Nga Jerina Luka/
Më 9 maj 2025, Shqipëria për herë të parë në historinë e saj organizoi një nga ngjarjet më prestigjioze të çiklizmit botëror: Giro d’Italia, një garë mbi 100-vjeçare që deri më sot nuk kishte nisur kurrë jashtë Italisë. Starti nga Durrësi dhe i gjithë itinerari 3-ditor ishte një moment krenarie për vendin, një shans për ta vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes së sportit ndërkombëtar dhe një mundësi për promovimin e turizmit.
Por, pas këtij imazhi festiv, ngjarja u shoqërua me një sërëproblematikash ku sipas raportimeve në media, mijëra qytetarë shqiptarë përjetuan ditë kaosi, bllokimesh dhe nervozizmi. Qytetarët, bizneset, transporti publik, ambulancat, madje edhe procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore nga KQZ, u përballën me vonesa e pengesa pikërisht në prag të zgjedhjeve të 11 majit, një moment jetik për jetën institucionale të vendit.
Vetë gara nuk kaloi pa incidente. Në zbritjet e shpejta të etapës së parë u regjistruan rrëzime dhe lëndime, përfshirë një dëmtim serioz të çiklistit spanjoll Mikel Landa, që u tërhoq nga gara pas një frakture në shtyllën kurrizore. Gjithashtu, çiklistë të tjerë komentuan për cilësinë jo të mirë të asfaltit dhe vështirësitë e kushtet jo të favorshme të garës.
Por çfarë fshihet pas kësaj fasade? Vendimi për këtë event u mor në të njëjtën mënyrë si shumë vendime të tjera gjatë këtyre 12 viteve, në favor të interesave të kryeministrit.
Për herë të parë, ky event referohet në aktin normativ Nr.5, datë 19.12.2024 për ndryshimin e buxhetit të vitit 2024 ku përcaktohen 100 milionë lekë për realizimin e turit. Pesë ditë më pas, me VKM Nr. 796, datë 23.12.2024miratohet përbërja e grupit ndërinstitucional të punës dhe procedurat e përdorimit të fondeve. Produkti i këtij grupi pune mbetet i panjohur për publikun dhe nuk janë të qarta procedurat e punës apo kriteret e përzgjedhjes së itinerarit që do të përshkonte ‘Giro d’Italia’ dhe aspekte të tjera me interes për publikun.
Nuk ka asnjë bilanc a parashikim publik për shpenzimet dhe përfitimet e eventit që realizohet nga taksat e qytetarëve. Ndërsa gjithë menaxhimi i aktivitetit duket i personalizuar, i ndërtuar sipas shijeve dhe interesave personale të kryeministrit. ‘Rëndësia politike e këtij nisjeje të Giro d’Italia në tokën shqiptare bëhet edhe më e qartë nga mbivendosja e datave të garës me ato të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në Shqipëri më 11 maj, ditën kur gara mbërrin në Vlorë. Prania e karvanit rozë bëhet kështu një vend i fuqishëm elektoral në avantazh të plotë të qeverisë’ – shkruan ‘Il Fatto Quotidiano’ në një shkrim të datës 9 maj (Il Giro d’Italia 2025 parte in Albania: chiara la partita politica che si gioca alle spalle dei corridori)
Në vijim, në pranverë të 2025 me VKM Nr. 147, datë 6.3.2025, miratohet një shtesë fondi prej 400 milionë lekësh për realizimin e ‘Giro d’Italia 2025’. Duke u emërtuar në këtë rast si kësti i dytë i shpenzimeve për eventin. Në këtë rast shihet qartë situata kaotike e planifikimit financiarë dhe jo transparent për këtë garë prestigjoze.
