Kapiteneria e Portit të Vlorës ka njoftuar se gjatë datave 16–19 nëntor pritet një përkeqësim i ndjeshëm i motit, duke bërë apel që mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit të mos dalin në det të hapur.
Njoftimi bazohet në parashikimin e kushteve hidrometeorologjike, ku parashihen erëra të forta me drejtim jug–juglindje, me forcë deri në 6–7 ballë dhe shpejtësi 15–20 m/s, si edhe dallgë që mund të arrijnë lartësinë 1.5–2.5 metra.
Për këtë arsye, autoriteti portual ka ndaluar pajisjen me leje–nisje të mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit që synojnë të operojnë brenda ose jashtë gjirit të Vlorës, duke filluar nga ora 23:00 e datës 16 nëntor deri në orën 08:00 të datës 19 nëntor.
Kapiteneria ka kërkuar nga drejtuesit e mjeteve detare të marrin masa maksimale sigurie, duke marrë parasysh rreziqet që shoqërojnë motin e keq.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar do të vijojnë operimin normal sipas destinacioneve përkatëse.
Tag: detare
-

Përkeqësimi i motit, pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla detare për disa ditë në Vlorë
-

Rritet numri i ‘peshkut luan’ në Gjirin e Vlorës, rrezik për pushuesit dhe faunën detare
Prej disa vitesh, në ujërat e Gjirit të Vlorës është vënë re një rritje e ndjeshme e peshkut luan, një specie invazive dhe mjaft e rrezikshme, si për faunën detare, ashtu edhe për pushuesit që frekuentojnë detin.
Peshkatarët e zonës raportojnë se ky peshk po bie gjithnjë e më shpesh në rrjetat e tyre, ndërsa kontakti me të mund të shkaktojë dëmtime serioze për shkak të gjembave helmuese.
Peshkatari nga Radhima, Sherif Dyrmishi, thotë se kjo specie duhet eliminuar menjëherë, ashtu siç veprohet edhe në Greqi e Itali, ku peshkatarët sapo e hasin, e neutralizojnë për të mos rrezikuar ekosistemin dhe sigurinë e njerëzve.
Sipas tij, numri i peshkut luan po rritet nga viti në vit, duke përbërë një kërcënim të dyfishtë: rrezik për jetën e pushuesve, të cilët mund të shpojnë nga gjembat helmuese, dhe dëmtim të rëndë të faunës detare vendase.Top Channel
-

‘Fujian’: Aeroplanmbajtësja më e përparuar e Kinës hyn në shërbim
Kina ka vënë zyrtarisht në punë aeroplanmbajtësen Fujian, anijen luftarake më të avancuar të saj dhe të parën në botë me energji konvencionale të pajisur me një sistem katapultimi elektromagnetik. Ky zhvillim shënon një hap të madh përpara në teknologjinë detare kineze dhe fuqinë e saj ushtarake.
Me një peshë prej 80,000 tonësh, Fujian është projektuar për të lëshuar një gamë të gjerë avionësh, përfshirë J-15T, avionët luftarakë të fshehtë J-35, si edhe avionët e paralajmërimit të hershëm KJ-600. Sistemi i katapultimit elektromagnetik — i zhvilluar plotësisht përmes kërkimeve vendase — mundëson nisje më të shpejtë dhe rreze më të gjerë veprimi për avionët që operojnë nga kuverta.
“Është një moment i paparë në historinë e teknologjisë së katapultimit të aeroplanmbajtëseve,” deklaroi profesori Lu Junyong nga Universiteti i Inxhinierisë Detare, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të këtij arritjeje për modernizimin e marinës kineze.
-

