Qeveria amerikane ka sekuestruar më shumë se 14 miliardë dollarë në bitcoin dhe ka akuzuar themeluesin e një perandorie biznesi kamboxhiane, Prince Group, për organizimin e një mashtrimi masiv me kriptomonedha.
Shtetasi britanik dhe kamboxhian Chen Zhi u akuzua në Nju Jork për përfshirje në një komplot mashtrimi me telekomunikacion dhe drejtimin e një skeme pastrimi parash.
Bizneset e Chen u sanksionuan gjithashtu nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar si pjesë e një operacioni të përbashkët.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thotë se ka ngrirë asetet në pronësi të rrjetit të tij, duke përfshirë 19 prona në Londër – njëra prej të cilave vlen gati 133 milionë dollarë.
Prokurorët amerikanë thanë se ky ishte një nga sulmet më të mëdha financiare në histori dhe sekuestrimi më i madh i bitcoin-it ndonjëherë.
Chen, i cili mbetet i lirë, akuzohet se është truri pas një “perandorie mashtrimi kibernetik” që vepron nën kompaninë e tij shumëkombëshe, Prince Group, tha Departamenti i Drejtësisë i SHBA-s.
Uebsajti i grupit me seli në Kamboxhia thotë se bizneset e tij përfshijnë zhvillimin e pronave, si dhe shërbimet financiare dhe të konsumatorit. Por Departamenti i Drejtësisë pretendon se ai drejton një nga organizatat më të mëdha kriminale transnacionale të Azisë.
Viktimat u kontaktuan në internet dhe u bindën të transferonin kriptomonedha bazuar në premtime të rreme se fondet do të investoheshin dhe do të gjeneronin fitime, tha Departamenti i Drejtësisë.
Prokurorët pretenduan se kompania, nën drejtimin e z. Chen, ndërtoi dhe operoi të paktën dhjetë komplekse mashtruese në të gjithë Kamboxhian.
Tag: departamenti
-

SHBA dhe Britania zbulojnë skemën më të madhe të mashtrimit me kriptomonedha
-

Trump ritarifon makaronat italiane, nga 15%, pritet t’i shtohet 91.74% nga janari, duke e çuar në 107% tarifimin
Bota E Diel, 5 Tetor 2025 14:18
Lufta e tarifimeve e nisur nga presidenti amerikan Donald Trump ka përfshirë edhe sektorin e prodhimit të makaronave italiane, aq të preferuara nga të gjithë, shkruan corriere.it.
Tarifës aktuale prej 15% që SHBA aplikon mbi to, pritet t’i shtohet një tjetër prej 91.74% duke filluar nga janari, duke e çuar tarifimin e tyre në gati 107%.Kjo rritje është rezultat i një hetimi nga Departamenti i Tregtisë i SHBA-së, metodologjia e të cilit ngre shqetësime të konsiderueshme midis prodhuesve italianë dhe personave të brendshëm të industrisë.
Çdo vit, Departamenti i Tregtisë i SHBA-së kryen një audit të importeve të makaronave nga Italia me kërkesë të të ashtuquajturve ”peticionerë” (ankues).
Në këtë rast, auditimi fillon me raportet nga kompanitë konkurruese amerikane, shumë prej të cilave kontrollohen nga grupet italiane.
Për të kryer auditimin, departamenti zgjedh vetëm dy kompani (të anketuar të detyrueshëm) për t’iu nënshtruar një shqyrtimi gjithëpërfshirës të të dhënave të tyre të shitjeve dhe kostos. Në këtë rast, u ekzaminuan markat ”La Molisana” dhe ”Garofalo”.
“Ne kemi përcaktuar paraprakisht se për periudhën nga 1 korriku 2023 deri më 30 qershor 2024, ekzistojnë marzhet mesatare të ponderuara të dampingut si më poshtë: La Molisana Spa 91.74%, Pastificio Lucio Garofalo Spa 91.74% dhe kompanitë që nuk janë shqyrtuar individualisht 91.74%”, shkruan dokumenti i publikuar nga Departamenti i Tregtisë.
