Tag: demografike

  • Fundi i grekëve? Mbyllen mbi 700 shkolla në Greqi pas krizës së thellë demografike

    Fundi i grekëve? Mbyllen mbi 700 shkolla në Greqi pas krizës së thellë demografike

    Greqia po përballet me një krizë të thellë demografike, e cila ka çuar në mbylljen masive të shkollave në të gjithë vendin.

    Sipas të dhënave nga Ministria Greke e Arsimit, për vitin akademik 2025-2026, do të pezullohet funksionimi i 721 shkollave nga gjithsej 13,478, për shkak të mungesës së numrit minimal të nxënësve. Kjo shifër është në rritje të vazhdueshme prej vitesh.
    Rënia më e theksuar vihet re në arsimin fillor, ku pritet të mbyllen 324 shkolla fillore dhe 358 kopshte për vitin 2025-2026 — një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2018-2019, kur numri i mbylljeve ishte përkatësisht 247 dhe 312, sipas Greekreporter.
    Ky fenomen nuk po prek vetëm zonat rurale dhe ishujt, por edhe qendrat urbane si Athina. Popullsia e përgjithshme e nxënësve për vitin shkollor 2025-2026 pritet të jetë rreth 1.21 milion, një rënie prej më shumë se 150,000 nxënësish krahasuar me vitin 2018-2019.
    Rënia e lindshmërisë, emigracioni dhe plakja e popullsisë janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë krizë arsimore, që për shumë ekspertë përfaqëson një kërcënim serioz për të ardhmen demografike dhe sociale të vendit.

    Top Channel

  • “Vdekja e Greqisë”, Elon Musk ndez debatin në rrjet me vetëm dy fjalë

    “Vdekja e Greqisë”, Elon Musk ndez debatin në rrjet me vetëm dy fjalë

    Miliarderi i teknologjisë Elon Musk ka shprehur këtë të martë shqetësimin e tij për krizën demografike që po përkeqësohet në Greqi, pasi raportet konfirmuan se fqinji ynë jugor do të mbyllë më shumë se 700 shkolla për vitin akademik 2025-2026 për shkak të rënies së lindjeve.
    Musk ndau në profilin e tij në platformën ‘X’ një artikull nga Visegrád 24 duke shkruar vetëm dy fjalë: “Vdekja e Greqisë“.
    Postimi u bë shpejt viral, duke mbledhur mbi 1.8 milion shikime brenda disa orësh dhe duke shkaktuar diskutime të nxehta në mediat sociale.
    Sakaq, sipas shifrave zyrtare, Greqia do të mbyllë 721 shkolla në të gjithë vendin këtë vit, përfshirë 324 shkolla fillore dhe 358 kopshte. Mbylljet pasqyrojnë rënien dramatike të numrit të studentëve në vend, me Greqinë që regjistron një nga normat më të ulëta të fertilitetit në Bashkimin Evropian, rreth 1.3 lindje për grua.
    Njoftimi ka intensifikuar shqetësimet në lidhje me qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit, me ekspertët që paralajmërojnë për pasoja të rënda për ekonominë, fuqinë punëtore dhe strukturën sociale nëse rënia demografike nuk përmbyset.

    Ndërkohë, CEO i Tesla-s Elon Musk, ka folur vazhdimisht për rënien e normave të lindshmërisë globale, duke i quajtur shpesh një nga kërcënimet më të mëdha për qytetërimin. Ai ka argumentuar se rritja ekonomike, inovacioni dhe madje edhe ruajtja e kulturës janë në rrezik nëse normat e lindshmërisë vazhdojnë të bien nën nivelet e zëvendësimit.
    Shprehja e tij e ashpër, “Vdekja e Greqisë”, po interpretohet nga shumë si një paralajmërim jo vetëm për Athinën zyrtare, por edhe për vendet e tjera që përballen me sfida të ngjashme demografike, si Italia, Spanja dhe Japonia.
    Postimi shkaktoi një valë reagimesh në internet. Disa përdorues i bënë jehonë alarmit të Musk, duke i quajtur mbylljet e shkollave një “tragjedi kombëtare”, ndërsa të tjerë argumentuan se imigracioni, reforma e politikave dhe inovacioni teknologjik mund ta zbusin krizën.

  • Greqia po plaket! Kriza demografike është në kulmin e saj, lindshmëria ka rënë në pikë

    Greqia po plaket! Kriza demografike është në kulmin e saj, lindshmëria ka rënë në pikë

    Greqia po përballet me një krizë demografike alarmante që, sipas parashikimeve, do të thellohet edhe më shumë gjatë dekadave të ardhshme.

