Tag: conte

  • Conte i zhgënjyer: Frankfurti i kishte mësuar mirë katenaçon, po të kishim luajtur ne kështu…

    Conte i zhgënjyer: Frankfurti i kishte mësuar mirë katenaçon, po të kishim luajtur ne kështu…

    5 Nëntor 2025

    8:11

    Alfred Lleshi

    Barazimi në shtëpi ndaj Eintracht Frankfurtit la shumë pakënaqësi te Napoli, që renditet në vendin e 19-të të fazës së ligës me vetëm 4 pikë. Fitorja e vetme daton nga muaji i kaluar kundër Sporting Lisbona.
    Për trajnerin Conte, rruga drejt kualifikimit në Champions është bërë shumë e vështirë: “Kur nuk shënon, nuk fiton. Për fat të keq, luajtëm kundër një skuadre gjermane që ka mësuar mirë si bëhet katenaço italiane. Po të kishim luajtur ne kështu në Gjermani, do të flitej për futboll të vjetër. Megjithatë, ne mbetemi mësues të mirë”.
    Conte u shpreh i kënaqur me përkushtimin e lojtarëve: “Krijuam raste të mëdha, nuk kam çfarë të qortoj. Po përpiqemi të rritemi, por është e vështirë”. Ai pranoi se mungesa e De Bruyne po ndikon: “Pa Kevin duhet të shpikim zgjidhje, si sot me Elmas në rolin e organizatorit. Djemtë dhanë gjithçka. Duhet që ‘Maradona’ të ndizet bashkë me ne”.

  • Conte: Napoli kryesues i bezdis të tjerët. Kritikat? Zëra të krijuar me qëllim destabilizimin tonë

    Conte: Napoli kryesues i bezdis të tjerët. Kritikat? Zëra të krijuar me qëllim destabilizimin tonë

    3 Nëntor 2025

    13:49

    Alfred Lleshi

    Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Eintracht Frankfurt, trajneri i Napolit Antonio Conte reagoi ndaj kritikave të fundit, duke mbrojtur skuadrën e tij: “Nga 5 sulmuesit që kam, Lang e Neres janë lojtarë krahu për skemën 4-3-3. Edhe Politano është i tillë. Në futbollin modern të gjithë sulmojnë dhe të gjithë mbrohen. Diferencat janë vetëm te karakteristikat”.
    Kur u pyet për mungesën e golave, ai shpërtheu: “Jemi në krye të renditjes dhe ju flisni për mungesë goli. Kemi pasur mungesa të shumta; Lukaku, De Bruyne, Rrahmani, Lobotka, por jemi përsëri aty lart. Ju kërkoni të shihni gjithmonë gotën gjysmë bosh. Anguissa ka 3 gola më shumë se sezonin e kaluar, pra jemi seriozë”.
    Më pas dërgoi një mesazh për tifozët: “Dua që tifozët napolitanë të mos mashtrohen nga zëra të krijuar për të na goditur. Napoli si kryesues bezdis shumëkënd. Duhet të jemi të bashkuar; unë, lojtarët dhe tifozët. Edhe nëse nuk fitojmë, do të mbetemi një grup i fortë. Napoli që lufton për vendet e para i tremb të tjerët”.

  • Napoli-Como, ose Conte kundër Fabregas: “Dy trajnerë të ndryshëm, por të njëjtë në një gjë”

    Napoli-Como, ose Conte kundër Fabregas: “Dy trajnerë të ndryshëm, por të njëjtë në një gjë”

    1 Nëntor 2025

    10:32

    Alfred Lleshi

    Arrigo Sacchi, legjenda e futbollit, komentoi për “Gazzetta dello Sport” ndeshjen Napoli-Como: “Të dyja ekipet luajnë futboll të bukur, agresiv, të guximshëm dhe proaktiv. Sulmojnë me 11 dhe mbrojnë po me 11, duke vlerësuar kolektivin. Krediti është i dy trajnerëve; Antonio Conte dhe Cesc Fabregas. Të ndryshëm në metoda, ndonjëherë edhe në interpretim, por të njëjtë në objektiv; fitore përmes lojës”.
    Për Conte: “E njoh prej mbi 30 vitesh, e kam pasur lojtar kur isha trajner kombëtareje. Shkruante gjithçka pas stërvitjeve, kurioz dhe i vendosur. Ka kulturë pune të jashtëzakonshme, arrin më të mirën nga lojtarët. Një mjeshtër, fenomen”.
    Për Fabregas: “Nuk e njoh personalisht, por shoh si luan Como. Vjen nga dy shkolla të mëdha; Arsenali dhe Barcelona. Ka mësuar shijen e lojës. Lojtarët e tij dinë gjithmonë çfarë të bëjnë, si të lëvizin dhe të dalin nga situatat e komplikuara. Meritën për rritjen progresive të Como e ka patjetër trajneri”.