Në thelb, administrata amerikane akuzon dy kompanitë në fjalë për ”damping”( eksportimi i mallrave me çmime shumë më të ulëta se ato të praktikuara në tregun vendas ose në një treg tjetër). -

“Alfabetizime dhe kundrime të reja në albanologji” mbledh studiuesit në tryezë shkencore
Tryeza shkencore “Alfabetizime dhe kundrime të reja në albanologji” solli prezantime të kumtesave të studiuesve, që ishin pjesë e saj. Në ambientet e Bibliotekës së Institutit të Arkeologjisë (ASHSH), Departamenti i Leksikologjisë, Terminologjisë dhe Gjuhësisë së Zbatuar organizoi tryezën shkencore që u hap nga përgjegjësi i departamentit, z. Artur Lama. Në parashtresën e tij me titull “Udhëhapjet e alfabetizimeve të reja si nxitje për më shumë studime bashkëkohore”, Lama argumentoi se alfabetizimet e reja dhe gjuhësia përfaqësojnë një ndërthurje të rëndësishme mes zhvillimeve teknologjike, sociale dhe teorike në mënyrën si kuptojmë, mësojmë dhe përdorim gjuhën sot.
Ndryshe nga alfabetizimi tradicional, që përqendrohet në aftësinë për të lexuar dhe shkruar, alfabetizimet e reja zgjerojnë pikëvështrimin dhe mundësojnë forma të ndryshme komunikimi, si dhe një larushi kompetencash gjuhësore të lidhura me kontekstin digjital, mediatik, vizual dhe kritik. PhD (kandidate) Rafaela Marteta kumtoi me temën “Perspektiva plurale e ligjërimeve: nga gjuha në alfabetizimet e reja”. Prof. dr. Tomorr Plangarica paraqiti kumtesën “Bashkëpunimi mes studiuesve dhe institucioneve shkencore në vendet e Europës Juglindore – premisë për institucionalizimin konjitiv, intelektual dhe social më të shpejtë të dijeve dhe disiplinave shkencore”.
Ndër të tjera Prof. Plangarica theksoi nevojën për krijimin e një departamenti të veçantë në IGJL, të titulluar “Departamenti i Historisë së Gjuhës Shqipe dhe Ballkanistikës”, si një hap strategjik për zhvillimin e studimeve rajonale. Në vijim prof. as. dr. Evalda Paci prezantoi kumtesën “Çështje të njohjes së elementeve përfaqësuese në veprat e letërsisë së vjetër shqipe”, paraqitur në gjuhën frënge në Kongresin XIII të AIESEE-së. Prof. as. dr. Aristotel Spiro kumtoi me temën “Brengat filologjike të motrës së Kostandinit të vdekur në udhëtimin e saj përmes tri gjuhëve -Kënga e Garentinës”. Në vijim prezantuan kumtesat dhe dr. Valbona Sinanaj, akad. prof. dr. Valter Memisha e prof. dr. Artur Lama. Sipas ASH tryeza u mbyll me diskutime dhe propozime për krijimin e njësive të reja shkencore, në kuadër të reformimit dhe perspektivës së Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë për vitet në vijim. -

Trump kërkon arrestimin e ish-drejtorit të FBI, të gjithë kundërshtarët po vihen nën hetim
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, në lidhje me dëshminë e tij para Kongresit amerikan.
Comey – i cili për kohë të gjatë ka qenë në shënjestër të kritikave të presidentit amerikan Donald Trump – akuzohet se ka gënjyer para Kongresit gjatë dëshmisë së tij në shtator të vitit 2020, lidhur me pyetjen nëse kishte autorizuar rrjedhjen e të dhënave të klasifikuar në media.Duke reaguar ndaj aktakuzës, Comey tha se ndihet i pafajshëm dhe se “kam besim të madh në sistemin gjyqësor federal”.
