjisorit dhe skenaristit e gjithashtu ka shkruar romane dhe drama. Xhiroi si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”  sipas tregimit të Hemingway-t, që u vlerësua me “Çmimin e Parë” në Festivalin e Shkollave Kinematografike në Hollandë (1961). Pas studimeve u emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re” ku dha kontributin e tij të gjatë e të rëndësishëm si regjisor, skenarist e kino-operator në zhvillimin e artit të ri të kinematografisë shqiptare. Filmat e tij janë vlerësuar e vazhdojnë të vlerësohen nga publiku e spektatori shqiptar. Puna e tij si kineast është vlerësuar me tri Çmime të Republikës së Shqipërisë (1969, 1979, 1983); me tri Kupa të Festivaleve të Filmit Artistik Shqiptar e shumë çmime të tjera. Filmat më të spikatur, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj., janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare në vitet (1980, 1983, 1985, 2005, 2006). Në vitin 1987 u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995 me “Çmimin e Karrierës” në Festivalin e 10 të Filmit Artistik Shqiptar.

  • “Të pandarë”, marrëdhënia e veçantë e Roza dhe Dhimitër Anagnostit/ Çfarë thoshte aktorja për njohjen me të

    “Të pandarë”, marrëdhënia e veçantë e Roza dhe Dhimitër Anagnostit/ Çfarë thoshte aktorja për njohjen me të

    Gjatë së martës, janë mbajtur homazhet në nder të regjisorit Dhimitër Anagnosti, i cili u nda nga jeta një ditë më parë duke lënë pas vepra të pavdekshme. 2 shtatori u shpall ditë zie kombëtare, ndërsa të mërkurën, ai do të përcillet në banesën e fundit, në vendlindjen e tij në Vuno.
    Në homazhet që u mbajtën të martën nuk munguan figurat e njohura, ndërsa një pamje e trishtë ishte Roza Anagnosti duke i dhënë lamtumirën shokut të saj të jetës. Aktorja ishte muza e regjisorit dhe siç e përshkruan kineasti Agron Domi marrëdhënien e tyre në “Rudina” në Tv Klan, ata ishin të pandarë.
    Agron Domi: Çift i pandarë, të ardhurueshëm. Roza ishte grua, bashkëshorte, asistente, i bënte të gjitha që të kujdesej. Për librin e tij që bëri, kujdesej ta linte te “Corner” te Akademia e Arteve, “e ke atje në këtë orë, më thuaj kur ta marrësh”, një merak i paparë. Një grua inteligjente, përveç talentit teatral dhe kinematografik. Një muzë pranë Taqos. Më ka ndihmuar shumë në 2016, koincidoi 80-vjetori i Taqos dhe 40-vjetori i Lulëkuqe mbi mure dhe menduam atëherë në kuadër të tij që t’i jepnim një çmim nderi, bufin e TIFF-it, meritë e madhe dhe për gjithë organizimin kjo duhet të ishte si surprizë dhe që Taqo të ishte pjesë e kësaj dhe të kishte emocionin…
    Rudina Magjistari: Ia dolët?
    Agron Domi: Ia dolëm sigurisht, me garancinë që jepte Roza.
    Në vitin 2018, Roza Anagnosti ka dhënë një intervistë për “Rudinën” duke ndarë edhe historinë e njohjes me regjisorin e saj.
    “Takimi i parë me Dhimitrin ka qenë në kinoprova, ku ai ishte në kamera, por syri i kameras e fiksoi mesa duket. Regjisor në filmin ‘Toka jonë’ ka qenë Hysen Hakani, i cili krijonte situata shumë komike në xhirime. Aty shkëmbyem shikime. Ne kishim një autobus të sajuar, sepse nuk kishte atëherë. Unë isha ulur në rreshtin e dytë dhe ai më rrinte karshi. Dhimitri mbante gjithmonë syze të zeza dhe mua më dukej sikur shikimi i tij ishte drejt meje dhe ktheja kokën. Unë isha vetëm 19 vjeçe në atë kohë. Ai më shikonte përmes kameras dhe më bënte me shenjë, kur nuk isha duke luajtur mirë. Pas këtij filmi ne u fejuam. Dhe tek filmi  “Komisari i dritës” ne ishim të sapomartuar dhe Dhimitri ishte regjisor i filmit. Anagnosti për mua është një idhull, jo vetëm si bashkëshort, por edhe si koleg. Ai është një mbështetje e jashtëzakonshme dhe nuk gjej fjalë për të. Edhe tani ai më nxit të vazhdoj karrierën, ka vlera të jashtëzakonshme dhe është shumë modest. Unë kam pasur në krah një mbështetje shumë të madhe”, shprehej aktorja.
     