‘Loja politike që po luhet pas shpinës së çiklistëve e jo vetëm është pra e qartë. Megjithatë, të shohësh fanellën rozë duke vrapuar në rrugët shqiptare sigurisht që ngjall emocione edhe në zemrat e atyre që e shikojnë garën me zhgënjimin e duhur. Mbetet e vërtetë, në fakt, se konsiderata e re që Shqipëria ka fituar në Itali dhe Europënuk është vetëm fryt i strategjive politike cinike. Kjo është gjithashtu falë punës së palodhur të një brezi emigrantësh shqiptarë që kanë punuar shumë për tridhjetë vjet, jo vetëm në shumë sektorë të rëndësishëm të tregut italian të punës, por edhe në fushën kulturore. Shoqatat e diasporës shqiptare kanë promovuar ngjarje kulturore dhe binjakëzime në të dy brigjet e Adriatikut, ndërsa italo-shqiptarët e gjeneratës së dytë kanë hapur rrugën e tyre në botën e artit, kulturës dhe argëtimit.’- sjell në vëmendje i njëjti shkrim i sipërpërmendur në të përditshmen italiane.
Edhe për shqiptarët, ngjarja ngjan me një spektakël tëdizenjuar për propagandë. Giro d’Italia, një mundësi e artëqë përfaqëson një moment historik, u shndërrua në një makth të imponuar. Eventi 3-ditorë ekspozon hendekun mes realitetit dhe fasadës, mes qytetarit të zënë ngushtdhe liderit që kërkon duartrokitje për arritjet personale. Kështu, eventi në vend që të mbetet një histori suksesisportiv, do të mbetet në histori si simboli i një shteti që shpenzon tmerrësisht shumë për imazh.
Giro d’Italia 2025
Aktiviteti i ‘Giro d’Italia’, u zyrtarizua më 23 dhjetor 2024 nga organizatori i garës, RCS Sport, kompania italiane përgjegjëse për planifikimin dhe realizimin e garës që nga krijimi saj. Për edicionin e vitit 2025, RCS Sport bashkëpunon me autoritetet shqiptare.
Gara në Shqipëri përfshin tre etapa të para, të cilat zhvillohen nga data 9 deri më 11 maj 2025:
Etapa 1 (9 maj): Një itinerar prej 160 km që nis në Durrës dhe përfundon në Tiranë. Kjo etapë përfshin disa ngjitje, duke përfshirë dy herë ngjitjen në kodrat e Surrelit, duke e bërë atë një sfidë të vërtetë për çiklistët .
Etapa 2 (10 maj): Një prova individuale kundër kohës prej 13.7 km që zhvillohet në rrugët e Tiranës. Ky itinerar teknik përfshin kthesa të shumta dhe një ngjitje të shkurtër, duke testuar aftësitë e çiklistëve në kontrollin dhe shpejtësinë e tyre .
Etapa 3 (11 maj): Një etapë prej 160 km që nis dhe përfundon në Vlorë, duke përfshirë ngjitjen e njohur të Llogarasë, e cila ofron një sfidë të veçantë për çiklistët për shkak të pjerrësisë dhe terrenit malor .
Pas përfundimit të etapës së tretë, karvani i Giro d’Italia do të largohet nga Shqipëria për të vijuar rrugëtimin drejt jugut të Italisë dhe më tej në Alpet italiane, në një garë që përmbyllet më 1 qershor në Romë.
Çfarë është Giro d’Italia?
Është një nga garat më të rëndësishme të çiklizmit rrugor në botë, e krahasueshme për nga fama dhe vështirësia me ‘Tour de France’ dhe ‘Vuelta a España’. Një kompeticion shumëditor që zhvillohet çdo vit në Itali, që prej vitit 1909, dhe zgjat rreth tre javë.
Gjatë kësaj gare, qindra çiklistë profesionistë nga e gjithë bota përshkojnë mijëra kilometra në rrugët italiane, nga qytetet historike e deri në malet e ashpra të Alpeve apo Apenineve. Gara ndahet në ‘etapa’, ku çdo ditë zhvillohet një garë më vete dhe kohët e çiklistëve mblidhen për të shpallur fituesin e përgjithshëm.
