Tag: butrintit

  • Zbatimi i planit të konservimit në Butrint, ekspertët vizitojnë parkun

    Zbatimi i planit të konservimit në Butrint, ekspertët vizitojnë parkun

    Puna në zbatimin e planit të konservimit në Butrint solli dhe një vizitë të ekspertëve në këtë park. Kjo vizitë më parë në parkun kombëtar të Butrintit u përqendrua në evidentimin e problematikave dhe nevojave të secilit monument, duke shërbyer si bazë për hartimin e projekteve të detajuara të zbatimit. Nga parku kombëtar i Butrintit bëhet me dije se në kuadër të fillimit të punës për hartimin e projekteve të konservimit për monumentet si Porta Veriore, Rrënojat e Kolumbariumit, mozaiku në këtë monument, Porta Perëndimore, Afresku pranë kësaj Porte, Muri nga Porta e Liqenit deri në Akropol dhe vetë Porta e Liqenit në Butrint, u zhvillua vizita e parë prezantuese me ekspertët e këtij shërbimi. “Këto projekte do të mundësojnë ndërhyrje të mirëstrukturuara dhe të qëndrueshme për ruajtjen e vlerave unike të parkut kombëtar të Butrintit”, thuhet nga parku.
    Parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i republikës së Shqipërisë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Nga parku herë pas here sillen në vëmendje dhe objekte që janë monument kulture, ku disa ditë më parë u shpreh se një sërë objektesh kulti në qytetin e Butrintit i përkasin periudhës së Mesjetës. “Ato janë të gjitha kisha të vogla, disa edhe me atë kullën e këmbanës tipike për zonën e Epirit. Një ndër këto kisha është edhe Kisha e vogël, e ndërtuar në shekullin e 13-të”, thuhet në materialin e parku. Ajo, ende e ruajtur në pjesën më të madhe të saj, i mbështetet linjës së murit rrethues që lidh Portën e Liqenit me Akropolin. Kjo kishë është një strukturë me një nef e ndërtuar nga blloqe guri gëlqeror, me një absidë të vogël qëndrore ku ndodhet një dritare, e rrethuar nga dy kamare.

  • Shtatori me radhë të gjata për të vizituar Butrintin, destinacion ku historia takon natyrën

    Shtatori me radhë të gjata për të vizituar Butrintin, destinacion ku historia takon natyrën

    Edhe në këto ditë shtatori, Parku Kombëtar i Butrintit vazhdon të vizitohet nga një numër i madh turistësh. Jashtë murit rrethues të parkut, janë me dhjetëra vizitorët të cilët kanë formuar radhë të gjata për të parë nga afër këtë thesar të trashëgimisë tonë kulturore.
    Rrënojat antike, amfiteatri dhe peizazhi i mrekullueshëm mes liqenit e bëjnë Butrintin një destinacion ku historia dhe natyra bashkëjetojnë në harmoni. Një udhëtim që nuk është thjesht turistik, por një përvojë e thellë kulturore.
    Turistët veçojnë më shumë bazilikën dhe kalanë. Ata shprehen me superlativa për qytetin antik dhe për mënyrën se si është ruajtur. Vizitorët e huaj thonë se kryesisht janë njohur në rrjetet sociale me këtë sit, por edhe nga guidat e shpërndara në aeroportin e Rinasit.
    Parku Kombëtar i Butrintit mbetet një prej destinacioneve më të vizituara në vend.
    Ky qytet antik, i mbrojtur nga UNESCO, është dëshmi e gjallë e qytetërimeve të mëdha që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit.
    Kompleksi arkitektonik i Butrintit përfshin 15 zona të periudhave të ndryshme historike, duke filluar nga shekulli IV para Krishtit, deri në shekullin XVI pas Krishtit. Ky mozaik epokash e bën Butrintin një muze të hapur të qytetërimeve që kanë kaluar nëpër shekuj – nga romakët, bizantinët, venecianët e deri në Mesjetë.

  • Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit, që ka një kompozim të rrallë

    Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit, që ka një kompozim të rrallë

    Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit është më i madhi dhe më i ruajturi nga mozaikët e çdo pagëzimoreje tjetër të botës romake. Ai ishte kompozuar në mënyrë që të jepte mesazhe të qarta të shpëtimit dhe jetës së amëshuar për ata që vendosnin të pagëzoheshin. Në materialin e parkut kombëtar të Butrintit thuhet se përreth dy rrathëve koncentrikë prej tetë kolonash, shtatë unaza mozaiku rrethonin kryqin qendror, duke riformuar edhe një herë numrin tetë. “Ky numër në fillimet e krishtërimit simbolizonte pagëzimin, krijimin dhe shpëtimin”, thuhet për mozaikun.Parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit.
    Zemra e parkut kombëtar është qyteti antik i Butrintit, ekzistenca e të cilit vazhdoi pa ndërprerje, që prej periudhës së prehistorisë e deri në mesjetë, duke ofruar kështu një shumëllojshmëri kulturash dhe periudhash historike. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si Monument Kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
    Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit në zbatim të programit të monitorimit dhe ruajtjes së mozaikëve në parkun kombëtar të Butrintit nisi këtë sezon me hapjen e mozaikut të Termeve romake pranë Teatrit dhe të Kthinës veriore të Gjimnazit. Mozaiku në Termen romake pranë Teatrit paraqet një dizajn gjeometrik bardh e zi, të rrethuar me një kornizë të kuqe. Mozaiku në Kthinën veriore të Gjimnazit paraqet një dizajn me nyjet e Solomonit, një simbol antik që përfaqëson lidhjen midis tokës dhe parajsës.

  • Butrinti/ 44,555 turistë e vizitojnë vetëm në korrik. Shifrat për 7 mujorin e 2025

    Butrinti/ 44,555 turistë e vizitojnë vetëm në korrik. Shifrat për 7 mujorin e 2025

    Turistët e huaj, përveç bukurive natyrore dhe plazheve tërheqëse, vijnë për të vizituar vendin tonë edhe për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore.
    Konkretisht, sipas të dhënave të fundit nga Agjencia për Media dhe Informim një numër rekord prej 44,555 turistësh vizituan vetëm në muajin korrik Parku Kombëtar i Butrintit.
    Kështu sipas të dhënave zyrtare, në 7 mujorin e parë të vitit 2025 Parku Kombëtar i Butrintit tejkalon 150,000 vizitorë
    ‘Me një numër rekord prej 44,555 turistësh vetëm në muajin korrik, Parku Kombëtar i Butrintit konfirmon se vizitorët, veçanërisht të huajt që vijnë në Shqipëri🇦🇱 tërhiqen nga trashëgimia historike dhe arkeologjike e parkut. Sipas të dhënave zyrtare, në 7 mujorin e parë të vitit 2025 Parku Kombëtar i Butrintit tejkalon 150,000 vizitorë.
    Kjo shënon një rritje prej gati 82% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
    Turistët e huaj vlerësojnë veçanërisht peizazhet natyrore të ruajtura mirë, mundësinë për të eksploruar trashëgiminë kulturore duke e kombinuar këtë aventurë edhe me pushimin në bregdetin e jugut”, thuhet në një postim në rrjetin social Facebook të Agjencisë për Media dhe Informim.

  • MIA: Numër rekord, 44 555 turistë vizituan Butrintin në muajin korrik

    MIA: Numër rekord, 44 555 turistë vizituan Butrintin në muajin korrik

    Agjencia për Media dhe Informim bëri të ditur sot se, 44,555 turistë kanë vizituar, vetëm në muajin korrik, Parkun Kombëtar të Butrintit.

    “Me një numër rekord prej 44,555 turistësh vetëm në muajin korrik, Parku Kombëtar i Butrintit konfirmon se vizitorët, veçanërisht të huajt që vijnë në Shqipëri tërhiqen nga trashëgimia historike dhe arkeologjike e parkut. Sipas të dhënave zyrtare, në 7 mujorin e parë të vitit 2025 Parku Kombëtar i Butrintit tejkalon 150,000 vizitorë”, thekson MIA.

