Tag: civile

  • Vodhën fondet e rindërtimit në Kombinat, arrestohen zyrtarë të Bashkisë Tiranë dhe biznesmenë

    Vodhën fondet e rindërtimit në Kombinat, arrestohen zyrtarë të Bashkisë Tiranë dhe biznesmenë

    Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 8 masa sigurie për një grup personash, mes të cilëve 5 zyrtarë të Bashkisë Tiranë dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), si dhe tre përfaqësues të kompanive private, pas hetimeve për abuzime me fondet publike në zonën e Kombinatit.
    Hetimet nisën në vitin 2021 pas një kallëzimi për prishjen e një pallati pa vendim zyrtar nga IMT. Nga hetimi u zbulua se në janar të vitit 2021 Bashkia Tiranë kishte shembur gjashtë objekte, përfshirë pallatin nr.140, ndërsa dy muaj më vonë ishte miratuar një fond për “Demolimin dhe evadimin e mbetjeve ndërtimore” për 15 pallate, ku ishin përfshirë edhe objektet e shembura më herët.
    Sipas Prokurorisë, në dokumentacionin e tenderit janë konstatuar punime fiktive dhe të dhëna të rreme, çka solli dëm financiar për buxhetin e Bashkisë Tiranë.
    Skema e dyshuar e abuzimit
    Hetimi tregon se kompanitë “Arb & Trans-2010” shpk, “Klajger Konstruksion” shpk dhe “Maging Studio” shpk kanë përfituar fonde për punime që nuk janë kryer realisht. Preventivat dhe procesverbalet e punimeve janë hartuar mbi dokumente të falsifikuara, pa verifikim në terren nga punonjësit e IMT-së apo Drejtorisë së Emergjencave Civile.
    Ekspertiza grafologjike ka vërtetuar firmosjen e dokumenteve të pavërteta nga disa drejtues institucionesh, të cilët kishin detyrimin ligjor për t’i lëshuar ato.
    Personat ndaj të cilëve janë dhënë masa sigurie:
    Aurel Çuko, Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile – arrest në shtëpi
    A. Boriçi, Drejtor i Drejtorisë së Emergjencave Civile – arrest në shtëpi
    Eleana Guçe, përgjegjëse sektori në Drejtorinë e Emergjencave Civile – detyrim paraqitje
    Sokol Qehajaj, specialist i IMT pranë Bashkisë Tiranë – arrest në shtëpi
    Rexhina Rakipi, specialiste e IMT – detyrim paraqitje
    Aleksandra Muhametllari, përfaqësuese e “Maging shpk & Imes-D shpk” – detyrim paraqitje
    Shyqyri Maloku dhe Fatmir Firi., përfaqësues të kompanive “Arb & Trans-2010” dhe “Klajger Konstruksion” – detyrim paraqitje
    Të hetuarit akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal.
    Sipas Prokurorisë, dokumentet e falsifikuara janë përdorur për të justifikuar disbursimin e fondeve publike për punime që nuk janë kryer, duke dëmtuar financiarisht institucionin. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar vlerën e saktë të dëmit dhe përgjegjësinë e plotë ligjore të personave të përfshirë.

  • Forcohet argjinatura e Bistricës, ministri Vengu në kanalin e Çukës: Vijon puna deri në rehabilitimin total

    Forcohet argjinatura e Bistricës, ministri Vengu në kanalin e Çukës: Vijon puna deri në rehabilitimin total

    Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bashkë me kryetarin e Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, inspektuan sot nga afër punimet për rehabilitimin emergjent të argjinaturës së Lumit Bistricës, në kanalin e Çukës.
    Ministri theksoi se shembjet në disa pika të argjinaturës e bënë ndërhyrjen emergjente të domosdoshme.
    “Tani për ta bërë të qartë edhe për publikun dhe të gjithë banorët e Sarandës, Finiqit, Delvinës, praktikisht gjithë zonës së prekur nga vërshimet e Bistricës, gjendemi në kanalin e Çukës në pritën më të madhe, argjinaturën më të madhe të Bistricës ku gjatë vërshimeve të ditëve të fundit, siç e dini, patëm në katër pika praktikisht një shembje të konsiderueshme,” tha ministri Vengu.
    Ai shtoi se ndërhyrjet po kryhen me një përpjekje të përbashkët civile-ushtarake, ku përveç ekspertizës së bashkive, janë angazhuar edhe mjetet xheniere të ushtrisë.
    “Është një përpjekje e përbashkët, siç e thashë, deri diku civile-ushtarake, sepse kemi dhe mjete xheniere që janë të angazhuara, qoftë edhe për ekspertizën që kanë, aksesin e zonave ku ka dëmtime pritash lumore apo argjinaturash, qoftë edhe në mbështetje të bashkisë, siç u bë edhe kërkesa pranë emergjencave civile,” tha Vengu.
    Kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, shpjegoi se puna intensive nuk ka ndaluar prej pesë ditësh dhe se objektivi është të forcohet gjithë argjinatura për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen.
    “Tashmë është dita e pestë që ne po vijojmë pa ndërprerje. Besoj për pak ditë stabilizohet le të themi gjendja emergjente dhe mendojmë që ne do vazhdojmë përgjatë gjithë argjinaturës, jo vetëm këtu, por deri tek Ura e Gajdarit, do të nxjerrim nivelin dhe e mira është që ta përforcojmë gjithë argjinaturën, sepse me ç’a kuptoj unë, këto do jenë reshje të vazhdueshme dhe le të themi edhe vitet që vijnë, do kemi po të njëjtat situata, kështu që e mira është që t’i dalim para që tani,” tha Çaçi.
    Ministri Vengu bëri me dije gjithashtu se për vitin 2026 është parashikuar një rishpërndarje më e drejtë e buxhetit për emergjencat civile, duke mbështetur veçanërisht bashkitë me risk të lartë përmbytjesh si Saranda, Delvina dhe Finiqi.
    “Viti 2026, buxheti 2026, na gjen me një rishpërndarje më të drejtë të buxhetit për emergjencat civile në mënyrë që bashki që mund të konsiderohen ndoshta modeste nga ana e sipërfaqes apo e popullsisë, siç është edhe Saranda apo Delvina apo Finiqi, konsiderohen zona me risk dhe praktikisht duhet të kenë një mbështetje financiare më domethënëse,” tha Vengu.
    Ai vuri theksin tek nevoja për ndërhyrje afatgjata për infrastrukturën parandaluese të emergjencave, duke shtuar se bashkëpunimi mes institucioneve qendrore dhe lokale është kyç për të garantuar sigurinë e banorëve.
    Në përmbyllje të vizitës në terren, ministri tha se puna vijon pa ndërprerje deri në rehabilitimin total të argjinaturës.
    “Mbetemi në terren derisa ta kemi rehabilituar plotësisht,” tha ai.

  • Zjarret dhe përmbytjet, Edi Rama lë banorët pa dëmshpërblim, 195 mln lekë të papaguara

    Zjarret dhe përmbytjet, Edi Rama lë banorët pa dëmshpërblim, 195 mln lekë të papaguara