‘Giro d’Italia’ është një spektakël sportiv ndërkombëtar: përfshin ekipe elitare dhe emrat më të mëdhenj të çiklizmit botëror. Një periudhë kohore që shërben si pasqyrë e Italisë: itineraret kalojnë përmes peizazheve të bukura, qyteteve historike dhe trashëgimisë kulturore, duke promovuar vendin në nivel global. Një sfidë fizike dhe mendore: për shkak të terreneve të vështira në alpe dhe ritmit të lartë. Gara me biçikleta konsiderohet një nga provat më ekstreme të qëndrueshmërisë njerëzore.Simboli i garës është fanella rozë (Maglia Rosa) që i jepet çiklistit që ka kohën më të mirë në renditjen e përgjithshme. Është simboli më prestigjioz i ‘Giro’-s, njësoj si fanella e verdhë në ‘Tour de France’. Ka gjithashtu fanella të tjera për çiklistët më të mirë të rinj, më të mirë në ngjitje malore, dhe më të mirë në sprint.
Turi Çiklistik i Shqipërisë dhe Giro d’Italia
Këto dy evente ndajnë të njëjtën filozofi sportive: të jenë gara shumëditore që sfidojnë qëndrueshmërinë dhe aftësinë taktike të çiklistëve përmes itinerareve të ndryshme rrugore, ku çdo etapë ka specifikat e veta. Të dyja garat organizohen nga federatat përkatëse dhe shërbejnë si platforma promovuese për sportin e çiklizmit në nivel kombëtar. Megjithatë, ndryshimi qëndron në shkallën dhe ndikimin e tyre: Giro d’Italia është një garë me traditë mbi 100-vjeçare, pjesë e kalendarit botëror të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), me pjesëmarrjen e ekipeve më të mëdha dhe ndjekje mediatike globale. Ndërkohë, Turi i Shqipërisë ka një karakter më modest, i përqendruar kryesisht në arenën kombëtare dhe rajonale, por mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të sportit shqiptar dhe një pasqyrë e vlerave lokale të çiklizmit. Gara përfshin disa etapa që përshkojnë qytete dhe zona të ndryshme të vendit, duke ofruar një sfidë të vërtetë për çiklistët dhe një spektakël për shikuesit. Itineraret ndryshojnë çdo vit, por zakonisht përfshijnë qytete si Tirana, Shkodra, Durrësi, Vlora, Elbasani, Korça, Pogradeci, Berati etj.
Fillesat në Shqipëri – çiklizmi në fillim të shekullit XX
Çiklizmi në Shqipëri lindi shumë kohë përpara se të njihej si sport zyrtar. Në qytetet e mëdha si Shkodra, Tirana, Durrësi dhe Korça, biçikleta filloi të shfaqet si mjet transporti që në fillim të shekullit XX (1920- 1930), e sjellë nga tregtarët dhe shtresat e pasura që kishin lidhje me Perëndimin. Në atë kohë, përdorimi i biçikletës përfaqësonte një mënyrë moderne jetese dhe një element emancipimi në rrugët e qyteteve shqiptare.
Shkodra – djepi i çiklizmit shqiptar
Shkodra, si një qytet me lidhje të hershme me qytetërimin europian dhe me një shoqëri më të hapur ndaj zhvillimeve të reja, ka pasur ndikime të mëdha kulturore nga Italia dhe vendet përreth që në periudhën e fund shekullit XIX dhe fillim shekullit XX. Një nga rrëfimet e hershme është që biçikleta e parë erdhi në Shkodër në fund të shekullit XIX, dhe u pa si një simbol prestigji. Kjo ndihmoi që çiklizmi të hynte shumë herët në jetën publike të qytetit, qoftë si mjet transporti, qoftë si aktivitet sportiv.
Viti 1925 shënon një moment të rëndësishëm, pasi organizohet në Shkodër një nga garat e para të njohura zyrtarisht nga çiklistë vendas me biçikleta të importuara kryesisht nga Italia. Gara çiklistike e vitit 1925 përshkonte itinerarin e gjatë rreth 30 kilometra: Shkodër – Koplik – Shkodër. Pas këtij kompeticioni, Shkodra do të mbetej për dekada qendra e garave çiklistike dhe ‘shkolla’ e çiklistëve shqiptarë.
