Tag: burgosur

  • Kaos në Nepal, mbi 900 të burgosur arratisen mes protestave të dhunshme

    Kaos në Nepal, mbi 900 të burgosur arratisen mes protestave të dhunshme

    Nepali po përballet me një valë trazirash të paprecedentë, pasi protestat e dhunshme të së martës përfunduan me arratisje masive nga dy burgje në pjesën perëndimore të vendit.

    Zyrtarët kanë konfirmuar se të paktën 900 të burgosur janë në arrati, ndërsa dhjetëra të tjerë mund të jenë shpallur të zhdukur në burgje të tjera ku raportohen sulme ende të pakonfirmuara.
    773 të arratisur nga burgu i Kaskit
    Sipas Zyrës së Policisë së Distriktit Kaski, gjithçka ndodhi gjatë pasdites së të martës, kur protestues të lëvizjes “Gjenerata Z” u përplasën me forcat e rendit dhe arritën të hyjnë me forcë në ambientet e burgut, duke hapur rrugën për arratisjen e 773 të dënuarve.
    Burime nga vendngjarja raportojnë për dëmtime serioze në infrastrukturën e burgut, ndërsa pjesa më e madhe e gardianëve ishin tërhequr për shkak të përshkallëzimit të dhunës në qytet.
    127 të arratisur në Tulsipur
    Ndërkohë, në një incident të ngjashëm, 127 të burgosur kanë arritur të ikin nga burgu i Tulsipurit, në provincën Dang të Nepalit.
    Policia e Zonës për Tulsipurin ka konfirmuar arratisjen dhe ka nisur një operacion kërkimi në të gjithë rajonin, ndërkohë që kontrolli i brendshëm në burg mbetet i kufizuar për shkak të protestave që vijojnë jashtë mureve.
    Tension në rritje dhe mungesë kontrolli
    Protestat, të udhëhequra nga një grupim i njohur si “Gjenerata Z”, kanë nisur si reagim ndaj politikave qeveritare dhe korrupsionit në sistemin gjyqësor. Por ditët e fundit janë kthyer në revolta të dhunshme, me pasoja serioze për rendin publik.
    Autoritetet nepaleze nuk kanë komentuar ende mbi masat e sigurisë që dështuan të parandalojnë arratisjet, por njoftojnë se janë në ndjekje të të arratisurve dhe po rivlerësojnë nivelin e sigurisë në të gjitha burgjet e vendit.

    Top Channel

  • Sërish bllokade në gjykatën në Novi Sad, studentët kërkojnë lirimin e kolegëve të burgosur politikisht

    Sërish bllokade në gjykatën në Novi Sad, studentët kërkojnë lirimin e kolegëve të burgosur politikisht

    Një bllokadë e ndërtesës gjyqësore në rrugën Sutjeska 3 në Novi Sad ka nisur sot në mëngjes, e thirrur nga studentët e Universitetit të Novi Sadit.

    Protesta, e paralajmëruar për të mërkurën, 20 gusht, në orën 06:00, është planifikuar të zgjasë deri në orën 15:00, gjatë gjithë orarit zyrtar të punës.

    Studentët, të mbështetur nga asambletë qytetare të Novi Sadit, kanë theksuar se kërkesa e tyre kryesore është heqja e masës së paraburgimit për të gjithë ata që ata i konsiderojnë si të burgosur politikë.

    Qytetarë dhe studentë nisën të mblidheshin që nga ora 06:00, ndërsa në orën 06:35 protestuesit ishin pozicionuar para hyrjes kryesore të ndërtesës.

    Një pjesë e tyre u grupuan pranë hyrjes zyrtare, ndërkohë që hyrja nga rruga Radnička dhe ajo nga rruga Maksima Gorkog janë bllokuar.

    Në oborrin e gjykatës është vendosur njësia e ndërhyrjes së policisë, ndërsa porta kryesore është e mbyllur me zinxhir dhe dry.

    Kujtojmë se një ditë më parë, gjatë bllokadës së së njëjtës ndërtesë, u arrestuan deputeti provincial i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Radivoje Jovović, dhe aktivistja e PSG-së, Isidora Çeleketić. Ata akuzohen për pengim të një zyrtari në kryerjen e detyrave të tij dhe ndodhen në paraburgim deri në 48 orë.

  • Arratisje spektakolare në Napoli, dy të burgosur çajnë murin dhe zhduken

    Arratisje spektakolare në Napoli, dy të burgosur çajnë murin dhe zhduken

    Dy të burgosur kanë arritur të arratisen gjatë natës nga burgu i njohur i Poggioreale-s në Napoli.
    Të arratisurit janë një shtetas algjerian dhe një shtetas sirian, të cilët ndodheshin në seksionin e sigurisë mesatare të kësaj qendre paraburgimi, një nga më të mëdhatë në Italinë jugore.
    Sipas informacioneve paraprake, ata kanë arritur të ikin duke hapur një vrimë në një nga strukturat e burgut, edhe pse mënyra e saktë e arratisjes është ende nën hetim.
    Menjëherë pas lajmit për arratisjen, në vendngjarje ka mbërritur edhe drejtuesja rajonale e burgjeve në Campania, Lucia Castellano, për të koordinuar operacionet e kërkimit dhe kontrollit.
    Forcat e policisë penitenciare, në bashkëpunim me policinë dhe karabinierët, janë angazhuar në një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e të arratisurve.
    Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të kuptuar nëse ka pasur ndonjë bashkëpunim nga brenda burgut ose ndonjë lëshim në masat e sigurisë që mund të ketë ndihmuar në arratisjen e tyre.

  • Sot samiti Trump-Putin, Kievi dhe Moska shkëmbejnë dhjetëra të burgosur lufte

    Sot samiti Trump-Putin, Kievi dhe Moska shkëmbejnë dhjetëra të burgosur lufte

    Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sot disa të burgosur lufte, me 84 robër të shkëmbyer nga secila palë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Moskë.
    Ushtarakët rusë të përfshirë në shkëmbim po marrin ndihmë psikologjike dhe mjekësore në Bjellorusi dhe së shpejti do të dërgohen në shtëpi për trajtim dhe rehabilitim, tha ministria.
    Presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky konfirmoi shkëmbimin, duke shkruar në mediat sociale se 84 të burgosur lufte ukrainase u liruan.
    Rusia dhe Ukraina kanë kryer një sërë shkëmbimesh që kur Kievi u rikthye bisedimeve të drejtpërdrejta këtë vit.
    Ndërkaq, ditën e sotme do të zhvillohet edhe samiti i shumëpritur mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

  • Rusia dhe Ukraina këmbejnë të burgosur të luftës

    Rusia dhe Ukraina këmbejnë të burgosur të luftës

    Bota E Enjte, 14 Gusht 2025 18:38
    Rusia dhe Ukraina kanë këmbyer secili nga 84 të burgosur të luftës, thanë zyrtarët e të dyja shteteve. Gjatë këtij viti, të dy shtetet kanë liruar qindra të burgosur të luftës. Këmbimi i fundit vjen në prag të samitit të nivelit të lartë mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, që do të mbahet në Alaskë më 15 gusht.
    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë shkroi në Telegram se Emiratet e Bashkuara Arabe ndërmjetësuan këmbimin, duke shtuar se personeli ushtarak rus i liruar po “merr ndihmë psikologjike dhe mjekësore”. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkroi në rrjetet sociale se në mesin e të burgosurve të këmbyer “ka edhe civilë dhe personel ushtarak”, disa nga të cilët “janë mbajtur nga rusët që nga viti 2014, 2016 dhe 2017”.

    Ai tha se “mbrojtësit e Mariupolit” ishin po ashtu pjesë e këmbimit, duke iu referuar qytetit-port ukrainas që u mor nën kontroll nga forcat ruse më 2022, pas pothuajse tre muaj rrethim. Zelensky shtoi se “do të ketë këmbime tjera” të të burgosurve. Këmbimet në shkallë të madhe të të burgosurve ishin rezultati i vetëm i prekshëm i tri rundeve të bisedimeve të paqes midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll, të zhvilluara nga maji deri në korrik.
    Në rundin e tyre më të fundit të bisedimeve, të mbajtur muajin e kaluar, Rusia dhe Ukraina ranë dakord të shkëmbenin nga 1.200 të burgosur lufte secila. Një negociator rus tha se Moska gjithashtu kishte ofruar t’i dorëzonte Kievit trupat e 3.000 ushtarëve të vrarë. /REL/

  • ​Historia e rebelimit të madh në burgjet amerikane

    ​Historia e rebelimit të madh në burgjet amerikane

    Nëntë pengje dhe më shumë se 30 të burgosur u vranë nga plumbat e policisë gjatë sulmit.

    Rebelimi kishte shpërthyer më 9 shtator, kur një grup të burgosurish nuk pranoi të ndahej në grupe më të vegjël për të kryer punët e zakonshme të mëngjesit.

    Revolta u përhap, ndërkohë që të burgosurit filluan të thyenin dritaret dhe të digjnin orenditë e burgut. Brenda disa orësh, 1 mijë e 500 të burgosur iu bashkuan revoltës dhe morën peng dhjetëra punonjës të burgut.

    Vendimi për dërgimin e policisë u mor katër ditë pas dështimit të bisedimeve të vështira për lirimin e pengjeve.

