Foto nga Hasi
HAS– Një reportazh i publikuar së fundmi nga media britanike Daily Mail ka rikthyer në vëmendje valën masive të emigracionit nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe, duke u fokusuar te pasojat që ky fenomen po lë pas në komunitetin e vogël të Hasit.
Sipas shkrimit, ky qytet në verilindje të Shqipërisë është kthyer në simbol të një eksodi të heshtur, ku burrat dhe djemtë largohen për të ndjekur ëndrrën britanike, ndërsa në vend mbeten gra të vetmuara dhe fëmijë që rriten pa praninë e baballarëve.
Daily Mail sjell dëshmi dhe përshkrime nga realiteti i përditshëm në Has, ku vajzat adoleshente shëtisin rrugëve pa ndonjë mundësi konkrete për të ndërtuar një të ardhme, ndërsa shumë djem lënë shkollën sapo mbushin moshën për të udhëtuar jashtë. Madje, disa prej tyre i lënë mësuesit me përshëndetjen ironike “Shihemi në Londër”, në vend të një “Mirupafshim” të zakonshëm.
Në raportin e medias britanike theksohet se gjatë vitit 2022, rreth 13 mijë shqiptarë hynë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, shumë prej tyre nëpërmjet gomoneve, të joshur nga idetë për një jetë më të mirë dhe mundësi të shpejta për të fituar para, shpesh në tregun e zi.
Në Has, sipas artikullit, kjo valë emigracioni ka sjellë një boshllëk të dukshëm social. Mbi 80% e familjeve thuhet se mbijetojnë vetëm falë parave që dërgojnë burrat nga Britania. Kjo ka krijuar një strukturë të pabarabartë familjare, ku gratë janë kthyer në kryefamiljare, ndërsa fëmijët njohin figurën e të atit vetëm përmes videocall-eve.
Media e përshkruan këtë fenomen si një “mikrokozmos i krizave demografike” që po ndodhin në shumë vende të varfra, ku burra të rinj, legalisht apo ilegalisht, largohen për të gjetur një të ardhme më të mirë, ndërsa komunitetet që lënë pas përballen me boshllëkun shoqëror dhe ekonomik.
“Burrat që largohen mund ta harrojnë familjen që kanë këtu. Ka një rritje të divorceve, kur dikur mezi kishte të tilla në shoqërinë tonë të lidhur ngushtë. Qyteti është përmbysur. Sigurisht, po vijnë para, të dërguara nga Mbretëria e Bashkuar. Por paratë nuk janë gjithçka.”, kështu shprehet Besmira, një vajze e re nga Hasi për Daily Mail.
Gjithashtu në artikull theksohet se muaji korrik shënon sezonin e dasmave në Has, kur shumë shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar kthehen për t’u martuar me vajzat që kanë lënë pas. Por, siç thekson Daily Mail, për shumicën e nuseve ky bashkim është i përkohshëm. Marrja e vizës bashkëshortore kërkon përmbushjen e kritereve specifike, përfshirë një prag të caktuar të ardhurash, një proces i gjatë dhe shpesh i pamundur për shumë çifte.
Pjesë e marrë nga Daily Mail:
“Korriku është sezoni i dasmave në Has dhe kjo është koha kur burrat që kanë të drejtë të qëndrojnë në Britani – dhe për këtë arsye mund të fluturojnë përsëri në Shqipëri të sigurt duke e ditur se mund të rihyjnë ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar – kthehen për t’u martuar me vajzat që lanë pas. Kjo nuk do të thotë që, pas ceremonisë, nuseve të tyre të reja do t’u jepet automatikisht e drejta për të jetuar në Mbretërinë e Bashkuar. Për të marrë të ashtuquajturën ‘vizë bashkëshortore’, ata do të duhet të plotësojnë kritere të ndryshme, të cilat përfshijnë një prag minimal të ardhurash për të dy.
Pra, do të ketë shumë punë për plotësimin e formularëve përpara dhe, falë këtij burokracia të Ministrisë së Brendshme, shumë nuse nuk do të jenë në gjendje t’i ndjekin burrat e tyre kur ata të largohen disa javë pas dasmës. Në dyqanin e nuseve në Has, asistentja e shitjeve Doriana Laci, 19 vjeç, është shumë e zënë kur unë telefonoj. ‘Kur djemtë largohen nga shkolla, ata nuk punojnë këtu, ata migrojnë’, thotë ajo.
“Vajzat që vijnë këtu janë pothuajse të gjitha vetëm ose me një të dashur. Ato presin që dhëndri i tyre të mbërrijë nga Anglia. Në shkollën e mesme, vajzat me mua në klasën e gjashtë e kishin të vështirë të gjenin një të dashur, pasi të gjitha kishin shkuar për të punuar në Britani. Këta djem donin më shumë të fitonin para sesa të kishin një lidhje.”/ ZËRI/









