Tag: demografike

  • “Shqipëria rrezikon të zhduket!” Berisha: Shpopullimi, një goditje ekzistenciale

    “Shqipëria rrezikon të zhduket!” Berisha: Shpopullimi, një goditje ekzistenciale

    Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar alarmin lidhur me krizën demografike në vend, duke e cilësuar shpopullimin masiv si “goditjen më të rëndë ekzistenciale” që kombi shqiptar ka përjetuar ndonjëherë.
    Sipas Berishës, në 10 vitet e fundit Shqipëria ka hyrë në një fazë dramatike rënieje demografike, të paprecedentë në historinë moderne të vendit. Ai theksoi se lindshmëria aktuale është e barabartë me atë të 100 viteve më parë, kur vendi kishte rreth 700 mijë banorë.
    Berisha akuzoi qeverinë për atë që e quajti “gjenocid të heshtur”, duke iu referuar nenit 3 të Konventës së OKB-së, që përfshin krijimin e kushteve që detyrojnë largimin e popullsisë nga vendi i tyre.
    “Kurrë nuk është regjistruar një katastrofë e tillë demografike si ajo e viteve 2014–2024. Largimet masive dhe rënia e lindjeve po e boshatisin vendin,” tha ai.
    Berisha theksoi se që prej vitit 2018, numri i vdekjeve ka qenë vazhdimisht më i lartë se ai i lindjeve, një situatë që sipas tij po e çon vendin drejt pikut alarmant të humbjes së popullsisë.
    Në përfundim, ai kërkoi vendosjen urgjente të një platforme kombëtare për të ndalur shpopullimin, duke paralajmëruar se pa masa të menjëhershme, Shqipëria rrezikon një “zhdukje të pashmangshme” demografike.

  • “Faktorët politikë, social dhe ekonomik”, ish-ministri i Financave tregon shkaqet e shpopullimit

    “Faktorët politikë, social dhe ekonomik”, ish-ministri i Financave tregon shkaqet e shpopullimit

    Ish ministri i Financave, Anastas Angjeli ishte i ftuar në A2 Economix ku foli dhe për lëvizjen demografike dhe emigracionin. 
    Sipas Angjelit ndonëse ka një adresim nga qeveria, lëvizja demografike në vendin tonë është e lidhur me faktorë politikë, socialë dhe ekonomikë 
    Këto janë probleme jo vetëm për vendin tonë, por për rajonin dhe Evropën. Deri në 2040 BE do të zvogëlohet me 24 milionë banorë. Duhen parë politikat në këtë drejtim. Në Shqipëri ky problem është bërë dhe debat publik. Ka një adresim dhe strategji nga qeveria. Kjo lëvizje demografike në Shqipëri është e lidhur me faktorë politikë, socialë dhe ekonomikë. Kemi zvogëlim për shkak të emigrimit, uljes së lindjeve, pensionimit në shkallë të gjerë të popullsisë. Kjo ka ndikim në tregun e punës, por kjo edhe për shkak të zhvillimeve të fundit teknologjike”, tha Angjeli në A2. 

  • Sejko: Demografia dhe tregu i punës, sfida kryesore për ekonominë shqiptare!

    Sejko: Demografia dhe tregu i punës, sfida kryesore për ekonominë shqiptare!

    Në datën 10 tetor 2025, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, me temë “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës – sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”, të organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
    Kjo konferencë pati si synim të bashkojë akademikë, studiues dhe përfaqësues institucionesh qendrore nga Shqipëria, Kosova, rajoni dhe më gjerë, për të diskutuar një ndër sfidat më të mëdha të kohës sonë: ndërthurjen mes zhvillimeve demografike dhe strukturës së tregut të punës, në kontekstin e qëndrueshmërisë ekonomike.
    Gjatë dekadës së fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me rënien e lindshmërisë, plakjen e popullsisë dhe emigracionin e qëndrueshëm, prirje këto që kanë prekur pjesëmarrjen në tregun e punës dhe dinamikën e pagave. Këto prirje kanë rikonfiguruar përmasat, përbërjen dhe aftësitë e fuqisë punëtore.