    Të burgosurit u kishin paraqitur zyrtarëve një listë kërkesash, përfshirë përkujdesje më të mirë mjekësore, heqjen e censurës mbi materialet për lexim, lirinë fetare dhe një program për ”rehabilitim real” për t’i përgatitur të burgosurit për jetën jashtë mureve të burgut. Zyrtarët plotësuan disa prej kërkesave.

    Mirëpo, zyrtarët kundërshtuan kërkesat e të burgosurve që ata të mos gjykoheshin për vdekjen e rojeve të burgut dhe për pjesëmarrjen në rebelim.

  • Listë e 100 prej hoxhallarëve, intelektualëve, personaliteteve të ndryshëm dhe figurave të shquara muslimane të dënuar dhe të persekutuar nga regjimi komunist në Shqipëri

    Listë e 100 prej hoxhallarëve, intelektualëve, personaliteteve të ndryshëm dhe figurave të shquara muslimane të dënuar dhe të persekutuar nga regjimi komunist në Shqipëri

    Vladimir Kera

    Listë e 100 prej hoxhallarëve, intelektualëve, personaliteteve të ndryshëm dhe figurave të shquara muslimane të dënuar dhe të persekutuar nga regjimi komunist sepse nuk pranuar të bëhen palë me diktaturën dhe pushtetin e ligë dhe të padrejtë.

    ——

    Zoti i Mëshiroftë, në xhenetet më të larta i gradoftë, model për brezat qofshin dhe në dua kurrë mos i harrofshim…Amin…

    ——-

    》Hoxhë Selim Brahja – i njohur si Hoxha i Saukut vrarë në gusht 1943 nga njësiti i Çetës partizanëve të Pezës, sepse nuk pranoi të bashkëpunonte me Partinë Komuniste.

    》Imam Seit Idriz Shehu nga fshati Vrajtë i Peshkopisë mbaron studimet në Prizren me Hafiz Shabanin. Ka dhënë mësim në mejtepet e xhamive dhe ka qenë imam në fshatrat: Deshat, Borovjan, Grevë dhe Zimur. Gjykohet dhe vritet me akuzën për “axhitacion e propagandë” kundër Frontit Nacional-Çlirimtar nga një gjykatë partizane e Brigadës V me komandant Shefqet Peçin më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria.

    》Imam Halil Hoxha (1881-1946) me origjinë nga Bytyçi i Tropojës dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet me akuzat si kriminel lufte, bashkëpunëtor i regjimit zogollian dhe i okupatorëve, së bashku me të dënohet edhe bashkëshortja Xhane Hoxha me 5 vite burgim dhe dy bashkëfshatarë të tij Demush e Shaban Qerimi me vdekje, për shkak se e strehuan atë. Vendimi për pushkatim ka marrë edhe miratimin e Enver Hoxhës.

    》Hafiz Ali Korça –i internuar në vitin 1945 e deri sa vdiq më 1956, Salahudinin djalin e madh ia vrasin komunistët dhe Alaudini kryen 5 vite burg, si dhe persekutohet politikisht deri ditën që ndërroi jetë.

    》Hafiz Ibrahim Dalliu –i burgosur në vitin 1947 dënohet me 5 vite burg pse kishte dëgjuar radio Londrën.

    》Hafiz Ismet Dibra, ish- drejtor i Medresesë së Përgjithshme, Tiranë –i burgosur në vitin 1946 dhe i dënuar me 12 vjet heqje lirie.

    》Hafiz Sabri Koçi – i burgosur në vitin 1966 dhe del nga burgu pas 20 vitesh më 1986.

    》Haki Sharofi, figurë e shquar patriotike, autor i teksteve të ndryshme fetare, ish-kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë” –i burgosur në vitin 1946.

    》Jonuz Buliqi (1892-1966) Pedagog i Medresesë së Naltë të Tiranës, dënohet me 5 vjet burg agjitacion e propagandë 1947 -1952.

    》Haki Mulleti – nëpunës i vakëfeve në KMSH i burgosur në vitin 1945 dhe i internuar më pas në Kavajë.

    》Vexhi Buharaja – i burgosur në vitin 1947 dhe dënohet me 8 vjet privim lirie dhe me humbjen e të drejtave politike për 3 vjet kohë.

    》Sali efendi Myftia – 1891-1978 Myfti i Shkodrës dhe figurë e Partisë Lëvizja e Legalitetit detyrohet ta kalojë jetën në mërgim në SHBA, pas marrjes së pushtetit nga komunistët familja e tij e mbetur në Shqipëri internohet dy herë me afate të ndryshme, ndërsa djali i tij Feridi do të akuzohej dhe do të dënohej me burg si pjesëmarrës në organizatën “Përpjekja Shqiptare”. Djali tjetër Mit’hati do ta mbyllte jetën tragjikisht nën rrotat e një kamioni.

    》Ismail Muçej –kryeredaktor i gazetës Drita Islame, i burgosur në 6 shtator 1952 – 24 prill 1963, me akuza të ndryshme, ku ndër të tjera ka kërkuar të rrëzojë pushtetin popullor.

    》Haxhi Faik Qazim Hoxha – i burgosur në 4 qershor 1966 dënohet me 25 vjet burg.

    》Hasan Tahsini – Pedagog i Medresesë së Tiranës i burgosur në vitin 1947 dhe bën dy vite burg.

    》Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit – i burgosur në vitin 1945 dhe i vdekur në burg nga torturat çnjerëzore 1948.

    》Hoxhë Adem Dervishi– arrestohet më 10 janar 1947 dhe dënohet me rreth katër muaj burg.

    》Hafiz Sherif Langu, ish-kryetar i Këshillit të Naltë të Ulemave dhe kryetar i KMSH-së i burgosur në vitin 1945.

    》Behxhet Shapati, – ish-kryetar i KMSH-së, sipas një relacioni të Sigurimit të Shtetit i vdekur në burg.

    》Hafiz Esat Myftia, ish-kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë- i burgosur në vitin 1946

    》Hafiz Musa Dërguti – qysh gjatë viteve 1939-1944 bie në sy për qëndrimet dhe propagandën e tij antikomuniste, i burgosur në vitin 1946 me rastin e Kryengritjes së Postribës. Hafiz Dërguti dënohet me 10 vjet privim lirie e punë të detyruara dhe i internohet edhe familja si masë ndëshkimore ndaj tij.

    》Selim efendi Gashi nën-myfti i Tropojës ndalohet dhe arrestohet më 15 mars 1945, kryen 5 vjet burg, ndërsa në vitin 1967 u vetizolua në shtëpinë e vet, dhe nuk pranoi ta hiqte nga trupi uniformën fetare.

    》Hafiz Ali Kraja Tari –i burgosur në vitin 1946, dënohet fillimisht me burgim të përjetshëm, e më pas i zbritet dënimi me 25 vite burg, del nga burgu dhe lirohet më 12 tetor 1965.

    》Imam Liman Shabani -vdekur në burg më 1945.

    》Islam Hajredin Hoxha – (1875-1948) I njohur në popull si Hoxhë Novosej. Gjatë Luftës II Botërore përkrah lëvizjen antikomuniste, prandaj më pas i digjet përsëri shtëpia dhe iu sekuestrua malli e gjëja.

    》Imam Met Troci – dënohet fillimisht me vdekje dhe më pas i zbritet dënimi me 30 vjet burgim, ka vdekur në burg më 20 maj 1947 në rrethana të panjohura.

    》Imam Ahmet Hysejni – dënohet me pushkatim dhe më pas i kthehet vendimi me burgim të përjetshëm, më pas vdes në burg më 1945 në rrethana të panjohura.

    》Hafiz Xhemal Naipi – i burgosur 1947 dhe vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1955 në moshën 77 vjeçare, pa pasur familjarët dijeni as për varrin e tij.

    》Hafiz Xhemal Mullaj (1881-1959) Në vitin 1947 i shtetëzohet shtëpia në Tiranë e i sekuestrohen të gjitha orenditë, dëbohet në Durrës dhe lihet pas asnjë mjet jetese, i shkatërrohet biblioteka e pasur me libra në tre gjuhët arabisht-osmanisht-persisht dhe shqip. Me vendim të KMSH-së caktohet drejtor i Medresesë së Naltë, por ky vendim nuk u zbatua dhe mbeti në letër. Vdes në Tiranë në mjerim të plotë në një dhomë të errët në shkurt 1959.

    》Imam Isa Hoxha (1918-2001) Ai e ka prejardhjen nga Hoxhët e Bytyçit, një familje e persekutuar për shkak se ishin anti-komunistë dhe të lidhur me Lëvizjen Kryeziu të Gjakovës, detyrohet të arratiset në vitin 1949 për t’i shpëtuar përndjekjeve të mëtejshme.

    》Hoxhë Jakup Dusha (Tropojë) – Në dosjen e tij thuhet se u arrestua së bashku me 6 të tjerë më 3 shkurt 1953 dhe ka vdekur në hetuesi po atë vit nga torturat çnjerëzore në burgun e madh të Shkodrës.