    Numri i lindjeve është në rënie të vazhdueshme, ndërsa popullsia po plaket me ritme të përshpejtuara. Në vitin 2023, vendi regjistroi vetëm 72 mijë lindje — gati gjysma e mesatares vjetore të viteve ’50 dhe ’60.
    Të dhënat e Universitetit të Thesalisë tregojnë se kjo rënie nuk ka vetëm shkaqe demografike, por lidhet ngushtë me sfida të mëdha sociale dhe ekonomike.
    Nga 11 milionë banorë që pati rreth një dekadë më parë, sot Greqia ka zbritur në afro 10 milionë. Që nga viti 2011, Greqia ka humbur rreth 500 mijë banorë — një humbje e ndikuar nga më shumë vdekje se lindje, por edhe nga emigrimi masiv i të rinjve.
    Shumë të reja dhe të rinj të arsimuar kanë zgjedhur të largohen drejt vendeve me mundësi më të mira pune dhe jetë më të qëndrueshme.
    Ndër faktorët që shtyjnë të rinjtë drejt largimit është edhe kriza e strehimit. Çmimet në rritje dhe mungesa e aksesit në banesa përbëjnë pengesë të madhe për krijimin e familjeve të reja.
    Sot, një në katër grekë është mbi 65 vjeç. Ndërkohë, për gratë që kanë lindur rreth viteve 1980, një në pesë nuk ka fare fëmijë— një tjetër shenjë e thellimit të krizës.
    Deri në vitin 2035, Greqisë do t’i duhen mbi 2 milionë punonjës për të zëvendësuar të dalët në pension dhe për të përmbushur nevojat e një ekonomie në zhvillim.Dikur, emigrantët ndihmuan në ngadalësimin e plakjes.
    Sot, trendi është përmbysur. Greqia po përjeton një zbrazje të heshtur që, nëse nuk ndryshon, rrezikon të përcaktojë fatin e saj për dekadat që vijnë. Sipas OKB-së, deri në vitin 2100 popullsia e vendit pritet të bjerë nën nivelin e vitit 1950, domethënë më pak se 7-8 milion banorë.
    Një vend në krizë demografike kërkon zgjidhje urgjente — për të mos e humbur të ardhmen që po i rrëshqet nga duart.

    Top Channel

  • “Taksë për beqarët”/ Deklarata e kryeministrit nxit debate

    “Taksë për beqarët”/ Deklarata e kryeministrit nxit debate

    Një deklaratë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka ndezur debat në opinionin publik, pasi ai sugjeroi mundësinë e vendosjes së taksave shtesë për qytetarët beqarë si një masë për të frenuar rënien demografike në vend.
    Gjatë një deklarate për mediat, Mickoski u shpreh se qeveria po shqyrton të gjitha opsionet për të përballuar krizën demografike në rritje, përfshirë edhe masa penalizuese që mund të prekin personat që zgjedhin të mos krijojnë familje.
    Sipas tij, në vitin 2024 është shënuar një rënie e ndjeshme e normës së lindjeve, ndërsa popullsia e vendit është tkurrur me mbi 33 mijë banorë në katër vitet e fundit, për shkak të rënies natyrore.
    Kryeministri e cilësoi këtë nismë si pjesë të një përpjekjeje shtetformuese për të ndalur shpopullimin dhe për të mbështetur familjen si një strukturë themelore të shoqërisë.
    Gjithashtu deklarate e kryeministrit është pritur me reagime të përziera, ku shumë qytetarë, aktivistë dhe ekspertë e kanë cilësuar idenë si diskriminuese dhe që cenon jetën private. Nga ana tjetër, disa e shohin këtë si një sinjal alarmi, që tregon se kriza demografike në vend është bërë tashmë një emergjencë kombëtare.
    Deklarata e Mickoskit:
    Ky është një rënie prej 4,140 personash vetëm në një vit. Në katër vitet e fundit kemi humbur mbi 33,000 qytetarë, një qytet me madhësinë e Kavadarit ose Kërçovës është zhdukur. Shkalla e lindjeve ka rënë nga 12.5 pikë përqindjeje në vitin 2010 në 8.8 në vitin 2024. Shumë komuna dhe fshatra nuk japin më mësim as në klasën e parë. Më shumë njerëz jetojnë vetëm, më pak martohen, më pak fëmijë lindin.
    Gjermania, Italia, Bullgaria, Japonia, Koreja e Jugut, të gjitha këto vende janë përballur me të njëjtin problem për një kohë të gjatë. Po lindin pak fëmijë, popullsia po plaket dhe të rinjtë po kërkojnë gjithnjë e më shumë jashtë vendit për një jetë më të mirë. Por situata jonë është e veçantë. Sepse, ndërsa disa vende po e vënë re këtë fenomen si një trend, për ne është një alarm. Kjo qeveri nuk hesht për problemin. […] E pranon atë. Dhe po e lufton atë.

