Tag: deputete

  • Deputetë të maxhorancës kërkojnë ‘kokën’ e Peleshit? Ja si i rrodhën votat shumicës në Kuvend

    Deputetë të maxhorancës kërkojnë ‘kokën’ e Peleshit? Ja si i rrodhën votat shumicës në Kuvend

    Maxhoranca ka rrëzuar sot propozimin e demokratëve për të shkarkuar Niko Peleshin nga posti i kryetarit të Parlamentit. Me 79 vota kundër, socialistët mbajtën Peleshin në krye të Kuvendit. Ndërkohë që pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës nuk morën pjesë në votim.
    Në total ishin vetëm 10 vota pro shkarkimit të Peleshit, ndërkohë që pjesa më e madhe e demokratëve po protestonte për procedurën dhe mënyrën se si u fut në votim të fshehtë shkarkimi Peleshit.

    Por ajo qe bie në sy nga tabela elektronike, 3 vota kanë rrjedhur nga maxhoranca socialiste. Në tabelën elektronike kanë votuar vetëm 6 deputetë demokratë dhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi.

    Ndërkohë që 3 vota të tjera me gjasa i janë bashkuar shkarkimit te kryetarit te Parlamentit nga kampi i maxhorancës. Nuk është hera e parë që votat e socialistëve apo të aleatëve kur bëhet votimi i fshehtë firojnë kundër vendimit politik.
    Sipas tabelës elektronike, votuan nga opozita, Bujar Leskaj, Tritan Shehu, Luan Baçi, Ina Zhupa, Elda Hoti, Jorida Tabaku. Ndërkohë që vota e shtatë është e Redi Muçit. Ajo qe bie ne sy është fakti se nga ministrat e qeverise Rama kane votuar, Mirela Kumbaro, Piro Vengu, Albana Koçiu, Belinda Balluku,Petrit Malaj Delina Ibrahimaj, Evin Demo dhe Blendi Gonxhe.

  • Albin Kurti në Kuvend: Po krijohet qeveria e re e Kosovës

    Albin Kurti në Kuvend: Po krijohet qeveria e re e Kosovës

    Sot në orën 10:00 është thirrur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë së re, me Albin Kurtin si mandatar, pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në zgjedhjet e 9 shkurtit.
    Për të siguruar krijimin e kabinetit të ri qeveritar, Kurtit i nevojiten të paktën 61 vota. Aktualisht, ai kontrollon 48 deputetë të Vetëvendosjes dhe pritet të mbështetet në disa vota nga komunitetet joshumicë.
    Megjithatë, situata politike mbetet e paqartë, pasi deri më tani nuk është njoftuar për ndonjë koalicion zyrtar.
    Më 21 tetor, Kurti la të kuptohet se LVV-ja mund të dështojë në formimin e ekzuekutivit, duke u shprehur se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.
    “Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, tha Kurti.
    Osmani e mandatoi Kurtin për formimin e Qeverisë më 11 tetor dhe ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re qeveritare dhe të kërkojë mbështetje për të.LVV-ja ka 48 deputetë në Kuvendin prej 120 ulësesh. Nga kjo parti më herët kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit për formimin e Qeverisë me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listës Serbe.
    PDK-ja i ka 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 deputetë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma ka tetë ulëse në Kuvend.
    Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës – nëntë prej të cilave i fitoi Lista Serbe, ndërsa një vend e fitoi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
    Dhjetë vende të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare.
    Në rast se LVV-ja nuk arrin t’i mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.
    Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

  • Saimir Vishaj shpall kandidaturën për Avokat Populli: Deri tani kanë firmosur 52 deputetë

    Saimir Vishaj shpall kandidaturën për Avokat Populli: Deri tani kanë firmosur 52 deputetë

