Tag: demokratike

  • Gjekmarkaj në Rubik: Me daulle e pritën Ramën, por edhe me daulle do të ikë më 11 maj

    Gjekmarkaj në Rubik: Me daulle e pritën Ramën, por edhe me daulle do të ikë më 11 maj

    Drejtuesi politik i PD në qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka prezantuar në Rubik kandidatin e PD  në listën e hapur për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
    Gjekmarkaj tha se Rubiku është lënë pa asnjë investim nga Rilindja! Do i kthehet çdo gjë që i takon, rroga pensione e investime.
    Postimi: 

    Me daulle e priten, me daulle do të ikë!

    Me qytetarë të Rubikut, demokratë dhe mbështetës të Partisë Demokratike
    Sot, në këtë qytet me tradita dhe histori, u mblodhëm të lirë, me bindjen dhe dëshirën për një ndryshim të vërtetë. Mbarë qytetarët dëshmuan se besojnë te Partia Demokratike, te programi e historia e saj dhe te fjala e Sali Berishës, si garancia e fitores dhe e të ardhmes europiane të Shqipërisë. Rubiku është lënë pa asnjë investim nga Rilindja! Do i kthehet çdo gjë që i takon, rroga pensione e investime.
    Në këtë rrugë drejt fitores, kemi një përfaqësues të denjë, një intelektual, njeri të ndershëm dhe punëtor, Aleksandër Lalën. Ai është kandidati që njeh hallet dhe nevojat e Rubikut, që ka një plan të qartë për zhvillimin e qytetit.
    E përsëris, Programi i Partisë Demokratike për Rubikun nuk është thjesht premtim elektoral, por një angazhim i fortë për investime, infrastrukturë moderne, punësim dhe mbështetje për familjet dhe bizneset vendase. Ne besojmë te puna dhe zgjidhjet, jo te propaganda dhe fasadat!
    Ndërkohë, përballë nesh është një pushtet që po përpiqet ta mbajë veten me forcë, me lista dhe me urdhra për të mbushur sallat artificialisht.
    Edi Rama nuk mund të mbledhë as me detyrim atë që ju sot e bëtë me zemër dhe besim! Sot jeni  shume se besoni te fitorja. Ata vijnë me bilbila dhe daulle, por me daulle do ta përcjellë populli i Lezhës dhe i gjithë Shqipërisë më 11 Maj, tek ikin nga sytë e këmbët.
    Dhe kur kryeministri pyet se kë do të votonte Fishta në këtë realitet, përgjigjja është e thjeshtë:  jo ai që thotë “Dokrra hinit”
    Kjo qeveri mund të tundë pasaportën si dajre  ne autobuz sa të dojë, por më 11 Maj do të tundet nga vota e shqiptarëve! 12 vjet Europa na mbajti larg prej kesaj qeverie që na ka zënë rrugën. Pastrimi i rrugës, detyra jonë që do të thotë hyrja në Europë me meritë.
    Rubiku e ka vendosur! Lezha e ka vendosur! Shqipëria e ka vendosur! Më 11 maj, të gjithë bashkë për fitoren e Partisë Demokratike! Rroftë PD! Rroftë Mirdita, rroftë Shqipëria!

  • PD-në e Berishës nuk e fiton dot edhe po dogje rrobat e trupit

    PD-në e Berishës nuk e fiton dot edhe po dogje rrobat e trupit

    Nga Skënder Minxhozi/

    Dashnor Sula është një njeri i dëshpëruar sot. I dëshpëruar dhe i zhgënjyer. Nuk është hera e parë që i ndodh kjo për shkak të partisë ku militon prej kohësh që s’mbahen mend. Ka ushqyer në tre vjetët e fundit një iluzion i cili sot u arshivua bashkë me iluzionet e tjera të humbura në Partinë Demokratike. Ka menduar, si shumë të tjerë, se kësaj rradhe edhe Foltorja ka qenë reale, edhe bashkëjetesa e Spakistëve me anti-Spakistët është e mundshme, ka besuar se Berisha ka ndryshuar (!!!), ka menduar se në vitin e 35 pas rrëzimit të komunizmit partia e tij do të hapej më në fund prej vërteti dhe ai bashkë me të tjerë do të kishin në dispozicion rregulla loje dhe procedura që të ishin më të forta se kryetari. Ka gabuar vetëm në një element: tek personi i kryetarit!

    Iluzioni kolektiv i një PD-je më të fortë, më të hapur dhe më fitimtare se ajo e Lulzim Bashës mori fund sot edhe formalisht me hedhjen në letër të listave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Edhe një herë më tepër, sot u pa sprova e radhës e grushtit të hekurt të Sali Berishës mbi forcën e tij politike. Nuk ka më kongrese nëpër stadiume me votë të hapur, nuk ka më premtime për të zgjedhur gjithkënd dhe gjithçka me votim, me primare dhe me garë të ndershme. Madje këta që fituan primaret janë sot të gjithë të shokuar sesi e kanë parë veten të hedhur në kosh me një laps e një letër në dorën e Doktorit.

    Edhe një herë tjetër, si në vitet ’90, si në vitet e para 2000 por edhe në ato të dytat, as dekada e tretë e këtij mijëvjeçari nuk e ka shëruar dot Partinë Demokratike nga pabesia historike e Sali Berishës.

    Kushdo që kishte shpresa se kjo do të ndryshonte nuk e ka njohur as Berishën dhe as PD e tij. Sepse kjo e sotmja është PD e tij personale. Mjafton të shohësh listën e Tiranës për të kuptuar sesi lënia në listë të hapur e Jorida Tabakut apo Ilir Alimehmetit është një mesazh i fortë për llojin e politikanit që vijon të bëjë përpara në parti.

    Shumëkush e kujton pasionin e Dashnor Sulës në parlament apo studiot televizive. Kujton sesi dogji xhaketën për të dhënë një mesazh proteste, ashtu siç kujton sesi ushqeu për muaj me radhë shpresën romantike të bashkëjetësës mes luajalitetit për Berishën dhe përkrahjes për drejtësinë e re. Sot e tha publikisht se kishte qenë ky iluzion i kotë që e kishte hedhur në rrugën e madhe të politikës. Dash Sula foli edhe për ata që heshtën!

    Sali Berisha bëri gjënë më të lexueshme në këto zgjedhje. Përkundër Ramës, i cili ka hedhur në fushën e votave emra me peshë për të tërhequr sa më shumë vota, ai zgjodhi të mbajë pranë vetes vathën e besnikëve dhe të kompromentojë rezultatin final duke lënë në listat e hapura emra më të dobët që nuk e zmadhojnë thesin e votave.

    Ky akumulim emrash në kokën e listave nëpër qarqe dëshmon hapur dhe açik frikën që ka në elitën e sotme të Partisë Demokratike në lidhje me shanset reale për fitore në 11 maj. Duke u bërë grumbull në zonën e sigurt të votave, lidershipi politik i partisë në Veri dhe në Jug tregon se e ka të qartë pamundësinë objektive për të kapur masën kritike që duhet për të çuar në opozitë Ramën dhe socialistët. Lista e 11 majit e opozitës PD-PL-PR etjetj, është një pranim humbjeje ende pa u prerë shiriti i fushatës zgjedhore.