Tag: detin

  • Bullgari, Rumania dhe Turqia forcojnë marrëdhëniet mbrojtëse me synimin sigurinë në Detin e Zi

    Bullgari, Rumania dhe Turqia forcojnë marrëdhëniet mbrojtëse me synimin sigurinë në Detin e Zi

    Bullgaria, Rumania dhe Turqia theksuan nevojën për të rritur bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, me qëllim forcimin e stabilitetit rajonal, sipas një deklarate të Ministrisë Bullgare të Mbrojtjes.

    Më 2 korrik në Sofje, me ftesë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare Bullgare, Admiral Emil Eftimov, u zhvillua një takim trepalësh me pjesëmarrjen e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare të Rumanisë, Gjeneral Gheorghe Vlad, dhe homologut turk, Gjeneral Metin Gyurak.

    Gjatë takimit, shefat e shtabeve diskutuan situatën e stabilitetit në rajon dhe ranë dakord mbi rëndësinë e vigjilencës, përshtatshmërisë dhe koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta, sidomos në Detin e Zi.

    Ata nënvizuan nevojën për bashkëpunim më të ngushtë në mbrojtje për të siguruar paqen dhe sigurinë rajonale.

    Në bisedimet trepalëshe u shqyrtuan edhe iniciativa të ndryshme të përbashkëta në sektorin detar, duke vlerësuar veçanërisht punën e Grupit të Punës për Pastrimin e Minave në Detin e Zi.

    U diskutuan gjithashtu fusha të tjera me interes të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ushtarak midis tre vendeve.

    Shefat e Shtabit të Përgjithshëm shprehën vendosmërinë për të forcuar bashkëpunimin ushtarak trepalësh dhe për të ruajtur stabilitetin në rajon.

    Në fund të vitit 2024, Sofja, Ankaraja dhe Bukureshti nënshkruan një marrëveshje për një plan të përbashkët pastrimi të minave detare në Detin e Zi, të cilat kanë shfaqur rrezik si pasojë e luftës në Ukrainë.

    Së fundmi, u finalizua aktivizimi i pestë i Grupit të Punës për Pastrimin e Minave, me Rumaninë që mori drejtimin për gjashtë muajt e ardhshëm. Syri.net-Protothema

  • BE kërkon “kontroll” në Detin e Zi: Qendër sigurie detare, do afrojmë Turqinë!

    BE kërkon “kontroll” në Detin e Zi: Qendër sigurie detare, do afrojmë Turqinë!

    Jo vetëm në tokë e ajër, por edhe në det: Bashkimi Europian po përgatitet për mbrojtje edhe sa i takon infrastrukturës kritike detare, e këtë planifikon ta bëjë përmes krijimit të një qendre detare të sigurisë në Detin e Zi.

    Plani është pjesë e një strategjie më të gjerë të BE-së që u prezantua një ditë më parë nga shefja për politikë të jashtme të BE-së, Kaja Kallas, për të krijuar bashkëpunimin më të ngushtë me Armeninë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Moldavinë, Turqinë dhe Ukrainën.
    Në dokumentin që mban titullin, “Qasja strategjike e BE-së në rajonin e Detit të Zi”, theksohet se Në dokument thuhet se Brukseli duhet të ndihmojë “duke ndërtuar kapacitete detare dhe mundësitë për monitorime detare, përfshirë mbikëqyrjen e një armëpushimi të mundshëm detare, përpjekjet për pastrimin e minave, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, patrullimin e linjave komerciale detare, luftimin e kërcënimeve hibride, me synim të parandalimit të agresionit në të ardhmen në këtë rajon dhe kur të lejojnë mundësitë, të konsolidohet paqja”.
    Nuk dihet se ku do të jetë qendra në fjalë dhe cilat shtete do të bëhen pjesë e kësaj nisme. Qendra thuhet se do të përqëndrohet në aspekte të tilla si kabllot nënujore, instalimet në det të hapur dhe operacionet e gazit dhe energjisë nga era në brigjet rumune dhe bullgare.
    Dokumenti vjen në një kohë kur vendet evropiane po planifikojnë një lloj force të sigurisë në Ukrainë në rast të një armëpushimi të përhershëm në luftën me Rusinë.

