Tag: civile

  • Rrezik në ajër për Izraelin, Huthit paralajmërojnë sulme ndaj avionëve të linjave izraelite me civilë

    Rrezik në ajër për Izraelin, Huthit paralajmërojnë sulme ndaj avionëve të linjave izraelite me civilë

    Huthit e Jemenit planifikojnë të zgjerojnë veprimet e tyre kundër Izraelit dhe të nisin sulme ndaj avionëve civilë që i përkasin transportuesve izraelitë, raportoi gazeta libaneze Al-Akhbar, duke cituar burime brenda organizatës.

    Sipas raportit, kjo ka të bëjë kryesisht me linjën ajrore më të madhe të Izraelit, El Al, si dhe me transportues të tjerë kombëtarë si Arkia dhe Israir. Kërcënimet erdhën pasi forcat ajrore izraelite sulmuan Aeroportin Ndërkombëtar të Sanaas të kontrolluar nga Huthit këtë javë.
    Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se sulmi shkatërroi avionin e fundit operativ që Huthit kishin në zotërim. Sipas vetë grupit, ishte një aeroplan i përdorur për evakuime mjekësore në Jordani.
    Paralajmërimi i Houthive
    Në përgjigje, Huthit deklaruan se “operacionet e tyre të ardhshme do të ndryshojnë në shkallë dhe përmbajtje”, duke shtuar se tani mund të synojnë jo vetëm avionë ushtarakë, por edhe avionë civilë që i shërbejnë Izraelit.
    Ndërsa ende nuk është e qartë nëse Huthit kanë teknologjinë dhe armët e nevojshme për të sulmuar avionët e pasagjerëve, një zëdhënës i grupit më parë deklaroi në një intervistë me Neësëeek se ata kishin siguruar “një armë të re të aftë për të krijuar një bllokadë ajrore për Izraelin”.
    Kujtohet se që nga fillimi i muajit, disa linja ajrore ndërkombëtare kanë pezulluar fluturimet për në Izrael pasi një nga raketat e lëshuara nga Huthit goditi zonën e Aeroportit Ndërkombëtar, Ben Gurion.

    Top Channel

  • Shoqëria civile: Moskonstituimi i Kuvendit po rrezikon përfitimet nga Plani i Rritjes

    Shoqëria civile: Moskonstituimi i Kuvendit po rrezikon përfitimet nga Plani i Rritjes

    Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe organizatat joqeveritare u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë këtë institucion, duke thënë se një nga pasojat e mosthemelimit të institucioneve është ngecja në ratifikimin e Planit të Rritjes.
    Përmes një reagimi, shoqëria civile tha se zvarritja e ratifikimit të marrëveshjes për Planin e Rritjes, rrezikon jo vetëm përfitimet e drejtpërdrejta financiare, “por edhe kredibilitetin e Kosovës si partnere e besueshme në proceset evropiane”, u tha në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.

    Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian synon përshpejtimin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian, dhe sipas shoqërisë civile, ai paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe për integrimin evropian.
    Kuvendi i Kosovës nuk është themeluar ende, edhe pse seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Deri më tani, deputetët në 23 tentime kanë dështuar që të përmbyllin këtë proces. Çështja ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, propozimi për të cilin i takon fitueses së zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo partia ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post.
    Por, Haxhiu po konsiderohet figurë përçarëse nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
    Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
    Faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës që të formojë institucionet e reja, pas zgjedhjeve të shkurtit. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit, hapet rruga për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. REL/

  • OKB: Sulmet e Rusisë me dronë në Herson të Ukrainës përbëjnë krim lufte

    OKB: Sulmet e Rusisë me dronë në Herson të Ukrainës përbëjnë krim lufte

    Ushtria ruse ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit duke i sulmuar me dronë shënjestrat civile në rajonin jugor të Ukrainës, Herson, sipas një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara.