    Ndërsa banorët e disa zonave në vend nga Veriu në Jug po përjetojnë pasojat e përmbytjeve, situata me dëmshpërblimet ka mbetur e ngrirë, këtu e gjashtë vite më parë. “Problem janë likujdimet e prapambetura të akumuluara që nga viti 2019, me një vlerë 195 milionë lekë”, tha kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, gjatë raportimit në komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjes. Sipas Faktoje, buxheti i vitit 2026 për mbrojtjen është rritur me 12% krahasuar me vitin aktual. Por rritja ka shkuar kryesisht në dy zëra: forcat e luftimit dhe mbështetja e luftimit. Fondet për Emergjencat Civile janë i vetmi zë me rënie. Nga 5,4 miliardë lekë këtë vit në 5,2 miliardë lekë për vitin 2026. Megjithatë, kreu i Emergjencave Civile Haki Çako pasi bëri një rezyme të punës theksoi se kanë hartuar një hartë risku dhe bashkitë e vogla, (të kushtëzuara nga buxheti i ulët, si pasojë e të ardhurave të pakëta), do të kenë më shumë fonde për përballimin e situatave emergjente.
    Ndarja mbi bazën e hartës së rrezikut u përkrah edhe nga deputetët e opozitës, ndonëse nuk kursyen kritikat për qeverisjen që, sipas tyre, i kanë lënë zjarrfikësit dhe forcat e armatosura pa mjete logjistike dhe të pavlerësuar. “Vetëm në Shqipëri kur ndodhin zjarret fajet i ka zoti, ju kanë lënë ju që për faqe të zezë si askund tjetër, vetëm këtu sheh zjarrfikës që të dhimbsen duke i fikur zjarret me thupra si epoka e gurit. Por këto i paska dhe epoka e Diellës i paska këto që me thupra fiket zjarri. Kur vijnë përmbytjet sheh deputetë të maxhorancës që veshin çizme peshkatarësh dhe futen mes ujit thjesht filmojnë”, tha deputeti i PD-së Flamur Noka.
    Në harkun kohor të katër muajve vendi përjetoi dy fatkeqësi natyrore. Në Gushtin e këtij viti, zjarret shkatërruan qindra mijëra hektarë me pyje, kollota, dru frutorë vreshta por edhe bagëti dhe banesa. Dëmet më të mëdha u shënuan në Delvinë dhe Gramsh, ku pati edhe humbjen e një jete dhe dëme të shumta si ekonomike, ashtu edhe mjedisore. Tashmë vendi po përballet me përmbytjet ku pasojat më të mëdha janë shënuar në Kurbin, Lezhë, Dimal, disa njësi vendore në Bashkinë Fier, në Pogradec dhe Maliq. Ditën e djeshme si rezultat i uljes së intensitetit të reshjeve situata dukej më e përmirësuar, ndërsa prania e ujit në toka bujqësore të mbjella, sera dhe pemë frutore ka shkaktuar dëme të konsiderueshme të cilat ende nuk janë evidentuar nga grupet e njësive vendore në terren.

  • Zjarret dhe përmbytjet/ Rama lë banorët pa dëmshpërblim, 195 mln lekë të papaguara

    Zjarret dhe përmbytjet/ Rama lë banorët pa dëmshpërblim, 195 mln lekë të papaguara

    Zjarret dhe përmbytjet/ Rama lë banorët pa dëmshpërblim, 195 mln lekë të papaguara
    Nga Sebi Alla
    Ndërsa banorët e disa zonave në vend nga Veriu në Jug po përjetojnë pasojat e përmbytjeve, situata me dëmshpërblimet ka mbetur e ngrirë, këtu e gjashtë vite më parë.
    “Problem janë likujdimet e prapambetura të akumuluara që nga viti 2019, me një vlerë 195 milionë lekë”, tha kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, gjatë raportimit në komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjes.
    Fondet në ulje
    Buxheti i vitit 2026 për mbrojtjen është rritur me 12% krahasuar me vitin aktual. Por rritja ka shkuar kryesisht në dy zëra: forcat e luftimit dhe mbështetja e luftimit.
    Fondet për Emergjencat Civile janë i vetmi zë me rënie.
    Nga 5,4 miliardë lekë këtë vit në 5,2 miliardë lekë për vitin 2026.
    Megjithatë, kreu i Emergjencave Civile Haki Çako pasi bëri një rezyme të punës theksoi se kanë hartuar një hartë risku dhe bashkitë e vogla, (të kushtëzuara nga buxheti i ulët, si pasojë e të ardhurave të pakëta), do të kenë më shumë fonde për përballimin e situatave emergjente.
    Ndarja mbi bazën e hartës së rrezikut u përkrah edhe nga deputetët e opozitës, ndonëse nuk kursyen kritikat për qeverisjen që, sipas tyre, i kanë lënë zjarrfikësit dhe forcat e armatosura pa mjete logjistike dhe të pavlerësuar.
    “Vetëm në Shqipëri kur ndodhin zjarret fajet i ka zoti, ju kanë lënë ju që për faqe të zezë si askund tjetër, vetëm këtu sheh zjarrfikës që të dhimbsen duke i fikur zjarret me thupra si epoka e gurit.
    Por këto i paska dhe epoka e Diellës i paska këto që me thupra fiket zjarri. Kur vijnë përmbytjet sheh deputetë të maxhorancës që veshin çizme peshkatarësh dhe futen mes ujit thjesht filmojnë”, tha deputeti i PD-së Flamur Noka.
    Zjarret dhe përmbytjet
    Në harkun kohor të katër muajve vendi përjetoi dy fatkeqësi natyrore.
    Në Gushtin e këtij viti, zjarret shkatërruan qindra mijëra hektarë me pyje, kollota, dru frutorë vreshta por edhe bagëti dhe banesa.
    Dëmet më të mëdha u shënuan në Delvinë dhe Gramsh, ku pati edhe humbjen e një jete dhe dëme të shumta si ekonomike, ashtu edhe mjedisore.
    Tashmë vendi po përballet me përmbytjet ku pasojat më të mëdha janë shënuar në Kurbin, Lezhë, Dimal, disa njësi vendore në Bashkinë Fier, në Pogradec dhe Maliq.
    Ditën e sotme si rezultat i uljes së intensitetit të reshjeve situata dukej më e përmirësuar, ndërsa prania e ujit në toka bujqësore të mbjella, sera dhe pemë frutore ka shkaktuar dëme të konsiderueshme të cilat ende nuk janë evidentuar nga grupet e njësive vendore në terren./Faktoje.a