  • Conte në kundërsulm: Ka nga ata që flasin dhe ikin. Arbitrat? Nuk ankohemi, por s’jemi budallenj

    Conte në kundërsulm: Ka nga ata që flasin dhe ikin. Arbitrat? Nuk ankohemi, por s’jemi budallenj

    29 Tetor 2025

    7:40

    Alfred Lleshi

    Napoli ruajti kreun e Serie A me fitoren 1-0 ndaj Lecce, falë golit të Anguissa dhe penalltisë së pritur nga Milinković-Savić. Megjithatë, Antonio Conte nuk u shfaq plotësisht i kënaqur:
    “Në këtë fillim sezoni kemi shumë dëmtime të lojtarëve të rëndësishëm. U fol shumë për përforcime, por humbëm De Bruyne dhe Lukakun. Dikush thotë se po përfitojmë, kjo është absurde. Disa flasin shumë, por ndonjëherë duhet heshtur dhe pranuar që dikush kupton më shumë”.
    Trajneri kritikoi edhe qasjen e skuadrës: “Në pjesën e dytë na mungoi qartësia, duhej ta mbyllnim ndeshjen”. Në konferencë, Conte shtoi: “Ka nga ata që flasin e më pas ikin. Më vjen keq për De Bruyne. Disa tani thonë se mungesa e tij është avantazh, absurditet total. Shpresoj që ankesat e disa presidentëve të mos ndikojnë te Rocchi dhe gjyqtarët. Ne jemi të qetë, por jo budallenj”.

  • Keqkuptimi “foshnjarak” i Contes ndezi polemikat me Marotta dhe Chivu pas Napoli-Inter

    Keqkuptimi “foshnjarak” i Contes ndezi polemikat me Marotta dhe Chivu pas Napoli-Inter

    Mbas tensioneve të shpërthyera pas Napoli-Inter 3-1 fshihet një keqkuptim “foshnjarak”, që çoi në deklaratat e Antonio Conte kundër Marotta dhe Chivu, të cilat i irrituan shumë interistët. Në klub, fjalët e Contes u konsideruan “të rënda”, si për formën, ashtu edhe përmbajtjen. Conte përmendi Cristian Chivu, që më pas u dallua për “fair play”, dhe kritikoi Beppe Marotta: “Një skuadër e madhe duhet të gjejë arsyet e vërteta të një humbjeje dhe jo të fajësojë të tjerët, sepse krijohen alibi për ambientin dhe lojtarët”.
    Marotta, megjithëse kritikoi arbitrimin, kishte nënvizuar meritën e kundërshtarëve: “Goli i penalltisë së Napolit vendosi ndeshjen… Napoli e legjitimoi fitoren në 30 minutat e fundit”. Conte u përgjigj ashpër: “Nuk do ta lejoja kurrë një drejtues, ose president të fliste kështu… Unë gjithmonë jam mbrojtur vetë, nuk kam nevojë për avokat mbrojtës”.
    Sipas “Gazzetta dello Sport”, tensioni lindi nga një keqkuptim. Conte mendonte se Chivu nuk do të deklarohej për mediat, vetëm Marotta do të komentonte para gazetarëve. Ky keqkuptim e shndërroi një mosmarrëveshje të thjeshtë në çështje mediatike, ndërkohë që Chivu më pas foli për ta ulur tensionin, diskutoi vetëm për ndeshjen.

  • Marotta u ankua për penalltinë, Conte thumbon Interin: Dua t’u kujtoj se unë iu solla titullin pas 10 vitesh…

    Marotta u ankua për penalltinë, Conte thumbon Interin: Dua t’u kujtoj se unë iu solla titullin pas 10 vitesh…