     

  • “U shua një yll”/ Ndarja nga jeta në moshën 89-vjeçare të regjisorit Anagnosti, Presidenti Begaj mesazh ngushëllues

    “U shua një yll”/ Ndarja nga jeta në moshën 89-vjeçare të regjisorit Anagnosti, Presidenti Begaj mesazh ngushëllues

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e homazheve të lamtumirës së fundit ndaj regjisorit dhe personalitetit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.
    Kreu i Shtetit vendosi kurorën me lule në arkëmortin e Dhimitër Anagnostit, si dhe i shprehu ngushëllime bashkëshortes së tij, artistes Roza Anagnosti, dhe familjarëve.
    Begaj e cilësoi ndarjen nga jeta të regjisorit Anagnosti si shuarjen e një ylli nga plejada e artistëve të mëdhenj shqiptarë, ndërsa u shpreh se arti i tij do të vazhdojë të magjepsë shqiptarët.
    Në respekt të ditës së zisë kombëtare për ndarjen nga jeta të artistit Dhimitër Anagnosti, Institucioni i Presidentit të Republikës uli këtë të martë flamurin kombëtar në gjysmë shtizë.

  • Presidenti Begaj merr pjesë në homazhet për regjisorin Dhimitër Anagnosti

    Presidenti Begaj merr pjesë në homazhet për regjisorin Dhimitër Anagnosti

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Armanda Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e homazheve për lamtumirën e fundit ndaj regjisorit dhe personalitetit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.

    Kreu i shtetit vendosi një kurorë me lule pranë arkëmortit të Anagnostit dhe shprehu ngushëllime bashkëshortes së tij, aktores Roza Anagnosti, si edhe familjarëve.
    Presidenti Begaj e cilësoi ndarjen nga jeta të regjisorit si shuarjen e një ylli nga plejada e artistëve të mëdhenj shqiptarë, duke theksuar se arti i tij do të vazhdojë të magjepsë shqiptarët edhe në brezat që vijnë.

    Në shenjë respekti për ditën e zisë kombëtare, Institucioni i Presidentit uli këtë të martë flamurin në gjysmë shtize.

  • Lamtumirë Dhimitër Anagnosti ! Homazhe për babain e kinematografisë, qeveria shpall 2 shtatorin ditë zie

    Lamtumirë Dhimitër Anagnosti ! Homazhe për babain e kinematografisë, qeveria shpall 2 shtatorin ditë zie

    Sot, Shqipëria i dha lamtumirën e fundit mjeshtrit të kinematografisë, Dhimitër Anagnostit. Në shenjë respekti, kjo e martë është shpallur ditë zie kombëtare dhe flamujt në institucionet shtetërore u ulën në gjysmështizë.

    Homazhet u zhvilluan në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku familjarë, personalitete të artit, politikës dhe qindra qytetarë u mblodhën për të nderuar figurën e tij.
    Miqtë, të afërmit dhe kolegët e kujtuan Anagnostin si një artist të jashtëzakonshëm, një njeri të urtë dhe vizionar, i cili me filmat e tij i dha identitet dhe dinjitet kinemasë shqiptare.

    Të pranishëm në homazhe ishin edhe presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetari i opozitrës, Sali Berisha si dhe shumë autoritete të larta shtetërore.
    Kreu i qeverisë nderoi Anagnostin, të cilin e ka cilësuar si babain e kinematografisë shqiptare. Ai mori pjesë në homazhe ndërsa la edhe një shënim në librin e kujtimeve.
    Në mesazhet e tyre, autoritetet shtetërore theksuan se Dhimitër Anagnosti është tashmë pjesë e panteonit të kulturës kombëtare, një emër që do të kujtohet përjetë për kontributin e tij të pazëvendësueshëm.
    Pas homazheve në kryeqytet, trupi i “Nderit të kombit” do të prehet në Vuno, në vendlindjen e tij, aty ku nisi rruga e jetës së një prej emrave më të mëdhenj të kinemasë shqiptare./vizionplus.tv

  • “Jam i bindur që e ke menduar këtë ditë, të ndahesh nga zhurma e qytetit e të prehesh në Vunoin tënd”, mesazhi i Ramës në librin e ngushëllimeve për Dhimitër Anagnostin

    “Jam i bindur që e ke menduar këtë ditë, të ndahesh nga zhurma e qytetit e të prehesh në Vunoin tënd”, mesazhi i Ramës në librin e ngushëllimeve për Dhimitër Anagnostin

    Kryeministri Edi Rama shkroi një mesazh në librin e ngushëllimeve për mjeshtrin e kinemasë shqiptare Dhimitër Anagnosti.

    Kreu i qeverisë nderoi regjisorin e shquar shquar shqiptar në homazhet që u mbajtën këtë të martë në hollin e teatrit të Operas dhe Baletit.
    “Jam i bindur që ke menduar shpesh për këtë ditë kur do të ndahesh përgjithnjë nga zhurma e qytetit e do të prehesh në Vunoin tënd, ku paqja e merituar do të jetë mbi ty.Me mall Edi”, ka shkruar Rama.

