Tag: çanta

  • “Kjo është ‘çanta e shpinës’ e globalizimit mbi shpatullat e Zahos”, Linda Rama në Forumin e Sigurisë në Londër: Shqipëria po rizbulon vendin e saj

    “Kjo është ‘çanta e shpinës’ e globalizimit mbi shpatullat e Zahos”, Linda Rama në Forumin e Sigurisë në Londër: Shqipëria po rizbulon vendin e saj

    Bashkëshortja e kryeministrit të vendit, i Linda Ramës, ishte e pjesë e darkës së organizuar për të ftuarit e forumit ndërkombëtar të sigurisë dhe politikave globale, zhvilluar në Londër. 

    Mbrëmja u zhvillua në kuadër të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë dhe Politikave Globale, një ngjarje që bashkon përfaqësues të lartë politikë, ekspertë të sigurisë dhe drejtues institucionesh ndërkombëtare.
    Diskutimet u fokusuan në sfidat e sigurisë globale, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rolet strategjike të vendeve të rajonit në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, ku zonja Rama u shpreh ndër të tjera gjatë fjalës së saj se Shqipëria po rizbulon vendin e saj dhe se globalizmi na ka lidhur me botën.
    Ajo mori një shembull të veçantë teksa fliste për sigurinë dhe politikat globale, kur përmendi të birin 11-vjeçar, Zahon.
    “Ndërkohë që përgatisja këto fjalë, nuk mundesha përpos të hiqja një paralele midis skenës së sotme të globalizimit, e mbushur plot me sfida e pikëpyetje dhe çantës së shkollës së Zahos, djalit tim 11- vjeçar. A ju kujtohet si në brezin tonë çantat e shkollës i mbanim në dorë? Ja pse quheshin çanta dore-shkolle, ndërkohë që sot asnjë fëmijë nuk e mban në dorë çantën e shkollës. E mbajnë në shpinë të gjithë…
    Pastaj vijmë ne prindërit në panik për misterin e së ardhmes, duke zbatuar pafund rregullat e së shkuarës. Kjo është “çanta e shpinës” e globalizimit mbi shpatullat e Zahos, por plot mundësi për të mësuar, e megjithatë, e rëndë hutuese, e herë-herë kaotike. Të gjithë mbarë mbajmë këtë çantë shpine sot, është çanta e shpinës së globalizimit”, tha ajo.
    Fjala e plotë:
    Ndihem thellësisht e nderuar që gjendem mes jush sonte dhe sinqerisht, jo krejt e sigurt që meritoj një hapësirë kaq të veçantë në një mbledhje kaq të veçantë.
    Falendeminderit Fjona! Vërtet do të thotë shumë që të konsiderohesh nga ti, e denjë për këtë detyrë dhe nuk mund të mos përmend një person tjetër mjaft të dashur këtë mbrëmje, një grua që e vlerësoj, jo vetëm për thellësinë e saj të gjykimit, por mbi të gjitha për forcën e karakterit të saj. Ajo është Cherie Blair dhe kurrë nuk do të mund ta falenderoj mjaftueshëm që më ka ndihmuar si një mike e vërtetë të tejkaloj një paragjykim të rrezikshëm, idenë që puna ime profesionale nuk mund të vazhdonte normalisht, në momentin që bashkëshorti im do të bëhej kryeministër.
    Të dashur miq,
    Në një takim kaq kuptimplotë si ky, do të kishte pak kuptim të bëja leksione për askënd këtu për globalizimin, për atë që funksionon dhe për atë që nuk funksionon, po ndoshta është kuptimplotë të ndaj mendimet për pyetjen “A po jetojmë ende në epokën e globalizimit?”, kur kjo pyetje zgjohet tek dikush si unë që ka kaluar përmes tunelit të komunizmit.
    Kam qenë 28 vjeç kur kalova për herë të parë kufirin dhe u largova nga vendi im i vogël, e njëjta moshë kur përdora së pari librin “Essential” të gjuhës angleze për të folur me një të huaj, kur mbajta kartmonedhën e parë të dollarit amerikan dhe bëra këmbimin e parë me këtë monedhë, kur hyra në një bibliotekë me libra të huaj.Ishte 1992. Sapo kisha parë dritën e një tuneli shumë të gjatë.
    Ëndrra jonë më e madhe ishte liria. Liria për të lëvizur , për të votuar, për të folur, për të besuar apo mosbesuar në Zot, për të punuar.