    Ndryshe nga Inter, ku në vend të trajnerit Cristian Chivu, foli presidenti Giuseppe Marotta, tek Napoli, foli trajneri Antonio Conte, pas fitores 3-1 ndaj zikaltërve.
    “Unë e jetoj lojën me lojtarët e mi, në të mirë dhe në të keq, dhe luajtëm kundër, sipas mendimit tim, skuadrës më të mirë në Itali. Ata humbën disa pikë gjatë rrugës, por skuadra e tyre është në letër në një nivel krejtësisht të ndryshëm nga të gjithë të tjerët. Ata nuk arritën në finalen e Ligës së Kampionëve dy herë në tre vjet për shkak të një rastësie.
    Të fitosh këtë ndeshje, me të gjitha vështirësitë që patëm, duke humbur lojtarë si Lobotka, Rrahmani, Meret dhe Hojlund, pastaj duke humbur De Bruyne, me Lukaku jashtë që nga para-sezoni…
    Ndoshta dikush na ka mallkuar, por ne vazhdojmë gjithsesi. Interi erdhi këtu sot duke synuar të na “vr*së” në një nivel sportiv,  por ne nuk kishim ndërmend të “vdi*nim”. Mes të gjitha këtyre problemeve, ne bëmë një performancë të shkëlqyer”, tha Conte.
    Trajneri i Napoli-t foli dhe për incidentin që pati me Lautaro Martinez gjatë ndeshjes. “Kur luan ndeshje në këtë nivel, këto gjëra mund të ndodhin. Dua vetëm t’i kujtoj Interit se unë e solla Scudetton përsëri në klub pas 10 vitesh, duke përfshirë nëntë tituj radhazi të Juventusit, dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo për mua. Ruaj kujtime shumë të mira të asaj përvoje. Lautaro është një lojtar shumë i mirë, ndoshta nuk arrita ta njihja aq mirë në një nivel personal. I uroj gjithë të mirat, kjo është në rregull”, shtoi Conte.
    Gjithashtu, Conte pati edhe një koment për Beppe Marottën, i cili foli pas ndeshjes duke thënë se penalltia ishte ajo që vulosi fatin e takimit.
    “Interi dërgon Marottën dhe drejtorët sa herë që kanë mundësi, ndërsa në Napoli unë vij këtu. Një ekip duhet të vlerësojë dhe të kuptojë pse humbi, duke bërë këtë ata thjesht krijojnë alibi për lojtarët dhe trajnerin. Unë nuk do ta kisha lejuar. Tani Marotta është President, por nuk është e drejtë që ai duhet të vijë këtu dhe të bëjë këto deklarata…”, përfundoi Conte.

  • Chivu kundër Conte, çfarë kaosi në përballjen e vetme. Shtylla, kartonë të kuq, grindje dhe “copë mu*ti…”

    Chivu kundër Conte, çfarë kaosi në përballjen e vetme. Shtylla, kartonë të kuq, grindje dhe “copë mu*ti…”

    Në përballjen e vetme mes Antonio Conte dhe Cristian Chivu ndodhi gjithçka: tri shtylla, një penallti e dhënë dhe më pas e anuluar, shumë nervozizëm, grindje dhe dy kartonë të kuq, një për Conte dhe një për Chivu, në ndeshjen Parma–Napoli të majit 2025, që rrezikoi t’i kushtonte titullin.
    Ishte java e parafundit e Serie A, me Napolin që kishte 78 pikë, një më shumë se Interi (77). Parma e Chivu mbrojti fort, ndërsa Napoli goditi traversën me Politano dhe shtyllën me Anguissa. Ajo penallti për Neres u hoq më pas nga VAR-i dhe ndeshja përfundoi 0–0, ndërsa Inter-Lazio 2-2 i dha Napolit frymëmarrjen drejt titullit.
    Në fund, pas golit të barazimit të Lazios, shpërtheu kaosi. Conte u përplas me ndihmësin Gagliardi, duke i thënë: “Nuk ke durim, copë mu*i… Pastaj do të vij të të kap vetë”. Kurioziteti i fundit që lidh Chivu dhe Conte i përket ndeshjes së 25 viteve më parë, Itali-Rumani 2-0, në çerekfinalet e “Euro 2000”.
    Antonio doli nga loja me notën 6 dhe kyçin e këmbës të dëmtuar rëndë pas ndërhyrjes së ashpër të Gheorghe Hagi, që e detyroi të largohej nga fusha. Vlerësimi për të ishte: “Nga ai erdhi sinjali i parë i reagimit të italianëve, pas një fillimi të vështirë”. Chivu mori notën 6.5: “U konfirmua si një talent i shkëlqyer, gjithmonë në lëvizje. Me të ardhme të sigurt”.

  • Conte karikon Napoli, kërkon të ndryshojë fytyrë pas humbjesh së turpshme në Europë

    Conte karikon Napoli, kërkon të ndryshojë fytyrë pas humbjesh së turpshme në Europë

