Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “SCAMS”, i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”.
Gjatë operacionit u godit një tjetër Call Center në Tiranë, që shërbente për mashtrimin e qytetarëve evropianë duke i bindur të investonin në bursa fiktive. Në pranga përfunduan administratori i subjektit, Kejsi Përgjegji, 28 vjeç, dhe një bashkëpunëtor i tij, Marjus Hysa, 38 vjeç.
Gjatë kontrollit në ambientet e call center-it, policia gjeti 38 operatorë të cilët dyshohen se mashtronin qytetarë në vende të ndryshme të Evropës. Nga aksioni u sekuestruan 65 210 euro, 51 kompjuterë, 14 celularë, lista me emrat e viktimave dhe shumave të përfituara, si dhe dokumente të tjera që vërtetojnë aktivitetin kriminal.
Ndërkohë, në banesën e Marjus Hysës u gjetën edhe 41 500 euro dhe 700 000 lekë të rinj, të gjitha pa burim të justifikuar.
Në total, policia ka sekuestruar 106 710 euro, 700 000 lekë të rinj dhe mjetet teknologjike që përdoreshin për mashtrim. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 38 shtetas të punësuar në këtë call center.
NJOFTIMI:
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, bazuar në informacionet e marra se në rrugën “Bardhok Biba”, në një subjekt të licencuar për marketing, suport dhe konsulence në çdo veprimtari të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, po ushtrohej veprimtari e kundraligjshme e Call Centerit me qëllim mashtrimin e qytetarëve evropianë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “SCAMS”.
Në kuadër të operacionit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DPPSH, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” në DVP Tiranë, kanë ushtruar kontroll në ambientet e një subjekti me administrator shtetasin K. P., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit u konstatuan 38 operatorë, të cilët dyshohen se mashtronin qytetarë në vende të ndryshme të Evropës për të investuar në bursa fiktive.
Në ambientet e subjektit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
65210 euro pa dokumentacion për vërtetimin e burimit; lista e emrave që i ishte vendosur çdo operatori në momentin e prezantimit me viktimën; lista e shumave që secili operator kishte përvetësuar me anë të mashtrimit; lista e objektivave të vendosura nga menaxherët dhe bonuset që merrnin operatorët në bazë të objektivave, ku për muajin tetor ishte 1.5 milionë euro; 51 njësi kompjuterike dhe 14 aparate celular.
Në vijim të operacionit, janë ushtruar kontrolle në banesat e bashkëpunëtorëve të afërt të shtetasit K. P., dhe nga kontrollet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 41500 euro dhe 700.000 lekë të rinj në banesën e shtetasit M. H., 38 vjeç, pa dokumentacion të burimit të të ardhurave.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. P. dhe M. H.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda”; “Punësim i paligjshëm”; “Fshehje të ardhurash”; “Mospagim i taksave dhe tatimeve”; dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
/vizionplus.tv