    Ëndërra e lirisë na kishte rrëmbyer tërësisht edhe pse nuk e dinim çtë bënim me të, apo se çfarë do të sillte në jetët tona. Pikërisht në atë moment bota e lirë e zhvilluar po ndiqte ëndërrën e saj të madhe që ishte globalizimi, një botë përtej fundit të historisë me asnjë ideologji, pa mure, pa kufi, me një liri më të madhe me një jetesë më të mirë.
    Kujtesa e luftës dhe plagët e përçarjes së madhe e bënin dëshirën për unitet e paqe edhe më të fortë mes kombeve. Ndërkohë që, ne arratiseshim nga komunizmi dhe ëndërronim të bëheshim pjesë e botës suaj, ju ëndërronit fshatin global dhe me shpejtësi po e realizonit.
    Është e drejtë të thuash se askush prej nesh nuk ishte i ndërgjegjshëm se çfarë na priste.Për dikë që ka lindur në një vend që gjithmonë ka prodhuar më shumë histori sa mund të tretë, fundi i historisë dukej si një bekim dhe çelja e rrugëve, deteve e qiejve për t’u bërë sërish pjesë e civilizimit tuaj, dukej një mrekulli.Sot di më shumë. Të gjithë ne dimë më shumë dhe edhe pse nuk do të kthehesha kurrë pas, kthimi pas i historisë me detërat e turbulluar dhe qiejt e stuhishëm e bëjnë rrugën përpara më pak të sigurt sesa dukej më parë.
    Ne e dimë avantazhet e globalizimit që i ka sjellë njërëzimit dhe vendeve. I ka lidhur njerëzit në mënyra më parë të paimagjinushme. Ka bërë ekonomitë të prodhojnë më shumë, më mirë, duke u shtrirë edhe tek shumë prej tyre, pa të cilët globalizimi do të përpëlitej për të mbijetuar.
    Novacioni lulëzon përmes bashkëpunimit global në shkencë, në teknologji, duke sjellë suksese të mëdha në mjekësi, energji të ripërtëritshme, komunikim. Muzika, filmi e arti rrugëtojnë të lirë, duke mbartur talente, tingujt e histori përtej kulturave, duke na ndihmuar të kuptojmë e të njohim njëri-tjetrin më mirë.
    Komunikimi është më i shpejtë e më i përhapur se sa kurrë më parë; kompjuterizimi përmes resë, gjithashtu edhe inteligjencë artificial (IA) ndërveprim online janë thelluar, kanë thelluar integrimin digjital, përtej çdo gjëje që kemi imagjinuar.
    Këto janë avantazhet që i lejojnë vendeve të vogla si Shqipëria, të ndihen e të veprojnë pa kufinj, ashtu si bija jonë, Nënë Terez, tha dikur; “me gjak jam shqiptare, nënshtetësi indiane, por thirrja ime e brendshme, me thirrjen e brendshme, i përkas botës’’.
    Ajo na kujton se identiteti nuk është një mur, por një urë që përkatësia kur ndahet, nuk mpak, shumëfishon. Kaq pa kufinj ishin dhe veprat e Ismail Kadaresë, të shkrimtarit tonë të shkëlqyer, përkthyer në më shumë se 45 gjuhë dhe të shqiptareve si Dua Lipa, Ermonela Jaho, Mira Murati që kanë arritur majat e artit, shkencës e teknologjisë globale.
    Pa përfitimin e globalizimit, bukuria natyrore shqiptare do të mbetej e izoluar. 12 milionë vizitorë erdhën vitin e kaluar në një vend me më pak se 3 milionë banorë. Çdo takim, çdo vakt i bashkëndarë, çdo foto e bërë në brigjet, malet tona apo në zonat tona kulturore është Shqipëria që po rizbulon vendin e saj në historinë globale. Po kështu, integrimi ynë europian i konfirmuar në çdo forum ndërkombëtar, e mbështetur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve në vend e jashtë, do të kish mbetur i kufizuar në një ëndërr që zbehej nëse nuk do të kishim ndarë ecurinë e pareshtur përpara që solli globalizimi.
    Por po kështu e dimë që ky iluzion i mrekullueshëm që vrapon më shpejt se rrahja e zemrës së vet, siç e përshkruan dikush, nuk është thjesht, duke u shpërbërë e duke minuar kontraditën e vet, siç në fakt dikush vëren me të drejtë.
    Sot, globalizimi politik duket rrezikshëm i fragmentuar, legjitimiteti i institucioneve globale është rrezikshëm në pikëpyetje, varfëria e pabarazia vazhdon të jenë kokëfortë; të pranishme rivalitetet gjeopolitike, po rriten në mënyrë të ndjeshme, prirjet izolacioniste po rishfaqen, ëndrrat nacionaliste po dalin sërish në sipërfaqe.
    Luftërat po përhapen e ndikimet e tyre përtej kufijve, lëvizjet anti-emigrante po rriten, të drejtat e arritura po gërryhen.