    》Hamdi Bushati (1896-1983) – intelektual i shquar mysliman dhe mësues, punonjës i vakëfit, arrestohet në vitin 1945 dhe mbahet për 9 muaj i burgosur, del i pafajshëm. Internohet më pas në fshatrat e Fierit nga viti 1954-1960. Edhe pas internimit i vazhdon persekutimi.

    》Hafiz Nusret Xeka (?-1995) nga Kavaja, nuk pajtohet me regjimin komunist dhe bën 8 vjet burg për agjitacion e propagandë.

    》Hafiz Sheuqet Boriçi -i vetë-izoluar në shtëpi deri sa vdiq.

    》Hafiz Sabri Bushati -u vetë-izolua në shtëpi në vitin 1967 deri sa vdiq.

    》Molla Alush Zaganjori -i vetë-izoluar në shtëpi deri sa vdiq.

    》Sheh Hasan Gjuzi (1893-1969) Imam i Xhamisë së Saukut, Tiranë, e përjeton keq prishjen e minares së xhamisë më 1967 dhe kthimin e saj në ambulancë mjekësore, nuk doli më nga shtëpia e vet, u vetë-izolua deri sa vdiq më 1969 dhe i kreu ritet fetare në shtëpi.

    》Hafiz Qazim Ismaili– (1889-1968) Myfti i Vlorës dhe i Tiranës, pas ndalimit me ligj të fesë vetë-izolohet deri sa ndërron jetë në shtëpinë e tij.

    》Hafiz Qamil Sulejman Luniku (1897-1970)- Myfti në Pogradec dhe në Vlorë, imam i Xhamisë së Ballijes në Elbasan deri në 1967 kur u ndalua feja dhe u shkatërrua edhe xhamia e Ballijes. Hafiz Qamilit iu bë gjyq publik në Kinema Skampa të Elbasanit dhe iu kërkua publikisht të mohonte fenë, të pranonte që feja është opium për popullin dhe të zhvishte petkun fetar. Ai nuk pranoi asgjë dhe protestoi ndaj këtyre presioneve, deri në fund të jetës u mbyll në shtëpinë e tij i vetizoluar dhe vazhdoi t’i kryejë ritet fetare. E gjithë familja e tij u persekutua dhe njëri vlla iu pushkatua në vitin 1948.

    》Sheh Qazim Hoxha (1893-1959) – ish-nënkryetari i KMSH-së dëbohet nga Tirana në vitin 1948 nga autoritetet komuniste dhe shkon e vendoset në Shkodër.

    》Sulejman efendi Misiri (1903-1987) myfti i Kavajës, i merren nga Reforma Agrare e vitit 1946 rreth 12 ha tokë, dhe për këtë i vihet njollë në biografi, që e vuajtën djemtë e tij, si dhe pas vitit 1967 nxirret pa punë e pa pension deri në ditën kur ndërroi jetë, e kështu përjetoi vështirësi të mëdha ekonomike, por që asnjë herë nuk e humbi dashurinë dhe respektin e qytetarëve të Kavajës.

    》Hoxhë Adem Salih Elezi, Krye-Myfti i qarkut të Kukësit pas 12 muaj hetuesi të rëndë dënohet me 5 vite burg.

    》Hoxhë Azem Jah Elezi (-1969), Myftiu i Tropojës arrestohet më 1948 dhe pas 12 muaj hetuesi internohet në fshatrat e Krujës deri sa vdes në vitin 1969.

    》Hafiz Mehmet Bada – E arrestojnë dhe bën burg nga viti 1948 deri më 1951.

    Osman HASKASA– imam xhamie në fshatrat e Peqinit ka kryer 5 vite burg.

    》Shyqyri Hoxha (Myftiu)- ish-Myftiu i Peqinit pushkatuar më 1946 me akuzat si “armik i popullit”.

    》Salih Vuçiterna– ish-drejtor i zyrës së Vakëfeve të Komunitetit Mysliman, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit në tetor të vitit 1949.

    》Hafiz Abdullah Zëmblaku– nga Korça do të burgosej tre herë nga regjimi komunist.

    》Haki Çoçka– imami i fshatit Podgori, Korçë ka kryer 15 vite burg.

    》Hafiz Ymer Et’hem Bakalli– I internuar në Tepelenë deri në vitin 1951.

    》Hafiz Isa Anamali– i dënuar me burg.

    》Hafiz Refik Ajazi (1916-1987) Myfti në disa qytete të vendit si Durrës, Peqin, Kavajë, Elbasan e Korçë, e nxjerrin përpara popullit të Korçës dhe e demaskojnë duke e fyer dhe poshtëruar, i kërkojnë të mohojë fenë dhe Zotin, por ai qëndron dhe nuk e pranon një gjë të tillë. E internojnë në fshatin e tij të lindjes në Seferaj të Kavajës nga viti 1967 deri sa vdiq më 1987, si dhe nuk i japin të drejtën pensionit duke e bërë të vuajë edhe varfërinë e plotë.

    》Isa Adem Hoxha nga Hotolishti i Librazhdit, mbaruar në universitetin e Az’harit, Kairo Egjipt, i dënuar me akuzën për agjitacion e propagandë me 10 vite burg.

    》Shefqet Muka– arrestohet më 21 tetor 1946 dhe dënohet nga gjykata me burgim të përjetshëm, edhe si bashkëpunëtor i Hafiz Xhemal Naipit.

    》Ferid Vokopola– Arrestohet më 20 shkurt 1945 dhe kryen dy vjet burgim.

    》Jahja Estrefi– ish-myftiu i Tepelenës dënohet me 9 (nëntë) vjet heqje lirie.

    》Imam Adem Mehmet Hoxha – (1914-1979) është dënuar dy herë gjatë regjimit komunist, herën e parë me dy vite burg, ndërsa herën e dytë me 9 vite burg nga 6.4.1964 deri më 20.1.1973.

    》Hoxhë Ymer Vehbi Ferhati (1942-) nga Radomira e Dibrës, e arrestojnë në fshatin e vet sepse vazhdoi t’iu fliste e t’iu mbante ligjërata për fenë islame, dhe e torturojnë për ta dënuar, por asnjë nga bashkëfshatarët nuk i doli dëshmitar, e për këtë arsye arrin të shpëtojë pa u dënuar. Vazhduan t’i bëjnë presion deri sa u vendos demokracia.

    》Osman efendi Xhaferi – (1902-1970) Myfti i Krujës, Kavajës dhe Vlorës dhe ka shërbyer në Durrës si imam. Në vitin 1967 e kthejnë me detyrim në fshatin e lindjes Seferaj-Golem të Kavajës, ku e lejnë pa punë dhe pa asnjë të ardhur në vështirësi të mëdha deri sa ndërron jetë në 12 tetor 1970.

    》Osman Met Osja (1912-1970) imam, vaiz dhe nëndrejtor i Medresesë në Shkodër, në vjeshtën e vitit 1967 në një mbledhje të lagjes e demaskojnë për bindjet e tij fetare dhe i kërkojnë të mohojë Zotin, gjë të cilën ai nuk e pranoi kurrsesi. Për këtë e dënojnë me 6 muaj punë korrektuese dhe i konfiskojnë bibliotekën e tij të pasur me libra fetarë.

    》Imam Ibrahim Hoxha (1906-1976) i Burgajetit, Mat dhe i zonës së Derjanit. Diktatura e izoloi në shtëpinë e vet si imam me influencë në popull, si dhe e persekutoi për shkak të bindjeve nacionaliste dhe lidhjeve me familjen e Ahmet Zogut, dhe me familjet e tjera të dëgjuara të Krahinës së Matit, Allamanët, Kadiat, Selmanët etj.

    》Qazim Rroji (1915-1946) Myezin në Xhaminë e Tepes dhe Koplikaj, Shkodër. Nacionalist dhe pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës, arrestohet dhe pushkatohet pa gjyq më 10 shtator 1946, ende dhe sot nuk i dihet varri.

    》Hafiz Neshit Saliu (1902-1971) nga Sërbica, Kosovë. Vjen në Shqipëri dhe shërben në Shkodër, Durrës dhe në fund në Kërçukje të Tiranës. Forcat e Sigurimit famëkeq e arrestojnë dhe e mbajnë për 23 ditë në vitet 1960, duke i bërë presion nën akuzën “për agjitacion e propagandë dhe agjent i revizionizmit jugosllav”. Gjatë arrestimit ia grisin të gjitha librat e fesë që kishte, por nuk pranon asgjë nga akuzat dhe për këtë shpëton.

    》Mulla Ibrahim Bilani (1887-1966) lufton për mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët 1913-1914. Mësues dhe edukator me vlera. Persekutohet nga regjimi komunist, duke u pushuar nga puna si mësues në Mjedë dhe i bëhet presion për të hequr petkun fetar, por reziston dhe nuk e heq petkun deri ditën që ndërroi jetë.

    》Hoxhë Muhamed (Kajo) Biçaku (1929-1991) nga Elbasani, dënohet tre herë me burgim për motive fetare e politike në vitet 1967-1974; 1981-1985, si dhe dënohet, por bën vetëm tre muaj burg në prag të proceseve demokratike.

    》Mulla Omer Hyseni (1894-1970) nga Margëllëçi i Çamërisë. Në vitin 1967 ia heqin me forcë çallmën e xhyben dhe ia rruajnë mjekrën.

