SYRI TV
Akuza, emocione të forta dhe presione në gjyqin për atentatin e Shkozetit që i mori jetën shoferit Andi Maloku, ndërsa gjykohen Plaurent Dervishaj e Julian Meçaj. Babai i të ndjerit akuzoi Dervishajn duke i bërë edhe pyetjen se pse pas vrasjes së të birit, tentoi të vriste edhe atë. Dervishaj iu përgjigj që do ta sqaronte nëse do shkonte ta takonte në brug. Ndërkohë, në këtë gjyq dëshmuan edhe disa persona të tjerë, ku ndryshe nga zyrtarët e drejtësisë që shoqërohen me eskorta për shkak të kërcënimeve nga bota e nëndheshme, dëshmitarët shaqen të pambrojtur në dyert e drejtësisë.
Genci Maloku është përballur këtë të premte në Gjykatën e Posaçme me autorët e dyshuar të vrasjes së djalit të tij Andi Malokut. Nën gjendje të rënduar emocionale ai iu drejtua Plaurent Dervishit, se ndonëse i kishte vrarë të birin, pse do duhej të tentonte edhe vrasjen e tij, teksa shtoi se nuk i kishte askujt asnjë borxh”.
GENCI MALOKU, BABAI I ANDI MALOKUT: “Unë di që autorët janë këta që janë në burg. Palurent Dervishaj dhe Jualian Mecaj nuk i njoh. Vullnet Muça është vëllai i Rrumit e kam takuar. Unë akoma se kam mësuar ndaj kujt kanë gjujt”.
PLAURENT DERVISHAJ, I PANDEHUR: “Kur ‘Rrumi’ ka përmend emrin tim, të ka thënë gjë tjetër?”
GENCI MALOKU, BABAI I ANDI MALOKUT: “Jo, nuk dinte fare mbi arsyet. Arben Mërkurin e njoh, e di që thirrej me nofkën ‘Maneci’. Në telefon më ka ardhur një mesazh në emër të Plaurenti Dervishaj. Më ka shkruar ‘jam Plaurenti’. Kam bërë kallëzim tek komisariati 6. Mirë djalin po mua pse ke dashur të më vrasësh pa ju bërë asgjë?”
PLAURENT DERVISHAJ, I PANDEHUR: “Hajde më tako një ditë dhe ta sqaroj”.
GENCI MALOKU, BABAI I ANDI MALOKUT: Pse ma ke vrarë djalin. Ça të ka bërë djali?
Genci Maloku rrëfeu në Gjykatën e Posaçme se si mësoi për vrasjen e të birit në atentatin Mbikalimit të Shkozetit, që drejtonte makinën me të cilën udhëtonin Aleksandër Laho e Arjan Ndoja. Sipas Malokut, i biri ishte punësuar 1 muaj para ngjarjes, teksa Aleksandër Laho i ka rrëfyer se vrasja ishte porositur nga Plarent Dervishaj. Më tej ai dëshmoi në gjyq që I kanë vajtur familjarët e Redjan Rrajës tek shtëpia, ku kanë pretenduar se I pandehuri s’kishte lidhje me ngjarjen.
Në këtë seancë dëshmoi edhe ish-bashkëjetuesja e Arbën Mërkurit njohur me nofkën “Maneci” i vrarë në Maj të 2022. Ajo mohoi të kishte njohje me shokët e Mërkurit, teksa tregoi edhe se si ndodhi vrasja e babait të dy fëmijëve, teksa iu përgjigj edhe disa pyetjeve të Plaurent Dervishajt.
SHTETËSJA SH: “Plaurent Dervishaj nuk e njoh. Ne nuk dimë asgjë se si është vrarë. Kam 15 vite që kam bashkëjetuar me Arben Mërkurin. S’di gjë fare për shokët e burrit as me kë shoqërohej. Kam dy fëmijë nga bashkëjetesa. Nuk ka pasur asnjëherë probleme me drejtësinë. Ditën kur u vra kemi qenë bashkë, dikush e mori në telefon dhe sa zbriti shkallët, dëgjuam zhurmë armësh. Djali më tha ‘kanë vrarë babin’. Nuk di gjë kush e ka bërë vrasjen”.
PALURENT DERVISHAJ, I PANDEHUR: “A ke marrë vesh çfarë është folur për burrin tënd? Flitet se ka qenë vrasës me pagesë. S’ka gru që i thotë burrit “shko vrit”
SHTETËSJA SH: “Nuk është e vërtetë”
PALURENT DERVISHAJ, I PANDEHUR: “Burri jot dhunonte dy gazetare, e ke parë?”
SHTETËSJA SH: “Nuk e kam parë”
Kjo shtetase u shoqërua nga të paktën 3 punonjës policie, pasi nuk kishte pranuar të vinte të dëshmonte. Mes të tjerëve në këtë seancë dëshmoi edhe personi që telefonoi policinë pasi konstatoi pranë banesës së tij makinën e përdorur nga autorët në vrasje.
Në këtë proces apo procese të ngjashme në GJKKO, dhjetëra dëshmitarë, ekspozohen përpara palëve përfshirë edhe subjekteve me rekorde kriminale nën akuzë, prej të cilëve ka dhe nga ata që kanë arritur të kërcënojnë prokurorë të posaçëm.
Rrallë flitet për mbrojtjen e këtyre qytetarëve që në shumicën e rasteve pa qëllimin e tyre, janë gjendur përballë eksponentëve të krimit si dëshmitarë nëse kanë pasur fatin e mirë të mos ishin gjendur përballë plumbave të tyre.