    Raporti i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar për Hetime në Ukrainë – i publikuar më 28 maj – është prova më e fundit që dëshmon për krime të mundshme të kryera nga autoritetet civile apo ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
    “Forcat e Armatosura të Rusisë kanë kryer krime kundër njerëzimit përmes vrasjeve dhe krime lufte duke sulmuar civilët, përmes një modeli të sulmeve me dronë që kanë zgjatur me muaj dhe që kanë shënjestruar civilët në bregun e djathtë të lumit Dnieper në Herson”, thuhet në raportin e komisionit.
    Në fund të vitit 2022, disa muaj pas fillimit të pushtimit të plotë, forcat ukrainase arritën t’i zmbrapsin pjesërisht trupat ruse nga rajoni i Hersonit. Forcat ruse u tërhoqën nga brigjet perëndimore të lumit Dnieper në drejtim të lindjes, i cili është pjesë e rajonit të Hersonit.
    Prej asaj kohe, trupat ruse kanë vazhduar të bombardojnë qytete dhe fshatra në bregun përballë, përfshirë edhe qytetin e Hersonit. Në vitin 2023, forcat ukrainase tentuan të krijojnë një pikëmbështetje në bregun lindor të Dnieperit për të shtyrë më tej trupat ruse, por kjo përpjekje dështoi.
    Gati 150 civilë janë vrarë në fushatën e sulmeve me dronë që, sipas komisionit, nisi në verën e vitit 2024; dhe qindra të tjerë janë plagosur – shumë prej tyre ndërsa kryenin punët e tyre të përditshme brenda apo jashtë shtëpive të tyre. Operatorët e dronëve përdorën video në kohë reale për t’i ndjekur dhe goditur civilët, thuhet në raport.
    Edhe ambulancat, të cilat janë të mbrojtura sipas ligjit ndërkombëtar, kanë qenë në shënjestër të këtyre sulmeve.
    Sulmet ruse “janë kryer me qëllimin kryesor për të përhapur terror mes popullsisë civile, duke e shkelur ligjin humanitar ndërkombëtar”, tha paneli i ekspertëve, që funksionon në kuadër të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.
    Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila funksionon në mënyrë të pavarur nga Kombet e Bashkuara, ka ngritur akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj presidentit Vladimir Putin dhe një këshilltareje të lartë të Kremlinit për mbikëqyrjen e zhvendosjes me forcë të dhjetëra mijëra fëmijëve nga territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia.
    Gjykata gjithashtu ka ngritur akuza për krime lufte ndaj dy oficerëve të lartë të ushtrisë ruse për mbikëqyrjen e sulmeve me raketa dhe dronë ndaj objektivave civile në Ukrainë, si rrjetet elektrike dhe banesat./REL

    Top Channel

  • 22 seanca telenovelë, shoqëria civile proteston kundër deputetëve për krizën politike

    22 seanca telenovelë, shoqëria civile proteston kundër deputetëve për krizën politike

    Kosova E Martë, 27 Maj 2025 19:11
    22 seanca të dështuara për të votuar Albulena Haxhiun si kryeparlamentare të Kosovës. Ndaj dhe organizatat e shoqërisë civile protestuan këtë të martë ndaj deputetëve për shkak të dështimeve të shumta për konstituimin e Kuvendit.
    Manifestuesit rreshtuan disa karrige bosh në hyrje të Parlamentit, duke vendosur në to dhe disa pankarta me këto mbishkrime: “Për çfarë ju kemi zgjedhë?”, “Çdo vonesë ka kosto!”, “Boll” dhe “Cirku i demokracisë”.

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovë, thekson se 120 karriget bosh janë vendosur për secilin deputet që për më shumë se tre muaj ka dështuar të përmbushë detyrimin me të rëndësishëm të mandatit të tij, atë të besimit të qytetarëve përmes një Kuvendi funksional.