    Media sociale e jeta digjitale po na çorienton, e pasiguria mbizotëron botën virtuale që banojmë në të përditshmen tonë, ku të dhënat tona zhduken në një terr që nuk e shohim.Në 2025, ajo çfarë dikur e shihnim si historia më e madhe e njerëzimit, e progresit, tashmë vihet në dyshim e bombardohet çdo ditë me pikëpyetje, ndërkohë që pasiguritë e çdo lloji rrisin stresin, ankthin dhe tensionet ndërbreznore.
    Arsyet, sigurisht, janë më të mëdha sesa kapaciteti im për t’i kuptuar, por duke u mbështetur në të shkuarën time komuniste-parakomuniste dhe të tri dekadave të tranzicionit, unë do të ndalesha te një faktor thelbësor: Ende nuk kemi mësuar si të jetojmë e të sillemi globalisht në këto rrethana të reja. Nuk mund ta dinim, si dhe ende nuk dimë mjaftueshëm, ndërsa globalizimi shtrihej në territore të tjera, duhet të ishte zgjeruar edhe reflektimi i të mësuarit tonë, por si reflektimi ashtu edhe të nxënit, kanë qenë të pamjaftueshme matur me shkallën e gjerë të rritjes të globalizimit.
    Edhe pse mendimtarët e studiuesit mbërrijnë te ne sot më me lehtësi përmes medias sociale, podcasteve dhe programeve të panumërta, ne dëgjojmë shumë pak filozofët, ekonomistët, sociologët, psikologët, teknikët, ekspertët e teknologjisë, linguistët apo doktorët. Dëgjojmë edhe më pak njerëzit e zakonshëm dhe betejat e tyre të përditshme. Kësisoj, përpiqemi të menaxhojmë një botë tejet komplekse e dinamike, me praktika, bindje e kufizimet e së shkuarës, në vend që të kuptojmë, të mësojmë e të përshtatemi së bashku me të.
    A po jetojmë ende në epokën e globalizimit? Po, po jetojmë, sepse ashtu siç thotë Toni Bler, “globalizimi nuk është një zgjedhje, është realitet’’.
    Për ta përmbyllur, ndërkohë që përgatisja këto fjalë, nuk mundesha përpos të hiqja një paralele midis skenës së sotme të globalizimit, e mbushur plot me sfida e pikëpyetje dhe çantës së shkollës së Zahos, djalit tim 11- vjeçar.
    A ju kujtohet si në brezin tonë çantat e shkollës i mbanim në dorë? Ja pse quheshin çanta dore-shkolle, ndërkohë që sot asnjë fëmijë nuk e mban në dorë çantën e shkollës. E mbajnë në shpinë të gjithë.
    E në fakt, për shkak se edhe gjatë viteve çantat e shkollës u bënë gjithmonë e më të mëdha e më të rënda, e kaq të mëdha saqë asnjë fëmijë i vogël nuk mund t’i mbante tjetërsoj. E kështu fëmijët tanë shkojnë e vijnë nga shkolla përditë të përkulur nën këtë peshë. A e dini pse? Sepse në atë çantë shpine, në shpinën e atij fëmije qëndron e shkuara dhe e tashmja. Brenda kësaj çante shpine është iPad apo kompjuteri personal, e po kështu edhe libra tradicionalë lapsi digjital, e kutia plot me lapsat e tjerë, makina llogaritëse, e po kështu, edhe fletorja e shënimeve me kuti, ku matematika, logjika matematike mësohet si në ditët e vjetra.
    Këto fletore për shënime për çdo temë e fletoret e detyrave të shtëpisë, si më pare, në shkolla ka mësues, të cilët ende nuk e dinë se ku mbaron e shkuara e ku niset tashmja në metodat e tyre edukuese e sjelljet, sepse edhe ato veç duhet të bëhen studentë edhe njëherë për të mbajtur hapin me ndryshimin digjital.
    Pastaj vijmë ne prindërit në panik për misterin e së ardhmes, duke zbatuar pafund rregullat e së shkuarës. Kjo është “çanta e shpinës” e globalizimit mbi shpatullat e Zahos, por plot mundësi për të mësuar, e megjithatë, e rëndë hutuese, e herë-herë kaotike. Të gjithë mbarë mbajmë këtë çantë shpine sot, është çanta e shpinës së globalizimit.
    Të dashur miq!
    Është e drejtë që të jemi thellësisht të shqetësuar, kur shohim vendimet e përditshme që sfidojnë parimet e objektivat e ëndrrës fillestare të globalizimit. Por, nuk duhet të alarmohemi nga ngadalësimi i tij. Ky ngadalësim mund të jetë në fakt një dhuratë që na jep kohën të reflektojmë, për ta bëjmë rrugëtimin më të lehtë, më të qartë, më pak stres e më të lehtë për t’u mbajtur nga fëmijët tanë.Faleminderit!