    I ftuar si folës në hapjen e konferencës, Guvernatori Sejko diskutoi lidhur me temën “Ndryshimet demografike dhe dinamikat e tregut të punës”. Në krye të fjalës së tij, Guvernatori u shpreh se, në kushtet e rritjes globale nën mesataren historike dhe tensioneve gjeopolitike, për ekonomitë e vogla dhe të hapura si e jona, këto zhvillime janë edhe më përcaktuese, pasi ndikojnë në prurjet e kapitalit, kërkesën e jashtme dhe koston e financimit. Në këtë kontekst, demografia dhe tregu i punës janë shtylla kyçe të qëndrueshmërisë.
    Guvernatori theksoi se ekonomia e Shqipërisë vijon të shënojë ecuri të mirë. Rritja mbetet pozitive, papunësia është e ulët, inflacioni është nën kontroll dhe sistemi financiar vijon të jetë i qëndrueshëm e fitimprurës. Megjithatë, horizonti afatgjatë kërkon adresimin e disa sfidave strukturore si: rritja e produktivitetit, përshtatja me risitë teknologjike – përfshirë këtu dhe zhvillimin e madh të inteligjencës artificiale e digjitalizimit – si dhe kufizimet në burime, veçanërisht ato që lidhen me tregjet e punës.
    Në dritën e objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, integrimi evropian do të krijojë mundësi të reja për tregtinë, investimet dhe konvergjencën institucionale. Megjithatë, përvojat që tashmë kemi nga zgjerimet e mëparshme tregojnë se ky integrim mund të përshpejtojë lëvizshmërinë e fuqisë punëtore, veçanërisht të të rinjve dhe punonjësve të kualifikuar, drejt vendeve anëtare me ekonomi më të zhvilluara.
    Guvernatori theksoi se në Shqipëri, si rezultat i kushteve të favorshme të kursit të këmbimit dhe qëndrimeve të duhura të politikës monetare, inflacioni qëndron pranë objektivit të bankës qendrore. Megjithatë, në harkun kohor afatmesëm apo afatgjatë, ndryshimet strukturore në tregun e punës mund të shkaktojnë presione inflacioniste. Deficiti strukturor i vazhdueshëm i fuqisë punëtore, i shoqëruar me plakjen e popullsisë, emigracionin dhe mospërputhjen e aftësive, mund të shkaktojë rritje të pakthyeshme të pagave, veçanërisht nëse nuk shoqërohet edhe me rritje të produktivitetit. Në afat të gjatë, këto dinamika demografike ushtrojnë presion, duke kufizuar kapacitetin e politikës monetare për të stimuluar aktivitetin ekonomik.
    Në përfundim, Guvernatori u shpreh se banka qendrore do të vijojë të monitorojë rreziqet, të modelojë skenarë dhe të zbatojë politikën monetare, për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, ndërsa zgjidhjet përfundimtare kërkojnë bashkërendim me politikat publike dhe bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat dhe shoqërinë civile. Për të ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike dhe për të përshpejtuar konvergjencën, nevojitet një qasje e integruar që lidh migracionin, arsimin, stimujt fiskalë dhe reformën e tregut të punës.

  • Presidenti Begaj kërkon koordinimin Shqipëri-Kosovë përballë krizës demografike: Nëse gabojmë sot, nuk do të kemi një mundësi të dytë nesër

    Presidenti Begaj kërkon koordinimin Shqipëri-Kosovë përballë krizës demografike: Nëse gabojmë sot, nuk do të kemi një mundësi të dytë nesër