    Top Channel

  • Alarm për ndotjen detare! Greqia miraton planin prej 780 milionë eurosh për Egjeun dhe Jonin

    Alarm për ndotjen detare! Greqia miraton planin prej 780 milionë eurosh për Egjeun dhe Jonin

    Pranë ishullit grek të Alonissos në Egjeun lindor, zhytës vullnetarë mbledhin shishe plastike të kalbura, goma makinash dhe zinxhirë të ndryshkur spirancash nga shtrati i detit.

    Më pas i vendosin në qese plehrash  për ti larguar ato, si pjesë e një aksioni pastrimi të financuar nga BE-ja për të mbrojtur jetën detare.

    Sendet e nxjerra nga parajsa ishullore e Sporadeve, një vend i preferuar turistik për ujërat e tij të kaltra  dhe parku detar më i madh i mbrojtur në Evropë, përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të dhjetëra mijëra toneve mbetjesh që ndotin Detin Mesdhe çdo vit.

    Parku, i krijuar pranë ishullit në fillim të viteve 1990, është shtëpia e një prej kolonive të fundit të fokave në botë dhe është një strehë për mbi 300 lloje peshqish, delfinësh dhe breshkash deti.

    Ekzistenca e tij i ka bërë vendasit dhe turistët gjithnjë e më të vetëdijshëm për rreziqet e ndotjes detare.

    Për të mbrojtur biodiversitetin bregdetar, Greqia ka premtuar të krijojë dy parqe të tjera detare në detet Egje dhe Jon, pjesë e 21 iniciativave me vlerë deri në 780 milionë euro.

    Ajo ka miratuar ligjin për të zgjeruar zonat e mbrojtura detare në 30% të ujërave të saj territoriale deri në vitin 2030 dhe i ka paraqitur BE-së plane që përcaktojnë se si do të organizojë peshkimin, turizmin dhe energjinë në det të hapur.

    Vetëm vitin e kaluar, në Greqi, nga disa dhjetëra organizata joqeveritare dhe vullnetarë që zbatuan projekte të mëdha pastrimi u nxorën dhe u larguan  më shumë se 100,000 tonë mbetje plastike dhe mbeturina të tjera nga deti në disa zona bregdetare të saj në detin Egje dhe detin Jon.

  • Evropa blindon Detin e Zi, ‘75 miliardë euro për infrastrukturën ushtarake’

    Evropa blindon Detin e Zi, ‘75 miliardë euro për infrastrukturën ushtarake’

    Përballë kërcënimit të vazhdueshëm nga Rusia dhe pasojave të luftës në Ukrainë, Bashkimi Europian ka prezantuar një strategji të re për Detin e Zi, me synimin për të forcuar sigurinë, infrastrukturën ushtarake dhe bashkëpunimin rajonal. Strategjia vjen në një kohë kur BE-ja po përpiqet të zvogëlojë varësitë strategjike dhe të përballet me sfidat gjeopolitike që kanë destabilizuar lindjen e kontinentit.

    Në qendër të saj janë investimet në porte, hekurudha dhe aeroportet e vendeve bregdetare si Rumania dhe Bullgaria, krijimi i një qendre detare sigurie dhe lidhje më të ngushta me partnerë si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

    Bashkimi Evropian prezantoi të mërkurën një strategji të re për Detin e Zi që do të lejojë rajonin të transportojë më mirë pajisje të rënda ushtarake, ndërkohë që kërcënimi rus qëndron pezull mbi Evropën Lindore.

    “Siguria në Detin e Zi është jetike edhe për sigurinë evropiane,” tha shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, gjatë një konference për shtyp, duke shtuar se aktualisht ajo po minohet nga lufta e gjithanshme e Kremlinit në Ukrainë dhe sulmet hibride ndaj infrastrukturës detare.

    Strategjia është gjithashtu një përgjigje ndaj ‘sfidave gjeopolitike’ në një botë ku “varësitë po përdoren si armë,” tha Marta Kos, komisionere për Zgjerimin e BE-së. Deti i Zi është një urë drejt Kaukazit Jugor dhe Azisë Qendrore, si dhe një arterie jetike për tregtinë e energjisë dhe ushqimeve, shtoi ajo.