Avokati i tij, Patrick J. Fitzgerald, tha në një deklaratë: “Jim Comey i mohon plotësisht akuzat e ngritura sot. Ne mezi presim ta shpallim të pafajshëm në gjykatë”.
Nëse shpallet fajtor, Comey mund të dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Ai akuzohet për dhënie të dëshmisë së rrejshme dhe për pengimin e një hetimi nga Kongresi.
Aktakuza u ngrit disa ditë pasi Trump i bëri thirrje kryeprokurores së vendit, Pam Bondi, që t’i hetojë në mënyrë më të ashpër kundërshtarët e tij politikë, përfshirë Comeyn.
Trumpi i kishte kërcënuar me burgosje rivalët e tij politikë qysh kur kishte garuar për president në vitin 2015, por aktakuza e së enjtes nënkupton se kjo është hera e parë që administrata e tij ka arritur ta sigurojë një aktakuzë nga një juri e madhe kundër njërit prej tyre.
Departamenti i Drejtësisë i Trumpit po heton gjithashtu kundërshtarë të tjerë, përfshirë prokuroren e përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, dhe John Boltonin, i cili shërbeu si zyrtar i sigurisë kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit.
Trump, i cili i ka bërë trysni prokurores së përgjithshme Bondi për t’i ndjekur penalisht Comeyn dhe kritikë të tjerë, e festoi lajmin.
“Drejtësi në Amerikë!” shkroi ai në rrjetet sociale. “Ai ka qenë shumë i dëmshëm për vendin tonë, për kohë kaq të gjatë”.
Trumpi e shkarkoi Comeyn në vitin 2017, në fillim të mandatit të tij të parë. Që atëherë, ai e ka kritikuar rregullisht Comeyn për mënyrën se si e kishte udhëhequr hetimin nga FBI-ja që dokumentoi kontaktet mes rusëve dhe fushatës së Trumpit në vitin 2016.
Qëkurse Trumpi u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, Departamenti i Drejtësisë ka shqyrtuar dëshminë e Comeyt të vitit 2020, kur ai iu përgjigj kritikave republikane mbi hetimin për Rusinë dhe mohoi se kishte autorizuar publikimin e informacioneve të klasifikuara në media.
Sipas aktakuzës, Comey e mashtroi Kongresin duke deklaruar se nuk kishte autorizuar askënd tjetër të ishte burim anonim në raportimet e mediave për një hetim të FBI-së./radio “Europa e Lirë”/ -

Trump përshkallëzon hakmarrjen politike/ Paditet ish-drejtori i FBI-së James Comey, rrezikon 5 vjet burg
Departamenti i Drejtësisë ngriti të enjten një padi ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, James Comey, për dy akuza që lidhen me dëshminë e tij para Kongresit.
Comey, i cili prej kohësh është kritikuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, akuzohet se ka gënjyer Kongresin gjatë dëshmisë së tij në shtator 2020 lidhur me faktin nëse ai kishte autorizuar rrjedhjen e informacionit të klasifikuar në media..
Duke iu përgjigjur aktakuzës, zoti Comey e deklaroi veten të pafajshëm dhe tha se kishte besim te drejtësia.
“Nuk kam frikë. Jam i pafajshëm. Kam besim në sistemin federal të drejtësisë”.
Padia vjen disa ditë pasi Trump i bëri thirrje zyrtarit më të lartë të zbatimit të ligjit në vend, Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi, që të hetojë më agresivisht kundërshtarët e tij politikë, përfshirë zotin Comey.
Trump kërkoi ta ndiqte penalisht dhe të shkarkonte prokurorin që rezistoi të ngrinte akuza kundër armiqve politikë të presidentit.