    “Valës së ndryshimit demografik duhet t’i paraprijmë me strategji afatgjata dhe politika të mirëmenduara e të koordinuara”, deklaroi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në konferencën e përbashkët të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës, kushtuar temës “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës”. Kreu i shtetit paralajmëroi se zhvillimet aktuale dhe ato të ardhshme demografike po prekin themelet e shoqërisë shqiptare, sigurinë, familjen, punësimin dhe mirëqenien, duke theksuar se çdo vonesë në reagim do të ketë pasoja të pakthyeshme. “Parashikimet pesimiste dhe aktualiteti shqetësues demografik tregojnë se nëse vonohemi apo gabojmë sot, nuk do të kemi një mundësi të dytë nesër”, u shpreh Presidenti Begaj.
    Në fjalën e tij, Presidenti analizoi kontradiktat që po përjeton tregu i punës në vend dhe në rajon, ku mungesa e fuqisë punëtore bashkëjeton me papunësinë e lartë të të rinjve. “Kjo kontradiktë është një paradoks që kërkon politika të reja, vizionare dhe afatgjata. Tregu i punës kërkon punonjës me aftësi të reja në teknologji, informacion, shërbime të specializuara dhe inovacion. Ky është një ndryshim strukturor që kërkon menaxhim të përgjegjshëm, që zhvillimi të ruajë karakterin social dhe kohezionin kombëtar”, theksoi ai.
    Presidenti Begaj e cilësoi situatën demografike si çështje që prek edhe sigurinë kombëtare, duke nënvizuar se pasojat nuk kufizohen vetëm në ekonomi. “Zhvillimet negative demografike sjellin uljen e bazës tatimore, dobësimin e aftësisë prodhuese dhe mbingarkimin e sistemeve të pensioneve dhe të shëndetësisë. Shpopullimi i zonave rurale dhe kufitare dëmton kohezionin social dhe kontrollin territorial, ndërsa emigracioni i të rinjve zvogëlon kapitalin njerëzor dhe kapacitetin mbrojtës të vendit”, deklaroi Kreu i Shtetit.

    Ai përshëndeti nismat që po zbatohen në Shqipëri dhe Kosovë për rritjen e lindshmërisë, përmirësimin e cilësisë së jetës, kujdesin ndaj të moshuarve dhe integrimin e faktorëve demografikë në planifikimin ekonomik kombëtar, por kërkoi që strategjitë dhe politikat të zbatohen me përpikëri e pa vonesa. “Politikat dhe strategjitë duhen jo vetëm të zbatohen me kujdes, por efektshmëria e tyre duhet matur dhe ndjekur me vëmendje. Nëse vonohemi apo gabojmë sot, nuk do të kemi një shans të dytë nesër”, tha Begaj.
    Presidenti e konsideroi jetike forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të tregut të punës, duke vlerësuar se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët mund të krijohen më shumë mundësi për të rinjtë. “Ne kemi nevojë për një treg më të bashkuar dhe më të koordinuar, që i gjithë rajoni të bëhet më tërheqës për investime dhe projekte të përbashkëta zhvillimi. Vetëm kështu mund të krijojmë më shumë qëndrueshmëri dhe më shumë shpresë për brezat e rinj. Në këtë kontekst, procesi i integrimit evropian mbetet rruga më e qëndrueshme për zhvillim afatgjatë dhe zbut disa nga shkaqet e emigracionit”, u shpreh Presidenti i Republikës.
    Në përfundim të fjalës së tij, Begaj ndau një shembull personal nga një vizitë në një shkollë jashtë Tiranës, ku kishte vënë re rënien drastike të numrit të nxënësve dhe boshatisjen e zonës nga të rinjtë. “Demografia është fakt dhe trajtimi i kësaj sfide me përgjegjësi dhe seriozitet sot është detyrim. Nëse veprojmë vonë, nesër mund të mos kemi më mundësi ta korrigjojmë”, theksoi ai.
    Presidenti Begaj bëri thirrje për një përfshirje të gjerë të institucioneve, politikëbërësve, ekspertëve dhe sektorit privat në ndërtimin e politikave të bazuara në dije dhe kërkim shkencor, për t’i dhënë përgjigje sfidës demografike që, sipas tij, përcakton vetë të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kosovës.
    /vizionplus.tv

  • Presidenti Begaj ngre alarmin për krizën demografike: Ndryshimet e pritshme prekin sigurinë, familjen dhe mirëqenien sociale

    Presidenti Begaj ngre alarmin për krizën demografike: Ndryshimet e pritshme prekin sigurinë, familjen dhe mirëqenien sociale

    “Valës së ndryshimit demografik duhet t’i paraprijmë me strategji afatgjata dhe politika të mirëmenduara e të koordinuara”, deklaroi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, sipas të cilit, “zhvillimet e tanishme dhe ato të pritshme demografike prekin themelet e shoqërisë sonë: sigurinë, familjen, punësimin, mirëqenien dhe perspektivën zhvillimore”.