    Rajoni i Detit të Zi është destabilizuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, pasi përdorimi në shkallë të gjerë i minave dhe veprimet ushtarake penguan qarkullimin e mallrave. Veçmas, vendet e Evropës Lindore kanë frikë nga një agresion i mëtejshëm nga Moska përtej Ukrainës dhe duan të rrisin aftësitë e tyre mbrojtëse.

    Rumania dhe Bullgaria janë vendet e BE-së në bregun e Detit të Zi dhe blloku do të investojë në përmirësimin e infrastrukturës rajonale, si porte, hekurudha dhe aeroporte, për të përballuar pajisje të rënda ushtarake. Kjo do të ndihmojë që “trupat të jenë atje ku duhen, kur duhen,” tha Kallas.

    Më parë, Komisioneri Evropian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, tha se do të kushtonte rreth 75 miliardë europër të përmirësuar infrastrukturën e transportit për përdorim ushtarak në të gjithë Evropën.

    BE-ja planifikon gjithashtu të krijojë një Qendër për Sigurinë Detare në Detin e Zi, e cila do të shërbejë si një sistem paralajmërimi i hershëm për Evropën në këtë rajon. Kallas tha se kjo qendër do të rrisë ndërgjegjësimin situacional dhe do të ndihmojë BE-në të mbrojë infrastrukturën e saj kritike.

    Vendndodhja e qendrës, modeli operacional dhe kostot janë ende për t’u përcaktuar, shtoi ajo.

    Një tjetër masë sigurie është monitorimi i shtuar i pronësisë së huaj në porte dhe objekte të tjera kyçe, tha Kallas.

    Në aspektin tregtar, BE-ja do të zhvillojë korridore të reja energjie, lidhje transporti dhe infrastrukturë dixhitale me partnerët rajonalë, sipas Kos. Blloku do të investojë gjithashtu në përgatitjen e komuniteteve bregdetare dhe ekonomisë detare për të përballuar dëmet mjedisore të lidhura me luftën dhe për t’iu përgjigjur rreziqeve nga ndryshimet klimatike.

    “Në mbarë botën, vendet tani po kërkojnë bashkëpunim me partnerë të besueshëm dhe të parashikueshëm, dhe BE-ja është një i tillë,” tha Kos. “Këto partneritete do të na bëjnë kolektivisht më të sigurt dhe do të krijojnë mundësi biznesi për të gjithë.”

    Komisioni nënvizoi Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë, Turqinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin si partnerë me të cilët dëshiron të forcojë lidhjet përmes strategjisë së re.

     

  • Anija shqiptare shpëton 13 emigrantë në detin Egje, mes tyre dy fëmijë (FOTO)

    Anija shqiptare shpëton 13 emigrantë në detin Egje, mes tyre dy fëmijë (FOTO)

    Varka me emigrantë

    TIRANË- Anija shqiptare, pjesë e misionit të NATO-s ka marrë pjesë në një operacion për shpëtimin e 13 emigrantëve që po lundronin me varkë. Ministri Pirro Vengu bën me dije se operacioni është zhvilluar në Detin Egje në bashkëpunim të ngushtë me Rojet Bregdetare të Greqisë dhe Turqisë. Mes emigrantëve ishin edhe dy fëmijëve.
    Postimi:
    Një tjetër operacion i suksesshëm nga djemtë dhe vajzat tona të Forcës Detare! Anija “Butrinti” P-134, pjesë e misionit të NATO-s në Detin Egje, finalizoi operacionin e kërkim-shpëtimit (SAR), duke u ardhur në ndihmë 13 emigrantëve, mes tyre 2 fëmijë. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me Rojet Bregdetare të Greqisë dhe Turqisë, dhe përfundoi pa asnjë incident. Ky është operacioni i katërt SAR i kryer nga Forca Detare shqiptare në Egje gjatë vitit 2025 me 111 jetë të shpëtuara. Të gatshëm përherë!