Presidenti ka ndërmarrë hapa të shpejtë dhe drastikë për të hequr çdo pengesë brenda qeverisë, për të zbatuar besnikërinë, për të ndëshkuar armiqtë e tij dhe për të shuar mundësinë e mospajtimit publik që mund të lindë nga lëvizjet e tij.
Comey është akuzuar për deklarata të rreme dhe pengim të një procedure kongresionale, dhe mund të përballet me deri në pesë vite burg nëse shpallet fajtor, tha Departamenti i Drejtësisë në një deklaratë.
-

Departamenti Amerikan i Shtetit: Albin Kurti shkeli vijën e kuqe!
Një zyrtar i lartë amerikan nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Çështje Europiane është shprehur, se për SHBA ishte tejet shqetësuese përpjekja konkrete e Kurtit për t’i pamundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Zyrtari i lartë u shpreh se “ka një varg veprimesh të autoriteteve kosovare lidhur me veriun e Kosovës që mendojmë se ishin destabilizuese dhe për të cilat SHBA-të kanë ngritur shqetësime”.
“Gjëja e vetme që do ta theksoja veçanërisht, që për ne ishte më shqetësuese, ishin përpjekjet konkrete për t’ua pamundësuar qytetarëve të Kosovës, dhe në këtë rast serbëve të Kosovës, që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, si në kuptimin e gjerë ashtu edhe në pozitat udhëheqëse në institucione”.
Ky ishte shkaku, sipas zyrtarit të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, gjatë një bisede me të përditshmen kosovare Koha, që SHBA mori vendimin për pezullim të dialogut të planifikuar strategjik.
Sipas SHBA-ve u shkel “vija e kuqe”, sidomos me “përpjekjen për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje”. Ndaj qeverisë së Kosovës u ndërmorën veprime edhe nga BE. Për shkak të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara në veri, Bashkimi Evropian në vitin 2023 i ka vënë Kosovës disa sanksione.
SHBA-të nuk tërhiqen nga KFOR
Ndërprerja e dialogut strategjik nuk ka pasoja për angazhimin amerikan në KFOR. Nga Departamenti Amerikan u konfirmua se prania amerikane në KFOR është thelbësore për interesat amerikane për paqe e stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Por nuk janë përjashtuar zgjerim masash në fusha të tjera, nëse qeveria në detyrë apo një qeveri e ardhshme vazhdon me veprime të njëjta si deri tani.
Kurti: Marrëdhëniet me SHBA nuk janë prishur
Pas ndërprerjes së dialogut strategjik me Kosovën, kryeministri në detyrë Albin Kurti e pranoi se qeveria e tij në detyrë ka “disa” dallime në qëndrime me Shtetet e Bashkuara, por nguli këmbë se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë prishur. Sipas Kurtit, “dallimet mes tij dhe Shteteve të Bashkuara shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë”.
Zyrtari amerikan ka theksuar se “strukturat paralele të Serbisë duhet të integrohen brenda institucioneve të Kosovës, porse kjo duhet të bëhet në atë mënyrë që të sigurohet zgjidhje afatgjatë dhe e qëndrueshme”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, disa ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit u është drejtuar qytetarëve serbë përmes një videomesazhi, ku njoftoi se “gjatë mandatit të ardhshëm” qeveria do të punojë për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë në një sistem të vetëm, duke bashkuar përvojat dhe forcat me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, vendet e QUINT-it dhe KFOR-in.
Lista Serbe, që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, reagoi ndaj këtyre deklaratave të Kurtit, duke theksuar se “integrimi i arsimit dhe shëndetësisë në sistemin kosovar nuk është pjesë e ndonjë marrëveshjeje”, dhe e ka cilësuar këtë si “kërcënim për komunitetin serb”.