    Kreu i Shtetit bëri thirrje për zbatimin me përpikëri e pa vonesa të këtyre strategjive dhe politikave për të shmangur pasojat: “Parashikimet pesimiste dhe aktualiteti shqetësues demografik tregojnë se nëse vonohemi apo gabojmë sot, nuk do të kemi një mundësi të dytë nesër”.
    Këto mesazhe Presidenti i Republikës i përcolli para akademikëve nga Shqipëria dhe Kosova,  të mbledhur në Tiranë për një nga sfidat më të mëdha të zhvillimit: ndryshimet demografike dhe dinamikën e tregut të punës.
    Duke analizuar pasojat në tregun e punës, Presidenti Begaj theksoi se nga njëra anë mungon fuqia punëtore aktive, nga ana tjetër papunësia e të rinjve mbetet e lartë: “Kjo kontradiktë, mungesë punëtorësh dhe papunësi, njëkohësisht, është një paradoks që kërkon politika të reja, vizionare e afatgjata. Ndërkohë, ka kërkesa të mëdha për punonjës me aftësi të reja në teknologji, informacion, në shërbime të specializuara dhe inovacion. Ky është një ndryshim strukturor që kërkon përgjegjësi në menaxhim, që zhvillimi të ruajë karakterin social dhe kohezionin kombëtar”.
    Veç pasojave të drejtpërdrejta në tregun e punës, Presidenti i Republikës nënvizoi dhe sfidat të tjera serioze që lidhen me ekonominë në tërësi dhe sigurinë kombëtare:
    “Ato sjellin uljen e bazës ekonomike dhe tatimore të shtetit, uljen e aftësisë prodhuese të fuqisë punëtore dhe mbingarkojnë sistemet e pensioneve e shëndetësisë. Shpopullimi i zonave rurale dhe kufitare dëmton kohezionin social dhe kontrollin territorial, ndërsa emigracioni i të rinjve zvogëlon kapitalin njerëzor dhe kapacitetin mbrojtës të vendit”, – deklaroi Presidenti i Republikës.
    Duke vlerësuar faktin se në Shqipëri e Kosovë ka strategji dhe politika të efektshme për rritjen e lindshmërisë, përmirësimin e cilësisë së jetës, kujdesin ndaj të moshuarve, si dhe integrimin e faktorëve demografikë në planifikimin ekonomik kombëtar, Presidenti Begaj theksoi se vëmendje i kushtohet edhe aftësimit të fuqisë punëtore, riintegrimit të qytetarëve të rikthyer nga emigracioni, frenimit të braktisjes së zonave rurale dhe përdorimit të Diasporës për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm në vend.
    Presidenti Begaj e cilësoi prioritet bashkëpunimin në të gjitha fushat mes Shqipërisë e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon, pasi vlerësoi se vetëm në këtë mënyrë mund të krijohen më shumë mundësi, më shumë qëndrueshmëri dhe më shumë shpresë për të rinjtë tanë:
    “Ne kemi nevojë për një treg më të bashkuar dhe më të koordinuar, që i gjithë rajoni të bëhet më tërheqës për investime dhe projekte të përbashkëta zhvillimi. Në këtë kontekst, procesi i integrimit evropian mbetet rruga më e qëndrueshme për zhvillim afatgjatë dhe zbut disa nga shkaqet e emigracionit”, – deklaroi Presidenti i Republikës.