    Familjarë, kolegë, politikanë dhe qytetarë nderuan kolosin e kinematografisë shqiptare dhe vendosën kurora me lule në arkëmort,
    Regjisori i shquar shqiptar Dhimitër Anagnosti mbylli sytë përgjithmonë një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.
    I lindur në Vuno më 23 janar 1936, Anagnosti do të mbahet mend si një ndër regjisorët më të mirë të shekullit XX. Me një krijimtari mbi 40-vjeçare, la pas një trashëgimi të pasur me 14 filma artistikë e 10 dokumentarë, për të cilët u vlerësua me çmime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.
    “Gjykoni veprën time”, përgjigjej Artisti i Popullit me një modesti të pashoqe sa herë pyetej për kontributin e tij në kinematografi. Ishte patrioti që trajtonte tema sociale të realizuara në një kohë kur e vërteta ishte e ndaluar. Me guxim dhe vendosmëri, Anagnosti ishte luftëtari i mendimit të lirë.
    Vulën e regjisorit Dhimitër Anagnosti e mbajnë filmat më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare, përfshirë “Lulëkuqe mbi mure”… “Përrallë nga e kaluara”… “Në shtëpinë tonë”… “Kthimi i ushtrisë së vdekur”… “Malet me blerim mbuluar”…
    Anagnosti konsideroj frymëzim për bashkëshorten e tij, partneren në jetë dhe skenë, Artisten e Merituar, Roza Anagnostin dhe për artistët e rinj. Me profesionalizmin në art dhe fabulën që e ngrinte në nivelin më të lartë provoi zhanre të ndryshëm në kinematografi.
    Ndërsa, pas viteve ’90 u angazhua në jetën politike krah PD-së. Në 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti për 2 vite.
    Në artin shqiptar u prezantua edhe si shkrimtar. Në një përsiatje për jetën, me veprën e fundit të tij të fundit Treni ADN, që gati gati duket si testament, u shfaq jo thjesht si mendimtar e eseist, por mbi të gjitha si poet e krijues i hollë.

    Top Channel

  • Kryeministri Rama nderon ikonën e artit shqiptar, Dhimitër Anagnosti. Mesazhi që la në librin e ngushëllimeve

    Kryeministri Rama nderon ikonën e artit shqiptar, Dhimitër Anagnosti. Mesazhi që la në librin e ngushëllimeve

    Kryeministri Edi Rama mori pjesë në homazhet e organizuara në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit për t’i dhënë lamtumirën e fundit Dhimitër Anagnostit.
    Me një buqetë në dorë dhe në heshtje respekti, Rama nderoi figurën e mjeshtrit të madh të kinematografisë shqiptare, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjarët dhe të afërmit.

    Rama la edhe një mesazh lamtumire në librin dedikuar për Anagnostin, pas takimit me familjarët e regjisorit të shquar.
    “Jam i bindur që ke menduar shpesh për këtë ditë kur do të ndahesh përgjithnjë nga zhurma e qytetit e do të prehesh në Vunoin tënd, ku paqja e merituar do të jetë mbi ty. Me mall Edi”, thuhet në mesazh.

     

  • Homazhe në TKOB në nder të Dhimitër Anagnostit, regjisori do të prehet në vendin e lindjes

    Homazhe në TKOB në nder të Dhimitër Anagnostit, regjisori do të prehet në vendin e lindjes