    Top Channel

  • “Femrat hyjnë çdo ditë në aeroport me çanta Louis Vuitton“/ Getinjo reagon për debatin mbi orën “Richard Mille” të Mozzik

    “Femrat hyjnë çdo ditë në aeroport me çanta Louis Vuitton“/ Getinjo reagon për debatin mbi orën “Richard Mille” të Mozzik

    Prej disa ditësh, emri i Mozzik është përfshirë në një debat të madh publik rreth orës së tij “Richard Mille”, e cila ka ngritur pikëpyetje dhe spekulime mbi origjinalitetin. Ky diskutim ka marrë vëmendje të gjerë në rrjete sociale dhe media, duke e vendosur reperin në qendër të kritikave.
    Pas reagimit të vetë Mozzik, në debat është përfshirë edhe vëllai i tij, Getinjo, i cili gjatë një transmetimi “live” në TikTok ka ndarë mendimin e tij. Ai është shprehur se çështja është ekzagjeruar dhe se gjithçka është paraqitur më dramatike nga sa është realisht.
    Gjatë fjalës së tij, Getinjo ironizoi duke thënë se “po të paguheshin taksat në doganë, ora do të konsiderohej origjinale brenda ditës”. Ai vuri në dukje se problemi po fryhet në mënyrë të panevojshme vetëm pse bëhet fjalë për Mozzik, një artist që ka arritur sukses financiar përmes muzikës.
    Artisti solli si krahasim faktin se shumë gra hyjnë çdo ditë nëpër aeroporte me çanta “Louis Vuitton” dhe për to nuk ka asnjëherë debat publik, ndërsa rasti i Mozzik po trajtohet si një skandal i madh.
    Përveç kësaj, Getinjo kritikoi edhe doganën, duke thënë se Mozzik ishte ndaluar “vetëm për qejf”, ndërkohë që në media qarkulluan lajme të pavërteta se reperi ishte arrestuar. Ai sqaroi se familja e tyre u shqetësua nga raportimet, por sipas tij ato ishin spekulime.
    “Ne në shtëpi pamë lajmet që Mozzik arrestohet. Mediat po bëjnë filma, duke shkruar gjëra të pavërteta. Në fund të fundit, ne nuk kemi pse t’i japim shpjegime askujt”, përfundoi Getinjo.

  • Berisha: Rama e rrëmbeu mandatin, por nuk do ta gëzojë, çanta e Lubisë kushton sa…

    Berisha: Rama e rrëmbeu mandatin, por nuk do ta gëzojë, çanta e Lubisë kushton sa…

    Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se kryeministri Edi Rama e rrëmbeu mandatin e katërt.
    Por theksoi Berisha, “misioni ynë është që të mos e gëzojë këtë mandat”.
    Kryedemokrati lidhi situatën në vendin tonë me atë në Nepal, teksa u shpreh “U kishin nxjerrë ornamente, gjyzlykët e kushtueshme, 500 euro, këpucë 1000 euro, xhaketa 700 euro, por të gjitha ato të marra së bashku nuk kushtojnë sa çanta e Lubisë apo Elisa Spiropalit, imagjino çanta Louis Vuitton e Ulsi Manjës, të gjitha të marra nuk kushtojnë aq”.
    Sali Berisha: Ne përmbushim kësaj here misionin, Edi Rama rrëmbeu mandatin e katërt, misioni ynë është që të mos e gëzojë këtë mandat.
    Po shikoja sot, por edhe e postova, spote kundër korrupsionit të qeverisë komuniste të Nepalit.
    U kishin nxjerrë ornamente, gjyzlykët e kushtueshme, 500 euro, këpucë 1000 euro, xhaketa 700 euro, por të gjitha ato të marra së bashku nuk kushtojnë sa çanta e Lubisë apo Elisa Spiropalit, imagjino çanta Louis Vuitton e Ulsi Manjës, të gjitha të marra nuk kushtojnë aq.
    Këta nuk i fshehin por krenohen me vjedhjet e tyre.

  • Sa e rëndë duhet të jetë një çantë shkolle dhe pse nuk rekomandohen çantat me rrota?

    Sa e rëndë duhet të jetë një çantë shkolle dhe pse nuk rekomandohen çantat me rrota?

    Instituti i Shëndetit Publik të Beogradit ka publikuar udhëzime mbi mbajtjen e duhur të çantës së shkollës, duke theksuar se pesha e saj optimale duhet të jetë nga 5 deri në 10 për qind të peshës së fëmijës, ndërsa kufiri maksimal nuk duhet të kalojë 15 për qind.

    Sipas njoftimit, çdo peshë mbi këtë normë është e dëmshme për sistemin kockor dhe muskulor.

    Nga të dhënat e publikuara, fëmijët që nisin klasën e parë të shkollës fillore kanë zakonisht një peshë prej 22 deri në 25 kilogramë, prandaj çanta e tyre nuk duhet të jetë më e rëndë se 2 deri në 2.5 kilogramë.

    Ekspertët theksojnë se çanta duhet të jetë e përshtatur me gjatësinë e fëmijës, të mos ngrihet mbi nivelin e shpatullave dhe të ketë rripa të gjerë. Gjithashtu, rekomandohet që rripat të rregullohen në mënyrë që çanta të qëndrojë lart në shpinë dhe afër shtyllës kurrizore.

    Instituti nuk rekomandon përdorimin e çantave me rrota dhe me dorezë të zgjatur, pasi ato shkaktojnë ngarkesë të njëanshme në trup, duke sjellë pasoja si shtrembërim i shtyllës kurrizore dhe dhimbje në shpatulla.

    Nga kontrollet sistematike të vitit 2023, është konstatuar se 10.7 për qind e fëmijëve të moshës shkollore vuajnë nga qëndrimi i keq trupor, ku më i përhapuri është deformimi i tipit kifoza (shtrembërim i shtyllës kurrizore nga prapa), i cili prek rreth 6 për qind të fëmijëve. Po ashtu, 22.4 për qind e tyre rezultojnë me deformime të këmbëve.

  • Çanta origjinale Hermes e Jane Birkin do të shitet në ankand në Paris

    Çanta origjinale Hermes e Jane Birkin do të shitet në ankand në Paris

    Një çantë unike Le Birkin, e vetmja e këtij lloji e bërë për këngëtaren dhe aktoren me origjinë britanike Jane Birkin, do të dalë në shitje në Paris. Modeli prototip i çantës ikonike Hermes  të cilën Birkin e përdori për nëntë vjet, pritet të shitet me një shumë gjashtëshifrore në ankand muajin e ardhshëm.

    E përdorur shumë dhe që ende mban gjurmët e afisheve ngjitëse Birkin që i ka ngjitur pa respekt në lëkurën e lëmuar të zezë, çanta vjen e plotë me prerëset e thonjve që ajo ka vendosur brenda. Drejtuesja e çantave të dorës dhe modës në Sotheby’s, Aurélie Vassy, ​​tha se ishte unike.

    “Ishte çanta e parë që iu dha Jane Birkin dhe është e qartë se ajo bëri vërejtje dhe sugjerime në lidhje me prototipin. Nuk është Le Birkin që të gjithë e njohim dhe e duam, gjë që ishte një lloj bashkëpunimi midis saj dhe Hermès”, tha ajo. 

    Krijimi i Le Birkin është një legjendë mode që lindi pas takimit të rastësishëm të Birkin me kreun e kompanisë franceze të mallrave luksoze, Jean-Louis Dumas, në një fluturim komercial nga Parisi në Londër në vitin 1984.