  • Përmbytjet në vend/ Çako ngre alarmin për dëmet: Vonojnë kompensimet, ja sa është borxhi ndaj qytetarëve

    Përmbytjet në vend/ Çako ngre alarmin për dëmet: Vonojnë kompensimet, ja sa është borxhi ndaj qytetarëve

    Haki Çako, kreu i Emergjencave Civile

    TIRANË- Haki Çako, kreu i Emergjencave Civile, dha alarmin në lidhje situatën e përmbytjeve në vend, të shkaktuar nga moti i keq. Në Komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme, Çako tha se Shqipëria është praktikisht në emergjencë, edhe pse gjendja nuk është shpallur zyrtarisht, duke theksuar edhe vonesën e dokumentimit të dëmeve. Dëmet janë të mëdha në blegtori, në bletari dhe në fermat e shpendëve. Problematikat janë shtrirë edhe në infrastrukturë. 
    Çakto deklaroi se në fakt, kompensimet vonojnë, madje ndër vite: “195 milionë lekë ju jemi borxh qytetarëve nga detyrimet e mbartura ndër vite”.
    Nga ana tjetër, deputetët e zonave të prekura kërkuan financim të menjëhershëm, sidomos të bashkive më të dëmtuara, si Saranda, Delvina e Finiqi. Megjithatë, Çako tha se nuk mund të kompensohet askush pa u dokumentuar dëmet.
    “Pa i dokumentuar dëmet, nuk mund të kompensohet askush. Kemi ngritur komisionet e vlerësimit”, u përgjigj Çako.
    Komisioni parlamentar u miratoi emergjencave civile një shtesë fondi prej 500 milionë lekësh, por për të zgjidhur krizën e bashkive me financimet në këtë drejtim, kërkohet të aplikohet një skemë e re. Kryetar i Komisionit të Mbrojtjes, Bledar Çuçi theksoi se fondi duhet të shpërndahet për bashkitë, sipas rrezikut. 
    “Është shumë mirë që fondi të shpërndahet jo sipas madhësisë së bashkisë, por sipas rrezikut. Bashkitë më të vogla kishin risk më të lartë”, tha Bledar Çuçi.
    Ndërkohë, bëhet me dije se janë ngritur edhe komisionet e vlerësimit të dëmeve, që po evidentojnë rast pas rasti për efekt të kompensimeve./ZËRI

  • Situata me përmbytjet jashtë kontrollit? Emergjencat zbulojnë shifrën e dëmeve: Ja sa para borxh u kemi qytetarëve

    Situata me përmbytjet jashtë kontrollit? Emergjencat zbulojnë shifrën e dëmeve: Ja sa para borxh u kemi qytetarëve

