FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Sot mbahet seanca e parë plenare në Kuvend pas zgjedhjeve të 11 majit. Kuvendi fillon në orën 10:00, ku takimi i parë do të jetë thjesht konstituive, pa debat dhe pa agjendë. Deputetët socialistë bashkë me ata të opozitës do t’i drejtohen Parlamentit për t’u betuar.
Seanca drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, që i takon kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës, që është 81 vjeç. Por, Berisha ka vendosur të refuzojë privilegjin që ia njeh rregullorja e Kuvendit. Seanca pritet të hapet nga Vasil Llajo i PS-së, pasi Tritan Shehu të cilit i takonte pas Berishës e ka refuzuar. Më i vjetri që do të hapë edhe seancën, do të shqyrtojë dosjet e deputetëve të sjella nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, proces ky me natyrë burokratike. Derisa komisioni të bëjë punën e tij, deputetët e rinj do të largohen dhe do të rikthehen pasdite.
Më pas Kuvendi verifikon mandatet dhe 140 deputetët e rinj bëjnë betimin. PS hyn me 83 deputetë, nga të cilët 53 i ka emra të rinj, ndërsa PD dhe aleatët me 50 deputetë, 14 prej tyre prurje të reja. PSD hyn me 3 deputetë, partia Mundësia me 2 deputetë, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet me nga një deputet. Deputetja më e re është Marjana Koceku, vetëm 24 vjeçe, ndërsa Deputeti më i vjetër mbetet Sali Berisha.
Më pas, mazhoranca socialiste do të propozojë emrin për kryetar Kuvendi, i cili është Niko Peleshi. Kuvendi do të organizojë një votim të fshehtë me fletë votimi letre dhe kuti, ku votat do të numërohen një nga një. Komisioni do të shpallë kryetarin e zgjedhur të Kuvendit. Në seancën e sotme nuk lejohen debatet me opozitën.
Me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota. Pas votimit në Kuvend, qeveria bën betimin përpara Presidentit të Republikës.
Kabineti i ri u shpall një ditë më parë nga vetë kryeministri Edi Rama.
Kryetar Kuvendi- Niko Peleshi
Zv.kryeministre dhe Ministre e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku
Ministria e Brendshme, Albana Koçiu
Ministria e Jashtme, Elisa Spiropali
Ministria e Financave, Petrit Malaj
Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhja
Ministria e Arsimit, Mirela Kumbaro
Ministria e Shëndetësisë, Elis Salaj
Prokurimet publike, Diella
Ministër i Mjedisit, Sofjan Jaupaj
Ministër i Drejtësisë, Besfort Lamallari
Ulsi Manja, Komisioni i ligjeve
Ministria e Mbrojtjes, Pirro Vengu
Ministri i Bujqësisë, Andi Salla, kryebashkiak i Cërrikut
Ministër i shtetit për pushtetin vendor, Ervin Demo
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu
Majlinda Dhuka, ministre e shtetit për negociatat me BE
Adea Pirdeni, Ministre për Antikorrupsionin
Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar
Nga ana tjetër edhe reu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar emrat e drejtuesve të Grupit Parlamentar të PD-s.
Berisha ka rikonfirmuar kreun e Grupit të PD-së, Gazment Bardhin. Nënkryetar vendosi që të jetë Belind Këlliçi dhe Tomorr Alizoti. Elda Hoti do të jetë sekretare e Grupit Parlamentar, ndërsa zëdhënëse do të jetë Ledina Aliolli. Ndërkohë, deputeti Agron Gjekmarkaj do të vijojë të mbajë postin e Nënkryetarit të Kuvendit.