    Birkin e nxori në ankand çantën prototip në vitin 1994 për të mirën e një bamirësie franceze kundër AIDS-it. Ajo u nxor përsëri në ankand në vitin 2000 dhe u ble nga pronarja aktuale, një koleksioniste mallrash luksoze, e cila nuk ka pranuar të tregojë se sa pagoi për të.

    Marrëdhënia e mëvonshme e Birkin me çantën ekskluzive që tani shitet për mijëra copë të reja dhe qindra mijëra copë të përdorura, ishte e përzier. Hermes i dha edhe katër të tjera, por në një intervistë të vitit 2012 ajo e përshkroi atë si “çanta e mallkuar Birkin” , duke u ankuar se ishin të rënda. Tre vjet më vonë, ajo i kërkoi Hermès të riemërtonte një version me lëkurë krokodili për shkak të shqetësimeve në lidhje me trajtimin e kafshëve të përdorura për ta prodhuar atë.

    Çanta origjinale është ekspozuar në MoMa në Nju Jork dhe në Muzeun V&A në Londër. Prototipi ka një madhësi të ndryshme nga modelet e mëvonshme, ka një rrip shpatullash dhe aksesorë prej bronzi, të zëvendësuar më vonë me unaza, kapëse dhe “këmbë” të punuara me ar. Çanta do të shitet më 10 korrik, në fillim të javës së modës së lartë në Paris.

  • Simboli i luksit, del në ankand pas 40 vitesh çanta e parë Birkin

    Simboli i luksit, del në ankand pas 40 vitesh çanta e parë Birkin

    Çanta e parë Birkin, e dizajnuar nga marka luksoze franceze Hermès për aktoren Jane Birkin në vitin 1984, do të dalë në ankand në Paris më 10 korrik, njoftoi të enjten shtëpia e ankandeve Sotheby’s.

    Kjo çantë e zezë prej lëkure, e cila është kthyer në një nga modelet më të famshme dhe më të shtrenjta në botë, do të jetë qendra e ankandit të titulluar “Ikona të Modës”. Sipas Sotheby’s, ky prototip “historik dhe i punuar me dorë”, është i gravuar me inicialet J.B. dhe ka disa veçori unike, përfshirë unazat metalike të mbyllura, rripin e supit të pandashëm dhe një prerës thonjsh të integruar.
    Historia e krijimit të çantës Birkin është kthyer në një legjendë moderne të modës. Gjatë një fluturimi Paris–Londër, këngëtarja dhe aktorja anglo-franceze Jane Birkin e cila ndërroi jetë në vitin 2023  u ankua tek një udhëtar se nuk gjente një çantë që i përshtatej nevojave të saj si nënë e re. Ai udhëtar ndodhi të ishte Jean-Louis Dumas, atëherë drejtues i Hermès.

    Nga kjo bisedë lindi një çantë e bollshme me hapësirë për biberonë, e krijuar në vitin 1984 dhe që më pas u pagëzua me emrin Birkin. Katër dekada më vonë, ajo është kthyer në produktin më ikonik të shtëpisë Hermès.
    Jane Birkin me çantën e saj ikonike Hermès Birkin
    E prodhuar në sasi shumë të kufizuara, çanta Birkin ruan një status ekskluziviteti. Çmimet fillojnë nga disa mijëra euro për modelet më të thjeshta dhe arrijnë në qindra mijëra për versionet më luksoze. Të dashura nga yje si Khloe Kardashian, Jennifer Lopez dhe Victoria Beckham, këto çanta nuk ekspozohen në dyqane dhe nuk mund të porositen online.
    Prototipi i parë i çantës do të ekspozohet fillimisht në Sotheby’s në New York nga 6 deri më 12 qershor, përpara se të shfaqet në Paris. Ankandi do të hapet online më 26 qershor dhe do të përfundojë më 10 korrik. Ende nuk është publikuar një çmim i parashikuar, pritet që çanta të arrijë një vlerë të lartë për shkak të rëndësisë së saj historike dhe kulturore.ajisur me një rrip të pandryshueshëm, harduer prej bronzi dhe inicialet “J.B.” të Jane Birkin. Përveç çantës Birkin, do të shiten edhe pjesë të famshme nga pasarelat e modës të stilistëve si Christian Dior, John Galliano, Thierry Mugler dhe Alexander McQueen.
    /vizionplus.tv