Kalimi i pronave të ushtrisë te privati, merret 3 orë në pyetje nga SPAK ish-shefi i postës sekrete
ndricim hysa
TIRANË- Ish-shefi i Postës Sekrete në Ushtri, nënkolonel Ndriçim Hysa, është paraqitur dy ditë më parë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, për t’u marrë në pyetje në lidhje me kalimin e pronave të Forcave të Armatosura te biznese private, përmes koncensioneve dhe PPP-ve. Sipas weblajm, Hysa ka dhënë deklarimet e tij në SPAK pëe rreth 3 orë, ku është pyetur nga hetuesit e BKH-së.
Thirrja e ushtarakut vjen vetëm pak ditë pasi SPAK kreu kontrolle në banesat dhe zyrat e disa prej personave të përfshirë në aferën e tjetërsimit të pronave, përfshirë ish-drejtoreshën e kabinetit të ish-ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, administratorin e “Marina Bay Saranda” dhe biznesmenin Artan Dulaku.
Edhe pse Hysa nuk mban më detyrën e shefit të sekretarisë së Postës Sekrete, ai vijon të jetë një ushtarak i lartë në karrierë pranë Forcave të Armatosura. Ky hetim në SPAK ndiqet nga prokurore Manjola Kajana, ndërkohë që ende nuk janë marrë të pandehur personat e përfshirë.Hetimi për portin e Limionit në Sarandë nisi pas kallëzimit në SPAK nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari në vitin 2021 kundër vendimit të Këshillit të Ministrave, që më 1 korrik 2020 vendosi që Baza Detare Limion me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 265 mijë metra katrorë, t’i jepej me qira për 20 vjet me tarifën simbolike 1 euro bashkimit të 2 shoqërive.
Baza detare e Sarandës do të qëndrojë e sekuestruar derisa Prokuroria e Posaçme të dalë me një vendim për hetimin e nisur lidhur me procedurat e ndjekura për dhënien me qira te privati të pronës së ushtrisë. /ZËRI -

Po udhëtonin me një gomone, shpëtohen 57 emigrantë të paligjshëm në bregdetin grek
Nën koordinimin e Qendrës së Unifikuar të Koordinimit të Kërkimit dhe Shpëtimit (EKSED), një operacion për shpëtimin e 57 të huajve në bordin e një gomone u krye në agim.
Operacioni i shpëtimit ndodhi në zonën detare 11 milje detare në jugperëndim të Ierapetrës.
Emigrantët u transportuan nga një anije shpëtimi e Rojës Bregdetare – Rojës Bregdetare Helenike dhe u dërguan në portin e Ierapetrës, ku pritet t’u ofrohet kujdes mjekësor dhe mbështetja e nevojshme.
-

Reuters: Kina pezullon blerjen e naftës ruse pas sanksioneve amerikane
Korporatat e mëdha shtetërore kineze të naftës, PetroChina, Sinopec, CNOOC dhe Zhenhua Oil, kanë vendosur të pezullojnë blerjet e naftës ruse të transportuar me rrugë detare, pas vendosjes së sanksioneve të reja nga Shtetet e Bashkuara ndaj kompanive Rosneft dhe Lukoil, dy prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Rusi, raporton Reuters.
Ky zhvillim ndodh në një periudhë kur rafineritë indiane, blerësit më të mëdhenj të naftës ruse që transportohet me rrugë detare, planifikojnë gjithashtu të reduktojnë ndjeshëm importet e tyre nga Moska, në përpjekje për t’u përputhur me sanksionet amerikane që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës dhe me mungesën e përparimit drejt përfundimit të luftimeve.
Rënia e menjëhershme e kërkesës për naftë nga dy klientët më të mëdhenj të Rusisë pritet të ushtrojë presion mbi të ardhurat e Moskës, duke detyruar importuesit kryesorë në mbarë botën të kërkojnë burime alternative furnizimi, një faktor që ka gjasa të rrisë çmimet globale të naftës.
Aktualisht, Kina importon rreth 1,4 milionë fuçi naftë ruse në ditë përmes rrugëve detare.
Sipas kompanisë analitike Vortexa Analytics, blerjet e naftës ruse nga kompanitë shtetërore kineze kanë rënë në më pak se 250.000 fuçi në ditë gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025. Ndërkohë, firma konsulente Energy Aspects i vlerëson këto blerje në rreth 500.000 fuçi në ditë.
Burime tregtare bëjnë të ditur se Unipec, krahu tregtar i Sinopec, ndaloi blerjet e naftës ruse javën e kaluar.
Sipas të njëjtave burime, Rosneft dhe Lukoil tashmë shesin pjesën më të madhe të naftës së tyre për në Kinë përmes ndërmjetësve, në vend që të kryejnë marrëveshje direkte me blerësit. -