    Top Channel

  • Mickoski ngre alarmin: Kriza demografike kërcënon sistemin e pensioneve në Maqedoninë e Veriut

    Mickoski ngre alarmin: Kriza demografike kërcënon sistemin e pensioneve në Maqedoninë e Veriut

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut , Hristjan Mickoski, ka shprehur shqetësim të thellë për perspektivat demografike të vendit, duke paralajmëruar se brenda dy dekadave të ardhshme, popullsia mund të tkurret nën 1 milion, duke çuar në rrëzimin e sistemeve të pensioneve dhe sigurimeve shoqërore.
    Duke prezantuar programin pesëvjeçar të bashkëpunimit të qeverisë me Fondin e Popullsisë së Kombeve të Bashkuara (UNFPA), Mickoski theksoi se vendi po përjeton një krizë të zgjatur demografike, e cila ka zgjatur për më shumë se 70 vjet, me numrin e lindjeve në rënie të vazhdueshme.
    “Në vitin 1950, në vend kishte mbi 50,000 të porsalindur. Në vitin 2024, kemi vetëm rreth 16,000. Kjo rënie është për shkak të dy arsyeve kryesore: emigrimit të të rinjve dhe shkallës së ulët të lindjeve”, theksoi Kryetari Mickoski. Ai theksoi se qeveria e tij është plotësisht e vetëdijshme për seriozitetin e situatës dhe tashmë po punon në fusha të ndryshme, të tilla si krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e pagave dhe rritja e mundësive për të rinjtë.Edhe pse, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, popullsia e vendit ishte pak mbi 1.8 milion banorë, Mickowski vuri në dukje se numri aktual sot nuk i kalon 1.5 milion. Me më shumë se 700,000 punëtorë dhe rreth 350,000 pensionistë, pamja e ardhshme është shqetësuese.“Brenda 20 vjetësh, kam frikë se do të jemi një vend me më pak se një milion banorë. Atëherë, do të kemi një punëtor për çdo pensionist. Kjo do të thotë kolapsi i fondeve të pensioneve dhe fondeve shëndetësore”, tha ai.
    Regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoninë e Veriut u krye në shtator 2021 dhe sipas të dhënave të tij, popullsia e vendit arrin në 1,836,713 banorë, duke shënuar një rënie prej rreth 10% krahasuar me regjistrimin e mëparshëm në vitin 2002, që është një tjetër shenjë e presionit të fortë demografik me të cilin po përballet vendi.

  • Japonia arrin rekord me gati 100,000 njëqindvjeçarë, ndërsa kriza demografike përkeqësohet

    Japonia arrin rekord me gati 100,000 njëqindvjeçarë, ndërsa kriza demografike përkeqësohet

    Japonia tani ka gati 100,000 persona të moshës 100 vjeç ose më shumë, shumica dërrmuese gra – një rritje e ndjeshme që vendos një rekord të ri, sipas të dhënave të publikuara të martën nga qeveria japoneze.

    Që nga 1 shtatori, numri i njëqindvjeçarëve në vend arriti në 99,763, duke shënuar një rritje prej 4,644 krahasuar me një vit më parë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 88% e tyre janë gra.
    Kjo shifër nënvizon realitetin e plakjes së popullsisë japoneze, një dukuri që po prek ndjeshëm ekonominë e katërt më të madhe në botë, në një kohë kur numri i përgjithshëm i banorëve po tkurret.
    Personi më i vjetër në Japoni është Shigeko Kagawa, 114 vjeçe, e cila jeton në prefekturën Nara, pranë Kiotos. Ajo ka qenë aktive për dekada si gjinekologe-mami dhe mjeke e përgjithshme.
    “Fakti që kam ecur shumë gjatë vizitave në shtëpi më lejoi të zhvilloj këmbë të forta, të cilat janë burimi i vitalitetit tim aktual,” tha Kagawa.
    Me shikimin ende të mprehtë, ajo kalon ditët duke parë televizor, lexuar gazetën dhe ushtruar kaligrafi.
    Ndërkohë, personi më i vjetër në botë është britanikja Ethel Caterham, e cila festoi ditëlindjen e saj të 116-të në gusht, pak muaj pasi brazilianja Ina Canabaro Lucas vdiq në të njëjtën moshë.
    Një “Murtajë e Heshtur”: Kriza Demografike që Po Shkund Japoninë
    Japonia po përballet me një krizë demografike gjithnjë e më të rëndë. Rritja e popullsisë së të moshuarve po sjell rritje të ndjeshme të shpenzimeve shëndetësore dhe sociale, ndërkohë që fuqia punëtore po tkurret, për shkak të niveleve të ulëta të lindshmërisë.
    Sipas shifrave zyrtare të publikuara në gusht, popullsia e Japonisë pritet të bjerë me një rekord prej 900,000.
    Kryeministri në largim Shigeru Ishiba e ka quajtur këtë situatë një “murtajë të heshtur” dhe ka premtuar masa në ndihmë të familjeve, përfshirë orare pune më fleksibile dhe kujdes falas për fëmijët, në përpjekje për të përmbysur trendin negativ.
    Megjithatë, deri më tani, përpjekjet e qeverisë nuk kanë dhënë rezultate domethënëse.

