Partia e Lirisë ka denoncuar propagandën e qeverisë dhe Edi Ramës me kërkimin shkencore pas takimit ne Universitetin Bujqësor.
“Me tone arrogante dhe premtime të ricikluara, Kryeministri tentoi të paraqiste si sukses atë që në realitet është një dështim i shumëfishtë: mungesa e investimeve serioze në kërkimin shkencor, largimi masiv i studentëve dhe pedagogëve, si dhe shkatërrimi i fermës eksperimentale didaktike , për të cilën janë premtuar miliona euro që nuk dihet ku kanë përfunduar”, tha, Zv. Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Znj. Brunilda Haxhiu
Deklarata e plotë e Zv. Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë
Vizita e Kryeministrit në Universitetin Bujqësor të Tiranës ishte një tjetër shfaqje propagandistike, pa përmbajtje reale dhe pa asnjë përgjigje për problemet e thella që përjeton sot arsimi i lartë bujqësor dhe bujqësia shqiptare në tërësi.
Me tone arrogante dhe premtime të ricikluara, Kryeministri tentoi të paraqiste si sukses atë që në realitet është një dështim i shumëfishtë: mungesa e investimeve serioze në kërkimin shkencor, largimi masiv i studentëve dhe pedagogëve, si dhe shkatërrimi i fermës eksperimentale didaktike , për të cilën janë premtuar miliona euro që nuk dihet ku kanë përfunduar.
Asnjë fjalë për transparencën e munguar në përdorimin e fondeve, për tenderët pa garë, për përzgjedhjen politike të drejtuesve dhe as për krizën e madhe të besimit që ka kapluar universitetet publike. Kryeministri zgjodhi sërish të mbulojë realitetin me fjalë boshe, të shpallë “rilindje të reja”, ndërkohë që fermerët braktisen, studentët largohen dhe universitetet shndërrohen në zgjatime të propagandës qeveritare.
Në vend që të fliste për nevojat reale të universitetit, Kryeministri perferoi batutat dhe krahasimet fyese për universitetet e tjera shqiptare. Asnje reflektim për kaosin institucional qe ka përfshirë UBT-ne, ku 24 zyrtarë u vendosën nën hetim nga SPAK për abuzime dhe ndërtime të paligjshme.
Shkenca dhe arsimi nuk ndërtohen me batuta, por me vizion, transparenë të fondeve dhe liri akademike. Sot, Universiteti Bujqësor nuk ka nevojë për vizita mediatike, por për një rikthim serioz të mbështetjes dhe integritetit që i është mohuar për vite me radhë.
Universiteti Bujqësor është vizituar me bujë ndër vite, me premtime për “revolucione të gjelbra”, që në realitet kanë sjellë vetëm tendera me qindra mijëra euro – shumë prej tyre sot në hetim nga SPAK. Kujtojme fondin 1 milion euro në dispozicion të Universitetit Bujqësor të Tiranës, në mars 2019 me vendim qeverie për ngritjen e nje ferme didaktike pranë këtij universiteti. Ky fond iu shkeput fondit te skemave mbeshtetese per fermeret .
Fondi u miratua si një premtim I qeverisë për të përmbushur kërkesat e drejta të studentëve për të garantuar kushte dinjitoze praktike në arsimimin bujqësor. Por sot, pas më shume se gjashte vitesh, ajo që shohim është një histori e rëndë e korrupsionit sistematik, e mashtrimit dhe e shpërdorimit të parave publike në një nga institucionet më të rëndësishme arsimore të vendit.
Ferma didaktike që u premtua të ishte një shembull I inovacionit, rezultoi qe një pjesë e madhe e këtij fondi është keqpërdorur përmes tenderëve te manipuluar, kontratave të fryra dhe lidhjeve klienteliste . Qindra mijëra euro u investuan në laboratorë , të cilët nuk janë vënë kurrë ne funksion dhe mungoje edhe epruvetat dhe reagentët.
Ka ardhur koha që shoqëria të ngrejë zërin. Koha që universitetet të mos jenë zgjatime të zyrës së propagandës, që pushteti lokal të mos jetë degë e selisë rozë, që mediat të mos jenë kukulla të narrativës zyrtare.
Ka ardhur koha që arsimi të jetë vërtetë prioritet kombëtar .
Partia e Lirisë që prioritet të saj madhor ka arsimin do të depozitojë me nisjen e sesionit parlamentar projektligjin për rritjen e financimit të Arsimit me 5% të PBB.
Sepse nëse vazhdojnë politikat e dështuara arsimore pa vizion dhe një axhendë të qartë për shpopullimin e vendit do të humbasim përfundimisht të rinjtë dhe profesionistët duke e vënë në pikëpyetje të ardhmen e Shqipërisë.