  • Incidenti në KZAZ-në e Kasharit, gazetari nxjerr detajet: U sekuestrua çanta me mbi 10 mijë €

    Incidenti në KZAZ-në e Kasharit, gazetari nxjerr detajet: U sekuestrua çanta me mbi 10 mijë €

    Duke folur për incidentin kur kryetari i KZAZ-së u godit nga një vëzhgues i kandidatit të PS-së, Orlando Rakipi, në KZAZ-në e Kasharit, gazetari Arion Sulo tha se, sipas burimeve të konfirmuara, është sekuestruar një çantë me 10 deri në 20 mijë euro pranë kësaj KZAZ-je.
    “Nga lajmet e konfirmuara, është sekuestruar një çantë me 10 deri në 20 mijë euro. Nuk bëhet e ditur ende identiteti i personit që ka makinën ku u gjet çanta, është ende i pazbuluar. Kjo ndodh, pasi ka një garë dhe tentohet që të joshen komisionerët”, tha Sulo.
    Kujtojmë se në orët e mesditës të së enjtes, një nga vëzhguesit e kandidatit socialist Orlando Rakipi ka goditur kryetarin e KZAZ-së në Kashar për shkak të një debati lidhur me kontestimin e një vote të Partisë Socialiste.

  • Këlliçi: Njerëz me kapuçë e çanta që iknin me vrap, mes tyre dhe një drejtoreshë

    Këlliçi: Njerëz me kapuçë e çanta që iknin me vrap, mes tyre dhe një drejtoreshë

    Belind Këlliçi ka denoncuar në krim zgjedhor sipas tij pranë gjimnazit Petro Nini Luarasi në kryeqytet. Në një deklaratë për mediat, demokrati Këlliçi ka akuzuar socialistin Erion Braçe se në zyrën e tij elektorale disa persona u larguan me vrap. Këlliçi kërkon që ky rast të zbardhet dhe të mos kalojë në heshtje, ndërsa paralajmëron kallëzim në komisariat dhe prokurori. Ai thotë se kjo situatë është e ngjashme me shtrimin e rrugës Xhon Belushi në 2023.
    ”Ajo çka ka ndodhur është e paprecedentë, nuk vinte patrulla e policisë së shtetit për shkak se situata po kalonte në konfrontim fizik. Kam kërkuar të bëhet këqyrja në vend e skenës kriminale për të parë a ka sende të paligjshme; para, lista, kompjutera e telefona.

    Kam kërkuar të shoh dhe vetë vendngjarjen, por ajo që ka ndodhur është e paprecedentë. Futemi brenda, unë i tregoj policisë videon e njerëzve që ikin me vrap, një drejtoreshë e qendrës kombëtare të inovacionit a se di kush ishte dhe disa të rinj të tjetër, me çanta në krahë dhe kapuç kanë ikur me vrap.
    I them unë kush është personi në fjalë. Braçe i thotë kjo është zyra ime e punës dhe thotë nuk njoh anëtarët e mi të punës. Kur e pyet policia se kush janë këta, ky thotë nuk i njoh, t’i gjejë Belindi e Policia e Shtetit. Nëse nuk ka patur krim zgjedhor për çfarë arsye kanë ikur njerëzit me vrap.
    PD i janë hequr disa zyra elektorale, logo për shkak se kemi qenë 100 metra larg qendrave të votimit dhe sipas kodit zgjedhor nuk mund të ketë zyra të një force politike, në vijë ajrore e keni 30 metra. Këtu jo vetëm që është zyrë elektorale, po pa logo të Erion Braçes”.

  • Berisha nga Kruja: Parlamenti si pasarelë mode! Ministreshat vinin me aksesorë dhe çanta si princesha!

    Berisha nga Kruja: Parlamenti si pasarelë mode! Ministreshat vinin me aksesorë dhe çanta si princesha!

