Adriatik BALLA
Kuqezinjtë po kalojnë momente të mira me skuadrat e tyre. Natyrisht këtu është fjala për ata lojtarë që luajnë në kampionatet që e kanë nisur sezonin e ri. Një prej tyre është Mirlind Daku, i cili ka një start bombastik në Rusi, me Rubin Kazanin, duke shënuar gola me vlerë për skuadrën dhe duke dhënë sinjale për Silvinjon në Kombëtare për gjendjen e mirë sportive që ka. Natyrisht, ka dhe lojtarë të tjerë që po paraqiten mirë, ndërkohë që disa të tjerë i kanë sytë nga merkato, mes të cilëve edhe mesfushori Kristjan Asllani, i cili kërkohet nga Torino. Lojtarë si Muçi e ndonjë tjetër presin të ndryshojnë destinacion në këto javë të fundit të merkatos së verës. Kurse trajneri Silvinjo po e monitoron hap pas hapi ecurinë e tyre, për të krijuar ide të qarta për grupin që do të ftojë në shtator për ndeshjet ndaj Gjibraltarit (miqësore) dhe Letonisë (kualifikueset e kupës së Botës).
Daku në vëmendjen e Fiorentinës
Një lajm i bujshëm është duke qarkulluar së fundmi. Sipas medias kosovare, “Telegrafi.com”, skuadra e madhe italiane, Fiorentina, ka nisur kontaktet me Rubin Kazanin për transferimin e Dakut. Në pesë ndeshjet e para mes kampionatit dhe Kupës së Rusisë, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, ka qenë i papërmbajtshëm, duke shënuar pesë gola dhe duke dhuruar një asistim. Moise Ken është pranë largimit për t’u transferuar në Arabinë Saudite, ndërsa klubi “Vjollcë” e sheh Dakun si zëvendësuesin ideal të italianit. Bëhet me dije se janë zhvilluar kontaktet e para mes klubeve, ndërkohë që drejtori sportiv i Fiorentinës, Daniele Prade, ka kontaktuar edhe me agjentin e Dakut, Shkumbin Qorrmemeti. Pritet me mjaft interes të mësohet si do të rrjedhin ngjarjet, nëse Daku do ta arrijë t’i bashkohet skuadrës së Stafano Piolit, do të ishte një hap i madh në karrierën e tij.
Asllani në “radarët” e Torinos
Torino i është bashkuar listës së klubeve të interesuara për Kristjan Asllanin. Sipas TMË, klubi i ka vënë syrin mesfushorit të Interit dhe po e shqyrton seriozisht këtë transferim, duke marrë në konsideratë edhe një kalim të mundshëm në formacionin 4-3-3. Futbollisti i Kombëtares kuqezi ndjen nevojën për një ndryshim të situatës për të gjetur qëndrueshmëri. Dhe Torino do të ishte një perspektivë e mirëpritur, veçanërisht nëse Marko Baroni do ta vendoste atë në qendër të mesfushës së tij. Nuk është sekret që Asllani është gjithashtu në shënjestër të klubeve të tjera, me Fiorentinën që mund të kthehet në fushë nëse Rolando Mandragora largohet, dhe Bolonja që përpiqet të pyesë si Interin ashtu edhe rrethin e lojtarit. Aktualisht, megjithatë, Torino po e shqyrton këtë veprim, megjithëse kontakti fillestar me Interin nuk është bërë ende. Ideja vjen nga drejtori sportiv i Torinos, Davide Vagnati, i cili po kërkon pjesët e fundit për të kompletuar një skuadër që i mungojnë vetëm pjesët e fundit, pas një afati të rëndësishëm transferimesh që ka sjellë lojtarë cilësorë dhe e vendos Torinon në vijën startuese për Serie A të sezonit të ardhshëm me qëllim përmirësimin e pozicionit të sezoneve të fundit dhe afrimin më të afërt me zonën e kualifikimit evropian.
Tag: dakut
-

Starti fantastik i Dakut në Rusi monitorohet nga Fiorentina, kurse Torino i vihet pas Asllanit
-

Daku “përjetësisht” te Rubin
Sulmuesi kuqezi Mirlind Daku përtej mundësisë për të shkuar te Zenit, zgjodhi të qëndrojë besnik propozimit të klubit rus që i hapi dyert. Ai ka firmosur kontratën e re deri në vitin 2029 me Rubin Kazan.
Paga e Dakut vertitet te 3 milionë euro në sezon. Mirpo drejtori i përgjithshëm i Rubin Kazan ka folur për të tjera shifra.
Aleksandër Aibatov tregonte më parë: “Kur ka mbetur një vit apo më pak, rinovimi kthehet në çështje të rëndësishme. Ishte e rëndësishme për ne që ta zgjasnim kontratën.
Nuk kishte vështirësi të tjera. Çdo gjë përfundoi mirë. Rroga e Dakut? Thashethemet nuk janë gjë e mirë. Natyrisht, rroga e tij është më pak se 3 milionë euro”, duke lënë të kuptohet e ish sulmuesi i Kukësit do të jetë pak mbi 2.5 milion.
Vazhdo leximin
-

