Rigels Seliman
Në korridoret e Partisë Demokratike duket se po zien një krizë e re, që rrezikon ta përçajë edhe më thellë këtë forcë të djathtë tashmë të dobësuar nga betejat e brendshme. Kryedemokrati Sali Berisha, lideri historik dhe figura më e diskutuar e tranzicionit, ka nisur furinë e larjes së hesapeve brenda PD-së, duke goditur ashpër figurat që dikur e vunë në shënjestër. Në qendër të kësaj përplasjeje është kreu aktual i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili sipas burimeve nga brenda selisë blu, është drejt “shkarkimit de facto”. Burime të sigurta politike konfirmojnë se Berisha ka vendosur të heqë Bardhin nga drejtimi i grupit dhe ta zëvendësojë me besnikun e tij, Gent Strazimiri, një “ushtar” i palëkundur i “non-gratës” që drejton selinë blu. Strazimiri, i zgjedhur deputet në Qarkun e Duurësit, shihet si krahu i djathtë i Berishës për betejën që po vjen. Vendosja e tij në krye nuk është vetëm një rotacion, por një sinjal lufte: Berisha nuk harron, dhe sidomos nuk fal.
Prapaskenat
Por goditja ndaj Bardhit vjen pas një serie deklaratash të tij kundër Berishës në kohën kur PD-ja drejtohej nga Lulzim Basha. Atëherë Bardhi e akuzonte Berishën publikisht, por sot, përballë hakmarrjes politike, ai e gjen veten pa mbështetje. Ndërkohë një tjetër sinjal alarmi është ndezur kur deputetja e re e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, publikisht e ironizoi Bardhin me një mesazh sfidues dhe plot provokime personale. Ajo përmendi jo vetëm marrëdhëniet e tensionuara me Berishën, por edhe aludoi se Bardhi mund të mos jetë më deputet ose kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në shtator, nëse “Baba Bufi”, referuar Berishës, vendos që ai të dorëhiqet.
Madje ajo lë të nënkuptohet se në Genti që i bie në një variant Gent Strazimir mund të zëvendësojë Bardhin si kryetar grupi. Ndërsa teza tjetër sipas deklaratës së ligjvënëses së re, Zegjine Çaushi i bie që Gazment Bardhi t’ia lërë mandatin e deputetit në Qarkun e Fierit, Genti Çelës, i cili garoi në listën e hapur nën siglën e PD në këtë qark në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, por mori vetëm 7086 vota, të cilat nuk i mjaftuan për të hyrë në Kuvend, pasi Partia Demorkatike aty mor vetëm katër mandet nga lista e mbyllur që udhëhiqej nga Gazment Bardhi. Mirëpo ironia therëse e Çaushit ndjek të njëjtën linjë me mesazhin e avokatit të Berishës, Genc Gjokutaj, i cili ka kërcënuar me “luftë fizike” deputetët, që sipas tij, po përgatiten të “riasgjësojnë PD-në dhe liderin historik të saj”. “Lufta është shpallur”, shkroi Gjokutaj, duke shtuar se kundërshtarët e brendshëm të Berishës do të përballen jo më me debate online, por me përplasje të ashpra në terren.
Kjo deklaratë e paprecedentë u përkthye menjëherë si një sinjal se skenari i vjeshtës politike do të jetë i mbushur me tension, dorëheqje të detyruara dhe ndoshta edhe përjashtime spektakolare. Megjithatë për shumë demokratë të zhgënjyer, ky është rikthimi i “stuhisë së çadrës”, versioni 2.0: një parti e ndarë në klane, një lider i vendosur të pastrojë radhët dhe një opozitë që i ngjan gjithnjë e më shumë një fushe lufte sesa një alternative qeverisëse. Por a është ky fundi politik i Gazment Bardhit? A do ta shpëtojë Berisha PD-në apo do ta djegë deri në themel për të ruajtur fronin? Një gjë është e qartë: vjeshta do të jetë e nxehtë dhe Bardhi, siç paralajmëroi Çaushi, ndoshta nuk do ta kalojë. Kjo pasi në skenën e djathtë, Berisha ka vetëm një plan: besnikëri ose asgjësim politik.
Reagimi i Çaushit?
Ndërkohë kujtojmë se deputetja me re e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi është rikthyer të sulmojë kreun e grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, pasi ky i fundit e ka përmendur dje paradite ne seancën plenare në Kuvend. “O Gazo, o Heroi i PD-së! Më thanë që të ka ardhur zëri prapë. Ke filluar e thua: Zegjineja, Zegjineja. Tu dogj xhani për mua o yll? Do pak vëmendje ti në këtë pisk vape. Pa merak se ta plotësoj unë dëshirën”, i është drejtuar Çaushi me një videomesazh në stilin e saj, tashmë të bërë të njohur gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Më tej deputetja e PS i ka përmendur Bardhit problemet, që rezultati i PD në Fier i ka shkaktuar në marrëdhëniet me kryetarin e partisë, Sali Berisha. “Të ka ardhur zëri në parlament ty o Gazo? Mendon se Baba Bufi është plak i moçëm dhe harron?
Por jo. E mendon se çfarë i bëre ti në 11 maj? Baba Bufi jeton vetëm për të të parë ty rrugëve, duke u hequr zvarrë o lumëmadh. Kisha vendosur të të lija të qetë në trishtimin tënd këtë verë të nxehtë, por nuk rri dot pa mua ti o Gazi im. Të është bërë si ilaç, e do mëngjes, drekë dhe darkë”, shprehte ajo në rrjetet sociale. Sakaq Çaushi e mbyll mesazhin, duke i rikujtuar Bardhit se në shtator do të jetë në të njëjtën sallë të Parlamentit me të, gjithnjë nëse Berisha nuk e detyron të dorëhiqet, siç ka zëra në PD. “Mos u mërzit o yll. Dhe pak javë na ndajnë dhe më pas do më kesh në sallë të parlamentit, në komisione, në takime e kudo. Do jemi bashkë për 4 vjet. Po të la Baba Bufi domethënë, se mund të të kërkojë dorëheqjen, kështu më kanë ardhur fjalët nga PD-ja, që t’ia lësh vendin Gentit. E di vetë ti”, nënvizoi Çaushi.
Reagimi i Gjokutajt
Nga ana tjetër, avokati i kreut të Partisë Demokratike, Genc Gjokutaj, ka kërcënuar në rrjete sociale, deputetë të Partisë Demokratike të cilët sipas tij “po përgatiten të riasgjesojnë PD dhe Berishën”. Në një reagim në Facebook, Gjokutaj deklaron se “lufta me ta sot është më e ashpra”, duke shtuar se “do të luftohet fizikisht dhe jo online si dje”, një paralajmërim i qartë për përshkallëzim të konfliktit politik në linjën e përplasjeve brenda PD-së. “Doktor Berisha e solli PD në jetë pas një koma artificiale të shkaktuar nga armiqtë e saj! Sot armiqtë e dikurshëm të PD të “penduar” por të paguar dje dhe sot nga Rama & Co po përgatiten të riasgjesojnë PD dhe Berishën! Disa prej tyre edhe deputetë të PD nesër të klonuar nga Rama. Janë të shfaqur me emër dhe mbiemër ndaj beteja me ta sot është më e ashpra pse do të luftohet fizikisht dhe jo online si dje! Nuk mund të largojmë shpëtimtarin tonë por atentatorët ndaj tij! Qofshnin burra, gra, gay apo lesbike! Lufta është e shpallur! Bujrum! G”, shkroi pak ditë më parë Gjokutaj.