Tag: dënua

  • Ja sa u dënua secili prej të akuzuarve/ GJKKO jep vendimin për grupin e Habilajt

    Ja sa u dënua secili prej të akuzuarve/ GJKKO jep vendimin për grupin e Habilajt

    Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka dhënë vendimin për çështjen ndaj Florian Habilajt, Armando Sulajt, Sabaudin Çelajt dhe Tigrens Mëzurajt, të akuzuar për trafikim narkotikësh dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal. Procesi është zhvilluar me gjykim të shkurtuar, ndërsa vendimi është shpallur nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Esmeralda Xhili, Arbana Selmanaj dhe Migena Laska.
    Sipas vendimit nr. 79, datë 5 dhjetor 2025, GjKKO ka deklaruar fajtor Florian Habilajn për disa episode të trafikimit të narkotikëve, përfshirë një rast të mbetur në tentativë, si dhe për krijim të grupit të strukturuar kriminal. Pasi u bashkuan dënimet në një të vetëm prej 15 vitesh burg dhe u aplikua ulja me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 10 vite heqje lirie në një burg të sigurisë së lartë.
    Armando Sulaj u dënua fillimisht me 9 vite burg për trafik narkotikësh dhe 2 vite për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Gjykata bashkoi dënimet në një masë prej 9 vitesh, të cilat pas uljes me një të tretën përfunduan në 6 vite burg. Edhe ai do ta kryejë dënimin në një institucion të sigurisë së lartë.
    Sabaudin Çelaj u shpall fajtor për trafikim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe u dënua me 15 vite burg, si dhe me 3 vite të tjera për grup të strukturuar kriminal. Pas bashkimit të dënimeve dhe përfitimit të uljes 1/3 nga procedura e shkurtuar, ai do të vuajë gjithashtu 10 vite burg.

    Ndërkohë, Tigrens Mëzuraj u dënua me 8 vite burg për trafikim narkotikësh dhe me 2 vite për grup të strukturuar kriminal. Dënimet u bashkuan në një masë prej 9 vitesh, të cilat, pas uljes për procedurë të shkurtuar, përfunduan në 6 vite heqje lirie që do të kryhen në një burg të sigurisë së lartë.
    GjKKO vendosi që të gjitha shpenzimet procedurale dhe gjyqësore t’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare. Palët kanë të drejtë ankimi në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit.

  • I dënuar për përdhunim në Londër, Britania shqyrton ekstradimin e shtetasit shqiptar të kërkuar nga Kosova për grabitje

    I dënuar për përdhunim në Londër, Britania shqyrton ekstradimin e shtetasit shqiptar të kërkuar nga Kosova për grabitje

    Një shtetas shqiptar që po vuan një dënim me burg në Mbretërinë e Bashkuar për përdhunim është i kërkuar nga autoritetet në Kosovë për një grabitje të armatosur të ndodhur para shtatë vitesh.

    Rinor Korqa, 28 vjeç, u dënua me pesë vjet e gjashtë muaj burg në janar 2024 për rolin e tij në një sulm “grabitqar” ndaj një gruaje në qarkun londinez të Havering. Viktima, e cila ishte ndarë nga shoqet gjatë një nate jashtë, tregoi se u përdhunua nga një burrë, ndërsa një bashkëpunëtor filmoi ngjarjen me telefonin e tij.

    Tani Korqa përballet me ekstradimin në Kosovë, ku kërkohet të dalë para gjykatës për grabitjen e supozuar të kryer në rajonin e Prishtinës më 22 dhjetor 2017. Ministrja britanike e Brendshme, Shabana Mahmood, pritet të marrë vendimin përfundimtar, pasi kërkesa ka qenë në shqyrtim në gjykatat britanike prej shtatë muajsh.

    Sipas akuzave, Korqa ka hyrë në banesën e familjes Jashari në fshatin Havjali dhe ka vjedhur një portofol me 1,500 euro, 50 dollarë, një dokument identifikimi, një monedhë ari dhe një telefon. Thuhet se ai ka pasur me vete një armë zjarri ose një armë imituese. Ai u arrestua në Mbretërinë e Bashkuar mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga Kosova për vepra të dyshuara sipas Aktit të Vjedhjes 1968 dhe Seksionit 72 të Aktit të Ekstradimit 2003.

