Boris Çenko-dhurim Çenko (shefi i krimeve ne permet)
GJIROKASTËR- Boris Çenko 21-vjeç është vendosur nën hetim nga policia pasi ka kërcënuar gazetarin Piro Nase, për shkak të detyrës. Mësohet se 21-vjeçari është djali shefit të Krimeve në Përmet, Dhurim Çenko. Boris ka kërcënuar gazetarin përmes një telefonate, pas raportimit që ky i fundit ka bërë për pezullimin nga detyra të Dhurim Çenkos.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pas kallëzimit të bërë sot nga shtetasi P. N., 51 vjeç, banues në Gjirokastër, me profesion gazetar, se është fyer e kanosur nëpërmjet celularit, për shkak të detyrës, nga shtetasi B. Ç., kanë reaguar menjëherë duke shoqëruar në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, shtetasin B. Ç.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, duke u konsultuar dhe duke e vlerësuar rastin me prokurorin e gatshëm, proceduan penalisht shtetasin B. Ç., 21 vjeç, banues në Gjirokastër.
Materialet procedurale për rastin i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Gazetari Piro Nase raportoi se Dhurim Çenko është pezulluar nga detyra lidhur me rastin e abuzimit të 16-vjeçares në Përmet nga njerku i saj me detyrë polic dhe kolegu i tij Artur Ago. Shefi i krimeve Çenko ka pasur dijeni për veprimet e dy punonjësve të Policisë së Tepelenës lidhur me abuzimin seksual me 16-vjeçaren dhe nuk ka marrë masat e duhura. Pas kësaj, gazetari ka marrë një telefonatë kërcënuese nga djali i shefit 21-vjeç, Boris Çenko./ZËRI
