Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka dërguar për gjykim tre persona të dyshuar për përfshirje në një rast falsifikimi dokumentesh gjatë zgjedhjeve të 11 majit. Të pandehurit janë Arlind Papa, Genc Demiro dhe Migena Xibinaku.
Sipas hetimeve, Arlind Pepa është paraqitur në qendrën e votimit në shkollën “9-vjeçare Vorë” si vëzhgues brenda dhe jashtë ambienteve, duke mbajtur një badge që dyshohet të ketë qenë i falsifikuar. Ai ka deklaruar se dokumentin e ka marrë nga Partia Socialiste, përkatësisht nga Genc Demiro.
Në dosje thuhet se badge mund të pajiset vetëm personave që kanë kontratë punësimi pranë KQZ-së dhe jo individëve të jashtëm. Megjithëse dokumenti mbante vulën e KQZ-së, ai rezultoi të ishte i falsifikuar.
Ndërkohë, dyshohet se vulosjen e dokumentit e ka kryer Migena Xibinaku, specialiste e protokollit në KQZ. Sipas deklarimeve të saj për hetuesit, ajo ka thënë se nuk e kujton të ketë vendosur vulën në dokumentin në fjalë, pasi gjatë procesit të zgjedhjeve trajtonte një sasi të madhe dokumentesh.
“Detyra ime është të firmos edhe dokumentet. Nuk mbaj mend ta kem vulosur, pasi më vinin shumë dokumente të tilla. Genc Demiro, i cili ka shkuar për të marrë manualet e përdorimit të materialeve të KQZ, mund të jetë paraqitur për vulosje. Vula e madhe qëndron në kasafortë…”, ka deklaruar Xibinaku, sipas dosjes hetimore.
Prokuroria po heton mënyrën se si dokumenti i falsifikuar ka arritur të përdoret dhe përgjegjësit e mundshëm për manipulimin e tij.