    Kosova, e cila ka një marrëveshje “tipi B” me Mbretërinë e Bashkuar, duhet të paraqesë prova “prima facie” për mbështetjen e kërkesave të saj për ekstradim. Kërkesat e tilla shqyrtohen fillimisht nga gjykatat, ndërsa vendimi përfundimtar merret nga Sekretari i Shtetit.

    Korqa, nga Romfordi në Lindje të Londrës, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Bujar Jashari nga Southend, u dënuan më 24 janar të vitit të kaluar nga Gjykata e Kurorës në Snaresbrook, pasi u shpallën fajtorë dy ditë më parë. Korqa u dënua me pesë vjet e gjashtë muaj burg për përdhunim dhe për mosdhënie të kodit PIN të telefonit të tij, ndërsa Jashari, 36 vjeç, u dënua me shtatë vjet burg për përdhunim.

    Sulmi ndodhi më 25 qershor 2023 në qendër të Hornchurch, kur viktima u afrua nga dy burra në një bar, ku ajo ndodhej vetëm pasi ishte ndarë nga shoqet. Ajo u dërgua me makinë dhe u përdhunua nga njëri prej tyre, ndërsa tjetri e filmoi ngjarjen. Stafi i lokalit bashkëpunoi me policinë, ndërsa punonjës të një bari tjetër thanë se të dyshuarit ishin parë duke iu afruar disa grave përpara se të largoheshin me viktimën.

    Detektivi Charlie Yexley, nga departamenti hetimor i Havering-ut, deklaroi pas shpalljes së dënimeve: “Ky ishte një hetim kompleks ndaj dy sulmuesve grabitqarë, të cilët me shumë gjasa do të vazhdonin të kryenin vepra të tilla po të mos ishte për guximin e viktimës që denoncoi ngjarjen. Ne i marrim shumë seriozisht akuzat e këtij lloji dhe shpresoj që ky rast t’i inkurajojë edhe viktimat e tjera të përdhunimit dhe sulmeve seksuale të dalin përpara, të paktën që të sigurohemi se janë mirë dhe të mbështetura.”

    Bujar Jashari u dënua me shtatë vjet burg për përdhunimin e një gruaje që kishte dalë për një natë në lindje të Londrës

  • Gazetarja Nika Novak zhduket nga burgu në Siberi

    Gazetarja Nika Novak zhduket nga burgu në Siberi

    Nika Novak

    SIBERI-Ish-bashkëpunëtorja e Radios Evropa e Lirë, Nika Novak – e cila u dënua me burgim vitin e kaluar nga një gjykatë ruse për shkak të ushtrimit të detyrës së saj profesionale – është zhdukur nga një qendër korrektuese në Siberi, tha avokatja e saj të hënën.
    Julia Kuznetsova tha në një postim në rrjetet sociale se duket se Novak po transferohej nga Kolonia Penale Nr. 11 në fshatin Bozoj, në rajonin Irkutsk, megjithëse destinacioni i saj mbetet i panjohur.
    “Këtë javë, një koleg avokat u përpoq ta vizitonte Nikën, por iu mohua hyrja”, shkroi Kuznetsova.
    “Ai vuri re zhurmë të madhe dhe një numër të madh të oficerëve të Komitetit Hetimor në burg. Stafi i burgut nuk po shpjegon saktësisht se çfarë ka ndodhur”, shtoi ajo.
    Kuznetsova tha se më 30 nëntor ajo telefonoi burgun për ta pyetur për Nikën, por kërkesa nuk iu pranua dhe iu kërkua të paraqiste një kërkesë zyrtare, gjë që ajo më pas e bëri.
    Novak u dënua me katër vjet burgim pas një gjyqi me dyer të mbyllura për “bashkëpunim konfidencial me një shtet të huaj, organizatë ndërkombëtare ose të huaj”, një dënim që ajo dhe organizatat për të drejtat e njeriut e konsiderojnë të padrejtë. Ajo u transferua në Koloninë Penale Nr. 11 më 1 mars, ku u ankua për kushte të ngjashme me torturën, para se të hynte në grevë urie.
    Ajo tha se u vendos në izolim pasi refuzoi t’i japë intervista mediave ku duhej të pretendonte se “gjithçka është në rregull në koloninë penale dhe të burgosurit janë të lumtur” dhe për refuzimin për të punuar si rrobaqepëse.
    Presidenti i Radio Evropa e Lirë, Steve Capus, u ka bërë thirrje autoriteteve ruse ta lirojnë atë, duke thënë se dënimi i saj me akuza “politikisht të motivuara synon të heshtë dhe frikësojë gazetarët individualë”.
    Para arrestimit, Novak kishte punuar për ChitaMedia dhe kishte qenë kryeredaktore e faqes Zab.ru. Ajo kontribuoi në programet e Siberia.Realities të REL-it në vitin 2022.
    Rasti i 33-vjeçares shënoi herën e parë që një gazetar u dënua nën nenin 275.1, një vepër që u fut në ligj vetëm në vitin 2022, muajt pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia./REL