  • Forcat detare shqiptare shpëtojnë 13 emigrantë në Detin Egje

    Forcat detare shqiptare shpëtojnë 13 emigrantë në Detin Egje

    Një tjetër operacion i suksesshëm kërkim-shpëtimi (SAR) është finalizuar nga Forca Detare shqiptare në kuadër të misionit të NATO-s në Detin Egje. Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
    Anija patrulluese shqiptare “Butrinti” P-134, pjesë e operacionit ndërkombëtar, i erdhi në ndihmë 13 emigrantëve, mes tyre edhe dy fëmijë, në ujërat e Egjeut. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me Rojet Bregdetare të Greqisë dhe Turqisë dhe përfundoi me sukses të plotë, pa asnjë incident.
    “Forcat tona janë gjithnjë të gatshme për të përmbushur misionin human në kuadër të NATO-s,” – thuhet në reagimin zyrtar të ministrit të Mbrojtjes.

  • Britania hedh në Detin e Veriut nëndetësen pa pilot për të ndalur “flotën hije” të Rusisë

    Britania hedh në Detin e Veriut nëndetësen pa pilot për të ndalur “flotën hije” të Rusisë

    Marina Mbretërore britanike do të hedhë në det një flotë nëndetësesh ‘dronë’ për të mbrojtur kabllot nënujore nga sulmet e ‘flotës në hije’ të Rusisë në atë që është quajtur si një kalim në ‘pozicion para luftës’.
    Një prototip i nëndetëses pa pilot 19 tonëshe, e quajtur Excalibur, u nis në bazën detare Devonport javën e kaluar dhe do të hapë rrugën për prodhimin e një skuadroni të tërë.
    Ato janë projektuar për të mbrojtur infrastrukturën jetike nënujore, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, dhe do të jenë qendrore për planet e reja të Britanisë për mbrojtjen.
    Excalibur funksionon me bateri dhe është ndërtuar nga MSubs me seli në Plymouth si pjesë e një kontrate prej 15 milionë paundësh.
    Nëndetësja është 39 metra e gjatë dhe 6.5 metra e gjerë, ndërsa ka një rreze veprimi prej 1,000 miljesh, duke u bërë kështu nëndetësja më e madhe pa pilot, e operuar ndonjëherë nga një marinë evropiane.
    Por ajo ende përshtatet në një kontejner standard transporti 40 metra, duke e bërë më të lehtë transportin e saj. Bateritë do të mbahen në pako në secilën anë të nëndetëses dhe ajo përmban dy ndarje të presionuara për të mbajtur pajisje kompjuterike dhe kontrolli.

    Kabllot nënujore me fibra optike që shtrihen në fund të oqeanit lejojnë komunikim global dhe lidhje interneti midis kontinenteve, ndërsa kabllot e tjerë janë përgjegjës për transportimin e energjisë elektrike.
    Excalibur tani do të nisë dy vjet prova ndërsa Marina Mbretërore kërkon të forcojë aftësitë e saj në ‘hapësirën e betejës nënujore’ mes ndërhyrjeve gjithnjë e më të guximshme nga ‘flota e errët’ e Rusisë e cila transmeton të dhëna të rreme për të shmangur zbulimin.
    Kjo vjen teksa qeveria në Londër pritet të zbulojë rezultatet e rishikimit të saj strategjik të mbrojtjes (SDR), i cili pritet të përqendrohet në forcimin e sigurisë së atdheut, mbrojtjen e aseteve kombëtare dhe aftësive tradicionale të luftimit.
    Ministrat pritet të theksojnë nevojën që Britania të kalojë në një fazë para luftës duke rritur përgatitjen ushtarake, ndërsa frika se Rusia do të zgjerojë sulmet e saj përtej Ukrainës sa vjen e shtohet.
    Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha se SDR do të përcaktojë “një rrugë për dekadën e ardhshme për të transformuar forcat e armatosura për të siguruar që ne jemi të përgatitur për kërcënimet e reja, duke e bërë Britaninë të sigurt në vend dhe të fortë jashtë vendit”.

    Sulmet e mëparshme ndaj infrastrukturës kyçe nënujore kanë ngritur shqetësime mbi nivelin e sigurisë në vend. Në vitin 2022, një seri shpërthimesh nënujore shënjestruan tubacionin Nord Stream duke shkaktuar rrjedhje gazi në tre nga katër tubacionet e gazit natyror, duke i bërë ato të paoperueshme.
    Frika u shtua përsëri vitin e kaluar kur një anije spiune ruse hyri në një zonë të Detit Irlandez ku tubacione dhe kabllo kritike të vendosura në Detin Baltik u dëmtuan. Këto dy incidente bën që 10 vende, të udhëhequra nga Mbretëria e Bashkuar, të krijonin një aleancë për të monitoruar anijet e dyshimta ruse në Kanalin Anglez, Detin e Veriut dhe Detin Baltik.