Transferimin e Dakut te Zeniti rus e sabotuan serbët, Manaj “në ajër” në Turqi
Adriatik BALLA
Mirlind Daku ka kaluar vitet e fundit në kampionatin rus, duke qenë i spikatur me Rubin Kazanin dhe një nga lojtarët më të mirë të kësaj skuadre. Ai ka pikasur edhe në ekipin kombëtar me performancën e nivelit të lartë, duke dhënë shpirtin në fushë aq herë sa zbriti në lojë. Ditët e fundit ishte në fokusin e mediave ruse për ofertën që kishte marrë nga disa klube, por sidomos Zeniti i Shën Petersburgut, duke e dashur madje një transferim të tillë, por edhe një herë tjetër serbët i bëhen pengesë. Nga ana tjetër, Rei Manaj vijon të jetë i pavendosur në lidhje me transferimin e tij te një klub tjetër turk, pasi flitej se do të largohej nga Sivaspori. Por lushnjari është ende “në ajër”, duke mos pasur qartësi në përzgjedhjen e klubit ku do të luajë sezonin e ardhshëm.
Dakun e pengojnë serbët
Mediat në Rusi vazhdojnë të shkruajnë për dështimin e transferimit të Mirlind Dakut nga Rubin Kazani te Zenit Shën Petersburgu. Trajneri Rinat Bilyaletdinov, që ka drejtuar klube të ndryshme në elitën ruse, dështimin e transferimit e ka lidhur me lojtarët serbë të Zenitit dhe ndikimin e tyre. Ai ka thënë se mund të ketë ndikuar veprimi i Dakut në Euro 2024, kur fyeu serbët e maqedonasit. “Ekziston një formacion serb në Zenit – Drkushiq, Erakoviç. Ndoshta është një vendim i arsyeshëm të shtyhet transferimi. Për fat të keq qëndrimi kundërthënës nuk mund të mohohet. Në një pikë mund të luajë rol negativ në ekip. Kjo është arsyeja pse transferimi dështoi.
Tjetër gjë është pse nisën një transferim të tillë, duke ditur se do të ishte një bombë e kurdisur për ekipin”, ka thënë Bilyaletdinov për “gazeta.ru”. Vanja Drkushiq, që e ka përmendur trajneri rus, luan për Slloveninë. Strahinja Erakoviq luan për Serbinë. Mediumi tjetër rus, “bomardir.ru”, ka shkruar se “arsye për dështimin e transferimit të Dakut ëhstë tatuazhi në shpinën e sulmuesit”. Daku ka një tatuazh në nderim të komandatit të UÇK-së, Agim Ramadani – Katana. “Është raportuar se për shkak të kësaj, menaxhmenti i Zenitit kishte dyshime për transferimin për kohë të gjatë dhe ka refuzojë të kompletojë transferimin, ndonëse palët ishin marrë vesh për detajet”, ka shkruar ky medium, pa cituar ndonjë burim zyrtar.
Manaj mbetet në udhëkryq, ende s’ka vendosur për të ardhmen
Rei Manaj vijon të jetë objektiv në merkato i shumë skuadrave turke, por shqiptari ende nuk ka vendosur çfarë do të bëjë me ofertat e adresuara tek ai. Në fakt, nga penalltia e humbur ndaj Serbisë tek e ardhmja e tij. Rei Manaj mbetet në qendër të mediave ku për të flitet, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Turqi. Sulmuesi pritet të largohet nga Sivaspor, skuadër që ka në pronësi kartonin e tij, por jo nga Turqia, pasi për të interesohen disa ekipe në Superligë.
Sipas mediave në Turqi, së fundmi interes për të ka shfaqur Samsunspor, skuadër që e mbylli sezonin në vendin e tretë. Ekipi i Arbnor Mujës do të luajë në Europë këtë vit, për këtë arsye po planifikojnë të përforcohen gjatë merkatos së verës dhe Manaj shihet si opsion ideal. I njëjti ekip, pak ditë më parë qarkulloi lajmi se ishte duke u interesuar edhe për mbrojtësin Enea Mihaj, që për momentin është një futbollist i lirë. Ky i fundit ka marrë oferta edhe nga klube në SHBA.
-

Transferimi i Dakut dështoi në çastin e fundit, legjenda Arshavin: Mirlindi do të ishte një përforcim për ne
Mirlind Daku ishte vetëm një hap larg firmës me Zenitin e Shën Petersburgut. Gjithçka po shkonte në rrugën e duhur, por në çastin e fundit rroga e kërkuar nga lojtari shqiptar u kthye në pengesën që solli dështimin e këtij transferimi. Për këtë lëvizje është pyetur edhe ish-futbollisti i madh rus, Andrej Arshavini.
Ish-sulmuesini i Arsenalit, i cili tashmë ka një rol zyrtari pranë Zenitit të Shën Petersburgut, është pyetur nëse prania e Dakut do ta përforconte edhe më tepër skuadrën. Sipas “RB Sport”-it ai është përgjigjur se sulmuesi shqiptar do të ishte një përforcim i mirë për Zenitit, por gjithashtu klubit do t’i duhej të largonte një tjetër lojtar në sulm në rast se ky transferim do të përfundonte me sukses.
“Sigurisht që ai (Mirlind Daku) do të kishte qenë një përforcim për ne. Por Zeniti do të duhej që të ndante rrugët me dikë”, ka thënë Andrej Arshavini./Sport Ekspres/ -