Franca “ngre duart lart” përballë emigrantëve të paligjshëm, BBC: Tërhiqet nga premtimi për të ndaluar gomonet
Franca po tërhiqet nga premtimi për të ndërhyrë më me forcë në det për të ndaluar anijet e vogla ose gomonet me emigrantë që kalojnë Kanalin Anglez drejt Mbretërisë së Bashkuar, sipas burimeve të sigurisë që kanë folur për BBC-në.
Ky ndryshim përbën një goditje për përpjekjet britanike për të frenuar kalimet e paligjshme të emigrantëve, që janë rritur ndjeshëm muajt e fundit.
Burime të lidhura me sigurinë detare franceze thonë se planet për një “doktrinë të re detare”, që do t’u lejonte anijeve patrulluese të ndalonin dhe të kthenin mbrapsht varkat e fryra të emigrantëve, janë pezulluar dhe mund të mos zbatohen kurrë.
“Është thjesht një marifet politik. Shumë zhurmë për asgjë,” tha për BBC një zyrtar francez i përfshirë në çështjet detare.
Vendimi vjen në një moment të paqëndrueshëm politik në Paris, pas një riorganizimi të qeverisë që pa shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm Bruno Retailleau, i cili ishte nxitësi kryesor i një qasjeje më agresive kundër kontrabandës detare.
Qeveria e Presidentit Emmanuel Macron duket e përqendruar tani në kriza të tjera të brendshme, duke e lënë këtë politikë “në harresë”.
Në samitin e korrikut mes Macron dhe kryeministrit britanik Sir Keir Starmer, Franca kishte premtuar të fillonte ndërhyrje të drejtpërdrejta në det “brenda disa ditësh”. Por sipas burimeve franceze, asnjë ndryshim real nuk është zbatuar. Zyrtarë britanikë kanë shprehur zhgënjim për mungesën e veprimit nga pala franceze.Top Channel
-