    》Hafiz Yzeir Sallata (1903-1976) nga Margëllëçi i Çamërisë, pasi përjetoi shumë nga persekutimet e shovinistëve grekë kalon në Shqipëri më 1945 dhe vendoset përfundimisht në fshatin Petovë të Fierit. Në vitin 1967 komunistët dhe sigurimsat i kërkojnë të mohojë fenë, përpara se të shkatërronin xhaminë ku ai kishte shërbyer. Me shumë guxim nuk pranon dhe për këtë lihet i papunë në mjerim e varfëri të plotë, gjithashtu i ndalojnë të kryejë ceremonitë fetare.

    》Emin efendi Hoxholli (1880-1970) shërben si funksionar i Myftinisë së Elbasanit për shumë vite me besnikëri 1929-1938. Vaiz dhe myderriz në Xhaminë e Ballijes, Elbasan. Internohet nga regjimi komunist nga viti 1953-1959, së bashku me familjen e vet. Ia marrin librat e bibliotekës dhe ia djegin.

    》Azem Muharrem Shehu- imam në fshatin Kolesjan të Kukësit, dënohet me 5 vjet burg me akuzën se ka strehuar diversantë në vitin 1951.

    》Emërli Shehu (1924-) Ish-Medresist në Medresenë e Tiranës dhe mësues dënohet me 8 muaj heqje lirie dhe punë të rënda.

    》Ibrahim Bardhyli- Hoxhë Brasniku (1890-1974) nga Brasniku i Gramshit, Elbasan, i akuzuar si “armik i popullit”, për shkak se ka qenë pjesëtar i çetave të Ballit Kombëtar dhe ka luftuar në radhët e tyre dënohet me 5 vite burgim dhe punë të rënda të detyrueshme, heqjen e të drejtave politike për 5 vjet, si dhe me konfiskimin e pasurisë së tij të tundshme e të patundshme.

    》Hafiz Hasan Lila (1890-1965) Nga Bastari i Tiranës, i mbaron studimet fetare shkëlqyeshëm në Turqi. Angazhohet gjatë Luftës II Botërore me krahun nacionalist duke qenë i ndërgjegjshëm se komunizmi ishte një ideologji antifetare. Për këtë fakt dhe duke parë ndikimin e madh që kishte në popullin e zonës së Dajtit i djegin shtëpinë dhe ia burgosin djalin e vet, i cili kishte qenë me forcat e Legalitetit.

    》Hafiz Mustafa Doraci (1894-1972) Imam i xhamisë së Met Fires në Tiranë me një shërbim të shkëlqyer në dobi të besimtarëve, në vitin 1967 përjeton me dhimbje shembjen e xhamisë ku kishte shërbyer. Nga përfaqësuesit e regjimit i kërkohet të flasë kundër fesë dhe kërcënohet me burgim, por ai me këmbëngulje nuk pranon, për këtë ia heqin pensionin dhe e lejnë në varfëri, e izolojnë duke i ndaluar edhe të tjerët ta ndihmojnë deri sa vdes në vitin 1972.

    》Hafiz Mustafa Gugallja (1880-1973) Hoxhë dhe imam i shquar i qytetit të Tiranës, ka shërbyer deri sa u ndalua feja me ligj në vitin 1967 në Xhaminë e Tabakëve. Pas vitit 1967 e detyruan me forcë ta hiqte uniformën fetare dhe përndiqej nga kryetarët e Frontit Popullor, të cilët e spiunonin rregullisht për shkak se mos të kryente veprimtaritë fetare.

    》Mustafa Kamberi (1920-2003) Nga Kashari i Tiranës, kryen studimet fetare në Medresenë e Tiranës dhe i mbaron më 1946. I përkushtohet fesë dhe familjes së tij, porse regjimi komunist e shpall atë kulak dhe dënohet me 8 vjet heqje lirie më 1951 dhe bën vetëm dy vite burg. Në asnjë moment nuk hoqi dorë nga falja dhe agjërimi, dhe ritet e tjera fetare.

    》Riza Çollaku (1903-1987) Mbaron Medresenë e Tiranës dhe caktohet imam në xhaminë e fshatit të tij Farkë, ku shërben me përkushtim të madh. Gjatë Luftës II Botërore rreshtohet me krahun e Frontit Nacional-çlirimtar dhe pas vitit 1944 shërben në fshat edhe si imam, edhe si kryetar i fshatit Farkë; por kjo nuk e ndaloi regjimin t’ia shkatërronte xhaminë dhe ta luftonte familjen e tij. Që nga dita e prishjes së xhamisë ai nuk del më nga shtëpia dhe nuk angazhohet më me asnjë punë duke kaluar në vetë-izolim.

    》Mehmet Zenel Erceku (1914-1971) Shërben si imam në disa fshatra të Tiranës si Baldushk, Besh e Zall-Dajt. Me dëshpërim përjeton shkatërrimin e xhamive ku kishte shërbyer e duke i kthyer ato në depo e magazina. Vetë-izolohet në shtëpinë e vet deri sa vdiq në vitin 1971.

    》Hafiz Musa Staf-Hasani, (1865-1966) myftiu i Burrelit arrestohet e burgoset me pretekstin, se nuk ka dorëzuar tepricat e drithit dhe bën dy vjet burg 1947-1949 nën akuzat për agjitacion e propagandë.

    》Hafiz Mehmet Mustafa Gjeta (1917-???) nga fshati Darsi i rrethit të Matit, arrestohet më 21 janar 1950 dhe dënohet me akuzat e agjitacion e propagandës me 12 vjet burg dhe tre vjet heqjen e të drejtave elektorale. Në akuzat që i bëhen thuhet se paraqet rrezikshmëri shoqërore, për shkak se është fetar dhe se ka grisur fotografinë e Stalinit.

    》Hafiz Xhafer Ali Bualli (1885-1950) kryemyftiu i Korçës i arrestuar e dënuar me pretekstin, se gjoja ka borxhe shtetërore, por në të vërtetë arrestohet nga regjimi komunist për pikëpamjet e tij demokratike, fetare dhe antikomuniste, ku për të fillon kalvari i vuajtjeve dhe torturave deri sa vdes më 1950, duke punuar në kënetat e Maliqit.

    》Haxhi Elez Hoxha (1910-2002) – Myfti i Delvinës në vitin 1940, e më pas Myfti I Pukës në vitin 1954-1967, si dhe pas rihapjes së xhamive pas vitit 1991. Me vendim të Gjykatës Ushtarake Shkodër nr. 258 datë 01 gusht 1946 Elez Hoxha nën akuzën se ka sabotuar pushtetin popullor dhe se ka qenë i lidhur me kriminelët e luftës u kërkua të dënohet me 30 vite burgim. Vitet e burgimit iu ulën në 20 dhe del nga burgu me një amnisti në vitin 1951.

    》Imam Vesel Hoxha (1877-1967) hoxhë i fshatit Fratar, Përmet me akuza të sajuara dënohet dhe kryen dy vite burg në burgun e Kalasë së Gjirokastrës.

    》Ahmet Mezini (1915-19??) me origjinë nga Peqini, besimtar i thjeshtë, shkruan dhe shpërndan në gjimnazin Naim Frashëri të Durrësit fletë me përmbajtje anti-komuniste dhe në mbrojtje të fesë pikërisht pas fushatës anti-fetare të nisur nga të rinjtë e këtij gjimnazi dhe e cila kulmoi me ndalimin me ligj të fesë, dënohet me 10 vite burg për agjitacion e propagandë.

    》Imam Qazim Nushi (1892-1976)- Lindur në Gjakovë dhe arratiset nga përndjekjet serbe për t’u vendosur në Shqipëri, në fillim në Pogradec e më pas vendoset në Qerret të Pukës, ku shërben deri sa ndërron jetë. Megjithëse kishte qenë një përkrahës i LANÇ-it pas vitit 1948 përndiqet nga Organet e Sigurimit të Shtetit me motivacionin “agjent jugosllav” dhe më 1967 i marrin librat e bibliotekës së tij personale. Po ashtu e provokonin vazhdimisht se mos mbante ramazan e këndonte jasina.

    》Mustafa Hoxha,- klerik mysliman i internuar në Kampin e Tepelenës nga viti 1949-1953, ku më pas arratiset dhe nëpërmjet Jugosllavisë kalon në Perëndim.

    》Xhabir Dibra- Klerik mysliman i lindur në Shkodër në 20 nëntor 1923. Periudha e burgimit të tij nga 16/10/1946 deri në 28/11/1951. Në 21 korrik 1947 në hetuesinë e improvizuar në redaksinë e Hyllit të Dritës, në Shkodër e kanë rrahur me shkop deri sa ia kanë thyer në shpinë, dhe nuk ka pranuar akuzat e bëra ndaj tij (Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist).

    》Hoxhë Qazim Velçani,– duke mos qenë i aftë për punë për tharjen e kënetës së Maliqit varroset i gjallë me shumë të burgosur të tjerë.