    “Rinisje” është motoja e Napolit përpara ndeshjes së madhe kundër Interit. Kampionët e Italisë duhet ta harrojnë shpejt humbjen në Eindhoven dhe ringjallja e garës për titullin kampion është një mundësi e artë. Megjithatë, ata duhet të menaxhohen sa më mirë që të jetë e mundur për të shmangur një humbje të tretë radhazi dhe një krizë edhe më të thellë.
    Trajneri Antonio Conte i vuri lojtarët e tij të punonin në dy fronte: njëri mendor dhe tjetri, padyshim, fizik. Para seancës stërvitore, trajneri dhe ekipi u takuan përsëri për të kuptuar se çfarë shkoi keq në Holandë dhe për të gjetur një zgjidhje. Seanca në fushë zgjati shumë dhe përfundoi vonë pasdite.
    Të gjithë ishin të përfshirë, si në studimin e Interit ashtu edhe në punën taktike. Conte donte t’u përcillte lojtarëve tre koncepte: përulësi, punë të palodhur dhe sakrificë. “Pa këto detaje nuk do të arrish askund”, tha Conte.
    Sa i përket formacionit, sulmi është aktualisht fusha ku Conte ka dyshimet më të mëdha. Mungesa e Hojlund kundër Torino dhe PSV u ndje, por ka njëfarë optimizmi për gjendjen e danezit. Të enjten, ai u stërvit pjesërisht me grupin dhe pjesërisht vetëm, pasi ende po përjetonte disa shqetësime në këmbën e majtë.
    Për momentin, e vetmja siguri është mbështetja e madhe që do të japing tifozët në stadiumin “Maradona”. Të shtunën në mbrëmje stadiumi do të jetë i mbushur me tifozë të gatshëm për të ndihmuar ekipin të rikthehet në këmbë.

  • Conte me dhimbje koke, rekordi negativ në Champions League që nuk e do e donte asnjë trajner

    Conte me dhimbje koke, rekordi negativ në Champions League që nuk e do e donte asnjë trajner

    22 Tetor 2025

    18:02

    Telesport

    Napoli u turpërua mbrëmë në Eindhoven, ku pësoi 6 gola nga PSV. Holandezët fituan 6-2, duke i shkaktuar kampionëve në fuqi të Italisë humbjen më të thellë në historinë e tyre në Kupat e Europës.
    Po ashtu kjo është humbja më e thellë që Antonio Conte ka pësuar në Champions League në karrierën e tij si trajner. Nëse Conte mund të cilësohet si “mjeshtër” për të fituar titullin kampion, e kundërta ndodh në Champions League, aty ku trajneri italian regjistron 16 fitore, 14 barazime dhe 15 humbje.
    Pas 3 ndeshjeve të para në Champions League në këtë sezon, Napoli ka pësuar dy humbje dhe ka vetëm një fitore, atë në shtëpi ndaj Sporting Lisbon. Përveç humbjes ndaj PSV-së, Napoli është mundur edhe nga Man. City 2-0.
    Për momentin, Napoli renditet në vendin e 22-të me vetëm 3 pikë dhe objektivi kryesor është sigurimi i një vendi nga 9-16, që të dërgon në play-off, pasi kualifikimi në 8 vendet e para, duket i pamundur.

  • Conte dhe “makthi” i Ligës së Kampionëve. Nga Juve te Napoli, shifrat janë të pamëshirshme

    Conte dhe “makthi” i Ligës së Kampionëve. Nga Juve te Napoli, shifrat janë të pamëshirshme

    Te Napoli diçka nuk shkon, kjo është e qartë. Mund të jenë afrimet e shumta të reja në merkaton verore, ndoshta tepër për Antonio Conte. Ndoshta ndryshimi i modulit të lojës. Pastaj vijnë dëmtimet e shumta, mungesa e grintës dhe njëfarë relaksimi pas suksesit të madh të sezonit të kaluar. Edhe forca e rivalëve ka ndikuar, pa harruar një dozë fati të keq.
    Humbja turpëruese ndaj PSV tregoi gjithashtu limitet e vetë trajnerit, i cili historikisht ka pasur vështirësi në Europë, veçanërisht në Champions League. Statistikat e tij flasin vetë: Conte në 45 ndeshje si trajner në Champions ka 16 fitore, 14 barazime dhe 15 humbje. Pra, mesatare prej 1.38 pikësh për ndeshje.
    Me Juventusin: 14 ndeshje (6 fitore, 4 humbje, 4 barazime).
    Me Chelsea: 8 ndeshje (3 fitore, 2 humbje, 3 barazime).
    Me Interin: 12 ndeshje (3 fitore, 5 humbje, 4 barazime).
    Me Tottenhamin: 8 ndeshje (3 fitore, 2 humbje, 3 barazime).
    Me Napolin: 3 ndeshje (1 fitore, 2 humbje).
    Rezultati më i mire? Çerekfinalet e edicionit 2012-2013 me Juven (u eliminua ndaj Bayernit). Dy herë të tjera arriti në 1/8 finale, me Chelsea (2017/18, eliminuar nga Barcelona) dhe Tottenham (2022/23, eliminuar nga Milani). Në pjesën tjetër të rasteve është eliminuar që në fazën e grupeve. Në Europë, Conte mbetet një trajner që “lundron”, por nuk shkëlqen.