  • Angazhimi i FA për Emergjencat Civile, Vengu: Rreth 7 mijë trupa dhe 1 mijë mjete të angazhuara në 250 operacione

    Angazhimi i FA për Emergjencat Civile, Vengu: Rreth 7 mijë trupa dhe 1 mijë mjete të angazhuara në 250 operacione

    Gjatë vitit 2024, Forcat e Armatosura dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë ndërmarrë qindra ndërhyrje në të gjithë territorin e vendit, duke ndihmuar banorët dhe parandaluar dëme të mëdha materiale.
    Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot në rrjetet sociale shifrat e angazhimit të Forcave të Armatosura për Emergjencat Civile në vitin 2024.
    Forcat e Armatosura kanë marrë pjesë në 250 operacione të emergjencave civile, teksa janë angazhuar 6 738 trupa dhe 996 mjete.
    Vengu nënvizoi se, falë trajnimit të vazhdueshëm, stërvitjeve dhe modernizimit me mjete dhe pajisje, sot jemi më të përgatitur për të përballuar çdo situatë emergjente.
    Por, shtoi ai, siguria nuk është vetëm detyrë e institucioneve, ajo fillon me ndërgjegjësimin dhe bashkëpunimin e çdo qytetari.
    “Parandalimi është arma jonë më e fortë për të shmangur rreziqet dhe për të mbrojtur jetën, mjedisin dhe pronën”, theksoi Vengu.

  • Administrata Trump lehtëson sanksionet për Sirinë, hap rrugë për rindërtimin pas 13 vitesh lufte civile

    Administrata Trump lehtëson sanksionet për Sirinë, hap rrugë për rindërtimin pas 13 vitesh lufte civile

    Administrata e Presidentit Donald Trump bëri një hap të paprecedentë të premten duke dhënë përjashtime të gjera nga sanksionet për Sirinë, në një përpjekje për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga 13 vjet luftë civile.

    Ky veprim shënon fillimin e një procesi që synon heqjen e një gjysmë shekulli sanksionesh që kanë penguar rindërtimin dhe stabilizimin e Sirisë.
    Sipas Departamentit të Shtetit, përjashtimet përfshijnë pezullimin për gjashtë muaj të një serie sanksionesh të ashpra, ndërsa Departamenti i Thesarit ndaloi zbatimin e sanksioneve kundër bizneseve dhe individëve që bashkëpunojnë me entitete siriane, përfshirë bankën qendrore të vendit
    Siria tani drejtohet nga qeveria e përkohshme e Ahmad al-Sharaa, një ish-komandant i milicisë që luajti rol kyç në rrëzimin e ish-udhëheqësit Bashar Assad në fund të vitit të kaluar.
    Presidenti Trump theksoi javën e kaluar se SHBA do t’i japë një mundësi qeverisë së re për të siguruar mbështetje ekonomike dhe investime, duke i hapur rrugën kthimit të bizneseve dhe investitorëve në Siri. “Kjo është mundësia për një fillim të ri”, tha zyrtarë të administratës.
    Avokati siriano-amerikan Mouaz Moustafa, i cili ka bërë fushatë për ndihmë të gjerë, përshkroi masën si shpresë për një Siri demokratike në të ardhmen. “E vetmja alternativë ishte që Siria të bëhej një shtet i dështuar dhe të përfshihej në një konflikt të përgjakshëm civil”, tha ai.
    Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto përjashtime mund të jenë të përkohshme, pasi sanksionet e ashpra, të vendosura në vitin 2019 përmes Aktit të Mbrojtjes Civile të Sirisë së Cezarit, mund të rikthehen pas gjashtë muajsh, duke ndikuar në gatishmërinë e investitorëve për projekte afatgjata rindërtimi.
    Administrata amerikane theksoi se masat e së premtes janë vetëm një pjesë e strategjisë së gjerë për të hequr sanksionet, të cilat synojnë të penalizojnë familjen Assad për mbështetjen e milicive të mbështetura nga Irani, përdorimin e armëve kimike dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.
     