Marrë nga Deutsche Welle -

Fund i turpshëm i Kim dhe mashtrimi për nderime nga mediat e Ramës: Ceremonia e largimit u bë nga një OJQ private
Ish-ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë në vitet 2019-2023 është përzënë nga Departamenti i Shtetit si diplomate e shërbimit të jashtëm. Yuri Kim, e njohur si diplomatja që nuk luajti rolin e saj në Shqipëri, por të një ministreje të Edi Ramës ka pranuar “ofertën” e daljes në pension 53 vjeç në të kundërt do t’i nënshtrohej një hetimi të thelluar nga administrata e Trump, përfundimi i të cilit merret me mend.
E ndërsa ajo “flaket” nga DASH si një shërbëtore e Sorosit dhe jo diplomate e SHBA-ve, mediat e rilindjes në Tiranë janë munduar të spinojnë lajmin si përcjellje me nderime të saj nga DASH.
Yuri Kim e ka njoftuar vendimin se zgjodhi të ikë me turp nga shërbimi dhe t’i shpëtojë hetimit përmes një ceremonie me miq e shokë të saj, ku mes tyre spikatnin ish-kolegu i saj Arvizu, Ervin Bushati, disa gazetarë dhe familjarë të saj.
Ceremonia e pensionimit të Yuri Kim nuk është organizuar nga Departamenti i Shtetit, siç është tradita për diplomatët që e mbyllin me nder (“with honor”) karrierën, ku u dorëzohet edhe flamuri amerikan, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për shërbimin ndaj vendit. Kjo ceremoni është simboli më i lartë i respektit të shtetit amerikan për diplomatët e tij, dhe mungesa e saj flet shumë.
Në të gjitha mediat e sponsorizuara nga Edi Rama në Tiranë është treguaj një kujdes, trashanik për stilin gazetaresk, për ta dhënë lajmin me pompozitet kinse Yuri Kim doli në pension me të gjitha nderimet nga Departamenti i Shtetit dhe u përcoll me nderime. Gjë që nuk është aspak e vërtetë.
Ceremonia e përcjelljes në pension të ish-ambasadores amerikane tejet të përfolur në Tiranë, është zhvilluar nga DACOR, një OJQ ish-diplomatësh të shërbimit konsullor të SHBA. DACOR në kontekstin që lidhet me Departamentin e Shtetit të SHBA-së nuk është një akronim i përdorur nga vetë Departamenti, por i referohet organizatës DACOR, Inc. që do të thotë “Diplomatic and Consular Officers, Retired”.
Pra, është një organizatë joqeveritare që bashkon ish-diplomatë dhe ish-punonjës konsullorë të SHBA-së, pasi dalin në pension. Shtëpia e tyre (DACOR Bacon House) është një vend historik në Washington DC që përdoret për takime, diskutime, aktivitetet kulturore dhe edukative lidhur me punë diplomatike. Pikërisht kjo e bën të qartë se ceremonia e Kim nuk ka qenë zyrtare dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me traditën e nderimeve të Departamentit të Shtetit.
Mospërcjellja nga Departamenti i Shtetit me nderimet që i takojnë një diplomati, e për më tepër një ambasadori, flet shumë për reputacionin e Yuri Kim në shërbimin e jashtëm të SHBA. Ambasadorë të tjerë amerikanë që kanë punuar në Shqipëri, por edhe në vende të rajonit janë përcjellë zyrtarisht me nderime dhe flamur, ndërsa në rastin e Kim kjo mungesë është një mesazh i qartë.
Duket se mosprofesionalizmi si asnjë ambasador USA më parë, dhe ekspozimi dhe përfshirja e saj në politikën e ditës në krah të qeverisë në Shqipëri, kanë shtuar “faturën” e Kim, aq sa ta largojnë nga puna me “zero” vlerësim e falënderim.
Yuri Kim nuk është ambasadori i parë amerikan që largohet në këtë mënyrë nga Departamenti i Shtetit, pas shërbimit në Shqipëri. Kolegu i saj Aleksandër Arvizu, i vetmi prezent në ceremoninë e Kim, gjithashtu u ankua se e përcollën nga zyrat e Departamentit të Shtetit pa ceremoni e vlerësim mirënjohjeje. Rasti i përsëritur tregon se Shqipëria është kthyer në një “njollë” për CV-në diplomatike të ambasadorëve amerikanë.