    Sipas MIA, kjo shënon një rritje prej gati 82% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    “Turistët e huaj vlerësojnë veçanërisht peizazhet natyrore të ruajtura mirë, mundësinë për të eksploruar trashëgiminë kulturore duke e kombinuar këtë aventurë edhe me pushimin në bregdetin e jugut”, shton MIA./atsh/KultPlus.com

  • Restaurohet rrethimi i parkut kombëtar të Butrintit, u projektua nga arkitekti Gani Strazimiri në vitet ’60-të

    Restaurohet rrethimi i parkut kombëtar të Butrintit, u projektua nga arkitekti Gani Strazimiri në vitet ’60-të

    Parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, ndërsa ka përfunduar dhe restaurimi i rrethimit të tij. Procesi i restaurimit të rrethimit të parkut kombëtar projektuar nga arkitekti Gani Strazimiri disa dekada më parë është kryer duke përdorur materiale origjinale. Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) shprehet se ky projekt nuk është thjesht punim restaurimi. “Në parkun kombëtar të Butrintit është përfunduar restaurimi i rrethimit të projektuar nga arkitekti Gani Strazimiri në vitet ’60.
    Pas më shumë se dy dekadash pa ndërhyrje të rëndësishme, ky element i infrastrukturës është rikthyer në gjendjen e tij të plotë funksionale dhe estetike. Procesi është kryer duke përdorur materiale origjinale dhe duke respektuar konceptin arkitektonik fillestar. Ky projekt nuk është thjesht një punim restaurimi, por një homazh për mjeshtërinë e projektuesit dhe një investim në mbrojtjen e trashëgimisë së Butrintit për brezat që vijnë”, thuhet nga AADF në faqen në rrjete sociale.
    Parku kombëtar i Butrintit është dhe ndër më të vizituarit në vendin tonë për periudhën janar-korrik 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Butrinti është vizituar gjatë këtyre muajve nga 150,178 vizitorë, vendas e të huaj. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si Monument Kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

  • Restaurohet rrethimi i Parkut Kombëtar të Butrintit sipas projektit të viteve `60

    Restaurohet rrethimi i Parkut Kombëtar të Butrintit sipas projektit të viteve `60

    Në Parkun Kombëtar të Butrintit përfundoi restaurimi i rrethimit.

    Rrethimi ishte projektuar nga arkitekti Gani Strazimiri në vitet ’60. Pas më shumë se dy dekadash pa ndërhyrje të rëndësishme, ky element i infrastrukturës është rikthyer në gjendjen e tij të plotë funksionale dhe estetike.

    Procesi është kryer duke përdorur materiale origjinale dhe duke respektuar konceptin arkitektonik fillestar. Parku Kombëtar i Butrintit theksoi në një postim në rrjetet sociale se ky projekt nuk është thjesht një punim restaurimi, por një homazh për mjeshtërinë e projektuesit dhe një investim në mbrojtjen e trashëgimisë së Butrintit për brezat që vijnë.

    Parku Kombëtar i Butrintit renditet i pari ndër 5 institucionet e trashëgimisë kulturore më të vizituara për periudhën janar-korrik 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Butrinti është vizituar gjatë këtyre muajve nga 150,178 vizitorë, vendas e të huaj./atsh/KultPlus.com

  • (VIDEO) Auron Tare nxjerr pamjet e resortit brenda Butrintit, në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar

    (VIDEO) Auron Tare nxjerr pamjet e resortit brenda Butrintit, në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar

    Studiuesi dhe aktivisti i trashëgimisë kulturore Auron Tare ka denoncuar gjendjen aktuale të një prej zonave më të rëndësishme të trashëgimisë natyrore dhe kulturore në vend — Parkut Kombëtar të Butrintit.
    Ai ka publikuar pamje tronditëse që tregojnë degradimin e një pjese të zonës së mbrojtur, duke ngritur alarmin për mënyrën sesi po trajtohet një pasuri kombëtare me rëndësi ndërkombëtare.
    Sipas Tares, kjo zonë e Butrintit, e cila në vitet ’90 ishte e destinuar për ndërtime nga Qeveria “Berisha 1”, u shpëtua falë përpjekjeve të vazhdueshme të Fondacionit Butrinti dhe ndërhyrjes së Ministres së Kulturës së asaj kohe, Arta Dade, si dhe mbështetjes nga figura të larta shtetërore si Edi Rama, Fatos Nano dhe Presidenti Rexhep Mejdani. Kjo nismë u konsiderua një nga veprat më të mëdha të Partisë Socialiste pas vitit 1997, duke i dhënë mbrojtje ligjore dhe institucionale një pasurie të çmuar kombëtare.