SPAK godet aferën e Limionit: Sekuestro ndaj Dulakut, kontrolle vartësve të Ballukut dhe ish-drejtoreshës së Xhaçkës
Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me hetimet që po kryhen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për koncesionin e Portit të Limionit në Sarandë, e cila është pronë e ushtrisë.
Më konkretisht janë zbardhur emrat e 6 personave, ndaj të cilëve një ditë më parë, oficerët e BKH-së ushtruan kontrolle për çështjen në fjalë, ku burime për mediat bëjnë me dije se u janë sekuestruar celularët, si dhe u janë sekuestruar prova të tjera materiale, të cilat mund të ndihmojnë autoritetet.
Burime bëjnë me dije se BKH ka ushtruar kontrolle tek biznesmeni Artan Dulaku, si dhe tek Genard Kastrati, administrator i kompanisë “MARINA BAY SARANDA”, e cila ka fituar koncesionin. Kontrolli është kryer edhe në selinë e kompanisë “Maryna Bay Saranda”, ku Artan Dulaku është aksion me 50% të aksioneve.
Po ashtu, kontrolle janë ushtruar edhe tek ish-deputeti socialist Bardhyl Kollçaku, i cili ka qenë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Po të njëjta burime bëjnë me dije se ndër zyrtarët ku është ushtruar kontroll janë edhe administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi, si dhe Teuta Balili, pjesë e stafit të Ministrisë së Infrastrukturës. Dyshohet se kontrollet e ushtruara ndaj Karakacit dhe Balilit lidhen me funksionet që ata kanë pasur në përgatitjen e dokumentacionit dhe kontratës midis shtetit dhe biznesmenit Dulaku, për marrjen në përdorim të pronës në Portin Ushtarak të Sarandës.
Në listën e personave ku është ushtruar kontroll figuron edhe Belioza Çoku, ish-drejtoreshë e kabinetit të ish-ministres së Mbrojties, Olta Xhaçka. Hetimi për këtë dosje po ndiqen nga prokurorja e posaçme Manjola Kajana.
SEKUESTRIMI
Baza detare e portit të Limionit në Sarandë u sekuestrua me vendim të GJKKO në shkurt të vitit 2023, pas kërkesës së SPAK me arsyetimin se privatizimi i bazës kishte cënuar operacionalitetin e forcave detare. Këtë vendim e ka lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit të Posaçëm, por edhe nga Gjykata e Lartë.
Pas vendimit të tre shkallëve të mëparshme të gjyqësorit, shoqëria “Marina Bay Saranda” iu drejtua Kushtetuese, por edhe kjo e fundit la në fuqi të njëjtin vendim.
Në 1 korrik të vitit 2020, Ministria e Financave nënshkroi me kompaninë Marina Bay Saranda një kontratë qiraje me vlerën 1 euro për dhënien e 265 mijë metër tokë publike në Gjirin e Limionit, në Sarandë. Sipas projektit, kompanitë do të ndërtonin aty një port jahtesh si dhe një resort turistik me vila, hotele dhe apartamente.
Por brenda sipërfaqes prej 265 mijë metrash, gjenden dhe 40 mijë metër tokë, pjesë e bazës detare të Sarandës, që është në pronësi të Flotës Detare. Për këtë shkak, kontrata u kallëzua në SPAK nga ish komandanti i Flotës Artur Meçollari, i cili pretendon se privatizimi i pronës së Flotës është bërë në kundërshtim me ligjin dhe cënon kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Ndërkohë që gjatë kësaj kohe për këtë çështje është thirrur disa herë në SPAK ministrja Olta Xhaçka, por edhe funksionarë të lartë të forcave të armatosura, përfshirë ish-shefin e Shtabit, Bardhyl Kollçaku.
RAMA SULMOI DREJTËSINË PËR SEKUESTRON
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama e ka sulmuar drejtësinë për sekuestron e vendosur ndaj portit të Limianit në Sarandë. Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e PS-së më 17 Mars të këtij vitit, Rama e konsideroi si një absurd këtë vendim të drejtësisë, teksa sipas tij, të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje.
Kreu i qeverisë deklaroi se ky është një arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte shtetit shqiptar qimet e kokës në rast se investitorët do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh.
“Absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive, në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, 200 milionë euro, rreth, në limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për Marinë turistike dhe është pjesë e Programit tonë qeverisës, ndërkohë që prej 2 a 3 vjetësh rri i bllokuar se hetohet mënyra sesi është lidhur kontrata.
Unë nuk dua të komentoj, nuk e bëj asnjëherë, arsyet e atij hetimi, kjo nuk është puna ime, ama nuk duhet një diplomë në juridik për të kuptuar se të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje, aq më tepër ta bësh këtë në emër të NATO-s dhe të sigurisë kombëtare, duke e bërë NATO-n të qeshë, kur e dëgjon këtë histori dhe duke ndërhyrë në kompetencën e një pushteti tjetër të pavarur, i cili është sovran në vendimmarrjet e veta për sigurinë kombëtare.
Ky është një arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte shtetit shqiptar qimet e kokës në rast se investitorët e huaj do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh, por e solla këtë këtu për faktin se kjo buron nga një arbitraritet që shkon shumë përtej horizontit të një hetuesi dhe lidhet me një mendësi të vjetër dhe të gabuar për mbrojtjen e kohëve të sotme dhe për atë që duhet të bëjmë ne në funksion të mbrojtjes.” – tha Rama në atë kohë.
NJË VIDEO NË “DUART” E SPAK
Një ditë më parë, getari Elton Qyno, gjatë një interviste televizive tha se procedimi penal është regjistruar që në vitin 2022, por më 15 shtator të këtij viti, avokati Arben Llangozi ka dorëzuar një video 5 orëshe në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas gazetarit, pasi është administruar dhe kqyrur i gjithë diskutimi i kësaj videos ku shfaqen gjeneralët kryesorë të ushtrisë dhe të Shtabit të Përgjithshëm, SPAK më pas ka kërkuar miratimin e Gjykatës për të ushtruar kontrolle.
“Për të diskutuar për këtë çështje unë do të jap disa detaje teknike të cilat vijnë jo vetëm nga aksioni i sotshëm pë kryerjen e kontrolleve dhe nga mënyra se si ka marrë spunto ky operacion. Kjo çështje është regjistruar qysh prej fillimit të vitit 2022, kryesisht është bazuar tek një denoncim të ish admiralit të flotës detare Artur Meçollari dhe më pas ka filluar me mbledhjen e dokumenteve, por ajo që i dha një spunto pas vendimit të sekuestros së kësaj prone. Thjesht është sekuestruar dhe është kaluar në menaxhim nga drejtoria e pronave të sekuestruara.
Por që të vijmë tek aksioni i sotshëm është një video 5 orësh që është dorëzuar në SPAK me 15 shtator të këtij viti nga avokati Arben Llanagozi i cili ka hyrë në dijeni të kësaj videoje dhe më pas e ka publikuar këtë video. Pikërisht pas publikimit, oficeri i çështjes që ndjek këtë hetim dhe prokurorja e dosjes kanë urdhëruar që kjo video të administrohej si provë materiale në SPAK. Dhe pasi është administruar dhe është këqyrur i gjithë diskutimi i kësaj videos ku shfaqen gjeneralët kryesorë të ushtrisë dhe të Shtabit të Përgjithshëm, atëherë vendoset dhe i drejtohet Gjykatës me kërkesën për lejimin e kontrolleve në disa banesa siç janë bërë gjatë ditës së sotme tek dy biznesmen dhe tek ish Shefi i Shtabit të Ushtrisë..” – tha Qyno. -