    Moti vazhdon të mbajë në ankth shumë banorë të zonave që janë prekur nga përmbytjet, të cilët akoma nuk janë vizituar nga punonjësit e shtetit për të dokumentuar dëmet. Por kreu i Emergjencave Civile deklaroi sot në Kuvend një shifër që tregon se kompensimet vonojnë, madje ndër vite.
    “195 milionë lekë ju jemi borxh qytetarëve nga detyrimet e mbartura ndër vite” tha Haki Çako, drejtor i Emergjencave Civile
    Deputetët e zonave të prekura kërkuan financim të menjëhershëm, sidomos të bashkive më të dëmtuara, si Saranda, Delvina e Finiqi.
    “Janë dëmtuar pemët e banesat në Delvinë, bashkive ju kanë mbaruar lekët, nuk mund të ndihmojnë më. Rrugët janë prishur. Ikën mandarinat. Ne duhet të alokojmë sot fonde emergjente. Dëmet janë përtej asaj që janë të dukshme”, u shpreh Ardit Bido Deputet i PS
    “Pa i dokumentuar dëmet, nuk mund të kompensohet askush. Kemi ngritur komisionet e vlerësimit”, u pwrgjigj Çako.
    Komisioni parlamentar u miratoi emergjencave civile një shtesë fondi prej 500 milionë lekësh, por për të zgjidhur krizën e bashkive me financimet në këtë drejtim, kërkohet të aplikohet një skemë e re.
    “Është shumë mirë që fondi të shpërndahet jo sipas madhësisë së bashkisë, por sipas rrezikut. Bashkitë më të vogla kishin risk më të lartë”, tha Bledar Çuçi Kryetar i Komisionit të Mbrojtjes.
    Në komision, nuk munguan as akuzat politike mes palëve për menaxhimin e situatës së përmbytjeve.
    Klevis Balliu, deputet i PD: Arsyeja është korrupsioni. Qukës-Qafë Pllocë u shkërmoq. Jepni para për çështje kombëtare, më mirë se sa t’ja jepni Belinda Ballukut.
    Ardit Bido deputet i PS: Ju keni përmbytur Shkodrën, ne këtë vit e menaxhuam, ndajmë elementin njerëzor me atë natyror.

  • Pr.buxheti i 2026/ Bledi Çuçi kërkon fond të ri të konsoliduar për emergjencat civile

    Pr.buxheti i 2026/ Bledi Çuçi kërkon fond të ri të konsoliduar për emergjencat civile

    Kryetari i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Bledi Çuçi, në fjalën e tij gjatë seancës dëgjimore me Agjencinë Kombëtare të Emergjencave Civile për projektbuxhetin e vitit 2026, deklaroi se rritja e fondeve për emergjencat është një hap pozitiv, por kërkoi rishikimin e mënyrës së administrimit të tyre.
    Çuçi theksoi se emergjencat “nuk mund të parashikohen”, ndaj nevojitet një metodologji më efektive për ndarjen e fondeve. Ai përgëzoi Agjencinë për kalimin në një skemë të re alokimi, duke shpjeguar se metodat e mëparshme, ku fondet ndaheshin sipas projekteve të paraqitura nga bashkitë, krijonin pabarazi midis tyre. Sipas tij, bashkitë me buxhete të vogla dhe me risk më të lartë shpesh mbeteshin të pafavorizuara, ndërsa financoheshin kryesisht ato që kishin kapacitete më të mira për të hartuar projekte.
    Në këtë kuadër, Çuçi propozoi krijimin e një instrumenti të ri buxhetor: që fondi i emergjencave civile të kthehet në një transfertë të pakushtëzuar, të administruar nga Agjencia e Emergjencave, dhe që fondet e pashfrytëzuara gjatë vitit të mund të mbarten për vitin pasardhës.
    “Sektori ka nevojë për një mekanizëm që krijon një fond më të konsoliduar për emergjencat civile. Nëse bashkia e konsideruar me risk të lartë nuk përballet me emergjenca atë vit, fondi duhet t’i mbartet vitit tjetër“, u shpreh Çuçi, duke shtuar se këtë propozim do t’ia paraqesë Ministrisë së Financave.
    Ai nënvizoi se aktualisht “harxhojmë para për emergjencat, por nuk kemi eficiencën e duhur”, pikërisht për shkak të sistemit të deritanishëm që favorizonte projektet më të mira, jo domosdoshmërisht zonat me risk më të lartë.
    Sipas Çuçit, ky ndryshim do të garantonte një shpërndarje më të drejtë dhe më efektive të fondeve në nivel lokal, duke rritur gatishmërinë dhe aftësinë e bashkive për t’u përballur me situata emergjente.
    “Të gjendet një instrument buxhetor, që fondi i emergjencave civile të quhet transfertë e pakushtëzuar e administruar nga agjencia e emergjencave por nëse nuk zbatohet gjatë vitit ushtrimor buxhetor të caktar, të mbartet vitin tjetër e ti shtohet buxhetit pasardhës. Instrumentet i ka tashmë buxheti i shtetit sepse kur alokoojmë fondet për bashkitë kemi disa kolona të tëra që janë transferuar si tw pakushtëzuara por sektoriale. Mund ta përdorim këtë si instrument për të bërë në një kolonë të veçantë fondin buxhetor për emergjencat në bazë të bashkive me risk dhe nëse gjatë atij viti ajo bashki që është konsideruar me risk nuk do ketë emergjenca, fondi t’i mbartet edhe për vitin tjetër.
    Ky instrument do krijojë një fond më të konsoliduar sa i përket emergjencave civile. Do ja propozoj dhe Ministrit të Financave këtë gjë. Harxhojmë para për emergjencat por s’kemi eficensën e duhur. E para, është alokuar sipas projekteve dhe jo çdo bashki kanë mundësi të bëjnë projekte të mira. Dhe e dyta, fiton një projekt i mirë po bashkia s’ka risk aq të lartë sa e ka një bashki tjetër më e vogël e cila nuk është në gjendje të bëjë një projekt“, tha ai.