    Top Channel

  • Greqia shpall paketë financiare prej 1.6 miliardë eurosh për të frenuar rënien e popullsisë

    Greqia shpall paketë financiare prej 1.6 miliardë eurosh për të frenuar rënien e popullsisë

    Qeveria do të përdorë lehtësi tatimore dhe stimuj të tjerë financiarë për të inkurajuar lindjet.Greqia shpall masa drastike, përfshirë lehtësi tatimore dhe stimuj financiarë, për të frenuar rënien e popullsisë që rrezikon ta kthejë vendin në kombin më të vjetër të Evropës.Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi se paketa e ndihmës prej 1.6 miliardë eurosh u diktua nga një prej sfidave më të mëdha që përballet vendi mesdhetar: një krizë demografike me përmasa të paprecedenta.“E dimë që kostoja e jetesës është një gjë kur nuk ke fëmijë dhe një tjetër kur ke dy apo tre fëmijë. Prandaj, si shtet duhet të gjejmë mënyra për të shpërblyer qytetarët që zgjedhin të bëhen prindër,” tha Mitsotakis të dielën, pas shpalljes së masave.Më të rëndësishmet prej tyre përfshijnë uljen me dy pikë përqindje të tatimit në të gjitha shkallët dhe normë zero për familjet me të ardhura të ulëta që kanë katër fëmijë. Masat do të hyjnë në fuqi në vitin 2026.Mitsotakis e cilësoi këtë paketë si reformën më të guximshme tatimore të zbatuar në Greqi në më shumë se 50 vjet.Politikat e reja ndërtohen mbi iniciativa të tjera të ndërmarra nga qeveria qendrore-djathtas për të përballuar këtë problem.Me normën e fertilitetit ndër më të ulëtat në Evropë – 1.4 fëmijë për çdo grua, shumë më poshtë se niveli i zëvendësimit prej 2.1 – Mitsotakis e ka cilësuar këtë çështje si një “kërcënim kombëtar”.Sipas Eurostat, popullsia e Greqisë pritet të bjerë nga 10.2 milionë banorë aktualisht në më pak se 8 milionë deri në vitin 2050, ndërkohë që 36% e saj do të jenë mbi moshën 65 vjeç.Duke pranuar se rënia ka marrë përmasa ekzistenciale, ministri i Financave Kyriakos Pierrakakis tha se normat e lindshmërisë janë përgjysmuar që nga fillimi i krizës ekonomike, 15 vjet më parë.“Reforma jonë tatimore do t’i kushtojë vëmendje të veçantë këtij problemi … si drejtues i ekipit ekonomik, do të thoja se prioriteti ynë kryesor është çështja demografike,” theksoi ai.Kriza gati dhjetëvjeçare e Greqisë është fajësuar gjerësisht për këtë rënie alarmante. Një nga arsyet është se të rinjtë u prekën më rëndë nga masat e shtrënguara të kursimit, të vendosura në këmbim të fondeve ndërkombëtare të shpëtimit që e mbajtën vendin larg falimentimit dhe e siguruan që Athina e zhytur në borxhe të qëndronte në BE.Më shumë