    Kuvendi pret deri në fund të muajit që juristë apo aktivistë të të drejtave të njeriut të kandidojnë për Avokat Populli.
    Ndër të parët që ka shprehur interes, është avokati i njohur Saimir Vishaj. Ai njoftoi në rrjetet sociale, se deri tani, për emrin e tij, kanë firmosur 52 deputetë nga PD dhe PS.
    “Mirënjohje për këta deputetë që firmosën për një kandidaturë nga shoqëria civile në këto 35 vite demokracie. Gjithmonë kam mbajtur vijën e prindërve të mi dhe asnjëherë nuk kemi marrë pjesë në ndonjë forcë politike, por kemi qenë të përkushtuar vetëm ndaj ligjit dhe legjislacionit në fuqi”, thotë avokat Vishaj.
    Ai shpall edhe platformën e tij për Avokat Populli, me moton “Askush nuk është mbi ligjin dhe barazinë gjinore”.
    Zgjedhja e kreut të këtij institucioni me 3 vjet vonesë, kërkon 84 vota, dhe në këtë rast, topi është pa pengesa në duart e Partisë Socialiste.
    Deri tani kanë firmosur 52 deputet nga PD dhe PS. Mirënjohje për keta deputet që firmosën për një kanidaturë nga shoqëria civile në këto 35 vite demokracies. Gjithmonë kam mbajtur linjën e prindërve të mi dhe as nuk kemi marrë pjesë ndonjë forcë politike, por duke qenë striktë vetëm me legjislacionin në fuqi.
    Kjo është platforma ime si kandidat për pozicionin e Avokatit të Popullit. Askush nuk është mbi ligjin dhe barazinë gjinore.
    Mbështetje për atë qytetarin e thjeshtë të pa mbrojtur përballë administratës së egër politikisht apo e vakët në moral e ndërgjegje të ulët.

  • Nga deputete në kandidate e socialistëve për bashkinë e Vlorës, Mersini: Të jesh përfaqësuese e këtij qyteti është…

    Nga deputete në kandidate e socialistëve për bashkinë e Vlorës, Mersini: Të jesh përfaqësuese e këtij qyteti është…

    Brunilda Mersini, e cila aktualisht është deputete e Partisë Socialiste, e dalë nga zgjedhjet e 11 majit, ka bërë një reagim në rrjetet sociale pas përzgjedhjes së saj për të qenë kandidate për kryebashkiake të Vlorës. “Të kandidoja për të përfaqësuar qytetin tim si deputete ishte një nga vendimet më të rëndësishme të jetës sime. Ishte një thirrje për t’i shërbyer komunitetit me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri. Me mirënjohje dhe me ndjesinë e  thellë të përgjegjësisë, sot  më besohet kandidatura për Kryetare të Bashkisë së Vlorës. Ky nuk është një udhëtim ambicieje personale, por një angazhim i thellë për të dëgjuar çdo zë, për të ndërtuar ura bashkëpunimi për një të ardhme më të mirë qytetit tonë.
    Çdo takim me ju, që më besuat në kandidaturën si deputete, çdo bisedë në rrugët e Vlorës, çdo dorë e shtrirë me mirësi, më ka dhënë forcën për të ecur përpara. Keni qenë pranë meje në çdo hap, me besim, me kurajo dhe me atë ndjenjë të thellë përkatësie që vetëm vlonjatët dinë ta japin. Të jesh përfaqësuese e këtij qyteti është më shumë se detyrë, është mision shpirtëror. Dhe sot, ky mision merr një përgjegjësi të re: të punoj, me gjithë energjinë, përkushtimin dhe dashurinë time, për të patur një Vlorë që i ngjan njerëzve të saj të ndershëm, punëtorë, krenarë dhe plot dritë. Faleminderit Kryeministrit Edi Rama për besimin e treguar. Faleminderit drejtuesit politik,
    Bledi Çuçit për besimin dhe vlerësimin! Faleminderit strukturave të Partisë Socialiste për mbështetjen e vazhdueshme, dhe mbi të gjitha, juve, qytetarëve të Vlorës, që më keni dhënë arsye çdo ditë për të besuar më shumë te forca e bashkimit dhe e dashurisë për qytetin tonë. Ju premtoj se do të jem gjithmonë pranë jush, duke dëgjuar, duke punuar, dhe duke e vënë zemrën në çdo gjë, që të gjithë bashkë do të bëjmë. Për mua, kjo nuk është thjesht një garë politike, është një rrugëtim zemre për Vlorën. Me mirënjohje dhe vendosmëri të palëkundur! Së bashku për Vlorën tonë, qytetin që jeton në çdo zemër vlonjate”, shkroi dje Brunilda.