  • Paradoksi/ Zjarret dhe përmbytjet shtohen, Rama ul buxhetin për emergjencat civile

    Paradoksi/ Zjarret dhe përmbytjet shtohen, Rama ul buxhetin për emergjencat civile

    Nëse ka një gjë që mund të parashikohet në Shqipëri, madje me lehtësi, është se në veri apo jug të vendit, disa qindra hektarë me pyje do të shkrumbohen nga zjarret ndërsa hapësira të tëra me tokë do të gjenden nën ujë. E njëjta ndodhi edhe këtë vit.
    “Sepse ujitja dhe kullimi, rrugët rurale, pyjet dhe kullotat… janë këta tre sektorët që ndër këto 10 vite së paku kanë mbetur jashtë vëmendjes”, deklaroi Agron Haxhimali, Drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare.
    Rreziku që i kanoset ekonomisë nga fatkeqësitë natyrore vitet e fundit po ngrihet si sfidë në shumicën e raporteve të institucioneve të huaja dhe vendase. Këtyre paralajmërimeve qeveria po i përgjigjet duke ulur buxhetin për emergjencat civile. Nga më shumë se 5.4 miliardë lekë në projektbuxhetin 2025, për vitin e ardhshëm për emergjencat civile janë parashikuar më pak se 5.3 miliardë lekë.

    Po a mjaftojnë 200 milionë lekë më shumë për të parandaluar përmbytjet?

    “Në qoftë se këto sektorë do mbeten me këto transferta të pakushtëzuara teje të limituara, atëherë do kemi këto ndrysh këto probleme, këto sfida për të cilën bashkitë do jenë në kushte të pamundësisë për t’i dalë përpara dhe për të përballuar zjarret, përmbytjet apo që lidhet me ndryshimet klimatike”, theksoi Haxhimihali.

    Në raportin vjetor 2024 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit thuhet se më shumë zjarre pritet të shtohen, e po ashtu edhe përmbytjet apo erozionet për shkak të ndryshimeve të forta klimaterike. Ekspertë të pushtetit vendore paralajmërojnë se në mungesë të fondeve të mjaftueshme për të parandaluar, nga buxhetet e bashkive do të dalin më shumë para për të dëmshpërblyer të përmbyturit./A2CNN

  • Nga e diela ulen reshjet/ Kreu i Emergjencave Civile: Nisim rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara

    Nga e diela ulen reshjet/ Kreu i Emergjencave Civile: Nisim rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara

    Pas disa ditëve me reshje intensive që shkaktuan përmbytje në shumë zona të vendit, duke nisur nga e diela parashikohet përmirësim i kushteve atmosferike.

    Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako gjatë inspektimeve përgjatë lumit Vjosë tha se në vend pritet ulje e intensitetit të reshjeve.

    Pas kalimit të kësaj faze ndërhyrjet e emergjencave do të përqëndrohen kryesisht në riparimin e argjinaturave dhe vlerësimin e dëmeve.

    Çako deklaroi se strukturat e emergjencave vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, pasi situata ende mbetet e paqëndrueshme në disa zona ku reshjet vijojnë.

  • Pirro Vengu nga Gjirokastra: Toka është si sfungjer, rreziku s’ka kaluar!

    Pirro Vengu nga Gjirokastra: Toka është si sfungjer, rreziku s’ka kaluar!