    Por sot, sipas Auron Tares, gjithçka duket se është lënë në mëshirë të fatit. “Falë punës së përkushtësuese të Ministres Kumbaro & Co, pamjet flasin vetë,” shprehet ai me ironi dhe indinjatë. Implikimi është i qartë: politikat aktuale të Ministrisë së Kulturës dhe menaxhimit të Butrintit kanë dështuar të ruajnë integritetin e zonës së mbrojtur.
    Ky denoncim vjen në një kohë kur debati për menaxhimin e Butrintit ka qenë i fortë dhe i polarizuar, veçanërisht pas vendimeve të fundit për ta kaluar administrimin e parkut në një formë të re partneriteti publik-privat, gjë që është kundërshtuar nga shumë zëra të shoqërisë civile dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore.
    Pamjet e publikuara nga Tare përforcojnë shqetësimet se vlerat historike, arkeologjike dhe natyrore të Butrintit janë sot më të rrezikuara se kurrë. Ai i bën thirrje institucioneve të reagojnë me përgjegjësi, përpara se të jetë vonë.
    gijotina.com/

  • Mozaikët e Parkut Kombëtar të Butrintit

    Mozaikët e Parkut Kombëtar të Butrintit

    Parku Kombëtar i Butrintit publikoi në rrjetet sociale pamje nga Mozaiku i Pagëzimores. Publikimi i i pamjes së mozaikut, i cili mbart një rëndësi të veçantë historike dhe kulturore vjen në kuadër të rubrikës “Të njohim Butrintin”.

    Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit është më i madhi dhe më i ruajturi nga mozaikët e çdo pagëzimoreje tjetër të botës romake. Ai ishte kompozuar në mënyrë që të jepte mesazhe të qarta të shpëtimit dhe jetës së amëshuar për ata që vendosnin të pagëzoheshin.

    Përreth dy rrathëve koncentrikë prej tetë kolonash, shtatë unaza mozaiku rrethonin kryqin qendror, duke riformuar edhe një herë numrin tetë.

    Ky numër në fillimet e krishtërimit simbolizonte pagëzimin, krijimin dhe shpëtimin.

    Muajin e kaluar, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore njoftuan për hapjen dhe ruajtjen e dy mozaikëve: mozaiku i termeve romake pranë teatrit dhe mozaiku i galerisë në oborrin verior të gjimnazit. Këta mozaikë të rrallë qëndrojnë të hapur për publikun nga 22 korriku deri më 15 gusht./atsh/KultPlus.com

  • Pagëzimorja e Butrintit, një nga më të mëdhatë në Mesdhe

    Pagëzimorja e Butrintit, një nga më të mëdhatë në Mesdhe

    Parku Kombëtar i Butrintit, në një postim në rrjetet sociale, sjell një album fotografik dhe informacion mbi pagëzimoren e Butrintit, një nga monumentet kryesore, më të bukura të këtij parku dhe një nga më të mëdhatë në të gjithë Mesdheun.

    Koha e ndërtimit të saj mendohet rreth viteve 550-570 pas Krishtit.

    Mozaiku është kompozuar shumë bukur. Dekori i dyshemesë përbëhet nga shtatë shirita që qarkojnë vaskën e pagëzimit të ndodhur në qendër, bashkë me të cilën bëhen tetë, numri i krishterë që nënkupton shpëtimin dhe përjetësinë.

    Dy nga shiritat përbëhen nga medaljone të thjeshtë të lidhur me njëri-tjetrin, të tjerët përmbajnë rondele me kafshë katërkëmbëshe, shumë zogj uji dhe peshq, gjithsej 69 e të gjitha simbole të lidhura me pagëzimin.

    Në kushte ideale, kompleksi i Baptisterit dhe mozaikët e tij do të duhej të ishin gjithnjë të ekspozuar. Ngritja dhe ulja sezonale e nivelit të ujit, në lagunën përreth, shkakton lagjen dhe tharjen e përsëritur të dyshemeve.

    Nëse mozaikët do të ishin vazhdimisht të ekspozuar ndaj ajrit, ky proces do të çonte në mënyrë të përsëritur në shkatërrimin e përhershëm dhe të pakthyeshëm të tyre. Kështu, për të siguruar ruajtjen afatgjatë të mozaikëve, dyshemetë e Baptisterit mbahen të mbuluara. Mozaikët zbulohen periodikisht, përgjithësisht çdo 5 vjet, për periudha të shkurtra, për t’u vizituar nga publiku dhe për konservim shkencor.

    Hapja bëhet me miratim të IKTK sepse procesi kryhet nën monitorimin e specialistëve të mozaikëve.