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ndodhet sot në Krujë, ku ka zhvilluar një takim në një biznes fason.Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te projekti i ‘Shqipërisë Madhështore’, i cili sipas kryedemokratit ka për qëllim nxjerrjen e shqiptarëve nga mjerimi dhe varfëria.
    Pjesë nga fjala e Berishës:Unë jam këtu për të paraqitur para jush projektin tonë të ‘Shqipërisë Madhështore’. Ky projekt siç kanë të njohur dhe kandidatët tanë për deputete, kam theksuar disa herë, synon në shtyllën e parë të tij, nxjerrjen e shqiptarëve nga mjerimi. Dhe sot, sipas përkufizimit të varfërisë ekstreme, 57% e 760 mijë pensionistëve janë në mjerim, marrin një pension të atillë, që i bie të jenë në mjerim. Ne do të vendosim një minimum jetik prej 200 eurosh, për çdo pensionist, për çdo të papunë, për çdo njeri në ndihmë ekonomike, për çdo student, për çdo jetim, për çdo fëmijë të një gruaje apo burri familjar.
    Së pari me këtë synojmë të lehtësojmë dhimbjen. Këta kanë nxjerrë një moto se në Shqipëri nuk vdes kush për bukë. Nuk ka gjë më ekzistenciale, më të turpshme. Çfarë do thuash ti me ketë, nuk vdes kush, si mund të diskutohet. Nuk kanë vdekur. Vetëm në periudhe zie buke, por nuk thotë një shtetar që nuk vdes kush për kafshatën. Por problemi është a e numërojnë kafshatën, problemi është sa e sigurojnë kafshatën. Problemi është jo vetëm për vete, për fëmijët e tyre, sa mund të mbajë sofra e tyre me ato që japin.
    E vërteta është se sot, edhe për shkak të sofrës, më shumë për shkak të sofrës, janë me qindra mijëra familje që i kanë nisur fëmijët jashtë sepse nuk kanë pasur mundësi të jetojnë së bashku me ato që marrin. Ndaj dhe ne i japim një përgjigje kësaj, sikundër i japim një përgjigje të madhe rrogave. Ne do ecim drejt dyfishimit të rrogave. Absolutisht.
    Ne vendosim rrogën minimale 500 euro. Por ju garantoj se sipërmarrësit tuaj do kenë nga ana tjetër, të gjitha lehtësirat fiskale në mënyrë që biznesi i tyre të ketë sukses të vazhdueshëm. Çfarë do bëjmë ne së pari. Të jemi realist. Këta e mbajnë biznesin me shumë, shumë vështirësi. Sepse rënia e euros nga rreth 140 lekë në 90 lek, është një rënie që këta i dëmton në mënyrë shumë thelbësore.
    Atëherë, hapi i parë, 100 ditët e para do krijohet një bord i cili do i kompensojë këta zotërinj të nderuar qindarkë për qindarkë, rënien e euros. Pa asnjë diskutim do bëhet. E nuk do kërcënohen më këta. Urdhëro i mban me humbje, e besoj plotësisht se nuk ka fitim 35% me fasonët, por këta bëjnë çdo gjë, manovrime, marrin kredi e me radhë për të mbajtur sipërmarrjen. Pra hapi i parë për ju, ne do krijojmë bordin që do kompensojë të gjithë fasonëve, të gjithë eksportin, çdo qindarkë euron e rënë.
    Së dyti energjinë do e paguajnë me 6 lek. Tani çfarë ndodh me panelin diellor. E vjedhin në mënyrë të turpshme. Panelin diellor i ka kushtuar 400 mijë euro dhe ky prodhon energji. Dhe kur nuk punon ndërmarrja energjinë e fut në rrjet dhe ja marrin pa lek, në vend që të ja paguajnë. Shtet zuzar. E bëjnë vetëm këta, në asnjë vend të botës, se ky është investim. Ai investim do një kohë për tu shlyer. Por këta asnjëri nuk ja kthejnë energjinë që i marrin, rimbursim. Kilovat për kilovat do të paguhet ose do u rikthehet me energji. Urdhëroni çfarë klime krijojnë këta për biznesin.
    Berisha ka akuzuar sërish ministret për shpenzime të mëdha për aksesorë dhe çanta të shtrenjta, me të cilat janë parë në Kuvend.
    Kanë mashtruar dhe vjedhur, i shihni vetë ato ministret. Gjersa unë ngrita zërin në Parlament, se parlamenti nuk është pasarelë mode, ministreshat vinin me aksesorë dhe çanta, a thua janë princesha e jo shërbëtore të qytetarëve. Gjëra si nuk i imagjinon kurrë me rrogën tënde, nuk del rroga. Të gjitha këto do përfundojnë më 11 maj, paratë do u kthehen qytetarëve.