Tag: detyrë

  • Plagosja në uzinën e ferrokromit në Elbasan/ Policia arreston dy inxhinierët dhe një brigadier

    Plagosja në uzinën e ferrokromit në Elbasan/ Policia arreston dy inxhinierët dhe një brigadier

    Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Prokurorinë ka arrestuar tre persona, të dyshuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë. Aksidenti i rëndë i ndodhur ditën e djeshme në uzinën e ferrokromit në Elbasan, ku mbeti i plagosur rëndë mekaniku Rubin Meçja.
    Të ndaluarit janë, F. I., 27 vjeç, me detyrë inxhinier i fabrikës, A. L., 58 vjeç, me detyrë inxhinier mekanik, M. H., 59 vjeç, me detyrë brigadier.
    Ngjarja ndodhi rreth orës 12:15 të mesditës së djeshme, në repartin e copëtimit të ferrokromit, ku mekaniku Meçja ishte duke punuar bashkë me kolegët për ndërrimin e pllakave të copëtuesit një proces periodik i mirëmbajtjes në uzinë.
    Në momentin e aksidentit, Meçja ndodhej poshtë pllakës së copëtuesit kur u godit fuqishëm nga agregati i makinës, duke pësuar dëmtime të rënda në shpatull dhe shtyllën kurrizore.
    Policia bën me dije se po vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore për ngjarjen.

  • Qëndroi vetëm tre muaj në detyrë, largohet drejtori i Kadastrës së Vlorës

    Qëndroi vetëm tre muaj në detyrë, largohet drejtori i Kadastrës së Vlorës

    Pas vetëm tre muajsh në detyrë, Erjon Galanxhi është larguar nga drejtimi i kadastrës së Vlorës.
    Ende nuk janë bërë publike arsyet zyrtare të shkarkimit apo dorëheqjes së tij.
    Kjo është një tjetër lëvizje në zinxhirin drejtues të Kadastrës së Vlorës, një institucion që ka njohur ndërrime të shpeshta drejtuesish në vitet e fundit.
    Erjon Galanxhi mori detyrën në fillim të muajit mars 2025, duke zëvendësuar paraardhësin e tij që gjithashtu qëndroi për një kohë të shkurtër në krye të këtij institucioni.
     

  • Bislimi: Takimi me Sorensenin ishte planifikuar të ishte trepalësh

    Bislimi: Takimi me Sorensenin ishte planifikuar të ishte trepalësh

    Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të hënën pas një takimi me Peter Sorensenin, të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë se, takimi i 2 qershorit ishte planifikuar të ishte trepalësh, por ekipi i Serbisë është përballur me vonesa gjatë shkuarjes në Bruksel.

    Duke u deklaruar për median lokale të Kosovës, KOHA, Bislimi ka thënë se në takimin e tij të parë në Bruksel me Sorensesin ka biseduar për qasjen që do të ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve në nivel të kryenegociatorëve, si dhe ato të nivelit të lartë, nën drejtimin e kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas.
    “Në takim bilateral ngritëm një sërë temash për të cilat mendojmë se është shumë me rëndësi që të kemi përgjigje nga Brukseli, apo zgjidhje, p.sh. kemi rastin e menaxhimit të integruar të kufirit ku ka ngecje të mëdha nga ana e Serbisë. Diskutuam edhe për një proces shumë të rëndësishëm që e kemi – mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes ndihmave për fermerët e vegjël”, ka thënë mes tjerash Bislimi për KOHËN.

    Në përpjekje për të ringjallur dialogun mes dy vendeve, Kallas ka qëndruar në Prishtinë dhe Beograd në maj të këtij viti, duke bërë thirrje për përmirësim të raporteve, sepse vetëm ashtu mund të ketë të ardhme evropiane për të dyja vendet.
    Serbia gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian, ndërsa Kosova jo, pavarësisht se ka aplikuar.
    Dy vendet dialogojnë në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve prej vitit 2011, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
    Aktualisht Kosova është me Qeveri në detyrë, pasi më 2 qershor, Kuvendi ka dështuar të konstituohet për të 25-ën herë me radhë.
    Lëvizja Vetëvendosje, që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, dhe partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, nuk kanë arritur pajtueshmëri për mënyrën e votimit për kreun e ri të parlamentit, dhe për propozimin e LVV-së për këtë pozitë, Albulena Haxhiun, duke e konsideruar figurë përçarëse.
    Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
    Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.Përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it [Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë] si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës./REL