se 500 mijë grekë u larguan jashtë vendit në kërkim të punës gjatë krizës – një eksod kryesisht i të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar, që qeveria po përpiqet ta kthejë mbrapsht.Masat e fundit, të cilat përfshijnë heqjen e detyrimeve tatimore për ata që jetojnë në vendbanime rurale me më pak se 1,500 banorë, do të financohen nga tepricat buxhetore që janë krijuar pas rimëkëmbjes së ekonomisë.Zyrtarët thonë se rënia e normave të lindshmërisë po e vë sistemin e pensioneve dhe atë shëndetësor, si edhe tregun e punës dhe sigurinë kombëtare, në një rrezik të paprecedentë, në një kohë pasigurie gjeopolitike.Duke ngritur alarmin, revista mjekësore britanike The Lancet paralajmëroi se ndryshimet demografike me përmasa kaq radikale përbëjnë një kërcënim të brendshëm për sistemin shëndetësor të vendit, përveç presioneve socio-ekonomike dhe paparashikueshmërisë së krizës klimatike.“Greqia përballet me një gamë të ndërlikuar sfidash të shëndetit publik, të nxitura nga ndryshimet demografike,” thuhet në një studim të publikuar javën e kaluar. “Rasti grek ofron mësime të vlefshme për vendet e tjera që përballen me presione të ngjashme.”Në vitin 2020 – një vit pasi fitoi për herë të parë zgjedhjet – qeveria Mitsotakis prezantoi një “bonus për lindjet” për të nxitur shtimin e natalitetit. Subvencioni ka kaluar nga 1,700 euro për fëmijën e parë në 3,500 euro për të katërtin, përveç një ndihme mujore deri në 140 euro për fëmijë.Megjithatë, ndërsa kostoja e jetesës rritet ndjeshëm në një vend me disa nga pagat më të ulëta në BE, politikat kanë dhënë pak efekt. Ministria e Arsimit njoftoi këtë muaj se kishte mbyllur më shumë se 700 shkolla në të gjithë vendin, për shkak të mungesës së nxënësve.Me popullaritetin e qeverisë së tij të dëmtuar nga akuzat për korrupsion dhe shqetësimet për koston e lartë të jetesës, Mitsotakis premtoi rritje pensionet dhe strehim të përballueshëm, duke ndërtuar banesa në pronat e braktisura ushtarake.Gjithashtu, do të hiqet taksa mbi pasuritë e paluajtshme në zonat e thella për të inkurajuar të rinjtë të zhvendosen në fshat, ku çmimet janë shumë më të ulëta se në qytete. Strehimi i papërballueshëm është bërë aq problematik, sa shumë të rinj grekë ankohen se detyrohen të jetojnë me prindërit deri në moshën 30-vjeçare – një tjetër arsye e përmendur për mungesën e interesit për të krijuar familje./ The Guardian   Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Greqia vendos mbylljen e mbi 700 shkollave, shkak thellimi i krizës demografike