Rrezik për gjallesat e detit, aktivistët shpëtojnë breshkën detare të ngecur në rrjeta
Një breshkë deti është shpëtuar mesditën e sotme në zonën bregdetare të jugut, pasi kishte ngecur në rrjetat e peshkatarëve të hedhura shumë afër bregut, një praktikë e ndaluar që po kthehet në rrezik serioz për gjallesat detare.
Sipas informacioneve, breshka ishte gjetur në gjendje të rëndë, me kokën e mbështjellë në rrjetë dhe pa mundësi për të lëvizur. Aksioni i shpëtimit u krye nga një grup aktivistësh mjedisorë, mes tyre Kosta Xhaho, pjesë e organizatës më të madhe mjedisore në vend, PPNEA, e cila prej vitesh merret me monitorimin e fokave dhe breshkave detare.
Ky rast tregon sërish nevojën për kontrolle më të rrepta ndaj peshkimit pa kriter në afërsi të vijës bregdetare, që po dëmton rëndë ekosistemin detar dhe specie të mbrojtura si breshkat dhe fokat mesdhetare.Top Channel
-

SPAK dhe BKH bastisin zyrën dhe banesën e biznesmenit Artan Dulaku dhe Gerald Kastratit
Artan Dulaku
TIRANË-SPAK dhe BKH kanë ushtrua kontrolle në banesën dhe zyrat në pronësi të biznesmenit Artan Dulaku. Aksioni përfshin edhe disa zyrtar dhe ish-zyrtar të vendit. Kontrolle janë zhvilluar edhe ndaj administratorit të ‘Marina Bay Saranda’, Genard Kastrati. Paraprakisht bëhet me dije se hetimi lidhet me pronat e Ushtrisë, konkretisht me portin e Limionit në Sarandë. Dyshimet janë për përfshirje të zyrtarëve dhe biznesmenëve në manipulimin e kontratës për marrjen në përdorim të portit ushtarak.
Hetimi nisi pas kallëzimit në SPAK nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari në vitin 2021 kundër vendimit të Këshillit të Ministrave, që më 1 korrik 2020 vendosi që Baza Detare Limion me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 265 mijë metra katrorë, t’i jepej me qira për 20 vjet me tarifën simbolike 1 euro bashkimit të 2 shoqërive.
Baza detare e Sarandës do të qëndrojë e sekuestruar derisa Prokuroria e Posaçme të dalë me një vendim për hetimin e nisur lidhur me procedurat e ndjekura për dhënien me qira te privati të pronës së ushtrisë. Në lidhje me aksionin ende nuk ka një njoftim zyrtar ndërsa detaje të reja priten në vazhdim./ZËRI