    》Hysni Hoxha (1918-1991)- Mbaron Medresenë e Naltë të Tiranës më 1936 dhe i vazhdon studimet e tij në Al-Az’har, ku edhe doktoron më 1943, detyrohet të vazhdojë jetën e emigrantit për shkak të bindjeve të tij në Egjipt, Arabi Saudite e më pas në SHBA. Pasi ishte një nga figurat e shquara atdhetare të diasporës shqiptare në Perëndim i mohohet e drejta e vizës për të vizituar në ish-Jugosllavi të afërmit e vet, si dhe po për këtë arsye shërbimet sekrete jugosllave ia djegin xhaminë ku shërbente në Çikago.

    》Haxhi Hamza Cungu, myezin lindi në janar 1918 në Shkodër dhe ka bërë 24 vjet burg.

    》Shaban Demiri, ka lindur në Durrës më 1891, ai arrestohet më 1946 dhe dënohet me 5 vjet heqje lirie. U lirua në vitin 1949 (Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist).

    》Hafiz Sulejman Hyseni i lindur në Bilisht, arrestohet më 13 mars 1945 si kriminel lufte nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit (Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist).

    》Tahir Beshiri tregtar i madh merr pjesë në ringritjen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas Luftës II Botërore në vitin 1945 si delegat i Durrësit. Dënohet nga një Gjykatë Ushtarake dhe më pas i sekuestrohet e gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme.

    》Sylço beg Bushati,- veprimtar politik, pari e qytetit të Shkodrës dhe bamirës. U pushkatua bashkë me Dom Lazër Shantojën më 21 shkurt 1945 në Tiranë.

    》Murat Basha – Ushtarak, dhe veprimtar politik. Në vitin 1945 u arrestua për veprimtari antikomuniste gjatë luftës dhe në qershor 1945, u dënua me vdekje me pushkatim. U ekzekutua më 7 qershor 1945.

    》Ruzhdi Çoba, nga Shkodra arrestohet në fund të vitit 1944 me akuzat se donte të themelonte një parti politike “Demokracia Islamike”, kërkon pafajësi ndaj akuzave të bëra dhe më pas dënohet me akuzat e agjitacion e propagandës. Dënohet përsëri në vitin 1980 përsëri me akuzat e agjitacion e propagandës.

    》Muharrem Mahmud Dashi, – lindi në Tiranë 1919 dhe ndërron jetë më 2005. Dënohet me burgim të përjetshëm për motive politike dhe për shkak se ishte i biri i H. Mahmud Dashit.

    》Hafiz Fuat Myderrizi, nënmyfti i Konispolit, Sarandë, arrestohet dhe dënohet si kriminel lufte pas çlirimit, vdes në burg.

    》Hoxhë Shefqet Miraku nga Elbasani, për aktivitet armiqësor kundër kolektivizimit arrestohet në vitin 1958 dhe dënohet me 5 vjet burg.

    》Hafiz Hamid Dalliu, imam i Xhamisë Pazarit të Ri Tiranë për aktivitet të theksuar kundër pushtetit në vitin 1948 arrestohet dhe dënohem me 10 vjet burg, vdes në burg.

    》Hoxhë Shaban Musta nga katundi Borovë e Peshkopisë i dënuar me burgim për shkak se ka luftuar kundër partizanëve.

    》Hoxhë Haxhi Lala nga katundi Sheq Musalalë i Fierit, ka kundërshtuar ngritjen e kooperativës në fshat dhe është akuzuar se ka dashur të vrasë sekretarin e partisë, arrestohet dhe pasi dënohet vdes në burg.

    Mustafa Isuf Kaçeli – 1886-1958, mbaron studimet për teologji në Turqi, në vitin 1949 arrestohet dhe dënohet me dy vjet burg për politikë, dhe pasi kryen 6 muaj lirohet.

    》Imam Isuf Ramadan Shehu nga fshati Gurrë Kalis i Kukësit, i akuzuar se e ka shtuar agjitacionin e propagandën kundër partisë pas vitit 1967 dhe është dënuar me katër vjet heqje lirie në bazë të nenit 73/1 (më pas neni i famshëm 55) për agjitacion e propagandë kundër pushtetit.

    》Hoxhë Hamza Kekeri, i lindur më 1910 Kavajë, i kryen studimet fetare në Turqi. Pasi kthehet në atdhe ndërton një xhami me shpenzimet e veta në fshatin Shkozet, Luz të Kavajës, ku edhe shërben vetë. Arrestohet më 12 tetor 1948 për lidhje me armikun e popullit Ramë Habili dhe u dënua me 5 vite burg. Del nga burgu pas apelit që kishte bërë në Gjykatën e Lartë më 6 qershor 1949 (Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist).

    》Hafiz Muhamet Kallcaku nga Kavaja dënohet në dhjetor të vitit 1946 nga Gjykata e Durrësit si sabotator i pushtetit dhe spekullator me 40 franga ar gjobë.

    ———

    Botuar për herë të parë në revistën Kibla, nr. 2, shtator dhjetor 2017

  • Si ia morën gja’kun 100 foshnjave për t’ia dhënë Enver Hoxhës

    Si ia morën gja’kun 100 foshnjave për t’ia dhënë Enver Hoxhës

    Visar Zhiti rrëfen revoltën e Qafë Barit dhe torturar. Oficeri që theu në mes një të burgosur sot i lirë dhe biznesmen

    Në emisionin “Rrno për me tregue” të gazetarit Nebil Çika në “Shijak TV” ishte ftuar Visar Zhiti. Ai është një nga të dënuarit politik të sistemit diktatorial të Shqipërisë. Gjithashtu, është një nga anëtarët e revoltës së burgut të Qafës së Barit. Revoltë e cila pasoi atë të burgut famë keq të Spaçit. Për të kuptuar më shumë detaje rreth kësaj ngjarjeje ai do t’u përgjigjet disa pyetjeve që gazetari Nebil Çika ka përgatitur për të.

    Revolta e Qaf Barit

    Z.Zhiti revolta e kryer në burgun Qafës së Barit ka një përputhje me datën që ka ndodhur edhe një revoltë tjetër në një burg tjetër komunist, atë të Spaçit. Në një dokument që unë kam gjetur të Ministrinë së Brendshme hidhet dyshimi që ju nëpërmjet revoltës suaj po përkujtonit revoltën e Spaçit. A ka patur një përgatitje që revolta që ju kryet në Qafë Bar të kishte lidhje date me atë të Spaçit?Visar Zhiti –Kjo është një enigmë. Po aq sa duket si rastësi, aq edhe nuk është edhe rastësi. Edhe policët që na hidheshin për të na goditur na thonë që ne donim të përsërisnim revoltën e kryer në Spaç.

    Kishte të burgosur që kanë qenë të burgosur edhe në Spaç gjatë revoltës suaj ?

    -Po kishte edhe të burgosur që kishin qenë në Spaç gjatë kohës së revoltës. Kishte të burgosur në që kanë marrë pjesë në të dy revoltat. Ata ndjenin një ndjenjë të dyzuar. Kishin edhe frikë pasi kishin përjetuar mjaft tortura, por kishin edhe guxim për të treguar forcën. I burgosuri nuk ka as një gjë dhe u ngrit kundër shtetit komunist që i kishte të gjitha.

    Si nisi revolta? Si ishte atmosfera ?

    -Revolta nisi nga të gjitha rrethanat. Së pari puna që bënim ne ishte tepër e rëndë. Ne punonim në minierë me tre turne. Herë uji hynte në rroba, pikonte edhe nga tavanet e minierës. Uji ishte me acid që të diqte lëkurën. Herë binin edhe shkëmbinjtë nga sipër. Ajo ishte një minierë që nuk mund të punohej nga forca e njeriut. Në burg ishin edhe njerëz që kishin qenë inxhinierë me sovjetikët dhe ata na kanë thënë që Qafa e Barit nuk mund të punohej nga forca e njeriut. Pasi në të kishte temperatura të ulëta, ujë të acidituar. Pra ajo minierë nuk duhej shfrytëzuar me njerëz, por me makineri. Edhe shteti komunist i kohës nuk po e shfrytëzonte me njerëz, por me të burgosur pasi sipas tyre ne nuk ishim njerëz. Kjo gjë ishte reciproke sepse as ne nuk i quanim njerëz ata. Përpara se të na fusnin nëpër galeri, oficerët e burgut na bënin kontrolle. Por jo kontrolle siç bëhen në aeroporte. Në mes të dëborës ata na zhvishnin për të na bërë kontroll. Na hiqnin opingat, pasi këpucët ishin shenjë qytetarie dhe nuk duhet të kishim as një lidhje me qytetarinë. Njerëzve i binin të fikët nga të ftohtit. Në një rast njërit i ranë të fikët dhe policët mendonin se mos ishte një mashtrim dhe e dogjën me cigare për ta vërtetuar. Një pjesë tjetër e torturës ishte edhe leximi i librave të Enver Hoxhës. Pra çdo ditë ishte një torturë për ne dhe ne ishim të gatshëm për të shpërthyer. 22 maji nuk kishte ndonjë gjë e veçantë nga të tjerat. Komunistët kishin një parim makabër. Ata donin që të plotësohej norma e punës ose në të kundërt të nxirrnin shpirtin. Kishte raste që norma e punës nuk plotësohej nga shembjet e shkëmbinjve dhe për pasojë shumë të burgosur nuk mund të plotësonin normën e punës. Ata na rikthenin përsëri në minierë për të plotësonim normën. Më 22 maj komandanti i rojës pyeti se kush nuk e kishte plotësuar normën dhe roja u përgjigj që Ndue Pisha me Ndue Prognin nuk e kishin plotësuar normën. Në atë moment komandanti dha urdhrin që ata të ktheheshin përsëri në minierë. Një nga të burgosurit, Sokol Sokoli, i tha komandanti se ata nuk kishin arsye se përse të ktheheshin në galeri, pasi nuk ishte faji i tyre që ata nuk e kishin plotësuar normën. Edhe dy të burgosurit që nuk kishin plotësuar normën të njëjtën gjë kërkuan. Komandanti iu përgjigj duke i thënë se duhet të shkonin ose në të kundërt do të fillonte dhuna. Dhe me të vërtetë në atë moment filloi dhuna. Të burgosurit nisën duke u përleshur me policët. U ngrit Sokol Sokoli, një djalë shumë i vuajtur, dhe i kërkoi që mos t’i preknin me dorë. Policët dhanë urdhër që të mblidheshim të gjithë duke na thënë se donim të bënim një revoltë. Shumë herë ia kam bërë vetes këtë pyetje se mos vallë edhe regjimi e donte vetë një revoltë të burgosurish.