    Këtë të martë, janë zhvilluar homazhe në nder të regjisorit të mirënjohur Dhimitër Anagnosti. Familjarë, miq, kolegë, bashkëpunëtorë, figura të shumta të artit, kinemasë e politikës kanë nderuar figurën e të ndjerit Anagnosti. Kryeministri Edi Rama, ministri i Kulturës Blendi Gonxhja, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, kryedemorkati Sali Berisha, Presidenti Bajram Begaj i shoqëruar nga Zonja e Parë, Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro kanë kryer homazhet në Hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit në nderim të figurës së arkitektit të kinematografisë shqiptare.
    Ditën e mërkurë (3 shtator) do të bëhet përcjellja e regjisorit Anagnosti për në banesën e fundit, në vendin e lindjes, në Vuno të Himarës.
    Berisha: Ditë zie për artin, do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit
    Ditë zie për artin e konsideron Kryedemokrati Sali Berisha ndarjen nga jeta të “Nderit të Kombit” Dhimitër Anagnosti.
    Ndërsa shpreh ngushëllimet për familjen e regjisorit të ndjerë, Berisha shprehet se veprat dhe krijimtaria e Anagnostit do të jetojë gjatë në memorien e kombit shqiptar.
    “Sot është një ditë e rëndë, ditë zie për artin, filmin kulturën e shqiptarëve, pasi përcjellim për në banesën e fundit një kolos të vërtetë të gjinisë krijuese artistike të kombit shqiptar, Dhimitër Anagnosti.
    Ishte, është, njëri prej krijuesve regjisorëve, skenaristëve shkrimtar, më të shquar të vendit. Lë një trashëgimi në të cilën ai do jetojë për jetë të jetëve. Anagnosti ishte i pamëshirë në kërkim të përsosmërisë artistike në veprën e tij. Ai që në vitet ’90 me emrin, reputacionin e tij u angazhua në mbështetje të përmbysjes së diktaturës dhe forcave demokratike. Në dy legjislatura ishte deputet i PD-së dhe ministër kulture. Një personalitet i rrallë, i cili do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit. U shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Rozës, artistes së mrekullueshme, familjes së tij, miqve e kolegëve”, tha Berisha, pas homazheve ndaj regjisorit të ndjerë dhe mesazhit të lënë në Librin e Përshtypjeve.
    Aktorja Ljarja: Filmat e mjeshtrit Anagnosti do të jenë të paharruar
    Aktorja Marjeta Ljarja i shprehu ngushëllime familjarëve të regjisorit të ndjerë, ndërsa deklaroi se veprat e Dhimitër Anagnostit do të jenë të paharruara.
    “E kam njohur shumë mirë Taon, rozën. Ka qenë mjeshtër, më vjen keq që largohet dhe po lë kaq shumë gjera që vetëm harresës mund të jetë mbi këtë emër dhe mbi këtë mjeshtër. Njeri serioz, këmbëngulës, pasionant. Filmat e tij do jenë të paharruar. Me Rikardin ka qenë mik i veçantë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! Nuk do të harrohet”, tha ajo.
    Ministri Gonxhja: Korifeu i regjisë iku fizikisht, thesarin e la pas
    Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja shprehu keqardhjen për ndarjen nga jeta të korifeut të regjisë, ndërsa shtoi se trashëgimia që la pas, do kujtohet nga të gjithë brezat.
    “Vërtet ndahet fizikisht një baba i kinemasë, një korife i regjisë, i artit, por është një ndarje që lë pas një thesar, një trashëgimi për të gjithë brezat, për jetën dhe veprën e tij, për t’u mbajtur mend përgjithmonë. I jemi këtu pranë yllit të tij, Roza Anagnostit, familjes, më të dashurve të tij, për t’i shprehur këtë përulje dhe këtë mirënjohje vërtet të thellë dhe shumë të lartë”, tha Gonxhja, pas homazheve të kryera ndaj regjisorit të ndjerë.
    Timo Flloko: Korifeu i artit shqiptar do mbetet i paharruar ngahera
    Aktori i mirënjohur Timo Flloko ka shprehur gjithashtu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të atij që e cilësoi si korifeun e artit shqiptar, Dhimitër Anagnosti. Flloko deklaroi se regjisori i ndjerë “do të jetojë” gjithnjë.
    “Në Kinostudio shpërtheu kur pa një provë timen dhe tha: kamera. Dhe ne e xhiruam atë skenë.
    Ato vargje të Nolit, ai ligjërim, ai shpërthim i takojnë atij sot si një homazh final. Ai është përherë këtu mes nesh, është korfie i artit shqiptar dhe do mbetet i paharruar ngahera”, tha Flloko.
    Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta ditën e djeshme (1 shtator) në moshën 89-vjeçare duke lënë në pikëllim jo vetëm familjen e tij, por të gjithë artëdashësit.
    Në nderim të regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti, Qeveria shqiptare ka vendosur këtë të martë të shpallë ditë zie kombëtare datën 2 shtator. Në të gjithë vendin, flamujt do të ulen në gjysmështizë, ndërsa institucionet shtetërore do të zhvillojnë homazhe për nder të figurës së tij.
    Dhimitër Anagnosti lindi në 23 janar 1936 në fshatin Vuno të Himarës. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kinooperator.
    Anagnosti ishte një prej themeluesve dhe figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare, me shumë filma artistikë dhe dokumentarë që trajtojnë tema të rëndësishme shoqërore, historike dhe psikologjike. Anagnosti dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe më vonë si politikan. Skenarët e pothuajse të gjithë filmave të tij ai i shkroi vetë.
    Në karrierën e tij 40-vjeçare, Anagnosti realizoi 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, fitoi mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Ai u nderua me titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti Bamir Topi në vitin 2011, si një nga regjisorët më të shquar të inematografisë shqiptare.
    Ndër filmat e tij më të njohur janë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka, djali i Abazit”, me të cilin u nderua me dy çmime ndërkombëtare në Itali.