  • Rama ironizon partitë e reja: Këta më kujtojnë Suden, Xhaferrin dhe Vehbiun, Luli do më mungojë se është artist

    Rama ironizon partitë e reja: Këta më kujtojnë Suden, Xhaferrin dhe Vehbiun, Luli do më mungojë se është artist

    Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i PS, ka ironizuar programet elektorale të partive të reja gjatë takimit me qytetarët e Skraparit këtë të mërkurë.
    Në fjalën e tij Rama tha se premtimet e forcave të reja të kujtojnë firmat piramidale të 97-ës që ta bëjnë detin kos për të kapur një mandat në parlament.
    Ndërsa thumboi edhe Lulzim Bashën, për të cilin tha se do t’i mungojë parlamentit  në katër vitet e ardhshme pasi ai është artist, është i vetmi koalicion me një parti.

    “Janë dhe disa zogj të vegjël që kanë dalë. Ata mua më heqin mallin e Sugdes, Vehbiut dhe Rrapush Xhaferrit. Ata ta bëjnë detin kos. Jepu votën atyre dhe këtu s’do ketë më asnjë problem. Aman jepuni votën që të kapin ata ndoonjë vend në parlament. Thonë që ne jemi të rinj, të rinj ata kanë vetëm moshën. Shihni si fusin në listë edhe krushqit. Përveç atyre është edhe Luli. Luli të paktën është koalicioni tek pullë. Kur e pyesin sa i madh është ai koalicion, thotë hyni në internet dhe këroni. Ai do na mungojë se është artist”, tha Rama.

  • Plazh dhe Pashkë në Palasë/ Fëmijë dhe të rritur shijuan detin e pastër dhe motin e ngrohtë

    Plazh dhe Pashkë në Palasë/ Fëmijë dhe të rritur shijuan detin e pastër dhe motin e ngrohtë

    Edhe plazhi i Palases ka pritur vizitorët e parë.Në ditën e Pashkës shumë qytetarë zgjodhën që t’i drejtoheshin bregdetit duke shfrytëzuar të dielën me diell.
    Nuk pati qytetarë vetëm banorë të zonës por edhe të ardhur nga qytete të tjera. Ata që e shijuan më shumë detin ishin të vegjlit. Këta të fundit provuan edhe të futeshin në ujë.Ngrohja e motit ka bërë që kjo periudhë e vitit të jetë mjaft e preferuar për të pushuar dhe për të qëndruar buzë detit.
    Në atmosferën e festës së Pashkëve, përveç plazhit nuk munguan as ritualet ku fëmijët shpërndanë vezë.
    Klan News