    Greqia vendos mbylljen e mbi 700 shkollave, shkak thellimi i krizës demografike

    Qindra shkolla po mbyllen në të gjithë Greqinë për shkak të një rënieje dramatike demografike dhe një rënieje përkatëse të regjistrimit të nxënësve. Të dhënat nga Ministria Greke e Arsimit tregojnë se për vitin akademik 2025-2026, 721 nga 13,478 shkolla do të pezullohen për shkak se nuk kanë përmbushur kërkesën minimale të nxënësve, një shifër që ka qenë në rritje prej vitesh.

    Rënia është më e theksuar në arsimin fillor, i cili përbën shumicën e mbylljeve. Për shembull, numri i shkollave fillore dhe kopshteve të pezulluara parashikohet të arrijë përkatësisht në 324 dhe 358 për vitin akademik 2025-2026, një rritje e konsiderueshme nga 247 dhe 312 në vitet 2018-2019.

    Ky trend ndikon në shkollat ​​në fshatrat rurale, në ishuj dhe madje edhe në zonat urbane si Athina. Popullsia e nxënësve pritet të jetë afërsisht 1.21 milion për vitin akademik 2025-2026, një rënie prej mbi 150,000 nxënësish që nga viti akademik 2018-2019.

    Një shkollë pezullohet nëse ka më pak se pesëmbëdhjetë nxënës. Pas tre vitesh mospërmbushjeje të këtij kriteri, shkolla mbyllet përgjithmonë, shkruajnë mediat greke.

    Sipas zyrtarëve të ministrisë, të cilët e kanë quajtur situatën “Armagedon”, mbylljet pasqyrojnë një problem demografik “të tmerrshëm” dhe që po përkeqësohet. Mbylljet i detyrojnë nxënësit, veçanërisht ata në zonat e largëta, të udhëtojnë distanca të gjata, ndonjëherë deri në 80 km në ditë, për të ndjekur një shkollë të re.

    Mbyllja e shkollave është një pasojë e drejtpërdrejtë e krizës demografike afatgjatë të Greqisë , e karakterizuar nga një rënie e shkallës së lindjeve dhe një popullsi në plakje.

    Faktorët kryesorë që kontribuojnë në krizën demografike

    Shkalla e Ulët e Lindshmërisë: Greqia ka një nga normat më të ulëta të pjellorisë në Bashkimin Evropian, me afërsisht 1.3 lindje për grua, shumë nën nivelin e zëvendësimit prej 2.1. Kjo ka çuar në një rënie natyrore të popullsisë, me më shumë vdekje sesa lindje çdo vit.

    Emigrimi: Kriza e rëndë ekonomike e vendit, e cila filloi në vitin 2008, shkaktoi një eksod në shkallë të gjerë të grekëve të rinj dhe të arsimuar që kërkonin mundësi më të mira jashtë vendit. Ky “ikje truri” ka zvogëluar më tej numrin e njerëzve në vitet e tyre të para të lindjes së fëmijëve dhe të punës.

    Popullsia në Plakje: Me më pak lindje dhe rritje të jetëgjatësisë, popullsia e Greqisë po plaket me shpejtësi. Përqindja e personave mbi 65 vjeç po rritet, duke ushtruar presion mbi sistemet e sigurimeve shoqërore dhe të kujdesit shëndetësor.

    Efekti i kombinuar i këtyre faktorëve ka krijuar një cikël rënieje të popullsisë që mbyllja e shkollave tani e ilustron qartë. Pa një ndryshim të rëndësishëm në këto trende, ekspertët paralajmërojnë se kriza demografike do të vazhdojë të ndikojë në shoqërinë dhe ekonominë e Greqisë për dekada të tëra.

  • Greqia në krizë të thellë demografike/ Mbyllen mbi 700 shkolla, 150,000 nxënës më pak se në 2019-ën

    Greqia në krizë të thellë demografike/ Mbyllen mbi 700 shkolla, 150,000 nxënës më pak se në 2019-ën

    Greqia po përballet me një krizë të thellë demografike, e cila ka çuar në mbylljen masive të shkollave në të gjithë vendin.

    Sipas të dhënave nga Ministria Greke e Arsimit, për vitin akademik 2025-2026, do të pezullohet funksionimi i 721 shkollave nga gjithsej 13,478, për shkak të mungesës së numrit minimal të nxënësve. Kjo shifër është në rritje të vazhdueshme prej vitesh.

    Rënia më e theksuar vihet re në arsimin fillor, ku pritet të mbyllen 324 shkolla fillore dhe 358 kopshte për vitin 2025-2026 — një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2018-2019, kur numri i mbylljeve ishte përkatësisht 247 dhe 312, sipas Greekreporter.

    Ky fenomen nuk po prek vetëm zonat rurale dhe ishujt, por edhe qendrat urbane si Athina. Popullsia e përgjithshme e nxënësve për vitin shkollor 2025-2026 pritet të jetë rreth 1.21 milion, një rënie prej më shumë se 150,000 nxënësish krahasuar me vitin 2018-2019.

    Rënia e lindshmërisë, emigracioni dhe plakja e popullsisë janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë krizë arsimore, që për shumë ekspertë përfaqëson një kërcënim serioz për të ardhmen demografike dhe sociale të vendit.