    Ju mendoni se regjimi komunist donte një revoltë ?

    -Unë ju thash që ne ishim një barut gati për të shpërthyer. Dëshirë nuk kishim që ta humbnim jetën kot. Shumë shpesh ne flisnim me ushtarakë të burgosur dhe ata na jepnin mendime se si mund të mposhtej regjimi. Për Sandër Sokolin që ishte një ushtarak i specializuar në Kinë dhe komunistët e kishin futur në burg, flitej që kishte dëshirë për të formuar një parti. Dua të them se dëshirat dhe ëndrrat për përmbysje ishin. Donin të tjerë që ta konkretizonin këtë gjë. Mua më dukej e pamundur, se kjo mund të konkretizohej, por në biseda disa persona mendonin se mund të bëhej. Kur ishte periudha që do të bëhej revolta në burg, flitej nëse Enver Hoxha ishte gjallë apo jo. Ne i dinim shumë mirë kinezeritë që kryheshin në atë kohë, pasi në burg kishte nga të gjitha llojet e njerëzve dhe hamendësimet ishin nga më të çuditshme. Shumë veta mendonin që Enveri kishte vdekur dhe ne udhëhiqeshim nga një kufomë. Në atë kohë po përgatitej ardhja e Ramiz Alisë. Për atë thuhej se mos Ramizi ishte shumë liberal, por që nuk ishte e vërtetë. Ai ishte po aq gjakatar sa Enveri dhe më shumë dinak se ai. Kjo gjë i bënte përshtypje njerëzve pasi në të gjithë Europën Komuniste as një Ministër Arsimi, siç ka qenë Ramiz Alia, nuk e ka marrë pushtetin pas vdekjes së një diktatori. Të gjithë i trembeshim liberalizimit. Dhe duke parë këtë gjendje që ishim ne “Barut i Thatë” ata vepruan për t’i bërë më dije Ramiz Alisë që sistemi kishte mjaft kundërshtarë. Prandaj mendoj që edhe vetë ata e donin një revoltë. Madje pati edhethirrje politike në të.

    Sa zgjati revolta juaj ? A mund të na e tregoni në mënyrë më të detajuar se si ndodhi shtypja e revoltës ?

    -Te burgosurit i mbyllën në mensë. Policët thanë që të ktheheshin të burgosurit që nuk kishin plotësuar normën pasi duhet që ta bënin punën me doemos. Po të njëjtët persona që u ngritën në fillim, u kthyen kundër policëve duke i kërkuar atyre që t’i linin të qetë. Policët thirrën emrat e personave që nuk kishin plotësuar normën dhe i morën dhe i futën në birucë. Për ata që nuk e dinë, burgu brenda vetes ka edhe një burg tjetër që është biruca.

    Çfarë kushtesh kishte biruca ?

    -Dihet që kushtet janë më të rënda. Pakësohej ushqimi, hiqeshin veshjet që i burgosuri të kishte ftohtë. Dyshemeja ishte e akullt dhe aty i linin të burgosurit 20 ditë, aty policët i rrihnin të burgosurit. Prej këtyre gjërave të burgosurit kërkuan që policët mos t’i preknin me dorë personat që nuk kishin plotësuar normën. Ata i morën të burgosurit dhe i futën në birucë, ndërsa ne të tjerëve na nxorën në oborr. Kur ishim në oborr filluam të dëgjonim britmat e të burgosurve që ishin brenda në birucë. Kishte filluar rrahja e tyre nga ana e policëve. Në këtë moment të burgosurit shpërthyen derën dhe hynë brenda në mencë përsëri. Gjendja u qetësua përsëri nga policët. Ata filluan të thonin se ne ishim armiq, që duheshim që të riedukoheshim dhe se nuk na lejohej të bënim revolta. Kur u dëgjua një thirrje nga brendia e të burgosurve. “Kriminela” i tha një nga të burgosurit policëve dhe i hodhën një stol të mencës sipër policëve. Aty filloi edhe përleshja me policët. Që të gjithë ne i gjuanim me stola rojet. Policët që deri në atë ditë shiheshin si të pamposhtur e panë veten që edhe ata ishin të thyeshëm. Nuk ishin të fortë sa armët e tyre, pasi policëve nuk u lejohej që të futeshin brenda në burg me armë. Ëndrra e çdo të burgosuri ishte që policët të hynin me armë dhe t’ia rrëmbenim. Dolën jashtë të burgosurit dhe policët. Të burgosurit intensifikuan goditjet dhe i nxorrën jashtë kampit policët. Në përleshje ishte edhe një komisar nga fshatrat e Korçës. Njëri nga të burgosurit rrëmbeu kapelen e tij dhe iku. Në atë moment ai nuk dinte se çfarë të bënte dhe iku me vrap. Ai dha dhe shembullin tek policët e tjerë të cilët ia mbathën së bashku me të. Në atë moment u pa që kampi ishte pa policë. U krijua një gjendje shumë e çuditshme. Për atë moment unë ndjeva lirinë. Ne nuk dinim se çfarë të bënim. Në të tilla çaste dilnin njerëzit e mençur. Mbaj mend një nga të burgosurit Skënder Tufo i cili ishte vetëm një fëmijë që nuk kishte mbushur as 18 vjeç tha që të mbushnim ujë pasi mund të na linin pa ujë siç ndodhi edhe në Spaç. Filluan duke u marrë masa për të përballuar rrethimin. Tentuan të vinin policë dhe të burgosurit i sprapsën përsëri, madje i ndoqën deri tek dera e kampit. Ata u afruan aq shumë sa u dha urdhri që policët të gjuanin me armë mbi të burgosurit. Kosta Gjerdeni u godit nga plumb në shpatull. Një mjek që ishte brenda e mjekoi atë.

    Si u shtyp revolta ?

    -U shumëfishua rrethimi. Ndërmjet kullave të rrethimit ishin vendosur ushtarë. Në vendin ku kishte një roje, u vendosën gjashtë roje. Ata kërkuan që ne të dorëzoheshim dhe të dorëzonim organizatorët. Dhanë edhe një ultimatum për t’u dorëzuar ose në të kundërt do të qëllonin mbi të gjithë. Kishte nga ata të burgosur që thonin se ishin shkelur vetë ligjet e komunizmit. Ne nuk ishim dënuar me punë të detyruar por me heqje lirije. Madje ishte shkelur edhe një nga virtytet e socializmit pasi ne punonim dhe nuk paguheshim. Ishim vetëm skllevër në atë kamp përqendrimi. Komunistët nuk e pranonin dialogun. Ndryshe nga revolta e Spaçit ku komunistët pranuan të bisedonin me të burgosurit, këtu ata nuk pranuan. Në Qaf Bar erdhi helikopteri me zv.Ministrin, Zylyftar Ramizi, i cili bërtiste me megafon që ne të dorëzoheshim dhe hynë me qindra forca policie të armatosur brenda në kamp. Stampistët na ulën në mes të oborrit të burgut dhe midis nesh ecnin polic të cilët na shkelnin me këmbë. Ata lexonin emrat e personave që ishin filmuar nga jashtë. Emrat e personave që thirreshin i riarrestonin dhe gjëja më e keqe ishte se personat që merreshin, nuk dihej se ku përfundonin. Që në fillim stampistët fillonin t’i rrihnin të burgosurit me mënyrat më makabre. Këta njerëz që ecnin midis dy gardheve të policëve shpesh herë nuk i preknin këmbët në tokë. Nga të rrahurat të burgosurit vdisnin pa u dënuar me gjyq. Kur ishim në përkujtimoren e revoltës një bashkëvuajtësi im më tha një gjë rrëqethëse për torturat që i kishin bërë Sokol Sokolit. Siç ishte i lidhur me zinxhir, polici i vinte këmbën në fyt dhe e thoshte Sokolit “thuaj rroftë Enver Hoxha”. Ai nuk e pranonte dhe i kthehej duke i thënë “poshtë Enver Hoxha” në këtë moment ai e shtypte më shumë këmbën drejt fytit të tij. Ky u dënua me pushkatim. Ishin dy të dënuar me pushkatim, Sokol Sokloi dhe Tom Ndoja.