  • Pak ditë në burg, Trump liron drejtorin ekzekutiv të dënuar për mashtrim financiar

    Pak ditë në burg, Trump liron drejtorin ekzekutiv të dënuar për mashtrim financiar

    Bota E Martë, 2 Dhjetor 2025 00:36
    Presidenti amerikan Donald Trump ka zbutur dënimin e ish-menaxherit të investimeve David Gentile, i cili kishte vetëm pak ditë që kishte filluar vuajtjen e një dënimi me shtatë vjet burg për mashtrim. Të dhënat e Byrosë së Burgjeve tregojnë se Gentile u lirua të mërkurën, më pak se dy javë pasi ishte paraqitur në burg.
    Gentile, ish-shefi ekzekutiv dhe themeluesi i GPB Capital, u dënua vitin e kaluar për atë që prokurorët federalë e përshkruan si një skemë shumëvjeçare për të mashtruar më shumë se 10,000 investitorë duke paraqitur në mënyrë të rreme performancën e fondeve private të kapitalit.

    Ai është i fundit në një varg kriminelësh “me jakë të bardhë”, dënimet e të cilëve Trump i ka zbutur. Gentile u dënua në gusht të vitit të kaluar për akuza të mashtrimit me letra me vlerë dhe mashtrimit elektronik, dhe u dënua në maj. I pandehuri tjetër në këtë çështje, Jeffry Schneider, u dënua me gjashtë vjet burg për të njëjtat akuza.

    Prokurori amerikan Joseph Nocella tha në kohën e dënimit të Gentile se GPB Capital ishte ndërtuar mbi një “themel gënjeshtrash” dhe se kompania kishte fituar 1.6 miliardë dollarë (1.2 miliardë paund) duke përdorur kapitalin e investitorëve për të paguar shpërndarjet për investitorët e tjerë. “Dënimet e dhëna sot janë plotësisht të merituara dhe duhet të shërbejnë si një paralajmërim për mashtruesit e mundshëm se përpjekja për t’u pasuruar duke përfituar nga investitorët ju siguron vetëm një biletë njëdrejtimëshe për në burg,” tha ai.

    Megjithatë, Shtëpia e Bardhë thotë se Departamenti i Drejtësisë nën ish-Presidentin Joe Biden bëri gabime të shumta dhe se investitorët ishin në dijeni se paratë e tyre mund të shkonin për dividentët e njerëzve të tjerë. “Edhe pse kjo u ishte bërë e ditur investitorëve, Departamenti i Drejtësisë i Biden-it pretendoi se kjo ishte një skemë Ponzi,” tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se “ky pretendim u minua thellësisht nga fakti se GPB u kishte thënë në mënyrë eksplicite investitorëve se çfarë do të ndodhte.”
    Zyrtari gjithashtu përmendi shqetësimet e Gentile se prokurorët kishin nxjerrë dëshmi të rreme. Zbutja e dënimit të Gentile nga Trump nuk e pastron atë nga krimet e tij, siç do të bënte një falje e plotë presidenciale, dhe nuk heq penalitete të tjera të mundshme të vendosura.
    Deri më tani në mandatin e tij të dytë, presidenti ka falur ose zbutur dënimet e disa personave të dënuar për lloje të ndryshme mashtrimi, përfshirë mashtrimin elektronik, me letra me vlerë, tatimor dhe në kujdesin shëndetësor. Muajin e kaluar, ai fali Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit Tennessee, Glen Casada, i cili ishte dënuar për akuza të mashtrimit, pastrimit të parave dhe komplotit.
    Korrigjim 1 dhjetor 2025: Ky artikull deklaroi gabimisht se Jeffry Schneider “mbetet pas hekurave”. Ai është ndryshuar për ta bërë të qartë se ai ende nuk ka filluar vuajtjen e dënimit të tij me burg.