  • “Taksa për beqarët” ndez debat në Shkup, Mickoski paralajmëron masa

    “Taksa për beqarët” ndez debat në Shkup, Mickoski paralajmëron masa

    Në Maqedoninë e Veriut ka shpërthyer një debat i fortë publik pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili propozoi një masë të pazakontë për të frenuar rënien demografike: vendosjen e taksave shtesë për beqarët.
    Duke folur për krizën demografike në rritje , Mickoski tha se “po shqyrtohen të gjitha opsionet”, përfshirë edhe një skemë të mundshme penalizuese për beqarët, për t’i nxitur qytetarët të krijojnë familje.
    Sipas tij, norma e lindjeve ka rënë ndjeshëm në vitin 2024, ndërkohë që vendi ka humbur mbi 33 mijë banorë në katër vitet e fundit si rezultat i rënies natyrore të popullsisë.
    Kryeministri e përshkroi këtë nismë si pjesë të një “lufte shtetformuese” për të ndalur shpopullimin dhe për të forcuar familjen si bërthamë sociale. Megjithatë, propozimi është pritur me reagime të përziera, ku shumë qytetarë, aktivistë dhe ekspertë e kanë cilësuar idenë si diskriminuese dhe që cenon jetën private.
    Nga ana tjetër, disa e shohin këtë si një sinjal alarmi, që tregon se kriza demografike në vend është bërë tashmë një emergjencë kombëtare.
    Diskutimet pritet të thellohen në ditët në vijim, teksa qeveria do të detajojë masat konkrete që synojnë përmbysjen e tendencave negative të popullsisë. Ndërkohë, çështja e “taksës për beqarët” mbetet në qendër të vëmendjes dhe polemikave politike në Shkup.

  • Maqedonia e Veriut paralajmëron taksa për beqarët. Po Shqipëria?

    Maqedonia e Veriut paralajmëron taksa për beqarët. Po Shqipëria?

    Maqedonia e Veriut po përballet me një krizë të thellë demografike, e cila ka vënë në alarm autoritetet më të larta të shtetit. Kryeministri Hristijan Mickoski ka ngritur publikisht shqetësimin për rënien drastike të natalitetit dhe ka paralajmëruar masa të forta – ndër to, edhe vendosjen e një takse për personat e pamartuar, si pjesë e një strategjie të gjerë për rritjen e lindjeve.
    “Vetëm në vitin 2024 kemi pasur 16061 lindje dhe 20201 vdekje, një deficit natyror prej 4140 personash. Në katër vitet e fundit, vendi ka humbur mbi 33 mijë banorë – njësoj sikur të kishte humbur një qytet si Kavadari apo Kërçova,” u shpreh Mickoski.

    Sipas të dhënave të paraqitura nga qeveria, norma e lindshmërisë ka rënë nga 12,5 për mijë banorë në vitin 2010 në vetëm 8,8 për mijë në vitin 2024, duke e renditur Maqedoninë e Veriut mes vendeve me rritjen më të ulët demografike në rajon.
    Situata është edhe më e rëndë në zonat rurale, ku shumë shkolla tashmë nuk kanë nxënës të klasës së parë, ndërsa numri i personave që jetojnë vetëm është në rritje të vazhdueshme.
    Kryeministri Mickoski theksoi se po shqyrtohen masa të reja fiskale dhe sociale, përfshirë subvencione për familjet e reja, përkrahje për nënat dhe ndihma për çiftet që duan të kenë fëmijë. Megjithatë, propozimi për taksimin e të pamartuarve ka shkaktuar polemika në opinionin publik dhe është konsideruar si diskriminues nga disa organizata të të drejtave të njeriut.
    Mbetet për t’u parë nëse këto masa do të kalojnë në Parlament dhe si do të ndikojnë në prirjet demografike në afat të gjatë. Taksat janë të larta për beqarët, aqsa debatet po shkojnë se ai që është beqar dhe ka kaluar moshën 35 apo 40 vjeç paga e tij do të taksat në masën 50 përqind.
    Po në Shqipëri?
    Akoma nuk ka filluar një debat i tillë politik.

  • ‘Shqipëria përballë një katastrofe demografike’, Haxhiu: Ky është një shpopullim i nxitur nga një regjim që ka vrarë shpresën

    ‘Shqipëria përballë një katastrofe demografike’, Haxhiu: Ky është një shpopullim i nxitur nga një regjim që ka vrarë shpresën

    Partia e Lirisë ka reaguar gjatë ditës së sotme  për situatën e rëndë demografike me të cilën por përballet Shqipëria.