    Burgu i Qaf Barit kishte policë që nuk kish ishin shumë të stërvitur për tortura. Pas revoltës ata u specializuan më shumë se sa policët e Spaçit. Shumë nga të burgosurit u torturuan. Një ish- oficer i burgosur u fut në arkivol i gjallë dhe i thanë që të firmoste se ishte organizuar një revoltë dhe ishin disa persona që e kishin udhëhequr atë, duke i ofruar faljen nga dënimi. Të gjithë këtë presion ai bënin kur ai ishte brenda në arkivol. Shqipëria në atë kohë kishte kontraktuar disa persona që të mësonin metodat e torturave ku kishin mësuar edhe metodën e “arkivolit”. Në të cilën brenda në arkivol linin një pemë bambuje e cila u rriste pesë centimetra në ditë duke e ç’puar së gjalli të torturuarin. Mbaj mend që më ka thënë Sandër Sokoli i cili kishte shkuar në Kinë për specializim dhe më pas u burgos. Kur ai kishte qenë në Kinë, specialistët atje ishin habitur nga shqiptarët duke i thënë se nuk kishin nevojë për specializim pasi ishin mjaft të përgatitur. Ata i kishin thënë se shqiptarët ishin më mizorë në tortura. Personi i futur brenda në arkivol nuk pranoi që të firmoste. U dënuan rreth 20 persona me rreth 200 vjet burg, ndërsa dy të tjerë me pushkatim i cili u bë më 9 qershor në orën 12 të natës.

    Si e morët vesh për ekzekutimin e shokëve ?

    -Mbas revoltës së Spaçit burgu ishte shumë makabër. Herë pas here kur zbulohej një grup dhe pushkatohej, neve na thërrisnin dhe na tregonin se kë kishin pushkatuar.Në rastin tonë na mblodhi komisari i burgut dhe na tha që ishte pushkatuar Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja. Në pushkatimin e tyre nuk ka patur fare skuadër pushkatimi. Ata janë pushkatuar nga dy persona në një fushë afër Shkodrës. Sokol Sokolit i raportuan që Gjykata nuk i kishte falur dhe se do të pushkatoheshin. Sokoli i kishte kërkuar që të mos ta pushkatonin prapa krahëve dhe se do ta hapte vetë gropën e tij të varrit. Tom Ndojës i kanë shtuar 30 rreshta në akuzën e tij në mënyrën më cinike dhe ai përpara pushkatimit ka thënë “Rroftë Drejtësia”. Edhe pse ai e dinte që drejtësi nuk kishte, ai mendonte për drejtësinë e të ardhmes. Dua të theksoj se Tom Ndoja edhe Sokol Sokoli janë martirë të demokracisë, ndërsa me ligjin e sotëm trajtohen si terrorist dhe nuk marrin dëmshpërblimin e merituar. Duke hedhur poshtë të gjithë guximin e tyre për t’i dalë kundër komunizmit. As zoti nuk e dëmshpërblen atë që i ka ndodhur të burgosurve, askush nuk ia kthen jetën. Nëse ligji i konsideron si terrorist do të thotë se shoqëria jonë është ende e lirë.

    Z.Zhiti që të dy martirët që ju përmendët kanë gradën ‘Nderi i Kombit” që është edhe grada me e lartë që mund t’i jepet një personi. Ju mendoni se nuk e marrin dëmshpërblimin familjarët e tyre për shkak të nenit të terrorizmit ?

    -Po ngaqë është neni i terrorizmit në ligj. Këtë argument më kanë thënë edhe të tjerë. Por ajo që nuk kuptoj është se ligjet i bëjnë njerëzit dhe vet këta njerëz nuk e heqin dot këtë nen nga ligji për të përndjekurit politik? Jam i interesuar dhe mendoj se nuk ka as një pengesë.

    Në një dokument që unë kamë parë thuhet se që të dy të burgosurve u janë hequr sytë. Është një ngjarje shumë makabre. Ju si i pranishëm në revoltë a e dini se në çfarë mënyrë i janë hequr sytë, kur ishin të gjallë apo të vdekur?

    -Gjatë ekzekutimit të tyre është dhënë një urdhër ku thuhet që t’u hiqen sytë të dy pjesëmarrësve të revoltës dhe t’i çohen Ministrisë së Shëndetësisë. Ky është urdhri më idiot që mund të ketë dhënë qeveria komuniste. Ky ishte vendimi më idiot në Europën Komuniste që mund të jap të tilla urdhra pasi nuk kishte as shkencëtar dhe as mjekësi të përparuar që t’u duheshin sytë e dy martirëve. Apo ju deshën për të marrë ndonjë lëndë për të kuruar sytë e Enverit që ishin duke u verbuar. Këtë nuk e di por mund të jetë një mundësi.

    Është diskutuar mundësia e trafikimit të organeve të njerëzve në atë kohë.

    -Nuk besoj se ishim aq të aftë sa të mund të kryenim trafik organesh. S’di ç’të them. Unë mendoj se është një makabritet dhe se mund të ketë shërbyer në shërimin e syve të diktatorit. Unë di një fakt që ma treguar Lins Ngjela, ish i burgosur politik. Ai më ka thënë se në maternitetin e Tiranës janë bërë kurban 100 foshnje për t’i bërë transfuzion gjaku Enver Hoxhës pasi i bënte mirë për shëndetin. Ai më ka thënë se në një libër të tij ai ka shkruar një telegram ngushëllimi drejtorisë së maternitetit për vdekjen e bebeve në këtë maternitet dhe se ishte shumë i dëshpëruar nga lajmi. Unë e kam kontrolluar dhe me të vërtetë ekziston një telegram i tillë. Pra kjo diktaturë e çmendur mund të kishte edhe delire të tilla ku mund të bëhej shkencë. Këto gjëra duhet ti vërtetoj një mjek, një jurist pasi nuk janë deklarata të kota.

    Visar në një dëshmi Bedri Blloshmit, vëllai i Vilson Blloshmit, thotë se drejtori i burgut bashkoi dy stola gjatë revoltës dhe ka thyer në mes Sandër Sokolin, një prej bashkëvuajtësve të tu dhe se sot drejtori është me strehim politik në Gjermani. Pyetja ime është nëse jeni përballur ndonjëherë me persekutorët gjatë këtyre viteve demokraci ?

    -Është e vërtetë ajo që thotë Bedriu. Edmon Caja ishte komandanti i policisë. Për meritën e zhbërjes së revoltës së Qaf Barit u bë komandanti i kampit dhe më pas erdhi duke punuar në Ministrin e Brendshme në Tiranë. Pas viteve 1990 ai vërtet ka ikur në Gjermani dhe merret me tregti. Vjen herë pas herë këtu.

    Këtu është kapur një njeri dhe është thyer në mes. Ky është një krim kundër njerëzimit pasi as robërve të luftës nuk mund tu bëhet kjo gjë dhe jo më kundërshtarit politik. A është trajtuar ndonjëherë ky rast si krim kundër njerëzimit pasi është një nga rastet e rralla të cilat kanë edhe autorin edhe viktimën?

    -Ju e dini shumë mirë se për të persekutuarit bëhet diçka dhe kujtohen. Herë pas here bëhet edhe më shumë se diçka, ndërsa për persekutorët nuk bëhet as një gjë.

    A jeni përballur ndonjëherë rastësisht me persekutorët tuaj, në punën tuaj ose në aktivitetin e përditshëm ?

    -Unë di edhe pseudonimet e disa personave që më kanë akuzuar mua. Janë me pseudonime pasi në dosjen time hetuese nuk janë me emra. Ata punojnë si mësues tani. Unë i di se cilët janë këta persona. Këta të dy nuk i kam kërkuar, por më kanë ardhur lajmet për ata. Kamë parë gjykatësin tim, madje tani ende mund të jetë gjykatës. Edhe operativi që më ka arrestuar është ende sot oficer policie, mbase me gradë më të lartë. Mësuesët që më kanë denoncuar janë ende të tillë. Unë kam pasur raste që të përballem me ta. Ata nuk kanë shenja pendimi. I tremben mendimit të ballafaqimit, por përsëri nuk japin shpjegime përse e kanë bërë atë gjë ndaj meje. Unë jam dënuar për poezi dhe jo për trakte dhe gjëra të tjera. Konfliki nuk është aq fizik me mua, por është ideologjik.

    Ju mendoni se nuk ka ndonjë pendesë nga persekutorët ?

    -Jo nuk kanë ndonjë pendesë. Nuk kamë parë ndonjë persekutorë që të dali në shtyp dhe të tregojë pendesë për veprimet e kryera. Mbase ka dalë ndonjë që ka pranuar se ka qenë bashkëpunëtor me sigurimin e shtetit, por jo që të ketë kërkuar falje. Edhe persekutorët e mi duke filluar që nga mësuesit që më akuzuan dhe deri tek hetuesit nuk kanë kërkuar ndonjëherë falje për veprimet që kanë kryer karshi meje.

    Visar në Shqipëri janë gjetur me mijëra eshtra të ushtarëve që kanë pushtuar vendin, si grekët, gjermanë, italianë, të shqiptarëve të rënë gjatë kësaj periudhe. Është një ngërç me eshtrat e 5 mijë personave të pushtakuar me gjyq dhe pa gjyq gjatë diktaturash. Si e shikoni këtë problem?

