muçi shaljani-amp
TIRANË- Agjensia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar dy punonjës policie me detyrë pranë komisariatit nr.3 në Tiranë. Bëhet fjalë për dy punonjës, njëri Nënkomisar Bruno Cara me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor Ashim Zajmi, me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet. Këta të fundit, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për Muçi Shaljanin, duke e ndihmuar që të bëhjet pjesë e AMP. Shaljani, i cili mbeti i plagosur rëndë në atentatin që i mori jetën Gilmando Danit shumë afër aeroportit të Rinasit, ishte prej shtatorit punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Njoftimi:
Në vijim të komunikimit në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimmin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas kryerjes së veprimeve hetimore, ka ndaluar punonjësit e policisë Nënkomisar B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor A.Z., me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Këta punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin M.Sh., pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë. Ky detyrim i papërmbushur është i përcaktuar në dispozitat e ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe ligjet që normojë veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, gjë që ka sjellë punësimin e këtij shtetasi pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjithashtu nga veprimet paraprake të kryera nga AMP-ja në lidhje me procesin e rekrutimit të shtetasit M.Sh., u konstatuan shkelje të procedurave ligjore. Në përfundim të verifikimeve, me qëllim hetimin objektiv dhe gjithpërfshirës të çështjes, praktika dokumentare u dërgua në formën e kallëzimit penal në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të përcaktuar grupin hetimor dhe përgjegjesitë ligjore të personave, të cilët janë konstatuar në paligjshmëri.
Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të procedurave të ndjekura dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë rast.
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Shaljani është bërë pjesë e AMP-së gjatë muajit shtator, kur ky institucion drejtohej nga Artjol Saliasi pas shkarkimit të Florjan Sulejmanit. Drejtori i ri i kësaj strukture, Eduart Merkaj, me marrjen e detyrës, kishte kërkuar rishikimin e një sërë kontratash që ishin nënshkruar me agjentët, përfshirë dhe Shaljanin, i cili madje në një kohë të shkurtër ishte pajisur dhe me certifikatë sigurie. Dëshmia e tij do të ishte me vlerë të madhe për hetimin e ngjarjes, por aktualisht punonjësi i AMP ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës.
40-vjeçari rezulton gjithashtu që të jetë pronar i një hoteli në Tiranë, ndërkohë që nga verifikimet e para rezulton që të jetë pa precedentë të mëparshëm penal, por miqësia me një eksponent të njohur të botës së krimit, si Gilmando Dani, duket se i ka kushtuar shumë. /ZËRI