  • Nuk vendosnin gjoba edhe pse shikonin shkelje, zbardhen emrat e policëve

    Nuk vendosnin gjoba edhe pse shikonin shkelje, zbardhen emrat e policëve

    Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë punonjës policie, të akuzuar për korrupsion pasiv, shpërdorim detyre dhe falsifikim kompjuterik.
    Bëhet fjalë për shtetasit Endri Hazizi, Aurel Tahiri dhe Xhevahir Stërmugu, të cilët kanë qenë në arrest shtëpie, si të dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim kompjuterik”.
    Ndërsa Eraldi Koprencka dhe Nertil Xhemalaj janë aktualisht të pezulluar nga detyra, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.
    Sipas Prokurorisë, efektivët e Policisë Rrugore të Elbasanit kanë bashkëpunuar për të toleruar drejtues mjetesh që kryenin kundërvajtje administrative, duke mos vendosur masat ndëshkuese përkatëse dhe duke dëmtuar kështu interesat financiare të shtetit dhe besimin e publikut tek institucionet ligjzbatuese.

  • Prokuroria e Elbasanit çon në gjyq 6 policë për korrupsion dhe shpërdorim detyre

    Prokuroria e Elbasanit çon në gjyq 6 policë për korrupsion dhe shpërdorim detyre

    Prokuroria e Elbasanit dërgoi në gjyq gjashtë punonjës policie për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre.
    Në përfundim të hetimeve, autoritetet identifikuan disa raste të korrupsionit të efektivëve ndaj shoferëve me qëllim mosndëshkimin e tyre me gjoba.
    “Shtetasit XH.S, E.H, A.T, N.XH punonjës të policisë pranë Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan janë akuzuar respektivitsht për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, më shumë se njëherë të parashikuar nga neni 259/1, 248, të Kodit Penal. Ndërsa shtetasit E.K, B.T, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal”, njoftoi prokuroria.
    Organi i akuzës thotë se policët në bashkëpunim me njëri-tjetrin edhe pse konstatonin shkelje nga ana e shoferëve, nuk vendosnin gjoba.
    Kësisoj ata kanë dëmtuar interesat financiare të shtetit dhe interesin publik, sipas prokurorisë.

  • Aksidentohet një punëtor i huaj, arrestohen drejtuesit e firmës

    Aksidentohet një punëtor i huaj, arrestohen drejtuesit e firmës

    Pas aksidentit në vendin e punës të një shtetasi të huaj 47-vjeç, ditën e djeshme në Tiranë, policia ka vënë në pranga inxhinierin e firmës së ndërtimit, shtetasin me iniciale D. H., 32 vjeç si dhe ka shpallur në kërkim 2 përfaqësues të firmës, shtetasin E. K., 34 vjeç, me detyrë administrator i firmës dhe R. J., 75 vjeç, me detyrë drejtues teknik.
    Sipas njoftimit zyrtar të policisë, dyshohet se si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, ditën e djeshme ka rënë nga lartësia e një pallati në ndërtim shtetasi i huaj V. N., 47 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën.

    Njoftimi i plotë
    Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
    arrestuan shtetasin D. H., 32 vjeç, me detyrë inxhinier i një firme ndërtimi, si dhe shpallën në kërkim shtetasit E. K., 34 vjeç, me detyrë administrator i firmës, dhe R. J., 75 vjeç, me detyrë drejtues teknik, pasi dyshohet se si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, ditën e djeshme ka rënë nga lartësia e një pallati në ndërtim shtetasi i huaj V. N., 47 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën. Punohet për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim.