Të dy mbahen mend për sjellje dhe veprime apo thënie kontraverse, të palejueshme për një diplomat. Arvizu, kur krahasoi fitoren e Edi Ramës në 2013 me fitoren e demokracisë në vitin 1992, apo tek pozonte me shall pionieri në qafë në ceremonitë e PS. Ndërsa Yuri Kim për shprehjen fyese drejtuar shqiptarëve se nëse përkrahin Sali Berishën, do të hanin bar.
Po si përcillet një ambasador që pensionohet vërtetë “me nderime” – pratika dhe protokolli
1. Çmimet dhe dekorimet zyrtare Departamenti i Shtetit shpesh i jep një diplomat në pension çmime ose dekorata që nderojnë shërbimin e tij/saj. Për shembull, punonjësit që dalin në pension mund të marrin “The Secretary’s Career Achievement Award” ose “The Department of State Career Flag Award”.
2. Flamuri amerikan dhe prezentimi i tij Një praktikë që përdoret shpesh është që flamuri amerikan (apo një flamur që është valëvitur në Departamentin e Shtetit) t’i dorëzohet diplomatit që largohet, shpesh në një kuti transparente (“lucite display case”). Kjo simbolizon mirënjohjen zyrtare për shërbimin e diplomatit/es ndaj SHBA.
3. Certifikata ose dokumente me mirënjohje Diplomati që largohet shpesh merr një certifikatë ose një dokument falënderimi, të firmosur nga zyrtarë të lartë (p.sh. nga Drejtorë të Departamentit të Shtetit, ose Sekretari i Shtetit). Këto dokumente shpesh përmbajnë citate që përmbledhin arritjet dhe shërbimin e personit.
4. Ceremoni ose pritje zyrtare Shpesh, ceremonia është zyrtare — në selinë e Departamentit të Shtetit ose ambasadës — me fjalime, prani të zyrtarëve të lartë, ndonjëherë edhe mediat zyrtare amerikane. Flamuri dhe dekoratat jepen në këtë ambient, pa dyshim me solemnitetin që i takon një diplomati që largohet me nder.
5. Publikimi zyrtar dhe njohja ndërkombëtare Këto ceremoni shpesh dokumentohen zyrtarisht — në faqet e Departamentit të Shtetit, media amerikane, ose profile diplomatike. Kjo shërben si referencë publike që i jep “besueshmëri” mirënjohjes.Krahasim me rastin e Yuri Kim
* Në rastin e saj, nuk ka asnjë organizim nga Departamenti i Shtetit me ceremoninë e dorëzimit të flamurit amerikan ose të jetë lëshuar dokument ose dekorata zyrtare në emër të saj.
* Aktiviteti ishte organizuar nga DACOR (organizatë private për ish-diplomatë), që nuk është praktikë zyrtare qeveritare e Departamentit të Shtetit.
* Mungon elementi i ceremonisë zyrtare me prani të zyrtarëve të Shtetit dhe njoftimi publik zyrtar që dokumenton mirënjohjen institucionale. -

“SHBA paralajmëron aplikantët për vizë: Respektoni rregullat, ndryshe rrezikoni refuzimin”
Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë me dije se të gjithë aplikantët për vizë jo-imigruese duhet të caktojnë takimin për intervistën e vizës vetëm në ambasadën ose konsullatën amerikane në vendin e tyre të shtetësisë ose të banimit.
Në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale, autoritetet amerikane theksojnë se aplikantët që zgjedhin të paraqesin kërkesën në vende të tjera mund të hasin vështirësi shtesë gjatë procesit të kualifikimit për vizë.
Gjithashtu, Departamenti njofton se tarifat e paguara për aplikimet e bëra jashtë vendit nuk do të kthehen, duke këshilluar aplikantët që të ndjekin procedurat zyrtare për të shmangur vonesa apo refuzime.