  • PROFILI/ Kush janë 6 kandidatët zyrtarë të Partisë Socialiste në zgjedhjet 9 nëntorit

    PROFILI/ Kush janë 6 kandidatët zyrtarë të Partisë Socialiste në zgjedhjet 9 nëntorit

    Në Tiranë, PS ka kandiduar Ogerta Manastirliun, aktualisht deputete dhe një nga figurat më të njohura të mazhorancës.  
    Manastirliu ka mbajtur për disa vite detyrën e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe së fundmi atë të ministres së Arsimit dhe Sportit.  
    Ajo ka një profil të formuar në administratën publike, duke nisur karrierën në Bashkinë e Tiranës në vitin 2004 dhe më pas duke drejtuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” para se të hynte në politikë aktive si ministre dhe deputete. 
    Në Berat, kandidon Ervin Ceca, i cili mban aktualisht postin e kryetarit të komanduar të bashkisë. Ceca është pjesë e administratës vendore dhe ka marrë drejtimin e bashkisë pas largimit të kryetarit të mëparshëm dhe ish-drejtues banke. 
    Florenc Doka është kandidati i PS për Bashkinë Cërrik, ku gjithashtu ushtron funksionin e kryetarit të komanduar. Ai është përfshirë në strukturat lokale të administratës dhe ka marrë detyrën pas krijimit të vakancës në krye të kësaj bashkie. 
    Në Mat, kandidon Altin Bojni me profesion financier, i cili prej disa muajsh është në detyrë si kryetar i komanduar i bashkisë. Bojni vjen nga strukturat vendore dhe është përzgjedhur nga PS për të kërkuar një mandat të plotë përmes votës qytetare. 
    Në Vlorë, kandidate është Brunilda Mersini, deputete e PS për qarkun Vlorë. Para se të zgjidhej në Kuvend, Mersini ka drejtuar Spitalin Rajonal të Vlorës, duke kombinuar përvojën në shëndetësi me angazhimin politik në zonën ku kandidon. Ajo është për herë të parë pjesë e garës për një post drejtues vendor. 
    Në Tepelenë, kandidon Gramos Sako. Ai ka shërbyer për 11 vite si komandant i Gardës së Republikës, një nga institucionet e sigurisë që ruan figurat më të larta të shtetit. Sako dha dorëheqjen nga ky post në shkurt të vitit 2024 dhe kandidimi i tij për Bashkinë e Tepelenës shënon hyrjen në fushën e administrimit vendor. 
    Zgjedhjet e pjesshme në këto gjashtë bashki vijnë pas dorëheqjeve ose shkarkimeve të kryetarëve të mëparshëm dhe do të zhvillohen më 9 nëntor 2025. 
     

  • Luan Baçi pajtohet me Ramën: Nuk duhet të ketë më 140 deputetë, janë shumë për në Shqipëri

    Luan Baçi pajtohet me Ramën: Nuk duhet të ketë më 140 deputetë, janë shumë për në Shqipëri

    “Jam dakord që për një vend si Shqipëria janë shumë 140 deputetë”.
    Kështu u shpreh Luan Baçi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
    “Do të isha plotësisht dakord me shkurtimin e numrit të deputetëve”, përforcoi më tej deputeti demokrat.
    Ndërsa pedagogia Arsejda Gjyli mendon se çështja nuk është te sasia, por te cilësia e deputetëve.
    “Edhe mua më është dukur interesant ky propozim, por a do të prodhojë rritjen e cilësisë së parlamentarizmit? Le të jenë 140 deputetë nëse ka cilësi. Nëse shkurtojmë numrin, a e rrisim cilësinë? Çështja është se ku do të mbështetet strategjia për të rritur cilësinë e Parlamentit”, tha Gjyli.

