Albert Malaj, kryebashkiaku demokrat i Memaliajt, ndër më të aftët kryebashkiakë në Shqipëri, ka përcjellë trishtimin e tij për mbylljen e Burgut të Bençës nga qeveria.
Ai rendit pasojat ekonomike dhe sociale që do të ketë e gjithë zona nga ky akt, ku vërtet ngjan i pajustifikuar dhe i palogjikë kalimi i tij në Vlorë.
“Banorët e Bashkisë Memaliaj dhe Tepelenë, çdo ditë po e gjejnë veten më larg shërbimeve dhe institucioneve të domosdoshme.
Pas mbylljes së Hipotekës disa muaj më parë, sot vjen një tjetër goditje për zonën tonë: mbyllja e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Bënçë.
Një vendim i paargumentuar, i pashoqëruar me analiza sociale dhe ekonomike, dhe që rëndon akoma më shumë në një komunitet që ka vite që vuan mungesën e shërbimeve shtetërore.
Pasojat janë të rënda dhe të menjëhershme:
Rreth 100 punonjës policie dhe staf civil mbeten të papunë, duke thelluar braktisjen e zonës.
Familjarët e të dënuarve do të detyrohen të udhëtojnë larg, me kosto dhe vështirësi të shtuara.
Institucioni duhej të ishte restauruar dhe modernizuar, duke ruajtur vendet e punës, jo të mbyllej. Infrastruktura e tij mund të përmirësohej lehtësisht dhe me kosto të arsyeshme.
Mbyllja e një institucioni sjell një zinxhir pasoja:
– largohen punonjësit
– largohen familjet
– bien fëmijet nga shkolla e kopshte
– ️ bie konsumi në biznes
-️ rritet shpopullimi
Për çfarë duhet një burg në Vlorë, kur Vlora ka porte, aeroport, turizëm e qindra mundësi të tjera zhvillimi?
Këto janë lëvizje të pa studiuara dhe të shkëputura nga realiteti i zonave tona.
Si ish-titullar në Paraburgimin 302 Tiranë dhe Fushë-Krujë, si dhe ish-drejtor i këtij institucioni për një periudhë të shkurtër, shpreh indinjatën time për mënyrën se si po trajtohet kjo çështje, pa marrë parasysh pasojat sociale, njerëzore dhe ekonomike.
Politikat publike duhet të mbështesin komunitetet, jo t’i zbrazin ato.
Tepelena dhe gjithë zona jonë meritojnë institucione funksionale, vende pune dhe vëmendje — jo mbyllje dhe braktisje.
Institucionet duhet të rikthehen në qytete dhe në qarqe.
Ky është detyrim ndaj qytetarëve, jo një opsion”.
Kujtojmë se shumë nga bashkitë e nivelit të dytë e të tretë janë rrënuar pikërisht nga heqja e shumë institucioneve prej aty, duke i zhveshur edhe më shumë nga arsyeja e ekzistencës. /tesheshi.com/