Ky paralajmërim vjen për të garantuar që procesi i aplikimit të jetë sa më i rregullt dhe i suksesshëm. -

Trump kërcënon qytetet demokrate me ndërhyrje ushtarake: Garda Kombëtare drejt Memfisit, “Departamenti i Luftës” drejt Çikagos
Donald Trump njoftoi sot se do të vendosë njësi të Gardës Kombëtare në Memfis, Tenesi (në jug të SHBA-së), si pjesë e fushatës së tij kundër krimit që, sipas tij, ka prekur qytetet kryesore të vendit të drejtuara nga demokratët.
“Do të shkojmë në Memfis. Memfisi ka shumë probleme. Kryetari i bashkisë është i lumtur, ai është një kryetar bashkie demokrat (…). Do ta trajtojmë këtë siç bëmë në Uashington”, deklaroi presidenti amerikan gjatë një interviste për Fox News, duke iu referuar vendosjes së ushtarëve dhe oficerëve të policisë federale në kryeqytet muajin e kaluar.
Në fund të javës së kaluar, Trump kishte kërcënuar edhe qytetin e Çikagos me ndërhyrje ushtarake, duke përmendur emrin e ri që, sipas tij, i është dhënë Pentagonit — “Departamenti i Luftës”.
“Më pëlqen aroma e deportimeve në mëngjes. Çikago do ta kuptojë pse e quajmë Departamenti i Luftës”, shkroi Trump në një postim në platformën Truth Social, ku ka paralajmëruar prej ditësh dërgimin e trupave federale për të “sulmuar krimin”.
Postimi shoqërohej me një imazh të krijuar nga inteligjenca artificiale, ku Trump shfaqej me uniformë ushtarake, përballë një sfondi me zjarre dhe një helikopter që fluturonte në qiellin portokalli të Çikagos. Mbi foto ishte vendosur mbishkrimi “Apokalipsi Tani” — një referencë e drejtpërdrejtë ndaj filmit të famshëm të Francis Ford Coppola-s për Luftën e Vietnamit, me një parodi të frazës së njohur të Robert Duvall: “Më pëlqen aroma e deportimeve në mëngjes”.
Guvernatori i Illinois-it, shtetit ku ndodhet Çikago, nuk e konsideroi postimin si një shaka. “Kjo nuk është qesharake. Presidenti i Shteteve të Bashkuara po kërcënon t’i shpallë luftë një qyteti amerikan. Illinois nuk do të frikësohet nga një diktator i mundshëm”, reagoi demokrati J.B. Pritzker në një postim në platformën X.
Paralajmërime edhe për qytete të tjera
Përpara kësaj, presidenti kishte deklaruar se mund të dërgonte ushtrinë edhe në qytetin e New Orleans.
“Bllokim” për vendimin e Trump në Kaliforni
Megjithatë, në fillim të këtij muaji, një gjyqtar federal vendosi të bllokojë vendosjen e Gardës Kombëtare në Kaliforni, me qëllim luftimin e krimit. Urdhri u lëshua nga gjyqtari i distriktit amerikan Charles Breyer, me seli në San Francisko, dhe lidhet me Distriktin Verior të Kalifornisë. Në qershor, Trump kishte urdhëruar vendosjen e 4,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsave në detyrë aktive në Los Angeles, pas protestave që shpërthyen në përgjigje të bastisjeve masive për arrestimin e emigrantëve në qytetin e dytë më të madh në SHBA.
Ky vendim — ashtu si edhe deklaratat e tjera të Trump për krimin dhe përfshirjen e ushtrisë — shkaktoi tensione në qytet dhe u kritikua nga demokratët, të cilët pretendojnë se presidenti po përdor ushtrinë për të shtypur kundërshtimin ndaj politikave të tij të ashpra të imigracionit.Top Channel