  • Përndjekje dhe shpërdorim detyre, AMP: Arrestohen 2 policë, një tjetër pezullohet

    Përndjekje dhe shpërdorim detyre, AMP: Arrestohen 2 policë, një tjetër pezullohet

    Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie dhe një tjetër është pezulluar nga detyra.
    Sipas njoftimit zyrtar theksohet se në pranga ka ranë një 57-vjeçar me detyrë Shef i Zyrës së  Inspektim-Parandalimit, në Drejtorinë e Shërbimit të MZSH-së në Bashkinë Korçë, i dyshuar për “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
    Ndërsa në Tiranë është arrestuar në flagrancë punonjësi i policisë Inspektor 24 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Përndjekja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
    Në Elbasan, agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë Inspektor 54 vjeç, me detyrë Trup Shërbimi pranë Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
    Njoftimi i plotë:
    AMP arreston në flagrancë dy punonjës policie dhe pezullon nga detyra një tjetër
    -Korçë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka arrestuar në flagrancë shtetasin A. H., 57 vjeç, me detyrë Shef i Zyrës së Inspektim-Parandalimit, në Drejtorinë e Shërbimit të MZSH-së në Bashkinë Korçë, i dyshuar për “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
    Arrestimi i tij u krye pasi duke drejtuar automjetin Volkswagen Pasat në unazën e qytetit të Korçës, ai është përplasur me mjetin Mercedes Benz që drejtohej nga shtetasi J. S. dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Nga aksidenti ka patur vetëm dëme materiale.
    Pas testimit të bërë me aparatin Drager ai rezultoi mbi normën e lejuar, në masën 1.07 mg/l.
    Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
    -Elbasan, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë Inspektor B. T., 54 vjeç, me detyrë Trup Shërbimi pranë Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
    Masa e sigurisë u caktua në kuadër të procedimit penal të vitit 2024, ku nga veprimet hetimore të thelluara nën drejtimin e Prokurorisë u bë e mundur grumbullimi i provave dhe fakteve që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se punonjësi i policisë B. T. ka favorizuar drejtues të ndryshëm automjetesh, të cilët kryenin shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor,
    -Tiranë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor B. M., 24 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Përndjekja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
    Arrestimi i tij u krye pas kallëzimit të shtetases M.H., 27 vjeçe, e cila ka deklaruar se B. M., ish i dashuri i saj, më datë 25.05.2025 ka ushtruar dhunë fizike dhe e ka përndjekur vazhdimisht duke i shkaktuar pasiguri në jetën e saj.
    Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

  • Macron: Njohja e Palestinës, detyrë morale dhe…!

    Macron: Njohja e Palestinës, detyrë morale dhe…!

    Presidenti francez Emmanuel Macron tha se njohja e një shteti palestinez “nuk është vetëm një detyrë morale, por edhe një kërkesë politike”, duke renditur disa kushte për të ndërmarrë këtë hap, përpara një konference të OKB-së mbi këtë temë në të cilën ai do të marrë pjesë më 18 qershor.
    Në një konferencë për shtyp në Singapor, ai konfirmoi gjithashtu se Evropa duhet të “forcojë qëndrimin e saj kolektiv” kundër Izraelit, “nëse nuk ka përgjigje në orët dhe ditët në vijim në përputhje me situatën humanitare” në Rripin e Gazës.
    “Bashkimi Evropian do të duhet të zbatojë rregullat e tij, domethënë, të ndalojë proceset që supozojnë respektimin e të drejtave të njeriut, gjë që nuk është rasti sot, dhe të zbatojë sanksione”, tha ai, duke iu referuar Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, e cila do të rishikohet.
    “Dhe kështu, po, ne duhet ta forcojmë qëndrimin tonë sepse tani është një domosdoshmëri, por unë ende shpresoj që qeveria izraelite do të ndryshojë qëndrimin e saj dhe se më në fund do të marrim një përgjigje humanitare“, shtoi ai.
    Detyrë morale
    Franca po bashkëkryeson me Arabinë Saudite një konferencë ndërkombëtare nga 17 deri më 20 qershor në OKB në Nju Jork mbi të ashtuquajturën zgjidhje me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën.
    Pa e bërë të qartë nëse do ta njihte një shtet palestinez në këtë ngjarje, Emmanuel Macron tha të premten se “krijimi i një shteti palestinez” në kushte të caktuara nuk është “vetëm një detyrë morale, por edhe një kërkesë politike”.
    Ai renditi kushtet për njohje. Ato janë “lirimi i pengjeve” të mbajtura nga Hamasi, “demilitarizimi” i tij, “mospjesëmarrja” në qeverisjen e shtetit, “reforma e Autoritetit Palestinez”, njohja e Izraelit dhe “e drejta e tij për të jetuar në siguri” nga ky shtet i ardhshëm dhe “krijimi i një arkitekture sigurie në të gjithë rajonin”.
    “Kjo është ajo që do të përpiqemi të bëjmë së bashku në këtë moment të rëndësishëm më 18 qershor, dhe unë do të jem atje”, tha ai për konferencën e OKB-së. /tesheshi.com/