    Top Channel

  • U dhunua nga kolegia në zyrën e gjendjes civile, viktima pushohet nga puna

    U dhunua nga kolegia në zyrën e gjendjes civile, viktima pushohet nga puna

    Më 25 maj 2022, në zyrën e Gjendjes Civile Elbasan, ka ndodhur një konflikt fizik mes dy punonjëseve të kësaj zyre. Njëra prej tyre, tashmë ish-punonjëse, thotë se ka punuar 14 vjet në këtë institucion dhe nuk ka pasur probleme të tilla. Por kur erdhi kolegia e re, Fatbardha Kume, nisi ta ofendonte dhe ta bullizonte, gjë që arriti deri në dhunë fizike.
    Denoncuesja thotë se u ankua te përgjegjësja e gjendjes civile të asaj kohe, por nuk u mor asnjë masë. Më pas iu drejtua Drejtorisë së Policisë Elbasan dhe OPGJ Ornela Leçku e mori në pyetje, i bëri foto dhe zonja mori 5 ditë raport.Pas kthimit në punë situata konfliktuale vijoi dhe denoncuesja humbi edhe vendin e punës.

    Emisioni “Stop” në Tv Klan interesohet pranë OPGj Ornela Leçka, e cila pranon se i kujtohet ky rast. Ajo thotë se ka marrë në pyetje palët, ka bërë këqyrjen e rastit dhe fotot dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë.

    OPGJ Ornela Leçka: Rasti është kaluar në Prokurori. Janë referuar letrat në Prokurori. Dy gocat normalisht i njoh se jam nga Elbasani dhe mbaj mend që kam bërë këqyrjen, i kam çuar tek eksperti.
    Gazetarja: Ishte e dhunuar, ishte e traumatizuar?
    OPGJ Ornela Leçka: Më kujtohet diçka, që i kemi bërë foto me ekspertin, po se çfarë shenjash ka pasur konkretisht, nuk di të them, se kuptohet unë kam pasur rast pas rasti. Di që fotot nga eksperti janë bërë. Kjo më kujtohet sepse kemi qenë tek zyra ime kur ia kemi bërë fotot. Më pas janë referuar letrat në Prokurori.
    Në përgjigje të një shkrese, Prokuroria e Elbasanit shprehet se e ka regjistruar procedimin penal dhe në vitin 2023 ka dalë me pushimin e çështjes. Nëse palët kanë pretendime, duhet t’i drejtohen gjykatës./tvklan.al

  • Situata në Siri pas rënies së Al-Assad, Rubio: Shteti sirian është disa javë larg një lufte civile

    Situata në Siri pas rënies së Al-Assad, Rubio: Shteti sirian është disa javë larg një lufte civile

    Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, paralajmëroi sot se Siria mund të jetë  disa javë larg një “lufte civile”, disa ditë pasi udhëheqësit e administratës amerikane u takuan me autoritetet tranzicionale të Sirisë.

    “Në fakt, ne besojmë se, sinqerisht, autoriteti tranzicional, duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet, është javë, nëse jo muaj, larg një kolapsi të mundshëm dhe një lufte civile në shkallë të plotë, që do të thotë shpërbërja e vendit”, i tha Rubio Komitetit të Senatit për marrëdhëniet e Jashtme.
    Rubio shtoi se SHBA-të do të lejojnë personelin e tyre në Turqi të fillojë të punojë me qeverinë siriane për të përcaktuar se çfarë lloj ndihme i nevojitet Sirisë.
    Kujtojmë se presidenti amerikan javën e kaluar gjatë turit te tij në Lindjen e Mesme u takua me liderin e përkohshëm sirian Ahmad al-Sharaa dhe madje si asnjë herë tjetër tha se SHBA-të mund të heqin sanksionet ndaj Sirisë.

    Top Channel

  • Rusia sulme me dronë në Ukrainë, autoritetet: Humbën jetën nëntë civilë

    Rusia sulme me dronë në Ukrainë, autoritetet: Humbën jetën nëntë civilë

    Më pak se 24 orë nga mbajtja e bisedimeve që synojë paqen mes Moskës dhe Kievit në Turqi, Rusia shënjestroi sërish Ukrainën më një sulm vdekjeprurës nga ajri.
    Droni goditi një minibus që po transportonte civilë në rajonin Sumi të Ukrainës, pranë kufirit me Rusinë, duke vrarë nëntë persona dhe plagosur katër të tjerë, thanë autoritetet ukrainase.
    Zyrtarë lokalë thanë se civilët në minibus ishin kryesisht të moshuar që po evakuuoheshin nga një vendodhje tjetër. Policia Kombëtare e Ukrainës akuzoi forcat ruse se sulmi ishte I qëllimshëm.

    Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes shfaqnin automjetin e shkatërruar plotësisht dhe pamje të tjera të rënda me pjesë të trupave të pajetë e gjak në rrugë. Ende nuk ka pasur ndonjë koment nga Rusia, e cila pretendon se nuk synon civilët, pavarësisht dëshmive të shumta që sinjalizojnë të kundërtën.
    Një ditë më parë, Zelenksy nga Tirana theksoi edhe një herë qëndrimin se Rusia nuk dëshiron paqe pavarësisht përpjekjeve për negociata.
    Njëzëri me Zelenskyn edhe Starmer, Macron, Merz e Tusk i bën të ditur presidentit amerikan Donald Trump se sjellja e Putin për të mos iu afruar bisedimeve në Stamboll ishte e papranueshme.
    Këto shqetësime liderët europian i shprehën përmes një telefonate ndërsa ndodheshin në vendin tonë për Samitin e Komunitetit Politik Europian.
    Ndërsa presidenti Donald Trump reagoi një ditë më parë duke thënë se një takim mes tij dhe Putin do të ishte i nevojshëm për të vijuar përparimin.
    /vizionplus.tv

  • India dhe Pakistani shkëmbejnë sulme me artileri të rëndë

    India dhe Pakistani shkëmbejnë sulme me artileri të rëndë

    Ushtarët indianë dhe ata pakistanezë kanë shkëmbyer sulme të mëdha artilerie përgjatë kufirit në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit gjatë natës mes së enjten dhe premtes, duke shkaktuar vdekjen e të paktën pesë civilëve.
    Përshkallëzimi mes dy vendeve fqinje vjen pas një sulmi ndaj turistëve në pjesën e kontrolluar nga India në Kashmir.
    Në Pakistan, një natë e pazakontë me shkëmbime të sulmeve të ashpra shkaktoi vdekjen e katër civilëve dhe plagosjen e 12 të tjerëve në afërsi të Vijës së Kontrollit që ndan Kashmirin, tha zyrtari lokal i policisë, Adeel Ahmad.
    Banorët e zonave kufitare thanë se të shtënat vazhduan deri në mëngjesin e së premtes.
    “Jemi mësuar me shkëmbime zjarri në kufi, por ajo që ndodhi mbrëmë ishte jashtë çdo norme”, tha Mohammad Shakil, një banor i sektorit Chakothi, pranë kufirit.
    Në anën indiane, zyrtarë ushtarakë thanë se trupat pakistaneze i bombarduan me artileri, mortaja dhe armë zjarri postet e tyre në disa zona. Forcat indiane u kundërpërgjigjën me intensitet, duke shkaktuar përleshje të ashpra deri në agim.
    Në sektorin Uri të Indisë, një grua humbi jetën dhe dy civilë të tjerë u plagosën, sipas policisë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave civile në Indi në 17 që nga dita e mërkurë.
    Tensionet mes dy fuqive bërthamore janë rritur ndjeshëm që pas një sulmi më 22 prill në një zonë turistike në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku mbetën të vrarë 26 civilë, kryesisht turistë hindu nga India.
    Qeveria e Indisë fajësoi Pakistanin për mbështetjen e këtij sulmi, por Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.
    Të mërkurën, India kreu sulme ajrore ndaj disa objektivave në territorin pakistanez, që i cilësoi si strehë të militantëve. Zyrtarët pakistanezë thanë se nga sulmet mbetën të vrarë 31 civilë, ndërsa gjithashtu raportuan rrëzimin e pesë avionëve luftarakë indianë.
    Të enjten, të dy shtetet raportuan sulme me dronë ndaj njëri-tjetrit, por secila palë i mohoi akuzat. Deri tani, këto incidente nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur./REL