  • Turqia mikpritëse e bisedimeve për sigurinë në Detin e Zi

    Turqia mikpritëse e bisedimeve për sigurinë në Detin e Zi

    Një konventë e vitit 1936 vendos kufizime të ashpra sa i përket tonazhit që flotat detare mund të dislokojnë në Detin e Zi si dhe sa mund të qëndrojnë atje. Kjo e bën Turqinë, e cila ka një nga ushtritë më të fuqishme të NATO-s, lojtaren e natyrshme kryesore në këtë rajon. Për shembull, Turqia ka 17 fregata, në krahasim me tri sa ka marina e Rumanisë. “Mendoj se është e pamundur që të zgjidhet kjo pa qenë Turqia në anën e evropianëve”, tha Sam Greene nga Qendra për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA) në një konferencë të mbajtur së fundi. Anijet britanike dhe franceze pritet po ashtu të patrullojnë, me rotacion, në Detin e Zi, si pjesë e një force të sigurisë apo paqeruajtëse. Por, teksa po diskutohet për këtë forcë tokësore nga “koalicioni i vullnetit”, misioni detar mund të varet nga një “garanci nga Shtetet e Bashkuara”. Çfarë e bën këtë të ndryshme? Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), tha se kjo do të përfshinte inteligjencë, mbikëqyrje, vëzhgim në tokë dhe ajër. Edhe pse, siç tha CSIS, anijet e marinës amerikane gjithsesi patrullojnë rregullisht në Detin e Zi dhe prandaj mund të luajnë një rol. Në këtë kuptim, një mision në Detin e Zi do të zhvillohej nën kushte të ndryshme nga një mision tokësor – pasi NATO tashmë ka një prani të konsoliduar atje përmes stërvitjeve të rregullta shumëkombëshe. Në fakt, NATO-ja sapo ka përfunduar stërvitjet ku u përfshin forcat detare nga 12 shtete, përfshirë nga Turqia, SHBA-ja, Britania dhe Rumania. Gjatë 12 ditëve, forcat simuluan përgjigje ndaj sulmeve hibride, detare dhe ajrore në rajon. Patrullimet detare do të përqendroheshin në misione të ndryshme, sikurse siguria e lirisë së lundrimit për anije tregtare komerciale (përfshirë eksportet e drithit nga Ukraina), monitorimi i zbatimit të armëpushimit dhe pastaj deminimi. Andriy Ryzhenko, kapiten në rezervat e marinës ukrainase, i tha Current Time të Radios Evropa e Lirë se “shumë porte aktualisht janë të bllokuara plotësisht” për shkak të minave. “Ato janë në Mikolajiv, Pçalkiv, Herson. Portet e tjera zyrtarisht janë të hapura, por me kufizime… minat duhet të gjenden dhe të neutralizohen”, tha ai. “Ukraina ka fituar” Për dallim nga lufta tokësore, Ukraina ndien se po fiton ose tashmë e ka fituar luftën në det. Një sërë sulmesh spektakolare që fundosën shumë anije ruse e kanë detyruar flotën ruse – që numerikisht është më e madhe – të largohet nga bazat e saj në Krimenë e pushtuar dhe të kthehet në Novorosijsk. “Ukraina ka fituar në det dhe tani e ka një avantazh të plotë. Kjo do të thotë se nuk i lejon armikut të afrohet pranë brigjeve të saj dhe siguron që të ketë lundrim të anijeve civile”, tha për Radion Evropa e Lirë më 8 prill, Oleksiy Neizhpapa, kreu i marinës ukrainase. “Por, armiku ka aftësi, ka armë dhe mund të godasë objektet civile, anijet civile direkt në porte apo në det. Prandaj, sigurisht, që vazhdon të ketë rrezik”. Kjo u demonstrua qartë nga sulmet të kryera nga Rusia në Odesa më 16 prill. Ryzhenko theksoi po ashtu se lundrimi në Detin e Zi nuk po zhvillohet përmes rrugëve që përdoreshin para luftës, duke thënë se këto linja detare duhet të rikthehen. “Duhet të jetë e mundur të lundrohet drejtpërdrejt nga Odesa në drejtim të Bosforit mes për mes Detit të Zi, dhe jo duke u fshehur në ujërat territoriale të vendeve fqinje”, tha ai. Ryzhenko shtoi se bisedimet në Ankara do të përqendrohen pikërisht në këto detaje. Bisedime të profilit të ulët Bisedimet u bënë publike nga Ministria turke e Mbrojtjes më 13 prill, por zyrtarët nuk treguan se cilat shtete po merrnin pjesë. Më vonë u raportua se anëtarët e NATO-s, Bullgaria dhe Rumania, do të përfshiheshin në takime, së bashku me Gjeorgjinë. Më 15 prill, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë i tha Radios Evropa e Lirë se do t’i bashkohej takimeve, përpara se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të zbulonte se edhe Ukraina dhe Franca po merrnin pjesë. “Po flasim për praninë e një kontingjenti në det, dhe besojmë se Turqia mund të ketë një rol serioz në garancitë e ardhshme të sigurisë për detin”, tha Zelensky. “Këtu nuk bëhet fjalë për përfundimin e luftës, por për atë që do të ndodhë pas armëpushimit, garancitë e sigurisë”, shtoi ai. Ashtu si në diskutimet e mëparshme për një kontingjent tokësor, Shtetet e Bashkuara nuk janë të përfshira në këto bisedime./REL