    Zv. Sekretarja e Përgjithshme e kësaj force politike, Brunilda Haxhiu tha në një deklaratë për mediat se, “rënia e lindshmërisë nuk është thjesht pasojë e trendeve globale, është pasojë direkte e mashtrimeve, dështimeve dhe korrupsionit të kësaj qeverie”. “Një vend ku të rinjtë nuk shohin të ardhme, ku familjet e reja nuk guxojnë të lindin fëmijë, dhe ku siguria ekonomike është zëvendësuar nga pasiguria totale, nuk mund të pretendojë stabilitet as zhvillim”, tha ajo.

    E plotë:

    Deklarata e Zv. Sekretares të Përgjithshme të Partisë së Lirisë,  Znj. Brunilda Haxhiu.

    Përshëndetje!

    Shqipëria ndodhet sot përballë një katastrofe demografike. Lindshmëria është në nivelet më të ulëta historike, emigracioni ka marrë përmasa dramatike, ndërsa çdo vit mijëra të rinj largohen nga vendi pa kthim. Kjo nuk është më një krizë, është një shpopullim i heshtur, i nxitur nga një regjim që për më shumë se një dekadë ka vrarë shpresën, ka asgjësuar meritokracinë dhe ka kthyer vendin në një fushë boshimi të vazhdueshëm.

    Rënia e lindshmërisë nuk është thjesht pasojë e trendeve globale, është pasojë direkte e mashtrimeve, dështimeve dhe korrupsionit të kësaj qeverie. Një vend ku të rinjtë nuk shohin të ardhme, ku familjet e reja nuk guxojnë të lindin fëmijë, dhe ku siguria ekonomike është zëvendësuar nga pasiguria totale, nuk mund të pretendojë stabilitet as zhvillim.

    Kjo është Shqipëria që ka ndërtuar kjo qeveri, një vend bosh, që qeveriset me propagandë dhe mbahet me vota të manipuluara.

    Zgjedhjet e 11 majit janë dëshmia më e fundit e këtij realiteti të dhimbshëm: një masakër zgjedhore që manipuloi masivisht procesin zgjedhor, e bëri me votuesit në Shqipëri dhe më e rëndë akoma me emigrantët, të njëjtët qytetarë që janë larguar pikërisht për shkak të këtij regjimi. Përmes manipulimit të votës, kjo qeveri po mban pushtetin me çdo mjet, vetëm për të vazhduar rrënimin moral, ekonomik dhe demografik të vendit.

    Kjo nuk është vetëm një çështje zgjedhjesh të manipuluara, është një krim politik kundër të ardhmes së Shqipërisë. Në vend që të ndërtojë politika për të mbajtur të rinjtë këtu, për të nxitur lindshmërinë dhe për të rikthyer emigrantët, qeveria ka zgjedhur të mos i dëgjojë dhe t’ju vjedhë votën.

    Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. E ardhmja po largohet çdo ditë, në heshtje, në avionë, në ambasada, në kufij. Dhe kjo qeveri është shkaku, jo zgjidhja.

  • Përfundon numërimi i votave në Gjirokastër! Sa është diferenca mes PS dhe PD

    Përfundon numërimi i votave në Gjirokastër! Sa është diferenca mes PS dhe PD

    Numërimi ka përfunduar në të gjitha 7 KZAZ-të e qarkut Gjirokastër ndërsa tani po vijon procesi i numërimit të votave për kandidatët.
    39.2% ishte pjesëmarrja në këto zgjedhje, një rritje e lehtë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 kur pjesëmarrja ishte 38%.

    Popullsia në listat zgjedhore ka rënë nga 123,000 në 115,000, reflektim i qartë i tendencës së tkurrjes demografike në këtë qark.
    Numri i qendrave të votimit gjithashtu ka rënë nga 207 në 198.
    PS ka fituar bindshëm në këtë qark me mbi 62% të votave, duke ruajtur pozitat e saj tradicionale në jug të vendit.
    Koalicioni PD-ASHM paraqitet si forca e dytë, por me një diferencë të ndjeshme prej rreth 33% më pak se PS.
    Pjesëmarrja e ulët dhe tkurrja e popullsisë reflektojnë sfida të thella sociale dhe demografike në Gjirokastër.
    Forcat e vogla politike për nga numri i votave kanë qenë pa ndikim në ndarjen e mandateve.
    Rezultatet kryesore:
    PS: 24,457 vota – 62.2%
    PD-ASHM: 11,596 vota – 29.5%
    NISMA-SHB: 1,233 vota – 3.1%
    Mundësia: 578 vota – 1.5%
    Të tjerët: Më pak se 1.3% secili.