  • Deputetë, gazetarë dhe tifozë u bllokuan në aeroport/ Ndeshja e 2014 në Beograd, ish-ambasadori: Negociuam për rreth dy orë

    Deputetë, gazetarë dhe tifozë u bllokuan në aeroport/ Ndeshja e 2014 në Beograd, ish-ambasadori: Negociuam për rreth dy orë

    “Gjithçka filloi krejt normalisht. Një ditë, mbrëmje më parë, erdhi në Beograd kryetari i federatës shqiptare të futbollit dhe delegacionit që e shoqëronte, për të marrë pjesë në këtë eveniment sportiv. Bashkë me të ishim të ftuar në një darkë protokollare nga kreu i federatës serbe të futbollit. Në momentin që erdhi avioni nga Tirana, atje u krijua një përshtjellim, pasi të gjithë pasagjerët pa dallim u ndaluan të hynin në Serbi, kjo ishte shkelje flagrante se nuk kishte asnjë arsye. U bllokuan deputetë e punonjës të shtypit shqiptar. Pas një përpjekje të madhe dy orëshe, u arrit që ata të lejoheshin të dilnin nga aeroporti”.
    “Ne ishim në shoqërinë e presidentit serb, në tribunën qëndrore, e cila filloi me shfaqe aspak sportive. Kujtoj që gjithë stadiumi në kor nisi të thoshte “vritini shqiptarët”.

     

    Top Channel

  • Ish-deputetja e LSI emërohet zv/ministre e Brendshme

    Ish-deputetja e LSI emërohet zv/ministre e Brendshme

    Silva Caka do të jetë zëvendësministrja e re e Brendshme. Caka gjatë karrierës së saj politike ka shërbyer si deputete e Kuvendit të Shqipërisë në vitet 2013-2019, pasi fitoi mandatin në qarkun e Beratit nën siglën e LSI-së.
    Mësohet se ndër emërimet e reja do të jetë edhe Edona Bilali si zv/ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
    Bilali ka shërbyer si Ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në kabinetin “Rama III”, nga 10 shtatori i 2021 deri në shtator të vitit 2023. Ajo mbeti jashtë parlamentit, pasi nuk ia doli të zgjidhej deputete në garën e 11 majit, ku ishte pjesë e listës së hapur të Partisë Socialiste, në qarkun e Shkodrës.
    Eugenta Tomini do të rikthehet si zv/ministre e Shëndetësisë, detyrë të cillën e ka mbajtur edhe në vitin 2021. Tomini më parë ka drejtuar edhe Institutin e Shëndetit Publik.

  • Silva Caka, ish deputete e LSI emërohet zv.Ministre e Brendshme

    Silva Caka, ish deputete e LSI emërohet zv.Ministre e Brendshme

    Silva Caka, ish deputete e LSI, është emëruar zv.ministre e Brendshme në mbledhjen e qeverisë.
    Kujtojmë që Caka është emri tjetër që Rama merr nga partia e Ilir Metës.
    Më herët “kapërceu ylberin” edhe Endrit Braimllari, i cili kandidoi për deputet në zgjedhjet e fundit në Tiranë.

  • Tom Doshi dhe Sabina Jorgo hoqën dorë nga mandati si deputetë, tërhiqen edhe 4 kandidatë të tjerë (EMRAT)

    Tom Doshi dhe Sabina Jorgo hoqën dorë nga mandati si deputetë, tërhiqen edhe 4 kandidatë të tjerë (EMRAT)

    tom doshi

    SHKODËR- Tom Doshi dhe Sabina Jorgo, të dy pjesë e listës së Partisë Social Demokrate (PSD) në zgjedhjet e 11 majit, hoqën dorë nga mandatet e deputetëve. Por ata nuk janë të vetmit. Pas dorëheqjes së tyre, në listën e këtij subjekti kanë filluar dorëheqjet edhe nga marrja e mandatit.
    Bëhet me dije se deri tani nuk kanë pranuar 4 kandidatë, dy nga lista e mbyllur dhe dy nga lista e hapur. Bëhet fjalë për Migena Kallacej, Osman Teta, Bledar Mezini dhe Suada Kopshti, të cilët kanë hequr dorë nga e drejta e marrjes së deputetit. Osman Teta dhe Bledar Mezini, ishin kandidatët të cilët sipas renditjes iu takonte të merrnin mandatin. 
    Dorëheqja e Doshit dhe Jorgos u bë publike nga Milva Ekonomi, e cila lexoi raportin zyrtar të Komisionit të Mandateve gjatë seancës plenare ku do të kryhej betimi i deputetëve të Kuvendit. Nga 140 deputetë në total, u betuan 138 deputetë, pasi 2 të zgjedhurit Tom Doshi dhe Sabina Jorgo, njoftuan se kanë hequr dorë nga mandati./ZËRI