Partia Demokratike kërkon të rikthejë edhe një herë në qendër të vëmendjes çështjen e ish-agjentit special të FBI-së, Charles McGonigal, dosje kjo e cila është kthyer në kam për kryeministrin Edi Rama. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë të veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal. Kjo është hera e dytë që PD-ja kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor për çështjen McGonigal, pas asaj të bërë më 3 shkurt, 2023.
Vetëm 4 ditë më vonë më 7 shkurt, mazhoranca do të rrëzonte kërkesën e opozitës. Në tentativën e saj të dytë, opozita argumenton se Komisioni kërkohet që të ketë për objekt të veprimtarisë së tij, verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin Charles McGonigal. Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, korrektësisë dhe ndershmërisë në raportet e zyrtarëve shqiptar me zyrtarët e huaj.
Komisioni propozohet të përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, me një afat veprimtarie prej 6 muajsh. Grupi i PD shprehet se sipas Kushtetutës, kur Komisioni Hetimor kërkohet të ngrihet nga të paktën 35 deputetë, Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e Komisionit.
DETAJET
Konkretisht një grup deputetësh nga Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Gazeta “SOT” ka zbardhur kërkesën e firmosur nga 38 deputetë të opozitës të cilët kërkojnë ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë të veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal. “Faktet dhe të dhënat e mësipërme (në dokument) provojnë qartazi se Z. Edi Rama, me detyrë kryeministër i Republikës së Shqipërisë, është përfshirë në veprimtari të dyshimta, të cilat kishin për qëllim: (i) të dëmtonin interesat e partisë kryesore opozitare [Partisë Demokratike të Shqipërisë], nëpërmjet fillimit të një hetim penal ndaj lobistit amerikan të angazhuar për kryerjen e veprimtarive të tij; dhe (ii) krijimit të favoreve të parregullta dhe të dyshimta për shtetasin Charles McGonigal, Agron Neza dhe Dorian Duçka, veçanërisht në dhënien e licencave në industrinë e naftës.
Për realizimin e këtyre qëllimeve, janë kryer një sërë takimesh në periudhën 2017-2018 nga Z. Edi Rama me shtetasit McGonigal, Neza dhe Duçka, janë vënë në dispozicion dokumente dhe informacione nga zyra e kryeministrit, janë ofruar para në shumën 225.000 dollarë, si dhe janë paguar shpenzime udhëtimi, akomodimi për shtetasin amerikan McGonigal dhe dëshmitarët për të ndihmuar hetimin penal ndaj lobistit amerikan të Partisë Demokratike. Ndërkohë, lidhur me licencat në industrinë e naftës, sipas të dhënave të publikuara në media, rezulton se shtetasi Charles McGonigal është administrator dhe ortak me 25% i një kompanie shqiptare, të quajtur ‘Laë Office and Investigation’, aktualisht me aktivitet të pezulluar. Kjo kompani është themeluar në vitin 2008, nga Shefqet Dizdari, me profesion avokat, i cili në vitin 2019, i ka shitur aksionet e tij shtetasve Charles McGonigal, Agron Neza dhe Mark Thomas Rossini”, thuhet në dokument.
Verifikim i marrëdhënieve Rama–McGonigal
Po ashtu, deputetët e opozitës i referohen dhe dokumentit të datës 05.09.2025 kur Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit Amerikan të Drejtësisë ka bërë publike një përmbledhje të hetimeve në lidhjen me çështjen McGonigal, nga ku rezultojnë edhe të dhëna shtesë për marrëdhëniet e ish-agjentit special të FBI-së me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. “Me interes të veçantë duket të jetë një footnote në faqen 7 të këtij dokumenti, në të cilin thuhet: ‘Në 9 shtator 2017, McGonigal i dërgoi një foto të vetes dhe kryeministrit [Edi Rama] një miku personal dhe i shkroi një tjetër miku personal që Kryeministri po reformonte drejtësinë (në Shqipëri) dhe kjo ofronte plot mundësi’.
Faktet lidhur me shtetasin amerikan McGonigal sa i përket njohjeve dhe takimeve të tij me kryeministrin Edi Rama, shkëmbimi i informacioneve nga burimet e FBI-së, marrja e përfitimeve monetare, interesimi për fushat naftëmbajtëse në Shqipëri, konfirmohen edhe nga një sërë intervistash mediatike të bëra nga shtetasja amerikane Allison Guerriero, asokohe partnerja e Charles McGonigal. Duke iu referuar të njëjtave burimeve mediatike, rezulton se në aktivitetin e zhvilluar në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara, të shtetasit Charles McGonigal është i përfshirë edhe kryetari i Bashkisë Tiranë, shtetasi Erion Veliaj. Ky i fundit thuhet të ketë zhvilluar disa takime me shtetasin McGonigal, madje edhe i ka paguar një shumë prej 8 milionë euro, me qëllim që një pronar mediash shqiptare, me të cilin Veliaj kishte konflikte të vazhdueshme, të shpallej non-grata në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në dokument.
