Mbrojtësi uruguajan i Barcelonës, Ronald Araujo, u martua të shtunën me partneren e tij të jetës, Abigail Olivera, në një ceremoni emocionuese që u zhvillua në Montevideo. Çifti, i fejuar që prej vitit 2016, prindër të dy vajzave, Aitana dhe Adara, kremtoi martesën në Kishën Metodiste përpara familjarëve dhe miqve më të afërt.
Ceremonia, intime dhe e mbrojtur nga vëmendja mediatike, pati festën pasuese në “La Baguala”, ku të ftuarit duhej të linin telefonat celularë, duke garantuar privatësi, sipas mediave uruguajane. Vetë futbollisti publikoi fotografitë e dasmës në profilin e tij zyrtar në Instagram. Pas ngjarjes, të dielën në mesditë u organizua një darkë e thjeshtë me miqtë dhe familjarët më të afërt.
Ndër të ftuarit ishte edhe Ansu Fati, shoku i skuadrës dhe mik personal, i cili udhëtoi posaçërisht për ta shoqëruar çiftin në këtë ditë të veçantë. Kjo martesë vjen vetëm 5 muaj pas rinovimit të kontratës së Araujo me Barçën, deri në vitin 2031.
Sezoni i fundit ishte i komplikuar për mbrojtësin, me lëndime dhe disa gabime në mbrojtje, por që nuk do të ndikojnë negativisht në reputacionin e tij. Flick dhe Deco e konsiderojnë atë si top-mbrojtës, një nga më të mirët në botë.
Largimi i tij do ta dobësonte ekipin katalanas, sipas paralajmërimit të drejtorit sportiv në “La Vanguardia”. Gjatë sezonit të fundit, Araujo luajti 24 ndeshje në të gjitha garat, duke kontribuar në fitimin e titullit në La Liga dhe Kupën e Mbretit.
Kjo mbështetje e klubit për të bën që Christensen të jetë më pranë largimit këtë verë. Danezi ka luajtur vetëm 6 ndeshje këtë sezon për shkak të lëndimeve dhe Barça e konsideron të mbyllur kapitullin e tij në klub.