  • Humbja më 11 Maj, Noka: PD në betejë me shtetin elektoral, nga administrata deri tek SHISH

    Humbja më 11 Maj, Noka: PD në betejë me shtetin elektoral, nga administrata deri tek SHISH

    Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka akuzon qeverinë për shkelje flagrante të standardeve demokratike gjatë zgjedhjeve të 11 Majit.
    ”Në një sistem demokratik kush është garanti i rregullave zgjedhore, i votës së lirë? Shteti. A kishte një garant të tillë? Jo. PD dhe aleatët bën betejë me partinë e pushtetit, me shtetin të kthyer në shtet elektoral. Çdo punonjës i administratës ishin shndërruar në një militant partie, që kishte detyrë jo vetëm të votonte, por edhe të çonte 20 vota”, tha Noka.

    Nga ana tjetër, ai akuzoi dhe strukturat e Shërbimit Informativ Shtetëror se u angazhuan në zgjedhje duke bërë rolin e patronazhimit.
    ”Sipas informacioneve, edhe SHISH, dy nëndrejtorët angazhuan rrjetin e bashkëpunëtorëve të shërbimit me detyrë patronazhimin. Ku është kjo? A janë zgjedhje këto? A ndodh në ndonjë vend tjetër të NATO, BE? A ndodh kjo skemë kriminale në ndonjë vend të NATO? Vota është e shenjtë”.

  • Presidenti i Këshillit Evropian viziton sot Kosovën, do të takohet me Osmanin dhe Kurtin

    Presidenti i Këshillit Evropian viziton sot Kosovën, do të takohet me Osmanin dhe Kurtin

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do ta vizitojë Kosovën të mërkurën.
    Gjatë pasdites, ai do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
    Costa e viziton Kosovën në një kohë kur ligjvënësit kosovarë nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt, edhe pas 15 përpjekjeve. Qeveria e Albin Kurtit është ende në detyrë, deri në formimin e një qeverie të re pas konstituimit të Kuvendit.

    Po ashtu, kjo vizitë zhvillohet në një kohë kur liderët kosovarë po shtojnë thirrjet drejtuar Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura pas tensioneve në veri të vendit. Këto masa mbeten ende në fuqi, me arsyetimin se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në komunat me shumicë serbe.
    Costa do të qëndrojë në paraditen e së mërkurës në Malin e Zi. Një ditë më parë, ai vizitoi Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.
    Gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Costa theksoi se dialogu me Kosovën është kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe shtoi se është po aq i rëndësishëm edhe qëndrimi i qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.
    Për sa i përket vizitës së Vuçiqit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Costa tha se Vuçiq ia shpjegoi atij se shkoi për të festuar një ngjarje historike.
    “Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht, që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë këtë pa dënuar invazionin aktual në një shtet tjetër”, tha Costa.
    Në Sarajevë, ai shprehu shqetësim për, siç i quajti, “veprimet ndarëse të Republikës Sërpska”, duke i cilësuar ato si kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës.
    Pas Kosovës, ai do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, si dhe Shqipërinë, ku do të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
    Liderët e BE-së zgjodhën portugezin Antonio Costa si president të Këshillit Evropian, detyrë të cilën e mori më 1 dhjetor 2024./rel