Klubi sportiv ‘Vllaznia’ u bë qendra kryesore për zhvillimin e çiklizmit në Shkodër pas viteve 1945. Ky klub kontribuoi në identifikimin, përgatitjen dhe afirmimin e dhjetëra çiklistëve të njohur shqiptarë që përfaqësuan Shqipërinë në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare. Disa nga emrat e njohur janë: Skënder Daja, një nga çiklistët më të njohur të viteve ‘70–’80, Ismet Zaganjori, Gjovalin Shtjefni, HysniGega. Ky i fundit më vonë u bë trajner dhe kontribuoi në formimin e brezave të rinj, e shumë të tjerë të cilët fituan gara të shumta brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Sot, vazhdon të mbetet qendra më e rëndësishme e çiklizmit në Shqipëri, me aktivitete të organizuara çdo vit, me klube që vazhdojnë traditën, dhe me interes të shtuar të të rinjve, pasi çiklizmi në Shkodër është një element identiteti.
Turi Çiklistik i Shqipërisë, vitet e institucionalizimit – pas 1945 e deri në vitet ‘90
Pas vitit 1945 u krijuan klubet sportive të mëdha si:Vllaznia (Shkodër), Partizani (Tiranë), Dinamo (Tiranë), Skënderbeu (Korçë), Tomori (Berat), Teuta (Durrës). Këto klube filluan të organizojnë kampionate vendore në at q edhe sot quhet ‘Turi Çiklistik i Shqipërisë’, ndërsa trajnerët dhe sportistët stërviteshin në mënyrë sistematike. Federata Shqiptare e Çiklizmit (FSHÇ) u themelua për të organizuar aktivitetet kombëtare dhe për të përfaqësuar vendin jashtë kufijve. Gjatë kësaj periudhe u vendos një nga garat më të rëndësishme të çiklizmit shqiptar duke nisur me turin e parë çiklistik kombëtar, i cili u zhvillua në vitin 1946. Përfshinte disa etapa që përshkonin qytete të ndryshme të Shqipërisë si Tirana, Shkodra, Vlora, Korça, Elbasani, etj. Ishte një eveniment i ndjekur nga publiku dhe shërbente si promovim sportiv dhe patriotik.
Në vitet 1960–1980, Shqipëria përjetoi një izolim të plotë nga bota perëndimore dhe më pas edhe nga vendet komuniste. Si rezultat, çiklistët shqiptarë nuk kishin mundësi të merrnin pjesë në gara ndërkombëtare. Gjithsesi, brenda vendit, sporti vazhdoi të zhvillohej përmes garave të përvitshme të rrepta në qytete të vogla dhe fshatra.
Pas viteve ’90, sporti shqiptar u përball me sfida të mëdha: shkatërrimi i infrastrukturës, emigrimi i sportistëve, dhe mungesa e mbështetjes financiare. Por çiklizmi arriti të mbijetojë dhe të përshtatet. Filluan të shfaqen klube të reja lokale dhe private, gara rajonale me pjesëmarrje nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, përfaqësime në ngjarje ndërkombëtare si Ballkaniada, Lojërat Mesdhetare dhe Kampionatet Evropiane. Shumë shqiptarë që jetonin jashtë, sidomos në Itali, Belgjikë, Francë dhe Zvicër, krijuan ekipe çiklizmi që mbanin flamurin kuqezi në garat amatore e profesionale europiane.
Në thelb, ajo që duhet të kishte qenë një ngjarje sportive për bashkim, frymëzim dhe promovim të vlerave, u përdor si mjet për ndërtimin e një realiteti të rremë (të radhës). Giro d’Italia nuk e solli Shqipërinë më afër Europës që ‘e veshur me një fanellë rozë’, ajo fshehu plagët e një qeverisjeje që në esencën e saj zgjedh spektaklin në vend të substancës, një spektakël që u kushton shtrenjtë xhepave të shqiptarëve. Dhe ndërsa çiklistët garuan për fitore, qytetarët humbën një tjetër mundësi për të parë një shtet që i përfaqëson me dinjitet.