    Rreziku nga reshjet e shumta të shiut dhe prurjet e lumenjve vijon të mbetet i lartë edhe mbrëmjen e kësaj të premteje, më 21 nëntor. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i pranishëm në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile në rang prefekture, deklaroi se të gjitha forcat dhe strukturat e pushtetit vendor janë në gatishmëri dhe po punojnë për menaxhimin e situatës.
    Vengu theksoi se lajmi i mirë është që nuk ka humbje jete, ndërsa vijojnë kërkimet për një grua 76-vjeçare të zhdukur në Korçë.
    “E kemi marrë si informacion dhe kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit. Bëhet fjalë për një person në moshë, me problematika të shëndetit mendor. Nuk dihen arsyet e zhdukjes së saj dhe do të jenë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe hetimet që do të tregojnë se çfarë ka ndodhur. Ajo që mund t’ju them është se sapo kemi mbyllur Komitetin e Emergjencave Civile për qarkun e Gjirokastrës, me të gjithë aparatin qendror e vendor.”, u shpreh Vengu.
    Situata në terren
    Lidhur me urën e Glinës në Dropull, Ministri Vengu bëri me dije se është mundësuar kalimi për banorët nëpërmjet një rruge alternative dytësore.
    “Kemi bërë edhe një dislokim forcash, përfshirë edhe forcat e armatosura. Dhe reparti i Gërhotit po funksionon si bazë mbështetëse për Emergjencat Civile për bashkitë e qarkut: Gjirokastër, Delvinë e Sarandë. Po bëhen rehabilitime në nivelin e Qukës në mënyrë që të kufizohen pasojat e përmbytjes masive të orëve të para të mëngjesit.”, vazhdoi ai.
    Vengu shtoi gjithashtu se janë marrë të gjitha masat që qytetarët, në rast nevoje, të furnizohen me medikamente, ushqime dhe ndihmë financiare për dëmet e shkaktuara nga moti i keq.
    Ministri bëri me dije se Gjirokastra, Delvina dhe Saranda kanë pësuar prurje dhe reshje masive gjatë 48 orëve të fundit, duke shkaktuar rrëshqitje dherash në rrugët dytësore dhe fshatra.
    “Toka është si sfungjer dhe rrezikon rrëshqitje edhe në vijim. Nuk jemi jashtë rrezikut dhe duhet të shpërndajmë të gjitha forcat,” tha Vengu.
    Forcat e armatosura dhe reparti i Gërhotit po funksionojnë si bazë mbështetëse për Emergjencat Civile për bashkitë e qarkut, ndërsa po kryhen punime rehabilituese në Qukë për të kufizuar pasojat e përmbytjeve.
    Urat e dëmtuara dhe rrugët alternative
    Ura e Glinës dhe ura e Isues, midis Libohovës dhe Dropullit, kanë pësuar dëmtime. Për urën e Glinës është gjetur një aksesi alternativ nga Nepravishta, ndërsa për Isues do të bëhet një investim rehabilitues.
    “Emergjencat Civile janë struktura edhe vendore edhe qendrore. Kanë qenë në dispozicion edhe në terren për më shumë se 48 orë. Ajo që ndodhi në nivelin e Qukës në Sarandë ka të bëjë me një shembje dhe një rrëshqitje masive. Toka është si sfungjer sepse ka tre ditë që bie shi. Po verifikojmë edhe njëherë elementët e digave dhe urave, pasi kemi pasur situata ku këmbë urash janë shembur. Po mundohemi të gjejmë rrugë alternative deri sa të kemi rehabilitim të plotë të infrastrukturës. Kemi informuar popullin për motin e keq dhe kemi identifikuar elementët e basenit të Vjosës për problematikat që ndodhën. Ura e Glinës dhe ura e Isues, midis Libohovës dhe Dropullit, janë dëmtuar. Për Glinën është gjetur aksesi alternativ nga mbrapa, nga Nepravishta. Për pjesën e Isues duhet të bëjmë një investim rehabilitues, pasi është një dëmtim domethënës.”, tha ministri.
    Vengu bëri me dije se janë marrë masat për mbështetje ushqimore, materiale dhe financiare për banorët e zonës. Ai e përfundoi fjalën duke thënë: “Situata është e vështirë, por ne po punojmë intensivisht për të menaxhuar pasojat dhe për të siguruar jetën dhe pasuritë e qytetarëve.”