  • Dënohet grupi i dytë i “Metamorfozës”, 12 vjet burg për ish-shefin e krimeve Dedan Gjoni

    Dënohet grupi i dytë i “Metamorfozës”, 12 vjet burg për ish-shefin e krimeve Dedan Gjoni

    66 vjet burg do duhet të vuajnë anëtarët e dosjes “Metamorfoza”. Fjala është për ish- shefin e krimeve, Dedan Gjoni që u shpall fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe u denua me 12 vjet heqje lirie për sigurim kushtesh për të vrarë, trafik droge dhe shpërdorim detyre.
    Të njëjtin fat patën edhe Besmir Murtati dhe Albert Prenga që bashkëpunuan për të vrarë dy vëllezërit Edmond dhe Arben Nela. Secili prej tyre përfundimisht do të vuajë 8 vjet burg, duke pëfituar nga gjykimi i shkurtuar.
    Motiv për të vrarë dy vëllezërit Nela ka qenë porosia e dhënë nga Ismail Zeneli, që donte të hakmerrej për vrasjen përpara syve të vëllait të tij në Angli.

    Zeneli po ashtu u dënua me 15 vjet heqje lirie për dhënien e urdhërit të ekzekutimit të tyre, por që si përfundim do të qëndrojë në qeli për 10 vjet.
    Bujar Gërmizi u dënua me 9 vite burg edhe për përkrahje të autorit të krimit. Përfundimisht, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ai do të bëjë 6 vite burg . Ndërsa Adrian Cenaj, nga gjashtë vjet u dënua me katër duke iu ulur 1/3 e dënimit.Grupi kriminal u godit pas dekodimit të aplikacionit SKY ECC.
    Gjykata ka ndarë nga ky proces edhe personat e tjerë që janë ende në kërkim, mes tyre djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani, Ervin Mata, Artan Sulejmani dhe Bajram Grabova.

  • Emrat dhe fotot/ Policia angleze u ‘korr’ para kohe 230 rrënjë kanabis 4 shqiptarëve

    Emrat dhe fotot/ Policia angleze u ‘korr’ para kohe 230 rrënjë kanabis 4 shqiptarëve

    Katër shqiptarë janë dënuar me mbi 14 vite burg gjithsej në Angli, pasi policia zbuloi një laborator kanabisi me rreth 230 bimë dhe vlerë rreth 100 mijë paund në Grays.

    Sipas policisë së Essex, së cilës i referohet Top Channel, puna e oficerëve çoi në zbulimin e dy ambienteve të mëdha të kultivimit të kanabisit në zonën Globe Industrial Estate, në Rectory Road, më 3 qershor të këtij viti.
    Në total u gjetën 230 bimë në faza të ndryshme rritjeje, me një peshë rreth 46 kg dhe një vlerë të përllogaritur prej afërsisht 100,000 paund.
    Katër persona u shpallën fajtorë për përfshirje në prodhimin e kanabisit dhe u dënuan si më poshtë:
    Ervin Sadikaj, 34 vjeç, banues në Langley Crescent, Dagenham, u dënua me 4 vite e 8 muaj burg;
    Besjan Mustafaj, 32 vjeç, banues në Booth Road, North Woolwich, u dënua me 4 vite burg;
    Albest Deda, 27 vjeç, banues në Lymington Road, Dagenham, u dënua me 3 vite burg;
    Pashk Gjonaj, 32 vjeç, pa adresë banimi, u dënua gjithashtu me 3 vite burg.
    Dënimet u shpallën në Gjykatën e Kurorës në Basildon, më 31 tetor.
    “Drogat janë një helm për komunitetet tona që u shkatërrojnë jetën njerëzve. Kudo që kanabisi kultivohet dhe shitet ilegalisht, zakonisht pasojnë dhunë dhe shfrytëzim. Tregtia e paligjshme e kanabisit sjell shumë pasoja dhe më të goditurit janë gjithmonë më të pambrojturit në komunitet.
    Informacioni juaj na ndihmon të krijojmë një pamje të qartë të asaj që po ndodh, të avancojmë hetimet dhe të ndërtojmë prova që mund të çojnë në ekzekutimin e urdhër-kontrolleve. Është një kontribut shumë i vlefshëm dhe ne jemi gjithmonë mirënjohës për të”-deklaroi dedektivi Serxhand David Crane.