    -Është diçka tepër e dhimbshme. Ata mund të gjenden. Janë dosjet që kanë të faktuar dokumentat se ku janë eshtrat. Edhe në qoftë se nuk janë dosjet të shkruara janë ato të gjalla. Ka shumë dëshmimtarë që kanë parë ose kryer ekzekutimet. Ata duhet të ndërgjegjësohen dhe të ndihmojnë komunitetin për të gjetur eshtrat e atyre martirëve të rënë gjatë diktaturës. Unë kam në familje persona të tillë. Xhaxhai im është pushkatuar në hetuesi dhe nuk është gjetur ende. Duhet bërë shumë në këtë drejtim. Së pari shteti shqiptar do të mbetet me një mëkat. Një shprehje thotë se që të gjitha fabrikat tona ranë pasi ato janë ngritur mbi kufomat e shqiptarëve. Jo vetëm fabrikat, por të gjitha veprat e komunizmit janë ngritur mbi kufomat e martirëve të Shqipërisë. Edhe aeroporti jonë që mban emrin e një personaliteti të shquar shqiptar “Nënë Terza” është ngritur nga puna e të burgosurve. Pse nuk është vendosur një pllakë ku të thuhet se kjo vepër është ngritur nga puna e të burgosurve politik të komunizmit. Këto duhen evidentuar. Në qoftë se ne nuk do të nderojmë vuajtjen njerëzore, sakrificat e tyre, punën e tyre, do të mbetemi me mëkate dhe do të shtiremi sikur jemi në demokraci.

  • Franca krijon regjim të ri burgu për bosët e drogës, hidhet dritë mbi pasardhësin e mundshëm të Macronit

    Franca krijon regjim të ri burgu për bosët e drogës, hidhet dritë mbi pasardhësin e mundshëm të Macronit

    Franca po merr masa drastike për të luftuar krimin e organizuar, me Ministrin e Drejtësisë, Gérald Darmanin, që ka urdhëruar transferimin e 100 bosëve më të rrezikshëm të drogës në një burg me siguri maksimale në Francën veriore, Vendin-le-Vieil. Ky veprim i diskutueshëm, i njoftuar të enjten, vjen ndërsa Darmanin pozicionohet si një kandidat i mundshëm për pasardhës të Presidentit Emmanuel Macron në zgjedhjet e vitit 2027.
    Sipas Darmanin, këta të burgosur janë aq të pasur dhe të fuqishëm saqë, edhe pas hekurave, ata mund të vazhdojnë të urdhërojnë vrasje, të drejtojnë operacione të trafikimit të drogës dhe të pastrojnë para. Zgjidhja e tij është ndërtimi i një regjimi të rreptë burgimi, i cili ka ngjallur polemika dhe krahasohet nga kritikët me burgjet e ashpra amerikane si “Supermax” ose regjimin italian “carcere duro” për anëtarët e mafias.
    Kushtet e rrepta në burgun Vendin-le-Vieil
    Në burgun e përforcuar Vendin-le-Vieil, të burgosurit e përzgjedhur do të mbyllen në qeli individuale për 23 orë në shumicën e ditëve. Kjo masë synon t’i shkëpusë ata kryesisht nga bota e jashtme, duke i penguar të nxisin dhunën e lidhur me drogën, e cila është bërë një çështje politike në Francë.
    “Ne jemi këtu për të garantuar që ata të mos flasin me jashtë, që të mos vazhdojnë trafikimin e tyre jashtë, që të mos korruptojnë oficerët e burgut, magjistratët, oficerët e policisë dhe xhandarët,” deklaroi Darmanin në televizion, pas transferimit të 17 të burgosurve të parë këtë javë, ndjekur nga 12 të tjerë të enjten.
    Vajdin-le-Vieil tashmë strehon disa nga të burgosurit më famëkeq të Francës, përfshirë Salah Abdeslam, i mbijetuari i vetëm i sulmeve terroriste të vitit 2015 në Paris. Për t’i hapur rrugë të sapoardhurve, shumë të burgosur të tjerë janë zhvendosur. Të ardhurit e rinj do të grupohen në “Seksionin për Luftimin e Krimit të Organizuar”, me siguri dhe rregullore të përforcuara, të pajisur me sisteme bllokuese të sinjaleve të telefonave celularë dhe dronëve. Ndër të transferuarit është edhe Mohamed Amra, i njohur si “Miza”, i cili organizoi një arratisje vitin e kaluar duke vrarë dy roje.

    Kufizime drastike dhe shqetësime për të drejtat
    Kushtet në Vendin-le-Vieil janë “jashtëzakonisht të vështira”, sipas Darmanin. Të burgosurve do t’u lejohet vetëm një orë në ditë në oborrin e ushtrimeve, në grupe jo më shumë se pesë persona. Qelitë individuale janë të pajisura me vrima për prangosje dhe sisteme rripash për dyert.
    Raporti i rojeve me të burgosur është shumë i lartë, me 250 roje për 100 të burgosur, krahasuar me raportin normal prej 20 rojesh për 100 të burgosur. Kontaktet me familjarët do të kufizohen në maksimum dy orë, dy herë në javë, dhe dhomat e vizitave do të kenë ndarëse xhami sigurie për të parandaluar kontrabandën. Gjithashtu, të burgosurve nuk do t’u lejohen të drejtat për kohë intime me partnerët dhe anëtarët e familjes, të ofruara në burgjet e tjera.
    Kritika dhe aspiratat politike të Darmanin
    Ndërsa Darmanin argumenton se këto masa janë të nevojshme për të parandaluar që Franca “të zhytet në narko-banditizëm”, kritikët shprehin shqetësim. May Sarah Vogelhut, avokate e njërit prej të burgosurve të transferuar, thekson rrezikun e grupimit të kaq shumë kriminelëve të rrezikshëm dhe paralajmëron se kushtet e vështira mund të shkaktojnë ndikime të papranueshme në shëndetin mendor të të burgosurve.
    “Është pothuajse më shumë si një klub rrjetëzimi për trafikantët miliarderë të drogës,” tha Vogelhut, duke shtuar se barriera prej xhami në dhomat e vizitave është “çnjerëzore” dhe do t’i “dehumanizojë” të burgosurit.
    Këto masa shihen edhe si një lëvizje politike nga Gérald Darmanin, i cili, pasi ka shërbyer si ministër i Llogarive Publike, ministër i Brendshëm, dhe së fundmi si ministër i Drejtësisë, ka demonstruar besnikëri ndaj Macronit. Ndërsa lidhjet me një president jopopullor mund të dëmtojnë kandidaturën e tij, përvoja qeveritare dhe retorika e ashpër ndaj krimit mund të jenë tërheqëse për votuesit.
    Darmanin ka njoftuar plane për të paktën dy njësi të tjera burgu të sigurisë së lartë për trafikantët e drogës, përfshirë një në Guianën Franceze. Vogelhut akuzon Darmanin se po përpiqet të fitojë vota duke luajtur me “frikën dhe ankthet e francezëve” dhe se këto masa “nuk do të zgjidhin asnjë problem” apo nuk do të çojnë në uljen e krimit. AP

  • Rusia dhe Ukraina do këmbejnë 1200 të burgosur të luftës, Moska tregon kur do mbahet takimi i Putin me Zelenskin

    Rusia dhe Ukraina do këmbejnë 1200 të burgosur të luftës, Moska tregon kur do mbahet takimi i Putin me Zelenskin

    Rusia dhe Ukraina gjatë bisedimeve që zhvilluan në Stamboll janë pajtuar që secila palë të këmbejë 1.200 të burgosur të luftës.

    Kështu tha kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky pas raundit të tretë të bisedimeve të mbajtur në Stamboll mbrëmjen e 23 korrikut.

     “Jemi pajtuar për vazhdimin e këmbimit të burgosurve të luftës, për të paktën 1.200 të burgosur shtesë që do të këmbehen nga të dyja palët në një të ardhme të afërt”, tha Vladimir Medinsky gjatë një konference për media duke shtuar se takimi  Putin – Zelensky do të ndodhë vetëm pasi të arrihet një marrëveshje

    Rundi i tretë i bisedimeve që u zhvillua nën ndërmjetësimin e Turqisë ka zgjatur 40 minuta.

    Një burim nga departamenti i shtypit i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Kievit u tha gazetarëve në Stamboll se mes Medinsky-t dhe Umerov “nuk ka pasur një takim dypalësh”, por vetëm “një takim të shkurtër trepalësh përgatitor” për bisedimet mes delegacioneve, në të cilin mori pjesë edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.

     Në filim të takimit Fidan u bëri thirrje palëve që t’i japin fund sa më shpejt që të jetë e mundur “luftës së përgjakshme”, që ka nisur mbi tre vjet më parë.

    “Qëllimi ynë është që t’i jepet fund luftës së përgjakshme sa më shpejt që të jetë e mundur. Një armëpushim që do t’i hapte rrugë paqes”, tha Fidan në nisje të negociatave.

    Turqia, ka raporte të mira me të dy fqinjët e saj në Detin e Zi, ka furnizuar Ukrainën me dronë dhe nuk i është bashkuar Perëndimit në sanksionimin e Moskës.