Dështon transferimi i Mirlind Dakut te Zeniti, drejtuesi i klubit rus pranon mosmarrëveshjen për rrogën
Ka dështuar transferimi i Mirlind Dakut te Zeniti i Shën Petersburgut. Sulmuesi shqiptar ishte fare pranë kalimit te gjiganti rus, por negociatat kanë marrë një rrjedhë krejtësisht tjetër. Arsyeja e moshedhjes së firmës në kontratë ishte paga e lojtarit nga Gjilani.
Mediat ruse raportojnë se Daku kërkonte më tepët se sa 3.5 milionë euro në sezon. Një shifr kjo e lartë për klubin rus. I pyetur për dështimin e këtij transferimi, kreu i Bordit të Drejtuesve të Zenitit të Shën Peterburgut, Aleksandër Medvedevi, është shprehur: “Thjesht nuk arritëm të gjenim një marrëveshje me lojtarin dhe menaxherin e tij. Ai nuk do të vijë te Zeniti”./Sport Ekspres/ -

Dështon transferimi i Dakut te Zenit, ja arsyeja
Transferimi i Mirlind Dakut te Zeniti ka dështuar përfundimisht. Sulmuesi i Kombëtares ishte gati të bënte hapin e madh në karrierë te gjigantët e Rusisë, por kushtet financiare kanë penguar firmën.
Vetë agjenti i Dakut, Haris Fakiç, ka konfirmuar në Rusi prapaskenat. “Daku nuk do të shkojë te Zeniti, transferimi ka dështuar. Nuk arritëm marrëveshje për kushtet financiare”, është shprehur Fakiç për mediat ruse.
Gjithçka raportohej e kryer disa ditë më parë, ndërsa klubet kishin arritur akordin për 8 milionë euro. Daku ka edhe një vit kontratë të mbetur me Rubinin, teksa mbetet për t’u parë ku do vazhdojë e ardhmja e tij. -

Zbulohen detajet e kontratës së Dakut te Zeniti, debutimi mund të vijë kundër… Crvena Zvezdës
Mirlind Daku të largohet nga Rubin Kazani. Sulmuesi shqiptar do të ndërrojë skuadër, por jo kampionat. Mediat ruse bëjnë me dije se lojtari 27-vjeçar është një hap larg Zenit Shën Petersburgut. Media “Championat” ka zbuluar edhe detaje nga kontrata Dakut.
Futbollisti nga Gjilani do të përfitojë një pagë prej 2.2 milionë eurosh në sezon, ndërsa Zenitit do t’i kushtojë gjithsej 10 milionë euro ky transferim. Daku do të kryejë testet mjekësore më 15 qershor dhe nëse gjithçka shkon mirë, më 29 qershor do të jetë zyrtarisht lojari i Zenitit të Shën Petersburgut. Si për ironi të fatit, ndeshja debutuese e sulmuesit shqiptar mund të jetë ajo kunër klubit serb, Crvena Zvezdës, e cila do të zhvillohet pikërisht më 29 qershor. /Sport Ekspres/ -

“Doni të flas për babain e Mirlind Dakut tani?”! Gazetarët e vendosin në siklet, reagimi i trajnerit të Rubin Kazan
Mirlind Daku ndodhet në një formë fantastike në Rusi dhe dje ka arritur të shënojë 2 gola kundër Khimki. Ndërkohë në total, sulmuesi shqiptar numëron plot 14 gola në 29 javë të kampionatit.
Ndërkohë babai i Mirlind Dakut ka dhënë shpesh disa intervista në Rusi, i ndjekur nga interesi i madh që kanë mediat ruse mbi një transferim të djalit të tij. Këtë herë babai i Mirlindit është shprehur se djali i tij do të transferohet në verë në një kampionat më të fortë.
Sigurisht që histori të tilla mbahen gjithmonë sekrete nga ana e klubit dhe trajneri i Rubin Kazan, Rakhimov, dukej qartë i pakënaqur me fjalët e thëna në publik nga ana e babait të lojtarit shqiptar.
I vendosur në siklet nga gazetarët që i kujtojnë faktin se Daku do të largohet, Rakhimov u përgjigj edhe me pak nota ironie: “Babai i Dakut tha se do të largohet djali i tij në klub tjetër? E uroj atë. Mund ta merrni në telefon babain e tij dhe të flisni me të. Përse duhet të flas unë për fjalët e thëna nga babai? Ai mund të thotë çfarë të dëshiroj, por me Dakun, unë nuk kam folur akoma në lidhje me këtë temë”, tha Rakhimov. /Sport Ekspres/