Klevis Balliu dhe Zegjine Çaushi
TIRANË-Debatet mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës vijojnë në Kuvend, ku një përplasje me akuza ka ndodhur mes Klevis Balliut dhe Zegjine Çaushit. Pas përfundimit të fjalës së deputetit të PD, Klevis Balliu, foltoren e mori deputetja e PS, Zegjine Çaushi.
Gjatë fjalës së tij, Balliu nuk kursye kritikat ndaj administratës: “Ta quash administratë europiane, duhet të jesh i çmendur. Kërkoni ndjesë, administrata vetëm ka vjedhur. Nuk është administratë, por organizatë e mirëfilltë kriminale.”
Pas tij fjalën e mori deputetja socialiste, Çaushi e cila ironizoi Balliun, duke i thënë se ishte personi që nuk duhet të flasë për administratën.
“Si mund të dalë një bukurosh këtu dhe të na flasë për administratën. Ti je i fundit që mund të dalësh këtu dhe të flasësh… më dëgjo bukurosh më dëgjo se do të rifreskoj memorien ty dhe kolegëve. Ti përveç se vjen nga një fis i bukur, vjen dhe nga një familje hajdutësh, hajdutësh rrugësh madje, dhe vjen dhe bërtet se mendon se si ti bëjnë të gjithë. Në 2007 sapo u sistemuat në këto karrige të mazhorancës, yt at bashkë me tezen tënde, se vjen dhe na flet këtu për familjarët, Blerina Agolli hapin një shoqëri, shoqëri që kishte një fat të ndritur, të merrte të gjitha fondet e qeverisë, sepse ishte sekretare e përgjithshme në ministrinë e Kulturës. Ja të mbaroj unë zoti Këlliçi dhe pastaj orientoje se çfarë mund të flasë.”
Pas mbylljes së fjalës, Çaushi i dha mundësinë Balliut të replikonte: “Tani i dashur bukurosh mund ta marrësh fjalën për replikë, dhe të thuash siç të mësoi Këlliçi.”
Balliu iu përgjigj duke mbrojtur veten dhe duke insistuar tek e vërteta: “Mund të të përgjigjesha edhe ty si koleges që s’ka doktor që të merr përsipër… Mbase nuk është shumë e edukuar ajo që thashë, por unë kam një problem, nuk gënjej dot, kjo është e vërteta.”