    Top Channel

  • U dënua me 2 vite e 8 muaj burg, pritet të lirohet ish-deputeti Alqi Bllako, GJKKO: E ka shlyer me paraburgimin

    U dënua me 2 vite e 8 muaj burg, pritet të lirohet ish-deputeti Alqi Bllako, GJKKO: E ka shlyer me paraburgimin

    Ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako pritet të lirohet gjatë mbrëmjes së sotme pasi ka përfunduar dënimin me kohën e qëndrimit në paraburgim. Trupa gjykuese e shpalli Bllakon fajtor për korrupsion pasiv, për një përfitim prej 119 mijë euro, dhe përfitim tjetër prej 7 milion lekësh. 
    Ai u dënua me 4 vite burg, ndërsa në gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 2 vite e 8 muaj burg.  Për dënimin për inceneratorin e Elbasanit ka fituar lirinë me kusht nga gjykata e Durrësit ndërsa për inceneratorin e Fierit masa e sigurisë i është shuar. 
    Në përfundim GJKKO ka urdhëruar shuarjen e masës së sigurisë dhe Bllako pritet të lirohet që sot. Gjithashtu, Bllakos i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite. 

  • U dënua me 5 vite burg, gjykata cakton datën për shqyrtimin e kërkesës për liri nga Sarkozy

    U dënua me 5 vite burg, gjykata cakton datën për shqyrtimin e kërkesës për liri nga Sarkozy

    Më 10 nëntor, Divizioni Penal i Gjykatës së Apelit të Parisit do të dëgjojë kërkesën e Nicolas Sarkozy për lirim nga burgu, brenda afateve të përcaktuara nga gjykata.
    Gjyqtarët do të vendosin nëse ish-presidenti i Republikës Franceze mund të lirohet deri në fillimin e gjyqit të tij, i cili pritet të fillojë para 25 marsit të vitit të ardhshëm.
    Sipas procedurës, avokatët mbrojtës të Nicolas Sarkozy pritet të thirren në nenin 144 të Kodit të Procedurës Penale, duke argumentuar se ish-presidenti nuk përmbush asnjë nga kriteret që justifikojnë vazhdimin e paraburgimit. Ata gjithashtu do të argumentojnë se regjimi i paraburgimit është thelbësisht i ndryshëm nga ai i vuajtjes së dënimit pas një dënimi përfundimtar, edhe nëse është një vendim i shkallës së parë.
    Nëse gjykata pranon kërkesën e tij, gjyqtarët mund të vendosin kushte kufizuese ndaj tij, të tilla si një byzylyk elektronik, kontroll i rreptë gjyqësor ose pagesa e një garancie financiare.
    Masa të ngjashme janë vendosur ndaj të pandehurve të tjerë, siç është në rastin e Wahid Nasser, i cili u dënua me një regjim të ngjashëm të lirimit të përkohshëm nën mbikëqyrje.

  • U dënua me 5 vite burg për shfrytëzim të parave nga qeveria e Gaddafit, gjykata cakton datën për shqyrtimin e kërkesës për liri nga Sarkozy

    U dënua me 5 vite burg për shfrytëzim të parave nga qeveria e Gaddafit, gjykata cakton datën për shqyrtimin e kërkesës për liri nga Sarkozy

    Më 10 nëntor, Divizioni Penal i Gjykatës së Apelit të Parisit do të dëgjojë kërkesën e Nicolas Sarkozy për lirim nga burgu, brenda afateve të përcaktuara nga gjykata.