Hetim për lidhjet me McGonigal
Duke pasur parasysh dokumentet zyrtare të bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe publikimet e bëra publike nga burime serioze mediatike, lindin dyshime të arsyeshme sa i përket ligjshmërisë së veprimeve të kryer nga zyrtarë publikë shqiptarë në raport me ish-agjentin e FBI, Charles F. McGonigal, thuhet në dokument. Pikërisht, me qëllim kontrollin e zbatimit të ligjeve në këto marrëdhënie, verifikimin në thellësi të veprimeve të funksionarëve shqiptar me ish-agjentin McGonigal, nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe vlerësimin e nevojës për ndërmarrjen e masave ligjore, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative në të ardhmen, deputetët nënshkrues kërkojnë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për Verifikimin e Ligjshmërisë të Veprimeve të Zyrtarëve Shqiptar në Raport me ish-Agjentin Special të FBI-së Charles McGonigal.
Qëllimi i Komisionit Hetimor që kërkohet të krijohet mbi bazën e kësaj kërkese, synon që mbledhë informacione të hollësishme mbi zbatimin e ligjit në marrëdhëniet e funksionarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin Charles McGonigal, njohjen dhe verifikimin në thellësi veprimeve të kryera nga zyrtarët shqiptarë, nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, si dhe vlerësimin e nevojës për miratim, korrigjim, ndryshim të legjislacionit, me qëllim që në të ardhmen të parandalohen pasoja negative që mund të vinë për shtetin dhe palët e treta, nga marrëdhënie fshehta e të dyshimta që mund të krijojnë zyrtarët shqiptarë me zyrtarë të huaj,jashtë funksioneve të tyre zyrtare.
Deputetët që kanë firmosur
Gazment Bardhi
Luçian Boçi
Eno Bozdo
Ivi Kaso
Blendi Himçi
Ina Zhupa
Belind Këlliçi
Klevis Balliu
Bardh Spahia
Jorida Tabaku
Albana Vokshi
Xhelal Mziu
Tomor Alizoti
Ledina Alolli
Elda Hoti
Oerd Bylykbashi
Agron Gjekmarkaj
Tedi Blushi
Gjin Gjoni
Brunilda Haxhiu
Gent Strazimiri
Bujar Leskaj
Saimir Korreshi
Isuf Çela
Tritan Shehu
Bledion Nallbati
Kliti Hoti
Fidel Kreka
Erisa Xhixho
Klodiana Capja
Zija Ismailaj
Kastriot Piroli
Denisa Vata
Manjola Luku
Sali Berisha
Igli Cara
Flamur Hoxha
Besart Xhaferri
Bazat e kërkesës:
Neni 77 i Kushtetutës së Shqipërisë (e drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisioneve hetimore)
Neni 25 i Rregullores së Kuvendit
Ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 ‘Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit’
Dokumentet publike të Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe media ndërkombëtare tregojnë se ish-agjenti McGonigal ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë shqiptarë, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe këshilltarë të tij, si dhe ka përfituar financime nga biznesmeni shqiptar-amerikan Agron Neza. Sipas akuzave të SHBA, këto kontakte kanë përfshirë:
Marrjen e mbi 225.000 dollarë nga Agron Neza për McGonigal, për të ndikuar në vendime që përfitonin interesat private të tij dhe partnerëve shqiptarë.
Takime të koordinuara në Shqipëri dhe SHBA, duke përfshirë edhe kryeministrin Rama.
Ndihmën e drejtpërdrejtë në përfitime ekonomike, përfshirë dhënien e licencave për nxjerrjen e naftës nga kompania TransOil Group (sot TerraOil Sëiss).
Komisioni do të verifikojë ligjshmërinë e veprimeve të zyrtarëve shqiptarë, do të nxjerrë përgjegjësi institucionale dhe do të propozojë masa ligjore për të parandaluar fenomene të ngjashme në të ardhmen.
Përbërja e Komisionit Hetimor:
11 anëtarë gjithsej
Kryetari dhe 4 anëtarë nga Partia Demokratike
6 anëtarë nga Partia Socialiste
Afati i punës: 6 muaj nga miratimi në Kuvend.
Deputetët nënshkrues kërkojnë që kjo çështje të shqyrtohet sa më parë nga Konferenca e Kryetarëve dhe Kuvendi në seancë plenare.