Prej më shume se tre vitesh emisioni Piranjat janë angazhuar seriozisht për kapjen, demaskimin dhe çuarjen përpara drejtësisë të pedofilëve, të cilët me aktivitet intensiv në rrjetet sociale, dhe pa u shqetësuar aspak bëjnë biseda me përmbajtje erotike me vajza nën moshe duke i paraprirë një kontakti të mundshëm fizik me këto të fundit. Pavarësisht angazhimit të Piranjave dhe bashkëpunimit të ngushtë me policinë për kapjen e tyre, realiteti virtual vazhdon të mbetet i njëjtë. Predatorët seksualë që nuk kursejnë as fëmijët e mitur, janë gjatë gjithë kohës prezentë në rrjetet sociale, në kërkim të viktimës së radhës e të gatshëm të përfitojnë nga pafajësia e të miturve, siç është rasti i Gazit, një 43 vjeçari nga fshati Trush, rreth 10 km nga qyteti i Shkodrës, i cili u denoncua nga nëna e terrorizuar e një vajze 13 vjeçare.
Mesazhet që 43 vjeçari i dërgonte vajzës së mitur, duke u hequr si një i ri 15 vite më i vogël, tregonin qartësisht qëllimet e tij, pavarësisht se e dinte fare mirë se me kë kishte të bënte. Prandaj në këto kushte, nëna kërkoi bashkëpunimin e Piranjave për të mbajtur nën kontroll llogarinë e Instagramit që mbante vajza.
Për të nisur një bisedë, e cila po të ishte bërë vërtet me 13 vjeçaren, do të kishte padyshim pasoja të rënda për këtë të fundit.
Kjo ishte vetëm një pikënisje, sepse në vijim Gazi shpalos më shumë pasion vetitë e tij prej hamshori në formën më vulgare dhe të neveritshme.
Të gjitha këto tekste dhe audio supozohet t’i dërgoheshin një 13 vjeçareje e cila në mendjen e tij të sëmurë, ishte thjesht një lodër erotike me te cilën mund të çlironte fantazitë e ndrydhura seksuale.
Por siç u tha edhe më lart jemi ende në fazën e parë te një komunikimi pervers që do të zgjaste për disa javë me radhë. Në bisedat me pedofilin kuptohet diçka, audiot që dërgon darkave, janë te gjitha me zë te ulët me sa duket nga frika e familjes, ndërkohë që gjatë ditës komunikimi i tij bëhet më i guximshëm, madje here herë edhe urdhërues. Me sa duket, fakti që duhet të nxitojë për në shtëpi, e bën edhe më nervoz, gjë që e demonstron në mesazhet zanore që dërgon.
Më pas pendohet! Këto përgjërime ndaj 13 vjeçares, befas shoqërohen me foton e një moshatareje të saj, me të cilën 43 vjeçari pretendon që ka komunikim. Por për fat të mire, kjo foto është e marrë nga interneti, dhe me vajzën e mitur që na e tregon me krenari, ai nuk ka asnjë lidhje. Megjithatë, kulmi arrin kur ai na propozon një raport intim duke përfshire një person te tretë. Që në realitet është bashkëshortja e tij. Aspak në dijeni të këtyre bisedave të neveritshme të burrit.
Humori i maniakut ndryshon në varësi të vëmendjes sonë. Ka momente kur indiferenca e acaron, dhe tekstet e njëpasnjëshme që dërgon janë tepër agresive. Por ka edhe momente kur kërkon të takojë kusherirën imagjinare të vajzës 13 vjeçare, të cilën Piranjat ia kanë përmendur gjatë komunikimit. Ky individ nuk ka asnjë limit në perversitetin e tij. Kërkon raporte intime me një femijë, shpërndan fotot e një moshatareje të saj të vjedhura në internet, dërgon pa pushim imazhe me përmbajtje pornografike, përfshi edhe fotot që bën çdo natë në banjon e shtëpisë. Madje arrin deri aty sa që përfshin bashkëshorten pa dijeninë e saj, duke na e prezantuar si një nga të dashurat e shumta që ka. Madje kaq shumë e ka krijuar këtë ide të gënjeshtërt, sa që në komunikimet me vajzën e mitur, duke u hequr si një i ri beqar, kërkon një raport të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Ditë pas dite komunikimi është bërë intensiv dhe pedofili ka krijuar bindjen që vajza tashme do t’i plotësojë çdo kërkesë perverse të tij prandaj, për ta patur sa më nën kontroll, vendos të dërgojë numrin e telefonit, për të nisur një seri të pafundme bisedash në Whatsapp. Prandaj nuk mbetet zgjidhje tjetër, përveçse në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës, Piranjat të udhëtojme drejt fshatit Trush, atje ku maniaku banon me gruan dhe familjen. Sapo gazetarët afrohen pranë banesës, Gazi shfaqet në hyrje të shtëpisë dhe sapo sheh prezencën e policisë, menjëherë futet në shtëpi dhe gruaja e tij komunikon që është arratisur nga dritarja.
Në këto kushte agjentët e komisariatit bashkë me grupin e Piranjave e ndjekin nga pas deri në momentin që 43 vjeçari pajtohet me fatin e tij.
Gazi përpiqet të bëjë të penduarin përballë kameras, por duket qartë që kjo është vetëm një lojë e tij për tu shfajësuar.
Ndërsa Gazi është shoqëruar nga agjentët e policisë, gruaja e tij ka diçka tepër të rëndësishme për të thënë. Ajo shprehet se bashkëshorti i saj këto raste i ka të përsëritura dhe se e gjithë bashkëjetesa e tyre ka qenë mes konflikteve dhe dhunës në familje.