    Gjyqtarët do të vendosin nëse ish-presidenti i Republikës Franceze mund të lirohet deri në fillimin e gjyqit të tij, i cili pritet të fillojë para 25 marsit të vitit të ardhshëm.
    Sipas procedurës, avokatët mbrojtës të Nicolas Sarkozy pritet të thirren në nenin 144 të Kodit të Procedurës Penale, duke argumentuar se ish-presidenti nuk përmbush asnjë nga kriteret që justifikojnë vazhdimin e paraburgimit. Ata gjithashtu do të argumentojnë se regjimi i paraburgimit është thelbësisht i ndryshëm nga ai i vuajtjes së dënimit pas një dënimi përfundimtar, edhe nëse është një vendim i shkallës së parë.
    Nëse gjykata pranon kërkesën e tij, gjyqtarët mund të vendosin kushte kufizuese ndaj tij, të tilla si një byzylyk elektronik, kontroll i rreptë gjyqësor ose pagesa e një garancie financiare.
    Masa të ngjashme janë vendosur ndaj të pandehurve të tjerë, siç është në rastin e Wahid Nasser, i cili u dënua me një regjim të ngjashëm të lirimit të përkohshëm nën mbikëqyrje.

    Top Channel

  • U dënua pasi përdhunoi një shqiptare, Robinho flet i turpëruar nga burgu

    U dënua pasi përdhunoi një shqiptare, Robinho flet i turpëruar nga burgu

    Ish-ylli i Manchester City dhe Real Madrid, Robinho, ka dhënë intervistën e tij të parë nga burgu, prej kohës filloi dënimin në Brazil për përdhunimin e një shqiptareje në Itali, gjatë kohës kur luante me Milanin. 41-vjeçari, baba i tre fëmijëve, ndodhet në burgun Dr. José Augusto Cesar Salgado në shtetin Sao Paulo që nga 21 marsi 2024, ku po vuan një dënim prej nëntë vitesh.
    Në një video të publikuar nga një organizatë jofitimprurëse që ndihmon në rehabilitimin e të dënuarve, Robinho shfaqet i qetë dhe në formë të mirë fizike. Ai deklaroi se trajtohet si çdo i burgosur tjetër dhe nuk ka asnjë privilegj të veçantë, përcjell A2 CNN.

    “Vaktet dhe oraret e gjumit i kam njësoj si të gjithë të tjerët. Nuk kam marrë kurrë trajtim ndryshe apo ushqim të veçantë. Kur është koha për punë, bëj gjithçka që bëjnë edhe të tjerët. Në fundjavë, kur nuk ka punë, luajmë futboll”.
    Ai shtoi se vizitat e familjarëve bëhen të shtunave ose të dielave dhe se gruaja e tij vjen gjithmonë me fëmijët. “Trajtimi është i njëjtë për të gjithë. Nuk kam pasur kurrë ndonjë privilegj”, theksoi ish-futbollisti.
    Robinho mohoi gjithashtu pretendimet se ai gëzon ndonjë rol drejtues në burg apo vuan nga probleme psikologjike: “Këtu, rojet janë në krye, ne vetëm i bindemi. Nuk jam ndryshe pse kam qenë futbollist. Jam këtu për t’u riedukuar si çdo i dënuar tjetër”.

    Burgut ku ndodhet Robinho i është vënë nofka “Burgu për njerëzit e famshëm”, për shkak të të burgosurve të njohur që ka strehuar ndër vite. Sipas mediave braziliane, futbollisti kishte kërkuar së fundmi transferim në një tjetër qendër paraburgimi, por kërkesa e tij është refuzuar nga gjykata.
    Robinho ndodhet pas hekurave pas vendimit të gjykatës italiane që e shpalli fajtor për përdhunimin e një gruaje shqiptare në Milano në janar 2013, gjatë kohës që luante për Milanin. Ai u dënua bashkë me mikun e tij Ricardo Falco, i cili u burgos tre muaj pas tij për të njëjtin krim. Ndërkohë, një tjetër mik i Robinhos, Rudney Gomes, i përfshirë në rast por që nuk u dënua, u gjet i vdekur në mars të këtij viti në qytetin e Santos, në atë që autoritetet e kanë cilësuar si vetëvrasje.

    Pavarësisht vendimeve të gjykatave italiane e braziliane, Robinho vazhdon të mohojë fajin, duke pretenduar se marrëdhënia me viktimën ishte “konsensuale”.